Prof.Dr.Eshref Ymeri
Në faqen e internetit “Forumi Shqiptar” të datës 12 gusht 2012, lexova një reagim ndaj shkrimit tim me titull “Historiani grek Nikolas Stavros:“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX””, të botuar më 08 gusht 2012 në gazetën “Tribuna Shqiptare” të moderatorit të nderuar, zotit Ajet Nuro. Reagimi i këtij sahanlëpirësit të Janullatosit titullohej: “Përse Atë Marku dhe Prof. Eshref Ymeri sulmojnë në mënyrë të përsëritur Institucionin”.
Në atë reagim, burracaku sahalëpirës i Janullatosit, Pirro, i cili ose ka lindur pa burrëri ose burrërinë ia ka shkelur me këmbë kryeshovinisti Janullatos, nuk ka guximin të prezantohet publikisht me emër dhe me mbiemër, por shkruan vetëm emrin, duke u fshehur si miu pas ferrës. Nuk e kuptoj se nga kush ka frikë kjo pece e zhulosur, me të cilën Janullatosi fshin këmbët orë e çast. Sot jemi në demokraci dhe askund s’ka vend për autocensurë.
Në sulmin që ka ndërmarrë kundër Atë Nikolla Markut dhe kundër meje, ky burracaku Pirro shkruan:
“Duke qënë në sinkron me përçarësin Atë Marku, Profesori Eshref vazhdon të mos e kuptojë të vërtetën, por ngatërron politikën shqiptare me komunitetin ortodoks, duke mos qënë fare i këtij komuniteti, por duke hedhur `lotë krokodili` për KOASH-in tonë. Sigurisht, një ateisti ish-komunist si Prof. Eshrefi i ka hije të flasë kodra pas bregut e të lajthisë me dokrra atdhedashurie të shpifura. Kush do të lexojë këtë shkrim mund të shohë se si këta Profesorë ateistë të tipi Eshref Ymeri, nuk e kanë për gjë që ashtu si u lëpinë në kohën e PPSH për të marrë titullin profesor dhe për të gjetur një vënd të ngrohtë në Tiranë, apo në ndonjë zyrë të preferuar, të kërkojnë dhe të japin mendime për probleme që nuk i kuptojnë dhe aq më pak të fesë, e cila për shumë vite ka qënë e shkelmuar nga njerëz të tillë që sot e heqin vehten si atdhetarë 20 karatësh”.
Për të sqaruar lexuesit e nderuar, po ndalem radhazi në shpifjet që ky raja i Janullatosit ngre kundër Atë Nikolla Markut dhe kundër meje.
Së pari, atë Nikolla Marku është figurë e respektuar e ortodoksisë shqiptare dhe mbetet një trashëgimtar i denjë dhe i nderuar i veprës së Fan Nolit, themeluesit të pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Atë Nikollë Marku nuk është aspak përçarës i ortodoksisë shqiptare, siç shpif poshtërsisht ky Pirro servili i Janullatosit. Përkundrazi, përçarës i ortodoksisë shqiptare, gjatë 21 vjetëve, ka qenë dhe vazhdon të mbetet Janullatosi, që përfaqëson një vatër infeksioni të rëndë grek në Shqipëri.
Së dyti, unë nuk kam qenë kurrë ateist. Kam qenë dhe jam shumë besimtar, se dashurinë për Zotin e Madhërishëm e kam trashëgim nga prindërit e mij të nderuar Hasan dhe Hanko Ymeri, të cilët i faleshin Zotit dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, një ritual ky, të cilin e kam praktikuar dhe vazhdoj ta praktikoj rregullisht, së bashku me bashkëshorten, në familjen time.
Së treti, unë asnjëherë nuk kam qenë komunist apo anëtar i Partisë së Punës të Shqipërisë. Sipas shpifarakut Pirro, të sulmosh kreun e shovinizmit grekoleckaman në Shqipëri, Janullatosin, do të thotë të kesh qenë komunist.
Së katërti, atdhedashuria ime nuk është “e shpifur”, siç e karakterizon ky Pirro renegati qëndrimin tim në mbrojtje të dinjitetit tonë kombëtar në raport me shovinizmin grekoleckaman dhe kishën shoviniste greke. Atdhedashuria ime është e mbrujtur mbi bazën e traditave të kahershme të familjes sime, e cila njihet mirë për një trashëgimi të shkëlqyer shqiptarizmi. Stërgjyshërit e mi, Lulo Bajrami dhe Mukë Bajrami, kanë qenë bashkëluftëtarë të Bilbilenjve të famshëm dhe së bashku me ta janë varur në Rrapin e Janinës. Në një libër me vargje rapsodike të zotit Xhevit Zeleli nga Smokthina e Vlorës, janë edhe dy vargje të një kënge të vjetër që u kushtohet stërgjyshërve të mi: Lulua me Mukë Bajramë / Gji në gji ç’e dhanë xhanë.
Veç kësaj, gjyshja e babait tim, Kale Hodja, ka qenë e bija e luftëtarit të dëgjuar Hodo Ali Nivica, një figurë e shquar kjo e kryengritjeve shqiptare në Shqipërinë e Jugut që shpërthyen në vitin 1847 kundër Reformave të Tanzimatit.
Babai im, Hasan Ymeri (1890-1970), ka marrë pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës të vitit 1920 kundër pushtuesve italianë. Për kontributin e tij në atë luftë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, me dekret nr. 4040, datë 14 korrik 1965, e ka dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”, me këtë motivacion: “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Gjatë Luftës Antifashiste, xhaxhai im, Baxhul Ymeri, dhe dajua im (vëllai i nënës sime), Selim Tahiri, u rreshtuan në radhët e brigadave partizane dhe të dy ranë dëshmorë në betejat me pushtuesit nazifashistë. Eshtrat e tyre prehen në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Vlorës.
Pra, atdhedashuria dhe traditat e shqiptarizmit mua më janë mëkuar në familjen time dhe ato janë pjesë organike të formimit tim nacionalist, si qytetar i Republikës së Shqipërisë. Prandaj më kot lodhet sahalëpirësi i Janullatosit të shpifë në një mënyrë shumë të poshtër kundër atdhedashurisë sime.
Së pesti, titullin “profesor” unë nuk e kam marrë në kohën e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe as i jam lëpirë asaj ndonjëherë për të marrë një titull të tillë. Titullin “Profesor” e kam marrë me vendimin nr. 53 të Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, datë 11 maj 2001. Këtë titull e kam marrë pasi kisha fituar fillimisht gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” (me vendim nr. 208 të Komisionit të Lartë të Atestimit, datë 16 dhjetor 1989), e konvertuar në gradën shkencore “Doktor” (sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 351, datë 30 qershor 1993), dhe pasi kisha marrë titullin “Asistent Profesor” (me vendim nr. 11 të Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, datë 13 dhjetor 1994).
Së gjashti, unë kurrë në jetën time nuk kam shqetësuar askënd “për të gjetur një vënd të ngrohtë në Tiranë”, siç shpif për mua ky stallieri i Janullatosit. Arsimin shtatëvjeçar e pata përfunduar me rezultate të shkëlqyera në vendlindjen time, në Smokthinë të Vlorës, në vitin 1955. Me rezultate të larta përfundova Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë në vitin 1959. Pikërisht për këto rezultate të larta, asokohe Ministria e Arsimit më dërgoi në Bashkimin Sovjetik për të vazhduar studimet universitare. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, studimet e larta i përfundova në vitin 1966 në Universitetin e Tiranës, në degën e gjuhës dhe të letërsisë ruse të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Për rezultatet e larta që pata në mësime, më emruan asistent-pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse. Arsyet e vërteta se pse më emëruan asistent-pedagog, i di shumë mirë ish-profesoresha ime e talentuar, zonja Vitore Ballvora (Angoni), një zonjë shumë e nderuar kjo, ish-përgjegjëse e Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse dhe lektore e letërsisë ruse, e cila e mbylli karrierën e gjatë pedagogjiko-shkencore në Universitetin e Tiranës si Docente dhe Dekane e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.
Babai dhe nëna ime nuk kishin ndonjë mik në sferat e larta të partisë dhe të shtetit shqiptar që të mund të ndërhynte “për të gjetur një vënd të ngrohtë në Tiranë” për mua. Miku i vetëm i tyre ishte përkushtimi i admirueshëm që i karakterizonte në qëndrimin ndaj punës, përkushtim, të cilin edhe mua ma patën futur në gjak me shumë kujdes që në moshë të njomë, me porosinë e përhershme që në jetë të çaja me djersën e ballit. Pikërisht rezultatet e mia të larta në mësime qenë ato që e nxitën profesoreshën Vitore Ballvora të ndërhynte në Dekanatin e Fakultetit dhe në Reaktoratin e Universitetit që mua të më emëronin asistent-pedagog. Propozimin e saj për emërimin tim e përkrahu fuqimisht edhe zonja e nderuar Shpresa Zenelaj, profesoresha ime po aq e talentuar, lektore e letërsisë ruse dhe më pas Docente dhe Zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës për shumë vite me radhë. Që të bindet për vërtetësinë e fjalëve të mia, gënjeshtari dhe shpifësi sharlatan i Janullatosit me emrin Pirro dhe kushdo tjetër që tërhiqet zvarrë para Janullatosit, le t’i telefonojë zonjës së nderuar Vitore Ballvora dhe ta pyes se si e gjeta unë asokohe “një vend të ngrohtë në Tiranë”. Numri i telefonit të saj është: 2 34 32 17.
Janullatosi - kolonel
i shërbimit sekret grek
Fytyrën e vërtetë të Janullatosit, si kreu politik i shovinizmit grekoleckaman dhe i kishës shoviniste greke në Shqipëri, na e zbulon deri në imtësi zoti Nuri Dragoj në faqet e librit të tij me titull “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike” (Shtëpia Botuese “Weso”, Tiranë 2009). Le të flasim më konkretisht për figurën e Janullatosit, të cilit zoti Dragoj ia çjerr maskën keq në faqet 396-397 të librit në fjalë.
Së pari, Janullatosi takohet me ministra grekë dhe bisedon me ta për problemet e minoritetit, ndërkohë që në Shqipëri është një parti politike që merret me problemet e minoritetit në fjalë, çka dëshmon se ai është dërguar në Shqipëri jo për rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, por për të tjera qëllime që nuk kanë lidhje me fenë.
Së dyti, Janullatosi, në gazetën “Katerinimis” paska deklaruar: “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve që feja e shqiptarit është shqiptaria. Këtë tezë, - thotë ai, - do ta luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.
Së treti, ai është shprehur kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, rrjedhimisht, ka marrë anën e serbëve për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës.
Së katërti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë një bashkim politik i krishterë, ku, sigurisht, të mos marrë pjesë Shqipëria që shumicën e popullsisë e ka të fesë islame.
Së pesti, në intervistën që i ka dhënë gazetarit amerikan Fred Reed thotë: “Njerëzit në Perëndim duhet ta kuptojnë se islamizmi është, në thelb, një fe politike”, duke anashkaluar në një mënyrë cinike faktin që feja në Greqi drejton shtetin.
Së gjashti, po në intervistën e sipërpërmendur të vitit 1996, kur president i vendit ishte zoti Berisha, Janullatosi ka deklaruar: “Agjenci të rëndësishme të qeverisë shqiptare janë në duar të fundamentalistëve myslimanë. Forca të fuqishme antiortodokse duan të krijojnë republikën e parë islamike në Evropë, pikërisht këtu, një Shqipëri të Madhe që do të përfshijë Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë”. Ky armik i betuar i kombit shqiptar që ndihet i shqetësuar, siç thotë zoti Dragoj, për humbjen nga Greqia të bregdetit lindor të Egjeut dhe të Qipros Veriore, ngrihet kundër aspiratës për bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar.
Nga këto fakte që zoti Dragoj ka renditur në librin e vet, rezulton se misioni i Janullatosit në Shqipëri, siç u theksua edhe më sipër, nuk është aspak fetar, ai është një mision i pastër politik që atij ia ka ngarkuar shovinizmi grekoleckaman dhe kisha shoviniste greke, në dëm të interesave jetike të kombit shqiptar. Prandaj ne nuk mund të mos e besojmë shqiptaro-amerikanin e mirënjohur, zotin Gary Kokalari, i cili ka deklaruar se Janullatosi është kolonel i shërbimit sekret grek (Gazeta “Shekulli”, 06 qershor 2006).
Ja kjo është fytyra e vërtetë e Janullatosit, e këtij armiku të urryer të popullit shqiptar, të cilin, nga njëra anë e quan “popull të dashur”, kurse në të vërtetë, para një gazetari amerikan, e akuzon për popull fundamentalist që kërkuaka të shtypë ortodoksinë. Harron ky armik i urryer që harmonia fetare ka qenë, është dhe do të mbetet në themel të unitetit të popullit dhe të mbarë kombit shqiptar, që feja ortodokse, siç thekson me shumë të drejtë Fan Noli, është pasuri shpirtërore jo vetëm e ortodoksve, por e mbarë popullit shqiptar. Me deklaratën e mësipërme, Janullatosi vetëdemaskohet si kreu i shovinizmit grekomadh dhe i kishës shoviniste greke në Shqipëri, të cilët kanë pasur, kanë dhe do të vazhdojnë të kenë për mision të përhershëm përçarjen fetare në vendin tonë, zhdukjen e fesë myslimane dhe greqizimin e jugut të Shqipërisë. Faktet e sipërcituara dëshmojnë fare shkoqur se Janullatosi në krye të kishës shqiptare, sipas fjalëve të arta të atë Nikolla Markut, përfaqëson në vetvete një simbiozë të përsosur të Jagos me Tartufin.
Për të realizuar qëllimet e veta shoviniste, Janullatosi ka grumbulluar rreth vetes një grigjë sahanlëpirësish që janë të zhveshur nga çdolloj nderi dhe dinjiteti kombëtar, si puna e këtij Pirro servilit. Për lexuesit do të ishte me interes që mbarë sahanlëpirësit e filialit të kishës shoviniste greke me seli në Tiranë dhe të Janullatosit, para se t’i dalin në mbrojtje agait të tyre, le t’u përgjigjen fillimisht pyetjeve që ka shtruar Atë Nikolla Marku për Janullatosin në numrin e djeshëm (14 gusht 2012) të organit “Gazeta Shqiptare”. Për mbarë lexuesit do të ishte me interest të mësonin se me ç’mjete kolosale financiare është ndërtuar “kalaja” e Janullatosit, e cila u bën karshillëk të gjitha institucioneve të administratës shtetërore në qendër të Tiranës. Përmasat gjigante të asaj katedraleje të krijojnë përshtypjen e rreme sikur Shqipëria është një vend ortodoks, si puna e Greqisë apo e Serbisë. Shqipëria as ka qenë dhe as do të bëhet ndonjëherë vend ortodoks. Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet shembulli më i shkëlqyer në mbarë botën i harmonisë fetare, themelet e së cilës kërkon t’i minojë Janullatosi me anë të veprimtarisë së nëndheshme antishqiptare. Prandaj edhe të gjitha fetë në Shqipëri janë pasuri shpirtërore e mbarë popullit shqiptar në tërësi dhe e çdo shqiptari në veçanti.
Sipas ca të dhënave që kanë dalë nga vetë selia e katedrales janullatiste, rezulton se brenda saj, në katet e nëndheshme dhe të mbidheshme, ndodhen 312 dhoma. Për ç’qëllime janë ndërtuar gjithë këto dhoma? Moria e gjithë këtyre mjediseve brenda asaj katedraleje, të bëjnë të dyshosh se prapa pamjes së jashtme të katedrales, fshihet selia e një qendre të madhe spiunzhi grek për mbarë Ballkanin, që ka si qëllim afatgjatë shkombëtarizimin e shkallëshkallshëm të popullit shqiptar. Mirë do të ishte që shërbimet inteligjente shqiptare të mos tregohen të paanshme ndaj destinacionit të asaj morie mjedisesh të katedrales janullatiste, ku me siguri duhet të jenë instaluar aparatura të sofistikuara spiunazhi.
Mbetet për të shpresuar se një ditë të bukur në Shqipëri do të dalin në skenën e politikës burra të vërtetë, me nder dhe me dinjitet kombëtar, për të rithemeluar Kishën e Pavarur Ortodokse Shqiptare, veprën e pavdekshme të Fan Nolit dhe të mbretit Ahmet Zogu, dhe për t’i vënë vizën trashëgimisë janullatiste, duke çliruar edhe grigjën e sahanlëpirësve të Janullatosit nga barra e rëndë e servilizmit të pështirë, si puna e këtij zvarranikut Pirro.
Feniks, Arizona
15 gusht 2012