( Sa do te doja, dikur ne nje te ardheme, kjo ngjarje te pikturohej - nje tanks duke shkelur nje djale kosovar te brezit 81 qe i tregon grushtin ekipazhit ne tank, ndersa po e shkelin zinxhiret - AUTORI)
RIZA LAHI
Vdekja e Besmirit
Ngrini ballin lart. Përkuluni ashtu fëmijërisë, burrërisë, pleqërisë së thellë, trashëgimisë së një fëmije 9 vjeçare, njerëz të fisit tim. Edhe ti, i papërkuluri si kollan i mermerit. Edhe ti, gjaknxehti si vetëtimë. Mih dheun me sy edhe ti, i damkosuri me vulën e burrërisë. Ti! Ti! Ti që të kumbojnë në tru himnet e “Bella Rukës”; që mbase të lindi nëna me sy të kaltërt e vetëm për të dashuruar, por që jeta t’i ktheu një copa tehu të vringëllimshme. Ti! Ti që kur Kosova duke kulluar gjak prej dorës tënde përcillte xhenaze e kufoma të njoma pive shampanjën e turpit dhe derdhe fishekzjarre nëpër netët e sterrtë si shpirti yt.
Përkulu!
Përkulu të them!
Përkulu përmbi gjakun e Besmirit!
Je matur me një ferishte; të ka mundur. Të ka munduar. Ai do të jetojë si yjet e ti si Neroni. Ti si Juda e ai si Krishti.
Opo … ooooooo.
Fëmija e besmirit nuk kthehet më kuuurrë… As e ytja, o Pilat. E pe se si e dha frymën e fundit një shpirt! I kishte faqet e bardha si qumësht. I kishte të mbuluara me një cipë pjeshke… Përkulu të them…! Përkuliu Besmirit! Dora ka për t’u dridhur deri në natën e varrit. Njerëz! Ja se si vdiq Besmir Kryesiu. Vjeç nëntë! Në viset e Ballkanit plak!
* * *
Nuk kam patur rast ta njihja nga afër. Do të shkruaj vetëm se çfarë kam parë me këta sy… Jam në spital. Jam krejt i vetëm. Duhet të kem ardhur në vete para 15 minutash. Kështu më tha ajo infermierja. Kam gati katër ditë pa u ndjerë… Nuk nxjerr asnjë fjalë as tani. Unë e kuptoj. Me siguri që kam të dëmtuar ndonjë batër të trurit – atë të të folurit. Unë nuk artikuloj asnjë zanore.
Dilte në rrugë gjithnjë me të motrën. Me Dadën. Ne këndej nga Kosova Dadë u themi motrave. Ai ia tërhiqte dorën gjithmonë për të shkuar diku, e ajo nuk ia lëshonte. Ajo pastaj i pëshpëriste diçka në vesh, e ai ia jepte faqen e nuk ia tërhiqte dorën më. Dhe vazhdonin e largoheshin nga sytë e mi, ai duke kërcyer, ajo…
-Oj Dadë… Dua sheqera të shkru… Dada e Besit ishte sikur ta kishin endur yjet me dritën e tyre. Vishte një fund të zi dhe një bluzë të kuqe sikur hidhte përmbi supe flakë. Shkonte rrugës sikur ecte një leledredhëse nëpër parvazin e dritares.
… Dora nuk po më dridhet, i lumi. Letër kam boll… Dhimbjen nuk po e ndjej më.. Mua këmbën e majtë ma ka bluar tanku. Ma shkeli me zinxhir. Kam … Edhe këtë … Vatrën e të folurit … Më kanë qëlluar pas me diçka metalike. Ndofta me kondak. Duket se do të vijë vdekja për mua… Tani shpejt; diç kam hetuar në sytë e asaj infermieres... Duhet të nxitoj për të shkruar ç’kam parë. Mbase unë jam dëshmitari i vetëm. Pas atyre të pesë policëve…
* * *
Aq e kam dashur të motrën e Besmirit!
Ajo, e shkreta, kurrë s’e ka ditur se sa e ka dashur dikush.
Ajo dilte për të shtitur vetëm me Besin. Me Besin si bec për mbrapa… Mua më mbërthehej gjoja kur kalonin ata të dy… Jam 21 vjeç dhe kurrë nuk kam puthur në jetën time një vjazë… Një herë, pas tri ditësh që i isha ndenjur te shtegu i rrugës së saj, unë mora guximin t’i flisnja me gojë. Krejt kot.. Oh …! Nisi të më dhëmbë prap.. “A keni orë ju lutem?” Dhe kur pata ardhur në vete, ata po ecnin për krah njëri-tjetrit. Dhe ish ndalur para një vitrinë ku kishte sheqera të shkru.
Një herë unë e dëgjova Besin t’i thoshte të motrës, Liridonë: - Oh… askush nuk ka për ta thërritur më “Lira” … Oh …! As Liridona … Sa po më dhemb… Aman…! Të shkruaj sa pa dhënë frymën e fundit … - Oj Dadë … Unë nuk du sheqera t’shkru…”
Atë ditë u tubuan mbi 70 mijë. Demonstratë! Të gjithë thërrisnin “Demokraci”! Kush nuk ka qenë atë ditë, ndonjë herë tjetër ndër kësi soj tubimesh, le ta mendojë veten duke dëgjuar të thirruara të njëkohëshme nga 70 mijë gojë me të tërë inatin e Zemërimin. Vallë cila zemër nuk do të prekej? Cili tiran nuk do të tmerrohej? Por policët serbë, sill e sill! E kanë një farë helmi ato bomba që hedhin ndër ne, që t’i mbushin sytë, e ta bëjnë të turbullt gjithçka. Po ne i mbulojmë sytë me ç’të mundim. Ne mbrohemi gjithsesi nga ato bomba që të mbushin me lot. Dhe thërresim “Liri – Demokraci”. Me gishtërinjt në formën e gërmës “V” lart të fitores.
Unë isha nga fundi i turmës. Para meje ishte Besmiri me të motrën. Krejt, fare krejt rastësisht i pashë ata në tubim. I pashë dhe vendosa të isha mbrojtësi i tyre. Mbrojtësi i tyre i fshehtë … Ka kaq ditë që dalim në rrugë. E therresim … O, kaq të bashkuar s’e kemi ndjerë veten asnjë herë. Kurrë … si të bashkon rruga… Si të bashkon dhuna e policit… Pardje ndjeva si në kllapi se kishin fillu me ia fal gjaqet njëri-tjetrit në tërë Kosovën… Oh, ç’ka po më dhemb… Ishallah po mundem me i dalë në fund pa vdekur… Kaq ditë që mblidhemi e shpërndahemi për nga akshami. Ka kaq ditë. Megjithëse na qëllojnë me pluba, e me këto bomba lotësh. E mblidhemi prapë nesër… sikur çahet dheu kur thërrasim “Demokrasi … Liri … Demokraci”.
Tanket. Nisi sulmi i përbashkët i tyre kundër nesh. Pas njëri tjetrit. Si një kolonë xhelatësh kokëmbuluar. Befas, te kulla e tankut të parë kërceu një oficer nga kabina. Drejt te mitralozi dhe hapi zjarr. Në mish. Dikë vrau pisi sërb. E kë? Ai vazhdonte të ndërronte krehërat e fishekëve që nga maja e kullës si një si një helmetë. Sikur u bënë më kaposh nga ardhja e tankeve. Nisën të shtinin me pistoleta, me “kallashnikovë”, me grushta, me shkopinjë kauçuku.
Unë nuk u ndahem atyre që kam marrë në mbrojte. Edhe ata bulurojnë “Liri – Demorkaci”! “V”-të lart! Lart…!
… E ndjeve veten të shtrirë përtokë… Me këtë … Plagën në kokë.. Tru… Ndofta ma ka marrë gojën përjetë. Për aq jetë sa më ka mbetur… Më kish marrë një plumb në kofshën e majtë. Plagën e kisha valë të nxehtë; nuk ndjeja asgjë. Domethënë fare pak. Kështuuu… O zot i madh… Pranë meje shtrirë Liridona. O zot… ! Nëna ime … ! Liria .. Nuk lëvizte … Një lule e madhe kuqëlonte në anën e majtë të gjoksit të saj. Dhe gojën e bukur të çelur pak. Me dy kroje të kuq anash. O, sa i kuq ishte gjaku i Liridonës…! Si një rabeckë e vogël! Besmiri i sillej së motrës përqark. Si një rabecëk e inatorsur që nuk ka frikë më. Me gishtërinjtë bardhoshë duke bërtitur “Liri – Liri”.
Përkulej prapë mbi të motrën: “Oj Dade … Paj boll ma… Çoju oj Dade”. Liridona nuk kishte asnjë shenjë jete.
Kërkëllitje zinxhirësh. Tanket. Përsëri tanket. Nënë… Nënë, moj …Nëna ime…
Kulla e tankut ishte drejtura mbi mua… Besmiri me të motrën janë ca më tej… Zinxhirët e tankut po e thyejnë kalldrëmin si me nofulla. Me nofulla çeliku … Nënë… Nëna ime… Nënë moj … Tanku është drejtuar mbi mua.. Mu mbi mesin e rrugës. Atje jam unë. Me këmbën që s’e lëviz dot, këtë, të varruemen njëherë, e mandej … Të tundurat e dheut “Demokraci … Demokraci” sikur janë larguar ca … Janë lëshuar përmbi turmën tanket … Nuk arrij ta mbledh këmbën e varrueme. Ai … Ai afrohet. Ngadalë … Si një falangë prej çeliku … Fundi im…
“Bëhu burrë” … E shoh mu në grykë tankun. Mu te shpella e tij… E di që më vështorojnë sy që andej. Nëna ime … “Bëhu burrë … Zot .. Më jep zemër … Nënë … Një herë vdiqet bre…” më erdh vdekja nga zinxhiri i tankut … Këtu paska qenë fundi im…
Fundi. Thërras fjalën e fundit “Demokraci…” Tanku ishte gati mbi mua. “Demokraci…” O zot i madh. Po … Unë nuk e ndjej zërin tim … “Demokraci … Demokraci…” Përsëri nuk e ndjej zërin tim… Oj lokja ime… Ata mendojnë së më tutën… Paska edhe më të llahtarshme se sa vdekja…
… Në çastet kur tanku do të më shtypte, unë ngrita lart para surratit të tij “V”-në e gishtave. Nuk tutet more jo Kosova e besa kurr…
* * *
Kur erdha në vehte, pashë se më kishin nxjerrë në anën e rrugës. E tanku … Ai i kishte kaluar me të tëra tonelatat e tij përmbi këmbën time të plagosur që nuk mund ta mblidhja. Ajo tani ishte vetëm një fërtele.
Se kush më ka vënë një gur nën kokë.. Krah meje është shtrirë kufoma e Liridonës ... Lulja e bukur e Kosovës .. Oh, sa më dhëmb këmba… Mos po don të më lërë zemra … ? Gajret … Gajret… “Demokraci…”Përsëri nuk e ndjej zërin tim.
… Një zë fëmije… Një zë i vetëm… Dhe ky, një zë fëmije. Se turma qenka larguar. Britmat e saja “Demokraci … Demokraci” dëgjohen tani larg. Me zor kthej kokën nga ai zë fëmije. Me aq sa mundem e kthej… Besi … Besmiri i vogël. E kanë vënë në mes e po e rahin … Janë pesë policë që po e rrahin Besin. Janë të pestë me kallashnikovë. Njëri nga ata qesh.
E qëllojnë me shqelma dhe ia hedhin njëri-tjetrit vocin … Ai që qeshi qëparë, e qëlloi mu në hundë me shkelm… Fytyra e Besit kullon gjak… Pas çdo goditje ai thërret “Demokraci … Demokraci”.
Lus Zotin që të mos çmendem… Unë jam krejt i pafuqishëm për të bërë diçka për Besin… Shpresoj që e motra të mos ngjallet papritur. Ajo do ta kishte dhënë jetën duke qeshur për Besin e saj. “Oj Dade … Unë nuk due sheqerka të shkru…“ Ndjej që më kanë mbytur lotët…
Opopo…! Nënë moj …! Nëna ime …! Ç’po më shohin sytë? Ai … Ai nxorri pistoletën … Me siguri që do ta kërcënojë Besmirin. Që të mos thërrasë më. Jo, jo …! Ai nuk do ta kërcënojë Besmirin. Që të mos thërasë më. Jo, jo …! Ai nuk do ta vrasë … E qysh vritet një kërthijë nëntë vjeç …? Po fundja, mos thërrit një herë more Besi … Ata me siguri janë të pirë… ç’i kushton të qëllojnë me pistoletë një të piri …? Ja, të qetësohet puna pak… thërrasim të dy tok sërisht”. Me atë zërin e vogël si të një vajze… “Mos… Mos këlysh i kurvës… Jebena majka… Mos luaj me pistoletë para një fëmije… “.
Në vend të zërit tim – krisma e pistoletës. Polici shtiu… Tri herë shtiu mbi Besmirin e vogël … Besi u përplas me kalldrëm … O sa i kërciti trupi, si një burri të madh…
Ai e kapi Besin nga këmbët… E ngriti lart… E përplasi mu pranë meje … Po të ka pjellur ajo kruva pasi ta ka lëruar djalli, more xhins krimineli…
Se ç’çuçuritnin me njëri-tjetrin të pesë policët. Kokë me kokë. Dhe iknin me vrap. Me shumë vrap. Dhe pa kthyer kokat pas në drejtim të kudnërt nga ka kaluar turma e sulmuar nga tanket.
-Besmir …! Besmir …!
O … Nuk kam zë … Ata më kanë dëmtuar vatrën e të folurit… Të artikullimit të tingujve.
Fytyra e Besit ishte krejt e kuqe nga gjaku… ai ngriti dorën. Atë dorën e vogël. Atë doçkën e bukur… Ooohhh… Me gishtërinjtë me formën e “V”-së.
-“Demokraci… Demokraci …”Doçka i ra mbi gjoks. Te plaga më e madhe … Fare pranë zemrës… Atje ku i kishte marrë Liridona.
Ky qe çasti që dha shpirt martiri nëntë vjeçar kosovar Besmir Kryeziu. Ra për lirinë e Atdheut të pushtuar. Në moshën nëntë vjeçare.
… Oshëtimat… “Demokraci …” po dendësoheshin sërish. Mbase këto britma qenë që më morën nga kthetrat e vdekjes ato çaste. Me siguri që kam qenë duke dhënë shpirtë edhe unë.
Po afrohen zërat … Po vijnë… Po vijnë kosovarët e mij… Po vijnë … Po vijnë …
Merrni kufomën e Liridonës Vëllezër … Merrni kufomën e Besmirit… Shëtitini nëpër tërë Kosovën… Fytyra e Besmirit është si e mbuluar me flamur… Ngrijini në vend të flamurit Besin… Ke, bre, se po çohna edhe unë… Po…
* * *
Erdha në vete në spital. Flisni shqip… Ishin mbledhur përmbi mua njerëz që flisnin shqip.
Kaq kisha. Ani le të vdes tani. U lodha tmerrësisht duke shkruar. Sepse dorën, e kam coptuar me gur. Këtë pëllëmbën që shkruaj, të dorës së djathtë.
Sa i fortë qënka njeriu. Unë paskam shtrënguar një gur në dorën e djathtë kur po vdiste Besmiri. Dhe nuk e paskam ndjerë se e kisha coptuar se ciflat e tij ishin futur në mish.