2012-08-16

Parathënie e librit „Shqiptarët dhe grekët…“ i shkruar nga Nuri Dragoj



„SHQIPTARËT DHE GREKËT”NJË LIBËR QË LEXOHET ME NJË FRYMË




Shkruan: Akademik, Prof. Dr. Beqir Meta ( * )



Një libër i ri për marrëdhëniet me fqinjin jugor, që sjell meditime, përsiatje dhe analiza të shumta mbi lashtësinë e popujve shqiptarë e grekë, mbi trashëgiminë e tyre historike dhe mbi marrëdhëniet plot dritëhije, shpresa dhe iluzione, për miqësi që janë fashitur dhe mbytur nga politikat e armiqësisë, pushtimit, asimilimit dhe nacionalizmit.
Nuri Dragoj ka vënë shpirtin, patriotizmin e humanizmin e tij, në kandarin e drejtësisë së historisë për të denoncuar çdo fenomen e mentalitet negativ në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë, që ka tendencën të fanitet edhe në ditët tona dhe të helmojë e rrezikojë të ardhmen. Një libër, ku historia dhe publicistika gërshetohen natyrshëm.
Autori, me ndershmëri dhe me ndërgjegje të pastër intelektuale, ka dhënë historinë për të shpjeguar të tashmen, ka kryer depërtimet në thellësi të historisë për të pohuar lashtësinë e të dy popujve, vezullimin e pashuar të qytetërimeve pellazge, ilire e greke, kapërcimet në mesjetë, ku fatet e të dy popujve u bashkuan në një emërues që ishte - fatkeqësia e tyre.



Më tej, rezistenca heroike e arbërve nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe përpjekjet foshnjarake të një pjese të historiografisë greke për të përvetësuar identitetin e heroit kombëtar të shqiptarëve, vijnë përmes një kritike logjike dhe të pakompromis. Ndihma e shqiptarëve për revolucionin grek dhe shndërrimi i asaj ndihme në një fatkeqësi, përbëjnë një tjetër linjë interesante të këtij botimi.
Autori ka dhënë me imtësi lindjen e politikës së “Megaliidesë” dhe helmin permanent që ajo shpërndau në marrëdhëniet midis dy popujve. Aleanca e heshtur, por shumë efektive, e Fanarit me Portën e Lartë Osmane, për të ndaluar emancipimin kombëtar në Ballkan, lufta e ashpër e sistematike që ata i bënë kombit shqiptar e ndërgjegjes së tij, janë dhënë me nota sa dramatike, aq edhe realiste.
Iluzionet, shpresat, përpjekjet e udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, - qysh nga periudha e Rilindjes Kombëtare, deri pas krijimit të shtetit shqiptar, - për të krijuar një aleancë me grekët, e cila do të bazohej mbi parimet e barazisë, miqësisë dhe respektit reciprok; dështimet e mjera e fatkeqe të këtyre përpjekjeve, - si rezultat i politikës dominuese dhe ekspansioniste greke, e cila kishte në thelb “Megaliidenë”, - përbëjnë një bosht tjetër solid të këtij botimi.
Një tablo therëse dhe plot realizëm pasqyrohet për momentin e lindjes së shtetit të ri shqiptar dhe vitet e para, të dhimbshme, të jetës së tij. Greqia ishte në krye të politikës vrastare kundër këtij shteti, politikë që u shpreh me aneksimin e territoreve shqiptare dhe me masakrat e tmerrshme kundër popullsisë së pafajshme shqiptare, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kombëtare.
Me mprehtësi janë dhënë aleancat ndërkombëtare të politikës greke në funksion të aneksimit të Shqipërisë së Jugut, karakteri i tyre dhe amoraliteti e miopia e politikës së jashtme greke. Politika e Fuqive të Mëdha, gjatë dy luftërave botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, analizohet në evolucionin e saj, duke vlerësuar veçanërisht në mënyrë pozitive, politikën amerikane, që kontribuoi për pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.
Dragoi sqaron se kyçi i zhvillimit, unitetit dhe modernitetit të kombit shqiptar, është harmonia, toleranca dhe bashkëjetesa fetare. Por ai zbulon, si rrënjët historike, ashtu dhe betejën moderne që po zhvillon Greqia e sotme, për ta shkatërruar këtë bazament fondamental.
Çamëria, natyrisht që do të përbënte një prej ndjeshmërive të veçanta të autorit. Me sensin racional të së drejtës dhe sidomos me dashuri, Dragoi, me penën e tij, udhëton nëpër dhimbjen çame, nëpër koordinata hapësinore e shpirtërore, duke sjellë përpara vëmendjes së çdokujt, jo thjesht faktin historiko-tragjik të shqiptarëve çamë, por edhe përjetimin individual, duke e tejkaluar pozitën vrojtuese apo shqyrtuese të studiuesit, dhe duke ardhur te lexuesi, si “një prej tyre”, mbi të cilët ra mizoria greke në dy shekuj.
Veçoria e këtij libri është se i merr një nga një të gjithë elementët e marrëdhënieve shqiptaro - greke dhe i zhvillon ato që prej thellësive të historisë e deri në ditët tona, duke bërë një paraqitje vertikale, që zbulon qartësisht dhe pa ekuivokë objektivat e politikës së sotme greke.
Duke lexuar këtë libër, çdokush mund të krijojë një përfytyrim konkret për pasojat e ofensivës së helenizmit në Shqipërinë e Jugut dhe më gjerë, në shoqërinë shqiptare në ditët tona, si dhe rreziqet reale që rrjedhin prej saj. Botimi është gjithashtu edhe një homazh për martirët dhe dëshmorët e shumtë shqiptarë, që u persekutuan dhe u vranë nga dora e zezë e nacionalizmit grek. Ata ishin lulja e elitës kombëtare shqiptare. Për këtë arsye, ai ka vlera edukative për brezin e ri, i cili ka njohuri relativisht të pakta për historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Për të gjitha këto risi dhe vlera, kam besimin e plotë se ai do të jetë një botim shumë i preferuar dhe i dobishëm për lexuesit shqiptarë, të të gjitha kategorive e moshave. Ai është shkruar me kulturë, me një gjuhë të thjeshtë, por të pasur dhe me një stil tërheqës, i cili e rendit këtë botim në kategorinë e atyre librave që lexohen me një frymë.

( * Akademik Prof. Dr. Beqir Meta është Drejtor i Institutit të Historisë në Tiranë. )




http://www.kubon-sagner.de/opac.html?record=7030133

Titel:

Shqiptarët dhe grekët: realitete historike.

Untertitel:
Autor:Dragoj, N.
Jahr:2009
Ort:Tiranë
Verlag:Vesso
Land:Albanien
Seiten:Geb., 585 S., Literaturverz., Glossar, Register.
ISBN:
Medienart:Buch
Annotation:History - Albania - Greece.
Gewicht:750 g.
Preis:23,00 Euro
Bestellnummer:7030133



I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...