Vilhelme Vranari -Haxhiraj-
Dy fjalë rinisë shqiptare të shekullit XXl nga autorja
Parathënie e trilogjisë "Vështroni Meduzën"
Jam një grua si gjithë të tjerat. Disi e madhe në moshë për të shkruar një vepër voluminoze, një trilogji, me një shtrirje të gjërë si në hapësirë, ashtu dhe në kohë. Si çdo femër kam impenjimet e mia, si bashkëshorte, si nënë, si gjyshe dhe si pjesë e shoqërisë.
Këtë vit mbusha gjashtëdhjetë vjeçe. Kushdo kur arrin një limit, pyet veten: “ Jetova, a s’jetova vallë? Kam parë apo s’kam parë? Thashë, po çfarë kam thënë? Kam bërë, po ç’kam lënë?”
Jam e bindur se sa pyetje pa përgjigje, trazojnë mendjet e lodhura të atyre që kërkojnë diçka më tepër nga vetja për të qënë “Dikushi”. Ishin pyetje, të cilat përballë realitetit të hidhur dhe të gjatë, ngelën memece, gjë që më ka munduar gjatë gjithë jetës.
“Si mbiemri i shoqes sime të shkollës pedagogjike “Vranari”, e tillë, e vranët ishte dhe jeta e saj. Duhej kohë, që qielli të hapej dhe Vilhelmja ta thoshte fjalën e vet. Ajo vjen në letërsi si Antigona për të qetësuar dhe mjekuar shpirtrat e lënduar të shqiptarëve”- u shpreh më 4 nëntor 2000 në panairin e librit në Tiranë, shoku im i shkollës pedagogjike “Jani Minga”, poeti i shquar Xhevahir Spahiu. Me këto fjalë, ai që, me poezinë e tij shëron dhe qetëson shpirtrat njerëzor, që është një nga zërat më të ëmbël, më tronditës, më ledhatues, më bindës, më mikëlues, kishte të drejtë.
Ishte një përgjigje e heshtjes, e verbimit dhe e shurdhërisë së detyruar të një kombi të virgjër për një kohë shumë të gjatë. A duhej thyer akulli që kishte ngrirë mendimet e lira të gëlonin, duke i vënë kyçin gojës?!
E kush tjetër veç meje mund ta trajtonte këtë temë, si dëshmi e kohës së ashpër, kohës sëmohimit të vlrave humane, diktaturës komuniste, më të egrës që ka njohur njerëzimi, e cila tjetërsoi njerinë. E varfëroi atë materialisht por më e keqja ishte varfëria mendore që ia bëri si dhuratë për gjysmë shkulli.
Me të drejtë profesor Odhise Grillo, redaktor i njëmbëdhjetë veprave të mia të para, mik dhe udhërrëfyes i krijimtarisë sime letrare, kur analizoi novelën “Mamaja”vërejti, se në të janë lënë hapësira kohe dhe ngjarje rrëqethëse, që kanë hapur plagë të pashërueshme për këtë popull vital. Më tej ky mjeshtër i penës, i palodhur për të dhënë ndihmën e tij të vyer në letërsi, shprehet: “Vilhelmja ka ardhur në sofrën e shkrimtarëve si një kirurg me përvojë, që me bisturi në dorë, ka nisur të operojë plagët e vjetra dhe të reja të shoqërisë shqiptare.”
Këshilla dhe vlerësimi i tij më vunë para një përgjegjësie të madhe, për të bërë diçka të vyer. Ishte një përgjegjësi morale ndaj gjysmës së shqiptarëve që u trajtuan si armiq dhe tradhëtarë, të cilët lufta e klasave, nga më çnjerëzoret që ka njohur historia e njerëzimit në gjithë rruzullin tokësor, i ndau nga bota e të gjallëve. Ju nuk mund ta imagjinoni dot, se sa e hidhur është për një nënë,që gjithë ditën i bie bretku në “ish ullinjtë, dikur pronë e familjes” dhe në mbrëmje ajo i mbledh barktharët e saj me lakra pa vaj. Si ta emërtoj këtë vallë: “Ironi të fatit apo paradoks?!”
Kjo trilogji, ishte një detyrim moral ndaj atyre jetëve që u shuan, të sa e sa ëndrrave që u tretën, të shpresave që i vranë pamëshirë për gjysmë shekulli. Ishte një angazhim ndaj gjithë atyre që iu mohuan buzëqeshjen, ëndrrën, rininë, arsimin, profesioni, vetëm e vetëm që të mos ishin vetvetja.
Ua kushtoj atyre nënave, shëmbuj virtyti dhe besnikërie, që përjetuan ferrin për të nxjerrë në jetë “Njerinë”. Si mund të harroja ato gra vitale, që nën fshikullimën e pamëshirshëm të kamxhikut të kohës së egër, s’reshtën duke përshkuar rrugët e përbaltura të Atdheut. Trastat mbi shpinat e tyre ishin më të rënda se prangat skllavëruese në duart dhe këmbët e burrave. Ishte një përgjegjësi morale ndaj intelektualëve që dijen dhe mendimin shkencor e tretën qelive, burgjeve, kënetave dhe minierave. Për ata të rinj që plehëruan tokën dhe u bënë shtretër mushkonjash, shushunjash a gjarpërnjësh nëpër llomi kanalesh dhe kënetash. E shkruajta për ata lastarë, të cilët për një grimë liri, kishin vënë shenjën e barazimit mes jetës dhe vdekjes. Për këtë tokë të virgjër, për këtë vend të pasur si ëndërr dhe të bukur si parajsë, por tejet të vuajtur e të varfër, që e shndërruan në një varrezë gjigande mbushur me varre pa emër. Për dijen e kombit që u kalb dhe u tret nëpër qelitë e ftohta si vdekja dhe më të ngushta se varret. Për gjithë ata jetimë me baballarë gjallë, të cilëve ua vranë ëndrrën ende pa lindur..Për këtë truall të shenjtë dhe të lashtë, sa vetë bota, të kthyer në një burg të madh, ku kishte vetëm të burgosur dhe rojëtarë. Për gjithë ata të cilëve u mohuan dijen, profesionin duke u thënë: “Mjaft! Kjo botë nuk ju përket më! Ju i përkisni botës së vuajtjes, mjerimit dhe dhembjes.”
Ishin këto dhe shumë arsye të tjera, që më detyruan të gërmoj, të gjurmoj për trembëdhjetë vjet, atë që koha ma mohoi për gjysmë shekulli. Sot për nder të gjithë atyre të pafajshmëve që i bënë preh të vdekjes së pashëmbullt, ju do të lexoni këtë requiem. Duke pasur parasysh të thënat dhe të pathënat, po paraqes për lexuesin shqiptar trilogjinë“Vështroni Meduzën”, ku përmes tri librave:
Triogjinë me titull: “Vështroni Meduzën”:
- Romani i parë: “Prolog jete”
- Romani i dytë: “Vështroni Meduzën”
- Romani i tretë: “Dilema e së nesërmes”- përmes të të cilave, do të njiheni me një jetë në tri kohë. Një jetë plot dhembje, dashuri dhe pasion. Gjatë leximit do të njihni ëndrrën dhe zhgënjimin, ku lufta e të kundërtave, mes dashurisë dhe urrejtjes, mes jetës dhe vdekjes, mes reales dhe ireales dhe sa e sa antitezave të tjera, ngërthehen me shumë vërtetësi. Një jetë plot drama e tragjedi, nga më rrëqethëset që ka përjetuar njerëzimi, të cilat ishin dhuratë e “Fitores së çmendjes.”
Në të tri romanet, në mbi 1100 faqe, shprehet optimizmi im se ndërgjegja njerëzore, dashuria për jetën do rrisin dëshirën për ta ndryshuar botën.
Ndaj, ju të rinj të shekullit të ri, jetojeni jetën se është e bukur. Mos u bëni preh e intrigave të kohës së vrazhdët që tjetërson njerinë, ndaj mos lejoni, jo vetëm kohën, por askënd që të vrasë shpi-rtrat tuaj të dëlirë.
Këto tre romane psiko-socialë me vlera të mëdha atdhetare, shoqërore dhe artistike janë një kujtesë për t’i fshirë pluhurin e harresës dhe nëveçanti janë kujtesë për historianët.
Lexojeni dhe s’keni për t’u zhgënjyer. Njihuni me tragjeditë e një kombi vital, që do të zilepsnin tragji-komedian të mëdhenjë të kohërave, të cilët do të zgjoheshin nga gjumi i gjatë i shekujve dhe do të shkruanin tragjedinë e një kombi, tragjedinë e tmerrshme të vendit të Shqipeve. Ndaj mos i harroni kurrë, se ju, vetëm ju, rinia e shekullit të ri, s’duhet të lejoni që tragjeditë të përsëriten!
Autorja
Vilhelme Vranari (Haxhiraj)
Vlorë janar-2005
Autorja Vranari gjithmonë i shoqëron librat e saj me një sentencë shprehur në vargje ( poezi) në kopertinën e pasme.
Për njërin nga tri librat, ajo ka zgjdhur poezinë me titull “Rikthim në vite”:
RIKTHIM NE VITE
Ty Perëndi të adhuroj,
më rikthe në lashtësi,
nëpër skuta të gërmoj,
errësirës t’i hedh dritë.
Të shikoj çfarë nuk kam parë,
të dëgjoj ç’nuk kam dëgjuar,
të njoh atë që dot s’e njoha,
historitë që s’janë treguar.
Më rikthe, të kuvendoj,
me të parët, si kanë jetuar,
ndër legjenda ende jeton,
fisnikëria e trashëguar.
Më rikthe, pluhurin t’ia heq,
Historisë sonë të mohuar,
Më rikthe, botën ta ndreq,
pamëshirshëm transformuar.
Më rikthe dhe do ta shohësh,
ashpër a ëmbël do të t’i tregoj,
të dy anët e medaljes
historisë…do t’ia zbuloj…
Më rikthe dhe më gjyko
e më thuaj: -Ku kam gabuar?
Po deshe mos më prano…,
koha ka për të na gjykuar…
autorja