Kiosqet, zgara dhe kënga serbe ka pushtuar hyrje-daljet e Pallatit të Kongreseve ku po mbahet Panairi i Librit në Tiranë.
Janë stendat e restoranteve dhe kafeneve të njohura serbe nga Beogradi por edhe nga dy qendrat më ultranacionaliste serbe si Nishi dhe Leskovci.
Agjencia e lajmeve INA ka kapur në fokusin e saj praninë e këtyre stendave të improvizuara në formë restorantesh “fast – food”, ku vizitorët dhe lexuesit e panairit, duke përfshirë edhe shkrimtarët shijojnë rakinë serbe, tingujt e muzikës serbe dhe qepabin e suxhukun serb.
Shërbimi është ekskluzivisht në gjuhën serbe dhe kjo nuk i bën përshtypje tiranasve. Një reagim të ashpër e shprehin vizitorët nga Kosova dhe Maqedonia. Kushtrimi, një vizitor i rregullt i panairit shprehet i dëshpëruar nga kjo që ka hasur.
”Unë jam i befasuar me këtë që po shoh këtu. Ndoshta mungesë vetëdije apo injorance mediokre. Mund të dukemi ndoshta të bezdisshëm kur flasim për këtë se si një serb me reklama kirilicë dhe këngë serbe lirshëm bën punën e tij në mes të Tiranës, derisa ta provoje dikush nga Tirana ta bëjë një gjë të tillë në Beograd apo diku tjetër. Pikërisht këta serbët shqyen pikturat e një piktore shqiptare në Beograd, vetëm pse ishte pjesëmarrëse në një ekspozitë ballkanike”, ka theksuar për agjencinë INA, Kushtrimi, vizitori nga Kosova.
Anisa nga Tetova, një studente në Universitetin e Tiranës gjithashtu ndjehet e befasuar me atmosferën parahyrëse të panairit. ”Është vërtetë një turbo-follk i përzier me zgarën e tyre serbe, që është e njohur për ne dhe që nuk lë ndonjë shije të veçantë. Ne kemi traditën tonë si tetovarë për kuzhinën tonë të begatë dhe pse ajo të mos ishte ftuar, kur dihet se kuzhinë e jona pushton qendrat turistike të rajonit, Evropës dhe botës. Por, mentaliteti ynë tregon se ne jemi të tillë dhe nuk vlerësojmë tanët. Por më e keqja është se këtu mungon një ndjenjë kombëtarizmi dhe atdhetarizmi”, thekson për INA studentja tetovare.
Një grup studentësh kosovarë apelojnë që partitë politike dhe lëvizjet e tjera të zgjohen dhe të shprehin një revoltë rreth kësaj. ”Pyesim Aleancën Kuq e Zi apo disa të tjera që rrahin gjoks për kombëtarizëm këtu, se ku janë tani. Atje ku serbët po vendosin barrikada dhe nuk lejojnë që të shkel këmba e shqiptarit apo të dëgjohet zëri i tyre, këtu po ndodhë e kundërta dhe serbët po defilojnë si të duan dhe ku të duan”, është apeli i studentëve nga Kosova, të cilët vizituan panairin e librit.
Autoritetet politike dhe institucionale në Tiranë nuk dëshirojnë të flasin mbi këtë ngjarje, që për shumë vizitorë lë përshtypje jo të mirë në pamje të parë.