Akademiku boshnjak, Muhamed Filipoviq ka deklaruar për gazetën boshnjake “Dnevni Avaz” se duhet të hetohet fakti se a është i shfrytëzuar nga shërbimet serbe sulmuesi i ambasadës amerikane në Sarajevë.
“Duhet të hetohet ky rast, pasi grupet e tilla ekstremiste janë në shërbim të agjenturave të ndryshme. Duhet verifikuar të gjitha rrethanat, por edhe versionin se a kanë shërbimet serbe gisht në tërë këtë. Sidomos për shkak të faktit se zyrtarët serb po lavdërohen se gjatë tërë kohës kanë pasur nën kontroll këtë Jashareviqin. Ne e dimë që nga e kaluara se shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë kanë shfrytëzuar sidomos ekstremistët për qëllimet e tyre. Në këtë aspekt duhet ti kushtohet kujdes këtij rasti”, ka theksuar Filipoviq.
Sipas tij, sulmuesi që kishte sulmuar ambasadën është i indoktrinuar gjoja në bazë të Islamit, mirëpo ai me këtë rast është një element i keqpërdorur sipas doktrinave të interesave politike dhe strategjike të dikujt tjetër.
Islami bazë thotë se duhet të falim, arrijmë paqe dhe mirëkuptim midis njerëzve. Ai theksoi se kjo që po ndodhë është në kundërshtim me Islamin.
Filipoviq theksoi se amerikanët kanë qenë dhe do të mbeten miqtë më të dashur dhe më të afërt të popullit boshnjak.
Akademiku boshnjak duke rikujtuar luftën e Bosnjës, theksoi se elemente të caktuar të agjenturave dhe interesave të huaja kanë dashur që në Bosnjë-Hercegovinë të krijohet bindja se po bëhet luftë për Islamin dhe jo për të drejtat e një populli, për të kryer dhe fshehur gjenocidin shekullor.