“Rasti Kleçka”, të gjithë deklarohen të pafajshëm


Fatmir Limaj duke hyrë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, Fatmir Limaj, si dhe nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përballur të premten me aktakuzën e ngritur nga EULEX-i për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë.
Fillimisht, në seancë gjykatësi ka lexuar aktakuzat për secilin të akuzuar, përderisa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Nga dhjetë të akuzuarit, Arben Krasniqit i është hequr nga padia pika 2 e aktakuzës për të. Pala mbrojtëse e Fatmir Limajt, që u përfaqësua nga një avokat ndërkombëtar, ka kërkuar që seanca kryesore për të akuzuarit të shtyhet për në muajin shkurt, pasi sipas tij, dokumentet që përmbajnë akuzën, pala mbrojtëse i ka marrë me vonesë dhe nuk kanë pasur kohë për t’i analizuar.
Avokati Karim Kan ka thënë se kërkesa drejtuar gjykatës në emër të Fatmir Limajt, ka qenë vetëshpjeguese dhe e thjeshtë.
“Dëshmitari kyç në këtë rast ka vdekur. Ne nuk kemi mundësi që ta marrim në pyetje dhe është esenciale që të kërkohen provat bazë. Ky është një individ që ka thënë dhe e ka pranuar vetë se ka qenë në një spital psikiatrik me qëllim që të ketë mbrojtje, pasi që ta ketë vrarë Fatmir Limajn”.
“Ne duam ta shohim evidencën mjekësore, raportin e autopsisë, duam ta shohim se si është kapur, në çfarë kushte duam t’i shohim letrat që ia ka shkruar gruas së tij dhe, po ashtu, edhe ditarin. Ditari është publikuar në Kosovë, në ‘Kohën ditore’, por nuk mjafton për mbrojtjen që të lexojë evidencat nga ajo që raporton një gazetë”, ka thënë Kan, duke shtuar se mbrojtja i kërkon provat në gjykatë.
“Ne duam t’i shohim provat të shkruara nga dëshmitari, i cili nuk është në gjykatë. Dhe, ajo që i kemi thënë gjykatës është se kemi të drejtë nën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nën nenin 12 të Kodit Penal të Kosovës që të ketë kohë adekuate dhe lehtësira, se nuk ka arsye për t’u ngutur drejt gjykimit, meqë rreziku është shumë i lartë po qe se nuk bëhen hetimet e duhura”, ka theksuar Kan.
Ndryshe, avokati tjetër i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sa i takon vdekjes së dëshmitarit kyç në këtë proces, Agim Zogaj, ende nuk kanë ndonjë dokument zyrtar.
“Mbrojtja ende nuk ka marr raportin e autopsisë lidhur me rrethanat dhe arsyet e vdekjes. Nuk kemi ndonjë raport se si ka ndodhur rasti që një dëshmitar i mbrojtur, një top-dëshmitar, të lëvizë lirshëm”, ka thënë Rrecaj, duke ngritur edhe çështjen e mungesës së “shumë provave të tjera” dhe, sipas tij, është e arsyeshme që procesi të shtyhet deri kah fundi i janarit ose në shkurt të vitit të ardhshëm.
Për vendimin e shtyrjes ose jo të gjykimit, trupi gjykues ka thënë se në javën e ardhshme, përkatësisht të hënën, më 14 nëntor, do të bëhet e ditur. Dëshmitari kryesor, Agim Zogaj, i cili deri në vdekjen e tij është njohur si dëshmitari X, është gjetur i vdekur në Gjermani, më 28 shtator të këtij viti.
Ndryshe, zoti Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të këtij viti, nëpërmjet të të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.
Fatmir Limaj i cili gjendet në arrest shtëpiak është sjell në gjykatë nga policia.  Krime e luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosurve të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)