NGA REXHEP SHAHU
(Mbresa rreth vellimit poetik "Poema e ikjes" të poetit Aqif Hysa)
Sonte u ndamë me Aqif Hysën, pasi pimë një kafe bashkë me Izet Durakun. Ai,
tashmë me libër të botuar, me ca kopje të tij në çantë, u nis për matanë, përtej detit, për Itali ku
rron që nga viti 1996 me gruan dhe fëmijët e tij.
Unë e besoj fort, e pashë, se ai ndjehet i mbushur, i plotë. I gëzohet ëndrrës
që e preku. Unë e di se ai tashmë do të flasë me vetën kur të jetë mbi det, mbi
tapetin e tij të poezisë. Dhe do ti thotë detit, ja, ëndrrat që kam parë mbi
ty, ankthin a makthin i shkrova, i botova, ia dhashë njeriut, tokës, në një libër.
Unë e besoj se edhe shumë
shpirtra që janë tretë në fund të detit e të territ të tij do të ndjehen mirë që
Aqifi ka kënduar për to. Për ato shpirtra, për ato ëndrra të këputura në mes.
Ndërsa ai do të jetë duke folë me detin, unë po bëj këto shënime, jo analizë, jo vështrim profesional mbi këtë vëllim poetik, por thjeshtë emocione të miat të çastit, mbresa që burojnë tani teksa më përmendin dy vargje të Aqifit, që po i lexoj, ( pa pretenduar se po them ndonjë gje te madhe, por si nje përshëndetje publike ndaj vëllimit poetik "Poema e Ikjes", që u botua këto ditë, nga shtëpia botuese Ombra GVG dhe u paraqit në panairin e librave në Tiranë, nga 9 deri 13 nëntor 2011.
Shumë po ikin e pak po
mbeten, ka thënë
më i vjetri, që kreshnikët
imitonte me mustaqe. Asgjë
tjetër
s’na ka mbetur nga
paraardhësit, shtonte po vetë...
Pastaj ka heshtur.
Fjalët
në grykë i kanë mbetur.
Është kjo një copëz bisede mbi skafin që ushtonte mbi det tek shprazte
atdheun nga bijtë e tij.
Ky libër është kthimi i hënës të birit, të birit që i thoshte, kur Aqif Hysa kapërcente detin e çmendur, ma kthe hënën kur të mbërrish.
Im bir, biondi i vogël, ka
mbetur në bregun e nisjes
Merre hënën, më ka
thënë, ma kthe kur të kesh mbërritur
Qofsh mirë dhe
mirardhsh!
Të mirën kuptoje si
ekzistencë, i kam thënë dikur,
dhe jo si përfytyrim.
Kërkoje dhe aty ku s’duket
mërzinë e ditës kapërdije si
një çokollatë. E mos harro:
është e pastër gjithçka që
rrjedh. Ndiqe rrjedhën, biri im
dhe nëse të duket e
frikshme, dhe nëse ngjet plot trishtim.
Të birit qe ia dha hënën të atit të tij Aqifit, t'i bente dritë natën drejt ferrit mbi det, t'i ndrinte udhën teksa ai mbi dallgë me 28 të tjerë iknin e iknin drej ëndrrës e cila largohej e afrohej si dallgët, iknin e iknin drejt vetës së tyre, në kërkim të një jete më të mirë që ish bash ne tek të vdekjes, që iknin e iknin përmes thirrjeve e oshëtimave që s'ishin veç të detit, por të zemrave e shpirtrave të mbytur në det në kërkim të ëndrrave, shpirtra e zemra të djemve të mirë ëndërronjës, të vashava si vajza e valëve që s'iu rehatua kurrë shpirti, po po, të vashave shqiptare që ishin me emra e mbiemra, që kishin prindër, vëllezër e motra, që kishin edhe të dashur, mbase edhe të dashur shitësa të dashurash…
Libri i Aqif Hyses, që u pagezua nga "kumbari" Izet Duraku, "Poema e ikjes", që rrok brenda vetes tre libra, tre kohë, tre gjendje, që rrinë bashkë për të pohuar se poeti ka qenë, është e do të jetë poet, kulmon me udhëtimin e njeriut shqiptar, me udhetimin e frikshëm, bast a kumar, me këtë lojë për jetë a vdekje mbi një skaf edhe vdekjesjellës, në dekadën e fundit te shekullit që iku. Që iku e s'po di të ikë, që ne e lëshuam e ai s'po na lëshon por po na tërheq nga pas.
Çanta me imazhe është
zbrazur në mes të detit.
Një lot
rrokulliset faqeve
tradhëtisht. Zbrazi ëndrrat,
më thotë ai, mos merr
kurrgjë me vete. Çdo çast
sjell ëndrra të tjera.
Dhe përfytyrimet zbrazi,
ec vetëm, bosh. Kështu
ecën më lehtë dhe më shpejt
E djeshmja të shkatërron më
keq se ishemia
Detin, të urtin e kemi kaq
pranë
Një gisht po të zgjasim e
zgjojmë befas...
Ka mjaft letërsia udhëtime mbi det, kapërcime deti, tmerre pa fund fatesh njerzore. Por kronika poetike e Aqif Hysës tek “Poema e ikjes” është drithëruese.
...unë humbjen kisha mbi
supe. Të humburit, dihet
kanë pronë të tyrë
vetëm ikjet…