Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në panairin e librit që zhvillohet në kryeqytet ka anashkaluar stendën ku ishte publikuar libri i kreut të opozitës Edi Rama, “Kurban”.
I pyetur nga mediat në lidhje me këtë, shefi i qeverisë theksoi se edhe pse ai është libradashës ai nuk mund të vlerësojë dështakët e politikës.
“Nuk ishte e paqëllimtë sepse unë jam një libër dashësh. Zoti i mbrojtë letrat tona nga politikanët e dështuar, por zoti e mbrojtë politikën nga shkrimtarët e dështuar. Nuk mendoj se meritojnë nderim ata që dështojnë në politikë, letrat nuk janë për strehë, janë eliksir i mendimit ndaj dhe jo pa qëllim u mora me shkrimtarët e vërtetë dhe lashë mënjanë dështakët e politikës që duan të shndërrohen në shkrimtarë” ka theksuar Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu ka përgëzuar botuesit, shkrimtarët, poetët dhe eseistët shqiptarë për botimet e shkëlqyera që paraqesin në këtë panair që sipas tij është nga më të pasurit që është hapur ndonjëherë.
“Përshëndes organizatorët e panairit dhe të shpreh kënaqësinë që vëmendjen që lexuesit e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë kanë treguar për librin. Nuk ka tregues më cilësor për një individ, për një shoqëri sesa raporti me librin, raport që po njeh rritje të mëdha” ka shtuar Berisha.
Sipas tij ky panair është një ogur i bardhë për shqiptarët dhe një dëshmi i ngjitjes së tyre në rrafshin më të rëndësishëm, atë të pasurisë së tyre më të madhe kulturore.