2011-11-12

Mbrojtja e Fatmir Limaj: Dëshmitari X ishte i çmendur


Mbrojtja e Limaj: Dëshmitari X ishte i çmendur


Një miratim i mundshëm i gjykatës së një kërkese që ka bërë pala mbrojtëse në “rastin Kleçka”, do ta detyronte prokurorin Maorizo Salustro që të “rrëfehej” për trajtimin e Agim Zogajt.
Italiani që ka udhëhequr hetimet dhe ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë ish-pjesëtarëve të UÇK-së është propozuar të premten nga avokatët që të thirret në cilësinë e dëshmitarit dhe të përjashtohet nga procesi si prokuror. Shkas kanë marrë nga botimi i letrave në gazetën “Koha Ditore”, të shkruara nga dëshmitari “X”, në ditët e fundit të jetës së tij.
Në një letër që besohet të jetë e fundit e shkruar nga Zogaj pak ditë para se të bënte vetëvrasje në Gjermani pretendohet se prokurori Salustro ka marrë dëshmi nga ai me anë të presionit. Zogaj shkruante se ishte i bindur se EULEX-i e “ka masakruar psikikisht”.
“Këtë padi po e bëj me shkrim kundra prokurorit italian Mauricio dhe dy agjentëve të sigurimit për mbrojtjen e dëshmitarit, shefi Donalld dhe Hansi nga Gjermania... Zotëri prokuror, hetues. Ti më bëre jo krim, por masakër psikike në tërë fëmijët dhe gruan time. Por ti mua sun um blen kurrë për një milion euro të juaja dhe për burgun që ma falni për çka edhe kum bërë apo edhe për disa dëshmi që ti kum nënshkru pa mi përkthy fare...”, kishte shkruar Zogaj në një letër të ngjashme me qindra sosh të shkruara më herët. Këtë letër dhe të tjera të botuara në “Kohën Ditore” mbrojtja po kërkon që t’i përdorë si dëshmi shfajësuese për klientët e tyre. Këto letra i kanë kërkuar edhe nga prokurori italian, Maorizo Salustro. Por ai ka thënë se nuk i ka.
E vetmja gjë që ka ofruar prokurori ka qenë certifikata e vdekjes së dëshmitarit, të cilit në asnjë rast nuk ia ka përmendur emrin. “Dëshmitari ‘X’”, thoshte kur i referohej ish-komandant Murrizit.

Edvin Kristaq Rama Rama zbulon planin belg: Si do ta bëja sheshin “Skënderbej”


Në publikimin e tretë të librit të tij, Rama i përkushtohet Tiranës dhe qendrës së saj. Për herë të parë qëkur u zhvillua konkursi dhe është miratuar projekti i sheshit të Tiranës, kreu i PS shpreh gjithë konceptin e tij për këtë projekt të madh. Ish-kreu i Bashkisë së Tiranës “zbardh” idenë e projektuesve, të studios belge të projektimit “51N4E” për të përfshirë në sheshin e ri të Tiranës pjesë nga gurët e Shqipërisë, por dhe të rikonceptimit të Pazarit të Vjetër të Tiranës. Kryesocialisti bën një përballje mes gjendjes në të cilën ndodhen aktualisht Muzeu Historik, Pallati i Kulturës, Teatri i Kukullave dhe idesë së tij dhe projektit belg se si duhet të ishin këto institucione dhe ambientet përreth tyre, se si do t’i kthehej shkëlqimi Pallatit të Kulturës për kulturën, Teatrit të Kukullave, por dhe pjesës poshtë monumentit të Skënderbeut. Rama ironizon me figura artistike të gjitha ndërhyrjet që kanë ndodhur në disa nga institucionet simbol të historisë së kryeqytetit shqiptar, si Lidhja e Shkrimtarëve, Shtëpia e Oficerëve apo dhe Shtëpia e Ministrisë së Brendshme, duke akuzuar për ndërhyrje pa kriter ish-ministrin socialist Spartak Poçi dhe ish-ministrin demokrat të Kulturës, Ylli Pango, që sipas tij, vetëm kanë shkatërruar arkitekturën e këtyre ndërtesave.
… Tirana do të kishte një nga qendrat më të bukura në Europë. Të kuptohemi këtu, ndër më të bukurat për nga autenticiteti i saj dhe eklektizmi estetik i grumbullimit të godinave të qendrës që janë një dëshmi unikale e fazave historike të ndërtimit të një shteti, gjë që s’e gjen askund tjetër me larushinë që formëson kufijtë e sheshit “Skënderbej”, të cilët u kuadratuan mrekullisht prej arkitektëve belgë të studios “51N4E” në pragjet e një katrori tredimensional, ku pika qendrore është edhe kulmi i një piramide të ulët në lartësinë e njeriut që bëhet qendra e gravitetit të hapësirës së dikurshme totalitare të marshimeve pushtuese, paradave çlirimtare, protestave zhurmuese, lutjeve lehtësuese e rrëmujës së përditshme stresuese.


Ajo hapësirë u dorëzohet e gjitha qytetarëve, tribuna e ngritur në kohën sovjetike për ofiqarët vendas e dinjitarët e huaj që i drejtoheshin turmës së Njeriut të Ri, zhduket e ia lë vendin një të përpjete të butë që lidh për njerëzit e zakonshëm sheshin pedonal me anën tjetër të Pallatit të Kulturës, barku i të cilit hapet për t’u kthyer në një foyer publik, ku këmbësorët venë e vijnë mes hapësirës së paanë të shëtitjes, takimeve, argëtimit të fëmijëve, uljeve në bar e mbi gurë rrotull Skënderbeut si në pjerrësitë e kalldrëmta të shumë shesheve europiane dhe hapësira tregtare të dyqaneve, restoranteve, librarive, zyrave, agjencive, kinkalerive, kafeneve, kinemave, që plani francez i parasheh si ringjallje bashkëkohore e Pazarit të Vjetër në sipërfaqen e gropës së mbuluar të Hajdinit. “Piramida” e ulur në bojën e njeriut i jep sheshit “Skënderbej” një jehonë historie, duke ruajtur një lidhje konceptuale me të shkuarën që integron e rivlerëson të gjitha godinat e vjetra përreth, por njëkohësisht e ripërmason në dimensione, duke shmangur boshin monoton të rrafshinës së sotme e krijuar kushte optimale për një shikim që në asnjë pikë s’është njësoj, variacion urbanistikisht gjenial që pasurohet me kalldrëmin e shtruar në shesh mozaik gurësh nga të gjitha zonat e Shqipërisë e trevat ku jetojnë shqiptarë, me sistemin e nëndheshëm të ujit të shiut që mblidhet në një rezervuar nën tokë e pastaj shtrihet në rrjetin intensiv të tubacioneve prej kah uji del për të vetëlarë sheshin, duke u derdhur nëpër të katër tatëpjetat e buta të tij, ose për të kërcyer lart duke krijuar shatërvan lodrues në lartësira të orkestruara sipas dëshirës e nevojave të rastit nga dora e njeriut. Të gjitha rrugët hyrëse në sheshin “Skënderbej” mbushen nga pishat e larta të llojit ekzistues në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që hijeshojnë me një kurorë të gjelbër hapësirën e madhe kuadratike dhe hijezojnë zonat hapësirat kufitare mes godinave që shohin nga sheshi, duke krijuar një mikroklimë të re, pastruar dhe freskuar ajrin e ngrohtë që ngrihet lart nën shtysën e ujërave, ndërsa vetë godinat riprogramohen duke nisur nga Pallati i Kulturës ku sot i vetmi oazë jete me dalje në shesh ka mbetur Teatri i Operas. Pallati i Kulturës, nisur me gurin e themelit të vënë nga Nikita Hrushovi, nën buzagazin vesh më vesh të shokut Enver Hoxha e hosanatë e turmës së ekzaltuar prej pranisë së Vëllait të Madh ardhur nga Moska, ruhet në dukjen e tij si paja e madhe e martesës shtetërore të kohës së Perandorisë Komuniste, por u afrohet qytetarëve si një hapësirë e rifituar aktivitetesh publike e kulturore, kollonada e lartë riorganizohet si hapësirë publike, ndriçohet së brendshmi për t’u dhënë natën mundësi njerëzve ta jetojnë riprogramimin e saj dhe, nga ana tjetër, për ta vizituar së jashtmi të gjithë fasadën e gjatë me një siluetë të errët vertikalesh ritmike që i bëhet perde sheshit “Skënderbej”.
Muzeu i vjetër Historik, që lëngon si gërdallë barkzbrazur, gjynah e turp pas njëzet vjetësh nga rënia e komunizmit dhe Realizmit Socialist, ku hyjnë e dalin veç materiale e arna të një pavijoni të shëmtuar të gjoja antikomunizmit, që në fakt ngjan si dy pika ujë me pavijonet e propagandës komuniste për nga qasja hagjiografike ndaj historisë e për nga estetika vulgare e totalitarizmit, e ku mbahen në një sallë të veshur me dërrasat e modës së fundit të kombinatit të vdekur të drurit “Misto Mame” ca simpoziume e konferenca të mekura shkencore, përkujtimore, mortore që flasin vetë për degradimin e jetës kulturore në një batak përshpirtjesh të mbytura, riprogramohet si një hapësirë e gjallë e trashëgimisë kulturore e historike, integruar me pjesë të jetës kulturore bashkëkohore, duke u pastruar tërësisht nga hagjiografizmi e nga reliktet, fotografitë e skenografitë qesharake, të vjetra e të reja, që e kanë kthyer në një panair banal kthinash, kioskash e hapësirash pa asnjë vlerë, kuptim e lidhje, dhe duke u riorganizuar për të ndërtuar një udhëtim jetësor nga shtresa e parë e objekteve origjinale arkeologjike në hyrje, te zona më e madhe në Shqipëri e tregtimit të librit shqip në mjedisin e katit të fundit, ku shkohet duke kaluar me një rend të studiuar mirë përmes shëmbëlltyrave më të vyera të kulturës etnografike, veprave më përfaqësuese të artit bizantin, një koleksion permanent origjinalesh të Realizmit Socialist, kombinuar me dëshmi autentike të terrorit totalitar, të ndërthurura me dhoma projeksionesh filmime, burime të aksesueshme për publikun të informacionit të thelluar dixhital, pika shitje të botimeve e suvenireve nga udhëtimi brenda muzeut, kënde relaksi e bare të vogla, një sallë konferencash moderne dhe po ashtu një mjedis ekspozitash të përkohshme, si dhe një bibliotekë dixhitale e gjithçka gjendet e shkruar në gjuhën shqipe, së bashku me një restorant shik ushqimesh tradicionale. Kështu, hiri i zymtë deprimues që ndërhyn brenda vetes ajo godinë kthehet në një vlerë të shtuar për kryeqytetin e në një aksesor të lëmuar të sheshit “Skënderbej” ku qytetarët, familjarët, fëmijët, të moshuarit, vizitorët, turistët mund të kalojnë orë mundësish të larmishme e jo vetëm të konsumojnë bukurinë dhe qetësinë pa makina të katrorit të bukur kurrizkalldrëmtë.
Pa harruar zonën ekskluzive të fëmijëve që projekti parashikon para Teatrit të Kukullave, katandisur sot në një shëmbëlltyrë të turpeve të bëra në këtë vend me objektet e trashëgimisë kulturore, shtuar me tulla e llaç mbi çatinë e sojme që është prerë pas qafe nga një volum i dalë si depo drithi dhe kioskëzuar me zyra kambizmi e kuzhina qoftesh të rrethuara me një gjelbërim katundesh ku mungojnë vetëm kallamishtet, meazallah se ia lanë qeveritë Bashkisë së Tiranës ta bënte atë teatër xhevahirin e vogël të qendrës, po e rrënuan si s’ka më keq, siç kanë rrënuar dhe godinën e ish-Klubit të Ministrisë së Brendshme, një tjetër perlë arkitektonike e mbuluar me pluhurin e llumtë të viteve, mbi të cilën Spartak Poçi, ministri socialist që thuhej se shkatërroi dyzet banda, ngriti në ballinën e ndërtesës së kohës së Italisë, si të ishte në fushë Kamzën e orëve më të para, pa projekt as minimumin e kujdesit në ndërtim, një kat tek tullë pa leje sot e gjithë ditën të pasuvatuar, dhe kur pastaj Ylli Blu i Kulturës, ministri që mbulonte pikërisht funksionin e kujdestarit qeveritar për monumentet e trashëgimisë kulturore, i bashkëngjiti anash me kartonxhes një kapanon për zyra, si shqelm i fundit ndaj hijes imponuese të asaj ngrehine në mes të Tiranës – e njëjta gjë ndodhi dhe me godinën sharmante të dikur Shtëpisë së Oficerëve, ndërtuar qysh më 1935-n nga Ahmet Zogu, e cila shërbeu më pas si Lidhje e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe pastaj lëngoi vite të tëra në ca konflikte pronësie mes artistësh të mbetur pa lidhje me shtetin e shtetit të mbetur pa artistë të lidhur, ndërsa Saliu e bëri ministri për kulturë, e ia prenë fytin me kartonxhes duke e ndarë përgjysëm në dy kate sallën e jashtëzakonshme kubëlartë, ndërsa së jashtmi e sheqerosën me emrin monumental të dikasterit prej pleksiglasi të kuq mbi tarracë e me ca vetrata surrogato prej shtëpie lojrash fati apo diskoje, njëlloj si vitrazhet fshatarake të vendosura nga dizenjatorët e Jozefinës në derën e zyrave të Kuvendit ku duhet të kalosh për të përshkruar korridorin që të çon tek Shkëlqesia e saj dora vetë.
Po le të rikthehemi tek Teatri i Kukullave, që sipas projektit kthehet në identitet e lidhet me katrorin e sheshit përmes ishullit të pishave krah Bankës së Shqipërisë, duke ofruar një hapësirë çlodhëse nën hije për gjyshërit e prindërit, teksa fëmijët mblidhen, hyjnë e dalin në teatër ose luajnë në mjedisin e arreduar me një zonë rëre e lodrash të dizajnuara apostafat për atë hapësirë si skulptura funksionale, ndërsa Xhamia e Et’hem Beut lidhet me sheshin me një qilim gurësh me ngjyra që ornamentojnë me arabeska trotuarin në krah të tempullit e shtrihen në të gjithë gjatësinë përballë, duke prekur shkallët e Pallatit të Kulturës e krijuar zonën e faljeve brenda territorit të çliruar njëherë e mirë nga makinat. Pjerrësia e lehtë e sheshit kthehet në një amfiteatër natyral, i cili mbushet me njerëz deri te kulmi i “piramidës” së ulët që qendër të katrorit, për lutjet e ditëve të shënuara kur besimtarët myslimanë mblidhen bashkë aq të shumtë në numër sa as Xhamia e Re s’i mban dot të gjithë brenda. Kurse në anën lindore të qilimit natyral, aty ku sot është rruga me asfalt, ndërtohet një kopsht pemësh të lulëzuara që bëhen sfond i bukur vegjetal për besimtarët, e një hyrje – dalje e hijezuar në lindje mes sheshit “Skënderbej” e parkut deri te sheshi i monumentit “Partizani i Panjohur”, i cili mobilohet me skulptura e krijon po ashtu pika ekspozimi të përkohshëm të krijimeve të artit në natyrë. Po të ketë qëlluar të shohësh skemën e propozuar nga të rinjtë danezë të studios “BIG”, që fituan konkursin e Xhamisë së Re dhe Muzeut të Tiranës e Bashkëjetesës Fetare, s’e ke të vështirë të më japësh të drejtë nëse të them se do të kishim një ndër xhamitë më të bukura të Europës dhe një shesh publik mes xhamisë e muzeut të ri që do të thithte si magnet njerëzit, për të shijuar aromën e një bote të ëndërrt mes tempullit fetar, historisë së qytetit tonë dhe të gjitha pemëve e bimëve të përmendura në Kuran, që sipas idesë fituese, do të mbilleshin rreth e rrotull. Do të hyjnë vërtet në gjynah me Tiranën, kur thonë të vjetrit, në qoftë se do t’ia mohojnë qytetit atë xhevahir të emëruar kurorë.
Arena e gjelbër pas monumentit të Skënderbeut mundëson hyrje-daljen jugore të këmbësorëve nga qyteti i makinave në këtë hapësirë jete cilësore urbane në zemër të qytetit, krijon mundësinë e koncerteve rinore, shfaqjeve të teatrit të rrugës, takimeve masive të të rinjve mbi tapetin e barit të kuruar enkas me teknologjinë e fushave të blerta të stadiumeve. Hotel “Tirana” përballë del në shesh përmes një tjetër ishulli të gjelbër dhe rikonceptohet në fasadë e në volumet e pasme që e zëvendësojnë atë centralin e shëmtuar elektrik në mes të qytetit me një zonë komerciale të klasit të parë, e cila hapet në kufirin e Unazës së Vogël, ashtu siç jetësohet cilësisht edhe parku i pasmë i Muzeut të Vjetër Historik që lidhet me pesëmbëdhjetëkatëshin me një tjetër ishull pishash, ku bëhet hyrje-dalja veriore e sheshit “Skënderbej”. Në anën përballë Pallatit të Kulturës katrori i këmbësorëve kufizohet me një ndërtesë bashkëkohore që mbyll zbrazëtinë e lënë nga zgjatimi i shpifur i platformës së monumentit të zhdukur të Enver Hoxhës dhe ngrihet me kolona mbi një hapësirë publike kalimi që bëhet hyrje-dalja perëndimore e sheshit “Skënderbej”. Parkingjet nëntokësore në parkun “Rinia”, në sheshin “Avni Rustemi”, në fund të bulevardit “Zogu i Parë”, garantojnë lehtësisht suportin e prurjeve njerëzore në shesh, ashtu siç Unaza e Vogël dhe një menaxhim i kualifikuar i qarkullimit në Tiranë përmes kuptimit të së vërtetës së thjeshtë, shkencërisht të verifikuar, se nuk është mungesa e rrugëve, po mungesa e rendit ligjor që e ka vështirësuar lëvizjen në Tiranë, bëjnë plotësisht të prekshëm të gjithë potencialin e jashtëzakonshëm të projektit frymëmbajtës të studios së famshme belge “51N4E” për zemrën e ripërtërirë të kryeqytetit shqiptar…
(Kjo copëz është shkëputur ekskluzivisht për lexuesit e www.edirama.al dhe janë të lutur të gjithë ata që do ta shkëpusin për botim për shtyp, që ta botojnë bashkë me këtë shënim)

Historiani falsifikator Arben Puto

 

PROF.DR.NEXHMEDIN SPAHIU

Se shoqëria shqiptare dhe ajo kosovare nuk janë shkundur nga komunizmi i Enver Hoxhës dhe se historianët falsifikatorë nuk po heqin dorë nga falsifikimi, e dëshmon edhe shkrimi i fundit i akademikut dhe historianit Arben Puto, “Ministri terrorist Xhafer Deva, ja masakra e 1944”, që është reagim ndaj shkrimit tim, “Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva”.
Ja falsifikimi i Arben Putos: E zezë në të bardhë
Arben Puto, duke u përpjekur të më paraqesë kontradiktor dhe së këndejmi jo të besueshëm, shkruan: “Autori i shkrimit shton se disa vjet më parë ka qenë në Tiranë dhe ka parë një libër në të cilin Xh. Deva quhej ‘armik, tradhtar e kriminel’. Është çuditur dhe ka pyetur se kush e ka shkruar. Qenka përgjigjur Liri Belishova, e cila paska thënë se ‘sigurisht e ka shkruar dikush nga shokët tanë që ka vuajtur tmerret e E. Hoxhës’. Ky është me siguri mashtrim. Liri Belishova nuk mund të ketë thënë asgjë për t’i dalë në mbrojtje vrasësit të 4 shkurtit, me gjithë vuajtjet që i janë shkaktuar në mënyrë absurde, amorale, nga një shoqëri për të cilën ajo ka dalë maleve vajzë fare e re”.
Lexuesi mund ta vërejë lehtë falsifikimin duke e krahasuar me tekstin tim, të cilit i referohet Arben Puto dhe që i qëndron në shumë ueb-sajtit (http://www.zeri.info/artikulli/3/21/21020/rexhep-mitrovica-dhe-xhafer-deva/rss.php?category=3&subcategory=21):
“Gjatë kohës sa jetoja në Tiranë, 15 vite më parë, bisedoja shpesh me ish-të burgosur politikë. Në fakt, gjithë Shqipëria e asaj kohe ishte përplot ish-të burgosur politikë. Të gjithë ata flisnin zi e më zi për Enver Hoxhën, por për ata ish-të burgosur, që dikur kishin qenë partizanë, e keqja e Enver Hoxhës fillonte më 1945. Para këtij viti për ta ishte shoku Enver që luftoi armiqtë e popullit. Kur përmendej emri i Xhafer Devës ata tërboheshin fare, duke thënë se ka qenë armik, tradhtar e kriminel.
Një ditë mora një libër dhe u lexova një faqe prej tij. I pyeta: a e dini kush e ka shkruar këtë? Zonja Liri Belishova, dikur anëtare e Byrosë Politike, e më vonë e burgosur dhe e internuar, u përgjigj: Këtë, sigurisht, e ka shkruar dikush nga shokët tanë që ka vuajtur tmerret e Enver Hoxhës. Atëherë tregova se pjesa që u lexova ishte pjesë nga artikulli i Xhafer Devës, i shkruar më 1942. Aq mirë e kishte përshkruar Xhafer Deva situatën në të cilën do të ndodhej Shqipëria në rast se do të vinin në pushtet komunistët, saqë asgjë nuk dallonte nga ajo që vërtetë ndodhi më pas”.
Shqipëria e Kosova duhet të lirohen nga enverizmi, si gjermanët nga nazizmi. Meqë, lexues të nderuar, e patë vetë shtrembërimin që Arben Puto i bën artikullit tim ditën për diell, mund ta kuptoni se çfarë masakre i ka bërë historiografisë sonë ky historian, shërbëtor i Enver Hoxhës. Dhe ky akademik është idhull i akademikut Rexhep Qosja dhe i shumicës së historianëve të Prishtinës. Dhe kur këtë falsifikim ma bën mua në kohën e internetit, imagjinoni se çfarë kasaphane ka bërë me figurat madhore të historisë sonë në kohën kur qasja në arkivat dhe dokumentet ka qenë tejet e kufizuar. Ja, këta janë falsifikatorët që na kanë shkruar historinë. Këta njerëz akoma nuk e kanë kuptuar se të falsifikosh historinë është krim ndaj kombit e ndaj njerëzimit.
Por shyqyr Zotit, tani është koha e internetit dhe www.google.com nuk të le të futesh shumë në mëkate.
Jo “Lufta e lavdishme Nacional Çlirimtare”, po Lufta Civile në Shqipëri
Ideja e shkrimit tim ishte pikërisht ajo se komunistët shqiptarë, përkundër vuajtjeve në burgjet e Enverit, nuk kanë përjetuar katarsisin e pritur. Ata akoma mendojnë se para vitit 1945 Enver Hoxha ishte figurë pozitive dhe nuk kuptojnë se rrënjët e tmerrit komunist janë pikërisht te ”Lufta e lavdishme Nacional Çlirimtare”, e cila, në fakt, nuk ishte aspak e lavdishme, por thjesht një luftë civile ku për shkak të rrethanave historike fituan komunistët.
Ata, si injorantë që ishin, nuk mund ta kuptonin Xhafer Devën, i cili i dinte pasojat e ideve komuniste. Madje as përvoja e hidhur nëpër burgjet e Enver Hoxhës nuk i bindi tërësisht. Por kjo nuk do të thotë se brezat e rinj të mos kuptojnë se kush ishte Xhafer Deva dhe kush ishin komunistët. Ta quash Xhafer Devën kriminel duke u thirrur në vrasjet e 4 shkurtit 1944 (Arben Puto thotë 86, por kjo nuk dokumentohet as për 40 veta, sepse një listë prej 86 emrash nuk është publikuar kurrë), përballë afro 10 000 të vrarëve nga regjimi i Enver Hoxhës (plus katastrofave të tjera kombëtare: burgime, internime, censurime etj., etj.) është sikur ta quash NATO-n kriminele për shkak se vrau dhjetëra civilë të pafajshëm serbë gjatë bombardimeve ndërsa po shpëtonte Kosovën nga gjenocidi. Për më tepër që komunistët e vrarë më 4 shkurt 1944 nuk ishin edhe aq të pafajshëm.
Komunistët shqiptarë ishin terroristë
Komunistet shqiptarë ishin terroristë. Nuk mund të jenë terroristët të pafajshëm. A nuk ishte terrorist Vasil Shanto që vrau major Adem Boletinin (djalin e Isa Boletinit) vetëm pse Ademi ishte komandant xhandarmerie në Shkodër? A nuk ishin terroristë ata që në janar 1944 vranë nipin e Xhafer Devës, për të vetmen arsye se ishte nip i Xhafer Devës, edhe pse ai (nipi i Xhafer Devës) nuk merrej fare me politikë?

Kritika e cunguar e ambasadorit Dell

 

NGA ARMAND SHKULLAKU

Deklarat e disa ditëve më parë e ambasadorit amerikan Christopher Dell për papërgjegjshmërinë e klasës politike kosovare, provokoi komente nga më të ndryshmet dhe u vu në krye të lajmeve të ditës. Jo se ishte një lajm i ri apo ndonjë zbulim i papritur; të gjithë këtu e dinë dhe e kanë provuar diçka të tillë. Deklarata e ambasadorit u bë lajm për faktin se u tha pikërisht prej tij dhe u tha në një mënyrë konfuze, pa nxjerrë në dritë thelbin e problemit. Dell tha se politikanët lokalë janë të papërgjegjshëm, por edhe nuk janë, sepse të tillë ata i ka bërë roli i tepruar ekzekutiv i bashkësisë ndërkombëtare. Duke qenë se të huajt kanë qenë aktivë në vendimmarrje, kjo ka bërë që qeveritarët të mos ndiejnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Duket sikur Dell e nis kritikën për politikanët e Kosovës, e papritur e tret atë në vitet e qeverisjes së UNMIK-ut. A ka dashur ai vërtet t’i dërgojë ndonjë mesazh të fortë qeverisë për mënyrën se si po drejton vendin? Vështirë të thuhet, pasi edhe vetë Kryeministri Thaçi tha publikisht se nuk ishte ai adresa e kritikave të ambasadorit, duke provuar kështu se edhe nëse ka pasur ndonjë mesazh ai i ka mbetur i pakuptuar. Ndërsa në kritikën ndaj bashkësisë ndërkombëtare, të cilën në disa raste e ka krahasuar edhe me epokën e Millosheviçit, duke iu referuar dështimeve të UNMIK-ut, Dell ka qenë i qartë sa u takon politikanëve lokalë, përveç etiketimit si të papërgjegjshëm, gjithçka tjetër mjegullohet në gjetjen e shkaqeve tek të huajt që kanë administruar Kosovën.
Sigurisht që bashkësia ndërkombëtare ka prodhuar një shkallë të lartë të papërgjegjshmërisë. Modeli i qeverisjes që ofroi UNMIK-u dhe Bashkimi Europian në kuadër të shtyllës së katërt ishte një model i dështuar. Qeverisja e vendit nga autoritete që nuk buronin direkt nga vota e qytetarëve, çoi drejt abuzimit, arrogancës dhe konceptimit të pasurive kombëtare si një mall pa zot. Një shembull dhe praktikë e tillë nuk ha diskutim që, ashtu siç thotë dhe Dell, ka zhvilluar papërgjegjësinë te klasa politike kosovare. E, nëse për këtë të gjithë bien dakord, problemi real nuk qëndron tek origjina e papërgjegjshmërisë që thekson ambasadori, por tek ata që e mbartin sot këtë papërgjegjshmëri në qeverisje dhe tek mënyra se si duhet çrrënjosur ky fenomen. Të flasësh për origjinën do të thotë që në një farë mase të amnistosh mënyrën e papërgjegjshme me të cilën veprohet sot në shumë raste. Kritika e cunguar e ambasadorit Dell e legjitimon modelin qeverisës të klasës politike kosovare. Kjo klasë, relativisht e re, nuk është se nuk ka dashur apo nuk do që të jetë e përgjegjshme përballë interesave të qytetarëve, po qenka bashkësia ndërkombëtare ajo që ia imponon këtë. Me këtë logjikë, qeveria e sotme mund të justifikojë çdo veprim të sajin, madje duke pasur si mbështetje arsyetimin e kryediplomatit amerikan.
Është e vërtetë se në shumë drejtime bashkësia ndërkombëtare ka marrë rol dirigjues duke e shkarkuar nga përgjegjësia qeverinë e Kosovës, por kjo nuk ka të bëjë me papërgjegjshmërinë si kulturë politike që ndeshet në mentalitetin e politikanëve kosovarë. Kjo kulturë politike ndoshta do të ishte adresa më e saktë ku duhet t’i dërgonte kritikat e tij ambasadori Dell. Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë, ose të paktën nuk u sjell asnjë dobi, të dëgjojnë se kush dhe si i paska bërë të papërgjegjshëm politikanët e zgjedhur prej tyre. Për ta do të kish qenë më e rëndësishme që një autoritet si ambasadori i SHBA, të reagojë sa herë që politikanët e manifestojnë papërgjegjshmërinë ndaj interesave të tyre. Dhe rastet nuk mungojnë. Që nga premtimet elektorale e deri tek devijimi i vullnetit të zgjedhësve, të gjitha janë përgjegjësi të plota të klasës politike kosovare. Duke dashur të shpjegojë arsyet e papërgjegjshmërisë, ambasadori Dell nuk ka bërë gjë tjetër veçse u ka dhënë një arsye më shumë politikanëve këtu për të qenë të tillë.
Në anën tjetër, edhe sikur kjo kritikë të ishte adresuar tamam, ajo vështirë se do të bënte efekt. E thënë nga Christopher Dell se “autoritetet kosovare nuk mund të vendosin nëse dikush nuk i shtyn ta bëjnë këtë”, tingëllon disi me humor. A do të vendosnin ato për të votuar Pacollin nëse në sallë nuk do të ishte vetë ambasadori Dell? Po zonja Jahjaga a do të ishte bërë presidente sikur Thaçi e Mustafa të mos ishin mbyllur për mbi tri orë në Dragodan? Për të mos shtuar këtu qëndrimin e rreptë ndaj kryetarit të Kuvendit që guxoi të refuzojë një kërkesë të EULEX-it apo deklarimet e forta për forca të caktuara politike. Pa dyshim që në të gjitha këto veprime ka qenë interesi i ambasadorit amerikan për të ruajtur stabilitetin dhe ekuilibrat e një shteti që është edhe investim i shtetit të tij, e këtu ai ka vepruar si një diplomat i përgjegjshëm. Por marrja e të tilla përgjegjësive mbi vete, duke mos pasur besim te përfaqësuesit politikë kosovarë, është shfrytëzuar nga këta të fundit për të shkarkuar edhe dhjetëra përgjegjësi të tjera. Nëse ambasadori do ta cekte këtë problem, atëherë do të duhej që fjalimin ta kishte në vetën e parë dhe jo në vetën e tretë. E formuluar ashtu siç e tha ambasadori Dell, kritika se politikanët kosovarë janë të papërgjegjshëm më mirë të mos ishte bërë fare. Ai u dha atyre një mundësi më shumë për të mbuluar paaftësinë e tyre.

Prokurori amerikan Williamson:Akuzat e Dick Martit, shumë serioze.




Prokurori amerikan Williamson përfundoi sot një vizitë tre ditore në Tiranë ku ai u takua me autoritetet e vendit, kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi, kryeprokuroren Ina Rama dhe drejtorin e policisë Hysni Burgaj.
Ҫështja e trafikut të mundshëm të organeve, mbi të cilën ka patur edhe më parë një hetim nga prokurorja e GJykates se Hagës Carla del Ponte, u rikthye pas debatit që provokoi një raport i anëtarit të Amblesë së Këshillit të Europës Dick Marty, raport i cili u miratua në fillim të këtij viti. “Prokurori Williams vlerëson se ai raport përmban akuza serioze për të cilat nevojitet një hetim i gjerë”, thuhet në një njoftim të zyrës së delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë. “Në këtë kontekst, zoti Williamson nënvizoi se ai do të ndjekë provat kudo që të çojnë”, ndërsa “mirëpriti angazhimin e kryeministrit dhe autoriteteve shqiptare për bashkëpunim të plotë në këtë çështje.
Ndonëse akuzat e zotit Marty i kanë vlerësuar si të pathemelta dhe pretendime me synim për të dëmtuar imazhin e shqiptarëve,  autoritetet e Tiranës kanë mbështetur zhvillimin e një hetimi ndërkombëtar që do të mbyllte përfundimisht, sipas tyre, këtë kapitull shpifjesh me sfond politik.(VOA)

“Rasti Kleçka”, të gjithë deklarohen të pafajshëm


Fatmir Limaj duke hyrë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, Fatmir Limaj, si dhe nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përballur të premten me aktakuzën e ngritur nga EULEX-i për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë.
Fillimisht, në seancë gjykatësi ka lexuar aktakuzat për secilin të akuzuar, përderisa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Nga dhjetë të akuzuarit, Arben Krasniqit i është hequr nga padia pika 2 e aktakuzës për të. Pala mbrojtëse e Fatmir Limajt, që u përfaqësua nga një avokat ndërkombëtar, ka kërkuar që seanca kryesore për të akuzuarit të shtyhet për në muajin shkurt, pasi sipas tij, dokumentet që përmbajnë akuzën, pala mbrojtëse i ka marrë me vonesë dhe nuk kanë pasur kohë për t’i analizuar.
Avokati Karim Kan ka thënë se kërkesa drejtuar gjykatës në emër të Fatmir Limajt, ka qenë vetëshpjeguese dhe e thjeshtë.
“Dëshmitari kyç në këtë rast ka vdekur. Ne nuk kemi mundësi që ta marrim në pyetje dhe është esenciale që të kërkohen provat bazë. Ky është një individ që ka thënë dhe e ka pranuar vetë se ka qenë në një spital psikiatrik me qëllim që të ketë mbrojtje, pasi që ta ketë vrarë Fatmir Limajn”.
“Ne duam ta shohim evidencën mjekësore, raportin e autopsisë, duam ta shohim se si është kapur, në çfarë kushte duam t’i shohim letrat që ia ka shkruar gruas së tij dhe, po ashtu, edhe ditarin. Ditari është publikuar në Kosovë, në ‘Kohën ditore’, por nuk mjafton për mbrojtjen që të lexojë evidencat nga ajo që raporton një gazetë”, ka thënë Kan, duke shtuar se mbrojtja i kërkon provat në gjykatë.
“Ne duam t’i shohim provat të shkruara nga dëshmitari, i cili nuk është në gjykatë. Dhe, ajo që i kemi thënë gjykatës është se kemi të drejtë nën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nën nenin 12 të Kodit Penal të Kosovës që të ketë kohë adekuate dhe lehtësira, se nuk ka arsye për t’u ngutur drejt gjykimit, meqë rreziku është shumë i lartë po qe se nuk bëhen hetimet e duhura”, ka theksuar Kan.
Ndryshe, avokati tjetër i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sa i takon vdekjes së dëshmitarit kyç në këtë proces, Agim Zogaj, ende nuk kanë ndonjë dokument zyrtar.
“Mbrojtja ende nuk ka marr raportin e autopsisë lidhur me rrethanat dhe arsyet e vdekjes. Nuk kemi ndonjë raport se si ka ndodhur rasti që një dëshmitar i mbrojtur, një top-dëshmitar, të lëvizë lirshëm”, ka thënë Rrecaj, duke ngritur edhe çështjen e mungesës së “shumë provave të tjera” dhe, sipas tij, është e arsyeshme që procesi të shtyhet deri kah fundi i janarit ose në shkurt të vitit të ardhshëm.
Për vendimin e shtyrjes ose jo të gjykimit, trupi gjykues ka thënë se në javën e ardhshme, përkatësisht të hënën, më 14 nëntor, do të bëhet e ditur. Dëshmitari kryesor, Agim Zogaj, i cili deri në vdekjen e tij është njohur si dëshmitari X, është gjetur i vdekur në Gjermani, më 28 shtator të këtij viti.
Ndryshe, zoti Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të këtij viti, nëpërmjet të të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.
Fatmir Limaj i cili gjendet në arrest shtëpiak është sjell në gjykatë nga policia.  Krime e luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosurve të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë.

Blushi sjell Shqipërinë e Lek Dukagjinit, Enverit dhe Mehmetit




Vetëm në Shqipëri një njeri mund të mendonte se mund të zëvendësonte Zotin, se mund të bëhej krijues, të rrafshonte të gjitha dallimet, t’i bënte të gjithë të barabartë “kokëqethur”, ku gratë të mos dalloheshin nga burrat. Vetëm në Shqipëri mund të krijohej “njeriu i ri”. Vetëm në Shqipëri… Po pse vetëm në Shqipëri?! Ndoshta kjo ishte pyetja që e shtyu Ben Blushin të shihte brenda vetes dhe tej përtej bashkëkombësve të vet, për të zbuluar misterin dhe… të shkruante një tjetër roman të titulluar thjesht “Shqipëria”. Dje, në ambientet e “Sheraton”, në praninë e një numri të madh të ftuarish, shkrimtari dhe politikani Ben Blushi promovoi librin e tij më të ri, nën logon e botimeve “Mapo”. Dukej sikur e gjithë selia rozë kishte zbarkuar në “Sheraton” me në krye kryetarin e saj, Edi Rama. Shumë pak të djathtë, ndërsa nuk mbeti pa rënë në sy edhe prania e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Sigurisht nuk mund të mungonin në këtë ngjarje analistë e gazetarë, por edhe shumë të njohur të Blushit. Pas një mirëseardhjeje të botuesit Henri Çili, i cili do të vlerësonte penën e Blushit, vlerësimeve të shkrimtares Diana Çuli, vetë Blushi ndau me të pranishmit ndjesinë e çlirimit pas daljes së librit në qarkullim. Por, në një farë mënyre ishte edhe një lloj parathënieje e munguar e librit, ku ai shpjegon se përse i lindi nevoja për ta shkruar këtë roman, i cili ende pa u lexuar po bën që njerëzit të flasin për të. “Ky
Blushi e Meta dje gjatë promovimit
libër nuk i jep askujt asnjë këshillë. Ai është një lexim për të tjerët dhe një kalim për mua. “Shqipëria” është një përpjekje për të njohur veten dhe të ngjashmit e mi, me të cilët ndaj të njëjtin vend, që quhet Shqipëri”, tha Blushi, i cili gjithashtu nxiton të sqarojë se nuk bëhet fjalë për një libër historik. Më tej, një gotë dhe shumë autografe, të cilat Blushi nuk preferoi t’i jepte siç ndodh rëndom, ulur në tavolinë e me radha të gjata, por bashkë me një shtrëngim duarsh me miqtë, të hidhte dhe një firmë në romanin e tij të tretë. Pas “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, arapi i Vlorës”, të kthyera në fenomene letrare, por dhe shitjesh, “Shqipëria” vjen në të njëjtën hulli metaforike e simbolike, por ndoshta edhe më fuqishëm se më parë. Nëse në librat e parë luajti me emra si Komnenët apo Ali Pashën, apo me heronjtë tragjikë shekspirianë, Otello e Desdemona, në këtë roman ai luan jo vetëm me emrin e hartuesit të Kanunit, Lek Dukagjinit, por edhe me emra personazhesh, si Enveri, Mehmeti, tek të cilët ndonëse të zhvendosur në një kontekst tërësisht fiksional, lexuesi mund të lexojë e shquajë tipare të njohura. Në atë ishull-shtet, të krijuar nga Lek Dukagjini “që nuk kishte prona, nuk kishte para, nuk kishte familje, nuk kishte dashuri, prandaj nuk kishte vrasje, vjedhje, varfëri, tradhti dhe mërzi”, lexuesi shquan Shqipërinë totalitare, ëndrrën komuniste të barazisë dhe të “lugës së florinjtë”, të rrafshimit të vlerave, të transformimit të njerëzve robotë e të bindur, të burrërimit të grave, të servilizmit… Por jo vetëm të
Edi Rama dje gjatë promovimit të librit
socializmit, por edhe litarin që “i varuri” la pas në sistemin e ngritur, me shpresën që të ishte i ri, por në xhaketa të vjetra. Jo më kot libri i Blushit, që në daljen e tij është quajtur një “befasi letrare”. Por, më së shumti karakteristikë e librave të Blushit është provokimi. Një libër i tij nuk mund të shijohet thjesht dhe vetëm estetikisht. Ai të trondit me guximin për të thyer të gjitha limitet kohore e historike. Ai i merr mesjetarët e i vendos në ca ishuj imagjinarë të pakohë, ngre diktatorë nga varret dhe i kthen fëmijë, të tjerë i bën kuzhinierë dhe përmes fijesh artistike shpalos tema tronditëse, të cilat lënë shenja të pashlyeshme, që ndryshojnë histori, siç mund të jetë asimilimi, ndryshimi i feve, konformizmi, racizmi apo diktatura. Tema, të cilat gjithnjë kanë hapur debat të gjerë. Dhe as këtë herë, me shumë gjasë debati nuk do të mungojë.
Henri Çili: Blushi na ktheu shijen e të lexuarit
“Ben Blushi është një shkrimtar shumë i mirë, është një shkrimtar mjaft i preferuar dhe mjaft i suksesshëm në treg dhe, përveç kësaj, është një mik i mirë prej kohëve të vjetra”, u shpreh në ceremoninë e prezantimit të librit “Shqipëria”, botuesi Henri Çili. Pas dy botimeve të para me shtëpinë botuese “Toena”, tashmë “Mapo” do të jetë shtëpia botuese e këtij shkrimtari. “Ben Blushi ka krijuar një risi, një surprizë në dekadën e re në botën kulturore dhe letrare në Shqipëri, sepse ka rikthyer një lloj shijeje të të lexuarit të letërsisë, e cila dukej fort e tronditur në këta 20 vjet për shumë arsye. Për arsye të çstrukturimit të shoqërisë shqiptare, për arsye të ndërrimit të kodeve kulturore, për arsye të shumëfishimit të mjeteve të komunikimit dhe për arsyen e madhe, për të cilën gjithë botën e zhvilluar, letërsia është në një lloj lufte me lexuesin, sepse njerëzit kanë sot më shumë mënyra për t’u argëtuar. Në një prani rekord në të gjitha libraritë, të gjitha mediat, në një debat të shumëfishtë, në një diskutueshmëri, e cila fillon që nga simbolika e tij letrare, simbolika shoqërore e sociale apo politike e veprës së tij, Ben Blushi ia ka arritur të kthehet në shkrimtarin korrent më të shitur të letërsisë shqiptare. Ambiciet tona janë për më shumë”, tha Çili.
Diana Çuli: “Shqipëria”, një befasi letrare
Një “befasi letrare” e ka quajtur Diana Çuli librin e ri të Ben Blushit. “Kur ta lexoni, do të shikoni se metafora është krijimi i një Shqipërie utopike ishullore, ku njerëzit, personazhet të kujtojnë emra realë, por gjithmonë mbeten personazhe letrare. Është befasi letrare, sepse në të ndërthuret në mënyrë krijuese dhe të papërsëritshme koncepti i shoqërisë utopike me atë të domosdoshmërisë së ekzistencës së Zotit dhe debatit rreth tij. Rreth përpjekjes së pandërprerë të njeriut për t’i ngjarë kësaj shëmbëlltyre dhe për ta zëvendësuar atë. Deri këtu jemi ende në përmasat universale që letërsia i përdor shpesh dhe që Ben Blushi i ndërton me mjeshtëri mjaft të rrallë. Më pas, universaliteti zbret në gjëra lokale, ku lexuesi dashur pa dashur kërkon veten e tij”, tha Çuli. “Kjo befasi letrare është një pikëpyetje e madhe jona për rrënjët, për origjinën, për kombin, për pse-të, për të shkuarën për të ardhmen, por nuk është histori, nuk ka kurrfarë lidhjeje me historinë për këdo që do ta debatonte në argumente të kësaj natyre. Ka lidhje me krijimin e pastër letrar që trajton tema ekzistenciale, si: dashuria, jeta, vdekja, familja, hapi personal dhe varësia e tyre ndaj sistemeve të ndryshme politike nga individët dhe nga fati i përbashkët”.
“Shqipëria”, për të njohur veten dhe të tjerët
Shumë njerëz më pyesin pse ky libër quhet “Shqipëria”. Unë mund të them atë që di. Ky është një libër për shqiptarët dhe duke qenë një prej tyre, unë dua t’i shpjegoj dhe t’i kuptoj. Të kuptosh shqiptarët, të shpjegosh mënyrën se si janë sjellë përgjatë kohës me veten, me njëri-tjetrin, me të tjerët, me tokën dhe me Zotin, besoj se është një argëtim, në kuptimin artistik të fjalës, është një detyrim, në kuptimin historik dhe është një torturë, në kuptimin politik. Për ata që merren me letërsi, shqiptaret janë një gur për të ndërtuar, për ata që merren me histori, janë një urë për të kuptuar, për ata që merren me politikë, shqiptarët janë një mur për t’u kaluar. Por libri “Shqipëria” nuk është historik, prandaj nuk është detyrë, nuk është politik, prandaj nuk është torturë, ai është letërsi, prandaj është argëtim. Të paktën për mua. Ky libër quhet “Shqipëria”, sepse përpiqet të shpjegojë atë që shqiptarët i kanë bërë vetës. Dhe kudo ku kanë jetuar shqiptarët nuk e kanë trajtuar njëri-tjetrin më keq se në Shqipëri. Dhe kudo ku kanë shkuar nuk e kanë trajtuar një vend tjetër më keq se vendin e tyre, Shqipërinë. Ky libër përshkruan një eksperiment njerëzor. Ai tregon se si shqiptarët i lejuan njërit prej tyre të bëhej Zoti i tyre, duke i ndarë nga Zoti, nga bota, nga prona dhe nga familja. A ka ndodhur kjo në historinë tonë. Kam arsye të them se po, ka ndodhur, megjithëse romani nuk merret as me fakte, as me ngjarje, as me emra, por vetëm me gjurmët e ngjarjeve mbi tokën dhe refleksin e fakteve mbi qiellin tonë. Kjo është Shqipëria që kemi pasur përpara 20 vitesh. E megjithatë, libri “Shqipëria” nuk mbaron para 20 vitesh. Shpresoj që ata që do ta lexojnë do kuptojnë se problemet që ne kemi me veten nuk janë zhdukur dhe se Shqipëria vuan ende nga shqiptarët.
Një gjë tjetër që dua të them shkurt është se Shqipëria nuk përshkruan vetëm fatin e shqiptarëve, prandaj do të thosha se ky është një libër me dy kate. Njerëzit jetojnë në katin e parë, Zoti në të dytin, ndërsa shqiptarët lëvizin nga kati në kat. Ky libër përpiqet të tregojë historinë e një njeriu, i cili një ditë vendosi të zëvendësonte Zotin. Ky njeri ishte shqiptar dhe ndoshta shqiptarët e kanë këtë dëlir, sepse raporti i tyre me Zotin ka qenë shpesh kaotik, disa herë teknik dhe asnjëherë praktik. Ata e kanë pranuar, e kanë mohuar, e kanë vrarë dhe kanë lejuar që Zoti të zëvendësohet nga qenie të tjera. Marrëdhënia e shqiptarëve me Zotin shpjegon disa nga problemet tona. Dhe dua të jem i qartë: Kur flas për Zotin nuk e kam fjalën për një qenie të epërme në kuptimin hyjnor, por për një numër normash dhe rregullash si liria, dashuria, paqja, puna dhe besimi. Ky është Zoti dhe kjo është arsyeja pse është shpikur nga njerëzit, kur ata nuk kishin ligje apo nuk kishin aftësi për të bërë ligje. Duke ia mohuar lirinë, paqen dhe lumturinë njëri-tjetrit në shekuj, shqiptarët kanë mohuar Zotin dhe lirinë që ai lejon. Sepse Zoti, në fund të fundit, është një kod të drejtash dhe detyrash pa të cilat njerëzimi do kishte vuajtur më shumë nga çka vuajtur. Libri “Shqipëria” këtë do të thotë: Zoti mund të zëvendësohet, por jo nga një njeri. Në të kundërt, Zoti mund të zëvendësohet nga çdo njeri, që është Zoti i vetes dhe i askujt tjetër. Por ky libër nuk i jep askujt asnjë këshillë. Ai është një lexim për të tjerët dhe një kalim për mua. “Shqipëria” është një përpjekje për të njohur veten dhe të ngjashmit e mi, me të cilët ndaj të njëjtin vend, që quhet Shqipëri.
ALMA MILE

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...