Shkrimtari i njohur mban qëndrim ndaj protestës së klerikëve për filmin “Ballkan Bazar” të regjisorit Edmond Budina. “Kosina, Boboshtica e Këlcyra janë fenomene që arti duhet t’i trajtojë më me forcë dhe do t’i trajtojë më vonë. Do të shkruhen edhe romane, kur t’u ikë pak frika shkrimtarëve dhe artistëve nga mallkimi i Zotit”
Dritëro Agolli e ka ndjekur këto ditë rastin e filmit “Ballkan Bazar” të regjisorit Edmond Budina dhe protestën e klerikëve ortodoksë për përdhosje të figurës së tyre. E quan këtë një ndërhyrje të pastër të fesë në punët e kulturës dhe artit, e për këtë i referohet një historie mijëravjeçare. Për të këto nuk duhet të ndodhnin në shekullin XXI. Duke e quajtur filmin e Budinës një vepër arti, shkrimtari i njohur i krahason përfaqësuesit e fesë me Komitetin Qendror të Partisë së Punës, të cilët ndalonin çdo vepër që nuk u shkonte për mbarë. Dritëroi thotë qartë se artistët duhet të reagonin më fort ndaj fenomeneve të tilla si ai i Kosinës, Boboshticës e të tjerë, që për të bëhen në emër të ëndrrës së vjetër të Vorio-Epirit. Dritëroi e quan përdhosje të Naim Frashërit, prishjen natën të Pallatit të Kulturës që mban emrin e shkrimtarit në Përmet për të ngritur aty një kishë, ndërsa thekson se reagimi zyrtar në këto raste është i vakët. Në këtë intervistë ekskluzive për “Shqip”, shkrimtari i njohur mban qëndrimin e tij ndaj këtij debati, por edhe fenomenit të zhvarrimit të eshtrave.
Zoti Agolli, ditët e fundit filmi “Ballkan Bazar” i regjisorit Edmond Budina, që e merr spunton nga ngjarja e Kosinës, është vënë përballë akuzave dhe një letre proteste nga Sinodi i Kishës Ortodokse, për shpifje të turpshme ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë. Si e shihni ju një kërkesë të tillë?
Unë mendoj që deklaratat e njerëzve të fesë dhe klerikëve, qofshin të mëdhenj në përgjegjësi apo të thjeshtë që ndërhyjnë në çështjet e kulturës, artit, letërsisë, kinemasë, teatrit, pikturës, skulpturës, poezisë etj, në këtë shekull që jetojmë janë krejtësisht negative dhe të padobishme dhe tregojnë mbeturinat e vjetra të njerëzve të veshur me petkun e fesë. Këto ndërhyrje i bëjnë dëm artit dhe zhvillimit të tij, por nga ana tjetër rrisin ndjenjën e zemërimit te artistët për të bërë vepra më të forta akoma. Njerëzit e fesë, e kur shprehem kështu nuk i përgjithësoj të gjithë, duhet të tregojnë kujdes më të madh. Ka nga ata që kanë kulturë të gjerë e nuk duhet të bien në kurthin e të tjerëve. Për ndërhyrje të tilla ne kemi edhe përvojën mijëravjeçare. Ju e dini mirë që “Murgesha” e Didëroit u ndalua nga feja dhe përkrahësit e saj e nuk u botua për një kohë të gjatë. Vepra u shkrua nga Didëroi në vitin 1970 dhe u botua më 1796, pas vdekjes së autorit e pas Revolucionit Francez, kur kishte dalë edhe deklarata e të drejtave të njeriut. Edhe më tej, për vite me radhë e pati të vështirë botimin. Ja çfarë ndikimi të fortë ka feja. Por edhe në kohërat tona, në këtë shekull të XXI ndodhin të tilla fenomene. Mjafton të kujtojmë kritikat e shumta dhe përpjekjet për të ndaluar librin “Kodi i da Vinçit” i Dan Brown dhe filmin e realizuar mbi këtë roman. Po t’i kthehemi rastit tonë, realiteti është më i egër se sa përshkruhet në filmin “Ballkan Bazar” të regjisorit Edmond Budinës, sepse në Kosinë u përzjenë eshtrat dhe prifti bëri një masakër duke i quajtur eshtra të ushtarëve grekë, kur ishin eshtra të gjyshërve, etërve, fëmijëve dhe grave. Nuk besoj që një gjë e tillë të ketë ndodhur në tjetër vend; është të vësh duart në kokë. Ajo që ndodhi në Kosinë meriton një tragjedi të Shekspirit, ndërsa këta njerëz të veshur me petk, përfaqësues të Zotit, paskan varur buzët për pak gjë. Me ndërhyrjet e tyre në punë të kulturës dhe me kërkesa për ndalimin e kësaj apo asaj vepre arti, njerëzit e fesë janë bërë si Komiteti Qendror i Partisë së Punës, që kontrollonin e ndalonin çdo vepër që nuk u shkonte për mbarë. Ç’të bëjmë tani, të thërrasim përfaqësuesit e fesë të shohin faqen e parë të veprës e pastaj të japin lejen e shfaqjes? Është e çuditshme se sa e ngjashme është sjellja e deputetëve, kryetarëve apo nëpunësve të lartë të partive me sjelljet e viteve të Komitetit Qendror. Sot i shohim që lëshohen tufë-tufë në festa fetare, flasin për Zotin, Krishtin, Muhamedin dhe pastaj përveshin krahët drejt politikës, bëjnë planet e tyre dhe në fund thonë: “Zoti e bekoftë Shqipërinë”. Kur largohet kjo tufë e madhe, klerikët e të gjitha ngjyrave thonë me vete: Ne jemi kryesorët. Këtu nuk e dinë që me këto fjalime politike i ndotin edhe fenë, edhe festat e tyre. Në kohën e Komitetit Qendror lëshoheshin po tufë-tufë për festa apo për ditëlindje të rëndësishme dhe në fund thoshin: “Rroftë Partia dhe Shqipëria”. Njerëzit e fesë ndoshta mund të zemërohen me një artikull, por jo me një vepër artistike që është krijim. Filmi “Ballkan Bazar” nuk ka emra personazhesh konkretë. Bokaçio te “Dekameron” nuk lë gjë pa thënë për priftërinjtë, por edhe pse u munduan ta ndalojnë, përsëri u botua.
Një nga pretendimet e klerikëve kishte të bënte me faktin që filmi “Ballkan Bazar” i referohet një ngjarje që sipas tyre nuk ka ndodhur në të vërtetë në Kosinë…
Po ç’mund të thonë për Boboshticën apo Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet. Ka sa e sa raste të tjera që nuk dua t’i numëroj. Këta lloj njerëzish, pa i përgjithësuar, prishën Pallatin e Kulturës në Përmet që mbante emrin e shenjtit tonë Naim Frashëri, të vetmen qendër të kulturës në atë qytet jugor. Me një arrogancë të pashembullt u ngritën natën ta prishin si lugatët, duke nëpërkëmbur figurën e Naim Frashërit. Për ne, të gjithë priftërinjtë e hoxhallarët e Ballkanit nuk vlejnë sa Naim Frashëri. Është bërë zakon që përfaqësuesit e fesë të marrin si shembull ndalimin e fesë dhe prishjen e institucioneve fetare gjatë diktaturës, që për mendimin tim ishte gabimi më i madh që mund të bëhej. Unë nuk jam fetar, por i respektoj institucionet fetare. Por sot, mjafton t’i prekësh pak dhe nxitojnë të krahasojnë këtë kohë me atë të shkuarën. Të njëjtën frikë vuajnë edhe njerëzit që kanë përgjegjësi politike sot, kanë frikë të prishin qejfet se i krahasojnë me Enver Hoxhën. Por këto janë fenomene që arti duhet t’i trajtojë më me forcë dhe do t’i trajtojë më vonë. Do të shkruhen edhe romane, kur t’u ikë pak frika shkrimtarëve dhe artistëve nga mallkimi i Zotit.
Çfarë është për ju fenomeni i Kosinës, i Boboshticës apo i ngritjes së mazoleumeve në Grykën e Këlcyrës?
Është një fenomen që po t’i hysh thellë, duhet të gjesh cila fuqi qëndron pas. Këto janë qëllime shoviniste për ta quajtur këtë tokë Vorio-Epir. Ta bësh këtë duke zhvarrosur eshtrat e njerëzve të këtij vendi për t’i shitur si të ushtarëve, janë qëllime të liga. Ne po kërkojmë eshtrat e atyre që janë burgosur nga diktatura dhe mezi i gjejmë. Ndoshta disa prej tyre mund të kenë qenë edhe atje e nuk do të gjenden kurrë. Shteti nuk duhet të ketë ndrojtje për fenomene të tilla. Këtu mungon reagimi zyrtar, por i dobët është edhe ai qytetar, që të mos lejojmë të ndodhin të tilla gjëra. Shqipëria gjëmon për një kuti me letra, por hesht për një varrezë ku gërmohen varre e zhvarrosen eshtra. E gjitha kjo, bashkë me detyrimin e emigrantëve për të ndërruar emrat në ortodoksë, është një trysni që bëhet për ëndrrën e vjetër të Vorio-Epirit.