Skënderbeu dhe Adem Jashari

Nga Prof.dr.Jakup Krasniqi-Prishtinë


Skënderbeu dhe Adem Jashari


.Të dyja figurat, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu dhe Adem Jashari, përveç shumë anëve historike të ndriçuara tashmë, veçohen edhe për integritetin e veçantë me të cilin duhet të udhëhiqen liderët dhe përfaqësuesit e zgjedhur të popullit



E kaluara jonë, së paku nga mesjeta e deri në ditët e sotme, panteonit shqiptar të vlerave i ka dhënë personalitete të mëdha, të cilat me integritetin e përkushtimin e tyre kanë dhënë shembuj të shumtë që duhet t’i përkujtomë shpeshherë, me qëllimin më përmbajtjesor dhe fisnik: për t’i edukuar gjeneratat e reja me thesarin e trashëgimisë shpirtërore, historike e kulturore. Literatura perëndimore, mendimtarë dhe filozofë të shumtë të shquar të kësaj bote, kanë konstatuar se vetëm njerëzit me integritet, me përkushtim konsekuent janë vizionarë dhe arrijnë të bëjnë hope të rëndësishme shoqërore.

Në këtë shkrim do të ndalem te dy personalitete nga më të rëndësishmet dhe të veçantët e historisë sonë kombëtare, siç janë: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Adem Jashari – Komandanti Legjendar i UÇK-së. Këto dy  personalitete, duke qenë se janë personalitetet më të pakontestuara, i pari i periudhës së Rilindjes Europiane dhe i dyti i periudhës më të re, të cilët në historinë e shqiptarëve lanë gjurmë të thella për t’u kujtuar me pietet sa herë që e do rasti.

Adem Jashari bëri kthesën më të madhe, duke i çliruar në fund të shekullit XX më se 11.000 kilometra katrorë. Në fund të shekullit XX  mrekulli të tilla janë të rralla.

Këto personalitete nuk kanë ngjashmëri as në kohë, as në hapësirë, përveç ngjashmërisë së luftës për liri. Ndaj, sa i përket integritetit të veprimit, janë shembujt më unikë në historinë tonë shumëshekullore.



Mst: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu



Edhe pse kanë kaluar pesë shekuj e gjysmë nga Epoka e Skënderbeut, veprimet e guximshme dhe strategjia gjeniale e heroit tonë, nga cilado anë që të shikohet, tregon qartë së kemi të bëjmë me një personalitet, i cili edhe sot rrezaton besim, përkushtim, konsekuencë dhe integritet! Kjo epokë dhe ky personalitet që e ndriçojnë rrugën tonë të integritetit njerëzor e kombëtar, vlejnë sidomos për liderët që përfaqësojnë qytetarët tanë, të majtë apo të djathtë, pozitë apo opozitë, sepse në radhë të parë janë dhe mbrojnë interesat e atdheut.

Të gjithë fjalorët e gjuhës (shqipe), deri te ai Oksfordit (enciklopedik, shqip tashmë), nuk flasin për integritetin e individit apo të liderit, por kryesisht për integritetin territorial, për tërësinë, për të tërën. Përgjithësisht, nuk është lehtë të jepet një përkufizim më i plotë për integritetin e liderit ose të udhëheqësit. Filozofi Lajn MecFoll (Lynne McFall) e përkufizon mirë integritetin, kur thotë: “Një person me integritet është i gatshëm të vuajë pasojat e bindjeve të tij, edhe kur kjo është e vështirë, domethënë kur pasojat nuk janë të pëlqyeshme”. Njeriu me integritet duhet ta ketë një vizion të menduar mirë, të planifikuar mirë, duhet ta këtë besimin, guximin dhe vendosmërinë e veprimit, duke i paraparë të gjitha shkallët e rrezikshmërisë. Njeriu me integritet, vizionit të tij i shkon deri në fund, edhe me kushtin që vizioni mund t’u mbetet brezave të ardhshëm për t’u finalizuar tërësisht. Nëse kemi parasysh këtë tip të integritetit, atëherë përzgjedhja e këtyre personaliteteve të mëdha të historisë sonë kombëtare nuk është e rastësishme. Sigurisht që këta nuk janë të vetmit, por janë më të veçantët.

E fillova më Skënderbeun, duke e zgjedhur Gjergjin, për faktin se integriteti i tij është i veçantë, më i veçanti nga gjithë udhëheqësit e kohës (së tij), që me luftë të pakursyer i kundërshtuan pushtimet osmane në Evropë. Cila është e veçanta e Gjergj Kastriotit? Skënderbeu më se 20 vjet ishte edukuar dhe kishte luftuar në radhët e ushtrisë osmane. E njihte mirë organizimin e saj (më mirë se kushdo tjetër në Evropën e kohës), e njihte fuqinë e saj ushtarake, epërsinë e saj numerike, por këto fakte nuk qenë të mjaftueshme për të pranuar robërinë e popullit që i përkiste, për të pranuar robërinë si zgjidhje për atdheun e tij stërgjyshor. Rrjedhimisht, Ai nuk mund të pranonte nderin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur, prandaj vendosi të luftonte për liri. Për ta arritur këtë paraprakisht bëri planin e veprimit, të cilin e realizoi me konsekuencë e përkushtim. Ajo që bëri Gjergji ynë kërkonte vizion, kërkonte guxim, kërkonte besim, kërkonte qëndrim dhe veprim me integritet. Po të kishte interesin personal, do të ngrihej lehtësisht në shkallët e hierarkisë ushtarake të Perandorinë Osmane, siç edhe bënë shumë bashkëkombës të tij, të cilët (duhet pranuar këtë) janë pjesë e ndritshme e historisë së Perandorisë Osmane. Ajo ndritshmëri nuk i shërbeu ndritshmërisht atdheut të tyre – Shqipërisë. Integriteti shpesh e ka edhe shkallën tepër të lartë të rrezikshmërisë, por liderët vizionarë kjo nuk i bën të heqin dorë nga integriteti i personalitetit që rrezaton nëpër vite. Në mënyrë të veçantë, kur me vizionin, me integritetin janë besimi, por dhe drejtësia. Njerëzit më integritet nuk iu nënshtrohen asnjë forme të korrupsionit (për mua korrupsioni nuk është vetëm financiar). Të tillët nuk tundohen para asnjë lakmie, veç asaj të interesit kombëtar. Vetëm ata që nuk i tundon lakmia për interesa meskine, nuk iu nënshtrohen asnjë forme të korrupsionit, ndaj kanë mundësinë për ta ruajtur integritetin e personalitetit të tyre. Kam bindjen e thellë dhe besimin e plotë se Skënderbeu ishte personalitet me integritet të pacenueshëm gjatë gjithë jetës, që e shënoi Epokën e Tij, Epokën Skenderbegiane.



Mst: Adem Jashari



Komandanti Legjendar i UÇK-së, lindur e rritur, formuar e vepruar në rrethana krejtësisht të tjera, është personalitet krejt ndryshe nga Skënderbeu. Një antipod i çuditshëm, por që të përbashkët kanë: a) guximin për të luftuar pushtuesit, fuqitë e të cilëve i njihnin mirë dhe b) integritetin njerëzor për të hapur shtigje lirie për popullin e tyre. Nëse Skënderbeu është udhëhequr nga shembulli i princërve feudalë të Arbërisë, të Epirit e të Maqedonisë, Adem Jashari është udhëhequr nga vizioni i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, e cila asnjëherë nuk i kishte ndalur përpjekjet për çlirim. Edhe Adem Jashari sikurse Skënderbeu e njihte fuqinë e armikut shekullor, por kishte vendosur ta vazhdonte luftën për liri, aty ku e kishin lënë paraardhësit e tij pas Luftës së Dytë Botërore.

Adem Jashari, si dhe Skënderbeu, është përgatitur gjatë për luftën çlirimtare. Kjo përgatitje, sipas shumë dëshmive ka filluar në majin e  vitit 1981, kur Shaban Jashari me të bijtë, Hamzën dhe Ademin, të varret e Tahir e Nebih Mehës, të vrarë nga pushteti i huaj më 13 maj 1981, u betuan se do ta vazhdojnë luftën për liri deri në fitore. Shqiptarët në vitet ’90, krahas vizionit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që do të përfaqësohet më denjësisht nga Adem Jashari, kishin edhe një vizion tjetër, por koha tregoi se vizioni që i hapi shtigjet e lirisë e të pavarësisë, vizioni që Kosovën e bëri Republikë të pavarur dhe sovrane, qe vizioni i luftës çlirimtare, vizioni i Adem Legjendarit.

Në vitet e ’90-ta, armiku më të gjithë mekanizmat e tij vrastarë siç ishin politika destruktive gjenodicale, policia që nuk e fshihte dot mllefin famëkeq udbist, ushtria e stërarmatosur, gjyqësia e dirigjuar dhe mediet e frymëzuara dhe të mbështetura nga Akademia dhe Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe në unison përhapnin pasiguri, frikë e tmerr në tërë hapësirën shqiptare të ish-RSFJ-së (nga 1992 RFJ, njëfarë Serbosllavie). Edhe pjesa më e madhe e alternativës demokratike shqiptare i ndihmonte në përhapjen e frikës e tmerrit në Kosovë. Në një atmosferë të tillë, dalja me formacion të armatosur ishte më shumë se vizion, më shumë se guxim, më shumë së vendosmëri. Ishte besim i patundur në fitore.

Besim të tillë largpamës mund të kenë vetëm liderët me integritet që kanë guximin t’i paraprijnë rrezikut, por duke mos e humbur për asnjë moment besimin në fitoren e popullit të vet. Ky është integriteti që i duhet çdo lideri, i cili denjon të jetë përfaqësues i popullit. Stephen L. Carter (në librin e tij “Integriteti”) thotë se: “...nuk ka integritet pa rrezik humbjeje”, ndërsa Macfoll: “Atje ku nuk ka mundësi që integriteti të humbasë, ai nuk mund të ekzistojë”.

Bashkëluftëtarët që vazhduan luftën, edhe pas rënies së Komandantit Legjendar dhe familjes së tij, treguan integritet e vendosmëri, sepse patën besim, qenë vetvetja dhe qenë konsekuentë në fitore. Për fat të keq, ky integritet nuk do të vazhdojë gjatë, sidomos, pas Luftës Çlirimtare. E them me bindje këtë, sepse njerëzit me integritet nuk pranojnë asnjë formë të korrupsionit, as politik, as moral, financiar apo çfarëdo qoftë. Shumë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit pas Luftës Çlirimtare nuk u bënë ballë tundimeve korruptive. Ata që u tundën para lakmisë, e cila shpie pashmangshëm në humnerën e korrupsionit, e humbën integritetin e dëshmuar në kohë lufte. Këtë e bëjnë ndonjëherë edhe duke përvetësuar, personalizuar e privatizuar gjithçka, madje dhe luftën çlirimtare. Natyrisht, qëndrimi vertikalisht, ka çmim, të cilin s’mund ta “paguajnë” të gjithë luftëtarët. Këto fenomene të shëmtuara, në kohën tonë, e veçmas në shoqëritë në transicion, kanë marrë përmasa shqetësuese.

Është tejet vështirë që të gjithë përfaqësuesit e popullit, të paktën ata që numërohen në gishtërinjtë e dy apo të një dore të jenë në integritetin e personaliteteve që mora në shqyrtim, por, përfaqësuesit e popullit e kanë për obligim të marrin të paktën diçka nga integriteti i tyre. Gazeta “The New York Times” e 29 shtatorit 1972, në kryeartikullin “Ndershmëria në Washington”, shkruante: “Virtyti më i mirë në politikë është integriteti”. Të dyja figurat, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Adem Jashari, përveç shumë anëve historike të ndriçuara tashmë, veçohen edhe për integritetin e veçantë me të cilin duhet të udhëhiqen liderët dhe përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Sigurisht se nuk do t’i veçonim këto personalitete sikur në kohën e tyre të punonin (po qe se shprehemi me terminologjinë e sotme) ad hoc, me telekomandë, me  kalkulator në xhep apo me moral të dyfishtë, dukuri këto të përhapura gjithandej. E sotmja, koha jonë, kërkon vlera të tjera integriteti, përgjegjësie, përkushtimi e konsekuence për liderët përfaqësues. Kërkon personalitet me integritet që i përgjigjet dhe shënjon kohën, sikur Epoka e Skënderbeut dhe Epoka e Adem Jasharit. //kohanet

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit