2012-01-25

Shqiptaret dhe fqinjet


Nga: Agim Doci
Agim Doçi Shqiptaret dhe fqinjet Në vijim të fakteve të tjera që do të rreshtoj më poshtë, të cilat siç kam thënë edhe në shkrimin pasardhës, janë mbledhur e qëmtuar në dosjet e shënimeve të mia të kahershme, desha të thosha që në krye të herës se ato nuk i paraqes për të bërë historianin, sepse nuk jam i asaj familje, por si një njeri publik dhe dashnor i flaktë i shqiptarizmës dëshiroj të ndihmoj sadopak që faktet dhe ngjarjet të mos harrohen lehtë dhe që mandej historia shqiptare të shkruhet vërtetësisht ashtu siç ka ecur e është zhvilluar.
Në vëmendjen e lexuesve, ose më saktë në kujtesën e tyre, dëshiroj që të mbeten të gjitha faktet e poshtëshkruara, edhe për të kuptuar vijimësinë e antishqiptarizmës greke.
Në kapërcyell të viteve 70 E. Hoxha dhe kalemxhinjtë e KQPPSH-së shkruan një libër deng me rrena, duke i vënë titullin e turpshëm “Dy popuj miq”. Këto ditë iu riktheva atij libri rrenacak, dhe kjo ishte edhe një nxitje plus që më ngacmoi të rreshtoj faktet e ngjarjet e mëposhtme, të mbledhura dhe nga shtypi periodik. Duke qenë i edukuar mirëfilli nga familja ime e njohur atdhetare, nuk e gëlltisja dot një fakt tejet paradoksal. Kur gjithë populli hante me tallon dhe mbijetonte me sakrifica të mëdha gjatë diktaturës, për festën e Shën Dionisit (Perëndia greke e verërave dhe vreshtave), Shqipëria u dërgonte 800 mijë qengja grekëve “miq”. Normalisht lind pyetja: dhrahmitë që fitoheshin çdo vit nga shitja e 800 mijë qengjave ku shkonin?! Apo për të bërë sponsorizimin e këngës “Kur dëgjon zërin e nënës,/ qysh e lë qengji kopenë?/ Blegërin dy a tre herë,/ pastaj ikën e merr dhenë”?
Nuk po zgjatem. Kronologjikisht për këta 100 vjet që po kalojnë, që nga dita e bekuar e ngritjes së flamurit më 28 nëntorin e largët 1912 në Vlorë nga burrat e mëdhenj të kombit I. Qemali, dom N. Kaçorri, Luigj Gurakuqi, I. Boletini, pinjollët e shquar Toptanas e plot të tjerë dhe deri në ditët tona mund të flasim e të shkruajmë pa fund se sa “miq” i kemi pasur grekët skizmatikë!…
Po vijoj me ngjarje e fakte të tjera:
Episod i shekullit të 14-të. Në vitin 1940 mendjeholli dhe eruditi Faik bej Konica shkruan për “bëmat” e dhespotit grek me emrin Thanas: “Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar), i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Siç thotë Dukasi (një historian grek), një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte tu priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe ti linte të vdisnin në agoni.”
Shekulli i 21-të. Mars 2007. Një video linçohet në medie, ku ushtarët grekë këndojnë duke marshuar një këngë me këto fjalë: “I shikoni ata? Janë shqiptarë./ Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh”. E shikoni? Për fat të keq, edhe pse 7 shekuj më pas, incidenti më i fundit në lidhje me Greqinë duket si realizim virtual i masakrave të atij bizantini grek me emrin “Thanas”. Edhe pas kaq kohe ndërgjegjet e kombeve vazhdojnë të mbajnë peng marrëdhëniet mes dy popujve.
Një peng që e ka zanafillën që kur pronarët shqiptarë në kohën e Ali Pashë Tepelenës punësonin argatë grekë, pasi burrat shqiptarë shkonin e luftonin në çdo cep të botës për Perandorinë Osmane. Vendosja e tyre në Epir, që në fakt sipas të madhit Konica sdo të thotë gjë tjetër veçse “kontinent” e që nuk tregon kombësinë e banorëve që jetojnë në të, u bë flamuri i pretendimeve të fqinjëve për greqizmin e Jugut të Shqipërisë, një konflikt që ka sjellë shumë e shumë incidente mes dy vendeve. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes së marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Ka edhe një anë tjetër: dy popujt më të lashtë në Ballkan i kanë ardhur në ndihmë njëri-tjetrit në situata shumë të vështira. Mes luftëtarëve të viteve 20 të shekullit XIX, që i sollën pavarësinë Greqisë, renditen edhe shumë emra shqiptarësh, madje kapedan të shquar, si Marko Boçari, Bubulina etj. Gjatë luftës civile që plasi në Greqi në fund të Luftës së Dytë Botërore, qindra e mijëra grekë kaluan kufirin shqiptar dhe gjetën strehë te vëllezërit e tyre shqiptarë në Jug të vendit, ashtu siç gjetën në vitet 90 të shekullit që kaloi mijëra shqiptarë që emigruan në Greqi për të siguruar mirëqenie më të mirë ekonomike… dhe më pas mirëkuptimi dhe bashkëveprimi midis nesh u vulos edhe me Traktatin e Mirëkuptimit, të Fqinjësisë së Mirë, Bashkëpunimit e Sigurisë në vitin 1996. (Nuk di nëse është apo jo ende në fuqi famëkeqi “Ligji i luftës” shpallur nga Greqia në vjeshtën e vitit 1940, kur ia mësyu Italia fashiste dhe jo shqiptarët, të cilët nuk kanë pse të paguajnë faturat e pushtuesve?!)
Marshimi për të pushtuar Epirin, 5 tetor 1912
Organizatat greke deklarojnë bashkimin e forcave ballkanike për të mbrojtur territoret nga faktori shqiptar, që kërkonte pavarësinë. Veç ushtrisë u organizuan dhe banda të armatosura, që qarkullonin fshatrave myslimane të Çamërisë. Ishte koha kur përpjekjet e Shqipërisë për të shpallur pavarësinë po jepnin frytet e para. Ky mobilizim i shqiptarëve u pa si kërcënim për Greqinë, e cila nisi hapur ofensivën për pushtimin e Vorio-Epirit. Emërimi i një guvernatori me origjinë shqiptare në Janinë u interpretua nga grekët si zgjerim i një rreziku shqiptar për marrjen e Janinës dhe krahinave përreth.
Konferenca e Ambasadorëve, Londër, 20 dhjetor 1912
Kërkesat për pavarësi të shqiptarëve u kundërshtuan jo vetëm me armë, por dhe në rrugë diplomatike nga ana e Greqisë. Madje, përfaqësuesit e shtetit grek në Konferencën e Ambasadorëve në Londër kërkuan që përveç Vorio-Epirit Greqia të aneksonte edhe Vlorën, në portin e së cilës ishte vendosur flota helene. “Është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”, – ky ishte qëndrimi i delegacionit grek në Londër.
Masakra e udhëheqjes së Çamërisë, 7 mars 1913
Ushtria greke pas largimit të trupave turke pushton Çamërinë. Gjenerali Deli Janaqis vendos të thërrasë në një takim krerët e qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë për të vendosur një marrëveshje. Për disa ditë me radhë krerët çamë nuk pranojnë kushtet e komandantit grek. Atëherë ai vendos ti mbledhë për herë të fundit dhe urdhëron vrasjen e 62 kryetarëve çamë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, dy prej tyre, Fuat Pronjo dhe Suhbi bej Dino, me urdhër të gjeneralit rripen të gjallë.
Komisioni i Kontrollit, Shqipëri, shtator 1913
Ndërkombëtarët vendosin të zgjidhin çështjen e Epirit duke dërguar në terren një komision kontrolli, i cili do të verifikonte pretendimet e grekëve për Korçën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Sarandën. Ushtria greke u përpoq të pastronte rrugën ku do kalonte komisioni nga shqiptarët, madje dhe banesat në disa fshatra u lyen me bojën e flamurit grek. Grupe grekofilësh dërgonin peticione, ku thuhej se Jugu i Shqipërisë nuk duhet të jetë i shqiptarëve. Mes grekëve dhe Komisionit u regjistruan dhe incidente.
“Batalioni i Shenjtë”, Andartët, 1913
Konferenca e Ambasadorëve nuk i dha të drejtë Greqisë për pretendimet në Epirin e Veriut dhe urdhëroi tërheqjen e shqiptarëve. Në këtë pikë nis plani i dytë i Greqisë për pushtimin e tij. Strukturat ushtarake organizojnë “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgu i Kretës, të cilët më vonë do të njiheshin si “andartët”. Ky batalion bëri masakra në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët.
“Protokolli i Firences”, 17 dhjetor 1913
Është dokumenti që caktoi kufijtë e sotëm mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një pjesë e Jugut të Shqipërisë ngeli në territorin grek. Ndërkohë Greqia nuk e njohu këtë protokoll, duke pretenduar se ngelej jashtë trungut helen Epiri i Veriut, me disa dhjetëra mijëra minoritarë. Paradoksalisht në Shqipëri ngelën rreth 38 mijë minoritarë, ndërsa në Janinë dhe krahinat e tjera ngelën me Greqinë rreth 500 mijë shqiptarë në qytetet Filat, Paramithi, Margëllëç, Pargë, Igumenicë, Prevezë e Janinë…
“Grushti i shtetit”, dhjetor 1913
Ndërsa Evropa pretendoi se e rregulloi përfundimisht çështjen greko-shqiptare, në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet, duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës, Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet Gjirokastër, Korçë e Përmet.
Masakrat në Përmet, 25 shkurt 1914
Masakrat greke nuk u bënë vetëm në zonën që sipas tyre i përket Vorio-Epirit, por edhe jashtë saj. Në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri gjithë fëmijët, ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës, ku i vrau në mënyrë barbare. Po ashtu dhe në fshatin Peshtan, ngjarje për të cilën një kronikë e kohës shkruan: “Foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi, ku ish një pus e ku i merrnin me radhë e u prisnin kokën dhe i hidhnin brenda. Ndërkohë gratë i mblodhën në Delvinë dhe pasi i përdhunuan, i vranë me bajoneta.”
Protokolli i Korfuzit, 17 maj 1914
Më 24 prill 1914 fuqitë e mëdha njoftuan Greqinë se ishin të gatshme tu bënin lëshime “vorioepirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të saj. Qeveria, e ndodhur nën një presion të gjithanshëm, u detyra tua besonte fuqive zgjidhjen e krizës. Protokolli parashikoi që Korça e Gjirokastra, edhe pse do të ishin në shtetin shqiptar, të kishin një administratë të vetën. Për shkak të ndihmës që i dha Italia, Greqia i la ishullin e Sazanit.
“Qeveria” e Epirit të Veriut, nëntor 1914
Qarqet greke u përpoqën që revoltën ta organizonin në një lëvizje për pavarësi të Epirit të Veriut. Për këtë qëllim ish-ministri i Jashtëm grek Nikollaq Zografi së bashku me një grup ish-ministrash të tjerë shpalli krijimin e qeverisë së Vorio Epirit në Gjirokastër. Me ndihmën e andartëve Zografi izoloi Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Zyrtarisht qeveria greke nuk e njohu këtë qeveri të re, por nuk hezitoi ta ndihmonte me ushqime dhe me armë.
Incidentet fetare, 1919
Qeveritë e brishta të Shqipërisë kishin arritur të krijonin institucionet e para dhe të ruanin disi integritetin e vendit. Qeveria e Iliaz Vrionit kish arritur të zmbrapste disa sulme të grekëve. Ndërkohë shqetësim ishte propaganda antishqiptare e kishës greke. Rasti më tipik ka qenë ai i peshkopit Jakov të Korçës. Sipas raporteve, ai e kish kthyer kishën në një qendër propagande për Vorio-Epirin. Me urdhër të qeverisë Jakovi u largua nga vendi, gjë që solli dhe reagimin e Athinës.
Konferenca e Paqes, Paris 1919
Konferenca e Londrës dhe ndarja e territoreve shqiptare nuk e kënaqën oreksin grek. Në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore kryeministri grek Eleftherios Venizelos kërkon aneksimin e pjesës më të madhe të Shqipërisë. Sipas tij, shqiptarët nuk kishin aftësi shtetformuese dhe nuk mund të krijonin një qeveri. “Shtetasit grekë në Shqipëri duhet të drejtohen nga qytetërimi i lartë që përfaqëson shteti helen dhe jo nga shqiptarët, të cilët nuk kanë asnjë qytetërim.”
Incidenti për të drejtën e minoriteteve, mars 1921
Greqia me anë të ndërkombëtarëve fitoi të drejtën që minoritetet e saj të kishin trajtimin e duhur nga shtetet ku ata bënin pjesë. Kjo nënkuptonte të drejtën për të folur gjuhën dhe për të pasur shkolla greke. Por këto kushte Greqia nuk pranoi ti plotësonte për popullsinë çame që mbeti nën çatinë e Greqinë pas ndarjes së kufijve në territorin grek. Shteti shqiptar e ngriti disa herë këtë çështje në lidhjen e kombeve, por greket raportonin se çamët kishin të njëjtat të drejta me grekët e tjerë.
Përplasja e shifrave, 1921
Ekziston një incident i përhershëm mes Greqisë dhe Shqipërisë për sa i përket çështjes së numrit të minoritarëve që ekzistojnë në Shqipëri. Greqia pretendon dhe vazhdon të këmbëngulë se në territorin shqiptar janë mbi 400 mijë grekë. Ndërkohë në Departamentin e Shtetit Amerikan kjo shifër është rreth 200 mijë. Ndërsa në bazë të regjistrimit të bërë nga shteti shqiptar në mars të vitit 1921 ky numër ka qenë 33.313. Sidoqoftë, ky numër, sipas statistikave, nuk ka arritur asnjëherë të kalojë shifrën 50 mijë.
Duke qenë elegant me historianët, që paguhen për këtë punë, besoj dhe shpresoj se kjo dosje për të cilën po shkruaj do tu shërbejë dhe tu rris adrenalinën që të hedhin sa më shumë dritë kah e vërteta e pamohueshme në këto marrëdhënie shekullore fqinjësore mes dy “popujve miq”.

Dallimi mes liberistëve dhe lobistëve


Nga Simon Johnson
Që me shpërthimin e krizës financiare botërore, gjatë këtyre tri viteve, dy kanë qenë pikëpamjet dominuese rreth asaj se çfarë nuk funksionojë si duhet. Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë secilën prej këtyre pikëpamjeve, për shkak se lidhja e tyre me politikëbërësit – dhe në këtë mënyrë me shëndetin dhe stabilitetin e ardhshëm të ekonomisë globale – nuk mund të jetë më e madhe se kaq.
Pikëpamja e parë është se qeveritë thjesht humbën kontrollin e situatës për shkak të  paaftësisë  apo për shkak se politikanët ishin të përqendruar në agjendat e tyre. Kjo është pikëpamja që dëgjohet më shpesh, si për shembull nga njerëz që mendojnë se problemi kryesor i përshkallëzimit të  rënies ekonomike të vitit 2008 ishin politikat e ndjekura nga qeveria për industrinë e banesave (shit-blerja dhe sigurimi i tyre) .
Në Shtetet e Bashkuara, një nga kandidatët ende në garë për t’u kandiduar nga Partia Republikane si rivali i Barack Obamës në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Ron Paul vazhdon të argumentojë në mënyrë konsistente se problemi është qeveria dhe jo përgjigja që vjen më pas në lidhje me sistemin bankar. Ai argumenton se nëse qeveria do të mënjanohej plotësisht nga sektori financiar (duke përfshirë këtu edhe mënjanimin e Rezervës Federale), ekonomia do të kishte funksionuar më mirë.
Pikëpamja e dytë është që sektori financiar ndikoi për një kohë të gjatë dhe fort në dekadat e fundit për tu liberalizuar nga masat e qeverisë dhe shpenzoi një pjesë të madhe të kohës dhe parave për t’i bindur politikanët se kjo ishte  përqasja e sigurt dhe e duhur  ndaj sistemit bankar. Sipas kësaj pikëpamjeje, politikat qeveritare nuk dështuan, në të kundërtën, ato vepruan pikërisht në bazë të këtij qëllimi.
Nëse kjo pikëpamje është e saktë, ai lloj  parashtrimi mbi politikat e ndjekura, i rekomanduar nga Ron Paul, është më pak tërheqës. Po të  mendoni se një sektor modern financiar mund të veprojë në liri të plotë pa ndjekur absolutisht  asnjë rregull të çdo lloji (duke përfshirë edhe  rregullat për bankat që vihen për sigurimin e depozitave), problemi i vërtetë nuk janë preferencat e qeverisë në lidhje me  politikat zyrtare që do të ndjekë, por se për çfarë janë në gjendje lobuesit e sektorit financiar t’i bindin zyrtarët.
Dëshmi të fundit që mbështesin pikëpamjen e dytë janë paraqitur në  formën e një studimi të kohëve të fundit nga Deniz Igan dhe Prachi Mishra të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në “Kompaninë treshe: Uall Street, Kapitol Hill, dhe K Street,” autorët studiuan të dhënat – kryesisht  – që kishin të bënin me lobimin që kanë bërë kompanitë e sektorit financiar në SHBA.
Ligjvënësit, natyrisht, kanë preferenca të ndryshme në lidhje me atë se çfarë ligjesh do të mbështesin, gjë që e bën të vështirë të studiosh me saktësi mekanizmat e ndikimit politik. Por Igan dhe Mishra e kanë trajtuar këtë problem në një mënyrë të zgjuar – ata kanë studiuar  rastet kur zyrtarët e zgjedhur kanë ndryshuar qëndrimin e tyre në propozimet legjislative, që janë propozuar më shumë se një herë. Ata janë përpjekur shumë për të kuptuar se çfarë i ka bërë ata që të ndryshojnë qëndrim.
Përveç analizimit të informacionit në lidhje me shpenzimet për lobim, autorët kanë krijuar një hartë të lidhjeve të rrjetit të lobuesve (të njohur kolektivisht si “K Street,” sepse shumë prej tyre i kanë zyrat e tyre atje) dhe të ligjvënësve. Për shembull, lobuesit shpesh kanë qenë më parë të punësuar nga ligjvënësit në stafet e tyre.
Rezultatet janë thjesht tronditëse – edhe pse me siguri nuk është një surprizë për lobuesit profesionistë. Rritje e shpenzimet për një lobim  ndihmon për të bindur ligjvënësit për të ndryshuar votat e tyre. Dhe “nëse ndonjë lobues, që më parë ka punuar për një ligjvënës, është duke lobuar për një projekt ligj të caktuar ai mund të lëkundë qëndrimin e ligjvënësit në lidhje me këtë projekt ligj në favor të një çrregullimi ( liberalizimi apo tejkalimi të masave shtrënguese)”.
Ajo se çfarë duan firmat financiare, sigurisht, është liberalizimi – sa më pak rregulla dhe sa më pak mbikëqyrje të çdo lloji. Dhe në të vërtetë bëhet fjalë se kë njihni dhe në çfarë rrethana i keni njohur. Në veçanti, vlera juaj si një lobues duket se varet shumë se me cilin keni punuar në të kaluarën. Igan dhe Mishra kanë dalë në përfundimin se “të shpenzosh një dollar më shumë është pothuajse dy herë më efektive në lëkundjen apo ndryshimin e qëndrimit të një ligjvënësi, nëse lobuesi ka ose ka pasur njohje me ligjvënësin në krahasim me rastin kur nuk e njeh atë.”
“Dera rrotulluese” mes Kongresit dhe firmave lobuese duket se ka qenë arsyeja kryesore e daljes jashtë kontrollit të sektorit financiar, i cili efektivisht lejoi marrjen përsipër të një risku të tepruar në prag të krizës. Në një tjetër studim, Igan dhe Mishra, duke punuar me Thierry Tressel, dolën në përfundimin se firmat duke marrë përsipër rreziqe edhe më të mëdha para vitit 2008, ishin akoma më të  angazhuara për të lobuar në interes të tyre.
Në thelb, firmat financiare në një farë mënyre iu është dashur ta blejnë të drejtën për të marrë përsipër  një rrezik më të madh (pra për të qenë të lira ta bëjnë një gjë të tillë). Kur gjërat shkojnë mirë, janë drejtuesit e këtyre firmave që marrin “frytet” – kryesisht në formën e kompensimit të menjëhershëm, për shkak se të paktë janë ata drejtues që kompensohen në bazë të kthimit të të ardhurave në proporcion me rrezikun e ndërmarrë. Kjo do të thotë se kur rreziqet materializohen dhe firmat pësojnë humbje, kosto bie mbi taksapaguesit.
Ron Paul ka të drejtë kur vë theksin mbi pabarazitë e pushtetit dhe shtrembërimet masive brenda sektorit financiar. Ai është gjithashtu i saktë kur sjell në vëmendje se shumë politika të qeverisë janë në favor të shumë pak firmave të mëdha – që i favorizon ato duke i inkurajuar për të  marrë përsipër rreziqe të tepërta dhe të rrezikshme.
Por Paul dhe të tjerët gabojnë kur argumentojnë se qeveria është shkaku i çdo të keqe financiare. Ekzekutivët në firmat financiare duan të marrin përsipër  rreziqe të mëdha. Ata parapëlqejnë marrëveshje në të cilat ata fitojnë ( nxjerrin diçka) edhe kur ata humbasin. Firmat e mëdha financiare mund të blejnë më lehtë mbrojtjen e nevojshme politike (në formën e çrregullimit, moszbatimit të masave kufizuese), duke u lejuar atyre të bëhen edhe më të mëdha, edhe më të rrezikshme. Kjo strukturë nxitëse është bërë vetëm më ekstreme se ç’ishte, që prej krizës financiare të vitit 2008.
Simon Johnson, një ish-ekonomist i rëndësishëm i FMN-së, është bashkë-themelues i një blogu të rëndësishëm ekonomie, http://BaselineScenario.com, një profesor në MIT Sloan, si dhe një anëtar i lartë në Institutin “Peterson” për Ekonominë Ndërkombëtare

Tre princa të rremë për Shqipërinë


Nga Faik Konica 
Ca kohë më parë, kënduam te fletorja e Parisit “L’Européen”, një artikull të zotit Guillaume Apollinaire, nën titullin: Deux faux princes d’Albanie, do me thënë  Dy princa të rremë të Shqipërisë.
Zoti Guillaume Apollinaire flet më parë për Aladron, dhe për kërkimet qesharake të tija, dhe dëfton se si Aladrua nuk mund të zbresë prej Skenderbeut, duke qenë se i fundit  zbritës (pasardhës) i derës së Kastiotëve u vra në luftë të Pavies, më 1525.
Pastaj Zoti Guillaume Apollinaire na rrëfen, sipas një libri të shtypur më 1786 n’Amsterdam historinë e çuditshme të një të vetë thëni  “Princ Kastioti” në fund të shekullit XVIII.
Një puntor vendikas i quajtur  Anton Zamuvich kish fituar nje “faraon” , duke lozur me hile, një shumë të madhe, dhe për të shpëtuar nga thonjtë e autoritëve, iku nga Venediku  dhe u hodh  në Pastroviq  të Shqipërisë veneciane. Djalin e tij, Stepanin e vuri në një manastir. Kallogjeri i ri  nuk qëndoj shumë kohë i mbyllur , shpejt dolli andej dhe nisi një jetë gënjeshtrash   të sjellura  me aq mjeshtëri  sa janë  për çudi edhe sot.
I motuar vetëm 17 vjeç, Stepan Annibali  i bëri  malazezët ta njohin për kryetar dhe për patrik të tyre , duke thënë se ishte Pjetri i III, cari i Rusisë.
Gojë-mulli, i gatshëm dhe i flaktë në fjalë, deshi  të provojë me ca “mrekulli ” se ish i dërguar i Perendisë. “Të fshehta e kimisë”, thotë baroni Kloots, historian i Stepan Annibalit- janë çudira në Mal të Zi. Prinic i ri u ngrit të predikojë duke mbajtur në dorë një trëndafil të zbadhur  me tym squfuri. Zë të flasë me fjalë të flakta.
“Perendia më dërgoi t’ju shpie në luftë e t’i shuajmë anëtarët e se pabesës Katerinë. Hapni dritaret.Shpirti i shënjtë do të zbrezë mbi mua” .
Dhe më të vërtetë, era e freskët i jep ngjyrën  e parë trendafilit dhe kombi i tërë bie në këmbë të bajlozit qiellor. Princi mbodhi edhe besnikët në flamuj të tij  dhe u derdhet rusëve , duke vrarë malazezët që nuk i zinin besë. ”
Pas kësaj pune, nuk kish më pengesë që ish i zoti ta mbante Stepan Aniballin. Baroni Kloots  jep titujt që kish marrë “princi”:
“Kastriot, Princ i Shqipërisë, Kapedan i Përgjithëhsmë i Malazezëve, Partik i Kishës Greke, Bari i vjetër, Manjat i Polonisë, Princ i Perandorisë së Shënjtë Romane, Dukë i Shën Sabës, Dukë i Hercegovinës, Fisnik Venedikas, I Madh i Spanjës i Rëngut të Parë, Kryelutës i Maltës, Kryemadh i Urdhërit të Shën Kostandinit etj dhe Pasardhës i njëmbëëdhjetë i Skenderbeut”
Vini re se disa nga këto tituj kundërshonin njëi tjetrin. Si mund kryelutësi i Maltës  (katolik) të ishte edhe patrik ikishës  greke ? Por janë njerëz për të gënjyer të tjerët  dhe sado kundërshti të kenë në të thënat e tyre, aq më tepër verbohet bota.
“Princ Kastrioti” nis të udhëtojë nëpër Evropë, dhe kudo pritet me nder të madh. Mëson gjuhët e perendimit, shkruan libra, Historinë e Skenderbeut,Kuranin e Princësve etj.
Piqet  me Volterin, me Rusonë  e më të tjerë shkrimtarë të njohur. Piqet me Frederikun e Madh, me të birin e tij, princin e Prusisë, lidh një miqësi të ngushtë. Merr anën e Polonisë, çudit polakët, u shtie datën rusëve. Bën një dy trimëri, shton njëqint.
Guxon të rrefejë punë të pangjara fare.Tregon se “mundi 15.000 venedikas që kishin topa të mirë dhe ishin nën urdherine kontit të Wirzburgurt”
Kur Hollanda u rrëmbyue me perandorin,”princ Kastrioti” si “Patrik i Kishës Greke” u dha urdhër subjekteve shpirtrore të tij  të mos marrin armët në shërbim të perandorit.
Nga na tjetër Hollanda i fali 20.000 shqiptarë për ndihmë, në qoftë se ky vend kishte nevojë. Dhe si u bë paqia, princi shkoi në Hollandë ti kërkojë qeverisë një milion për atë ndihmë.
Një nga  titujt që kish marrë Kastrioti i rremë ishte Baba i Amerikës,se,thosh, Kongresi i kish dhënë fjalën ta bënte mbret. Përveç kësaj, kish shpresë të merrte edhe kurorën e Polonisë.
“Princi Kastriot”  fliste kështu për shqiptarët:
“Bashëkatdhetaret e mij janë diamante të pagdhendur të cilët nuk presin veçse dorën e skalitësit për të zënë vend pranë të shkrinjtorëve të medha të Athinës, të Romës, të Parisit” Thoshtë se mbretëria e Shqipërisë, me klimën e mirë të dhe ne tokën e mirë që ka ” do të ndrinjë një ditë në mes të shteteve të qytetëruara”
“Princi Kastriot” shpërndante poste e pozita me të dy duart në Mbretërinë Shqiptare. Baronit Kloots i kishte kërkuar të bënin bashkë një udhwtim në këmbë : Qëllimi  i Stepan Annibalit ish ta vriste  që ta vidhte baronin, i cili ishtë shumë i pasur. Fatmirësisht për Klootsin , udhëtimi mbeti pa u bërë dhe miqësia  për princin u shtua më shumë. Stepani i kish premtuar Klootsit  një pozitë të lartë  në Mbretërinë Shqiptare…
Por çdo gënjeshtër e ka një fund.
Një anije nga Ragusa, ndodhi të shkojë në Amsterdam dhe kapedani tregoi se “Princi i Shqipërisë, Duka i Hercegovinës,Patriku i Kishës Greke, Kryelutësi i Maltës etj, nuk ishte tjetër përveç se një gënjeshtar i çuditshëm i shekullit të XVIII.Them i çuditshëm se, tregimi për batakçillëqet e vogla të Giuseppe Balsamos, të vetquajtur: kont “Caliostro” janë foshnjarake  perpara punëve të Stepan Annibalit.
“Princi Kastriot”  kish rënë për herë të parë në burg  në qytetin e Hamburgut : Kish marrë  pranë vetës dy djem  të atij qyteti si “kalorës nderi” dhe i kish ligështuar në një mënyrë që s’thuhet: kur e gjykuan, pati paturpësinë t’i thotë kryegjykatësit se kish për t’ia bërë atij ashtu si ua kish bërë djemve !
Kur e zunë në Amsterdam dhe e plasën në burg Sterpan Annibalit i gjetwn  një brez plot me gjithfarë helmesh si dhe një thikë të helmuar: Këto armë i mbante gati për të vrarë veten në kohë të një rreziku të pashpresë. Mbasi e kapën, Stepani vrau veten duke prerë damarët me thonj.
Zoti Guillaume Apollinaire mbaron më një të vëne re fort të kripur:
“Duke kënduar këto ngjarje, shumë shqiptarë kanë për të menduar se nëqoftëse fronkërkuesi Aladro rrjedh nga Skënderbeu, do të kish rrjedhur duke kaluar nëpër të njëmbëdhjetin pasardhës  të tij, i cili vdiq më 1786 në burgun e Amsterdamit”.
Kjo e vënë re e Zotit Guillaume Apollinaire e shënojmë më të dy duart-por diç duhet shtuar : Aladrua vërtet rrjedh nga Skënderbeu me anë të Stepani Annibalit, vetëm se i shkreti Aladro s’është perveç se një gënjeshtar i vogël, me të cilin qesh gjithë shoqëria e lartë e Parisit dhe e Madridit;  por stërgjyshi i tij, Stepan Annibali, mund me një mënyrë që quhet Njeri i Madh. Merreni pak me mend : Një fshatar sllavo-shqiptar i Venedikut, i lindur më 1751 dhe i rritur pa dije, arrin që më 1768, (kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç), e deri më 1786 kur vdiq, të lozë një lodër të çuditshme,arrin të mësojë vetiu mjaft sa për të shkruar libra që bien në sy dhe që i siguruan miqësinë e Frederikut të Madh; arrin, i rritur në një katund, të marrë mënyrat e oborrëve aq mirë sa të shkojë për princ në sy të princëve të vërtetë; më një fjalë arrin  të tallet më Evropën tetëmbëdhjetë vjet pa pushim.
Përpara një njeriu të tillë, ç’janë gënjeshtrat qesharake të Aladros ?
Shkrimtari francez, Aleksander Dyma-”markez” i Shqipërisë !
Ka qenë një Kastriot i tretë i rremë, për të cilin Zoti Guillaume Apollinaire nuk ka dëgjuar.
Ky “princ” u çfaq më 1879-1880, në kohën e Kongresit të Berlinit, kur Fuqitë e Mëdha dërgonin anije lufte për të goditur me topa Ulqinin.
“Kastrioti” i asaj kohë, jo vetëm thonte se shqiptarët  “e kishin zgjedhur për mbret”, po kishte nisur edhe të sillet “mbretërisht” duke shpërndarë pozita dhe tituj. Një  shkrimtari të madh francez, Aleksandër Duma, i fali titullin “markez” .
Paturpësia e këtij  “princi” pak nga pak arriti  të mos ketë kufi. Guxoi të bëj, në Angli, bankota të “Bankës Mbretërore  të SHQIPËRISË”. Zëvëndësin e tij e zunë në Londër dhe e plasën në burg si vjedhës, ndësa për “princin” s’dihet se çfarë u bë. Kemi shpresë të mund një ditë ta shkoqisim  punë e këtij “Kastrioti”
Mësimin e këtyre ngjarjeve mund ta heqë sejcili. Sa njerëz deshën me gënjeshtra, të dalin “princa” dhe “fron kërkues”  mbaruan në burg, dhe ata që dini sot të nisur në atë udhë, ta dini me siguri se do të kenë po atë fund.
(“Albania” ,viti VIII,1904,  nr. 8, f. 160-163)

Lërmëni pak atdhe… përtej fjalëve dhe gjuhës


Nga BRIXHILDA NDINI
“Kjo antologji duket qartë se i përket një brezi që ka hyrë në letërsinë shqipe me një kod tjetër. Me kodin që i përcakton të jenë anëtarë te urdhërit të letërsisë së ardhme shqipe- një letërsi kjo që do të jetë e çliruar nga fallcitetet, nga baroku zyrtar , nga serioziteti moralizues steril, për t’iu bindur instiktit të lindur te fjalës së lirë , të fjalës shqip” 
Tejçoi emocione në Londër promovimi i i Antologjisë së tretë « Lërmëni pak Atdhe »me poetë dhe shkrimtarë që banojnë në Britaninë e madhe, nën përkujdesjen e drejtorit të gazetës shqiptare në Londër « The Albanian » dhe gazetarit Petrit Kuçana. Libri i III i antologjisë vjen pas botimit të antologjisë së dytë në një periudhë kohore tre vjeçare dhe ka hyrë në një lloj ligji mistik, i cili pret të mari kontaktin e parë me lexuesin e poezisë.
Përtej fjalëve dhe gjuhës ka një simbolike ; te gjitha poezitë janë metafora thonë diçka duke menduar tjetër gjë. Është interesante te shikosh tek kjo antologjie vendin qe zë njeriu ne botë. Ajo çfarë dua të theksoj dhe që vërtet mendoj është se poezia duhet konsideruar si forma e parë e mendimit… Sapo e mbarova së lexuari këtë libër të antologjisë poetike dhe kam ndjere që po lexoj në një gjuhë tjeter. Letërsia nuk i nënshtrohet ligjeve, të gjithë poetët e kësaj antologjie kanë shkruar në gjuhën e fjalëve që flasim unë edhe ti, pra në gjuhen shqipe .
Të thuash « jo » në « shqip » do të thotë të thuash « po » diçkaje tjetër. Dëshpërimi apo shpresa, Malreaux dhe Sartre janë shembuj të saj tipikë. Një shkrimtar beson tek ajo që shkruan , ndryshe do të ishte një profesion i trishtuar, tjetër gjë është « të besuarit dhe ajo që bën » këtu nevojiten të tjera përparësi.
Pikërisht duke lexuar këtë antologji ,për shumë kohe nuk kam ditur t’i përcaktoja dallimet diametralisht te kundërta mes poezisë të të rinjve dhe asaj të afirmuar. Poezia e të firmuarve është profesioniste ? Kjo poezi e afirmuar është e stër-lavdëruar, pra më e afte të të sugjestionojë (?)
Një gjë është e qarte që në fillim : poezia e afirmuar me gjithë dallimet e autorëve mes tyre, është një poezi me një klime dhe reliev të përbashkët deri në ngjashmëri. Shkrimtarët e afirmuar të paktën tek ne iu ngjajnë tokave që formojnë një gadishull të vetëm. Për poetet e kësaj antologjie qofshin ata edhe fillestare, poezitë e tyre nuk mund ti përkthesh në ide apo mesazhe,tek ata fjalët janë fryt i instiktit, ato i sygjeron vetë imagjinata, jo arsyeja, e aq më tepër jo ideologjia dhe shpesh fjalët tek poetët e rinj nuk kanë kurrfarë arsye të ekzistojnë, veç nevojës që ndjen vetë autori për të thënë pikërisht këtë fjalë dhe jo të tjera. Duke lexuar krijimtarinë e këtyre poetëve , duket para tyre nuk kanë ekzistuar autorë të tjerë. Asnjë urë me kontinentin.
lermeni pak atdhe 211x300 Lërmëni pak atdhe... përtej fjalëve dhe gjuhës

Asnjë varkë komunikuese. Asnjë pasardhës. Kjo antologji duket qartë se i përket një brezi që ka hyrë në letërsinë shqipe me një kod tjetër. Me kodin që i përcakton të jenë anëtarë te urdhërit të letërsisë së ardhme shqipe- një letërsi kjo që do të jetë e çliruar nga fallcitetet, nga baroku zyrtar , nga serioziteti moralizues steril, për t’iu bindur instiktit të lindur te fjalës së lirë , të fjalës « shqip ».
Poezia është një mënyrë komunikimi , gati natyrale midis njeriut dhe rrethit shoqëror ne te cilin ai bën pjese,pra është një lënde e pasur jetësore që përpunohet nga mjete fantastike e imagjinare.
Jo vetëm kaq, por të gjithë këta poetë të ardhur nga vende të ndryshme të Shqipërisë e të Kosovës , këta mërgimtarë me mallin e atdheut në vetvete kanë krijuar stilin e tyre të afirmuar si poete. Ne e dimë se arti do të jetë në vazhdimësi një metamorfoze dhe ky është çmimi i ekzistencës se tij.
Vetëm poetet dinë të përcjellin me anë të fjalës së tyre , problemet sociale të vendit tonë,ekzagjerisht te ndjeshme , si një lokomotive e çmendur në ketë « betejë njerëzore »,t’i këndojnë mallit , nënës, babait ,dashurisë, jetës ,bukurisë, natyrës etj e etj..me një figuracion të fuqishëm dhe vizione të befasueshme.
E rëndësishme është përmes fjalës , të akordohet dhe te mbahet zgjuar gjuha jone shqipe, si një melodi e jetës dhe një lloj komunikimi midis njeri –tjetrit.
Sot individi ndjehet i shkëputur nga bota dhe shoqëria, kjo shton tek ai edhe konfliktet personale, familiale etj , në kohën kur është shoqëria jone është e ndarë përgjysmë ne dy, do te preferoja këtu qëndrimin e Kafkes,dhe ndjenjën që ai kishte për të « luftuar kufijtë e universit »- duke pranuar me një lloj krenarie « Në luftën tende kundër botes, një bote e dyte. Letërsia sot është një pasaporte që lejon të udhëtosh larg duke mos harruar origjinën e saj .
Njeriu ky i huaj , ky mërgimtar këta poete ,që nuk lejojnë dekompozimin e gjuhës ,por vazhdojnë t’i thurin vargje larmive e përvojave të reja , kane dëshirën për të udhëtuar duke qene nganjëherë këtu edhe atje, këtë vetëm poezia mund ta bej. .ideja e te ikurit te qenit edhe këtu edhe atje , për mua është një simbol dashurie. Poezia tejkalon dhe transformon imazhet e një bote të shëmtuar në imazhe universale të së bukurës , të së vërtetës dhe të shpresës.
Në këtë libër të Antologjisë , autoret kanë shndërruar çdo gjë në art, duke nxjerrë idetë, mesazhet , rregullat nervin që na mban të lidhur me të shkuarën dhe te ardhmen, po aq sa edhe me njerëzit dhe shoqëritë paralele. Pikërisht është ri-sjellja e të gjitha këtyre karaktereve ,vendit të lindjes që kanë ndikuar në formimin e dukshëm të secilit prej tyre.
Poezia është një mënyrë jetese. Andre Breton një nga themeluesit e parë të surrealizmit thoshte : “Ne duhet vetëm t’i japim një mundësi vetes për të praktikuar poezinë”.

SHPIRTI I VIBRIMEVE REFLEKTUESE NË FJALËN E SHKRUAR


akil 300x224 SHPIRTI I VIBRIMEVE REFLEKTUESE NË FJALËN E SHKRUAR

 Nga Prend Buzhala
Ç’është ajo që, si shpirt me drithërima të brendshme, me vibrime intelektuale shqetësimesh krijuese e me fjalën thellësisht urtake, edhe njëherë na vjen në tryezën e leximit, me të njëjtin titull, si në vëllimin e parë? E pra, në dorë të lexuesit vjen vëllimi i dytë me titull “Vibracione të shpirtit shqiptar” i kompozitorit, muzikologut, publicistit, studiuesit të zellshëm të muzikologjisë shqiptare e, pse jo, edhe të asaj botërore, prof. Akil Mark Kocit. “Nëse duam të dimë se si paraqitet intelgjiencia në pamjen e saj të gjallë dhe në thelbin e efikasitetit të vet, ajo duhet t’ua bëjë të ditur të tjerëve kontrastin e vetvetes me marrëzinë, me absurdin. Nuk do të dimë se ç’është e vërteta, nëse nuk jepen vlerësime studioze për gabimet”, thoshte Etienne Souriau, një estet frëng bashkëkohor në një studim të tijin me titull “Sur le béotisme” (të botuar në revynë “Sur le béotisme, reve d’esthétique” nr. 1, 1970, Paris, f. 1-19).
Lexuesi i vëmendshëm, shëmbëllyeshëm estetit frëng, do ta ketë vërejtur se për Akil Mark Kocin kategoria e etikës shkencore dhe e praktikës morale, presupozojnë dhe parakuptojnë domosdoshmërinë e kund rimit të të keqes në jetën shoqërore e artistike, ashtu sikundër manifestohen në këto fusha devijimet morale dhe mungesa etike në vlerat estetike të arteve. Nëse vibrimet e shqetësimeve të tilla intelektuale i ka paraqitur në sa e sa trajtesa e shkrime të tjera me karakter muzikologjik, publicistik e studimor, kësaj radhe autori përzgjedh diçka tjetër:
“Jam munduar që shkrimet e mia mos të konfondojnë si objekt diskutimesh, as si ‘zbulimi i të metave’ të veprës, por të bëj prezantimin dhe promovimin e anëve më të mira të saj. Aty është angazhimi profesional i autorit, sepse çdo vepër e krijuar, pos kualiteteve artistike, estetike, ajo ka edhe një rol tjetër, paraqet përvojën e zhvillimit të autorit dhe të krijimtarisë së tij në tërësi. Ishte mundimi që deri në fund të respektohej puna e madhe e autorit, por duke u bazuar në kodet e vërteta artistike dhe estetike e të mbështetura në dijen muzikologjike, duke i vlerësuar realisht vlerat artistike sipas bindjeve profesionale, si realizime të suksesshme” thotë në parathënien librit vetë autori.
I ndërgjegjshëm se ka edhe shumë gjëra për t’u ndriçuar dhe kështu të qiten në pah vlerat e tyre bazuar në kodet e vërteta artistike dhe estetike në hapësirën mbarëshqiptare, profesor Koci edhe me këtë vëllim, ashtu sikundër edhe me librat që i botoi viteve të fundit, na vjen në mesin tonë me rilevimet e pasura të përvojës krijuese, publicistike, studimore e krijuese të artit muzikor.
Dhe po qe se i vështron këto të dhëna që përmbajnë vëllimet e fundit, do të vëresh se kjo përvojë i ka nivelet, gjerësitë, lartësitë dhe thellësitë e saj të pjekurisë së moshës artistike dhe të saj jetësore: tashmë paja e tij krijuese dhe intelektuale është jashtëzakonisht e pasur dhe ka se çka t’ua dëshmojë publikut të gjerë; dhe ka se çka t’u mësojë brezave të tashëm e të djeshëm, brezave të rinj e brezave në formim.
Aksiologjia e vlerave artistike
Gama e vibrimeve të intelektit trajtues, shkoqitës, studimor e publicistik e profesor Akilit, edhe në këtë vëllim del mjaft e larmishme dhe e gjerë. Nuk është e habitshme, prandaj, pse në tryezën e këtyre vibrimeve estetike na vijnë personalitete shqiptare të traditës e të së sotmes, që kanë lënë vulë në ndërgjegjen e në identitetin modern shqiptar, sikundër janë Nëna Tereze, Martin Gjoka, krijues i parë i eposit të muzikës sakrale në gjuhën shqipe, Nexhmije Pagarusha, e cila quhet Diva e muzikës popullore shqipe , Prenkë Jakova si themeluesi i Operës Shqiptare, Ismet Peja, i cili quhet princ i këngës shqipe, përmasat e personalitetit të Tonin Harapit, bukuria e këngës shqipe në interpretimin e artistes Xhejlane Broqi, kompozitori dhe profesor Aleksandër Peçi apo kompozitori i magjisë muzikore, siç është Rauf Dhomi.
Mirëpo, profesor Akili nuk do ta linte pa e thënë fjalën e tij edhe për krijues, shkrimtarë apo piktorë që e ka rastisur jeta t’i njohë dhe t’ua nderojë vlerën artistike të veprave të tyre, sikundër janë piktorët Visar Hyseni dhe Naim Maqedonci, apo figura shumëvlerëshe mbarëkombëtare e shkrimtarit Rexhai Surroi, shkrim që më parë ishte paraqitur si fjalë hyrëse për opusin krijues të tij, në botim të “Kohës” së Prishtinës. Vërtet, vibrimet e tilla, nuk do ta kishin vlerën e vet të plotë, po qe se nuk do të shtriheshin me ndërkomunikimet e tilla estetike në mes arteve, sikundër janë tre krijuesit e fundit. Të provosh penën në disa rrafshe, me një gamë gjerësie e thellësie problematikash, profilesh krijuese, jetëshkrimesh artistike dhe mbresash estetike, kjo do të thotë që t’ua japësh vlerën kuptimplotë krijimeve të mirëfillta dhe krijuesve të mirëfilltë.
Te e fundit, thelbi i krijimtarisë artistike ngërthehet në pikësynimin për t’i kërkuar e për ta bartur e përçuar këtë domethënie kuptimplote në vetë jetën e në ekzistencën e njeriut. Dhe këtë përmasë kaq të gjerë e kaq sublime, për të cilën këmbëngul profesori e studiuesi ynë Akil Mark Koci, nuk do ta kishim vërejtur, sikur të mos e shihnim edhe një përmasë tjetër të këtij angazhimi e përkushtimi, pikërisht atë të kritikës ndaj defekteve, të shkarjeve e gabimeve në fushat e krijimtarisë muzikore e të jetës kulturore përgjithësisht.
Dhe ballafaqimi i tillë nuk ka se si të mos ketë karakter vlerësues, nuk ka se si të mos e strukturojë një aksiologji krijimtarie të veçantë. Kështu, bie fjala, kur flet për Nënën Tereze, për tekstet e saj që janë kompozuar nga krijues muzikorë, për veprat muzikore që i janë kushtuar “kësaj Hyjneshe të rrënjës sonë”, si shprehet autori; nuk lë pa përmendur edhe rëndësinë e jashtëzakonshme nacionale që ka kjo nënë shqiptare në përmasa planetare: si diell të shqiptarizmit, të krishterimit dhe të dashurisë; ajo është lulja më e bukur e trevave shqiptare. Dhe këto vlerësime jepen për t’u ndriçuar e përligjur përkushtimi i kompozitorëve e artistëve për këtë figurë, nga njëra anë, si dhe për t’u përligjur harmoni a e plotë mes tekstit dhe muzikës “që anon kah transformimi artistik”, sikundër vrojton autori.
Dhe kështu përligjen edhe vlerësimet për personalitete të tjera krijuese. Me sa respekt e përkushtim paraqitet edhe figura e Atë Martin Gjokës: “Muzika e kompozitorit At Martin Gjoka, është muzikë me emocione hyjnore, muzikë kuptimplote, muzikë me një ndjesi për folklorin tonë muzikor të bazuar në gamën e eposit popullor si relikt i shprehjes gjithëkombëtare.” Autori me të drejtë bën një krahasim kundër harresës: “Se sa është historia e pa mëshirshme ndaj krijuesve të shumtë jo vetëm në krijimtarinë muzikore, por edhe në artet dhe shkencat e shumta na flasin shumë fakte. Kështu bie fjala gjenialiteti i Bahut është zbuluar pas plot njëqind viteve e sot paraqet kompozitorin më të dalluar në tërë krijimtarinë muzikore”, për të dalë te fati i tillë, i mënjanimit të veprës muzikore të fratit Atë Martin Gjoka nga diktatura komuniste për gjysmë shekulli rresht.
Emblema estetike e profileve krijuese
Prandaj, secili shkrim i “Vibracioneve…” të këtij vëllimi, përbën një kapitull të veçantë më vete, me vlera njohëse aq sa edhe studimore. Autori na e bën shumë më të qartë rëndësinë e veprimtarisë krijuese e jetësore të këtyre personaliteteve që i njeh publiku ynë. Pikërisht kundrimi i tillë na bën me dije, siç do të thoshte Lysien Goldman, se krijuesit e tillë a nuk janë edhe krijues strukturash të vlerave shoqërore e kolektive (të dëshirave, shpresave, qëllimeve të larta etj)? Nuk është e habitshme, prandaj, pse te shumica e figurave të trajtuara te ky vëllim i “Vibrimeve…” shquhet roli nacional, arsimor, emancipues, formues e krijues i ngritjes së vetëdijes krijuese e nacionale që kanë pasur ata në jetën e kombit tonë nga njëra anë, e në fushat e krijimtarisë muzikore, nga ana tjetër. Të mos harrojmë: a nuk ngërthehen te secili krijues i lartpërmendur edhe vlerat specifike kolektive?
Pikërisht janë këto dy aspekte-vlera që e shquajnë këtë vëllim: aspekti individual i krijuesit dhe aspekti i mishërimit të vlerave të përbashkëta në veprimtarinë e tyre jetësore e krijuese. Shtoja kësaj edhe qëndrimin e sipërpërmendur kritik ndaj dukurive e shkarjeve në jetën muzikore e në studimet e muzikologjisë shqiptare. E pra, ky është ai “kyçi i artë” që e posedojnë këto vibrime; me kënaqësinë estetike e me tronditjet kreative-intelektuale që i shkaktojnë “Vibrimet…” e këtij vëllimi. Do të thotë, ky është ai kyçi që i çel shumë porta, që i shemb shumë mure absurdesh të së kaluarës e të së sotmes, që përpiqet të mënjanojë, pengesa e paqartësi; aty ku me këtë kyç të fjalës së shkruar depërton shkrimi publicistik e studimor i profesor Akilit.
Thuhet, se idealet e mëdha të një kohe – shpresat e mëdha, rrethanat e mëdha dhe lëvizjet e mëdha, japin njerëz të mëdhenj, por, të mos harrohet ”secili krijues ecën rrugës së vet”, do të thoshte Frojdi, duke nënvizuar edhe rolin e individit në rrugën e zhvillimit të njerëzimit. Dhe secili nga figurativ e profilet krijuese të këtij vëllimi, e ka rrugën e vet, shenjën e vet krijuese, por, fatmirësisht, secili e ngërthen emblemën e vet krijuese e kredon personale, duke lënë vulë në këtë rrugëtim zhvillimor e krijues, duke lënë shenja të ndjeshme në kohë.
Prandaj, që në tituj të shkrimeve jepet nga një karakterizim emblematik i tillë, duke qenë sinonime të krijimtarisë sonë, po edhe sinonime të një kohe e hapësire.


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...