“Nga lista e pjesëmarrësve kuptuam se në të janë ftuar dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe deputetë të caktuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më saktësisht në të janë ftuar deputetë nga Grupi Parlamentar i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Unë nuk e di nëse Grupet tjera Parlamentare kanë qenë të ftuara dhe nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Por e di një gjë për të sigurtë: se asnjë deputetë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pranuar ftesë për këtë konferencë. Dhe kjo është e papranueshme”, shkruan në këtë letër, e cila është e nënshkruar nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, transmeton Indeskonline.
“Pavarësisht bindjeve partiake dhe personale të Ministrit dhe/ose Zëvendës Ministrit, organizimet që bëhen nën logon e institucioneve politike të Republikës sonë dhe me paratë publike të qytetarëve të Kosovës, nuk guxojnë ta anashkalojnë asnjë subjekt politik të vendit. Kjo konferencë nuk është private dhe nuk i lejohet askujt ta trajtojë si të tillë, pra ta privatizojë atë, siç keni bërë me vendimin për atë se kush do të ftohet në të”.
Vetëvendosje pret përgjigje nga MPJ për këtë.