A bëhet që ambicia personale të jetë më e madhe sesa interesi i përgjithshëm i një populli? Nga veprimet e kësaj Qeverie dhe kreut të vet, duket se kësaj pyetjeje duhet përgjigjur me “po”
Ditari i javës për ngjarjet që ndërlidhen me aksionin e 25 korrikut nisi me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës – pra ashtu siç u supozua nga shumëkush, ky trup nuk u mblodh para se të ndërmerrej veprimi në veri. Kjo gjë nxiti dyshimin se në fakt nuk ka ekzistuar ndonjë strategji e qartë se si të mbarohej puna e filluar të hënën e parakaluar, e cila u nis me një vrull mjaft të madh e që nxiti eufori, por që më pas edhe krijoi huti, sepse nuk dihej se a do të rrihej apo do të shkohej. Kjo gjithashtu nxiti dyshimin nëse ka pasur komunikim ndërinstitucional, nëse edhe kryetarja apo kryeparlamentari kanë qenë të njoftuar paraprakisht me intencat e Qeverisë, përkatësisht të kryeministrit.
Mbase një indikacion për përgjigjen e mundshme do të mund të nxirrej nga skandali, të cilin e shkaktoi kryeministri me rastin e vizitës që së bashku me kryetaren ua bënë pjesëtarëve të njësisë elite në Vrellë. Sikur të kishte shkuar në të pame dhe duke e injoruar fare prezencën e një femre, e cila rastisi të ishte kryetarja e Kosovës, i vuri në funksion këmbët e gjata dhe, thuajse po e ndiqnin, u ngut t’ia zgjaste dorën secilit prej policëve që rrinin gatitu me uniforma e maska. Menjëherë pas tij u rreshtua ministri i Brendshëm, duke e lënë zonjën kryetare prapa, e cila, e hutuar por megjithatë plot dinjitet, zgjodhi t’i përmbahej protokollit e të parakalonte me kokën lart dhe të kthyer në drejtim të ish-kolegëve të saj.
Sjellja e këtillë, e pagdhendur dhe arrogante, në fakt i tregon dy gjëra: e para, që me këtë veprim kryeministri do që të dëshmojë “se kush është këtu shefi (ani që shefi i vogël, megjithatë)” dhe, e dyta, kështu dëshmon nivelin e respektit që ka si për institucionin e kryetarit ashtu edhe për vetë zonjën Jahjaga.
E se aksioni i datës 25 lë përshtypje të jetë shikuar dhe urdhëruar me mendjelehtësi, e konfirmoi ish-shefi i Policisë, tash deputet i partisë në pushtet, Behar Selimi, i cili tha: “Ato pika të kufirit nuk mund të mbahen pa përkrahjen e KFOR-it, për arsye se mungojnë mjetet përkatëse të logjistikës, mungon helikopteri, pa të cilin ne nuk mund të shkojmë në pikat kufitare pa u ballafaquar me grupet kriminale që po e shfrytëzojnë edhe popullatën”. Por, problemi është se territori, të cilin Kosova nuk e ka nën kontroll, e që e quajmë veri, nuk përbëhet vetëm nga këto dy pika kufitare, por nga një territor, i cili, figurativisht, kap sipërfaqen e tokës që nis nga Prishtina dhe përfshin Ferizajn e Shtërpcën, Hanin e Elezit dhe Gjilanin! Që e bën përafërsisht një të katërtën e territorit të Kosovës.
Pra, nëse nuk ka pasur koordinim paraprak me KFOR-in, atëherë del se rrezikimi i asaj dite ka qenë shumë më i madh seç është paraqitur dhe se viktimat kanë mundur të jenë shumë, shumë më të mëdha. Arsyet se pse kjo nuk ka ndodhur, mbase do të duhej gjetur te prezenca e komandantit të KFOR-it, Buehler, i cili fillimisht mori rolin e paqebërësit, më pas evakuuesit, e përfundimisht edhe të kryenegociatorit në kohën kur institucionet e Kosovës mbeteshin pa përfaqësues në terren. Por, mbase edhe te fakti se, megjithatë, ka pasur vetëpërmbajtje nga popullata lokale serbe, gjë që nuk mund të thuhej për operativët e MUP-it serb të infiltruar në territorin e Kosovës, që janë burimi i gjithë jostabilitetit në veri.
Një gjë është e qartë – po të kishte pasur sulme edhe nga popullata e armatosur serbe, numri i policëve kosovarë që do të pësonin do të ishte shumë më i madh, për shkak se: 1) Policët elitë janë gjendur në territorin të cilin nuk e kanë shkelur qe 12 vjet, pra si i tillë është i panjohur për ta, dhe lehtë do të mund të binin pre të pritave; 2) Policia e Kosovës ka qenë e vetmja atë ditë që nuk është komanduar nga komandanti i saj, i cili ishte shkarkuar disa çaste para sulmit; 3) Policia e Kosovës nuk ka vetura të blinduara, as armatim pak më të sofistikuar, e përfundimisht as helikopterë për të vëzhguar e vepruar nga ajri dhe, 4) Duket se policia është futur në veprim pa strategji hyrjeje, e çka është më me rëndësi, as strategji daljeje.
U tha se Policisë i mungojnë mjetet e rënda dhe helikopterët. Ajo që nuk u tha e dihet publikisht është se institucionet e Kosovës kanë shumë vetura luksoze që kanë mundur të mos bliheshin, e që për shembull ato para të orientoheshin nga Policia e që këto mjete të siguroheshin. Ani që kjo në vete e ngërthen rrezikun që po kjo Polici, hipotetikisht, me urdhër të kryeministrit do të mund t’i përdorte po këto mjete për t’i shtypur protestat eventuale të pakënaqësisë qytetare në një të ardhme jo fort të largët. Për shkak se është instrument jo gjithmonë i padhunshëm që synon zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit, qetësisë dhe të sigurisë publike. Por në rastin e veriut, nuk ka diskutim se nuk mjaftojnë as armët e shkurtra e as pendrekët.
Këtu e shoh të nevojshëm një digresion. Para dy vjetësh Qeveria e Thaçit ia kishte shkurtuar buxhetin po kësaj Policie, të cilën sot e quan faktor unifikues të Kosovës, për hiç më pak se 5 milionë euro dhe që pavarësisht rritjeve fushateske të rrogave, gjendja e policëve nuk duket se ka ndryshuar shumë. Se gjendja e atyre që rrezikojnë jetët, si në rastin e 25 korrikut, është e disfavorshme, e dëshmon edhe rasti i policit të vrarë, familja e të cilit për fat të keq u bë pre e të gjithë atyre që ngarendnin pas publicitetit patriotik – duke bërë gara se kush kishte mbledhur më shumë para për familjen e heroit, e që ky fakt patjetër të shënohej nga mjetet e informimit publik. Po përse duhet shkelur kështu mbi dinjitetin e familjes? Ndihma a jepet nga sinqeriteti apo nga publiciteti?
Prapa në temë. Policia iu kthye detyrave të veta të rregullta; Qeveria duket e vendosur të mbajë mbledhje për çdo ditë, meqë situata nuk është e thjeshtë dhe në fakt shefat e koalicionit kanë nevojë të merren me një punë të zorshme, për ta shmangur vëmendjen nga problemet e tjera që i kanë krijuar: si p.sh., rezultatet e zgjedhjeve, buxheti dhe imuniteti i deputetëve. Ndërkohë Qeveria mori qëndrim të “palëkundur” ndaj KFOR-it, të vetmit institucion, i cili në fakt e shpëtoi Kosovën nga një gjakderdhje masive e madje edhe nga okupimi fizik i territorit të veriut nga forcat serbe. Kjo për shkak se puna mbeti ajo e javës së shkuar -- që KFOR-i vazhdoi të negocionte në emër të Kosovës dhe për Kosovën, për ta arritur një marrëveshje me përfaqësuesit serbë për zhbllokimin e barrikadave nëpër rrugën rajonale dhe marrjen nën kontroll të pikave kufitare, kurse Qeveria e Kosovës, në mungesë të veprimeve të tjera, e kaloi javën duke i kundërshtuar propozimet e marrëveshjeve si të papranueshme për Kosovën.
Më në fund dje u arrit një marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe KFOR-it, lehtësuar nga ambasadori amerikan, e të cilën do ta pranojë pala serbe, ngase tashmë këtë hap e ka përshëndetur Departamenti i Shtetit. Esenca, megjithatë, do të vazhdojë të jetë e njëjta – marrëveshjen me serbët do ta negociojë KFOR-i, ani që kontrolli mbi atë pjesë të territorit dhe shtrirja e sovranitetit është punë që u përket ekskluzivisht institucioneve të Kosovës. Dhe në pamundësi për ta bërë këtë, institucionet e Kosovës do t’i nënshtrohen presionit që t’i hyjnë dialogut të përgatitur për shtator... sepse duhet ditur se nuk qenë të rastësishme as vizita e Cooperit të mërkurën, e as deklarata e Countrymanit dje. Mbetet të përcaktohet tema e bisedës – që duhet shpresuar të mos jetë veriu.
Dhe, në gjithë këtë rrëmujë dje doli një informatë trishtuese që fliste për fatin e manipuluesve të votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2010. Fillimisht u tha se prej shumë qindra njerëzve për të cilët u fol se kishin manipuluar votat, vetëm 333 persona ishin akuzuar zyrtarisht, prej të cilëve vetëm 6 janë në burg. Në të shumtën e rasteve, të akuzuarit janë dënuar me kundërvajtje (sic!); e në Gllogovc, ku ka pasur “vjedhje industriale”, shumicës nga 134 të akuzuarve u janë shqiptuar dënime me kusht prej 6-8 muaj në afat kohor prej dy deri në katër vjet. Dënimi maksimal i shqiptuar në të holla ka kapur shumën prej 1350 eurosh, kurse asnjëri deputet për të cilin janë vjedhur votat nuk është akuzuar. Kjo flet për mungesën e dyshimit se këto gjykata, sidomos të nivelit lokal, janë të kërcënuara nga politika partiake e klanore – po ajo që i vodhi votat.
Nuk po vazhdoj më tej, për shkak se nga ky raport del se një gjë që shpaguhet shumë mirë në Kosovë është vjedhja, hajnia, mashtrimi – quaje si të duash një gjë kaq të shëmtuar si kjo. E lëre që është shëmtuar si veprim, por ia ka shkaktuar Kosovës pasojat e pabesueshme dhe paimagjinueshëm negative.
Kështu, falë “veprimit bujar” të këtyre njerëzve, tash kemi përbërjen e Kuvendit çfarë e kemi, me shumë njerëz për të cilët flitet se do t’u kontestohet imuniteti. Nga ky Kuvend është votuar kjo Qeveri, e cila nuk është larg që të na bankrotojë me papërgjegjësinë e saj financiare e buxhetore. Qeveri e cila na futi në bisedime me Beogradin krejtësisht të papërgatitur, e të cilin dialog nuk e di si ta menaxhojë, pavarësisht ekspertizës së vetëreklamuar të zëvendëskryeministres Tahiri. Qeveri e cila ka për kryeministër njeriun që do të jetë në gjendje sërish të japë urdhër për të shkuar në veri, pa kalkuluar asgjë tjetër pos interesit të vet për të mbetur në pushtet. Pavarësisht çmimit.
*(flaka@koha.net)