2012-07-05

"ETIQUETTE" E VJETËR (POETIKE)




SENAD GURAZIU

Sot fëmijët në plazh klithin plot ngazëllim
për suksesin me kullën "Eiffel" të rërës,
do ta festojnë sigurisht, do ketë shampanjë
e kaviar, personalitete, fjalime e mediatikë,
zyrtarisht mund të të nderojnë pikërisht ty
me gërshërët në ceremoninë e inaugurimit,
prandaj përgatitu të dukesh sa më solemn,
kujdes si i mban syzet, si flet me zonjat,
çfarë flet, si kollitesh, si e lidh kravatën,
kujdes si buzëqeshë për kamerat plastike,
madje kujdes dhe mustaqet... faculetat,
por sidomos kontrollo shikimet atë ditë,
gazetarët e vegjël mund të të bëjnë gaz!

Ti pandeh se ata nuk e njohin vesin tënd,
atë sëmundje pothuaj endokrine, kujton
ata s'dinë gjë për "inxhinierin" e famshëm,
kur këshilla kishe, panumër instruksionesh,
si t'i hapnin themelet, si ta bartnin rërën,
ua nxije ditën... përziheshe në çdo gjë,
si lexohen skicat, planet, si bëhen llogaritjet,
e njëkohësisht i shihje bukuroshet e botes,
çdonjërën pas tjetrës, me dhjetra e qindra
në bikini venin e vinin, tek rendnin e iknin,
mania jote të "shiste", qafa jote elastike
rrotullohej më mirë se vinçi i tyre plastik!

Klishetë e klubit tënd "Matufët e Lagjes",
dhe parullat e ndryshme jashtë kontekstit,
"zemrat nuk njohin moshë..." e të ngjashme,
thjesht nuk ua shet dot, zor t'i mashtrosh -
kam frikë sot dhe kalamajtë mirë e dinë,
Don Zhuanët e Kazanovat nuk janë poetë,
më parë mund të jetë cilido Don Kishot,
i marrë po... por zemra i rrahë fisnikërisht
për një të vetme Dulçine, të vërtetën e tij,
qoftë dhe imagjinare, vetëm si një parodi!



PEZULLIM I FJETUR I FRYMËMARRJES

(o zot... përse zemrat nuk flenë kurrë!)




Ke të drejtë, ndoshta çdo gjë është "wireless", prandaj mund të flas
me ty, kudo që të jesh - të shoh tani... si Oreadë e zhveshur
dridhesh në afshin e valë, ajo pasqyrë vrastare e Diellit si lupë gjigante
rrezikon të shkrihet, e nxehur tej mase e çoroditë pasditen tënde,
aty në sfond i petëzuar luhatet imazhi yt, rutinë vajtje-ardhjeje
në një ditë vere, ecejaket flasin së prapthi me dëshirat efemere,
ngadalë zemra qelqoset nën trysninë e masës, në një trumcak
të kristaltë kthehet, kalamendet në shtyllën qendrore të qenies,
për një çast më bëhet sikur hapat pezullojnë, sikur lehtas ngjiten
shkallëve të ajrit - por jo, ato shtylla anësh rrugës si këmbët
e tua janë, shtylla stoike të shpresës, ja përse gjithë ato mesazhe
të zemrës përcjellur, në ato miliona fibrash të ngrohta, telëzuar,
përçuese ndjenjash, si dikur telat ambicioz të Graham Bel, ndoshta
akoma pushojnë zogj të fjetur, vargëzuar pandalë brumosen
shpresa që tek duhet të lindin, shih pra... ndër gjithë ato zemrash
të vockla, plot cicërima të përgjumura fushave të pafund, ëndrra
që dremiten përgjatë auto-udhëve të jetës, mes ajrit dhe ndjenjave
forca të panjohura, e megjithatë kot, zemrat zgjuar rrinë,
syhapur, vigjilente, prore balansohen në horizontalen e telave,
mbahen si foshnjat kur gishtin e nënës shtrëngojnë, kapen
në buzëqeshjen, në dashurinë e saj... ngjyrat e jetës kalibrohen -
i përsosur vërtet, apo jo, ky ekuilibër i frymëmarrjes në gjumë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...