Ukshin Hoti ka lindur më 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Prizren dhe Prishtinë. Shkencat politike i kreu në Zagreb, kurse 2 vite pasuniversitare i kreu në Beograd në seksionin për marrëdhënie ndërkombëtare politike dhe ekonomike. Pastaj specializoi një vit edhe në Universitetet amerikane: në Chicago, në Universitetin e Harvardit në Boston si dhe në Washington D.C...
Në vitet e ’70-ta ushtroi detyra të ndryshme në pozita të ndryshme të jetës politike dhe arsimore të Kosovës.
Pas një diskutimi në një mbledhje në Fakultetin Filozofik në Prishtinë më 19 Nëntor 1981, ku ai haptas i mbrojti kërkesat e studentëve shqiptar për Republikë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, ai u dënua me 9 vjet burg, të cilat nga gjyqi suprem u reduktuan në 3,5 vjet. Pas lirimit nga burgu u kthye në vendlindje ku u izolua.
Më 1990 punoi në Lubjanë (Slloveni) në revistat shqiptare “Alternativa”, "Republika" dhe "Demokracia Autentike - DEA" si redaktor deri më 1991, kur u mbyllën ato. Pastaj u kthye në Prishtinë ku punoi për një kohë në Universitetin e Prishtinës.
Në mars të 1993 u burgos për herë të dytë pasi që një vit më parë kishte organizuar homazh për martirët e demokracisë në Brestovc.
Ukshin Hoti (në këmbë i dyti nga e majta) në Kala të
Prizrenit me kolegët e tij të shkollës
Foto:www.pashtriku org.
Në të njëjtin vit u rrah keq nga forcat speciale serbe pasi që kishte vizituar pjesëmarrësit e grevës së urisë në pallatin e shtypit në Prishtinë.
Ukshin Hoti - Ideolog i Lëvizjes Kombëtare...
Foto:www.pashtriku org.
Po ashtu më 1993 pasi e lëshoi Lidhjen demokratike (LDK) Hoti mori pjesë në tubimin mbarëkombëtar të organizuar nga përfaqësuesit politik në Tetovë (Maqedoni) ku u theksua nevoja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm.
Ukshin Hoti me prindërit e tij
Foto:www.pashtriku org.
Më 17 maj 1994 e dënuan me 5 vjet burg për arsyen se ishte pjesëmarrës i lëvizjes për Republikën e Kosovës.
Fati i Ukshin Hotit
Më 16 maj 1999 kishte mbaruar afati i vuajtjes së dënimit politik prej 5 vjetësh. Të burgosurit shqiptarë dëshmojnë se në përcjellje të tre zyrtarëve të sigurimit serb atë ditë ai është nxjerrë nga burgu i Dubravës (Istog, Kosovë), ku ishin sjellë më parë të burgosurit shqiptarë nga burgu i Nishit (Serbi).
Pas bombardimeve të NATO-së më 19 maj 1999, në burgun e Dubravës ka ndodhur masakra më e përgjakshme: janë ekzekutuar e masakruar 173 të burgosur shqiptarë nga forcat serbe.
Gjakosja e Ukshin Hotit te udhëkryqi i Komoranit!
Babanë e vëllanë e Ukshin Hotit i kanë vrarë kriminelët serbë, bashkë me 30 kushërinj të tij e 174 bashkëfshatarë të Krushës së Madhe të Rahovecit.
Mbi fatin e prof. Ukshin Hotit (prej 1999) nuk dihet më asgjë!
Ukshin Hoti me djalin Andinin.
Veprat
1.“Lufta e ftohtë dhe detanti", 1975
2."Filozofia politike e çështjes shqiptare", 1995
3.''Od politike hladnog rata do detanta" ,Pristina, Pokrajinski centar za marksističko obrazovanje ,1976,faqe 81.,Library of Congress :D840 .H68,Open Library-OL4641023M,LC Control Number -77473018.
4.The political philosophy of Albanian question,Tiranë,1998, "Zëri i Kosovës" ,faqe 144./
LC Control Number | 98210434, Library of Congress :DR2080.5.A4 H6813 1998 Shtepia e Ukshin Hotit e kallur nga okupatori serb |
Foto:www.pashtriku org.
Thanë për Ukshin Hotin:
Dritëro Agolli
Shkrimtari e poeti ynë i madh Dritëro Agolli, në një intervistë dhënë në Radio Televizionin Shqiptar, në mars 1998, për politologun e shquar Ukshin Hoti, ka deklaruar: ”Unë vë re një gjë, që për daljen e Ukshin Hotit nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë. Ukshin Hoti është një nga politologët më të shquar të popullit tonë. Ai vetëm me këtë libër (Filozofia politike e çështjes shqiptare” - vërejtja ime Sh.B) e ka treguar që është një filozof i vërtetë në problemet e politikës, por jo të një politike vulgare. Ai e shikon politikën në prizmin e filozofisë, dhe nxjerr konkluzione në bazë të fakteve konkrete dhe të historisë së popullit tonë. Ai nuk i trajton problemet historike dhe kombëtare thjesht në mënyrë deskriptive. Duke lexuar librin e Ukshin Hotit ti ndjen një thellësi të madhe të mendimit të tij, por njëkohësisht ndjen edhe një krenari që ka njerëz të tillë të shquar vendi ynë në të gjitha fushat e jetës. Por këtu, në këtë fushë, dmth. të filozofisë politike, unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti. Problemin e çështjes kombëtare ai e vështron në prizmin filozofik, në prizmin historik dhe në prizmin politik. Nuk thotë vetëm se si është Shqipëria, si është kjo çështja jonë kombëtare, por edhe se si mund të zgjidhet. Dhe kjo është nga meritat më të mëdha, sepse në shumë shkrime për problemet tona kombëtare tregohet vetëm se si ka qenë, sa i vjetër është populli ynë, me kë ka patur të bëjë, me përplasjet me fqinjët, me Evropën etj., por nuk jepen koordinata të sakta se ç'mund të bëhet që populli ynë të bëhet një popull i bashkuar, një komb jo i ndarë, jo i prerë me shpatë siç është sot Shqipëria. Dhe këtu qëndron merita më e madhe e Ukshin Hotit, pra në faktin që jep perspektivën se si duhet bërë... me një fjalë, ky libër është një program, nuk është thjesht një libër për filozofinë politike, por është si një program për shqiptarët, se si duhet të bëhet Shqipëria një vend me të vërtetë i evropeizuar. Ne flasim e themi se do të hyjmë në Evropë, do të evropeizojmë Shqipërinë, etj. Të gjitha këto janë fantazira, janë gjysmake. Shqipëria evropeizohet kur të jetë një, e plotë, dhe jo kështu dy copësh, se kështu nuk evropeizohet kurrë. Kë do të evropeizosh ti, tre milionë banorë do të evropeizosh? Po tre milionë të tjerë? Dmth. problemi është tepër i ngatërruar për sa i përket evropeizimit të Shqipërisë, civilizimit të saj etj. Civilizim do të thotë kur të jesh një. Po s'qe një nuk je i civilizuar plotësisht. Dhe Ukshini e trajton këtë problem. Pastaj dhe një tjetër gjë: unë mendoj që njeriu mund të nxjerr konkluzione jo vetëm nga libri që kemi këtu përpara, po dhe nga gjithë aktiviteti i Ukshin Hotit, se ai nuk është vetëm një filozof, politikan i kabineteve, i zyrave e i arkivave, por ai është një njeri i aksionit, një njeri i luftës për një ideal të madh. Se ka lloj lloj filozofësh, politikanësh, historianësh, edhe ata kanë të drejtën e ekzistencës dhe nuk mund të them se nuk janë të shquar, por tek Ukshin Hoti bashkohen dituria, zgjuarsia filozofike me aksionin, me njeriun aktiv, me patriotin e vërtetë, jo thjesht një patriot librash, po një patriot i madh, që i vë supet Shqipërisë. Dhe fakti që gjëndet në burg, dhe ka kohë që vuan burgimin e nuk del dot nga burgu, tregon se sa patriot dhe se sa njeri i lavdishëm është ai. Po ne shqiptarët fatkeqësisht njerëzit e shquar i kemi pak mëri, nuk i kemi aq shumë në përkrahje, ndonjëherë duam dhe t'i spostojmë nga politika ose nga aktiviteti, siç është puna me Ukshin Hotin. Unë nuk munt të flas me kompetencë të madhe lidhur me mënjanimin e tij, por unë vë re një gjë, që për daljen e tij nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë.“
Stephen Larrabee, ish’anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Xhimi Karter dhe ish’anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë (Council on Foreign Relations) si përgjegjës për çështjen e Jugosllavisë, në 10 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, shkruan këtë letër: „Edhe pse nuk mund të jem në Kosovë në ceremoninë zyrtare (Akademia politike kushtuar Ukshin Hotit që u mbajt më 16 maj 2009 - Sh.B), dëshiroj të shpreh respektin dhe nderimet më të larta në përkujtim të Ukshin Hotit, një mbështetës i madh i pavarësisë së Kosovës dhe një njeri me virtyte të larta dhe guxim intelektual. Kisha nderin ta njoh Ukshin Hotin në vitet 1977 - '78 gjatë studimeve pasdiplomike në Universitetin e Harvardit, në kohën kur ai punonte në një kërkim shkencor në Harvard për mundësitë dhe implikimet politike të një Kosove të pavarur. U takuam shumë rastësisht, por shumë shpejt kuptuam se kishim shumë interesa të përbashkëta, në veçanti një interes për fatin e Jugosllavisë, që në atë kohë tregonte shenja të shpërbërjes dhe të dobësimit. Kemi kaluar me orë të tëra dhe momente të paharrueshme duke diskutuar se si do të mund të arrihej pavarësimi i Kosovës dhe çfarë ndikimi do të mund të kishte në sigurinë e Ballkanit dhe të Evropës. Gjatë asaj kohe, (1977-78) shumë pak njerëz në Perëndim mendonin për Kosovën por edhe më pak kishin ndonjë ndjesi për rolin e rëndësishëm që Kosova mund të kishte një dekadë më vonë në formësimin e së ardhmes politike të Jugosllavisë.
Por, derisa dëgjoja Ukshinin të fliste me plot pasion rreth historisë së Kosovës, atëherë kuptova se sa e kam nënvlerësuar vendosmërinë dhe pasionin që digjej aq thellë në shpirtin e tij si dhe të shumë shqiptarëve të Kosovës në përpjekjet për pavarësi. Pasioni i tij për kauzën e pavarësisë së Kosovës më ka prekur thellë dhe që nga ai moment kam filluar t’i kushtojë më shumë vëmendje zhvillimeve në Kosovë. Në fund të pranverës së vitit 1978 u largova nga Harvardi për t’iu bashkuar personelit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Karter, ku ndër të tjera isha përgjegjës edhe për çështjen e Jugosllavisë dhe pas kësaj nuk pata rastin ta shihja Ukshinin prapë. Mirëpo, derisa forcat centrifugale erdhën në shprehje më shumë, sidomos pas vdekjes së Presidentit Tito, shpesh me janë kujtuar diskutimet tona për Kosovën si dhe bindja e plotë e Ukshinit se Kosova një ditë do të fitojë sovranitetin dhe pavarësinë. Ai ishte një njeri i modest por me plot virtyte dhe kurajo intelektuale, andaj jam shumë i nderuar që e kam njohur Ukshinin. Derisa ai nuk mund të marrë pjesë fizikisht në këto nderime për jetën e tij, filozofia e tij sot jeton në Kosovën e lirë dhe të pavarur - një kauzë të cilës ai i besonte shumë.“ (S.Larrabee, USA - Letër, 16. 05. 2009 )
Ismail Kadare
“Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir... Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç'partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme."
Rexhep Qosja
"Ukshin Hoti - ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij."
Moikom Zeqo
Studiuesi i shquar Moikom Zeqo, në parathënien e librit "Filozofia politike e çështjes shqiptare" të Ukshin Hotit shkruan: “Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë, tërësisht njerëzore, kur më sollën dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit "Filozofia politike e çështjes shqiptare" të Ukshin Hotit. Kam ndjerë krenari të vërtetë duke e lexuar këtë libër. Kam përjetuar në largësi një ndërlidhje të shumëfishtë, një shqisim dhe përfytyrim universal dhe të pashpërbërshëm me autorin, i cili ishte konvertuar fuqishëm dhe thellësisht në çdo ind të librit, në këtë pasaportë emblematike dhe tipike përfaqësuese të vetvetes dhe të kombit që e përfaqëson denjësisht…Libri i mençur dhe kurajoz i Ukshin Hotit është libri i një tribuni popullor dhe kombëtar. Ukshin Hoti, intelektual dhe politolog i klasit të parë, njeri i kompletuar fuqishëm për nga dijet, për më tepër një trim i pafrikshëm, ka shpalosur në këtë libër kryetemën vigane të çështjes shqiptare… Hoti nuk qëndis ornamente fjalësh. Nuk bën stolira të kota retorikash luksoze e krejt të padobishme. Për Hotin çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës. Po as edhe një fantazi e kabinetit intelektual. Duke e lexuar këtë libër m'u kujtuan fjalët e mrekullueshme të dijetarit të madh shqiptar Frang Bardhit, i cili qysh me 1636 shkruante: "Përkrahni lirinë e natyrshme të njerëzve dhe diturinë e tyre me liberalitetin më të madh. Sepse vetëm kështu, - shton ai, - do ta paraqesin para syve të tu të vërtetën lakuriqe dhe të panjollosur, sepse e vërteta nuk ka nevojë të lyhet dhe të stoliset me fjalë të bukura." 350 vjet pas Frang Bardhit, Ukshin Hoti ecën në të njëjtën hulli të filozofisë politike të histories… Ukshin Hoti e di mirë thelbin e politikës, duke e refuzuar politikanizmin e stilit barok, dogmatik, apo të llojit folklorik e të vulgarizuar. Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon realitetet politike në optikën shqiptare, por edhe në atë globale-botërore. Për të bota evro’amerikane nuk duhet t'i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm shqiptarë. Ukshin Hoti e shtjellon tezën e një demokracie autentike, si tezën e një integrimi universal, ku nuk zhduket dhe nuk humbet identiteti i kombit shqiptar, po afirmohet në bazë të një të drejte ndërkombëtare të përbashkët për të gjitha subjektet etnike të botës, ashtu siç ka një barazi funksionale për elementet e gjuhës të garantuara përjetësisht nga një gramatikë e brendshme e padeformueshme. Demokracia autentike është një gramatikë e lirisë dhe e dinjitetit, e kulturës, por edhe e kulturave, e së veçantës, por edhe e së tërës. Në një Evropë, apo në një botë dialogjike, kombi shqiptar nuk ka pse të jetë shurdhmemec, një komb handikapat, ose një manekin i skenës… Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Po erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës…Ukshin Hoti është shndërruar tashmë në histori.“
http://www.youtube.com/watch?v=XiJaTN8adqs
Esat Stavileci
Akademik Esat Stavileci, në qershor të vitit 1998 në një dokumentar televizivë kushtuar Ukshin Hotit, deklaron: „Kemi të bëjmë me një emër të intelektualit që sugjeron guximin politik, një emër të një eseisti politik që sjell shprehjen kompetente profesionale, që nxit fuqinë e të menduarit, ndërsa kur flasim për veprën e tij, kemi të bëjmë me një vepër të një njohësi të mirë të sistemeve politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për një vepër të historianit të çështjes shqiptare. Me këtë rast do të theksoj angazhimin e Ukshin Hotit për t'i dalë zot kauzës kombëtare, me gjerësinë e shtruarjes së çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Pastaj më duhet të theksoj argumentimin e tij të bollshëm e profesional me themelësi politike, pse Kosova është dhe duhet të jetë republikë. Theksoj mbrojtjen e tij brilante, në mënyrë të veçantë, që i bëri para gjyqit qënies së Kosovës republikë mbi parimin e së drejtës së vetëvendosjes. Theksoj premisat e filozofisë politike në veprën e tij, dhe më në fund theksoj mendimin e tij të mëvetësishëm, autentik, në rrahjen e çështjes kombëtare shqiptare që emrin dhe figurën e tij e bëjnë sui generis, dmth. të një lloji të veçantë. Prandaj është fjala për një emër dhe një vepër të cilën duhet ta përkujtojmë.“
Agim Vinca
Agim Vinca, në një mbrëmje proteste për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu, të mbajtur në Prishtinë, më 24. 09. 1994, (vetëm 4 ditë para mbajtjes së gjykimit kundër tij në Prizren) par Ukshin Hotin thotë: ”Me njeriun që na ka tubuar sonte këtu (sikurse edhe mbrëmë dhe në netët që do të vijnë), Mr. Ukshin Hotin, nuk kam pasur raporte të afërta miqësore, por kam pasur respekt - e kam çmuar gjithmonë - për qëndrimin e tij dinjitoz e konsekuent në jetë dhe në krijimtari. Them edhe në krijimtari, sepse Ukshini është publicist, eseist, politolog... Është hera e tretë që Ukshin Hoti bie në burg (herën e parë pas vitit 1981), kurse «ndeshjet» e tij me policinë serbe kanë qenë edhe më të shpeshta. Përse? Për shkak se policia serbe dhe pushteti të cilit i shërben ajo e dinë fare mirë se cilët janë kundërshtarët e tyre të vërtetë në mesin e shqiptarëve. Miku dhe kolegu ynë, Ukshin Hoti, tash sa muaj ndodhet në burg. Së shpejti pritet gjykimi dhe ndoshta (me siguri) edhe denimi i tij dhe jemi mbledhur të protestojmë kundër këtij gjykimi absurd e të kërkojmë lirimin e tij. Po prej kujt? Prej gjyqit serb, që është instrument në duart e okupatorit. Kështu e kemi ne. Ndodh që të kujtohemi për njerëzit tanë kur ikin, kur bien në burg, kur largohen (jo rrallë as në raste të tilla!), ndërsa kur i kemi pranë i fyejmë, i rrethojmë me heshtje, i injorojmë, i nënçmojmë, i linçojmë... Edhe pse nuk kam pasur kontakte të shpeshta me të, Ukshini më është dukur viteve të fundit disi i vetmuar, i izoluar, i braktisur, i harruar dhe ngapak i frustruar. Ukshin Hoti është nga ata njerëz që i stolisin karakteri, krenaria, kryelartësia. Ai është njeri që ka «Unin» e vet me «U» të madhe. E kjo nuk është pak. E vlen të jesh i tillë në jetë, edhe pse kushton shtrenjtë. Intelektual me koncepte të qarta e përkushtim të lartë ndaj kombit, shtetit, politikës, demokracisë, në shkrimet dhe paraqitjet e tij, veçmas në revistën «DeA», ai u angazhua me të drejtë, siç e thoshte edhe titulli i saj, për një demokraci autentike; për një demokraci në kushtet shqiptare, ashtu siç u angazhua edhe për një politikë unike e me strategji të qartë kombëtare. Për intelektualët dhe veprimtarët si Ukshini ekziston patria (dmth. Atdheu) pastaj partia; ekziston kombi pastaj demokracia. Sepse, demokracia pa kombin është si lulja në trupin e të vdekurit, ka thënë një poet.“
SKËNDER BUÇPAPAJ-FATI I UKSHIN HOTIT
Ukshin Hoti
Ukshin Hoti është nga ato figura biografia e të cilëve vazhdon të plotësohet e të pasurohet edhe në çfarëdo mungese të tyre fizike, si në rastin e tij, edhe kur nuk dihet më prej tyre as nam, as nishan.
Në biografinë e Ukshin Hotit shkruhet për arsimin e tij dhe për jetën e tij derisa fillon rrugën e armiqësimit të hapur kundër pushtuesit. Nga ajo datë, 19 Nëntor 1981, Ukshin Hoti i bën vetëm katër vite jete në liri, domethënë jashtë burgut ose jashtë izolimit. Në këto pak vite është marrë me mësimdhënie, politikë të mirëfilltë dhe me publicistikë. Data tjetër, guri i dytë kilometrik në biografinë e Ukshin Hotit është 16 Maji 1999, më pak se një muaj nga çlirimi i Kosovës, kur mbaronte afatin e burgut dhe, sipas dëshmive të të bashkëburgosurve shqiptarë, tre zyrtarë të sigurimit serb e muarën me vete nga Burgu i Dubravës (Istog, Kosovë). Prej asaj date familja, të afërmit, Kosova, opinioni shqiptar, opinioni i interesuar në botë nuk dinë më asgjë për fatin e Ukshin Hotit.
Me shkollim të plotë në shkencat politike, i profilizuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, me specializime pasuniversitare edhe në universitetet amerikane, Ukshin Hoti ishte i vetmi i majtë shqiptar me formim perëndimor. Libri i tij "Filozofia politike e çështjes shqiptare", botuar më 1995, të cilin e kam lexuar me vëmendje dhe interes, dëshmon se Ukshin Hoti ishte i vetmi filozof në politikën e majtë moderne shqiptare. I tillë, ai do t'iu nënshtrohej vetëm bindjeve të tij prej kur ai haptas iu dilte krah studentëve shqiptarë në kërkesat për Kosovën Republikë e deri në çfarëdo fundi që mund të ketë pasur.
Pranvera e përgjakur në Kosovë,marsi i gjakosur -1981 ...
Foto:www.pashtriku org.
Nacionalist i majtë perëndimor, Ukshin Hoti do ta bënte jetën e tij pjesë të natyrshme të jetës së kombit të tij dhe fati i tij do të bëhej kështu pashmangshëm pjesë e fatit të kombit. Tri ditë pas largimit të tij nga burgu i Dubravës, më 19 maj 1999, dihet se në atë burg ka ndodhur, siç thonë kronikat e kohës, masakra më e përgjakshme, ku janë ekzekutuar e masakruar 173 të burgosur shqiptarë nga forcat serbe. Atë pranverë të vitit 1999, në kulmin e fushatës ajrore të NATO-s kundër makinerisë serbe të luftës, Krusha e Madhe, fshati i Kosovës ku Ukshin Hoti lindi më 1943, do të shënohej në hartën e njerëzimit si një nga qendrat më të mëdha të masakrave të Serbisë. Babain dhe vëlllain, si dhe 174 bashkëfshtarë të tij do t'ia masakronin forcat serbe.
Ukshin Hoti në Tribunën politike “Kosova dje, sot dhe nesër” që u mbajt më
12 shtator 1991 në fshatin Billushë të Prizrenit.
Foto:www.pashtriku org.
Pas 16 majit të vitit 1999, për figurën e Ukshin Hotit mund të shtohet përditë nga një rresht, ku të përsëritet e të përsëritet se mllefi, zemërimi, urrejtja e Serbisë kundër kësaj figure është përherë e më i pangopshëm, është një mllef, një zemërim, një urrejtje nga ato që nuk dinë kurrë të falin, nuk pranojnë kurrë të falin. Në një përpjekje sensibiluzuese të opinionit ndërkombëtar për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu, diku në mesin e viteve 1990, Ismail Kadare shprehej: "Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir... Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç'partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme."
Ukshin Hoti - gjatë homazheve te varrezat e dëshmorëve në Brestovc - 1992.
Foto:www.pashtriku org.
Motori i mendimit të gjeniut Kadare, nxjerr tingull të veçantë kur shprehet për politikanin e intelektualin e madh disident, si atëherë kur ai ndesh në mineral të rrallë. Dhe përmbyllet me një parandjenjë të zymtë. Ndoshta parandjenja e Kadaresë ka gabuar, ndoshta profecia ka mbetur e pakryer. Sidoqoftë, misteri të cilin Beogradi e trash rreth fatit të kësaj figure, duket se jo vetëm e kënaq hakmarrjen e paprerë ndaj tij, por edhe i kënaq cmirat dhe zilitë e dikurshme ndaj kësaj figure ndër bashkëvuajtësit, bashkëveprimtarët dhe... bashkëmendimtarët.
Natyrisht, Ukshin Hoti ka pasur bashkëvuajtës dhe bashkëveprimtarë. Por sa ka pasur bashkëmendimtarë? A ka qenë ai në fushën e mendimit politik një lis vetmitar në një kuotë tepër të lartë, prej të tjerëve i paarritshëm?
Në biografinë e Ukshin Hotit, të pas 16 majit 1999, sidoqoftë mungon ngulmimi për ndriçimin e fatit të tij. Ngulmim që nuk duhej të kishte reshtur kurrë. Që nuk duhej të kishte kursyer veten kurrë. Në biografinë e tij mungon edhe qëndrimi i institucionalizuar ndaj trashëgimisë së tij. Ukshin Hoti ka lënë vetëm dy libra të botuar, ndërkohë që ka pasur një veprimtari të bollshme publicistike në gazeta e revista shqiptare.
Ndaj një figure të tillë, çfarëdo kundërthëniesh të përfytyrohen apo të ushqehen ndaj fatit të tij të pas 16 majit 1999, transparencat nuk mund të kenë më statusin e tabuve. Aq sa të dijë, Prishtina duhet të nxitet të flasë. Ndërsa Beogradi duhet të detyrohet patjetër ta bëjë këtë.
Dhe nuk i përket asaj moshe kur mund të shpallej i vdekur. Nëse i mbijetuar, do të ishte 69 vjeçar.
Në jetë, aq sa kam mundur ta shfletoj unë kuptimin e jetës së tij, Ukshin Hoti është përpjekur t'i zhdukë hendeqet kundërthënëse midis tij dhe shqiptarëve të tjerë, midis mendimit të tij dhe mendimit tjetër kombëtar, duke e bërë veten sa më thjesht pjesë të fatit të përbashkët. Dhe tash ai mungon bashkë 1800 shqiptarë të tjerë të zhdukur atë pranverë të vitit 1999 nga forcat pushtuese. Mes tyre, çka besoj se Ukshin Hoti nuk do ta donte kurrsesi, mbetet trilleri më i bujshëm shqiptar, sado i heshtur, sado i hijesuar apo i errësuar të jetë intelektuali, politikani, filozofi, shkrimtari ynë.
Me rastin e 69 vjetorit të lindjes së veprimtarit të njohur, Ukshin Hoti, në Krushë të Madhe është vënë gurë themeli i shtëpisë muze, ku qytetarët nga të gjitha trevat do të kenë mundësi të njoftohen me veprimtarinë atdhetare të Profesor Ukshinit për bashkim kombëtar. Me këtë rast, u tha se ndërtimi i shtëpisë së re është një dëshmi që Ukshin Hoti nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë, por do të jetojë i gjallë midis nesh.
Para qindra, qytetar nga Kosova, Shqipëria, e Maqedonia, por edhe drejtues të institucioneve politike e shkencore, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi deklaroi se kjo shtëpi do të jetë informuese për gjeneratat e reja, të cilët do të kenë mundësi të njoftohen me punën dhe angazhimin e Ukshinit.
Deklarata në dorëshkrim e UNIKOMB’it,
e përpiluar nga Ukshin Hoti (Maj 1994)
Aktakuza Kt. br. 107 / 94 dt. 30. 05. 1994
Faqja e parë në dorëshkrim e fjalës mbrojtëse të Ukshin Hotit.
Aktgjykimi K. Br. 28 / 94 dt. 28. IX. 1994. fq.1, 2 dhe 7.
Vendimi nr. 24/2241/05 dt. 16. 05. 1999, për
“lirmin“ e Ukshin Hotit nga burgu i Dubravës!
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Ismail Lauka tha se Ukshin Hoti është nga ata njerëz që ka datë të lindjes, por për shkak të madhështisë së tij, veçantisë së tij, jo si të gjithë njerëzit e zakonshëm, nuk ka datë vdekje, ai nuk ka as varr, sepse diktatorët e egër me shekuj ua kanë pas dhe ua kanë frikën kundërshtarëve, siç ishin Ukshin Hoti, sepse po të kishin varre ata tmerroheshin se varri mund të kthehej në mekë, mund të kthejë në qendër të pelegrinazheve dhe frymëzim për përmbysjen e diktatorëve.
Albin Kurti
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Ukshin Hoti kishte dije, guxim dhe veprim, por ishte edhe profesori më i mirë për studentët, sepse gjithçka që bënte për studentët, ndërkohë që vetë studionte vazhdimisht, por mbi të gjitha sipas Kurtit, Ukshin Hoti është personaliteti më i shquar i teorisë politike dhe i veprimtarisë në kohën më të re të kombit shqiptar.
Afrim Hoti
Vëllai i Ukshinit, Afrim Hoti falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke u shprehur i bindur se ky muze do të përjetëson historinë e Ukshin Hotit.
Ekrem Kryeziu
Miku i Ukshinit, Ekrem Kryeziu kujtoi angazhimet e tij për çështjen e bashkimit kombëtar, duke thënë se ai kurrë nuk pushonte së punuari për këtë synim dhe se vepra e tij nuk i bënë nderë atij por neve.
Me këtë rast po ashtu u tha se shkrimet, ligjëratat, kumtesat, artikujt, janë një thesar i çmuar në shërbim të çështjes së bashkimit shqiptar për një Shqipëri natyrale dhe të gjithë pjesëmarrësit kërkuan që Ukshin Hoti të shpallet akademik nderi në Akademinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Ndryshe, gjatë ditës u organizua edhe një tribunë kushtuar atdhetarit Ukshin Hoti, ku profesori Agim Vinca akuzoi edhe institucionet e Kosovës për bisedimet me Beogradin.
Pajazit Nushi Arben Imami
Me kumtesat e tyre u paraqiten edhe akademik Pajazit Nushi, deputeti nga Maqedonia Genc Limanbegu, profesori Majkon Zeqo, ministri i Shqipërisë, Arben Imami, të cilët vlerësuan lartë veprimtarinë politike dhe teorike të veprimtarit Ukshin Hoti, duke e quajtur birë të njerizimit, politologjia, e së cilit u bë kushtetuta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Disa prej Fotove jane marrë nga www.pashtriku org. për çka i falenderohet moderatorit Sheradin Berisha