2011-11-15

Rënia e të pavdekshmit Agim Ramadani



 
Në mëngjesin e hershëm të 9 prillit, filloi sulmi në kufirin në Koshare. Njësitet e “Kobrave po ashtu ishin në detyra të ndryshme në thellësi të luftimeve duke i arritur efektet e neutralizimit dhe të dominimit kundër armikut. Njëra nga detyrat e misionit të njësisë së “Kobrave” ishte edhe pozicioni i Piramidës C II- 10, drejtimi i përroit që quhet edhe si Gryka e Botushës dhe caku marrja e Kazermës Ushtarake të Koshares. Kjo detyrë u realizua me sukses të jashtëzakonshëm në paraditen e hershme të ditës së dytë të luftimeve duke u sinkronizuar sulmet në kombinim me eprorët Agim Ramadanin, Skënder Hasangjekajn e Hysen Berishën nga batalioni i parë i këmbësorisë, elita e njësisë së “Deltave”, njësia e PU-së dhe mbështetja e njësive të artilerisë. Në të tilla relacione luftarake rezulton edhe marrja dhe futja nën kontroll të kazermës ushtarake të Koshares.
Gjatë operacionit luftarak për marrjen e karakollit të Koshares nga njësiti i “Kobrave” është plagosur më 10 prill 99 edhe luftëtari i shquar i njësisë së Kobrave, Albert Kuçi nga Juniku.
Luftë frontale
Pas dy ditësh të luftimeve të njësisë së “Kobrave” dhe suksesit të treguar në terren më 11 prill 99, komandant Agim Ramadani i prin njësisë së “Kobrave”, respektivisht me ushtarët më besnik të tij, marshon në drejtim të Zhareve dhe Oplazit. Duke kaluar kah Rrasa e Koshares, komandant Agimi në njësinë e tij do të ndalet për tu përshëndetur me ushtarët e artilerisë, që sapo kishin arritur në këtë pozicion luftimi. Pikërisht në këtë ditë të 11 prillit 99, pasi që forcat serbe futen në drejtim të Rrasës së Koshares, aty zhvillohen luftime të përgjakshme. Komandant Agimi me tu kthyer në ndihmë për në Rrasë të Koshares, ndeshet në pritë të pozicioneve të armikut. Aty zhvillohet luftë e drejtpërdrejtë dhe dëgjohen krisma të njëpasnjëshme gjatë përleshjeve frontale në mes të njësisë së “Kobrave” në krye me komandantin Agim Ramadani dhe forcave speciale të ushtrisë serbe. Pas disa orë luftimesh në një pozicion të papërshtatshëm luftimi, komandant Agimi bie heroikisht për të mos vdekur kurrë.
Kjo ditë ka qenë dita më e kobshme për njësinë e “Kobrave” dhe për të gjithë ata që e njohën për së gjalli komandant Agimin. Të gjithë bashkëluftëtarët e brigadës pothuajse nuk dëshironin të besonin për rënien e tij, sepse figura e Agim Ramadanit prej karakterit strategjik ushtarak, artistik, poetik, intelektual etj, bënin të mos besohej në vdekjen e tij. Mirëpo, kështu edhe ndodhi, sepse komandant “Katana” nuk vdiq, por u flijua dhe u shndërrua në përjetësi-pavdekësi, duke e dëshmuar se si duhet të luftohet dhe flijohet për lirinë e atdheut.
Edhe pas kalimit në përjetësi të komandantit të njësisë së “Kobrave” tani dëshmor Agim Ramadani”, njësia e “Kobrave” vazhdoi rrugën e komandantit të tyre në misionin për operacione speciale, duke e shndërruar dhembjen në krenari, ngushëllimin në trimëri dhe amanetin në sakrificë të mëtutjeshme, duke numëruar plumba dhe predha kundër armikut në emër të komandant Agim Ramadanit.
Kështu që pjesëtarët e njësisë së “Kobrave” do t’i gjejmë në të gjitha pozicionet më të ndërlikuara në luftimet e drejtpërdrejta – frontale që zhvilloheshin kundër armikut në frontet e Koshares.
Në të tilla relacione njësia për operacione speciale “Kobra”, pas rënies së komandantit Agim Ramadani, pati edhe dëshmorë të tjerë edhe të plagosur. Me datën 13 prill 1999 janë plagosur dy pjesëtarët e kësaj njësie Qanil Jasiqi, komandues i togut të dytë (vëzhgues) dhe Demush Gacaferri nga Juniku. Më pas me 16 prill 99 në luftime të rrepta në pozicionet e Rrasës së Koshares, duke luftuar në një afërsi disa dhjetëra metra- drejtpërdrejtë kundër armikut, bie dëshmorë edhe luftëtari tjetër i njësisë së “Kobrave” Fadil Maloku “Mortaja” nga fshati Gjocaj. Gjatë luftimeve në frontet e Koshares, po ashtu plagosen pjesëtarët e njësisë edhe Xajë Çela nga Tropoja, komandant i togut të parë (vëzhgues). Komandant Agimi këtë trim nga malësia e Gjakovës e quante Xajë Kosova, sepse këtë epitet të lartë ai e fitoi me trimërinë dhe luftën e pashoqe që bëri për lirinë e Kosovës martire.
Në vazhdën e operacioneve luftarake, plagosen edhe pjesëtarë të tjerë të njësisë së “Kobrave” si Arif Maloku, Arben Sejdiu, Bajram Neziri, Demë Maloku dhe me 22 maj është plagosur edhe Naser Vllasi me një bombë befasie vendosur nga zv.komandanti i batalionit të parë Esat Idrizi. Pas plagosjes së një numri të madh të pjesëtarëve të njësisë së “Kobrave”, njësia tani nuk ishte më funksionale si më parë. Pas datës 23.05.1999 njësia e “Kobrave”, përsëri riorganizohet nga Komanduesi Albert Kuqi që kthehet nga shërimi dhe nga komandanti Hysen Berisha i ofrohen luftëtarët më të mirë dhe më me përvojë në luftë dhe kështu e riformon njësinë komplete dhe vazhdon me kryerjen e shumë aksioneve të suksesshme duke i dhënë një impuls të ri luftës në vijën e thellë të frontit, në të gjitha drejtimet e luftimit sipas vlerësimit të situatës nga komanda dhe vet njësia apo me kërkesën e komandave të drejtimeve operative.
Kurorëzimi i suksesshëm
Domethënë njësia më elite e brigadës 138 “Agim Ramadani” kreu misionin e saj me plotë përkushtim duke u sakrifikuar edhe protagonistët e saj si komandant Agimi e dëshmorë të tjerë të kësaj njësie, si dhe një numër i madh i të plagosurve, të cilët me një trimëri të rrallë futeshin në thellësi të caqeve duke arritur suksese në të gjitha aksionet luftarake.
Kështu sikur të gjitha njësitet ushtarake të brigadës edhe njësia për operacione speciale “Kobra” e përmbushi misionin e saj me suksesin më të lartë, e cila u kurorëzua në fitoren e luftës dhe mposhtjen e forcave armike në kufirin Shqiptaro- Shqiptar. Sot me pietetin më të lartë brigada138 “Agim Ramadani” e mbanë emrin e komandantit të njësisë së “Kobrave”, duke çmuar lartë edhe të gjitha rolet tjera që komandanti Agim Ramadani pati në hierarkinë e GO-3 shit. Lavdi jetës dhe veprës heroike të komandant Agimit dhe njësisë së “Kobrave” dhënë për luftën para dhe gjatë luftës së Koshares......
Shkruan: Bahri M. Gashi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...