Nga Mexhid MEHMETI
Lajmi i hidhur, njëherë për zhdukjen, pastaj përpër ikjen e Ali Podrimjes në amshim, ma ndali frymën... Ishte lajm i treishtëpër një vdekje të hijshme që lëkundi themelet e poezisë shqipe e asaj botërore. Lajm që tronditi zemrat e të gjithë atyre që e njihnin, e admironin e që i adhuronin poezitë brilante të tij...
Ka ca ditë që po përpëlitem t'i them ca fjalë për Aliun tonë të dashur, i cili iku në amshim duke i lënë të pikëlluar të gjithë që e deshën dhe e adhuruan. Disa fjalë për Ali Podrimjen - POETIN, padyshim më të madhin ndër shqiptarët të këtejshëm e të andejshëm...! Megjithëse, sa qe gjallë, madje edhe tash pas ikjes së tij në botën e përtejme, ishte i të gjithëve. I donte dhe e donin, si të këtejshmit ashtu edhe të andejshmit. Kam përshtypjen se e njëjta gjë është duke i ndodhurë edhe në kontekst të kësaj dhe të asaj bote?! Sepse: Për Aliun KOMBI ishte një - i pandarë... Tjetër punë është se kishim fatin t'i (mbi)jetonim shekujt me "Hartën e grisur" (titulli i librit të tij në greqishte). Të tjerët na e kishin grisur atë hartë shpirti pa të drejtë. Na kishin ndarë e bërë copë-copë, në pesë shtete e "shtete"! Të kufizuar gjithandej shqiptarët me shqiptarë! Pastaj, ah, diaspora e shprishur, në të gjitha meridianet, kontinentet... Pamëshirshëm na kishin shndërruar në "Torzo" (titulli i një libri tjetër të Aliut). Pa fajin tonë kishim mbetur në "Bisht të sorrës" (shprehje e shpeshtë e tij). Që do të thotë në bisht të Europës hileqare! Ishim popull fatkeq...
Frymonim me poezitë e tij të mekullueshme
Gjenerata ime (pak më e re se e Aliut), kemi frymuar me poezitë e tij, të Esad Mekulit, Enver Gjerqekut, Martin Camajt, Azem Shkrelit, Din Mehmetit, Murat Isakut, Jakup Cerajës, Mirko Gashit etj. Me ëndje i lexonim krijimet poetike të tyre, në fillim gegënisht e pastaj edhe në gjuhën e unjisuar letrare. S'di pse, por Ali Podrimja dallonte nga të tjerët, jo se ishte (atëherë) më i miri, por se kishte disi më shumë liri vargu, laryshi temash, figura artistike e metafora të bollshme dhe një ritëm, rimë të padukshme dhe muzikalitet brendapërprenda poezisë, që nuk të linte të qetë për pa e lexuar edhe një herë, pastaj edhe një herë tjetër... Nuk ngopeshe dot së lexuari ato vargje, ngjashëm me të uriturin që i mungon ushqimi dhe mbetet akoma i uritur, i pangopur sa duhet. Për fat të mirë, Ali Podrimja me krijimtarinë e tij, ishte gjithëherë dhe gjithandej i pranishëm dhe i frytshëm. Asnjëherë nuk i la të "uritur" lexuesit e tij të devotshëm që e adhuronin tepër. Poezia, pra, ishte njohja ime e parë me Ali Podrimjen, të cilin fizikisht e paramendoja "të paprekshëm", ashtu siç i konsideroja të gjithë poetët të jashtëzakonshëm, hyjnor...
Më vonë, gjatë studimeve, pas vitit 1968 (vit ky i kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skëmderbeut, të demonstratave të studentëve të Kosovës, të kremtimit të 90 - vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit...), pata rasin t'i njoh edhe fizikisht shumë nga "të paprekshmit", poetët që asokohe mbanin mbi supet e tyre, jo vetëm zhvillimin e letërsisë shqipe të këndejme (shqiptarëve në Ish- Jugosllavi), por, deri diku, edhe të andejme, të Shqipërisë londineze. Pra, të zhvillimit të kulturës shqiptare në përgjithësi, pa qenë të ndarë edhe nga momentet më kritike të zhvillimeve politike, nga e cila varej fati i popullit shqiptar gjithandej të martirizuar, madje edhe në përmasa biblike.
Vinte shpesh në Preshevën martire
Pasi kisha kryer studimet, unë, mbase "më i vogli" ndër ta, poetët që i adhuroja aq shumë e nga të cilët mësoja në vazhdimësi alfabetin e shkrimtarisë, isha kthyer në vendlindje, në Preshevën time martire ku zhvilloja aktivitet letrar në krye të "Feniks" - it, klubit letrar që nxirte revistën "Panorama" dhe kishte edhe Edicionin Botues. Në aktivitete të shumta të këtij Klubi, nuk mungonin edhe të ftuarit e shumtë, poetët nga Kosova, në mesin e të cilëve asnjëherë nuk mungonte i madhi Ali Podrimja. Publiku Preshevar e mirëpriste si rrallkë dhe që nga atëherë kishte nisur miqësia ime me të. Pas viteve të nëntëdhjeta, sa herë udhëtonte për Europë, në misionet e tij të shenjta, për të përhapur me poezi atdhetarinë ndër bashkatdhetarë të shpërndarë si vetë e qyqes e për t'i mobilizuar ta ndihmojnë atdheut e rrezikuar, udhëtonte përmes Preshevës për në Aeroportin e Shkupit.
Ditën që qëndronte në Preshevë e kalonim bashkë në shoqëri edhe me shumë miq të tjerë... Me ndihmën e një agjensie turistike ndonjëherë ia siguroja falas biletat kthyese të aeroplanit për në destinacionin e udhëtimit dhe e shoqëroja deri në kufirin shqiptaro-shqiptar midis ish Republikës së Maqedonisë dhe Jugosllavisë së mbetur, përkatësisht Serbisë, i ruajtur aq shumë nga forcat sllave. Madje, ndonjëherë na është dashur që atë kufi të hekurt ta kalonim ilegalisht në këmbë?! O, Zot, në çdo çast mund të ndodhte më e keqja, mirëpo dëshira për të "shpërthyer", për ta "zhbërë" atë kufi, që na ndante pamëshirshëm, ishte më e madhe se vetë frika nga vdekja, qoftë edhe nga ndonjë plumb qorr...
Një kohë punuam bashkë në Rilindja
Pas luftës së Kosovës, me ardhjen time në Prishtinë, pata fatin të jem dhe të punojmë bashkë me Aliun në të njëjtën redaksi, redaktorë të rubrikës së kulturës në Rilindja, gazetë kjo me traditën më të gjatë në Kosovë, botimi i së cilës u ndërpre padrejtësisht më 2002 nga autoritetet vendore e ndërkombëtare. Pas mbylljes së gazetës, mbeta pa punë, kurse Aliu vazhdoi aktivitetin si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Kosovës, anëtar i Bordit të RTK-së etj., mirëpo miqësia mes nesh vazhdoi me takime të shpeshta e gati të përditshme. Jo rrallë m'i ofronte poezitë më të reja që i kishte shkruar dhe gëzohej si fëmija kur ia lavdëroja, jo vetëm sa për sy e faqe, por sepse ato vërtet më pëlqenin. Ishte mjeshtër markant i vargut. E lakmoja për dashurinë që kishte ndaj poezisë, për gjetjet, figurat stilistike e simbolikat që i inkorporonte brenda atyre vargjeve.
Vizita që i bëmë Bërkoviqit në Podgoricë
Një telefonatë, paksa jo e zakonshme, ma kishte nxjerrë gjumin një pasditeje të verës së kaluar. Ishte zëri i Ali Podrimjes: Jevremit i ka vdekur bashkëshortja! Nesër me Smajl Smakën do të shkojmë në Podgoricë. A dëshiron të vijsh me ne, më pyeti nga përtej teli. Po, iu përgjigja pa u hamendur. Të nesërmen, me veturën e Smajlit, më morën në Fushë - Kosovë dhe përmes Pejës e Rozhajës arritëm në Podgoricë. Atje na priti me mirësjellje shkrimtari Mirash Martinoviq, autor i romanit "Teuta" të botuar edhe në shqipe, dhe autor i shumë veprave të tjera cilësore. Kur na pa Jevrem Bërkoviqi (shkrimtar malazias me përmasa europiane), vëllamth me Ali Podrimjen, i ndritën sytë, thuase iu kishte fashitur paksa dhembja nga një humbje aq e madhe. Na kishte falënderuar publikisht për gjestin duke na prezantuar si vëllezër të tij shqiptarë nga Kosova. Edhe me këtë rast isha bindur se Ali Podrimja ishte i respektuar shumë jo vetëm në midisin ku jetonte, nga ata që e rrethonin, por edhe në përmasa më të gjera, gjithandej në botë ku respektohej arti poetik, madje edhe nga njerëzit e kalibrit të Bërkoviqit. Ishte e qartë: Ali Podrimja, tok me ta qëndronte ballëlartë në Panteonin e poezisë botërore...
Gëzohej edhe për sukseset e të tjerëve
Megjithëse ishte i tillë, nuk ia kishte zili të tjerëve. U gëzohej edhe sukseseve të të tjerëve, madje i ndihmonte. Më kujtohet sa me gëzim i kishte marrë lajmet e përfshirjes sime në Antologjinë e Poezisë Botërore të Paqës, në Almanakun e Poetëve të Botës, mandej botimet e librave të mi në gjuhë të huaja si boshnjakisht, rumunisht, kinezisht, italisht... Urime, më thoshte, të lumtë, më shumë jemi duke bërë ne për afirmimin e çështjes së Kosovës se politikajt... I pata treguar ftesën që e kisha për pjesëmarrjen në Maratonën Poetike të Sarajevës (më i madhi i këtij lloji në botë?!), ku më ishte botuar libri në gjuhën boshnjake "Gatanje" (Fall), që duhej të promovohej atje në Sarajevë. Ishte gëzuar për këtë të dhënë dhe gati për çdo ditë më pyeste se kur do të shkoja? Më porosiste t'u bëja të fala, sepse edhe atje më njohin, kam shumë miq edhe në Sarajevë, më thoshte.
Nuk do ta harroj kurrë çasti kur më pati përqafuar në kafiterinë Koha, përballë Pallatit të Shtypit, pas redaktimit të librit tim me poezi "Peizazh i ngrirë". Më pati përgëzuar në prani të recensentit Agim Vinca, duke më thënë se ishte libri i parë që e nënshkruante pa bërë farë ndryshimi, madje as të titullit të librit e të cikleve.
Kohëve të fundit më thoshte shpesh: Për shumkë kam bërë shumëçka, kurse ata s'bënë asgjë për mua, madje ma kthyen me të keq. Ndërkaq ti ke bërë shumë për mua, kurse unë nuk kam bërë asgjë për ty. E kishte fjalën për Edicionin Botues të Rilindjes ku ishte redaktor e ku nuk më kishte botuar asnjë libër, pastaj për Antologjitë që i kishte hartuar e ku asnjëherë nuk kishte përzgjedhur ndonjë poezi timen... E ndiente veten keq për këtë fakt, megjithqë ishte i bindur se në mua nuk kishin ndikuar për të keq. E dinte që e doja pa hile. Se isha mik i vërtetë i tij...
Saranda - udhëtimi i parafundit i Ali Podrimjes
Përjetimi i fundit me Ali Podrimjen ishte udhëtimi për në Festivalin e Poezisë Jonike në Sarandë. Aliu që nga Mali i Robit ku ishte duke pushuar me familje, më kishte telefonuar disa herë për t'ia siguruar një biletë për Sarandë, sepse edhe ai donte të udhëtonte me mua nga Prishtina?! Nuk i kisha premtuar, sepse mbi vete kisha marrë përsipër obligimin ta bëja të njëjtën gjë për Sabahudin Haxhialiqin, shkrimtar dhe mik i imi nga Sarajeva, i cili nga atje për në Prishtinë do të udhëtonte përmes Novi Pazarit një ditë para se të niseshim për në Sarandë. Aliu kishte arritur ta siguronte biletën, kështu që udhëtimin e bëmë bashkë. Udhëtuam tërë natën në një kombibus të Agjensisë "Sharri", unë, Aliu dhe Sabahudini. Bisedat dhe shakatë ishin të pashmangshme. Aliu si gjithnjë printe me prirjet e tij për shaka... Herët në mëngjes arritëm në Sarandë, ku mezi kontaktuam me nikoqirin Bardhyl Maliqin, i cili na vendosi në hotel. Meqë Sabahudini na tha se ishte kërrhaq, vendosëm t'ia lëmë dhomën më vete, kurse unë e Aliu u vendosëm në një tjetër dhomë pranë asaj të Sabahudinit.
Ende pa u vendosur si duhet Aliun e kaploi një shqetësim i pakuptueshëm. Ishte penduar për ardhjen e tij në Sarandë?! Kam gabuar që erdha, më thoshte, dua të kthehem në Prishtinë sepse kam të shkoj në Paris! (Në Paris? O Zot, mos ishte kjo një parandjenjë?! Parandjenjë...?!? Po në Paris kishte të shkonte pas një muaji!...) Eja edhe ti me mua në Prishtinë, më luti?! Pastaj me rrëmbim nxori bagazhin nga dhoma dhe u ul në fotelen e recepcionit! Mezi arrita ta bindë të kthehet në dhomë... U shtrimë për një sy gjumë. Ishim tepër të lodhur, kurse në mbrëmje na priste prezantimi i parë...
Poezia e fundit e tij
Aliun nuk e merrte gjumi! Mbase edhe nuk "donte" të flente?! Herë dilte jashtë, herë hynte brendë në dhomë me shamatë duke ma prishur gjumin. Zgjohu, më thoshte, e tërë bota po lëvizë, të gjithë janë të zgjuar kurse ti po fle! Hynte e dilte duke i rrapëlluar dyert e duke i ndezur dritat, nganjëherë edhe duke m'i gixiluar këmbët. Dhe kjo ndodhte çdo gjysmë ore!? Mëkot i lutesha të më linte të qetë, mëkot i përgjërohesha, ai e bënte të veten, ndërkaq unë nga respekti, mbase i tepruar, nuk më pushtonte mllefi, as hidhërimi ndaj tij! Dikur, rreth orës 14, më "zgjoi" sërish, por tash mbante në dorë blokun e xhepit? Dëgjo, më tha, e kam shkruar një vjershë, dhe filloi ta lexonte. Unë e dëgjova me vëmendje dhe duke i buzëqeshur i fola: Hallall të gjitha maltretimet që m'i bëre Mixhë, paske shkruajtur një vjershë të mirë. Vërtetë?, më pyeti dhe ma lexoi edhe një herë. Poezia titullohej "Fustani i verdhë", sa më kujtohet fillonte me vargun Për hajër të qoftë tradhëtia..., vazhdonte me Kafshim minjësh, gjarpinjsh... fustan të verdhë etj. Më pëlqeu fort. Ia lavdërova edhe një herë. Paksa i lastuar më tha, epo kështu shkruhet poezia bablok, ti nuk e di, je budallë... U qesha me zë dhe në shaka i thashë: Dëgjo çka po të them. Vaj për gruan tënde çka paska hequr me ty! Pse, më pyeti i habitur, pa e kuptuar se ku doja të dilja! Fol, më tha, duke më shikuar drejt në sy si i përhumbur...! Po sa poezinë e ke shkruar ti, o Ali Podrimja, mjerë ajo e mjera... Buzëqeshi hidhur duke e futur blokun në xhep. Gjatë tri ditëve në Sarandë, disa herë më kërkoi t'ia them ato fjalë të tjerëve. Iu tregova Visarit, Sabahudinit, Bardhylit, Fatmirit... Të gjithë e kishin kuptuar, pagjumësia dhe shqetësimet e asaj dite që i ndodhën Aliut. Ishin, siç thonë, dhembjet para lindjes... Asgjë e mirë nuk mund të lindte pa dhembje! Konstatim paksa i çuditshëm edhe për poezinë...
Në mbrëmje Ali Podrimja shkëlqeu. Atë natë në program ishin vetëm ai, Sabahudin Haxhialiqi dhe Gjuzepe Napolitano. Një ndër poezitë që i lexoi Aliu i kushtohej Çamërisë. E lexoi me zë kumbues dhe me mllef të theksuar, ndoshta për inat të poetëve grekë që përpiqeshin të dominonin në Festival...
Pas kthimit në Prishtinë, e takova në byfenë e RTK-së, u ul në tavolinën time dhe më tregoi se e kishte humbur blokun e numrave të telefonit ku e kishte të shënuar edhe poezinë "Fustani i verdhë". Kërkoi nga unë t'ia thoja përmendësh, por unë veç ca parafrazimeve të zbehta, nuk arrita dot t'ia thoja të tërën... Paksa i "hidhëruar" ndërroi tavolinën. Pas kësaj e kam takuar edhe nja dy herë dhe kam pirë kafe me të, por nuk e kemi zënë n'goje poezinë në fjalë. Më nuk e pashë... Kishte vajtur në Paris, në takim me Lumin, me shkrumin e tij. Kishte ikur në pakthim...
U habita tepër kur bashkudhëtarja e fundit e tij Ilire Zajmi më dëftoi se Ali Podrimja në Festivalin e Poezisë në Paris e kishte lexuar poezinë "Fustani i verdhë"?! Bah, si është e mundur, pyeta veten në ato çaste, ose e paska gjetur blokun ose e paska rishkruar atë poezi. Mbase të fundit që e kishte (ri)shkruajtur dhe (ri)lexuar në jetë... Unë isha ai që e kisha dëgjuar i pari, dy herë radhazi nga gojë e tij, me zë drithërues e shikim të përhumbur. Se çfarë fati do të ketë tutje ajo poezi nuk mund ta dijë askush, madje as unë?!
Lajmi i hidhur, njëherë për zhdukjen, pastaj për ikjen e Ali Podrimjes në amshim, ma ndali frymën... Ishte lajm i trishtë për një vdekje të hijshme që lëkundi themelet e poezisë shqipe e asaj botërore. Lajm që tronditi zemrat e të gjithë atyre që e njihnin, e admironin e që i adhuronin poezitë brilante të tij...
Legjenda:
1) Smajl Smaka, Ali Podrimja, Jevrem Bërkoviq, Mexhid Mehmeti dhe Mirash Martinoviq në Podgoricë
2) Mexhid Mehmeti, Ali Podrimja, Gjuzepe Napolitano dhe Sabahudin Haxhialiq në Sarandë
3) Gjuzepe Napolitano, Vilhelme Vranari – Haxhiraj, Sabahudin Haxhialiq, bashkëshorti i Vilhelmes Fitim Haxhiraj, Mexhid Mehmeti dhe Ali Podrimja në Sarandë
4) Ali Podrimja duke e lexuar poezinë për Çamërinë në Festivalin e Poezisë Jonike në Sarandë
5) Bardhyl Maliqi, Fatmir Terziu, Ali Podrimja etj. në Sarandë.