2012-07-01

Rrustem Geci-Ese letrar për librin e Skënder Buçpapjt, „Frikë nga atdheu“









RRUKË, MRRUKË, NDRRUKË…




( Libri i Skënder Buçpapajt, „Frikë nga atdheu“ është një thirrje hyjnore e mbijetesës poetike e cila është e nevojshme në kohën tonë më shumë se kurrë, për të mbajtur gjallë diellin në vargjet tona. Shkrimtari, publicisti dhe eseisti Skënder Buçpapaj është vendali i Tropojës epike. Ai ia njeh nga afër zemrën Shqipërisë, dhe frymën e ajrit që Shqipëria e konsumon. Buçpapaj një disident malsor nga gjigantet e alpeve shqiptare, ka një jetë që i bie me çekiç mureve që ndajnë!..) Nuk jam as Platoni as Jezui, por një shkrimtar që do udhën për tek nëna, tek gjiri i saj, tek jeta e saj, tek Gjylë Buçpapaj. Me këtë parathënie poetike hapet libri i shkrimtarit, Skënder Buçpapajt ”Frikë nga atdheu”. Brendia e poezisë të Skënder Buçpapajt, është poezi e gjerë, e thellë, me leksik dhe figurë shumë të pasur. Në poezinë „Tamël zanash“, poeti Buçpapaj, na e shfaq gjithë fuqinë e tij poetike, njeriun poetik të truallit tonë. Hënën e marrin nëpër fletët e aheve / dhe e shndërrojnë në tamël zanash / nëpër krojet fund ashté…tamlin e zanave foshnjat e pinë…Vargje vërtet të bukura, të përkryera, perla. Evat e sotme vazhdon poeti, janë të krevatëshme,../ ato e dinë se në parajsë, ai që i ka falë do t´i presë pa asgjë…Libri poetik i Skënder Buçpapajt „Frikë nga atdheu“ është i konceptuar nga shtatë cikle, dhe brenda ka 210 poezi. Gama poetike në poezinë e Skënder Buçpapajt është e gjerë.



 Arti poetik i Skënder Buçpapajt është i ngrohtë dhe mbresëlënës. Në poezinë „Ndërsjelltas“ poeti shpërthen si në asnjë pezi tjetër; Tani asnjë rrugë s´duhet të të sjellë te unë/ bëje të pamundurën që asnjëra prej tyre të të mos sjellë te unë / vërtiti nga të duash rrugët / ngatërroi si flokë një vit e më shumë të pakrehura / bëji lëmsh e hidhi në zjarr rrugët / edhe nëse betohesh se të gjitha të sjellin te unë / bëj të pabërën, shpik të pamundurën…/ vdis, zhvdis, jeto, çjerto / Mos shkel në asnjëren prej tyre / Të bëhem unë dëshmitar …Në këtë poezi himn, poeti Buçpapaj, tregon se është gjigand në letërsinë tonë të bukur. Disa nga poezitë e Skënder Buçpapajt mund të quhen rrëfenja, rrëfenja poetike model. Në kohën tonë poezisë nuk po i shkojnë punët dhe aq mirë. Ajo here-herë qan, i dalin lot. Tyrifilët, ata që e zgjyrin fjalën e shenjtë të poezisë, e ndotin me gjithfarë baltërash, ata janë bijtë e mjegullave të palara,.. Rrukë, Mrrukë, dhe Ndrrukë…Poezia e Skënder Buçpapajt është poezi e mirëfilltë, poezi e cilësisë së lartë, poezi e idesë së luleve. Në poezinë „Rrugës së ashtës“ poeti Buçpapaj na shpie në një ambient të virgjër poetik. Rrugës së ashtës / kam shkuar shpeshherë / pa më vënë re…të takoj… popullin e ashtës,..ketrat, arinjtë, zogjtë, zvarranikët, krimbat.. Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është krejt e veçantë nga poetët e tjerë. Duket e thjeshtë, por shumë diell dhe jetë ka brenda. Ndërsa, në poezinë „Guri kalbur“, Buçpapaj bën një gjetje të shkëlqyer, dhe përdorë një figurë krejt të veçantë nga poetët e tjerë. Në fund të kënetës ushqen klorofilën e lëmashqeve / Në zemër i lëshon filiz ëndërra/ ëndërra e shëndërrimit në baltë… Ndryshimi mes idesë së luleve dhe gurit të kalbur është se as lulja dhe as guri nuk kanë as kujtesë, as kohë. Realizimi poetik i autorit këtu është i përkyer. Dramaturgjia poetike e figurave; Rrukë, Mrrukë, Ndrrukë, shkruar nga autori Buçpapaj, është një gjetje nga më të realizuarat në poezinë moderne shqipe. Librin „Frikë nga atdheu“ unë e bleva para pak ditësh në Prishtinë. Dhe jam i befasuar për të mirë me vlerën poetike të librit. Meqenëse librit i kam bërë dy lexime, vlerësimet e mia kanë të bëjnë me një libër vërtetë të arritur. Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është nga më befasueset. Në poezinë, “ Nëpër fletët e aheve”, po edhe në poezi të tjera, poeti ka zgjedhur një ambient të paprekur poetikisht. Askund më të kulluar / se në fletët e aheve / agimin nuk mund ta kemi / prandaj, kullojeni nën kullojsen / e fletëve të aheve… Kjo ese është një ftesë për të hyrë në brendësi të librit, në brendësi të shpirtit të poetit. Z. Skënder Buçpapaj, urime për këtë libër të arrirë. Presim edhe poezi të tjera nga ty. Shëndet e jetë të gjatë!

Rrustem Geci – Dortmund


---------------------------

Nga ÇERÇIZ LOLOÇI





SKËNDER BUÇPAPAJ, POET JO VETËM I ATDHEUT "Frika nga Atdheu", një lartësim i poezisë Shqipe"




"Jo vetëm e thjesht nga ky vëllim, por duke parë tërë krijimtarinë e Skënder Buçpapajt, mund të pohohet pa drojë se ai është një krijues i rëndësishëm i letrave shqipe. I mërguar si poetë të tjerë të kahershëm dhe të rinj, kushdo vëren lehtë se motivi shqiptar është i gjithgjendshëm, veçse në këtë botim ka një shumllojshmëri të mjeteve shprehëse, ka më shumë elegancë fjale, çka e bën autorin njësoj të lexueshëm si nga bashkëkombasit e tij ashtu edhe nga europianët e më gjerë.Nuk ka dyshim se përmbledhja më e re e Skënder Buçpapajt është një lartësim i poezisë shqipe." 

 
Këtu e një vit më parë shtëpia botuese "Nacional" publikoi librin më të ri të poetit, publicistit dhe estetit Skënder Buçpapaj "Frika nga atdheu" që duhet thënë se e plotëson më mirë individualitetin e këtij autori të njohur brenda dhe jashtë vendit, si dhe sjell një ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe. I konceptuar në shtatë cikle: "Agon nata", "Rima", "Shkumbini", "Ritme", "Frika nga atdheu", "Moj e mira" dhe "Cikël më vete" si dhe duke përdorur në vend të hyrjes një përgjëratë për të ndjerën nënë, Buçpapaj rivjen para lexuesit, më i plotë, me shumësi motivesh dhe më një formë artistike që rrallë gjendet në autorë të tjerë shqiptarë. Megjithëse nga një trevë e rëndësishme ku nuk mungojnë emra të tjerë të spikatur të prozës dhe të poezisë shqipe, Bupapaj bën kujdes të mos përsëris askënd dhe të depërtojë atje ku nuk shkojnë kolegët e tij të kësaj zone apo edhe të krejt viseve shqiptare. Pavarësisht se çdo cikël në këtë vëllim prej treqind faqesh, mund të rrijë edhe si libër më vete, autori duket sikur ka pasur një ngutje për të trajtuar tema të mëdha e të vogla, për të qenë më përfaqësues dhe në gjithsecilën prej tyre të japë një mesazh poetik. 


Autori ka preferuar ta çelë këtë vëllim me një poezi për nënën, por kushdo që e lexon sa ç’mëson për humbjen e një njeriu të çmuar të vetë poetit, aq sjell nëpër mend dhe ikje pa kthim nënash të të tjerëve. 

Në 27 maj 2007, ndërroi jetë në Tiranë, kryeqytetin e 

Shqipërisë, Gjylë Buçpapaj, nënë, gjyshe, stërgjyshe… 

Kështu nis përgjërata për nënën që ka ikur në muajin e luleve dhe ashtu si në lindje, edhe në vdekje shoqërohej nga Zoti e s’bëzanin as zogjtë, insektet, avionët, yjet… Poeti i jep një përmasë kozmike largimit të nënës së tij dhe midis rreshtave nuk ke se si të mos ndjesh edhe kujën. Jo vetëm kjo poezi, por edhe mjaft të tjera të krijojnë ndjesinë e pasaktë se motivet autobiografike zënë vend qëndror në këtë përmbledhje; përpos tyre dha falë titullimit të librit autori do të thotë se atdheu fillon nga secili prej nesh, nëna, babai, vëllezërit, të afërmit; akoma më tej fshati, krahina, zona ku secili më vete dhe bashkë ka përgjegjësinë ndaj tij. 

Po aq sa motivet autobiografike, autofamiljare, edhe motivet e mërgimit zënë një vend të gjerë në përmbledhjen e fundit poetike, por Buçpapaj bën kujdes që të jetë sa më origjinal dhe që këtë temë ta shkojë në funksion të atdheut. 

Jo vetëm e thjesht nga ky vëllim, por duke parë tërë krijimtarinë e Skënder Buçpapajt, mund të pohohet pa drojë se ai është një krijues i rëndësishëm i letrave shqipe. I mërguar si poetë të tjerë të kahershëm dhe të rinj, kushdo vëren lehtë se motivi shqiptar është i gjithgjendshëm, veçse në këtë botim ka një shumllojshmëri të mjeteve shprehëse, ka më shumë elegancë fjale, çka e bën autorin njësoj të lexueshëm si nga bashkëkombasit e tij ashtu edhe nga europianët e më gjerë. 

Nuk ka dyshim se përmbledhja më e re e Skënder Buçpapajt është një lartësim i poezisë shqipe. Autori boton rrallë krijimtari artistike, por, teksa troket me një vëllim të ri, menjëherë do të tërheqë vëmendjen e kritikës dhe të lexuesve me rrëfimet tronditëse që të mbeten gjatë në kujtesë.






LEXONI :


 

Nga Dr.Xhavit Aliçkaj, Dekan i Fakultetit të Letërsisë, Prishtinë



http://floripress.blogspot.com/2011/02/kontrastet-poetike-te-skender-bucpapajt.html

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...