http://floripress.blogspot.com/2011/09/skifter-kellici-shtatori-i-gjemes-se.html
Urojme shkrimtarin SKIFTER KELLICI per botimin e romanit te ri "Shtatori i gjemes se madhe"
qe ka si subjekt ngjarjen e 11 shtatorit 2001. Skifter Kellici eshte nje krijues qe kurre nuk resht se shkruari,
plot energji e me nje pasion djaloshar per t'ia patur zili.
Keshtu te pacim perhere miku yne!
Keshtu te pacim perhere miku yne!
####
Kullat binjake që u dogjën pabesisht në agsholin e Shekullit të Ri!
Nga Këze Kozeta Zylo
Meditim rreth librit “Shtatori i gjëmës së madhe”)
Botoi gazeta “Illyria”
Ftesa
nga shkrimtari i mirënjohur z.Skifter Këlliçi për të mbajtur një
kumtesë në ceremoninë e promovimit të librit të tij të fundit: “
Shtatori i gjëmës së madhe” në kishën “Zoja e Shkodrës” dhe shtypur nga
shtëpia botuese “Albin”, çuditërisht brenda sekondash ma errësoi
ngazëllimin që të dhurojnë ftesa të tilla dhe para syve të mi u shfaqën
retë e zeza, që mbuluan qiellin blu të New Yorkut, dhe njëkohësisht
duartë tona që mbyllnim dritaret gjatë ditëve që u kthyen në muzg nga
tymi i zi si vetë shpirti i mjerë i talebanëve. Mua më rrënqeth e zeza,
ndërsa në trup më kalojnë një zjarr mornicash, nga çfarë pashë dhe
përjetova bash mu në kërthizë të botës në New York.
Që
nga ajo ditë trëmbem dhe bashkë me mua është trembur gjithë njerëzimi
nga gjarpëri që stërpik me helm këtë botë të çakërdisur. Unë nuk besoj
të kem faj në se marr këto ndjesi të tmerrshme, ngase dhe vete titulli i
librit ka gjëmën brenda, ka gjëmën e madhe të 11 shtatorit, ka vdekjen e
zezë të 3000 personave që u dogjën për së gjalli, ka vdekjen e tre
shqiptarëve, gjakut tim, të cilëve për çdo shtator në kujtim të tyre une
ndez qiri për t’i përkujtuar. Unë nuk besoj të kem përsëri faj, në se
para meje nga ky libër vinë imazhet me krah korbash para kufomave të
shumta, dhe që unë si një tjetër shqiptare e ardhur nga erërat e luftës
së vitit të mbrapshtë në 97-ën për një jetë më të mirë, më të qetë, të
shoh me sytë e mi dhe të përjetoj tragjedinë apo gjëmën e madhe siç e
cilëson autori Këlliçi.
Shfleton faqet e librit dhe tronditesh nga egërsia e njerëzve, që
mundohen të hanë dhe fëmijën qysh në sythin e mitrës!…Mund ta kesh
përjetuar tronditjen, por kur lexon librin “Shtatori i gjëmës së madhe”,
ndjen së brendshmi se autori sjell mesazhe paqeje, mesazhe mjelmash me
pupla të bardha mëndafshi dhe çliron paksa jo vetëm lexuesit e tij, por
dhe prindërit dhe të afërmit e tre shqiptarëve që humbën jetën në këtë
tragjedi botërore.
Kujtesa
mbarë popullore dhe veçanërisht e popullit amerikan nuk do ta harrojë
kurrë tragjedinë që ndodhi në kërthizë të botës në Manhattan, por në se
shkrimtaret nuk e hedhin në fleten e bardhë përjetimin e tyre ka rrezik
që në brezat e mëpastajmë të harrohen dhe të krijohet një mjedis
apokaliptik për historinë.
Mirëpo
pena e shkrimtarit Këllici bëhet gati-gati si e një dëshmitari okular
brenda qendrës ku ndodhi gjëma e madhe, ngase ai mjeshtërisht është
futur brenda botës së mijëra njerëzve që u ndodhën aty pranë dhe që
largoheshin si vetëtimë në mbrojtje të vehtes së tyre. Autori shkruan se
ata donin të degdiseshin sa më larg që të ishte e mundur, sa më larg
asaj ndërtese që deri para pak kohësh kishte qenë një bukuri e
madhërishme…por tani ishte goditur pabesisht për vdekje dhe po lëngonte
si drenushë bardhoshe në grahma që nuk dihej se kur do të sosnin!…
Nëpërmjet një gjuhe të kthjellët dhe të begatë, autori ka dhënë një
studim artistik të thukët duke e futur lexuesin ndjeshëm brenda
psikologjisë së viktimave që po përjetonin në ato orë të kobshme
historike.
Në
hapësirë, gjaku pikonte mbi pikëllimin e syve të tmerruar, ndërsa une
thjesht si lexuese në kohën që komentoj më duket sikur fletët e të
gjithë librit janë të veshura me cipë gjaku deri në oxhaqet dhe dritaret
qiellore ku dhanë jetën bashkatdhetarët e mi të një flamuri dhe të një
gjuhe…
Me një
kontrast të fuqishëm autori ka dhënë nga njera anë tragjedinë dhe
trandjen e njerëzimit, ndërsa nga ana tjetër turmat laramane fanatike,
që qëndronin të ulur këmbëkryq mbi fushëtirën e rreth, të cilët hovën
perpjetë dhe duke ngritur lart kallashnikovët që mbanin në duar zunë të
çirreshin:
-Bin Laden, Bin Laden!
Kjo
antitezë është lufta për jetë a vdekje midis qytetërimit dhe vdektarëve
si Bin Ladeni, që autori metaforikisht e jep vendqëndrimin e tij dhe të
talebanëve nëpër strofulla, dhe mua si lexuese më shfaqen zi, si
ujqërit në strofullat e tyre…
Fanatikët dhe ekstremistët me liderët e tyre si Bin Ladeni dhe
personazhi tjetër besnik në libër Khalid Sheik Muhamedi, përshkruhen me
urrejtjen më të madhe, është urrejtja e mbarë globit për
fondamentalistët që pranë zemrës së tyre lidhin gjerdanin me fishekë dhe
bomba për të vrarë njerëzit si foshnja të pafajshme.
Janë
këto hijena që shkaktuan një lumë dhimbjesh këtu e dhjetë vjet më parë
dhe vazhdojnë të ndihen mbi kurmin e popujve dhe prindërve zemërdjegur.
Autori me shumë finesë flet për tolerancën që duhet të kemi midis
njeri-tjetrit, sepse siç thotë Nënë Tereza në se nuk kemi paqe, kjo
ndodh sepse ne kemi harruar që i përkasim njeri-tjetrit. Jam e bindur se
lexuesi kur merr këtë libër në dorë, sekondi i bëhet shekull, dhe tehu i
thikës së Bin Ladenit vazhdon të shpojë, ai ka pas një kope të tërë
talebanësh që vazhdojnë të ushqejnë këlyshët e tyre me palcën e
viktimave, ndaj dhe u betuan që atë ditë, ditën e gjëmës së madhe
shkruan autori në libër dhe ja se si: - “A jeni gati, gati për këto
bëma të shpërbleheni duke vajtur edhe ju si ata martirë të avionëve në
parajsë? – këlthiti pas tij Bin Ladeni me sy gati të shqyer. E sërishmi
turmat mendjeçartura ngritën lart kallashnikovët dhe e pasuan: – Që
tani, o i dërguari i Muhamedit në tokë! Na thuaj ç’duhet të bëjmë që ta
meritojmë këtë nder”….
Dhe
kështu udhëheqesat e tyre vazhdojnë ende dhe sot të thurin plane për
bëma të Xhihadit, për zjarret që do të hapin kudo ku jeton qytetërimi,
atje ku është dielli… Autori me penën e tij ka ditur të orperojë dhe të
futet psikologjikisht në mendjet e tyre, duke dhënë dy botë krejtesisht
të kundërta, dy botë që njera e do me shpirt jetën, ndërsa tjetra e Bin
Ladenit, e do po aq vdekjen sa ç’duan kundërshtarët e tyre jetën…
Bin
Ladeni shfaqet dhe me aluçinacione sepse ai vetë vrau qetësinë e tij,
pikërisht nga krimet e mëdha që kishte kryer, duke qenë në kundërshtim
të hapur me mësimet e fesë, ndaj një ditë e di se në botën e përtejme do
të jetë në ferr. Sytë e tij të frikshëm si nata, duken sikur duan të
përpijnë gjithçka, biles dhe pirgun e gërmadhave, dhe ai, ai të ndriçojë
si far para besnikëve talebanë të tij. Ato copëza gërmadhe
thërrmoheshin në ujërat e oqeanit Atlantik, ndërsa hija e zezë e Bin
Ladenit përpëlitet e përpelitet ndoshta një ditë gjer në zhdukje…
Hija e
frikës do të zhduket në rast se njerëzimi dhe historianët nuk do të
kenë një heshtje të eshtërt, por do të shkruajnë për çfarë panë dhe
ndjenë, do të shkruajnë ashtu siç veproi pena e shkrimtarit Kelliçi që
iu solli gjithë lexuesve këtë roman në përshpirtje të 10 vjetorit të
gjëmës së madhe për njerëzimin…
Hija e
frikës nuk mund të sjelle qetësi, pasi Paqja nuk mund të arrihet përmes
dhunës, arrihet vetëm nëpërmjet të kuptuarit do të citonte Ralph Waldo
Emerson. Është e pamundur që në çdo faqe të mos vishesh me një vello të
zeze trishtimi, dhe nga larg të vinë si jehonë klithma viktimash,
klithma zogjsh që shkojnë gjer në rrënjë të pemëve madhështore të parkut
Kombëtar magjepsës në Manhattan, tek ato momente dramatike,
psikologjike, ku avionet si llava të zjarrta dogjën kullat në agsholin e
Shekullit të Ri…
Shtator, 2011
Staten Island, New York
Ps: Kumtesa do te lexohet sot ne promovimin e librit te autorit Skifter Kellici, qe do te organizohet ne Kishen “Zoja e Shkodres” ne New York
TRAGJEDIA E 11 SHTATORIT ’01 NE FAQET E NJË ROMANI TRONDITËS
(Me rastin e 10-vjetorit të saj)
Me krijimtarinë e shkrimtarit dhe të
komentatorit të njohur sportiv të RTVSH-së, Skifter Këlliçi, jam njohur
në fund të viteve ’60 me disa vëllime me tregime dhe sidomos nga fundi i
viteve 80-të me romanin “Atentat në Paris”, ndër romanet më të mira të
letërsisë shqiptare me temë historike, i cili asokohe arriti të
depërtonte edhe në Kosovë e të pritej mirë. Arsyeja ishte sepse ky roman
lartëson aktin heroik të atdhetarit të njohur, Avni Rustemi, i cili më
13 qershor të vitit 1920 me dy të shtëna vrau në mes të Parisit
tradhtarin me damkë,Esat pashë Toptani, që gjoja në cilësinë e
kryeministrit të Shqipërisë ishte gati t’u bënte lëshime tokësore
ambicieve të fqinjëve dhe veçanërisht atyre serbë, që kishin pushtuar
Shkodrën dhe vise të tjera shqiptare të Shqipërisë Etnike.
Dhe ja, kohëve të fundit, pas kaq
vitesh pata rastin të lexoj një vepër tjetër të këtij shkrimtari të
njohur shqiptar-romanin me temë shqiptaro-amerikane “Shtatori i gjëmës
së madhe “ (botoi “Albin”, Tiranë, 2010), i pari i këtij lloji në
letërsinë shqiptare, që këtë radhë i kushtohet një ngjarjeje tjetër
historike, por bashkëkohore dhe me përmasa mbarëbotërore-tragjedisë së
11 shtatorit të vitit 2001 në Kullat Binjake të Qendrës Tregatre të
Nju-Jorkut, ku, si shkak dhe pasojë e sulmeve terroriste të
fundamentalistëve islamikë mbetën të vdekur rreth 3000 njerëz të
pafajshëm, nga të cilët, edhe tre bashkatdhetarët tanë, Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj.
Duke u bazuar në motive të jetës së
këtyre bashkatdhetarëve autori, krahas personazheve të tjera amerikane,
ose të ardhur nga vende të tjera të botës, frymëzohet dhe arrin të
krijojë tre personazhe të reja, me një shtrirje gjeografike dhe
përgjithësim ideoartistik edhe më të madh dimensional. Këta janë Besim
Vokshi nga Kosova, Rrok Camaj nga trevat etnike shqiptare nën Mal të Zi
dhe Mark Muzaka, arbëresh me prejardhje nga kjo familje e njohur
feudale shqiptare, e lidhur ngusht me Skënderbeun, që së bashku me
qindra e qindra familje të tjera shqiptare u detyrua që pas pushtimit
turk të linte atdheun dhe të vendosej në krahina të Italisë së jugut.
Dhe po t’u shtojmë këtyre edhe Sokol Kamën, ish-gazetar i RTVSH-së që ka
emigruar në Amerikë pas vitit 1990, një personazh që na kujton vetë
autorin e romanit “Shtatori i gjëmës së madhe”, kuptohet se lajtmotivet
shqiptare me retrospektivat e personazheve na krijojnë idenë se brenda
188 faqeve të këtij romani që nuk janë shumë, lëvizin masive ngjarjesh
të stuhishme historike që na shpien nga tragjedia e viseve shqiptare të
Ulqinit, Hotit, të Grudës, të Plavës, të Gucisë, të Tuzit, që pas
Kongresit të Berlinit të vitit 1878 ranë nën sundimin malazez, për të
ardhur më 1913, kur pas Traktatit të fshehtë të Londrës, Kosova u
gllabërua nga shovinistët serbë. Jo vetëm Kosova, por edhe territore të
tjera të Shqipërisë Etnike.
Përfundimi që nxorëm me të lexuar
pjesën e parë të romanit me titull “20 Maj 2001, pasdite, rreth orës
17.00”: këto personazhe nga bota shqiptare, si pasojë e këtyre
fatkeqësive që kanë goditur kombin tonë në shekuj, i bashkon mërgimi në
Amerikë, me shpresë se një ditë do të kthehen përsëri në trojet amëtare
të Shqipërisë etnike. Kjo është njëra anë e medaljes, që e bën këtë
roman të ketë së pari temë shqiptare e pastaj amerikane, falë
retrospektivave, megjithëse ngjarjet zhvillohen në Amerikë. Dhe, nuk
mund të ndodhte ndryshe, përderisa këta bashkatdhetarë të ardhur nga
vise të ndryshme të Shqipërisë, jetojnë dhe punojnë në Amerikë, pra
midis amerikanësh.
Dhe, është meritë e autorit që lidhja e
shqiptarëve të mësipërm me amerikanë bëhet nëpërmjet Stiv Fergusonit,
një gazetari të CNN-it, të këtij gjiganti televiziv me famë botërore. Ky
gazetar, siç pasqyrohet në faqet e romanit, është ngjitur në katin e
107-të të së njërës prej kullave binjake për t’u njohur me kosovarin
Besim Vokshi dhe me arbëreshin Mark Muzaka për të përgatitur një
dokumentar televiziv kushtuar këtyre shqiponjave që me guxim të
pashembullt , të futur në kosha, pastrojnë nga jashtë qelqet e kateve të
larta të kullave binjake, në lartësi mbi 300 metra,kur këta kosha në
dimër a verë lëkunden nga erërat si të ishin lëvozhga arre. Ndaj dhe
dokumentari i tij do të titullohet “Shqipe mbi kullat binjake.”
I dashuruar dhe kureshtar për ta njohur
historinë e Shqipërisë dhe Kosovës, të dëgjuar nga goja e miqve të tij
shqiptarë dhe leximeve, sidomos të Besimit, i cili në vitet e 60-ta të
shekullit XX, për t’u shpëtuar ndjekjeve të UDB-së, është arratisur nga
vendlindja,në Shqipëri dhe atje përsëri i ndjekur nga Sigurimi shqiptar
arratiset në Greqi, për t’u vendosur më pas në Amerikë, Stivi që kishte
marrë me vete në kullë edhe të fejuarën, Zhaklinën, stjuardesë e një
kompanie ajrore nga Bostoni, i fton ata në dasmën e tyre që do të bëhej
më 20 shtator të vitit 2001.
Derisa në pjesën e parë të romanit kemi
shtjellimin e ngjarjeve, pra të kësaj tragjedie dhe nyjën lidhëse të
ngjarjeve të tjera, që do të pasojnë, në pjesën e dytë dhe të tretë të
romanit kemi zhvillimin e këtyre ngjarjeve, sepse tani shfaqen pesë
terroristët- Muhamet Ata,arkitekt që ka mbaruar studimet në Egjipt,
Satem al Sukami, student në Fakultetin e Drejtësië në Universitetin
Mbretëror të Rabatit në Arabinë Saudite, dy vëllezërit Vail dhe Rashid
al Shakri, i pari mësues dhe i dyti punëtor mëditës dhe së fundi Abdul
al Omari argat, edhe ai nga Arabia Saudite.
-Janë personazhe të sajuara këto? –Jo,
aspak. Janë personazhe të vërteta, pra pikërisht pesë terroristë në
njërin nga të dy avionët e rrëmbyer në Aeroportin Ndërkombëtar “Logan”
të Bostonit, me të cilët u goditën dy kullat binjake të Nju-Jorkut.
Natyrisht, të trajtuar artistikisht, madje me shumë realizëm.Nuk janë
personazhe bardhezi, përkundrazi, kanë botën e tyre shpirtërore, kanë
dilemat, sidomos vëllai i dytë, Vaili, kur mendon se së bashku me
vëllain e parë, Rashidin, do të vdesin në këtë atentat terrorist, si
viktima të premtimit bosh të Bin Ladenit, edhe ai personazh në këtë
roman, gjoja se pas këtij aktflijimi, do të shkonin në parajsë, por, nga
ana tjetër, do të lënë kërçure nënën burrëvdekur, që mezi i kishte
rritur.Ose argati Abdul që kishte lënë në fshat gruan e re me fëmijën
dyvjeçar, ishte stërvitur në kampet ushtarake të Afganistanit dhe, tani,
sipas bindjes së tij të kot, po shkonte në parajsë. ”Vërtet në
parajsë?”- pyet ai vetëvetën? Dhe, Abdul i dyshuar në vetëvetën humb
durimin dhe besimin fantazmë, pasiqë bashkëterroristët e tij kishin
vrarë përdhunisht dy pilotët, Muhamet Ata drejtonte avionin nga kullat,
Abduli i sulet, përleshet me të ,por ishte vonë, tragjedia kishte
ndodhur.
Dhe, pikërisht faqet që përshkruajnë
meditimet e terroristëve,urrejtjen e tyre të pajustifikueshme si
fundamentalistë, ndaj Amerikës, ndaj krishterimit, të mbrujtur që në
periudhën e kryqzatave kundër islamit, për çlirimin e tokave të shenjta
dhe Jerusalemit, të pushtuara nga turqit dhe, që jo rrallë përfunduan me
krime ndaj popullsisë së pafajshme myslimane dhe çifute, pastaj
urrejtja, gjithashtu e pajustifikueshme ndaj qytetërimit perëndimor,që
gjatë meditimeve në avion shërbejnë për t’i shpirtëruar dhe për t’i
hovëzuar terroristët drejt veprimeve të tyre kriminale
antijerëzore,gjoja në mbrojtje të Islamit, ankthi i pasagjerëve,midis të
cilëve edhe i Zhaklinës që si stjuradesë po kryente fluturimin e fundit
nga Bostoni, për t’u martuar pastaj me Stivin në Nju-Jork, më 20
shtator, pra pas disa ditësh,ky ankth i pasagjerëve të mashtruar nga
Muhamet Ata ,i cili me mikrofon tentoi rrejshëm t’i qetësonte të
gjithë pasangjerët në avion, duke u premtuar se po ktheheshin sërish në
Boston nga ku ishin nisur… dyshimi i Zhaklinës, e cila me celular
njoftoi Stivin në zyrat e CNN-it se po ndodhte e kundërta, se avioni po i
drejtohej njërës prej kullave, përleshja e pasagjerëve me terroristët,
janë nga faqet më emicionuese të këtij romani që e mbajnë lexuesin me
frymën pezull.
Dhe po t’u shtojmë këtyre epizodeve
skenat ngjethëse në njërën nga kullat tashmë të goditura, ku po punonin
Besimi me Markun, e shumë kate më poshtë edhe shqiptari i tretë, Rrok
Camaj, zbritjen e trandshme të qindra e qindra punonjësve nga shkallët,
kur ato shemben nga djegjet,për t’i djegur dhe shkrumbuar edhe ata vetë,
plagosjen e Besimit, përpjekjet e Markut për ta shpëtuar atë, bisedën e
fundit telefonike të Besimit me të birin, amaneti i tij- që ai me të
ëmën një ditë të kthehen pa tjetër në Kosovën e lirë,vdekjen e tij,
pastaj fluturimin e Markut, fluturim i vdekjes, nga njëra prej dritareve
të kullës, kur sheh se nuk ka rrugë shpëtimi,ashtu si vite me parë, kur
i mitur kërcente nga shkëmbinjtë e lumit që rridhte pranë fshatit të
tij arbëresh,vdekjen edhe të Rrok Camajt, që, sidoqoftë arrin të dalë
nga kulla që po shembej me një fëmijë të vogël, që për ta mbrojtur nga
flakët, e kishte mbuluar me xhaketën e tij dhe ua dorëzon zjarrfikësve,
si dhe skena të tjera ngjethëse, të përshkruara me gjuhë të zgjedhur
artistike që mund ta gjejmë vetëm në prozën e Koliqit, të Pashkos dhe
të Kadares,arrijmë në përfundimin se kemi lexuar kështu një roman shumë
tronditës, shumë origjinal, me një kompozicion tepër të saktë harmonik,
ku ngjarjet ndërsillen natyrshëm brenda pak orësh, herë te kullat
binjake, herë në Aeroportin Ndërkombëtar “Logan” të Bostonit, nga ku u
nisën terroristët dhe, ku punonte Sokoli, ish-gazetari i RTVSH-së, pra
një vetëshembëllim-autori i romanit, i cili, kështu bëhet shqiptari i
vetëm i këtij romani që shpëton nga kjo tragjedi.
Ja, sepse Stivi që ka transmtuar në
CNN tërë kronikën e kësaj tragjedie, ku gjen vdekjen edhe e fejuara e
tij Zhaklina, me të cilën do të martohej pas disa ditësh,kur Sokoli,
pasi e ngushullon për humbjen e saj, e vlerëson për mjeshtrinë e treguar
gjatë këtij transmetimi të drejtpërdrejtë për miliona teleshikues,
Stivi pra, gjen forcën që t’i përgjigjet:
”S’është e vertetë, Sokol,…Ti mund të
bësh shumë më tepër se ç’bëra unë.Ti mund dhe duhet të shkruash një
roman,sepse ti je vetë pjesë gjalluese e tërë këtyre ngjarjeve që i
përjetove dhe që po i përjeton…Dhe kujto, i dashur, se ashtu si grekët
dredhisht pushtuan Trojën me kalin e drunjtë, ashtu edhe terroristët
islamikë me dredhi rrëmbyen avionët dhe me ta goditën kullat. Por nëse
ato ranë duke varrosur në rrënojat e tyre sa e sa viktima,me Amerikën
kjo nuk do të ndodhë kurrë.Kjo tokë e bekuar nga perëndia do të mbetet
prore tokë e premtuar për tërë ata që kërkojnë të gjejnë me këmbëngulje
dhe vullnet , strehim, mbarësi, lumturi. Ja, përse ne amerikanët kemi të
drejtë ta ndjejmë veten krenarë, edhe pse ajo ka rënë në mort, në atë
mort për të cilin ti do të shkruash një ditë.”
Konsideroj se romani “Shtatori i gjëmës
së madhe”, i autorit Skifter Këlliçi, me temë shqiptaro-amerikane,
është një nga prozat më të fuqishme të krijuara në Shqipëri gjatë këtyre
20 viteve të fundit, duke qenë se, në fokus të shtjellimit të tij ka
edhe një personazh kosovar që mbart problemet dhe hallet e Kosovës deri
në ditët tona, meriton të botohet edhe nga ndonjë shtëpi botuese në
Prishtinë.