2011-11-17

Novruz Abilekaj: I preva kokën gjarprit




Tregim


Më pushtoi pendimi i thellë. I preva kokën gjarprit. Zvarraniku, i mbledhur kutullaç, ngrohej në diellin e zbehtë të asaj dite kur unë po prisja barishtet e egra anës së livadhit. Ishte e thënë që pikërisht atë çast të gjendeshim ballë për ballë. Unë me sendin e mprehtë metalik në dorë dhe ai me qeskën e helmit të depozituar në dhembin e fundit. Mjaft thellë e depoziton helmin gjarpri brenda nofullave të tij të palidhura, ashtu siç strehon armatimet vdekjeprurëse raca njerëzore.
Nuk më ndjeu ose më ndjeu dhe fillimisht nuk u tremb ngaqë ishte mësuar më praninë time. Patjetër që më kishte parë edhe herë të tjera të ecja nëpër bar, të plehëroja, të zhurmoja me makinën prerëse apo të ujisja (ujitja, ndoshta, ishte kurthi që e joshte të afrohej te gjurmët e punës sime). Fillova prerjen me gërshërën gjysmëmetroshe pikërisht disa centimetra afër tij. E pashë që u shqetësua sepse nxitimthi zgjati kokën drejt meje dhe bëri një këth duke stërzgjatur gjuhën ngjyrë rozë. Nuk di në kisha kohë të mendohesha por, sakaq, pashë kokën e tij të ndarë nga trupi. Trupi i gjatë e prishi rrumbullakësinë vetëtimthi dhe filloi përpëlitjet në të gjitha drejtimet ose pa asnjë drejtim të caktuar. Nën peshën e kokëprerit bari përkulej dhe mbeteshin vraga të lehta gjelbëroshe. Nuk besoj të ishte duke formuluar ankimin. As emrin e kokëprerësit nuk e lexova në bar.
Ama, u pendova. I preva kokën. E dënova me vdekje pa përgjim, pa aktakuzë, pa gjykim, pa vendim të ndonjë gjykate. Zbatova dënimin me vdekje pikërisht në një vend evropian ku është ligjërisht i ndaluar. Duket që gjykatat, me gjykimet e tyre të fisme, janë atribut i njeriut dhe shërbejnë për të zbutur krimet e racës njerëzore. Në se do kisha regjistruar zemërimin e gjarprit për ta ankimuar në organet e drejtësisë, me siguri do të ishte akoma gjallë sepse në rrugën e gjatë të hetimit e gjykimit do gjendeshin patjetër dashamirës për të shpëtuar tentuesin për vrasje.
E dënova me vdekje pa faktuar asnjë krim. Isha i sigurt që nuk kishte gisht në sulmin mbi kullat binjake në mes të Amerikës. As kishte vrarë ndonjë vietnamez, afgan, izraelit, palestinez. Nuk kishte asnjë akuzë gjatë pesëdhjetë viteve kur udhëheqësit komunistë u vunë në radhë për të varrosur njeri-tjetrin. Në Srebrenicë u mbuluan në një gropë mijëra kufoma pa praninë e gjarprit që sapo i preva kokën. As në Kosovë apo në Shqipërinë e nëntëdhjetë e shtatës nuk u deklarua ndonjë i pickuar prej tij që të më zgjonte instinktin stërgjyshor të gjakmarrjes. Në Gërdesc jo dhe jo. Të gjithë e dinë se ky gjarpër apo farefisi i tij nuk bëhet fjalë të kenë qenë të pranishëm në kasaphanën norvegjeze të verës së shkuar. Në të gjithë rruzullin vetëm një ishull sa tre të katërtat e kilometrit katrorë është i pushtuar nga gjarpërinjtë.
Krimi i tij i deklaruar ishte (mos mendoni silur më punoi mendja të hetoj për krimin në momentin e mbylljes së gërshërës) ngrënia e minjve, zhabave, zhapinjve, vezëve të breshkës. I pëlqen të thyej ndonjë vezë koteci, rast ky që do plotësonte dosjen dhe do të lehtësonte ndërgjegjen time që mendoj se ekziston. Nuk mund të ndodhte grabitja e vezës përsa kohë të ishim të rrethuar nga vila të divorcuara me kotecet prej ditës kur të zotët mësuan të nxjerrin para nga kurrizi i sivëllezërve të tyre mëditës. Ky gjarpër nuk kishte mundur ta kruante as thyerjen e vezës së pulave. Megjithatë, u ndëshkua.
Shpesh kam lexuar se gjarpri të ngjallë ndjenjën e frikës së madhe nga njëra anë dhe të dashurisë e besimit në anën tjetër. Dhiata e quan gjarprin përgjegjës për shkatërrimin e njeriut kurse nga shumë fise nderohet si i shenjtë. Këto kundërshti më lëviznin nëpër tru prandaj më brejti dhe vazhdon të më brejë ndërgjegjja që, siç thashë, besoj se duhet ta kem.
Si i preva kokën kaq nxituar?
Edhe një shoku im i fëmijërisë që u pickua nga gjarpri mori mjekim, u shërua, nuk i mbetën pasoja për shëndetin. Një shenjëz e vogël në gishtin e madh të dorës. Ai ishte duke mbledhur thana. E çoi gishtin vetë në gojë të gjarprit dhe ishte e vërtetë se nuk u turr zvarraniku për ta dëmtuar, aq më pak për ta dënuar me vdekje. Ndryshe me djalin e Shefos. I shtypi kokën me gurë gjitonit vetëm për kakarisjen e pulave dhe doli se e nuk ia kishte thyer kockat me paramendim. Në inat e sipër, u rrëmbye dhe ... Gjitoni u mbulua me baltë kurse i biri i Shefos gëzon pasuri e fëmijë sot e kësaj dite. E shihni, ndryshon puna kur bëhet gjyq. Ndryshon sepse gjykatësi është gjithmonë njeri.
Kurse unë i preva kokën gjarprit fap-fap, pa gjyq, pa dëshmitarë, pa lënë kohë për mendim të dytë.
Pas pak preka trupin e lodhur nga humbja e lidhjes me kokën. Nuk po trembesha më. Kuptova se e gjithë frika ishte brenda meje. Pra, frika nuk ekzistonte realisht, ajo plasi si minë në mendjen time. Më duket se kjo nuk kishte lidhje me frikën nga gjarpri por me frikën nga pronarja që më përgjonte nga prapa xhameve. Ndoshta nuk ishte thellësisht frikë por zemërim. Sapo më kishin refuzuar gjysmën e pagesës mujore. Një ditë më parë më kishin kërcënuar me humbje të vendit të punës. Kë të akuzoja? Kë të gjykoja? Kë të ndëshkoja?
Ndëshkova gjarprin. Energjia më erdhi nga fundi i shpinës dhe rrodhi drejt trurit, u spërdrodh nëpër qenien time ashtu si gjarpri i rrezikuar, u mblodh kutullaç nën kapakun e kokës dhe, prej andej, zbrit në trajtë urdhri vendimi i rreptë. Këputi kokën! Gijotina ra pa e ndjerë lëvizjen e duarve të mia. Mos kisha (ndoshta kam) edhe unë një gjarpër eterik në thellësi të vetes, në qelizë, në frymë, në gjak?
Vazhdova punën pastaj u riktheva. Duhet të zhdukja gjurmët e krimit. Mendimin e kisha më të ftohtë. Thonë se janë të njohur tre mijë lloje gjarpërinjsh por më erdhi në bashkëbisedim legjenda e gjarprit të shtëpisë:

Besohet se çdo shtëpi ka gjarprin e vet. Ata janë të qetë. Lëvizin nëpër shtëpi lirisht pa guxuar t’i guxon t’i ngacmojë askush. Familjarizohen aq shumë sa shpesh herë i gjejmë nëpër teshat, në mbulesat e fjetjes, nën jastëkë, nëpër djepat e foshnjave e gjithkund . Iu mbushet një enë me qumësht atje ku gjarpri ka daljen e vet. Legjenda mbyllet me porosinë: Nëse e vrasim gjarprin e shtëpisë, na vjen ndëshkimi, në shtëpi mund të ndodhë diçka e kobshme.

Tani, duke numëruar me gishta rruazat e shumta të viktimës, ndjeva se isha nga besimtarët e legjendës. Ishte injektuar kjo besëtytni prej dhjetëra vitesh më parë, kur gjarpri i shtëpisë ishte strukur në sergjenin e rrobave dhe tmerroi nënën time. Gjyshi këshilloi: Mos bërtit, mos e tremb atë gjarpër se është fati i shtëpisë.
Sidoqoftë, i kisha prerë kokën pa e gjetur në faj. Atje ku e kapja fajin me dorë nuk arrinte ndëshkimi im.
U pendova. I mora të dy pjesët, i sistemova me kujdes në një plastmasë të pastër, i bëra rul dhe e varrosa.

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...