Bulku flet pas padisë: E vërteta e marrëdhënieve të mia me Ismail Kadarenë




Ismail Kadare (majtas) Rajmona Bulku



Intervista/ Aktorja rrefen historine e njohjes me shkrimtarin, pas akuzave te Myftarajt per lidhje intime.
“Me familjen Kadare kam miqësi prej 30 vitesh, Helena mbante në krahë vajzën time”.
“Me familjen Kadare kam një miqësi prej 30 vitesh. Kemi pasur hyrje-dalje familjare të ngushta dhe fëmijët tanë kanë lozur bashkë…”. Teksa përsërit disa herë këtë fjali, Rajmonda Bulku duket se ende nuk e ka marrë veten nga lajmi i disa ditëve më parë, ku gazetari dhe kolumnisti Kastriot Myftaraj aludon se ajo është njëra prej protagonisteve në historitë e dashurisë së Ismail Kadaresë në librin autobiografik “Kohë e pamjaftueshme” të bashkëshortes së tij, Helena. Aludime, të cilat tashmë do të sqarohen me vendim gjykate, pasi aktorja e karrierës, njëkohësisht dhe deputete e PD-së, ka bërë padi penale ndaj Myftarajt. E, deri atëherë, kurioziteti është i madh, por që mund të zvogëlohet menjëherë pas kësaj interviste dhënë prej saj ekskluzivisht për gazetën “Panorama”…
Një gazetë e përditshme në Tiranë ka botuar një shkrim me autor Kastriot Myftaraj, ku aludohet për një lidhje dashurie mes jush dhe shkrimtarit Ismail Kadare. A është e vërtetë?
Ju më pyesni, por mua më vjen zor edhe nga pyetja. Është abuzim që nuk njeh kufij, por që unë do t’ia tregoj shumë shpejt kufijtë nëpërmjet ligjit. Me familjen Kadare unë kam një miqësi prej 30 vitesh, kemi pasur hyrje-dalje familjare të ngushta dhe fëmijët tanë kanë lozur bashkë. Mbase nuk do të isha indinjuar kaq shumë, nuk do të isha fyer e revoltuar kaq thellë në shpirt sikur të bëhej fjalë për ndonjë thashethem tjetër, por prekjen e një miqësie të tillë nuk e toleroj dot.
Kur e keni njohur për herë të parë Kadarenë?
Nuk e mbaj mend saktë, por ka qenë viti 1978. Mbase edhe 1977, nuk më kujtohet mirë, por di që ka qenë pas xhirimit të filmit të katërt “Emblema e dikurshme”.
Po Helenën?
Thuajse njëkohësisht, pasi kisha luajtur në filmin me skenar të saj “Nusja dhe shtetrrethimi”. Megjithatë, në ato kohë sapo ishim njohur dhe me kalimin e viteve miqësia jonë erdhi dhe u forcua gjithnjë e më shumë. Tani që po flasim për Helenën, më kujtohet një episod i thjeshtë, por që nënkupton shumë për miqësinë tonë. Ime bijë, Hega, i hidhej vazhdimisht në qafë Helenës dhe kur kjo e pyeste se “kush je ti?”, vajza i përgjigjej: “Jam Hëna”. Pra, fëmijët e mi janë rritur në atë familje.
Në shkrimin e së përditshmes aludohet se lidhja ka nisur në fillim të viteve ‘70…
Sërish me këtë? A e kuptoni se çfarë thoni?! Jam shokuar, jam shokuar, jam shokuar se deri ku shkon perversiteti mendor i disa të ashtuquajturve gazetarë apo analistë. Gjithnjë kam qenë tolerante ndaj medias, por këtë nuk kam për ta falur kurrë. Jua sqarova të vërtetën dhe çdo pyetje e juaja që i kthehet sërish kësaj teme mua më duket fyerje.
Kështu është shkruar tek e përditshmja…
Përmendja emrin asaj gazete që ka shpifur, quhet gazeta “Sot”. Se edhe atë e kam hedhur në gjyq bashkë me Myftarajn. Por shpifjet e tij janë aq të ulëta, aq tendencioze, aq dashakeqe, sa bie në gropë me këmbët e veta. Ai fantazon, krijon halucinacione për një kohë kur unë kam qenë fëmijë. Miqësia familjare me Kadarenë ka nisur në fund të viteve ’70, është forcuar pas viteve ’80 dhe asgjë nga ato çfarë shkruan Myftaraj, duket qartë nën dritë të diellit që është një blof dashakeqës. Duket që nuk e di aspak jetën time. Bëjini vetë llogaritë, kam qenë fëmijë, minorene për kohën kur baltos Myftaraj dhe as e kam njohur fare Kadarenë për kohën kur ai del në konkluzione me çmenditë e tij.
Na del dhe një Kadare i akuzuar për pedofili atëherë?
Po ç’janë këto, se na çmendët…?! Nuk e kam mbledhur akoma veten nga budallallëqet, tani më nxirrni të tjera.
Po fëmijët tuaj si e kanë përballuar gjithë këtë histori?
Fatmirësisht fëmijët e mi janë aq mendjehapur, sa të mos merren me thashetheme. Janë edukuar e rritur në mes intelektualësh e artistësh dhe shpifje të tilla nuk janë “brumë” për ta. Me një nënë aktore si unë, djali dhe vajza ime nuk marrin për bazë çdo gjë që dëgjojnë. Nuk them dot që nuk ishin të mërzitur, dhe kjo jo për faktin se çfarë kishin lexuar aty, por që më panë mua tejet të prekur.
Po bashkëshorti juaj, Fatos Pashko, si ka reaguar?
Fatosi heshti në fillim dhe e shikoja të menduar, por kur i thashë që do të bëj padi ndaj gazetës dhe Myftarajt, atëherë iu çel fytyra. E kishte pritur këtë dhe e kishte dashur më shumë se sa unë këtë padi.
Pse keni bërë padi penale, dhe jo civile?
Sepse unë nuk kam qëllim në vetvete të shtoj të ardhurat me padinë, as të pasurohem. Zgjodha padinë penale sepse ajo parashikon dëmin që më është shkaktuar mua, jam gjakosur e vrarë në shpirt. A nuk është kjo njësoj me plagosje dhe vrasje trupi?! Për mua, madje, është më tepër kjo që më bëri Myftaraj. Morali dhe psikika janë primare për mua, nuk ka pasuri që ma lehtëson dëmin shpirtëror.
Mendoni se do t’ju pranohet padi penale për shpifje?
Po, e parashikon Kodit Penal. Po ashtu, baza ligjore për këtë padi garantohet edhe nga nenet 59 dhe 60 të Kodit të Procedurës Penale, më saktë, neni 45 dhe 120/2 i Kodit Penal. Nuk kam bërë padi në ajër, e kam menduar mirë dhe do t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje.
Megjithatë, Myftaraj aludon dhe e ka shkruar qartë se “mund të jetë Rajmonda Bulku” dhe jo që “është Rajmonda Bulku”…
Një fjalë nuk mund ta shpëtojë Myftarajn nga faji. Kjo “mund” nga fundi i shkrimit nuk e justifikon shpifjen ndaj emrit tim, cenimin e dinjitetit që më është bërë. Myftaraj ose të shkojë në spital psikiatrik për ato që shkruan, ose të mbajë përgjegjësi.
Nëse ai ju kërkon falje dhe përgënjeshtron shkrimin, do ta tërhiqni padinë?
As që bëhet fjalë. Jua thashë, kësaj çështjeje do t’i shkoj deri në fund dhe nuk ka rëndësi se sa kohë do të zgjasë. Është e çuditshme, në Shqipëri është shumë kollaj të baltosësh një femër, ta nëpërkëmbësh me shpifje, me ç’të të vijë nëpër mend dhe askush nuk mban përgjegjësi. Kjo padi do të jetë një fitore jo vetëm ndaj personit tim si Rajmonda Bulku, por për të gjitha gratë si unë, të cilat kanë rënë viktima të thashethemeve të tilla. Ka ardhur koha që të reagojmë me të gjitha mekanizmat ligjorë. Mjaft më me përbaltje të figurave të femrave, ndërsa meshkujt krehin bishtin si fitimtarë të përbaltjes!
Ju jeni deputete e PD-së dhe Kryeministri Sali Berisha ishte i pari që në vitin 2008 mori iniciativën kundër heqjes së padisë penale ndaj mediave dhe gazetarëve. A jeni konsultuar me Berishën para se ta dorëzoni padinë në Gjykatën e Tiranës?
Jo, nuk jam konsultuar.
I bie që keni marrë një iniciativë kundër vendimit të Berishës?
Aspak, nuk kam marrë asnjë vendim kundër tij. Unë kam marrë një vendim që ka të bëjë me Rajmondën e 30 viteve më parë. Një vendim për përbaltjen e figurës sime që nga adoleshenca, rinia, martesa, familja e Rajmonda aktore. Nuk kam bërë një padi si Rajmonda deputete e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe as po merrem me akuza që kanë të bëjnë me profesionin si politikane, por si grua. Si një nënë që i është cenuar familja. Si një mike që i është cenuar shoqëria. Si një femër që i është cenuar feminiliteti. Derisa nuk ka pasur ndonjë reagim nga Grupi Parlamentar demokrat rreth këtij vendimi, do të thotë që edhe ata e kanë kuptuar linjën e padisë sime.
Pas gjithë kësaj historie, si kanë reaguar miqtë tuaj?
Në mënyrën më të mrekullueshme. Më kanë telefonuar pa fund duke më thënë se janë pranë meje, njerëz që i njoh, por edhe që nuk i njoh. Celulari im është tejmbushur nga mesazhe të intelektualëve më elitë të Tiranës dhe disa prej tyre kanë qenë të cenuar si unë nga i njëjti person. Pra nga Myftaraj. Ata më thoshin vazhdimisht që të mos ia vija veshin, ta lija të fliste ç’të donte, por unë isha e vendosur. Më pas, kur bëra padinë, më kanë përgëzuar të gjithë dhe më thanë: “Shumë mirë ia bëre, veç mos e lër pa e çuar deri në fund”.
Po familja Kadare, jeni në dijeni si ka reaguar rreth kësaj padie?
Di të them vetëm kaq, që janë gëzuar që e bëra atë padi.

Aktorja: Burg për Myftarajn

Zbardhet padia e plotë penale e deputetes së PD: Nuk dua para, autori në psikiatri
“Isha fëmijë në kohën që gazetari aludon për lidhjen”.
Faksimile e padisë së Bulkut ndaj Myftarajt
Rajmonda Bulku, aktorja dhe deputetja demokrate që nga viti 2009, ka bërë padi penale ndaj Kastriot Myftarajt, autorit të shkrimit që supozon për një histori dashurie mes saj dhe Ismail Kadaresë. Me një kërkesë drejtuar Gjykatës së Tiranës, ajo e cilëson artikullin e tij “kundërvajtje penale”, duke përdorur nenin 120, i cili parashikon shpifjen botërisht si vepër penale. I njëjti nen që saktëson që, nëse vërtetohet akuza, atëherë dënimi është gjobë ose burg deri në dy vjet. Dhe në këto dy alternativa, aktorja kërkon burgun për Myftarajn dhe nuk është e interesuar për dëmshpërblim në të holla, pasi për një rast të tillë ajo mund të kishte zgjedhur më lehtë padi civile. Arsyen ajo e sqaron gjatë në padinë që ka bërë, të cilën po jua sjellim të plotë…
Kërkesë/ Për gjykimin e kundërvajtjes penale
Kërkuese: E dëmtuara akuzuese Rajmonda Bulku, e bija e Skënderit dhe e Arditës, lindur më 16.08.1958, banuese në adresën: Rruga “Dervish Hima”, ADA TOWER, 1/32 Tiranë, deputete në Kuvendin e Shqipërisë.
Objekti: Kërkohet gjykimi i çështjes penale në ngarkim të:
1. Gazeta “SOT”, adresa “Sitki Çiço”, Tiranë.
2. Kastriot MYFTARAJ, gazetar në gazetën “Sot”, për kundërvajtjen penale të “shpifjes” së bërë botërisht në dëm të së dëmtuarës akuzuese, e parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Baza Ligjore: Nenet 59 dhe 60 të Kodit të Pr. Penale. Neni 120/2 i Kodit Penal. Ligji me Nr.9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”
Para: Gjykatës së Rrethit Gjyqësore Tiranë!
E nderuara Gjykatë! Gazeta e përditshme “SOT”, në numrin e saj të datës 01 nëntor 2011, ka botuar një shkrim të Kastriot Myftarajt me titull “Cilët janë emrat e dashnoreve të Ismailit, që Helena i përmend në librin e saj, përse i rrëfen tani”. Midis të tjerash, në shkrim thuhet: “Në romanin ‘E penguara’, të botuar në 2009-n, Ismail Kadare pohon një tjetër histori dashurie të tij. Në roman rrëfehet një histori e vërtetë, ajo e vajzës së Liri Belishovës (Çomo), Drita Çomo. Vajza, e cila gjendej e internuar me nënën në Cërrik, kishte një shoqe të ngushtë në shkollën e mesme të këtij qyteti, atë që më pas do të bëhej aktorja e njohur Rajmonda Bulku. Kjo e fundit e pohoi këtë gjë publikisht edhe me rastin e promovimit të romanit. Drita adhuronte Ismail Kadarenë dhe donte që ta njihte, por nuk mund të shkonte në Tiranë, se nuk mund të lëvizte lirisht. Ndërkohë, Rajmonda Bulku, e cila falë bukurisë së saj kishte filluar që të luante në filma, u njoh dhe u miqësua në Tiranë me Ismail Kadarenë dhe i foli për shoqen e saj. Në roman, shkrimtari Rudian St., i cili ka shkruar romanin ‘Dimri i suferinës së madhe’, aluzion i qartë për romanin e Kadaresë ‘Dimri i vetmisë së madhe’, njihet me një vajzë të re me emrin Migena, e cila posa ka mbaruar shkollën e mesme dhe që kërkon të hyjë në shkollën e arteve në Tiranë. Në këtë kohë Migena bëhet e dashura e shkrimtarit, të cilit i flet për shoqen e saj në provincë me emrin Linda B., e cila është e internuar. Kur Migena shkon në provincë, shoqja e saj i kërkon që t’ i tregojë për shkrimtarin dhe dashurinë me të. Qartësisht, pas Migenës qëndron Raimonda Bulku, me të cilën Ismail Kadare u njoh, siç thotë vetë, kur erdhi në Tiranë dhe filloi të luante në filma artistikë. Bulku do të ishte aktorja që do të kishte rolet kryesore femërore praktikisht në të gjitha filmat që u bënë sipas librave të Ismail Kadaresë. Në filmin me seri ‘Emblema e dikurshme’, sipas novelës me të njëjtin titull të Kadaresë. Bulku kishte rolin kryesor femëror, atë të Anës (Ana e përhershme) së dashurës së personazhit kryesor. Ajo pati rolin e Zanës, të një prej personazheve kryesorë në filmin ‘Ballë për ballë’, me skenar sipas romanit të Kadaresë ‘Dimri i Madh’, pati një rol në filmin ‘Radiostacioni’, me skenar sipas romanit të Kadaresë ‘Nëntori i një kryeqyteti’, pati një rol në filmin ‘Kthimi i ushtrisë së vdekur’, një version i ri i ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’, si dhe pati rolin e Dianës, gruas së shkrimtarit, në filmin ‘Të paftuarit’, një film sipas romanit të Kadaresë ‘Prilli i thyer’.
Më pas, në emisionin ‘Zonë e Lirë’ në TV KLAN, më datën 04.11.2011, Kastriot Myftaraj i ftuar në këtë emision pikërisht lidhur me shkrimin e botuar në gazetën ‘Sot’, i ka ripohuar dhe ka këmbëngulur në ato që kishte botuar tri ditë më parë në këtë gazetë”.
E nderuar Gjykatë! Të gjithë këto thënie të botuara në gazetën “SOT” dhe të pohuara prej Kastriot Myftarajt disa ditë më vonë në një emision televiziv janë të pavërteta dhe synojnë të cenojnë nderin dhe personalitetin tim. Unë, kërkuesja, jam e martuar që prej vitit 1979 me Fatos Pashkon, kemi dy fëmijë të rritur, Jozel, 31 vjeç dhe Hega, 28 vjeçe. Kam punuar shumë vite në Teatrin Kombëtar si aktore dhe aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve angazhimet e mia si aktore dhe aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë nuk kanë lënë asnjëherë mënjanë impenjimet e mia bashkëshortore dhe si nënë, ndaj këto marrëdhënie nuk janë lëkundur asnjëherë gjatë këtyre viteve. Hamendësimet dalin nga një mendje e sëmurë, si ajo e të akuzuarit Kastriot Myftaraj, e botuar nga e përditshmja “SOT”, që janë shpifje të kryera prej tyre botërisht në dëmin tim, pasi lidhjet që përpiqen të krijojnë të akuzuarit me atë shkrim nuk kanë të bëjnë fare as me jetën time si aktore dhe as me jetën time intime. Thëniet e mësipërme, për të cilat edhe të akuzuarit e dinë mirë që nuk janë të vërteta, janë bërë me qëllim për të cenuar, midis të tjerash, edhe nderin e personalitetin tim, duke konsumuar kështu të gjitha elementet e kundërvajtjes penale të shpifjes, e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Për këtë shkak kërkojmë gjykimin e personit juridik gazeta “SOT” dhe të shtetasit Kastriot Myftaraj për kundërvajtjen penale të shpifjes, e kryer botërisht në dëmin tim, Rajmonda Bulku, parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Në pritje të caktimit të seancës gjyqësore, me respekt Rajmonda Bulku.

Kastriot Myftaraj: “Bulku të padisë Kadarenë dhe jo mua”

Gazetari i qëndron vërtetësisë së shkrimit.
Kastriot Myftaraj
Kastriot Myftaraj është autori i shkrimit me titull “Cilët janë emrat e dashnoreve të Ismailit, që Helena i përmend në librin e saj, përse i rrëfen tani”, i botuar në datën 1 nëntor 2011, në gazetën “SOT”. Në këtë shkrim, ndër të tjera, kolumnisti dhe publicisti Myftaraj aludon se Rajmonda Bulku ka qenë një ndër këta emra dhe këtij aludimi i qëndron deri në fund. Nuk ka ndër mend ta përgënjeshtrojë lajmin, sepse gjithçka e konsideron të vërtetë. Të paktën sipas asaj çfarë ka lexuar dhe interpretuar më pas pjesa e librit autobiografik të Helena Kadaresë, “Kohë e pamjaftueshme”. “Nuk kam ndër mend ta hedh poshtë shkrimin tim e as të përgënjeshtroj ndonjë pjesë të tij. Unë kam cituar vetëm dëshmi të Helena Kadaresë, që rrëfen rreth historive rozë të të shoqit, lidhjeve të tij”, thotë Myftaraj, i pyetur nga gazeta “Panorama”. Sipas tij, në gjithë këtë ngjarje nuk është ai që duhet paditur, por Ismail Kadareja ose bashkëshortja e tij. “Zonja Bulku të padisë autorin ose autoren e librit. T’i çojë në gjykatë ata që e kanë përgojuar e përfolur në ato dëshmi, dhe jo mua. Kjo njihet edhe si praktikë botërore. Të prekurit dhe të dëmtuarit drejtpërdrejt nga historitë autobiografike padisin shkrimtarin dhe nëse gjykata u jep të drejtë, atëherë hiqen të gjithë librat nga qarkullimi”, sqaron Myftaraj, i cili duket se nuk e ka problem padinë që i është bërë në gjykatë. “Ajo ka punën e saj, unë punën time”, e mbyll Myftaraj këtë çështje.
ELISABETA ILNICA

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit