2012-08-14

Burgjet e diktaturës...


69-vjeçari Miho Gjini, ai që ka bërë kritikë teatri dhe teatër, kritikë letërsie dhe letërsi, tani bën jetën e një emigranti, që me të zbardhur dita niset të nxjerrë bukën e përditshme me forcën e muskujve të mplakur, siç thotë ai. Është autori i 13 librave, i disa dramave të vëna në skenë, njeriu i ditur i dikasterit të dekadave më parë të arsim-kulturës dhe regjisori i suksesshëm i disa vënieve në skenë. Miho Gjini është një emër me autoritet profesional i viteve ‘60 e ‘70 në punën e gjatë me trupa artistike në terren. Është njeriu që diktatura i rezervoi burgun, si pjesëtar i "çetës" së liberalëve në art e letërsi. Në këtë jetë të vështirë e të shpërfillur pas dënimit në burgjet e diktaturës, thotë se pas vitit 1982, kur la qelitë e Tepelenës, Ballshit e të Spaçit, jetoi burgun nën qiellin e hapur, që i bëhej në emrin e të famshmes luftë të klasave.
Miho Gjini, njeriu që bëri artin, provoi ferrin dhe jeton arratinë
Miho Gjini, njeriu që bëri artin,
 provoi ferrin dhe jeton arratinë

Kjo klimë vrasëse e bëri krijuesin të renditet ndër të parët që mori rrugët e kurbetit të detyruar, sikurse e quan. Një barake me llamarina në një lagje thuajse të pabanuar jashtë Athine, të quajtur Koropi, është banesa e jetës së viteve të vështira të emigrantit të vonuar, por edhe studioja e krijuesit që nuk kuptohet dot pa penën në dorë e letrat e bardha, që i mbush me mendimin estetik e kritik, me muzën e krijimit të tregimeve, novelave e memuareve nga jeta në ferr, nga arratisja e kujtesës etj.

Këta togfjalësh mbajnë për tituj disa nga vëllimet e fundit të botuar pas vitit 2000, për të cilat ai le tryezën e krijimit ditën, për t‘iu kthyer asaj mbrëmjeve edhe me tufën e eurove, të nevojshme për të jetuar e për të botuar. Kohë më parë atë e ktheu në vendlindje një tjetër nderim që i është bërë: Komuna e Lukovës e shpalli "Nderi i Bregdetit".

INTERVISTA

Është e pakonceptueshme sot se si një njeriu, një krijuesi, një intelektuali mund t‘i nxiroset jeta nga "Njollat e murrme". Si ndodhi?

Nga një njeri tepër i varfër, unë munda të bëhem diçka në jetë. Atëherë kur unë mendova se kisha arritur diku afër majës, pësova një rifillim të tmerrshëm dhe rashë mu në fund. Në fillim ishte e thjeshtë. Ishte një furtunë që Enver Hoxha u bëri armiqve fantazmë që i shfaqeshin natën. Midis tyre ishin armiq që ai i quante liberalë dhe e quante shumë të rrezikshëm këtë liberalizëm, sepse vështronte nëpërmjet kësaj dritareje që e quante liberalizëm, hapjen drejt botës, drejt Evropës. Pra, u desh ta pësoja edhe unë në këtë mes si mbrojtës i disa dramave që ai i quajti liberale dhe të rrezikshme për ideologjinë, konkretisht duke sjellë në festivalin kombëtar të teatrove dramën "Njollat e murrme", që ai e quajti manifest të revizionizmit. Unë e përjetova këtë si një tmerr dhe nuk kam dëshirë as ta kujtoj dhe e quaj diçka të harruar.

Çfarë erdhi pas këtij ferri? Ndërroi diçka te Miho Gjini me ndërrimin e sistemit?
Me keqardhje e pohoj këtë "asgjë", përveç njëfarë lirie për të lëvizur e për të shkuar deri në Greqi si argat për nxjerrjen e bukës me shpatullat e mia. Nëpër sirtarët e zyrave të "demokratëve" që erdhën në pushtet dhe më pas edhe të "socialistëve", mund të gjeni mbi 30 lutje e kërkesa, që humbën si kripa në ujë. Asnjë kambanë nuk po bie, dreqi ta marrë, në këtë "varrim të përjetshëm" që po na bëjnë së gjalli pushtetarët! Ç‘kërkonte vallë ky Miho Gjini? Vetëm strehë dhe punë.
Me përfundimin e këtij ferri, ku unë pikërisht shpresoja se do të arrija një rimëkëmbje, pikërisht kur themelet e shtetit po lëkundeshin dhe po lindte dielli i demokracisë, po lindte dielli i lirisë së vërtetë dhe komunizmi po jepte shpirt, unë shpresova dhe shpresa ime ishte shumë e flaktë se ndryshimet do të ndodhnin shumë shpejt. Ndoshta këtu u gabova, se ndryshimet ishin milimetrike dhe nuk mundëm të merrnim sadisfaksionet që prisnim.

Cilat ishin këto sadisfaksione?

Një punë të profilit tonë, një strehë për të futur kokën. Për çudi, kaluan pesë vjet, kaluan dhjetë vjet, 15 vjet dhe vura re me trishtim që sirtarët e pushtetarëve të rinj mbusheshin me kërkesat tona prej letre dhe ato mbetën gjithmonë "kërkesa prej letre". Kështu që u detyrova të marr rrugën në emigracion. Por rruga e emigracionit ishte me ato privacione të punës së rëndë për të mbijetuar, një mbijetesë për të siguruar diçka. Por ama shpirti im prej artisti do të jetonte, do të mbijetonte dhe u mundova dhe arrita ta realizoj këtë që krahas punës së rëndë të mos i ndahem pasionit të vjetër për artin, për letërsinë dhe pikërisht te letërsia gjeta pasionin e dytë pas teatrit. Veç katër librave studimorë për artin skenik, shkrova edhe gjashtë libra të tjerë me karakter letrar, me tregime, novela dhe një roman autobiografik dhe tani jam duke shkruar një libër që përfaqëson një triptik kritik letrar.

Sa larg teatrit, dashurisë tuaj të parë, ndiheni duke shkruar libra?

Teatri është tamam dashuria ime e parë. U ndamë përkohësisht prej egërsisë së kohës e më pas prej emigrimit që na u imponua me po kaq egërsi. Ndaj iu kushtova letërsisë. Tri librat me tregime e novela, që kam shkruar gjatë kësaj periudhe, kanë të bëjnë me këtë lloj letërsie. Por më është dhënë rasti t‘i rikthehem edhe një profesioni shumë të dashur për mua, regjisurës. Po vë në skenë një komedi të Skënder Demollit në kohën time të lirë, me miqtë e shokët e mi emigrantë, doemos artistë profesionistë (disa syresh studentë të mi), që kanë mall për skenën e "braktisur", sikundër edhe unë.

Braktisjen e shtetit a e ke ndjerë?

Mua më mungon vendi im, deri dhe Saranda e Piqerasi. Dhe u habita që pas një harrese jo të gjatë, dy vite më parë më vjen nga Presidenti i Republikës stimuli moral që më emocionoi tepër. Më jepet para dy vjetësh titulli " Mjeshtër i Madh" dhe s‘kalojnë as dy vjet dhe njerëzit e mi të krahinës, Komuna e Lukovës, më japin dje edhe një sadisfaksion tjetër moral, duke më bërë "Qytetar nderi" të bregdetit.

Për mua është një kënaqësi e dyfishtë dhe kjo sikur m‘i përgjysmon vuajtjet që kam hequr.

Si mundeni të botoni kaq dendur libra, ndërkohë që jetoni në vështirësi ekonomike në emigracion, ku bëni punë të rënda jashtë një moshe pune.

Është e mundur. Sa më shumë shtohen vuajtjet, sa më shumë kalojnë vitet, sa më tepër e ndjen plakjen njeriu, kërkon në vetvete forca të atilla që të mposhtë edhe vuajtjet e kaluara edhe punën e rëndë edhe largimin nga vendlindja. Unë i kushtohem në mënyrë të trefishtë pasionit të krijimtarisë, ajo është një nga gëzimet më të rralla që përjeton njeriu i letrave, njeriu i artit dhe sikur na mban gjallë shumë më tepër nga ajo puna e rëndë që bëjmë. Unë dhe shokët e mi në emigracion nuk e ndajmë veten nga vendlindja, nuk e ndajmë veten nga letërsia që botohet këtu. Kemi krijuar një lidhje të shkrimtarëve dhe të artistëve në emigracion. Kemi krijuar disa shfaqje skenike në gjuhën shqipe, kemi botuar libra që i mëshojnë temës së emigracionit.

Çfarë mendon për zhvillimet e sotme të artit profesori i artit skenik dhe i arteve të bukura në përgjithësi i kohës së monizmit?

-Ka një frymëmarrje që e ka nxjerrë artin, kulturën, letërsinë në një diapazon jo vetëm të dukshëm, por edhe cilësor. Ka një kërkim dhe kërkimi është i dukshëm në të gjitha gjinitë e artit dhe të letërsisë. Ka eksperimentime në letërsi, në artin skenik, në balet, në televizion e kudo. Dhe kjo hapësirë, kjo rritje cilësore s‘ka si të mos ndihet, s‘ka se mos na përkëdhelë sedrën e të na nxitë që edhe ne si krijues ta shtojmë begatinë e artit dhe të kulturës sonë.

Cili është borxhi që i ka artit dhe artistëve politika e re dhe ky shtet i ri postkomunist?

Unë mendoj se nga qeveritarët e rinj do të marrë fund indiferentizmi i tmerrshëm. Ne shkruajmë, botojmë, marrim pjesë në media, bëjmë shkrime, libra, artikuj të ndryshëm dhe këto nuk shpërblehen dhe vazhdojmë akoma të qëndrojmë në sadisfaksionet morale. Kjo duhet kapërcyer nga politikanët, nga Parlamenti shqiptar. Të ketë ligje vlerësimi për artistët, për shkrimtarët, të kenë konsiderata, ligje për t‘i përkrahur, për t‘i evidentuar punët e tyre, se dihet që atë që bën një vepër letrare, ose një vepër skenike, nuk mund ta bëjnë dot 100 politikanë.

Po personalisht ty?

Në prizmin personal unë mund të them që megjithëse jam në moshë të thyer, kam një plagë që më vjen rëndë ta theksoj vazhdimisht: që nuk kam një strehën time në Shqipëri. I vetmi faktor që më bëri të emigroj është se strukturat e ligjet janë të atilla që nuk të favorizojnë shumë.

Josif Papagjoni: Miho Gjini, filozof i teatrit

Për Miho Gjinin, kritiku i artit Josif Papagjoni thotë se është më së pari kritiku i teatrit, më i zëshmi i fundit të viteve ‘60 e fillimit të atyre ‘70. Ai kujton se Gjini i përket një periudhe kur teatri njohu zhvillime cilësore, kur ai u përball me probleme të ndërlikuara të rritjes. Në këtë klimë kritika u ofrua të thotë një fjalë të mençur. Në këtë fushëpamje, Miho Gjini në përfytyrimin e Papagjonit mbetet "një nga artikuluesit jo vetëm emocionalë të fjalës mbi teatrin, por edhe mendimtar i rrallë dhe filozof i këtij teatri". Pikërisht për sinqeritetin e fjalës së tij dhe për atë dashuri të madhe që kishte për teatrin, ai doemos u detyrua të paguante edhe një haraç të pamerituar, sikundër qe burgimi.

Unë kam dhe një lidhje të dytë, se unë vetë jam nga Bregdeti dhe e kam ndjerë si student që isha dhe më pas si kritik i ri, dorën e Miho Gjinit, shprehet kritiku Papagjoni, duke dalluar tek ai dashurinë për vendlindjen dhe njerëzit e saj.
Studenti i profesorit të atëhershëm të artit dhe kritikës së teatrit veçon si një vlerë të dallueshme stoicizmin e Miho Gjinit.


"Fati i tij, shprehet ai, ishte tejet i trishtuar, tragjik, hoqi picirin burgjeve komuniste, mirëpo vetëm me një optimizëm shumë të madh, një njeri i ushqyer nga dashuria për jetën dhe nga bukuria e kësaj natyre që ofron Bregdeti dhe lirika e hapësirave të mëdha që jep fantazia e detit, bëri që ky njeri optimist në thelb ta përballojë tragjedinë e vet dhe situatën e ardhur më vonë.

Ai ndihet mirë kur e sheh si një njeri që di ta gëzojë jetën dhe kur ajo i ka falur pak, si një njeri që nuk e lëshon penën nga dora, edhe pse po bën shumë vite jashtë. Botimi i librave të rinj për teatrin, memuareve për artistë të shquar të teatrit, por edhe publicistikë, librat me novela dhe tregime të ndjera e të bukura, që vijnë nga jeta e vështirë e tij, është një sprovë qëndrese dhe mbijetese.

Pjesë e këtyre botimeve janë kujtimet për pjesën e burgut, të cilat Papagjoni i quan me shumë vlerë për të njohur tërësinë e këtij njeriu që do ta quaja një nder për fshatin e vet, për krahinën e Bregdetit, për Sarandën dhe më gjerë për teatrin shqiptar dhe letrat shqipe.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...