Duke lexuar letrën e mikut tim dhe duke medituar për gjuhën tonë amtare…
Nga Namik Selmani, mesues, shkrimtar
Udha e shoqërisë njerëzore ka patur e ka një ligj të pashkruar që pak nga pak është çimentuar në kujtesën, në mendësinë e njerëzve të mençur të një kombi, në praktikën e përditshmërisë të atyre njerëzve në çdo kohë kur ata kanë jetuar e në çdo vend ku kanë lindur. Ashtu si në çdo rrugë të re që ka prekur, ose si ta themi më qartë intelektualisht “risi”, doemos njeriu i vetmuar, ose simboli i Robinsonit në një ishull pa njerëz, po edhe një pjesë e madhe e shoqërisë që e ka lidhur jetën e sotme e të nesërmen me shkronjëzimin, kërkon modele të bukura, të dobishme për t’u ndjekur. Se, po qe se nuk i gjejmë atje ku janë afër dhe larg, ato, Modelet e mbrapshta, do të na ngjiten në këmbë e të ferrojnë atë rrugë që kemi nisur, do të na mjegullojmë shikimin, e mund të na dërgojnë një ditë edhe në një rrugë qorre që nuk i duket as fillimi e as fundi.
Shumë shtete e kombe në kohët e fundit, por edhe më parë, kur edhe njeriu është më i aftë që të bëjë ligje të mira, në shumë vende e shtete janë përgatitur ligje të mrekullueshm për të mbrojtur gjuhën e folur e të shkruar. Se atë që kërkojmë të bëjmë ne sot. ndoshta edhe nesër, është edhe për ne më se e domosdoshme. Duam një model e për të mos dashur që të ndajmë kurora për gjuhët e veçanta, menduam që ta shohim modelin e bukur të kësaj rruge me një nga kombet më të mëdhenj e më të kulturuar si ai francez që është vetëm pak orë larg nesh në këtë kohë kur bota është bërë shumë, shumë e vogël. Pra, do të kërkonim Francën. Nuk është vendi që të flasim sot për shpërndarjen e frankofonisë në kontinentet e botës. Sot dhe dje. Nuk është vend që të bëjmë emërtimet e kësaj gjuhe në krahasim me gjuhët e tjera, po duhet thënë me zë të lartë se atje gjuha është një institucion më vete nga ata të “sigurisë së lartë”, si quhen ata që kanë një rëndësi të madhe sociale, kombëtare. E nuk duhet kurrsesi të bëhemi ziliqarë për këtë mbrojtje të bukur që i bëhet gjuhës. Se kur secili komb mbron e pasuron gjuhën edhe bashkësia e një kontinenti apo edhe mbarë bota e kulturuar kudo ku lind e perëndon dielli e ka dhe më mirë. Edhe qytetërimi gjithëpërfshirës botëror e ka më mirë kur edhe gjuhët e një kombi të vogël apo të madh qoftë, punon për pasurimin dhe për mbrojtjen e saj.
Pa hyrë në arkivat e vjetra e të reja mendova që këtë informacion ta marr në një mënyrë shumë të veçantë. Mbase edhe më të saktë se shkrimet e shumta të gazetave, enciklopedive. E mora në një letër një mikut tim të letrave që disa vite që jeton në Francë. Ka shumë vite që ky njeri e ka lidhur jetën me letrat e shkruara, me tregimet, me poezitë. Pikërisht ky mund të ishte paksa edhe “gjykatësi” më i saktë i kësaj dukurie. Duke dëgjuar përvojën e tij, ai e kishte shumë më të qartë që të shihte atë kujdes që ka shteti, por edhe mbarë shoqëria franceze për gjuhën frënge. Letra e tij e ngrohtë qëndronte bukur mirë mes mallit të djegur e të pashuar të shqiptarit për vitet e kurbetit dhe asaj këshille që po kërkoja me shumë këmbëngulje nga Tirana e poliglotizuar, ku edhe në muret e shkollave është e vështirë që të gjesh mendime të arta për gjuhën tonë amtare dhe Francës që kishte mësuar këtij shqiptari të mençur edhe “diktaturën” e gjuhës-normë, të rregullave të saj dhe të rregullave që duhet të përdoreshin me saktësisht kudo…
Dhe letra e tij më mësoi atë që nuk e dija,më vuri në mendime. Pse jo edhe më trishtoi duke klithmuar me vete: “Mirë në ekonomi shumë gjëra nuk varen vetem nga ne, po në gjuhën ku kemi mësues, kemi letrarë, kemi televizione e gazeta, kemi kartona deputetësh për të bërë ligje, pse nuk bëjmë një gjë të bukur e të dobishme?. Mos vallë është ky 100-vjetor i shtetit shqiptar që të kujtojë shtetarët e sotëm dhe të nesërm se një nga detyrat e tyre është edhe kujdesi që duhet të ketë çdo komb për drejtshkrimin e saj, për drejtshqiptimin e saj..?” Apo edhe për të zgjidhur disa probleme që lidhen me gjuhën e bashkëkombasve në Ballkan e më gjërë ? Të shpresojmë…
”Ekziston një vendim në administratën franceze,- më shkruan miku im nga larg,- me anën e të cilit ndëshkohet çdo nëpunës që bën gabime drejtshkrimore në "Notifikacione" (shkresa që përcjell në emër të dikasterit ku punon). Kjo ndodh jo vetëm për shkresa të ndërsjella departamentesh, por edhe ato që shkojnë tek publiku në formë sqarimesh, por edhe vendimesh që kanë të bëjnë me këta të fundit. Kjo është normë dhe bëhet që gjuha të flitet mirë e të shkruhet seriozisht. Për këtë ka një Vendim shtetëror që është lëshuar në fund të viteve 60. Në fakt, siç më thonë miqtë e mi francezë, intelektualë dhe që janë aktualisht në punë, kryesisht në zyrat e shtetit, ekzistojnë sanksione me gjobë deri në pushim nga puna. Ndaj, kushti i parë që të fitosh një vend pune në administratë për cilindo është gjuha, për të cilën duhet që të marrësh një diplomë kontrolluese në zyrat e Aleancës Franceze, institucion ky në të gjithë qendrat e qytetet, dhe që zëvendësojnë një sektor të drejtorisë së arsimit tek ne. Diploma e tyre është fuqiplotë, pasi të duhet që të kalosh një Komision shtetëror prej 5 pedagogësh në një provim, oral, (në dy variante) dhe me shkrim po në dy variante. Aq funksional dhe i detyrueshëm është ky mekanizem sa atë duhet që ta kalojnë që të gjithë njerëzit që jetojnë në Francë, pa dallim. Unë, bie fjala, në këtë 14 mars kalova nivelin e tretë A2, ku mora një diplomë. Ka 12 nivele edhe për vetë francezët. Është e detyrueshme. Di dy raste që janë ndëshkuar në administratën franceze me gjobë të rëndë dhe pushim nga puna vetëm se në shkresën përcjellëse për publikun kishin bërë dy gabime drejtshkrimore, për fjalën “hotel”. Në frëngjisht o-ja merr një kapuçon përsipër në formën ( l'hötel ). Në rastin konkret kishte harruar nga nxitimi për të vënë kapuçonin tek o-ja si dhe tek fjala “après” që do të thotë “me pas”, ku ishte harruar aksenti mbi “e”. Këtë fakt na e kanë bërë të ditur në formacionin tonë gjuhësor duke na e sjellë si shembull kuptimplotë se sa rëndësi i vënë gramatikës në administratën franceze. Të dy këto shembuj vinin nga drejtori bankare si dhe ajo e energjitikut. Gjuha letrare është normë e patjetërsueshme këtu, në Francë dhe nuk mund që të luash me të, i dashur mik.”
Brenda këtij kuvendimi të largët ai nuk e fshihte edhe pezmin e madh si mësues i gjuhës shqipe ( aspak si nostalgjik) e si intelektual për një grup shtrembëruesësh të gjuhës sonë amtare. Për këtë ai në thotë: “Po më kujtohen tani gjithëfarë sarahoshësh që bëjnë sikur shkruajnë letërsi dhe nuk njohin "gluhën tonë të bukur shqipe. Ky është rrisku i ditës që po kalojmë. Këtë kategori e gjen me lopatë nëpër internete, botojnë libra në Tiranë, se kanë para, edhe pse s'dinë që të shkruajnë shqip...
Mbarova së lexuari letrën, por i u riktheva prapë, prapë. Jo se nuk e kuptova mesazhin e mikut tim që jeton në qytetet me dritë të kulturës franceze. Jo, jo për këtë arsye, po se po më skuqej fort fytyra e po e mblidhja me pëllëmbë për të mos shfaqur këtë fytyrëskuqje qoftë edhe para njerëzve të shtëpisë pa le më tej…