2012-08-12

Nga Flori Bruqi :Qeveria Shqiptare : SHISH është i yni

Shkarkimi i Shaqirit pas emërimit të Bujar Nishanit në postin e Presidentit, u paralajmërua kohë më parë edhe nga opozita. Kryeministri Sali Berisha nuk ka pasur marrëdhënie të mira me ishkreun e SHISH, Bahri Shaqiri. Tre vjet më parë, kreu i Ekzekutivit u përplas me Shaqirin për disa ndryshime në ligjin e SHISH-it, mes të cilave edhe vendosja e mandatit për kreun e këtij institucioni. Ndërsa përplasja më e ashpër, edhe publike, mes tyre erdhi dy ditë pas ngjarjeve të 21 janarit. Kreu i Ekzekutivit e akuzoi Shaqirin si pjesë të puçit të organizuar nga opozita, duke mos dhënë asnjë informacion për protestën që po përgatitej në disa rrethe të vendit.



Presidenti dhe Kryeministri shqiptar:Bujar Nishani dhe Sali Berisha 

Në takimin me policët tri ditë pas ngjarjeve të 21 janarit, Kryeministri tha se edhe kryepleqtë dhanë më shumë informacion se Shërbimi Informativ Shtetëror për atë ditë.
“Agjencia, e cila është përgjegjëse kryesore për informacionin për rendin kushtetues të vendit, në të cilën taksapaguesit shqiptarë paguajnë 1000 burra e gra, i dha drejtorit tuaj në datën 20 janar zero informacion. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë dhe përbën një akt të paprecedentë. Ndërkohë kur ju garantoj se nga kryepleqtë e Shqipërisë kam marrë me qindra informacione se po rekrutohen njerëz, po shpërndahen lekë, po jepen 1000-1500 lekë për transportin dhe 20- 30 mijë lekë për goditjen me gurë. Kurse kjo Agjenci u shurdhua dhe u verbua me mekanizmat që Parlamenti do t’i nxjerrë në shesh”, u shpreh Kryeministri.


Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror u thirr në atë kohë edhe nga Komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit, por kjo seancë nuk u zhvillua kurrë për shkak se disa nga anëtarët e këtij komisioni nuk ishin të pajisur me certifikatën e sigurisë për ruajtjen e informacioneve sekrete. Mbrëmë, në faqen e Kryeministrisë, emri i Visho Ajazit nuk figuronte më në listën e zv.ministrave të kabinetit qeveritar.




Deri kur grekofili Edvin Rama  ofendon  Shërbimi Informativ Shtetëror

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama paralajmëroi  një krizë të re politike për shkak të shkarkimit të kryetarit të SHISH-it (Shërbimi Informativ Shtetëror), Bahri Shaqiri dhe emërimin në vend të tij të Visho Likës, me propozim të kryeministrit Sali Berisha.

“Ky vendim i Presidentit është akti më ekzemplar i varësisë së tij nga kryeministri dhe do të sjellë pasoja negative për jetën politike dhe institucionale në vend”, paralajmëron Rama përmes një reagimi publik.

Kreu socialist vijon me kritika të ashpra ndaj presidentit Bujar Nishani që firmosi dekretin: “Turp, sepse rrënoi pavarësinë e SHISH, sepse e bëri këtë pa u konsultuar me aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë, sepse ktheu kohën pas”, u shpreh Rama.

Qeveria Shqiptare : SHISH është i yni

Infokusi Images

Majlinda Bregu
Qeveria ka reaguar ashpër ndaj akuzave të opozitës për zëvendësimin e papritur të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, tha se janë socialistët ata që gjatë qeverisjes së tyre kanë vendosur standarte uzurpuese mbi institucionet duke emëruar në krye të tyre, siç tha ajo, ish-ministra apo anëtarë të kryesisë së partisë. C'ka sipas zonjës Bregu nuk po ndodh me qeverisjen aktuale.
“Zoti Rama që derdh lot këto ditë për largimin, në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, të zotit Shaqiri dhe emërimin në këtë detyrë të zotit Visho Lika, harron se në çdo vend të lirë të botës, Shërbimi Informativ është agjenci e ekzekutivit dhe jo pronë apo forum i ndonjë partie politike. 
Visho Lika


Zoti Rama dhe suita e tij mediatike bëhen qesharakë kur çirren dhe vajtojnë se u zëvendësua pas tetë vjetësh drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, ndërkohë që qeveritë socialiste, gjatë tetë viteve në pushtet, ndërruan tre drejtorë të këtij Shërbimi dhe nuk nguruan të vendosin në krye të tij, në emër të depolitizimit, anëtarin e kryesisë së PS-së, Fatos Klosin, të ndjekur për lidhje agjenturore me shërbime të huaja, nga shërbimet e vendit dhe të akuzuar botërisht si trafikant armësh”, u shpreh Bregu.

 Bahri Shaqiri



Zëvendësimi i zotit Bahri Shaqiri me zotin Visho Lika hasi në kritika edhe të medias, opinionistëve dhe shoqërisë civile si dhe të ish-presidentiti Moisiu. Kjo ndoshta edhe për shkak të mënyrës së papritur sesi u bë shkarkimi në mesin e gushtit dhe ende pa mbushur një muaj nga marrja e mandatit të presidentit të ri Bujar Nishani.





Por, më shume se kaq, kritikat lidheshin me emërimin e drejtuesit të ri, i cili ka mbajtur poste drejtuese në shërbimin sekret të shtetit në një nga periudhat më të errëta të këtij institucioni. Ndërkohë që habi dhe mosdijeni për kohën dhe arsyet e këtij zëvendësimi u shprehën edhe nga ambasada amerikane në Tiranë që njihet si partnerja kryesore e këtij shërbimi.

Emërimi i Visho Lika në krye të SHISH, është për tu trembur

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ish drejtori i  Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi shpresh shqetësim lidhur me ndryshimin e kreut të SHISH-it.  Ndonëse është normale që kryeministri të ketë një njeri që do vetë në krye të institucionit informativ,  thotë zoti Klosi, ai asnjëherë nuk e ka thënë përse nuk i ka pëlqyer drejtori që u lirua nga detyra.
Zëri i Amerikës:  Zoti Klosi, nga pikëpamja formale ndryshimi është bërë në përputhje me ligjet. Përse bëhet kaq zhurmë për vendimin e sotëm? Shefi i Shërbimit Informativ është një nga ndihmësit e kryeministrit; por dihen marrëdhëniet jo fort te mira që kryeministri ka patur me zotin Shaqiri. Në këto kushte a nuk është normale që shefi i ekzekutivit të zgjedhë një person me të cilin ai mund të bashkëpunojë?
Fatos Klosi:   Sigurisht është kështu siç thoni ju dhe formalisht është në rregull; ka propozuar kryeministri, ka dekretuar presidenti. Por, kjo është një lojë e vjetër. Kryeministri ka dashur t’a heqë ( zotin Shaqiri ) që kur erdhi në vitin 2005. Madje kryeministri deklaroi se do t’a kalonte Shërbimin Informativ nën Ministrinë e Brendshme, pra ka qenë një problem i vjetër i tij. U mundua shumë herë dhe të bën përshtypje jo pse e hoqi, por të bën përshtypje që sapo u caktua presidenti i ri, ndoshta ishte nga detyrat e para që kishte marr përsipër,  unë jam i sigurt që marrëveshja për t’u bërë president ka patur brenda edhe heqjen e drejtorit të Shërbimit Informativ, dhe presidenti para ca ditësh na bëri deklaratën që është kompetencë e kryeministrit, që ishte e gabuar, ai u ngut për të thënë që unë do t’a heq drejtorin e Shërbimit dhe sot më në fund e hoqi. Unë e quaj normale që kryeministri të ketë një njeri që do ai, por nuk e di, nuk e ka thënë asnjëherë në këto 7 vjet, pse nuk i ka pëlqyer ky drejtor Shërbimi.  Kjo tregon që ai do të ketë një njeri të vetin atje, por të vetin jo pse do të ketë besim tek ai, por se me të, ai do të bëjë gjëra të frikshme. Ky është problemi i vërtetë.
Zëri i Amerikës:   Zoti Klosi, a mendoni se ka vend për shqetësim?
Fatos Klosi:  Mendoj se ka vend për shqetësim.  Zgjedhjet janë afër, eksperienca e drejtorit të sotëm në SHIK-un e Gazidedes ku u mor fort me zgjedhjet e vitit 1996, besoj se është një nga parametrat që ka shërbyer për t’a zgjedhur, ndaj them që është për t’u trembur. Formalisht është në rregull, siç thatë ju.
Zëri i Amerikës:  Zoti Klosi, a nuk është disi herët për të bërë paragjykime?
Fatos Klosi: Nuk është herët për paragjykime.  Ne e dimë eksperiencën e atij që është caktuar. Ai ka patur një eksperiencë në Shërbimin Informativ dhe ai Shërbim vërtetë ka qenë anatemuar për plot probleme, midis të tjerave, mbase më të rëndësishmen, për një pjesamrrje të fuqishme në ato që ndodhën në zgjedhjet e vitit 1996, kështu që nuk e quaj shumë herët. Nuk duhet të harrojmë eksperiencën. Kryeministri kishte rast për të emëruar të tjerë sa të duash, nuk është mangut Shqipëria për nënpunës të shtetit.
Zëri i Amerikës:  Një reagim i parë nga partnerët e Shqipërisë erdhi pikërisht nga Shtetet e Bashkuara, të cilat shprehën rezervë lidhur me kohën, apo arsyet e këtij shkarkimi, apo vendimi. Ndonëse nuk është e detyrueshme, a ka qenë praktikë pune që për poste të tilla të ketë një lloj komunikimi me partnerët strategjikë?
Fatos Klosi:  Unë them që sot akoma më shumë se ç’është në traditën tonë. Tani ne s’jemi më ai shtet i dikurshëm siç ishim për shembull kur u hoqa unë. Tani jemi anëtarë të NATO-s dhe unë e di që Shërbimet janë një nga institucionet që ne na lidhin me NATO-n siç është edhe ushtria, për shembull, dhe Ministria e Mbrojtjes. Kështu që një konsultim me partnerët, sigurisht, për mua, do të ishte i nevojshëm. Unë kam parasysh, vite më parë, kur u bë një përpjekje e ngjashme për ta hequr Drejtorin e Shërbimit, erdhi këtu vetë Shefi i NATO-s dhe u konsultua me qeveritarët tanë dhe nga kjo gjë ata u tërhoqën. Mua më duket që kjo ngutje që është bërë tani, në këtë periudhë vere, kur nënpunësit e lartë edhe në vendet e tjera janë me pushime, ka lidhje tamam me këtë, që t’i kapi papritur ata, të bëhet fakt dhe ata të mos ndërhyjnë dot më.
Zëri i Amerikës:  A prisni ju një përçarje me Shtetet e Bashkuara në lidhje me vendimin e sotëm?
Fatos Klosi:  Unë do uroja që jo, natyrisht! E mirë nuk është! Tani jemi në pozita të tjera, nuk kemi vetëm një miqësi të shprehur me Shtetet e Bashkuara por kemi edhe një miqësi të akorduar me një aleancë të rëndësishme dhe për këtë arsye them që duhet të jemi më seriozë me këto gjëra./ZA/

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...