2012-07-05
“Xhirot” e famshme të Tiranës (në etapën komuniste)
Korrik 2010
Këtë shkrim ia dedikoj rinisë ish të persekutuar politike, si dhe të larguarve të 2 korrikut 1990, të cilët e deshën jetën, paqen e lirinë në vend. Të gjithë atyre që iu privua liria nëpër burgje, pushkatime e kampe internimi. Asaj gjenerate të madhërishme që nuk mundi të gëzojë e të jetojë në normalitet moshën më të bukur të saj, rininë që nuk kthehet më.
Kanë kaluar 20 vjet kur në Shqipëri u mbyllën njëherë e përgjithmonë “ xhirot”. Ah “ xhirot”! “Xhirot” e famshme të Tiranës. Kushdo edhe sot nëpër biseda miqsh e shokësh i kujton me dhimbje e nostalgji, pavarësisht pse dhe kur ekzistuan ato. “Xhirot” u mbyllën njëherë e përgjithmonë në “kështjellën” staliniste duke startuar që me eksodin e 2 korrikut...
Eksodin e parë të vitit 1990 në Tiranë, kur turma të mëdha njerëzish, rini apo edhe familje të tëra vërshuan nëpër ambasadat e huaja për t’u larguar nga vendi njëherë e përgjithmonë. Ata tentuan të iknin larg të keqes së madhe që kishte pllakosur vendin, pasi asnjeri nuk e kishte jetën të siguruar, askush se ndjente veten të lirë e të qetë, por çdo ditë më të mbyllur, më të survejuar, e të rrezikuar. Izolimi që iu bë Shqipërisë nga vendet e zhvilluara e perendimi solli si pasojë atë shkëputje masive të ortekut njerëzor shqiptar, e kryesisht nga Kryeqyteti i saj i bukur Tiranës. Eksod masiv ky, saqë tronditi e sensibilizoi botën mbarë. Hije e re të zeza mbuluan ato ditë e netë atmosferën në vend. Lotë e dhimbje ndjente çdo kush për pjesëtarët e tyre të familjes që kishin marë guximin e thyen tabutë duke kapërcyer nëpër oborret e ambasadave të huaja. Pse jo edhe për ata që nuk kishin asnjë fare lidhje ndiheshe i tronditur. Kronikat e lajmeve nga i vetmi Televizion Shtetëror jepnin herë pas here sekuenca rrënqethëse nga hyrjet e “huliganëve” e “armiqve të popullit” nëpër ambasada. Edhe stacionet e huaja televizive transmetonin kronika me pamje nga Shqipëria, por duke thënë të vërtetën e hidhur për atë izolim ç’njerrëzor të njeriut nga njeriu që ndodhi në vendin tonë.
Më kujtohet si sot një shoqja ime Fatmira Bermema ishte edhe shtatzanë kur së bashku me bashkëshortin e saj Aleksandër Ligean erdhën e më thirrën në shtëpi nga poshtë pallatit ku banoja në Tiranë: “Hajde - më thanë -, se ne e kemi vendosur, do të hyjmë”. Mamaja ime që i kishte dëgjuar filloi të qajë e më lutej për të mos u futur edhe unë në ambasadë: “Nuk të mjaftuan burgjet e tyt eti, por do të na hapësh përsëri plagë të tjera”. Të nesërmen e pashë në televizion shoqen time shtatzanë duke kapërcyer hekurat në Ambasadën Gjermane. U preka shumë, ndjeva dhimbje e respekt për të, e nën zë i urova shoqes sime fat e mbarësi. Më shumë nuk kisha fuqi se çfarë të bëja… Sot ata së bashku me vajzat e tyre Amandën e Emin jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Thikë me dy presa ishin ato ditë për këdo që ishte brenda mureve, e hekurave të huaja. Internime mbase për të afërmit e tyre që ishin jashtë... Mitingu i madh e i detyruar dhe çirrjet e Xhelil Gjonit në atë miting ngjallën sërish frikë, panik e pasiguri sociale e politike. Si dhe akoma më keq ndjenjën e hapur të luftës së klasave, terrorit e persekucionit komunist. Për afro gjysëm shekulli denoncime, vrasje e burgosje për këdo që e donte jetën, lirinë e demokracinë. Spiunonte gruaja burrin, babai djalin, tmerre, vuajtje fizike e psikologjike këto të papara në historinë e njerëzimit. Heronjtë e atyre ditëve që shpërthyen hekurat e ambasadave të huaja, do të fitonin lirinë vetëm pasi qeverisë shqiptare të Ramiz Alisë do ti kërkohej largimi i tyre drejt botës që ata kërkonin. Dhe ishte pikërisht vetë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Perez de Cuellar, që i firmosi atyre Lirinë e ëndërruar.
* * *
Po për ironi të fatit e për atë izolimin gjysëm shekullor, një prej kundra përgjigjeve ndaj shtetit ishin edhe xhirot. Xhirot e famshme të Tiranës në etapën komuniste, të cilat nisnin nga Stacioni i Trenit e përfundonin tek Korpusi i madh i Univerisitetit të Tiranës. E ky ritual i zakonshëm që do të ndiqej rregullisht nga të rinjtë e Kryeqytetit çdo të shtunë e të dielë, do të hapte siparin e tij nga ora 6.00 pasdite deri në ora 10.30 të mbrëmjes. Bëhej me dy korsi, njëra që të çonte për nga Liqeni i Shën Prokopit e tjetra që të kthente për nga “Skënderbeu”. Kishte edhe nga ata që i frekuentonin xhirot në orët më të vona të natës, si Ismail Kadare me Helenën, Sali Berisha me Lirinë, Timo Flloko me Verën, apo dikush tjetër që dilte për të marrë ajër të pastër e për të larguar streset e javës. Ndërsa paraditeve xhiroja mbahej ku është sot trotuari i Hotel “Tiranës”. Aty më parë ishin disa dyqane njëkatëshe ndërtuar me qerpiç. Në atë kohë ai vend ishte “pagëzuar” me emrin Broadway. Merak më ka mbetur që atëherë se pse është quajtur ashtu…
50 vjet Xhiro në Tiranë. 50 vjet ecë e jake nëpër Bulevard. I thonë një jetë e tërë, jo shaka. Prandaj ia vlen i thashë vetes t’i kushtosh pak vëmendje. E kush nuk i mban mend xhirot. Të rritur e fëmijë me padurim prisnin sa të vinte fundjava për të dalë xhiro nëpër bulevardin e madh e të bukur të Tiranës. Në ish Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” sot Bulevardi “Zogu i Parë”. Për të “parakaluar” pa urdhër partie, pa bandë, e pa uniformë ushtrie përgjatë asaj rruge të gjatë e të gjerë. Veshur thjeshtë, pastër e me shije. Çdo i ri dhe e re do t’i kushtonte kujdesin e duhur xhiros në fundjavë. Një fustan basme në verë për vajzat. Një palë pantallona doku nga kombinati tekstil për djemtë, e një bluzë e bardhë apo bojë qielli , do të ishin luks i madh për këdo që do t’i siguronte me të njohur.
Por mos te harrojmë se edhe xhirot survejoheshin. Shumë kaleca të ish sigurimit të shtetit të vinin afër, mbrapa e anash për të parë e dëgjuar çfarë kishe veshur, si ishe veshur, çfarë flisje, si i kishe krehur e prerë flokët. Dhe të nesërmen ai ose ajo që kishte veshur pantallona kauboj apo diçka “ekstravagante” sipas tyre do ta shikoje me emër, mbiemër e karikaturë në një fletë rrufe të madhe në qendër të Kryeqytetit. Këto ishin masat parandaluese të luftës së klasave dhe shfajeve të huaja moderniste tek brezi i ri. Për ata që e “tepronin” po sipas tyre kishte edhe arrestime.
E rini, rini, sa ke vuajtur në atë kohë edhe për një bluzë të bukur me kuadratë e pantallona xhins… Edhe pse në diktaturë por rregulli dhe estetika tek të rinjtë nuk mungonin. Stili universal europian i të veshurit përcaktonte fizionominë e çdo të riu e të reje që e donte jetën të qetë e me normalitet. E kush nuk rënkon e kujton nën psherëtimë ato vite të humbura. Pale rinia e izoluar nëpër tela me gjemba e kampe internimi. Me ç’të drejtë i privonte lirinë e jetën ai rregjim e klika e tij rinisë shqiptare? Me ç’të të drejtë morale, politike e sociale izolonte njeriun në një qeli një metër me një, nën tortura të pashembullta deri në vdekje. Me ç’të drejtë ushtronte presion për divorcet familjare vetëm e vetëm pse dikë nga familja do ta burgoste, vriste apo internonte. Edhe tani që po hedh këto rrjeshta, jam duke rënkuar brenda vetes, por askush nuk po më dëgjon, e ndërgjegjësohet, përveçse vetes dhe kompjuterit përballë…
* * *
Takohemi tek “Dajti”, tek ura e “Dajtit”, tek stolat e “Dajtit”, tek parku përballë “Dajtit”, etj, etj. Këto ishin parrullat gojore që linin për në fundjavë të rinjtë mes miqsh, shoqesh e shokësh në periudhën e izolimit të vendit. Të cilët e kishin fjalën për jashtë hotelit, se sa për brenda as që bëhej fjalë. Tek ambjentet e Hotel “Dajtit” në ato vite mund të hynin vetëm “pezzo grosso - t” shqiptarë, ata me “carta bianca” në xhep, e njerëzit e besuar të sigurimit të shtetit.
Xhirot ishin i vetmi argëtim e gëzim që kishte rinia. Sa e sa të rinj lidhën jetën e tyre nëpër ato xhiro të gjata. Sa e sa kujtime të bukura apo edhe të hidhura fshehin ato kalldrëme bulevardeske brenda vetes. Edhe të vetmin gëzim që kishin ia morën, ia zhdukën nga sytë rinisë. E duke larguar rininë, larguan të ardhmen nga vendi, trurin e kombit. Larguan edhe fëmijën nga prindërit e gjorë që i rritën me halle të mëdha, ku edhe gjysëm kokërr limoni me mik të madh do ta gjenin në Hotel “Dajti” për fëmijën e sëmurë. Rivierat e Sarandës e Vlorës ishin plantacione me agrume vetëm për “mbretërinë” e bllokut e askush tjetër s’guxonte t’i prekte, përndryshe i priste plumbi kokën. E kush do t’ia zhdukte e do t’ja merte xhiron rinisë. Ishte pra ai rregjim i egër e i rendë që do t’i merte jetën dalë ngadalë nëpër burgje, internime e miniera ose duke shkaktuar si pasojë e urrejtjes atë lloj eksodi të madh si një prurje e furishme në qendër të Europës.
Se kush i ka shpikur e themeluar Xhirot nuk dihet akoma, por duke iu referuar fakteve historike do të shohim se xhiro kemi patur edhe në Shkoder, Durrës, Korcë, Pogradec e Elbasan, Fier, Lushnjë mbase edhe në ndonjë qytet tjetër, si dhe ne provincat me të skajshme, por të më falni unë vetëm këto kam njohur. Dikush tjetër që ka qenë i/ e apasonuar pas xhirove mundet të shtojë edhe ndonjë qytetet apo zonë tjetër të vendit.
Nga Mimoza Dajçi
New York
2009
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...