2012-07-01

Nga Flori Bruqi:Poeti i harruar...


Ali Asllani u lind në Vajzë të Vlorës ku që në moshë të re mbeti jetim. Në Vlorë kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin "Zosimea" në 1888. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll.

Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga antërët e shquar të Klubit "Bashkimi". Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të¨persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë.

Mundi t'i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit "Bashkimi" të Janinës. Më 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të vilajetit të Konjës në Anadoll.

Pas shpalljes së Pavarsisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri në 22 janar 1914. Mëp pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princi Vidit shkoi disa kohën në Itali e u kthue sërish ku administrata lokale e cakoti sekretar të përgjithshëm (10.11.1915 - 1.1.1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por meqënëse kundërshtoi pushtimin u pushua nga puna.



Nga 20 dhjetori i vitit 1918 - 5 nëntor 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 - 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua "Zëvëndës i ngarkuar me punë" në Sofje e më pas, po aty, "sekretari parë" dhe "i ngarkuar me punë". Në vitet 1930 -1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek.



Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua antar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.

Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën "Hanko - Halla" në 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960 - 66 përmendim: "Vidi - vidi pëllumbeshë" (1960), "Shqipëria kryesorja" (1961), "Vajzat dhe dallëndyshet" (1964), "Kur merr zjarr rrufeja" (1966) dhe pas vdekjes iu botua në 1973 "Poezia shqipe". Eshtë autori i këngës së njohur "Vlora, Vlora".

Pas viteve 90 iu botuan disa libra si "Poezi të zgjedhura" në 1996, dhe "Vidi, vidi pëllumbeshë" në 1999.

Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.




Aktori i Teatrit kombëtar Bujar Asqeriu së fundi ka nxjerrë në treg një kasetë me poezitë më të bukura të poetit Ali Asllani




Ali Asllani - në kujtimet dhe studimet letrare 
by Bardhosh Gaçe 


Price: EUR 7.00
Availability: In stock
ISBN 13: 99943-1-135-2
Year: 2006Format: Hardcover, 320pp
Rating: 
 
FROM THE PUBLISHERAutori na paraqet figurën e ndritur të poetit Ali Asllani, i cili ka lënë pas mjaft vepra, duke kontribuar kështu në pasurimin e letërsisë shqipe. Prof. B. Gaçe, përveç krijimtarisë së tij, rrëfen disa nga gjurmët e jetës së poetit, duke filluar që nga fëmijëria, arsimimi e deri në lulëzimin e tij si poet. Kjo përmbledhje shoqërohet edhe me një bibliografi të shkurtër të botimeve të poetit, por edhe të autorëve që kanë shkruar mbi të.


Hanko Halla

Pjesa e pare

I

Halla ka marr’ mashën, urat po i shkrep
edhe merr e jep,
trungu i ullirit digjet me gazep,
digjet mala-mala, sidomos bujashka;
në dimër, moj motër, zjarri shum’ u dashka!

Dhe, i lumtë goja kush e tha më par’
xhan e shpirt, o burrë, xhan e shpirt, o zjarr!
Buk’ të that’ në sofër, buk’ dhe asgjë tjatër,
po agai sa malet edhe zjarr në vatër!

II

Rreth e rrotull zjarrit nunuris njeriu,
si gjithkush të tijat plaku dhe i riu…
Fjala e të rinjve çelet me përrrallë
me një gjum’ të ëmbël gati mbi qëpallë:

Ç’është njëz’e njëzë, ç’jan’ata dervishë,
Ç’jan’ ata dervishë, kryet me fildishë?
ç’ësht’ai që s’hahet, ç’ësht’ai që s’pihet
edhe nëpër xhepe kurr’ e kurr’ nuk vihet?

Fjala e të rinjve çelet me përrallë
Brezi yn’po dihet, zëm’e qajmë hallë…
Një ka bër’ të mira, po s’ka par’ të mira
tjetri qënka pjekur keq në takllaira;

plagve të atia nuk iu gjend melhemi
dertet e këtia nuk i merr kalemi;
njëri s’paska miell, tjetri s’paska thes,
fund’ i fjalës bota qënka e pabes’!

Muaj i shënëndreut, muaj i flamosur
ngryset edhe s’gdhihet, nata s’ka të sosur
Shum’i hidhur qënka, shum’ e shum’ po thuaj
sa edhe pulat s’pjellin, brënda këtij muaj.
Enët mbahen mbyllur, qypa, shtëmba, butet,
pasi karakëshi vjen e brënda futet!

Netët shum’ t’errta, dita shum’e vrazhd’,
mbetëm mu si patat mbyllur në një grazhd;
pa le llafazankat vin’e na bezdisen
pasi kot së koti zën e kakarisen;
ruana zot nga fjala, zgjatet edhe zgjatet
sa me pash’njeriu s’ka se si të matet!

III

Xhiko xhevahirja, Halla dhe Xhixhia
Krushka Hanko Shega edhe xho Inxhia
Bulla Qeribaja, dadara gegera
zonjat e mëhallës që na vin’ ngahera
veshur kadifera, veshur me shalira,
rroba rrob’ stambolli, s’paska më të mira!

S’paska më të mira, po për sy të ballit
bora më e pastër ësht’ në maj’ të malit
rroba me e paster esht’ mbi trup te Hallës,
mu si shkum’ e bardhë mu ne sup te valës!

Edhe rreth’i Halles, rreth’ i atij gjiri
ruaj zot nga syri, mu si prush floriri
Duket der’ e pare, bukur e deres
çquan mbi kater stina stin’ e paraverës!
Ngulur mbi shiltera, gjith’ ato shiltera
hapur gjer te dera, shum’e shum’ te vyera
me ixhat Janine lule ylyver
dy mexhide topin Halla i ka bler’!

Pa degjoni, zonja, - nisi Halla plak’-
do ju them nje fjalez, fjale pa kapak!
Erdhi koh’ e keqe, koha e flamosur
na u prish dynjaja, bota esht’marrosur!

Sot nje lajmes erdhi, e mir’ se na erdhi
pati çar nuk pati nje nga nje i derdhi’
lajkat me te rralla, lajkat me te holla…
mbret mbi pem’ limoni, mbreteresh’ dhe molla…
Fjala vinte rrotull, rrotull e verdalle,
ç’do t’i thot’ limonit moll’e kuqe valle?

Thuaj e thuaj e thuaj edhe shum’ perralla
her’ i terej zeri, her’i terej fjala
her’ i terej fjala, her i terej zëri,
dale me ngadale mos keputej përi
her’ i çelej buza, her’i çelej gazi
dha e dha e mbushi…pasandaj e zbrazi:

Qenka mos na qenka, nje hadi bilmes
na e do per nuse çupen time mbes’!
Fët e fët e mora nje kongjill nga zjarri
nxora dhe nga xhepi nje gjerdan prej ari:
“Na – i thash’, - trazoj’ nuk trazohem kurrë
njeri per ne gusha, tjetri per ne furrë”
U! me mart’ te keqen dhe m’u beft kurban
far e fis i tia an’ e mban’ ku jan’!

IV

Halla thot’ të drejtën, çupa si dy sytë
si do bënej nuse, nus’ e derës s’dytë,
kurse Hanko Halla rrjedh nga der’ e parë?
Bota të mos kishte disa pashallarë
soj i Hanko Hallës do ta kish me hak
që të kish saraje dhe te kish oxhak;
Halla do te quhej Halla Pashallesh’
fjal’ e saj do te ishte mu si vëth ne vesh;
Halla do te bënte si t’a kish istekun
eja-ik mileti, merr e puth etekun!

Gjyshi paska pasur shum’ para te thata
paska pasur arqet plot me kollonata
paska pasur mbushur arqe e sënduqe
me para te bardha, me lira te kuqe’
gjalp’ e vaj’i tyrej derdhej si përua
katër teste qypa kishin ne katua,
katër teste qypa, katër teste zgjoje
mbushur me pekmeze, mbushur mjalt’ e hoje!

V

Pastaj – vazhdon halla – patëm disa halle
malet u bën’ fusha, fushat u bën’ male;
fushta u bën’ male, malet u bën’ fusha
humbi dhe floriri varur nëpër gusha!
Dale me gadale humbën gjith’ te mirat
humbi dhe xhanfesi, humbi dha atllasi
prej te katër anëve damëllana plasi!
Humbi arm’ e burrit , humbi pall’ e lar’
humbi rrob’ e gruas kredhur gjith’ ne ar!
S’mbeti ar ne xhepe, ari shkoi e shkriu
s’mbeti gjak ne zëmra, gjaku i burrit ngriu!

Ku ësht’ brez’ i vjetër, brez që s’beri mes?
Dhe që di e shuan dhe që di e ndes?
Flok’ i zi i tyrej si lele asllani
ball i gjer’ i tyrej digjej yll karvani;
fjal’ e fort’ e tyrej një e njësh me vulë
shtati i holl’ i tyrej hedhur sa një kulë!

Ku ësht’ Labëria, Labëri e parë
vënd’ i jataganit, vënd’ i pallës s’larë?
Ku ësht’ zonj’ e vendit, dor’ e llër çelnik
qaf’ e çap’ sorkadhe hedhur me deftik?
Qaf’ e çap sorkadhe, me deftik vërvitur
dhe me thelp lajthi rritur e gostitur?

Ku jan’ ato fëmra, fëmra deli fëmra?
Ku jan’ ata meshkuj me nje teste zëmra?
Njëri musi lisi, tjetri musi shkëmbi
më së fumdi mortja erdhi e i shëmbi!

Ku ësht’ Fejzo Xhafua, dif i vëndit tënë?
Rrapua i Hekalit , burr’ i ler’ me hënë?
Çelua i Picarit, Çelua i Athinës krismat e rrufeve
gjëm’ e suferinës?

E ku ësht’ Gjoleka, kryetrim i Kuçe?
E ku jan’ kemishat permbi gju hajduçe?
E ku ësht’ xhyzdani, folla e pallaska?
Pa këto Arbreshi fare hije s’paska!
Tepër dredharake qënka kjo jallane
E ku jan’ Ajanët, burrat hane-hane
pleqësi e vendit veshur me fustane?
Veshur me fustane, hej…fustan’ e shkretë…
humbën parësia, humbe dhe ti vetë
lisit te gremisur më s’i mbeti fletë!

VI

S’mbeti bor’ në male, bora paska shkrirë
s’mbeti uj’ në fusha, ujët paska ngrirë
Fusha paska dimër, mali paska vapë
sqifi dhe sorkadhi humbi krah e çapë!

Mu në mes na theu dynjallëku i shkretë
nuk na mbetën lule, nuk na mbetën fletë
fletët na kan’ rar’, pendët na kan’ rar’
nuk na peshon bota fare në kandar!

S’mbeti der’ e hapur, humbi salltaneti
humbën zijafetet, humbi muhabeti
Plasën duke thirrur rroft’ e qoft’ mileti
që të rroj’ mileti, u bë kijameti
ja, edhe mileti nashti u bë popull
dhe nga sherr i tia mëndja na vjen rrotull!

Populli si deshi bëri një kanun
që t’i thot’ agait, bujku: “si ti, un”
Si ti, un’ moj motër , dhe s’ta ka për pes’
breh Valiu i Korçës, fare dinglemes
i zot’ i hostenit vjen e të merr pjes’
i zot i femanit mbet me duar në mes!

Musi lesh arapi bota u trazua
duaxhiu i djeshëm sot na u harvua
jo vetëm ha bukën edhe përmbys kupën
po guxon e dashka dhe për grua çupën!


V I I

Mbylle, më thon’ djemt, tepër plak njeriu
bënet mëndje – vogël mu si çilimiu
qënka si çdo plak
ena pa kapak!

Mir’ po un’ s’jam plakë, mermur i harbuar
shtatdhjet’ e dy vjeçë vajti më ka shkuar
Un’ e mbaj mënd mirë, isha goxha keçe
kur u bëra nuse isha njëzet vjeçe
rrojta e martuar dyzet e dy vjet
dhe tridhjet ka burri që ndërroi jet’
bëni mir’ hesapin, dale, me ngadalë
ky harbut memur rrenacak do dalë!

Më par’ kishim hoxhët me divit në bres
shkruanin mbar’ e bukur, shkruanin me kujdes
jo vetëm deftera po edhe duara
dooktor e reçeta s’kish në koh’ të para!
Me këto reçeta, me këto gënjeshtra
u helmua gjaku, u helmua eshtra;
zjarr në zemër s’mbeti, vajti e u shua
dale me gadale burri u bë grua!

E ku qënka parë e ku ësht’ dëgjuar
që të hapi fëmra gji e kraharuar
dhe të shkoj’ përpara, burri t’i vej prapa
ky pa hedhur çapën, femra hedh tri çapa?

Nuk i merr kalemi gjith’ këto hesape
kur që dor’ e burrit futet në çarape
llër’ e gruas dolli lakuriq në shesh…
Gjën shejtani shesh edhe bën përshesh !


VIII

Mir' për na të parët s'mbeti fjal' e vend
brez'i ri vall ç'pati që u prish nga mend?
Gjeti çar nuk gjeti, pati çar nuk pati
amanet nga nëna, amanet nga ati
gjith'ato zakone, gjith'ato zanate
gjith'ato që ishin burime, irate
si ato të burrit dha ato të fëmrës
thell' e thell' rrënjosur mu në thelp të zëmrës
dhe për vendin ishin eshk' edhe stërall
që në gji të burrit zjarr' e mbajn gjall'
zjarrin e Arbëreshit, zjarrin e vatanit
zjarrin që bën vendin, vend i jataganit!
Sidomos, moj motra, punën e tezgjahut,
qe punonin zonjat me fuqin' e krahut
me djersën e ballit
punra që tregonin shpirtin e te gjallit;
guna e mëngore, linja e jelekë
leshin na i çonte stani deles bejkë;
gjith' ato që ishin prokopi e tija
dhe për hera mbahej shtëpi e fëmija
gjith' ata që thoshin: "jemi gjith' Arbresh"
keq a mir' të ishin dhe kudo të jesh
një nga një i hodhën mu si gun' të grisur
deh, moj kok' e krisur, puna e mavisur!

Një nga një i hodhëm mu si gun' e vjetër
dhe nuk qem' të zotët që të bënim tjetër
Papo mbetëm drangull…në shi e në diell
mbytur nëpër halle thell' edhe më thell’

Mbytur nëpër halle si nje frënk myflis
me një pallto kashte hedhur mbi kurris
dhe një palo shapkë me një pal' shallvare
dhe më keq akoma, që nuk vete fare
veshur benevrekë ose një poture
dhe në rrip të mezit varur një kobure!
Jemi bër', moj motra, ç'far' të them nuk di
gjysm' e trupit zok, gjysm' e trupit mi!

XI

Ku jan' ato kohra, kohra të ergjëndit
kur na sillej qjelli si baba i vendit?
Po ashtu dhe shiu, po ashtu dhe djelli
kurse na i deshim binin që nga qjelli;
me të hapur gojën qjelli na i çonte
mu në mes të vapës shi flori pikonte!

Ku jan' ato kohra të ergjëndit
që dhe hëna sillej mu si nën'e vendit?
Pra dhe beja bënej po për hënë
po për atë nënë
për diell, e për qiell
dhe për atë zot q'ësht' më i thell'!

Nashti kur betonet burri thot': "per nder"
be' e par' dhe feja mbeti pa një vler';
bota u çkallmua puna u trazua
burri u bë grua, femra u harbua
hoxha e u bë prift, prifti u tërbua
dhe, gjynah mos qoftë, bënet mish e thua!
vera u bë dimër, dimri u bë bishë
shiu na i kalbi mish edhe këmishë!

Gjëja më e vyer mbeti pa një vler'
e pra hund e botës duhej pakëz thyer…
Edhe mir' u thye
pa kapell' në krye
mu si njeri pylli
humbur vul' e ylli
del e shetit burri…
Vdiqen duke qeshur turku dhe kauri!
Çdo gje e ka humbur, humbi dhe pusullën
s'ka në dor' as kokën që të vër' kësulën!

X

Kor atë qe mbolle, thënka fjal’e vjetër
ja, nga an’e zotit dhe vrejtje tjetër:
vinte ramazani, dimër qoft’ o verë
kthehej nga Qebeja hëna, me një herë!
Nashti edhe hëna zuri shkon vëngër
Pasi kemi ndjekur udhën më të shtrëmbër!

Pa veshtroni hoxhët që aty më parë
shkruanin si desh’ zoti, me kalem të mbarë
vinin nga e djathta, venin në të mëngjër
nashti, t’i haj’ ujku, zun’ e shkruajn shtrëmbër!

Gjith’ këto gjynahe nuk i lan as deti
duket që afroi koha kijameti
Thënka dhe qitabi: rob’ i kësaj jete
dale me gadale nuk do jet’ në vete
sa që do harrojë portën e gjitonit
sa që do peshtetet’ degës së rigonit!


XI

Halla aty heshti, hoqi thell' në zemër
diçka iu kujtua, sikurse një ëndërr...
Një kujtim i vjetër erdhi e qëlloi
si një yll i djegur flak' e fill kaloi!
"Ai" i kujtonet, veshur me fustane
në një dor' tespihet vark e radh' merxhane
dhe në dorën tjetër një çibuk sermaje
rrahur me sadefe, gurë qehribaje!
Vula dhe sahati varur për mbi gryk'
dhe mbi supe hedhur atë goxha qyrk
Dredhur dhe mustaqet, dredhur e përdredhur
brenda në silahe dy pisqolla kredhur
Kredhur dy pisqolla dhe harbin'e artë
shpatullat një pash, koka atje lartë
varet nga haremet, zbret ne zapanara,
zapanat' e shkreta, zapanat' e para!

Kur ia hipte kalit, kali qyhelan
edhe shkon revan
edhe qahjaj pas
me një dor' në vithje...zëmra fryhej gas!
kali si dragua
katër vetëtima shkrepte një potkua!

Ah! - thot' Hanko Halla, - kur ish "Ai" gjallë
kurr' nuk bënte "gëk" njeri në mëhallë! -
"Ai" na thot' Halla, - pasi fëmra kurrë
s'mund t'i flas' në emër burrit që ka burrë!


XII

Tym e re e mjegull dhe në mes të saj
çquan një drit' kandili terur e pa vaj...
çquan një drit' e varfër, çquan një drit' e shkret'
s'ka fuqi të digjej, ka fuqi të vret
si nje sy i bukur, flak' e lot shteruar
gati për t'u mbyllur, gati për t'u shuar!

Çdo kujtim i ëmbël po kështu na duket
kurse dit'e jetës ngryset edhe myket
Kurse dit' e jetës iku e u ngrys
duket sikur bota vajti u përmbys!

E ...çfar ësht' kjo jetë? Nuk e di kush thënka
qënka mos na qënka, një kujtim na qënka
Vdiqe - të qan tjetri, linde - do qaç vetë
midis të dy lotve një kujtim i shkretë


Pjesa e dyte

I

Hallës nuk i hahet, Hallës nuk i pihet
me të ren’e saja fare s’po i kihet
Nusen nuk e dashka sa në od’ s’e qaska
dhe që kur se erdhi, hal’ në sy e paska!

Dhe që kur se erdhi Halla paska thënë
nuk më duket nusja nuse për të qënë
Lum shtëpi e babës diti dhe e nxori
mjer’ shtëpi e burrit, ra në lak e mori!

Tani – vazhdon Halla – si do ia bëj hallit?
Çar t’i bëj zemanit, pa për sy të ballit
do i thoshja djalit jepi pak e hak
edhe ktheje prapa, bosh me tre tallak!
Shko andej nga erdhe, erdhe kot së koti
se paraja kallpe vete te i zoti!
Çar t’i zemanit, shum’ zeman i keq
shum’i rënd’ për plaka, shum’ i rënd’ për pleq
hoxha nuk trazohet, kadi’ nuk na mbeti
me të tilla femra hall i math na gjeti
Hall i math me nuse, hall i math me çupa
një lëkur kunadhe hedhur përmbi supa
tunden dhe lëkunden dhe në mes këputen
nëpër duar të shkasen, po në zëmra futen!

Pun’ e tyrej vetëm lahen edhe lyhen
edhe nëpër valle ven’ e vin’e thyhen;
Femra me një mashkull, vallja vet’i dytë
plasur dell’ i ballit, më u plaçin sytë!
Gjith’ me flok’ të prera
jo alla garsone, jo alla bebera
me një llër të freskët nëpër djell të thekur
me një trup të zeshkët nëpër kum të pjekur
gji e gusha hapur digjen ylyver
me një mes të hollë gati për t’u thyer
Me një buz’ të kuqe shum’ e shum’ të nxehur
dhe me atë vetull tej për tej të prehur
me ato veshtrime mu sikur të lutet
gjan se halle-madhes shpirti i këputet;
me ato kapelle varur gjer në vesh
zjarr’ i xhehenemit dolli krejt në shesh!
Jo, moj xhane, kurrë s’mundem që ta heq
që të thon’ se nusja ka një huq të keq;
na fle e na ngrihet kur asaj i teket
dhe i bën qepallat sikur qan e meket!
Brënda s’e mban vendi, gjan se u çkallos
jasht’ na shkon përpara si një koçollos
me dit’ e me orë zgjatet e mbufatet
me hije të saja afër darkës matet!

II

Nus’ e kësaj kohe tjetër zanat s’paska
a do marr’ kalemin që të bej’ larska
a do zër të shkruaj ose do dëgjojë
një kuti të vogël që na flet me gojë
Një kuti të vogël që mos qoft’ të jetë
ësht’ një frënk i marrë, çirret e bërtet!

Me një biz’ në dorë bën sikur punon
këmbën përmbi këmbë nusja e dëgjon;
dhe çudi, moj motër, si e qysh duron!
Duket nga një herë zëri e lëndon
frëngu rri i qetë ose do bërtas’
nusja e humbet dhe i vete pas
frëngu e ngre zërin edhe sokëllin
nusja e lë përin edhe vërshëllin;
ai flet me vete, flet e flet perçartë
nusja s’ësht’ në vete, bënet më e zjarrtë!


III

Halla do nje nuse, nuse gojaplote
si nje zall te bardhe, si nje zall te forte,
me shami ne krye an’e mban’ qendisur
dhe me flok’ te gjata prapa arratisur;
dhe me flok’ te gjata deri mu ne mes
mu si nat’ janari sa te thell’ te zes;
me shami te holle ball’ e faqe hedhur
sa t’i duket syri ne qepalle kredhur;
me flori ne gushe hapur mu si prush,
si t’ju them, moj motra … pjergulla me rrush!

Rrall’e tek te duket, rrall’e tek te flas’,
nje thellez’ e bukur mbyllur ne kafas,
mbyllur ne kafas nje thellez’ e bukur,
mu ne mes te reve hena ne te dukur,
mu ne mes te reve si hen’ e si yll
ose si nje xhinde fshehur ne nje pyll!
Halla do nje nuse si edhe i biri
rrenje prej ergjendi, degat prej floriri,
me te folur Halla, nusja te hap’ syte
“Lepe” fjal’e pare, “peqe” fjal’ e dyte;
edhe asgje tjeter, vetem “lepe”, “peqe”
pasi zemr’ e Halles qenka si nje qelqe:
po u thye, vajti, s’ka me, ngjite, qepe,
zogu i plagosur di te kap’ me sqepe!

IV

Cupa – tregon Halla – nuk stoliset fare
qe ta njohen bota zogezen beqare;
po kur benet nuse, nusja do te niset
me fleta me lule pema do stoliset!

Dora me kenah, koka me mazi
dhe ne cep te syrit nje gjekafsh te zi,
“sevap” e “xhaiz” esht’ disa pika ere
sa t’i njom cullufet fresk’e bukur prere!

Hajde dhe shamine, sado esht gjynah,
lere qe ta lidhi shtrember ne nje krah!
Po te sillet bukur si dhe grat’ e para
sidomos - thot Halla – dua temenara!

Temena e shkrete humbi si nje enderr
vjen te merr nga sheshi dhe te ve ne zemer,
pasandaj te merr nga sheshi dhe te ve ne zemer,
pasandaj ne buze, mbasandaj ne koke
aty ku esht’ vendi per miq’e per shoke!
Aty ku ish vendi per miq’e per shoqe,
kurse nashti femra, kokerr dhe karroqe,
vjen ta ben me koke, pasi tash po thuaj
na u ben’ frengesha brenda disa muaj!

“Me nje her’u beme
Zoti ia beft’ frengut shapken sa nje leme”
than’ e bjer per dita rroba te mendafsha,
rroba te mendafsha, rroba kasht’ e bar,
nusja per nje manto jep dy grushte ar!

Gjith’ pazarin nusja mu ne od’e futi,
na u be shtepia magazi cifuti;
rroba per pasdreke, rroba per mengjes,
rroba per ne mjegull, rroba per ne ves’,
disa per ne banjo, disa per ne kum,
disa kur t’ia beje nje daulle bum;
Disa per ne cajra, disa per ne valle,
ruana zot dhe rroba per ne kanavale!
Disa per ne dimmer, disa per ne vere,
tamem sa per vjehrren qe te fryhet vrere!

V

Mir’se mendjeshkurter femra u harbua,
burri q’eshte burre c’ka qe benet grua?
Cdo gje ka mgjare, po kurr’ edhe kurre
doren e nje femre nuk e puth nje burre!

Pa me thoni, zonja, si ka sy e faqe,
si mundet e benet mashkull pa mustaqe?
Kurse be’e burrit, beja me me hije
dora ne mustaqe benej deri dije
dora ne mustaqe edhe mos u tund
pasi fjal’e burrit aty merret fund!

Cdo gje u ndryshua, cdo gje u shkallmua,
koka u zbulua, kemba u mbulua,
kur ne kohrat tona, me te hyr’qe hyje,
kundra mbetet jashte, festja permbi krye;
nashti futet brenda cdo kepuc’e lyere
dhe kapell’ e paster varet permbi dere!



Pjesa e trete

I

Halla paska pritur me them' e të thash',
sa u rrit shelegu edhe u bë dash;
nusja, ajo nuse, ndiz' e fal' cingar,
më shum' nga cingari nusja merret zjarr!

Nusja, ajo nuse,...ari i shtëpis'
bëri këmb' e iku, xhepi u vithis.
Ari i shtëpis' bëri këmb' e iku
kur një nat' pas darke, një kokosh: kikiku!

Ish kokosh'i Hallës, një kokosh i bardhë
një kokosh që shokve nuk iu linte radhë,
kur ia thosh' i shkreti hipur përmbi shkallë,
zër' i tij, moj motër, ruante shtat' mehallë!

Atë nat' - thot' Halla - bëri zë pa kohë
na u prish dhe moti, bëri shi e llohë,
koha u ndryshua, moda u ndryshua,
"Dua dy pal' rroba" nusja u harbua,
njërën do klosh, tjetrën ohohosh,
zuri borxh'e parë dy mij' e ca grosh!

II

Një dit' më thosh' nusja, gjëra për të qeshur,
sa më ra krahut dhe këmish' e veshur:
"Hall' në ke të holla mbetur e kursyer,
lëri në një bankë, vëndi më i vyer!"

Nuk e dinte nusja fjalën e të parit:
- Haje o i mençur, mallin e të marrit -
Ari, bija ime, ari i kursyer
vëndin e ka bukur brënda në qemer!
Me të thirrur : xhep!
xhepi të thot' : lep!
Ari në qemer, foshnja përmbi bel,
na i tha i pari që shikonte thell'!

Ka edhe të tjera, fjalë q'i merr era
mir'po nga një herë nuk i nxë as dera
ç'pret nga brez'i ri?
Gjëja më çudi s'quhet më çudi!

Nusja paska parë në qitap të ri
që përpara ligjit jemi një lloji,
edhe uní, moj motër, zëre nga t'a zësh
me këdo një grua qënkam një e njësh!

Mir'i thash, moj bijë, po qitap' i vjetër
thënka një gjë tjetër:
Syri do t'i plasë, dora do t'i thyhet,
dora e mameshës që s'ju preu kryet
dhe ju la bela,
zjarr në xhep për burra, hal' në sy për gra!
Nashti jam mësuar
mu si maj' e malit me dëbor' ngarkuar!

III

Halla thot' të drejtën, nusja kur të flasë
para Hanko Hallës, fjalët mir' t'i masë;
nusja eci mëngjër ose shikoi vrëngër,
s'ka të bëj', se Halla, ka një deli zemër.
Femra në ka një, Halla na ka dy,
dhe sado që fajin bam ta thot' në sy,
sa her' na ka falur! Nusja na lajthitet,
kok'e falur s'pritet!

Të rinjt' e të rejat jan' si dita prilli
rriten dita-ditës dhe si trëndafili
her' i deh bilbili, her' i deh veriu
her' po kot së koti dehen vetvetiu.
I riu - veriu thënka dhe i pari
fjala e të parit vlen më shum' se ari!
Si e re që është edhe nus' e Hallës
derdhet mu si vala, vala i ngjan valës;
po sado të derdhet mu si val' e detit
nonjë dëm s'i bëhet detit e kismetit!

Shkoni e shikoni valën që valon,
se sa shum' gjëmon, se sa pak gjykon'
me re' e me erë zë e guduliset
tundet e lëkundet dhe nga shtrati niset;
fryhet edhe fryhet duke ngritur kryet,
pasandaj i teket anës detit thyhet;
njëra shkon përpara, tjetra turret pas
njëra do përplaset, tjetra do pëllcas';
si e si të bëjnë sa shum' e shumë
mbi kurris të detit buj' e zhurm' e shkumë!

Mir' po deti det
dhe asgjë s'humbet!
Dhe sado që duket se u bë rrëmujë
deti si përhera rrafsh e plot me ujë!

Pjesa e katërt

I

.......................Shpirt e xhanë,
eja, më thot' nipi, vemi në Tiranë,
eja, Hall', të lutem se do bësh sehir
zonja shum' të mira, burra shum' të mir'!

Lëm, të keqen Halla, ti më rruash të paça
un' për her' të fundit do të dal, në dalça;
e do dal, do iki dhe do shkoj për jetë
në sehir të fundit, në sehir' të shkretë!

Un', mor djal' i Hallës, nëna e shtëpisë',
kam një tuf' me halle varur mbi kurris;
kam një tuf' me derte, kam një tuf' me halle
nga ato që zbardhën vetull e qepalle;
e i thash' i thashë...Djali, me shum' mall
eja, nguli këmbët xhan' e shpirt, o Hall'!
Desha dhe nuk desha,
hodha namazbezin, mir' e mir' u vesha,
dhe që atë ditë hipëm në kaike,
ish për her' të parë që po veja mike,
.......................mike në pampor;
prita edhe prita, po sa prita s'di
.......................mbas nonjë orë,
.......................si i thon' nashti,
pasi dhe sahatin, sahatin e gjorë,
që kur na e prishën edhe e bën' orë,
- na u bë dhe koha fare li e lesh,-
sahatin e saktë nuk po e marr' vesh!

Prita në pampor, prita kot së koti:
as e zonja erdhi as edhe i zoti;
"Mirseerdhe, moj zonjë" njeri nuk më tha,
frëngun dhe frëngeshën ujku që s'i ha!

Un', thot Hanko Halla, sado që kam rar'
matem e peshohem me flori e ar;
na jemi si rrëza, mu si rrëz' e djellit
që sado që bije lart nga maj ' e qiellit,
bije nëpër male, krahu nuk i thyhet,
bije në moçale, këmba nuk i lyhet!

II

Pasandaj pampori fryti e u nis;
si kërcasin muret, muret e shtëpis'
si kërcasin muret kur i rreh tërmeti,
po ashtu kërcisnin kur i rrihte deti
eshtra e pamporit; mirpo më së fundi
..............................diti si e tundi!

Kur i vinte vala, bënte sikur kridhej,
kurse valës tjetër drejt për drejt i hidhej,
aty valës dukej anës do ia mbante,
kurse valën tjetër mes për mes e çante!

Ball' i bëri bukur detit të tërbuar,
një dybek i rrihte mu në kraharuar;
dank e dunk dybeku...un' sa jesh kumbisur
kur dëgjoj ca pula tue kakarisur!
Tepër u habita, qënkemi në Vlorë
apo harroj udhën ky i shkret pampor
dhe u kthye prapa? Po në mbeçim udhës?
Kur dëgjoj që thoshin : "kena mrri në Durrës!"

Që thoni, moj zonja, erdhëm në Tiran'.
Po kur disa femra, m'u bëfshin kurban,
disa qyqe femra me një qoshe mbledhur
ferexhet e zeza përmbi krye hedhur,
koka e mbuluar, këmba e zbuluar,
ruana zot nga fëmra kurse ka çkalluar!

Thon' se nga një herë këto ferexhera
....................................diku i ngrë era,
brenda duket zogu ball' e gush flori
që i thot' Tirana "zogëza kumri";
qënka guguftuja që i themi na,
mirpo ësht' gjynah, s'mundet "me u pa"!

Afër disa meshkuj, veshur, po si veshur?
disa për të qarë, disa për të qeshur;
në krye në këmbë pa shije pa hije,
çfar' t'ju them moj motra, pika që s'u bije!

Disa për të qeshur, disa për të qarë,
s'paska më shqiptarka, s'paska më shqiptarë!
Ku jan' ato rroba, rrobat e të parit
rrobat që peshohen me dërhem të arit?

Tej një shesh i gjërë bota jep e merr,
edhe një gjëlpërë s'ka se ku të bjer';
zonja e zonjushe si thëllëza fushe
mu si pika ari, mu si flori gushe;
dy nga dy po ecin, me bërryle shtyhen,
në se u hedh dorën, me një her' do thyhen!

Me një her' do thyhet mez'i holl'i vajzës;
hedhur si lastarë, hedhur si billonja;
zonja mu si çupa, çupat mu si zonja;
palët mu si valët, shkon e vjen një tjetër,
duket than'e juqe edhe fëmr'e vjetër!

III

Blegërin një dele, tingëllin një zile,
bota paska halle, hallet me kaçile;
hallet me kaçile, halle prej Tirane,
lum Tiran' e kuqe mbushur me zeshkane!

Mir' po - vazhdon Halla, pakëz e çuditur,
rri si rri sorkadhja, çap e vrap lajthitur -
mir' po ra mëngjesi, rrugët do i pëllcasën;
lozën edhe karta, birçe ose briç
çekan e çekiç në kok' e godiç.

Folu, nuk të flasën; ktheu, zën e shkasën
dhe më cep të syri din' se si të vrasën.
Dhe ajo që duket ëngjëllush'e butë
në një shishe brënda dy shejtane futë;
llëra lakuriq, këmba lakuriq,
demek sa për mua ...edhe burri vdiq!

IV

Hanko Halla isha, Hanko Halla jam
Hal' në sy i kisha, hal' në sy i kam
Nuk më mbushet syri, nuk më mbushet zëmra,
nuk më piqet ylli me të tilla fëmra!

Mir'po - vazhdon Halla, - edhe psherëtiti, -
aty nga del fjala do më dal' dhe shpirti;
pa do them të drejtën se më bënet derte,
cilido gjynahun le ta ket' për vete,
kur i pash' të parat, desh më zuri frika
kur i pash' të dytat...dhe iu rëntë pika!

Ato në mos qofshin, këto për të qënë...
duket pem' e bukur që ka mbir' me hënë;
duket pem' e bukur që me hën' ka mbirë
dhe që asaj dite ish sahat i mirë:
Porosita djalin: - Në se të kam djalë,
ik e i thuaj nuses të m'a bëj hallallë! -

V

Aty Halla heshti, hoqi, psherëtiti,
një kujtim i vjetër erdhi e goditi...
Kur ish Hanko Halla nuse topi 'i borës
kur "Ai" e mbante në pëllëmb' të dorës,
vishej edhe ngjishej sikurse një flutur,
sikurse një flutur nëpër fleta futur!

Sako dhe tumane...ar edhe mëndafsh;
varur pendolirat...shko një her' më qafsh,
shkonte si veri e vinte si tallas,
këmba, si krah zogu, s'linte gjurma pas!

Halla ish nje lule, dhe nga ato lule,
syri me ta parë, mu në gjunj u ule.
Ajo ish një lule, po edhe "Ai"
ish për atë lule një saksi flori.
Fund'i fjalës Halla ish një dallandyshe,
si ish e si qënka...jan' dy gjëra ndryshe!



Vlora, Vlora!


Jam vlonjat e jam vlonjat,
e kam shkabën mëm' e atë,
shkaba trime dykrenore
fron' e saj e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s'e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!


Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,
s'duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
di bëj luftë me të shtat'!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, t'u lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!


Ç'do të thotë patriot?

Ç'do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tuf' ah e një tuf lotë,
një njeri i pa njeri!

Jo, jo! Burri i bën ball'
do buçit si val' mbi zall,

Sa më zi edhe më zi
sido qoftë pun' e tij,
copë-cop' i bënet buza
po aspak s'i falet shpuza.

Sikurse një gur stërrall,
në gji zjarrin e ka ngjall,
qoft në lum' e qoft' në det
zjarr' i tija nuk humbet!



Do t'i shtrydh të dy sytë

Un' jam un', saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un' e nisa e stolisa me ç'i jep e s'i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz' e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash' hijem nëpër hije er' e shije
i dhash' shije poezie, gjith' fuqit' e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ar' e diellit me tallaze, ar' e hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije...

Po u bë ajo që s'bënej, si, pra, zemra do duroj',
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un'saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj' në gji të huaj?

Un' e nisa i stolisa me ç'i jep e s'i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz' e gushë ja qëndisa
buz' e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

Më së fundi i dhash' lotin, kryepajën time pajë
i dhash' lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj'
i dhash' vjershën time valë, dy herë valë tri her' zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr'
këng' e marr' e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t'i shtrydh të dy sytë nëpër gjurma të asaj!



Vetem jeta s’mund te matet

Dhe ajo qe m’u duk mua e perhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, me la vetem nje kujtim
S’di, i ziu, c’eshte kujtimi: Vetem shkrep si vetetime
e me ndrit e me tregon gjurmezat e zoteris’ sate

Thone lindi me kemishe, per ate qe paske fate’
meqe une te dua ty, paskam lindur me kemishe
s’di, i mjeri c’eshte kemisha, vetem ish ashtu si ish
midis mishit dhe kemishes futej dor’ e zoteris’ sate

Thone paska paraise, gjith’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
s’di, i ziu, c’eshte hyrija, por hyrirat me te mira
s’mund te ken’, t’u befsha une, ate zjarr te zemres sate

Paska vende gji-ergjend e pallate me shtate kate
ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
s’di, dhe s’di, se c’eshte kaçupi, me pelqen me teper kupa
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mekate

Dy te tretat e nje kohe, te nje shekulli qe vate
vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
s’di, i ziu, se ku vane, vetem jeta s’mund te matet
vec me ditet qe kalova, ne prani te zoteris’ sate


Nje veshtrim i arratisur

Nje veshtrim i arratisur
Nga qepallat e qendisur
Ku eshte shpirti im skalisur,
Nga dy syt' e zez te tu
Vjen me thote ashtu-keshtu!

Me thot' jo edhe me ndez
Me thot' po edhe me vdes
Nata zgjatet edhe zgjatet
Ah kjo nat' me or' nuk matet!
E un' mbetem duke lutur
Lutem yjeve te keputur.

Dhe un' lus e kerkoj ty,
Ate vetull, ate sy!
Se ne syrin tend te zi
N'ate sy te zi, mazi
Shenj' e buzes sime duket
Si nje prush ne re kur muget!


7 PRILL 1939

Shtatë prill...
Kopilove o kopil
E u lute u këpute
Njëqind pash në dhe u fute!

Natyrisht një tradhëtor
Spor e fisit arbëror
E pret hasmin me daulle
Kur gjen ditën ta bën pulle!

Na e gjeti dhe na ra
Vret Shqiponjën që s'u vra
Nuk u vra dhe nuk do vritet
Posht perpjet me vrull vërtitet!

Ja dhe hymni që na thurri
Hymn'i zi i një qivuri:
"Eja, eja alala
Të na rrojë Duçeja
Duçeja guguçeja
Le të rroj’ edhe flamuri
Sa për sy e për bela!”

I pabesi ta dij’, pra
Ndër kasolle me një tra
Që nga Shkodra gjer në Dropull
Rron ai që i thon’ popull!

Ajo dor’ që rreh dybekun
Di ta mbush edhe dyfekun
Në se ditën çan ugar
Edhe natën thurr litar
Thurr litar e kalit grushtin
Dhe e var nga këmbët pushtin!



Koka ben e koka vuan,çke moj zemer qe renkon!

Njeher' varet trikollari, heren tjeter kryq i thyer...
Paska rar' hallva prej qielli e ja nis nje dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele per te ber' nje stan te ri!

Shitet vendi per para, me para e per para
Benet burri telendi, dy para nje maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zerit te atdheut hund e tyre shtate sqepe!

Duke blere e shitur ere, dikush benet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte vere,
Milioneri yn' i ri
Para shokut te dikurshem vari buz' edhe turi!

E perhera me dy faqe, qe te haj'e qe te bluaj,
Ne nje kohe mbi dy frona, ne nje çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, ne nje xhep e dy flamure
E hedh kemben me daulle edhe turk edhe kaur!

Na te urt' e te mendafshte s'qeme te zot te benim ze
Ku fillon me thash e theme hij' e vetes te perze;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kenga ndryshe
E ç'kerkon ne gji te gjembit te kendoj' nje dallandyshe?

Mirpo vendi paskish zemer, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e degjon thelle, di te vesh, edhe te zhvesh
Tani eja e t'ja themi asaj kenge qe ja thone:
Koka ben e koka vuan, ç'ke moj zemer qe renkon?!


Ali Asllani-Nder i Kombit
Veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare për krijimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, diplomatit patriot dhe poetit lirik që hyri në letërsinë shqipe si një ndër krijuesit e rrallë të poezisë”.



Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi , më 15 nëntor 2011, në një ceremoni të veçantë e solemne, një ndër diplomatët e funksionarët e parë të lartë të shtetit shqiptar, atdhetarin e poetin e shquar Ali Asllani (Pas vdekjes), me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në mjediset e Presidencës, ku ishin të pranishëm familjarë, shkrimtarë, personalitete të artit dhe kulturës, pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe leximit të dekretit, Presidenti Topi u dorëzoi familjarëve të zotit Ali Asllani urdhrin e lartë dhe dekretin, me motivacionin:“Veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare për krijimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, diplomatit patriot dhe poetit lirik që hyri në letërsinë shqipe si një ndër krijuesit e rrallë të poezisë”.

Pas marrjes së dekoratës, duke shprehur falënderimet për vlerësimin e lartë, nipi i tij, zoti Ardian Asllani u shpreh: “Ndihem shumë i emocionuar. Shpresoj se do të shprehja dëshirën tuaj, të të gjithëve juve, duke falënderuar Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, për këtë nder që na bëhet, për këtë vlerësim që besoj se u takon të gjithëve ju, të gjithë kombit shqiptar, sigurisht edhe familjes! Për mua, edhe për të gjithë ne, sot është një ditë shumë e veçantë me vlerësimin e figurës së Ali Asllanit, megjithëse pas vdekjes, sepse ai gjithmonë kishte pritur për të marrë një vlerësim gjatë jetës, por edhe kjo, për ne sot është një vlerë. Të vlerësosh një figurë, sot është një vlerë për gjithë kombin. Unë do të doja një falënderim të veçantë t’i bëja institucionit të Klubit të Shkrimtarëve “Drita”, që ideuan, bashkë me zotin President, dhe menduan këtë lloj vlerësimi, si dhe Klubin “Petro Marko” dhe gjithë personalitetet e artit, që marrin pjesë në këtë ceremoni-nderi.
Gjithashtu, mirënjohje gjithmonë të thellë për organizatorët dhe për zotin President! Ju faleminderit!”

Kreu i Shtetit, theksoi: “Besoj që është dhe kënaqësia ime e veçantë që nderoj një figurë kaq të respektuar. Ju, i nderuar mik, thatë që ai kishte shpresuar në një nderim më të shpejtë. Në funksion të kohës, mund t’ju them që prania e kaq njerëzve këtu, e njerëzve të nderuar, përkushtimi i tyre për të realizuar një procedurë dhe për ta ndjekur atë deri në momentin e finalizimit, është dëshmi e një vlerësimi që i bëhet kësaj figure që sot është “Nderi i Kombit” në distancë kohore. Eksperienca ka treguar dhe vazhdon të tregojë që njeriu, sa është gjallë, sa është në detyrë, rrethohet nga miq të sinqertë, por rrethohet edhe nga servilë, rrethohet nga miq të vërtetë, por edhe nga miq ‘përfitues’. Dhe natyrisht me kalimin e kohës, ato figura, që i rezistojnë kohës dhe ato që nderohen edhe kur koha kalon me shumicë, rrethuar me kaq miq, me kaq përfaqësues të nderuar, të familjeve të nderuara, të Klubit “Drita”, që vepron prej vitesh në Greqi, patjetër është një vlerësim më se i merituar dhe një vlerësim me nota maksimale. Kjo figurë poliedrike, e cila na jep mundësinë që jo vetëm të krenohemi, por edhe të na motivojë për ta studiuar në të gjitha planet e veprimtarisë së tij, patjetër që është një kënaqësi e veçantë për cilindo, për një qytetar të thjeshtë, për një profesionist në një fushë të caktuar, për një shkrimtar, për një politikan dhe për një President. Kështu që sot, më lejoni që ta ndaj këtë vlerësim dhe këtë kënaqësi me njerëzit e familjes, me ata që e propozuan, me ata që e mbështetën. Dhe padyshim, Ali Asllani do të mbetet në jetë të jetëve një figurë e ndritur e kombit shqiptar!
Urimet më të mira dhe uroj që pasardhësit e kësaj familjeje të dinë ta çojnë pikërisht në ato nota që ai e ka mbajtur në kohë shumë të vështira! Urimet më të mira!”

Në emër të shkrimtarëve përshëndeti kryetari i Klubit “Drita”, z. Nase Jani


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...