Rreth vëllimit poetik me tanka “Harbimi i kujve” i Milianov Kallupit
HARBIMI NË PLLAJËN MAGJEPSЁSE
“Poezia e shtruar në këto tanka, shkon në favor të shpërndasrjes me tendencë të afirmimit të kësaj forme poetike, që në letrat shqipe ,nuk është e shfaqur në këtë modalitet.”
Nga Nexhat Rexha, Prishtinë
Frymëmarrja artistike në vëllimin poetik me tanka ”Harbimi i kuajve” i Milianov Kallupit, vjen si puhizë bashkë me aromën frymëzuese dhe natyrshëm të bën për vete, nëpër bulimin dekorativ të valëvitjes edhe nëpër oazat dhe shtegtimet e njeriut ëndërrimtar, gjithnjë në kërkim kah pllajat magjepsëse. Ndërsa, trokitjet harbuese hulumtojnë vezullimin në kërkim të pashtershëm për portën e ëndërruar dhe hyrje-daljen në detin e pafund,duke kërkuar hapësirë kalëruese e për të pa ngjyrat e fluskave të pa përsëritshme të lumit Shkumbin dhe për të shijuar njelmësinë e detit të pa fund.
Nëpër 112 tankat e këtij vëllimi, lexuesi mund të bjerë në dashuri me peizazhet, që reflektojnë imazhe reale e imagjinatave, që ka flora dhe fauna e paraqitur në vargjet e këtyre lirikave, por që në brendi ato kanë mbështetje origjinale në të gjitha variantet e mundshme të topografisë burimore. Shprehja artistike në këto lirika pesëvargëshe,është e ngjeshur me brumë të gatuar mirë dhe shprehje funksionale,që brenda vetes rrezatojnë të mundshmen për t`i dhënë efektin dhe kuptimësinë mesazhit diskursiv.
Shtrirja kohore në lirikat e Milianovit, shpalosin lidhjet e gjata shoqërore të pakëputshme në arealin e dridhjeve fizike e psikike të fazave të ndryshme historike. Mirëpo,në thellësi të vargjeve figurat e zgjedhura të japin shpresën për dashurinë në kërkim të së bukurës. Në horizont shfaqen mrekullitë e fuqishme dhe prania e tyre krijon karakterin emocional të dëshirueshëm,sepse lidhja e gjallesave në këtë harbim të kuajve është personifikim i realizuar e formësuar bukur me të njohurat dhe të panjohurat e kësaj infrastrukture ,që krijon afërsinë dhe bashkërisht përfaqësojnë lëvizjet në kërkim të lirisë së përgjithshme.
Tërësia kuptimore e vargjeve të këtyre tankave kanë harmoni në çështjet e brendshme, sepse esenciale për autorin është mbarështrimi i zgjedhjes së problematikës,që ai ka shtruar edhe si lëndë edhe si kuptim, që ndërlidh pikëpamjet natyrore me mundësinë objektive, kuptohet gjithnjë me vëmendjen për atë që vë në spikamë. Pra, që në vargjet e para, autori ka bashkëjetuar me kështjellën,gjegjësisht me të kaluarën e heshtur të vendlindjes,
Semantika e zgjedhur në këto tanka zgjon kërshërinë për zgjim të ndërgjegjes dhe jep artikulim të vëmendshëm, për t`i dhënë impuls shkëlqimit në vijimësi. Nëpër vargjet e ngjeshura të kësaj vepre hasim edhe mllefin edhe dashurinë, të cilat ruajnë në vete plotninë e tyre në harmoni e latim me inserte,që karakterizojnë lidhjen e të gjitha fenomeneve natyrore.
Ai me kompaktësi ka orientuar kah rruga e lumturisë,sepse dashuria është ajo që mund kohët,autori shprehet përmes vargjeve:*** ”Nuk di se kush/ në kohën time/ hapi një hon të thellë./ Që të mos gremisem/duart më zgjat një lofatë” fq.26.
E kaluara te të gjithë brezat e njerëzimit lë mbresa të pashlyeshme, sa do të thjeshta qofshin ato,varet nga momentet jetësore si janë përjetuar dhe si janë regjistruar në memorien e përjetuesit këto mbresa,të cilat njeriun shpesh herë e kthejnë në retrospektivë. Milianov Kallupi me elegancë artistike, atyre përjetimeve iu ka dhënë përjetimin edhe për moshën e njerëzve te pjekurisë,ato janë çaste, të cilat të kthejnë në meditime dhe ndriçojnë të gjitha pikat e kujtesës. Rikthimi nëpër krajatat e jetës zgjon emocione dhe autori të jep çiltërsinë rinore,edhe pse koha për dikend mund të jetë edhe e pamëshirshme, në tërë atë bukuri që kanë dhuruar stinët me lulet e natyrës shqiptare. Ai shprehet përmes vargjeve:”Te kjo shpatinë/si ti, mbretëresha ime./zbardhin luleqershitë./ A ,të ishe dhe ti këtu,/kurorë të të thurja.”/Fq.32.
Autori bukur i ka kënduar shtegtimeve,të këtyre kohëve,duke zgjedhur fjalën dhe asaj i ka dhënë funksionalitet e gjuhë poetike. Kjo gjallëri sa reale ,po aq ëndërrimtare me figuracionin e brendshëm ruan edhe rolin transformues dhe lexuesi mund të ndjej aromën në shtegtim të kërkimit për pagjumësi. Prandaj, “Aktorët në skenën e Butrintit”,vijojnë lojën e tyre. Loja e skenës dhe loja e jetës shpalosin ballafaqimin më kompleks,por autori në anën tjetër shpalos edhe të bukurën dhe të shëmtuarën. Ai shprish, atë që ka prodhuar njerëzimi e koha me të gjitha faqet e saj, e guaska sikur ka ruajtur diçka të rëndësishme, kurse dy kumria, që duken mbi degët e kumbullës zhvillojnë dashurinë publike në puthje sikur çlirojnë plagët e të kaluarës.
Poezia e shtruar në këto tanka, shkon në favor të shpërndasrjes me tendencë të afirmimit të kësaj forme poetike, që në letrat shqipe ,nuk është e shfaqur në këtë modalitet. Mjetet shprehëse që Milianov Kallupi i ka përdorur në vargjet e kësaj vepre janë elementë të pranueshëm, sepse ai ka shfrytëzuar shfaqjet motivuese me peizazhet e përjetimit,duke paraqitur ambientin burimor edhe si figura artistike edhe si elementë dominues me lidhjen evolutive brenda pasqyrimit tematik, si: trëndafili, shelgu, kumbulla ullinjtë, e si; mjellmën, pulëbardhën, harabelin, pelivesën blu, pastaj gurgullimën, liqenin, luginat,brigjet e deri te Devolli e Shkumbini për të arrirë në majën e Malit të shenjtë shqiptar Tomori. Të gjitha këto gjetje ekzistuese ,kanë marrë figuracion dhe kanë dhënë efektin artistik,gjithnjë në fokusim të përcaktimit sa më bindës.
Pra,këto veçori e bëjnë veprën më përfaqësuese në procesin e cilësisë estetike,të veprave që po shkruhen në këtë decenien e parë të këtij fillim shekulli. Botimi i vëllimit poetik “Harbimi i kuajve”i Milianov Kallupit është botim reprezentativ dhe vjen në dorën e lexuesit për komunikim tri gjuhësh,në gjuhën e autorit,në atë kroate,në përkthim të poetit Mustafa Spahiu, si dhe në gjuhën maqedone në bashkëpërkthimin të, Ismet Bitiqit dhe Mustafa Spahiut.