2011/11/17

Përsihatje para një konference gjuhësore

Këto ditë do të mbahet një konference gjuhësore, që për nga aspekti duket tepër e rëndësishme, pasi lidhet me gjuhën shqipe dhe për më tepër me pjesëmarrje edhe ndërkombëtare. Cilido qoftë argumenti që do të trajtohet apo do të trajtohen, një gjë duhet të jetë e qartë : në lojë është e ardhmja e gjuhës sonë shqipe. Në një konferencë kryesisht trajtohen tema që lidhen me të shkuarën e gjuhës dhe të ardhmen e saj, prandaj ngjarje të tilla shkencore duhet të jenë pararendëse të drejtimit të vëmendjes së gjuhëtarëve, të largpamësisë se ku do të shkojë gjuha.
Mora shkas nga kjo konferencë për të hedhur në letër disa mendime që lidhen me disa aspekte të gjuhës dhe që për disa është debatuar shumë kohët e fundit.

1- Gjuha standarte dhe neostandarte
Në këto dy dekada të gjithë jemi dëshmimtarë të mungesës së kujdesit ndaj gjuhës, kujdes që dikur kishte prioritete dhe synime. Gjuha shqipe mendoj se ka dalë nga disa binarë të qëndrueshëm të cilët u përcaktuan hapur që në vitet '70. Gjuha standarte e miratuar përmbush të gjitha nevojat tona në të gjitha nivelet e gjuhës që nga gjuha e komunikimit e deri tek gjuha e përzgjedhur e letërsisë. Atëherë përse gjithë ajo ngutje për të futur elementë të tjerë që më shumë ngjajnë dialektorë? Gjuha i shërben gjithë kombit dhe nuk ka asnjë funksion politik, prandaj rifutja e elementëve të tillë, të nxitur nga njerëz që ushtrojnë funksion politik, do të nxirte premise për ndonjë ndërhyrje tjetër në formë dhe strukturë, gjë që do të nxirrte gjithmonë telashe. Diksutumet duhet të bëhen jo për elementë të tillë, por nivelin e gjuhës pas gjithë këtyre ndryshimeve, tërmete shoqërore do t'i quaja dhe që lidhen me përdorimin, sesa me normat gjuhësore të të shkruarit. Këtu ka vend për debate të frytshme, pasi edhe nëntemat janë interesante. Ja disa nga pyetjet që lindin kur bëhet fjalë për gjuhën neostandart : a duhen përdorur termat e gjuhës angleze që lidhen me teknologjitë e reja? Nëse po cilat duhet të jenë dhe cilat jo? A duhet të gjejmë fjalorin e duhur që të mund të pasurojmë leksikun? Atëherë mund të mendohet edhe për një kongres tjetër që t'i sanksionojë këto norma. Pastrimi i gjuhës nuk do të thotë mohim i gjithçkaje që futet, por guxim për të pasuruar gjuhën shqipe.

2. Krijimi i një qendre brenda Akademisë për ecurinë e gjuhës shqipe në lidhje me përkthimet
Prurjet e shumta nga përkthimi po e bëjnë më imediate këtë qendër, pasi ka shumë pak përkthime serioze nga gjuhët e tjera, të paktën në këtë pikë ka shumë konvergime, qoftë nga gjuhëtarë, studiues, përkthyes dhe botues. A nuk do të ishte mirë që veprat e botuara të kalonin në sitën e kësaj qendre të specializuar dhe të evidentohen problemet? Përkthime të shumta ka edhe nëpër gazeta, por në to ka probleme të tjera që lidhen me këtë tendencë të shqipërimit të fjalëve të huaja, të strukturës së fjalisë, të shprehjes së mendimit të qartë në artikuj etj. Unë mendoj se ka ardhur koha që të bëhet një punë e tillë, pasi dikur institutet e kryenin mësëmiri këtë detyrë. Nëse nuk veprohet me shpejtësi, ka mundësi që gjuha të degradojë dhe të katandiset keq e më keq. Mjaft t'i hedhësh një sy edhe medias vizive dhe secili prej nesh do ta ketë të qartë se televizioni duhet të ketë rol kryesor në gjuhën standarte, bile duhet ta pretendojë një detyrim të tillë.

3. Sit i Akademisë së Shkencave lidhur me risitë e gjuhës
Ndryshimet sollën edhe largimin e shumë fjalëve që lidheshin me gjuhën e asaj kohe, por në koshin e harresës po përfundojnë edhe shumë fjalë të tjera që globalizmi i gjuhës angleze apo ndikime të gjuhëve të tjera po i zëvendësojnë, duke e bërë shpesh gjuhën e folur të pakapshme nga të gjithë. Një nga rubrikat e sitit mund të jetë edhe S.O.S si të shpëtojmë fjalët e harruara apo që po harrohen, duke qënë shumë më të bukura se fjalët e reja. Azhurnimi i tyre të jetë i përhershëm dhe të udhëzohen shkollat që të ndjekin disa hapa për ruajtjen e tyre. Mendoj se edhe interneti që aq shumë po synohet që ta futin nëpër shkolla të ketë disa funksione të tilla edukuese dhe të jetë jo vetëm një shpërndarës informacioni. Natyrisht informacionet duhen dhe janë të rëndësishme, por kultura e një kombi është shumë më e rëndësishme sesa antikultura apo më keq akoma bastardimet e saj.
Secili prej nesh mund të shtojë edhe probleme të tjera që lidhen me gjuhën dhe jam mëse i bindur se lista do të ishte e gjatë, por do të mjaftonte dëshira e mirë dhe ndihma e shtetit, jo politizimi i problemeve gjuhësore, që të fillonte një fushatë sensibilizuese në lidhje me gjuhën. Vitin e ardhsëhm Shqipëria ka një përvjetor të madh, 100 vjetori i Pavarësisë Kombëtare, prandaj përveç veprimtarive të shumta përkujtimore, është mirë që të organizohen edhe veprimtari që lidhen me gjuhë. Një nga motot e vitit të jetë vargu i Naimit : Gjuha jonë sa e mirë...e shoqëruar edhe me të tjera Gjuha e bukur – gjuha e të gjithë shqiptarëve etj.

Arjan Th. Kallço Universiteti Fan S. Noli, Korçë

No comments:

Post a Comment

Qytetërimi i lashtë grek dhe arritjet e tij kishin një origjinë "shqiptare".

Shkruan :  Flori Bruqi,PHD  Studimet gjenetike te shqiptarët  përfshijnë studimet gjenetike që janë bërë mbi popullsinë aktuale shqiptare, d...