Agim Vinca lindi më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës (Maqedoni). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës., ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Është profesor ordinar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e sotme shqipe.
Agim Vinca është njëri nga poetët e njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit e dalluar të letërsisë shqipe. Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare. Jeton dhe punon në Prishtinë.
|
Agim Vinca |
Tituj të veprave
- Feniksi /poezi, 1972/
- Bregu i mallit /poezi, 1975/
- Në vend të biografisë /poezi, 1977/
- Aspekte të kritikës sonë /studim, 1977/
- Qasje /kritikë, 1980/
- Buzëdrinas /poezi, 1981/
- Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe /1945-1980/ /monografi historiko-letrare, 1985/
- Iz savremene albanske poezije u Jugoslaviji /antologji, Sarajevë, 1985/
- Arna dhe ëndrra /poezi, 1987/
- Orët e poezisë /kritikë letrare, 1990/
- Populli i pandalur /publicistikë, 1992/
- Alternativa letrare shqiptare /kritikë letrare, 1995/
- Kohë e keqe për lirikën (poezi, 1997)
- Shqiptarët mes mitit dhe realitetit (publicistikë, 1997)
- Dri' /poezi, përzgjedhje, Tiranë, 1999/
- Sonet i vetmuar /poezi të vjetra dhe të reja, 2001/
- Kurs i teorive letrare. Prej antikës deri te postmodernizmi /libër teorik, 2002/
- Panteoni i ideve letrare /libër teorik, 2003/
- Fije të pakëputura /sprova letrare dhe kulturore, 2004/
- Kënga e hapur /antologji e komentuar, 2005/
- Psalmet e rrënjës /poezi, 2007/
- (Po)etika e fjalës dhe Arti i reagimit./2011/
E kanë vlerësuar si “poet i idealit kombëtar”, “mjeshtër i thjeshtësisë
(madhështisë) poetike” dhe se “zëri poetik i tij e ka pasuruar poezinë
shqiptare”. E kanë cilësuar si “mik dhe krijues i shquar”, “mjeshtër
bindës i shkrimit”, “dijetar dhe profesor i Kosovës”.
Për studimet e tij
janë shprehur se ato janë “shprehje e vetëdijes më të lartë kritike dhe
historiko-letrare”, janë kontribut “në ringritjen e institucionit të
kritikës” dhe “në realizimin e projektit të Historisë së Letërsisë sonë
kombëtare”.
Ai është poet, historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, pedagog e
edukator shembullor, përkthyes, publicist, polemist, drejtues mësimor e
shkencor, veprimtar i palodhur politiko-shoqëror.
Për mëse 44 vjet,
prof. dr.Agim Vinca kontribuon për promovimin e gjuhës letrare shqipe, arsimit,
letërsisë e kulturës mbarëshqiptare; ka marrë pjesë aktive edhe edhe në
aksionin për pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve ’90; ka luftuar për
të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve në Maqedoni, për ndërkombëtarizimin e
çështjes së Kosovës, me qëllim fitoren e lirive njerëzore e kombëtare.
Një jetë me psalme poetike e kulturore për lirinë e Kosovës. Ato vijojnë
ritin e tyre deri në ditët e sotme, kur Kosova martire ndodhet kaq
pranë lirisë dhe pavarësisë së ëndërruar në shekuj. Dhe nuk mund të
ndodhë ndryshe me Agim Vincën, për të cilin akademik Rexhep Qosja shprehet se
është “intelektual që jetën dhe punën ia ka kushtuar ardhmërisë së
popullit të cilit i takon”.
POETI
Tek Agim Vinca janë shkrirë talenti poetik me
racionalitetin e shkencëtarit, studiuesit dhe kritikut të artit. Muzën
poetike e ka takuar herët. Ka shkruar e botuar poezitë e para qyshkur
ishte nxënës në shkollën e mesme. Në përvjetorin e datëlindjes së peotit Agim Vinca ,
bilanci në këtë fushë duket i pasur: tetë vëllime me poezi, disa cikle e
poezi të veçanta të botuara në shtypin letrar mbarëshqiptar, përkthime
dhe disa antologji të autorëve shqiptarë. Por hijeshia dhe vlera e
poezisë së Agim Vincës nuk lidhet kurrsesi me aspekte sasiore e
statistikore.
Poezia e tij është e gjerë (universale) në tematikë, e
thellë në mesazhe dhe mjeshtërore në rrafshin stilistikor. Njohja
shkencore e prof. dr.Agim Vincës, e përvojave kombëtare e botërore të
vargëzimit, ka mundësuar krijimin e një poezie korrekte e fine në
rrafshin e teknikave poetike e mjeteve të shprehjes.
Pjesa më e madhe e
vargjeve të tij ndjekin mençurisht traditën e vyer të Naim Frashërit , Fan S.Nolit,
Lasgush Poradecit e Milosh Gjergj Nikollës-Migjenit: pra poezitë lexohen/perceptohen njëherazi me sy,
vesh, shpirt e zemër.
Do të mjaftonte vetëm poezia-ese trevargëshe, me
titull “Letër Ukshin Hotit në Burgun e Nishit”, për të vërtetuar këtë:
“Nuk e kanë vështirë të të burgosin./ As të të vrasin nuk e kanë
vështirë./ Vështirë e kanë të të lënë të lirë”.
Atdheu si një tërësi, rrënjët shekullore të tij, vendlindja dhe familja,
dashuria njerëzore, lufta për lirinë dhe të vërtetën, priren të jenë
obsesionet kryesore tematike të poetit Agim Vinca.
Tek kjo tematikë
universale, ai sheh dhe identifikon idealet humane dhe intelektuale të
tij, çka do të dëshironte që kjo të ndodhte në gjithë racën e
homosapiensëve, pavarësisht dallimeve fetare, etnike, ekonomike,
sociale, kulturore, ngjyrës së lëkurës, gjinisë etj.
Në këtë kontekst
poezia e tij denoncon “ushtarët e apokalipsit” (vdekjes), që vërsulen me
thikë ndër dhëmbë e litar në dorë mbi Kosovë.
Mbi Kosovë a gjetkë, dje
apo sot, njëlloj ata ia “pshurrin fytyrën…” dhe “ia punojnë qindin
botës”.
Shumë nga krijimet poetike e letrare të A. Vincës janë
përfaqësuar jo vetëm në antologjitë e përgatitura në gjuhën shqipe, por
edhe në frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht, rusisht, polonisht,
turqisht, arabisht.
HISTORIOGRAFI DHE KRITIKU LETRAR
Agim Vinca është krijues dhe interpretues i
letërsisë. Jeta e tij nuk mund të kuptohet pa këto dy veprimtari
paralele. Siç pohon edhe ai vetë, sprovat e para në këta lëmenj të
dijes, i ka pasur nga fundi i viteve ’60. Punimi i parë serioz në fushën
e studimeve letrare ishte “Mendimi kritik i M. Kutelit”, tezë
magjistrature (1974). “Aspekte të kritikës sonë” (1977) dhe “Qasje”
(1980), janë dy librat me analiza dhe kritika letrare, me të cilat Prof.dr.Agim
Vinca prezantohet si një studiues i talentuar i proceseve dhe fenomeneve
letrare shqiptare.
Pas një pune të palodhur dhe disavjeçare publikon studimin voluminoz
“Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)”.
Opinioni
intelektual, shkencor, universitar dhe publiku i gjerë vijojnë ta
konsiderojnë këtë libër si veprën më të thellë, “më të plotë” dhe “më të
rëndësishme për poezinë e sotme shqipe deri në ditët tona”… Mendojmë se
kjo vepër meriton vlerësim të veçantë për dy arsye: e para, duke vënë
në krahasim metodologjitë dhe praktikat letrare të poezisë shqipe të
viteve ‘50 e ’60, Agim Vinca bëhet studiuesi pionier që inicion studimet
komparativiste në literaturën shqiptare dhe e dyta, “Struktura…” është
vepra e parë historiko-letrare tek ne, në të cilën procesi dhe produkti
letrar poetik analizohet posaçërisht në mënyrë unike, mbarëkombëtare,
larg fragmentarizimit politiko-shtetëror.
Në dhjetëvjeçarin e fundit kemi disa analiza, të cilat janë përmbledhur
në botimet: “Kurs i teorive letrare” (2002), ribotuar në Shqipëri nën
titullin “Panteoni i ideve letrare”, “Fije të pakëputura” (2004) dhe
“Kënga e hapur” (2005), antologji e komentuar, e cilësuar si e para e
këtij lloji në letërsinë shqipe.
Ndërsa vepra “Alternativa letrare
shqiptare” (Shkup, 1995) e ribotuar më 2005-n, sipas studiuesit kanadez
Robert Elsie, “është sinteza e parë shkencore e ideve dhe rymave të
letërsisë shqiptare të shekullit të njëzetë, veçanërisht e rrjedhave që
ishin në kundërshtim me doktrinën zyrtare të pasluftës, realizmin
socialist…”.
Në këtë libër, prof. Vinca zbulon për herë të parë në
mënyrë të plotë, portretet e dy intelektualëve e shkrimtarëve të
panjohur sa duhet më parë, S. Malëshovës dhe disidentit Kasem Trebeshina,
rishqyrton shkrimtarin Ismail Kadare e prozën e tij, në raport me
konformizmin politik e disidencën intelektuale (letrare) dhe bën një
analizë relativisht të gjerë për Visar Zhitin e poezinë e tij të shkruar në
burgjet komuniste. Sjell gjykime e konkluzione të reja për krijimtarinë
e autorëve, Gjegj Fishta, Luigj Gurakuqi, Fan S. Noli, Petro Marko, Sterio Spasse.
Shtëpia
Botuese Librarium Haemus ka nxjerrë kohë më parë në qarkullim vëllimin
antologjik të poetit Agim Vinca, “Urnă
vie” (Urnë e gjallë). Botuar në kushte grafike të shkëlqyera, vëllimi
përfshin pjesë të zgjedhura nga krijimtaria poetike e Vincës, përkthyer
në rumanisht nga Kopi Kyçyku, shoqëruar me vlerësime kritike dhe me një
bio-bibliografi të zgjeruar të poetit.
Prozatorja,
poetja, kritikja letrare dhe gazetarja e shquar rumune Iolanda Malamen,
në paraqitjen me titull “Ngadhnjimi i dëshmimit”, që i bën Vincës,
thekson: “Ndjenja e fuqishme e historisë, sidhe hapësira legjendare
në të cilën ajo i ka përkryer si gëzimet, ashtu edhe fatkeqësitë,
këqyren me një panjollësi të magjishme në letërsinë shqiptare të djeshme
dhe të sotme, letërsi e cila shpall me një energji të shquar të drejtën
morale të mbijetimit dhe të njohjes. Përtej guximit të padurueshëm dhe
shpesh bezdisës, tani kur hapja kulturore drejt botës na jep të drejtë,
të gjithëve, të mësojmë edhe çka na ishte mohuar me egërsi të madhe
politike për dhjetëvjetësha me radhë, ka ardhur koha t’i mbarështojmë me
gjuhën e duhur vlerat epike dhe lirike, që të mos e lëmë veten të
zhgënjehemi nga paragjykime dhe obsesione.
Agim Vinca është njëri nga
poetët shqiptarë më të njohur e më të lexuar dhe ja, sot kam para syve
një libër me titull paradoksal dhe nxitës: Urnë e gjallë, në
përkthimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit Kopi Kyçyku. Është një
antologji që përfshin deridiku kronologjikisht krijime duke filluar nga
viti 1978 e deri më 2006. Gjallëria himnore me të cilën autori hap
zemrën, që nga vjersha e parë deri tek e fundit, me qartësinë dhe
emocionin që i japin vokacionin leximit e dhuntinë poetike, mbështetet
nga kthjelltësia patetike e botës në lëvizje.
Agim Vinca është
shtegtuesi i ngarë të përshkojë vise magjike, duke na sjellë ndërmend
ngadhnjime të futura në legjendë; shkretime luftërash, por edhe qetësinë
familjare duke i dhënë fuqi një dokumentari tejet rigoroz, me të dhëna
dhe ndodhì të saktësuara me madhështi.
Është poezia e një intelektuali
që vetëzbulohet çast pas çasti, duke raportuar historinë kulturore të
botës, në Shqipëri, në atdheun që kuptimëson më epërisht se identiteti
shtetëror, jetën e vet”. /A.-Ch.Kyçykuhttp://www.ahaemus.blogspot.com/.
Kurse Dr. Ardian Marashi, në “Vinca, ose poeti i permanencave shqiptare”, mes të tjerash, shprehet: “Lexuesin
më kërkues, që kërkon nga poezia një shkallë abstraksioni të
respektueshme, Vinca e fton në një udhëtim simbolik kah “psalmet e
rrënjës”, aty ku në mënyrë të figurshme ngjizen identiteti dhe trajtat e
permanencës shqiptare”. Në grykën e këtij vullkani të çuditshëm
që rri gjithë kohës zgjuar, poeti hedh ashtu pështjellueshëm dromca jete
e ëndrrash, që atypari përzihen e mbruhen me magmën shekullore, për të
dalë vrullshëm në sipërfaqe si flakë o si tym. Atëbotë, para këtij
spektakli çmeritës, poeti shndërrohet në një “urnë të gjallë”, e cila
ushqehet me zjarrin e përbashkët të Ikarit shpresëmadh, të Don Kishotit
shpresëmarrë, të Hamletit shpresëbjerrë dhe Faustit shpresëfarkëtues.
Ai
vjen e bëhet një vetje simbolike, në të cilën ndërthuret e gjithë
problematika e poezisë: Shqytar i marrë, Ikar pa fletë, / Pakëz Faust, pakëz Hamlet”. Të dhëna më të plota mund të gjenden në www.librarium-haemus.blogspot.com.
Ardhja
e “Urnës së gjallë” në rumanisht përbën një ngjarje të rëndësishme
kulturore dhe pasuron më tej kolanën “Enkelana” të poezisë së zgjedhur
shqipe të Librarium Haemus-it, ku janë botuar tashmë dhe do të botohen
në vazhdimësi disa nga zërat më të fuqishëm të poezisë sonë.
VEPRIMTARI ATDHETAR DHE SHOQËROR
Në gjithë veprimtarinë si qytetar dhe patriot, që nga
pjesëmarrja në demonstratat e studentëve të vitit 1968 e deri sot, me
aktivitetin e tij ka dëshmuar integritet të lartë moral dhe intelektual,
kohezion pikëpamjesh dhe veprimesh, ndershmëri profesionale e
njerëzore. Pikëpamjet e tij të qarta politike e shoqërore, përkitazi me
çështjen e Kosovës, shqiptarëve në Maqedoni dhe të drejtave të njeriut, i
ka afishuar dhe mbrojtur qysh në fillim të viteve ’80, në një varg
artikujsh publicistikë të botuara në të përkohshmet ish-jugosllave.
Në mars të vitit 1989 nënshkruan “Apelin 215” për mbrojtjen e autonomisë
së Kosovës. Në qershor 1991, A. Vinca ishte një ndër themeluesit e
Forumit të Intelektualëve Shqiptarë nga Maqedonia dhe zgjidhet kryetar.
Po atë vit udhëheq mbledhjen për themelimin e Forumit të Intelektualëve
Shqiptarë dhe zgjidhet anëtar i kryesisë së tij. Në jo pak raste,
sidomos pas viteve ’89-90, i është dashur të përballojë fushata të
ashpra politike e mediatike, në Maqedoni e Kosovë, thirrje nga Sigurimi
Shtetëror dhe mbajtje 20 orë në “bisedë informative”, akuza si
“nacionalist” dhe “dezinformim i publikut”, largimin nga Fakulteti si “i
padenjë për edukimin e brezit të ri”, bastisje të ambienteve familjare
dhe konfiskime të shkrimeve personale. Arrestohet në vitin 1996 dhe
mbahet 15 ditë në burg, në Prishtinë e Lipjan. Më 1997-n merr pjesë në
mbledhjen solemne, që mbahet në selinë e OKB-së në Nju-Jork me rastin e
50-vjetorit të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, ku
flet për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe bën ftesë për pengimin e
katastrofës. Në 1999-2000 emërohet zëvendësministër dhe më pas edhe
ministër i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës, post i lartë, prej të cilit
jep dorëheqje për shkak të mospajtimit me politikat arsimore të ndjekura
nga UNMIK-u.
Intelektual idealist, poet i mirënjohur, shkencëtar ekzigjent, pedagog
profesionist, pajtues gjaqesh, “dashnor” i gjuhës letrare shqipe,
vendlindjes, familjes dhe i çdo pëllëmbe toke shqiptare, patriot dhe
europianist; ky është me pak fjalë letërnjoftimi i tij në këtë përvjetor të datëlindjes së tij.