2011-11-17

Heminguei rus quhet Zachar Prilepin

Zachar Prilepin, autori i tregimit të mëposhtëm, është një prej shkrimtarëve më të pëlqyer rusë. Është 36 vjeç, ka lindur në Rjazan dhe ka marrë shumë çmime letrare në Atdhe, por tash po fillon të korrë suksese edhe jashtë. Prej kritikës amerikane është përcaktuar Heminguei rus. Romani më i fundit titullohet Sankja dhe është shumë ambicioz dhe jokorrekt politikisht.
Në qendër të tij një grup të rinjsh, militantë të një partie, të nxjerrë jashtë ligjit nga qeveria, që shtypjes së protestave të tyre, i përgjigjen me dhunë. Një tregim autobiografik? Prilepini është i lidhur me partinë nacional-bolshevike që drejtohet nga një shkrimtar tjetër i njohur, Eduart Limonov, që më shumë se politikë prodhon letërsi të mirë.

Moska? Më keq se Sodoma dhe Gomorra
Shpikja e njërit prej shkrimtarëve më të debatuar rusë ndaj një kryeqyteti të korruptuar dhe cinik.

Si çdo provincial, unë nuk e pëlqej Moskën. Do të them më shumë, nuk e dua. Një herë isha duke u nisur nga Moska për në Varshavë. Më pëlqeu shumë fakti se ngritja e avionit ishte në orën 8.30 dhe ulja në 8.30. Duke mbajtur parasysh se koha nuk ecte më, se isha në qiell dhe se vajza të bukura më shtinin verë për të pirë gjatë gjithë kohës, mund të konkludohej se më në fund gjendesha në parajsë. Për më tepër Moska është poshtë teje. E shikoj nga lart poshtë, në zbritje. Jo pak pushtues do të kishin dashur ta shikonin kështu, por pak ia dolën mbanë. Vetëm kohët e fundit pushtuesit e kuptuan se në Moskë thjesht duhet të ngulesh dhe ta zotërosh atë nga brenda. Si një virus. Ndërsa e shikoja nga dritarja, kryeqyteti i ngjante një meduze të madhe të humnerave : e gjitha shkëlqente dhe vezullonte. Dukej se, po ta besoje, rënia do të ishte e butë, elastike; dhe që më pas do të të shtynte sërisht lart. Dhe tek sytë në delir do të ndrinin sprucot e dritave të Moskës ; siç ndodhte që i vogël, kur I shtypja me pëllëmbë sytë me të gjithë forcën dhe aty, nën qerpikë, më shfaqeshin fishekzjarret. Nga ky shkëlqim moskovit shumëngjyrësh dhe xixullues lindi më pas një ndjenjë e pamatë : kishte arsye frikësimi nga çasti i pashmangshëm, në të cilin, kontatorët e të gjithë vendit do të shpërthenin nga aq ngrohtësi dhe dritë që thith Moska. Dhe të gjithë do të endeshin në errësirë duke ia mbathur, duke u penguar dhe duke e përplasur kokën, ndërsa Moska zjen dhe shkumbëzon si një shishe shampanje. Shkurt Moska u tret në errësirë dhe më pas, një çast të shkurtër kohe, pamë poshtë nesh Varshavën.
Varshava ishte në errësirë, sikur po priste bombardimet. Po të thosha se në qytetin e bukur të Varshavës shkëlqenin 100 mijë herë më pak drita se në Moskë, nuk do të ishte një ekzagjerim. Në të kundërt, ishte një dëshirë për ta pakësuar. Përballë fytyrës së qetë të Varshavës, Moska dukej krejtësisht e tretur. Përveç kësaj, spektri i ngyrave në kryeqytetin polak ishte shumë herë më i vogël : aty ku Moska shkëlqente rozë, portokalli, vishnjë, e kuqe, violetë, e argjendë, e bardhë dhe të gjitha kombinimet e tyre të pamendueshme, Varshava në disa pika ishte shumëngjyrëshe në të verdhë të zbehtë dhe kjo është e gjitha. Unë më parë e kuptoja se çfarë ishte Moska, por atëherë pashë gjithçka me sytë e mi, nga qielli. Filloi të më krijonte siklet. Taksistët e Varshavës, si shumica e atyre në botë, përpiqen me çdo kusht që të të çojnë në destinacion me çmim sa më të lartë, por çfarë pamje kanë. Fytyra inxhinjerësh sovjetikë, si inteligjenca punëtore. Janë të pastër ata taksistë, nuk bien erë fare.
Po çfarë pamje kanë taksistët e Moskës? Taksisti moskovit është realitet i kondesuar. Nëse doni të studioni veset e kohës sonë, merrni një taksist dhe analizoheni. Taksisti i Moskës është 150 kg mish armiqësor, minimumi absolut i idealizmit, vetëdija se jeta është plot me çdo lloj pisllëku dhe nuk mund të jetë gjë tjetër veç kjo. Shprehja Homo homini lupus, rrëshqet si një nëntitull në ballin e ashpër të taksistit. Po taksistët abuzivë të Moskës? Një herë më duhej të përshkoja me urgjencë 300 m rrugë, nxitoja shumë. Ngrita dorën, ndala një makinë të huaj të bukur si një pasqyrë dhe i bëra shenjë shoferit : duhet të shkoj tek ai pallati atje.
Sa? – pyeti shoferi.
100 rubla - iu përgjigja unë.
100 rubla shkon me autobus, u përgjigj dhe kërkoi që t'ia mbyllja derën, padyshim i ofenduar. Përkundrazi unë jetoj në një qytet me 300 mijë banorë : aty tarifa për të shkuar nga një cep tek tjetri i qytetit është 60 rubla. Dhe asnjë qindarkë më shumë. Duket se kur shkon në Moskë, duhet të japësh provimin e moskovitit që të mos ofendosh asnjë. Njohjet e veta provinciale të realitetit duhen flakur në hyrje të rrugës lidhëse unazore moskovite. Po këmbësorët në Moskë? Ja, nëse p.sh ndalet një parizian dhe e pyesim me një anglishte të pamundur cilën rrugë duhet të marrësh për të shkuar diku, ai do t'i harrojë të gjitha punën e veta dhe do të fillojë të studiojë hartën bashkë me ju, derisa të orientohet. E vërtetova nja dhjetë herë. Por a e dini, nëse ndaloni me të njëjtin synim një moskovit...Me pak fjalë në rastin më të mirë as nuk ndalet. Disa herë në Moskë më janë përgjigjur " ku e di unë!, me një tërbim që unë me mendje e shihja veten si një hero të Tarantinos, nxirrja armën automatike dhe ia shkrehja në trup gjysëm karikatori dhe më pas ngarrendja, e ktheja kufomën me thirrjen : nuk e di ti bajgë? Qytetin tënd të lindjes nuk e njeh?- ia lexoja mendimin.
Po çfarë tjetër veç kësaj? Ose ja mbërrite në kryeqytetin e vendit tonë, zbret nga treni, i pastër dhe me parfum dhe përfundon në sheshin e tre trenave hekurudhorë. Si fillim, sheh qindra tezga me pornografinë më të shpifur. Unë nuk jam një fanatik, përkundrazi, ndoshta e kundërta, por ju shkoni të shikoni se çfarë malli tregtojnë aty. Pak më larg ndodhen emigrantët e përzjerrë me endacakët; edhe pse nuk e di se cili është ndryshimi mes tyre. Pastaj të droguarit, toksikodipendentët, djem pa familje dhe invalidë të ndryshëm. Po aty në mbrëmje, prostituta të reja ruse. Po ta shohësh me vëmendje, ata që i ruajnë janë shfrytëzuesit e tyre, me origjinë nga Kaukazi. Milicia vërtitet zbehtë përreth kësja mrekullie, e shastisur. Unë kam shkuar në nja dhjetë kryeqytete të botës : probleme ka kudo, por të shohësh një gjë të tillë në stacion, mu në mes të qytetit, diçka të ngjashme si kjo, kurrë.
Në Moskë kryhen çdo ditë mijëra e mijëra punë nga më ndyrat, më të pështirat në të gjithë Rusinë, tashmë të pakonceptueshme nga mendja e njeriut. Është një legen si ferri ky qytet. Dhe nuk arrij që ta imagjinoj atë ushtar të thjeshtë, atë officer, atë gjeneral që duke u kthyer, të ulërijë me zë të ngjirur : Nuk mund të ulesh, prapa nesh është Moska! Sado që në Rusinë e sotme kjo fjali mund të ketë një kuptim tjetër : si të thuash, jemi krejtësisht të rrethuar : para armiku me dhëmbë si shpatë e harkuar, prapa Moska dhe moskovitët. Nuk na mbetet veç të pranojmë vdekjen. Nuk ka ndonjë engjëll tjetër që t'i lutemi për rusët.
Disa vite më parë, kryetari i atëhershëm i bashkisë së Moskës Jurij Luzokov e hodhi në gjyq shkrimtarin Limonov që dikur i shpëtoi një frazë për vartësinë e gjykatave moskovite ndaj tij. Më në fund Luzokovi fitoi një gjyq prej gjysëm milioni rublash. Moska vetëm një kryetar të tillë mund të ketë. Luzukovi, nga ana tjetër, më dha një ide tjetër të bukur. Limonovi kohët e fundit thotë se kryeqyteti duhet të spostohet nga Moska në qendër të Rusisë, përtej Uraleve. Por kjo ide më erdhi mua më parë, e shkrova vite më parë. Duhet ta hedhim në gjyq Limonovin për një gjysëm milioni tjetër rublash, që të mos marrë hua idetë. Vetëm se unë mendoj se kryeqyteti duhet spostuar çdo 4 vjet. Sot në Solikamsk, nesër në Surgut, pasnesër në Acinsk, pas 16 vjetësh mbërriti radha e Bijsk-tu. Më në fund do të bëhen rrugët në të gjithë vendin, do të lyhen pallatet, do të mbillen lehet. Edhe në Siberi do të lulëzojnë palmat.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...