E nisëm si një udhëtim, por pastaj ngelëm atje. Pra, ja edhe sot jemi këtu. Kështu shprehet e reja kuçovase Dhurata Lazo, poete në mërgim.
Nga SOKOL DEMAKU
Një perëndim dielli që digjet flakë, një lagie në shi, shëtitje mes miqsh në një muzg të paharrueshëm, të qenurit në kraharor të prindërve, ose…ose, ëndrrat për të parë ndonjë fytyrë të dashur, të parë dikur janë ëndërr e lotëve të mi.
Fatkeqësisht, na duhet t’i nënshtrohemi tjetër profesioni nga ai që na përkiste. Shqiptarët nuk kanë heshtur së ruajturi integritetin e tyre, edhe pse në emigracion. Kanë gazetat e tyre, sallonet letrare që shërbejnë si një burim inkurajimi dhe këmbim përvoje, kurset e gjuhës shqipe, shoqatat kulturore etj.
Jeta këtu, në Greqi, mund të jetë më luksoze se në Shqipëri, por, sidoqoftë, nuk pushon së ekzistuari lufta për mbijetesë. Fatkeqësisht, shteti nuk ofron ndihmë sidomos për njerëzit e artit. Siç duket, jemi të destinuar të vuajmë një jetë të tërë.
Filozofi i njohur Nicja, kishte thënë dikur se… ne kemi Artin, për të mos vdekur nga e vërteta (bëhet fjalë për realitetin e hidhur ku ndodhet shoqëria njerëzore sot)… E pra, e zbukurojmë realitetin me anë të… Artit, që i jep një kuptim jetës.
…shpesh, gjej veten në ëndrrat e mia, të ecë rrugëve të qytetit tim dhe prindërit të më zënë për dore.
Nga babai mora dashurinë për njerëzit, këngën, por dhe për shkrimin në veçanti. Mamaja, karakterizohej nga një zë i shkëlqyer, fantastik, por që megjithëkëtë, nuk kalonte pa një tis trishtimi, melankolik me gjithë gëzimin për jetën në përgjithësi.
Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit tanë?
Jam Dhurata Lezo, lindur e rritur në Kuçovë të Shqipërisë, në një familje të thjeshtë, por, me një zemër të madhe. Nga babai mora dashurinë për njerëzit, këngën, por dhe për shkrimin në veçanti. Mamaja, karakterizohej nga një zë i shkëlqyer, fantastik, por që megjithëkëtë, nuk kalonte pa një tis trishtimi, melankolik me gjithë gëzimin për jetën në përgjithësi.
Dallohesha në shkollë për një vajzë shembullore me prirje të veçanta në fushën e letërsisë e dashuri për gjuhën angleze, megjithatë si për ironi m’u desh të vazhdoja për gjeologji.
Keni lindur në Kuçovë, ku edh keni kryer shkollën fillore, çfarë mund të na thoni sot për Kuçovën, si e sheh Dhurata vendlindjen e saj nga mërgimi?
Me shumë mall, nostalgji… shpesh, gjej veten në ëndrrat e mia, të ec rrugëve të qytetit tim dhe prindërit të më zënë për dore…
Keni kryer shkollën e mesme Kuçovë, pastaj keni studiuar në Universitet; keni studiuar për gjeologe, por nuk u bëtë gjeologe, pse?
Dashuri e lindur… e ndjeja se përkisja atje. Ishte e vetmja gjë që më jepte gëzim, më mbushte shpirtin me ndjenja kënaqësie. E mbyllur në dhomë mes librash, nuk ndjeja kohën si rridhte…
Me ndërhyrjen e miqve nga Shoqata e Shkrimtarëve, vendosët të studioni Gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Elbasanit?
Po, me ndërhyrjen e sekretarit të Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqipërisë, studiova për Gjuhë – Letërsi në Fakultetin e Elbasanit.
Ç’ka ju shtyu të mërgonit nga atdheu?
E nisëm si një udhëtim, por, pastaj, ngelëm atje, pra ja edhe sot jemi këtu.
Ka kohë që jetoni në Greqi, çfarë mund të na thoni për jetën, cila është ndihma e shtetit për të huajit atje?
Jeta në Greqi, mund të jetë më luksoze se në Shqipëri, por, sidoqoftë, nuk pushon së ekzistuari lufta për mbijetesë. Fatkeqësisht, shteti nuk ofron ndihmë sidomos për njerëzit e artit. Siç duket, jemi të destinuar të vuajmë një jetë të tërë.
Si janë kushtet për të punuar, mund të na bëni një krahasim me ato në vendlindje?
Do doja të citoja më këtë rast ca vargje të të famshmit këngëtar të zemrave, Steljo Kazanxhidhi: “I huaj në vendin tënd, i huaj në dhe të huaj”… megjithëkëtë, kudo që ndodhesh, është si një copë dhe i vendlindjes…
Merreni me gazetari, shkrime, poezi e prozë si janë kushtet e një emigranti në Greqi që të arrijë rezultate në këtë larmi mjaft të ndjeshme?
Emigranti përplaset dhe s`gjen qetësi…, është për të ardhur keq, por, në vitin 2012, akoma situata i ngjan refugjatëve të kohës së: “Harkut të Triumfit” të të famshmit Remark… Siç duket, kjo gjendje pa rrugëzgjidhje, nuk ka si të mos shtrojë nevojën urgjente të kërkimit të një qeverisjeje më të mirë, me origjinë qiellore.
Ju merreni me shkrime, merreni me poezi apo me prozë?
Poezia dhe proza, janë njësoj të shtrenjta për mua, edhe pse fillimin e nisa si tregimtare më e vogël se 8 – 9 vjeç, ndërsa poezia lindi në vitet e adoleshencës.
Ju merreni edhe me poezi, cila është tema që trajtoni ju në punimet tuaja?
Gjithsesi, tema bashkëkohore… shqetësime të jetës së përditshme, malli për prindërit, ëndrrat rinore, nostalgjia për ikjen e viteve dhe kotësinë e jetës kur dikush nuk ka (njeh ) Perëndinë.
Ju jeni shumë aktive edhe në jetën shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve këtu, çka ju shtyn në këtë drejtim dhe me çka më shumë jeni e angazhuar?
Filozofi i njohur Nicja, kishte thënë dikur se… ne kemi Artin, për të mos vdekur nga e vërteta (bëhet fjalë për realitetin e hidhur ku ndodhet shoqëria njerëzore sot )… E pra, zbukurojmë realitetin me anë të Artit, që i jep një kuptim jetës. Pa atë, çdo gjë, do ishte e zhveshur nga bukuria, magjia e fjalës, finesa e ndjenjave të holla… Letërsia, ka prirjen të bëjë më të ndjeshëm njerëzit, të vetëdijshëm për nevojën e tyre të lindur, shpirtërore… Është detyra e shkrimtarit të japë kontributin e tij në këtë fushë.
Keni libër të botuar dhe cila është tema që shtjelloni në të?
Në vitin 1995 u botua libri im i parë me poezi “DHIMBJA E MOSQESHJES”. Ishte një libër shumë i kërkuar nga lexuesit, i cilësuar ndër më të mirët e vitit, i trajtuar akoma si orë letrare në shkollat e mesme. Në sfond, e përshkon një si vetmi universale, shumë më e thellë, e pakapshme. Sado kontradiktore, edhe dashuria nuk e mbush boshin që është në qenien njeri… sepse kjo vetmi e përskajshme, herë – herë, nuk e përfill as dashurinë, as një ngrohtësi tjetër. Është me sa duket një lloj vetmie mbibotërore, ose, ose, e thënë ndryshe, e përbotshme, përderisa edhe poeti gjendet brenda në botën magjike me gjithë kërkesën e tij të ngutshme për një ikje prej saj… Nuk është vetmi që shkaktohet nga humbja ose mungesa apo braktisja e një dashurie…, është përkundrazi, një ndjenjë shkretie në përgjithësi, si e ardhur nga të tjera kohë… përzënë nga jeta, e jo nga dashuria në harrimet e saj universale.
Çka presin lexuesit në të ardhmen nga Dhurata, cilat janë planet juaja?
Kam në dorë një vëllim me tregime e novela, pra, do t”i prezantohem lexuesit si prozatore, një libër me poezi titulluar ”PO VJEN JETË E VËRTETË”, një novelë autobiografike të cilën në të ardhmen dua ta skenarizoj, si dhe një roman me ngjarje nga ndryshimet e Shqipërisë të viteve ‘90…
Si e përjetoni mallin për të afërmit, si e ndjeni veten këtu në një mes të huaj?
Nuk është kaq e dukshme kjo mungesë, malli zbutet kur je familjarisht këtu. Duket, sikur nuk ka ndryshuar gjë, por jeta në mërgim është…
Sa ka arritur Dhurata të krijojë shokë apo shoqe në një mes të ri, në një vend me kulturë tjetër nga ajo që ne kemi?
Si vende fqinje, pothuajse kemi një kulturë të ngjashme, me një përshtatje, gjithçka bëhet e arritshme. Interesimi i përbashkët për gjëra të përbashkëta.
Cili është aktiviteti juaj kur kemi të bëjmë me profesionin tuaj këtu në vend të huaj, sa shqiptarët janë aktivë këtu në prezantimin e kulturës sonë?
Fatkeqësisht na duhet t’i nënshtrohemi tjetër profesioni nga ai që na përkiste. Shqiptarët nuk kanë heshtur se ruajturi integritetin e tyre, edhe pse në emigracion. Kanë gazetat e tyre, sallonet letrare që shërbejnë si një burim inkurajimi dhe këmbim përvoje, kurset e gjuhës shqipe, shoqatat kulturore etj. etj.
Nëse do të kishe mundësi të jepje ndihmesën tënde në realitetin që jetojmë ne shqiptarët sot, ku mendon se konkretisht duhet ndryshuar diçka?
Ndryshimi duhet filluar qysh në zemër…
Cilat janë kontaktet e Dhuratës me vendlindjen?
Vizitat e herëpashershme…
Një i mërguar kërkon të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje të shkurtër. Si është nga natyra Dhurata?
E etur për të rrëmbyer çdo informacion.
Ka kohë që jetoni këtu, sa janë kontaktet tuaja me shqiptarët këtu, keni miq dhe a shoqëroheni?
Po.
Nëse kjo larmi që keni zgjedhur për studim nuk do të ishte profesioni juaj, në çfarë profesioni do e gjente veten Dhurata?
Në mjekësi, dëshira e madhe për t’u gjendur pranë nevojtarëve, për t’i'u lehtësuar plagët…
E lexoni revistën në shqip “Dituria” që botohet këtu në Skandinavi, çka mund të na thoni për të?
Po, ka larmi informacioni. Një kontakt i vazhdueshëm do ishte gjithnjë i dëshirueshëm.
Çka ju bën të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti?
Një perëndim dielli që digjet flakë, një lagie në shi, shëtitje mes miqsh në një muzg të paharrueshëm, të qenurit në kraharor të prindërve, ose…ose, ëndrrat për të parë ndonjë fytyrë të dashur, të parë dikur…
Më mundon mosarritja e bërjes së më të mirës së mundshme.
Përveç punës së rëndomtë. si e kalon kohën e lirë?
Gjimnastikë, shëtitje. ARTI dhe vetëm ARTI.