2012-08-14

Udha e Kombit bashkoi shqiptarët që i nxorri në dritë nga sketerra shumë shekullore.








APOLOGJIA E REXHEP SHAHUT 

PËR UDHËN E KOMBIT


“Apologji për Udhën e Kombit”, është libri më i ri, i shtati në radhë, i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu që sapo ka dalë në qarkullim.

Ky libër publicistik me polemika me ata që kanë kundërshtuar ndërtimin e kësaj arterie të kombit shqiptar, me redaktor Izet Duraku dhe recenzent Skender Zogaj, është i ndërtuar në tre kapituj, Apologjia ime, Apologjia e politikës dhe Apologjia e Miqve. Është një libër voluminoz me rreth 500 faqe, shtypur në shtypshkronjën “Geer”, Tiranë.

Kapitulli i parë “Apologjia ime” përfshin shkrime të autorit si “Nuk ishte luftë, ishte fjalosje”, “Dhe dashuria e Edi Ramës për udhën e Kombit”, “Deshpërimi nuk e çelë derën e pushtetit”, “Folkpatriotizëm”, “Gëzohu me mua zoti Lubonja”, “A flet si toskë Mustafa Nano”, “Shtribalizimi i Partisë Socialiste”, “Udha e Kombit po i shërben kombit”, “Sharës me pagesë”, “Replikë me hijen dhe hijet e hijes”, “Një metaforë me gratë vjeneze”, “Histori personale ku unë mund të jem ti”, “4 shkurt 2007 – shpërthimi i parë tek tuneli”, “Faqja e falenderimeve” etj, etj.

Kapitulli i dytë “Apologjia e politikës”, përfshin disa prej debateve më të nxehta politike në parlamentin shqiptar. Aty janë debatet kryesore të tri interpelancave për Udhën e Kombit. Si autorë janë të përfshirë, sipas radhës së diskutimeve, Erion Braçe, Sali Berisha, Lulzim Basha, Sokol Olldashi.

Kapitulli i tretë, “Apologjia e Miqve”, të cilët Rexhep Shahu i falenderon në libër si bashkëmendimtarë që e kanë frymëzuar dhe mbushur me dashuri e besim, është ndërtuar me shkrimet e 27 personaliteteve te njohur, shqiptarë e të huaj që kanë shkruar me dashuri për Udhën e Kombit Shqiptar, siç janë : Ndue Dedaj, Gjergj Marku, Elinda Marku, Jemin Gjana, Preç Zogaj, Eliot Engel, William Walker, Izet Duraku, Edison Ypi, Veton Surroi, Artan Fuga, Kastriot Myftaraj, Pandeli Majko, Kim Mehmeti, Benet Koleka, Aleksandër Çipa, Roland Qafoku, Shkëlzen Maliqi, Dalip Greca, Ramiz Lushaj, Agron Gjekmarkaj, Riza Hoxha, Sulejman Dida, Arbnora Dushi, Jean-Arnault Derens & Laurent Geslin, Karl-Peter Schwarz, Jonuz Hallaçi.
Që në ballinë të librit autori ka vendosur fraza të zgjedhura të thëna nga përsonalitete të ndryshme si :
Dritëro Agolli: Kjo udhë do të mbesë në historinë e vendit, për madhështinë e saj, për simbolikën dhe funksionin që ka si arteria kryesore e Shqipërisë me rëndësi të madhe kombëtare. Pas 20-30 vitesh nuk do të kujtohet njeri se sa ka kushtuar kjo rrugë, por vetëm do të mbahet mend koha kur është ndërtuar. Këto janë vepra të mëdha që mbeten në histori. Sepse kjo udhë nuk lidh vetëm Shqipërinë me Kosovën, por ajo lidh gjithë pjesën veriore të Ballkanit me jugun e tij.

Sali Berisha: Nëse do të duhet, ne do të shesim bizhuteritë e grave tona për të përfunduar këtë autostradë.
Ibrahim Rugova: Kërkojmë fonde nga Bashkësia Europiane për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës - Prishtinë.

Eliot Engel: Nga kjo rrugë, nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Do e bëjë Shqipërinë një qendër progresi në rajon.

Pandeli Majko: Ka pasur lobe kundër ndërtimit të rrugës. Të jemi të sinqertë, për mua e rëndësishme është që rruga të bëhet, që unë të ec në asfaltin e asaj rruge.

Lulzim Basha: Imuniteti është më e pakta që jap për këtë rrugë.
William Walker: Rruga Durrës – Morin bashkon Shqipërinë me Kosovën



Nga biografia e Rexhep Shahut

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960, në Bardhoc të Lumës, fshat i ngritur mbi rrënojat e Gabulit të lashtë, pranë kufirit me Kosovën, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Shkollën e mesme teknike - mekanike e kreu në Durrës në vitin 1980.
Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar e punuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej vitit 2005 edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare” organ i Ministrisë.

Veç librit “Apologji për Udhën e Kombit”,” ky autor ka botuar edhe gjashtë libra të tjerë, tre vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi, Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë”, poezi, Tiranë, 2011.







MIHO GJINI


Një libër voluminoz prej 500 faqesh mund ta trembë lexuesin në “marrjen e kohës”, por mua m’u duk se nuk më mjaftonte koha e durimi për ta lexuar pa e hequr nga duart, ngado që shkoja nëpër Athinë, në radhët e krizës, nëpër autobuza, trena e metro, aq sa dy herë radhazi përfundova në aeroportin e Spatës i humbur në leximin e librit me titull “Apologji për Udhën e Kombit” të Rexhep Shahut!



Më duhej t’i “përpija” ato rrjeshta të shkruara plot pasion, në një publicistikë të kulluar e me një nerv letrar të mirëfilltë. Se nuk e kisha idenë se çfarë qe bërë në të vërtetë; se më qe “infektuar truri” (në largësi), që atje, nëpër male, ishte bërë kërdia nga “shkatërruesit ekologjikë” dhe nga “mafiozët e vjedhjeve gjigande”!; se, nuk besoja që atë rrugë, që e pata bërë dikur edhe vetë për 8 – 10 orë, i rropatur për vdekje, mund ta përshkoja tani për dy orë!

Dhe do t’i thoshnja këtij Rexhep Shahut, që e ka shkruar këtë ese publicistike tepër të gjatë, me shumë ngrohtësi njerzore, e që është edhe poet, se e ka rrëmbyer “poetika e fluturimeve” irreale; se mua më dukej që “shpikja letrare” e tij ia kalonte edhe fantazisë së Jul Vernit.

Ca më tepër kur harxhon një pasion të zjarrtë polemike, jo vetëm me politikanë partiakë kundërshtarë të Udhës së Kombit, por edhe me anonimët e “kuq” a të “gjelbër” që villnin vrer kundër kësaj rruge, natën dhe ditën…

I ndarë në tre kapituj të mëdhenj ( I,- Apologjia ime; II, - Apologjia e politikës; dhe III, - Apologjia e miqve), libri i Rexhep Shahut është jo vetëm real, i mbështetur mbi një realitet konkret, por edhe në argumente logjike.

Aty ka një polemikë të ndershme e pa fyerje me kundërshtarët e rrugës, të cilët kanë përdorur një mijë arsye që kjo udhë, (që lidh kombin tonë me dy pjesët e ndara!), është e panevojshme, e parakohëshme, shterruese e fondeve publike, apo terren maskarenjsh e hajdutësh të thekur.

Publicisti Shahu që është vetë aty nga mesi i kësaj udhe gjigande, e cila ia ka ndarë pragun e shtëpisë në Bardhoc me varrezat e të parëve (!), me një gjuhë shqipe elokuente e të pastër, të krijon atë kuturisje e imazh që është gati përrallor dhe që hera – herës i ngjan një marrëzie. Marrëzi e njerzve të guximshmëm për të bërë rrugë nëpër shtigjet e dhive e për të “shpuar malet” tejpërtej!

Udha e vjetër e këmbësorëve nëpër Luginën e Fanit, mezi shquhej buzë humnerave, ndersa fragmentet e rrugës së dikurshme automobilistike në atë luginë, kanë mbetur si gjarpërinj të coptuar buzë shkurreve e drunjëve anës rrëpirave.

Gjithçka i ngjan një shpëtimi nga humbja e madhe e katastrofa e shekujve që mund të mbetej e përjetshme. Po, një shpëtimi. Një shpëtimi të madh.

Gjithëçka i ngjan një zgjimi të madh…

E megjithatë, nuk më mbushej mendja dhe e qortova Rexhepin se i kishte rënë shumë “në qafë” mikut tim të vuajtjeve, Fatos Lubonjës dhe analistit Mustafa Nano, me një polemikë tepër të ashpër.

Pozicioni është i kundërt, gati ekstrem, por ka gjithmonë në mes një logjikë të pakundërshtueshme : Udha e Kombit e përfunduar! Një udhë e magjishme… Udha ballkanike më e mirë që e sjell tërë Ballkanin në “dyert e Adriatikut”! Një mrekulli që bind dukshëm miqtë dhe armiqtë…

Një rrugë që u shërben që të gjithëve : atyre që na duan e atyre që nuk na duan. Një udhë që duhej ngritur mbi çdo sakrificë, mbi të gjitha humbjet e sakrificat. Përdorimi i metaforës së dhurimit të bizhuterive të florinjta të grave austriake për ndërtimin e Teatrit të Vjenës është tepër i goditur për ngritjen e këtij dekoracioni gjigand të “Teatrit Malor” midis Shqipërisë dhe Kosovës që i ngjan inskenimeve të legjendave më të madhërishme.

Krijimtari e një vepre arti, e cila ia kalon edhe tablove të përkryera që vetë natyra e ka “pikturuar”! Dhe asnjëherë nuk mund ta besosh realizimin e kësaj vepre po nuk e përshkove vetë këtë Udhë debatesh, polemikash e luftrash të mëdha politike.
“Që ta besosh më mirë e më shpejt, - më tha Rexhep Shahu, - nesër, që do shkojmë në Prizren, nuk po e pijmë kafen në “Kafe Europa” në Tiranë, por te Shatërvani. Aty ku është lindur gjyshja ime, do të mbërrijmë më shpejt se sa të vemi në Vlorë apo në Fier…”. E pashë me mëdyshje.

Por e dija se ky përson, ky poet, që para një viti më ka befasuar edhe me librin poetik “Lis i vetëm në fushë”, është një tip “i ngulur” dhe i fortë siç është edhe vetë lisi i atyre anëve… Fjalëpakë dhe vëzhgonjës i mprehtë. Njeri i tavolinës së miqve dhe njëherësh edhe i foltoreve të mediave publike.

I butë dhe i ashpër në të njejtën kohë. Sfidant e zemërak kur ia do puna dhe tepër i dhimbsur e njerzor kur je pranë tij. Njeri që di të përlotet po aq sa edhe të buzëqeshë, apo befas të shpërthejë në urrejtje. Nuk do të zemërohet Rexhepi po të shtoja këtu që është një “malok” i ashpër, po aq sa edhe një “ujk i zbutur”. Ndofta ngaqë veriori Shahu ka patur gjithmonë mësonjës nga të jugut. Shkurt, (se e zgjata fort), po të shprehesha me fjalët e shkëlqyera të Dritëroit, “është burrë i zoti!” ky Rexhep Shahu.

Rrugëtimi për në Prizren, qysh në orët e para të mëngjesit, do të më linte pa mend e pa gojë posa do të hyja në Luginën e Fanit e do t’u “ngjitesha” majëmaleve. Në rrymën e kundërt të autostradës do të shikoja vetëm vargun e pafund të makinave me targa të huaja e targa të Kosovës. Një lumë i vërtetë makinash. 27 mijë (të tilla) atë ditë, - sikundër më tha më pas një zyrtar në doganën e Morinit, vërshojnë drejt brigjeve tona detare.

Pata përshtypjen se ai lumë makinash delte nga fantazia e Homerit, midis gurësh mitologjikë, poshtë shpellës së Polifemit. Përtej tyre paskësh qenë gryka e tmerrshme e Spaçit që na e përgjysmoi jetën bashkë me ëndrrat tona…

Gjithësesi, gërryerjet apo gdhendjet e maleve nuk do të më bënin më përshtypje, tek ndërroheshin pamjet e më rrëmbente ndjenja e hapsirës së tanishme.

Dhimbja e dikurshme sikur tretet kur hapet “sipari” i vargmaleve e i honeve si në një shetitje ajrore. Mali i Shejtit, i Munellës, i Gur-Nusit, i Zebës, i Thirrës e i Rrunës, do të mbeten pas e frymëmarrja të qëndron pezull gjer në Kalimash.

Pas urës 200 metërshe të Repsit do të vinte ajo 300 metërshe e grykës së Burgjonës dhe kur hyn në tunelin 6 kilometër të gjatë në zemër të malit të Rrunës, njeriu s’ka më kohë të mendojë se kanë ekzistuar edhe kundërshtarë të kësaj rruge që bashkon Shqipërinë me Kosovën.

Udha e mëpastajme përbri liqenit të Kukësit, krijon vetëm një qetësim shpirtëror, që i ngjan ngazëllimit.

Përballë nesh shfaqen befas tre malet më të lartë, Gjallica, Pikëllima dhe Pashtriku dhe ne sikur “humbasim” në gjirin e tyre, për të dalur paskëtaj në “vijën e dhimbjes” që i ka dhënë emrin Pikëllimës, ku paska ende një kufi ndarës midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe ku gjithësesi, duhej të lindte si një shpresë, si një dritë kjo Udhë e Bekuar e Kombit tonë…

Ndërsa Prizreni më mbrapa, pas këtij “fluturimi” dy orësh, i ngjan vetëm një çudie.
Një kafe në Prizren tek çezma e vjetër në sheshin e Shatërvanit përbri Lumbardhit, lumë në të cilin u krodh hiri i princit shqiptar të kinemasë, Bekim Fehmiu, të cilit i pata shkruar letër nga qelia ku dergjesha në burgun e Spaçit, nuk ka të paguar dhe vështirë të të shijojë ndokund më shumë.

Udha e Kombit tani vazhdon brenda meje, brenda teje e brenda kujtdo…


“APOLOGJI PËR UDHËN E KOMBIT”




IZET DURAKU

(Mbresa për librin e Rexhep Shahut me titull Apologji për Udhën e Kombit, botuar në Tiranë, në qershor 2012)

100 vjet më parë kur Shqipëria do të shpallej e lirë dhe e mosvarme, vendi do të trashëgonte krahas varfërisë, analfabetizmit edhe mungesën e lidhjes me rrugë të krahinave dhe vilajeteve me njëri-tjetrin. Bie fjala, deri në vitin 1940, për të shkuar në Kukës duhej të udhëtoje ose nga Maqedonia, në Prizren e në Kukës ose nga Mali i Zi, në Pejë, Gjakovë, Prizren e Kukës. Po në kushtet kur këto treva u ndanë me kufirin e vitit 1913, lidhja mund të bëhej vetëm në shtigje karvanesh e këmbesorësh të raskapitur me ditë e javë larg.
Rajoni mespërmes të cilit u ndërtua kjo udhë, ndonëse me një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e kombit, ka qenë rajoni më i lënë pas dore, më i përbuzuri, më i braktisuri. Qindra mijë shqiptarë, një politikë antikombtare synonte t’i izolonte në kurthin e maleve të veta të begata për të prodhuar minerale e dritë edhe për të tjerët, por edhe ironi poshtëruese pushtetarësh që në vend të ndihmës reale pillte slloganin e ndihmës ndaj zonës verilindore duke i sjellë dublantë komikë që shtuan varfërinë dhe zhvatjen prej kastës burokratike të regjimit komunist. Përmes këtij libri bëhet më i dukshëm shembja e malit të pengesave dhe shprehja “dritë në fund të tunelit” nuk mbetet thjesht nje frazë e zbraztë, por na lejon të shohim se përmes kësaj udhe kemi hyrë në shekullin e ri bashkë me familjen e popujve së cilës i përkasim.
Edhe sipas autorit Rexhep Shahu, udha Durrës-Kukës-Morinë-Prishtinë siguroi lidhjen fizike të shqiptarëve në dy pjesët e ndara të kombit dhe për këtë arritje në këtë 100-vjetor kemi një krenari të ligjshme. Sikur kjo rrugë të realizonte vetëm lidhjen e Mirditës dhe të Kukësit me zona të tjera të vendit, pa përmendur Kosovën, do të ishte plotësisht e arsyetueshme hapja e saj. Tashmë, që udha ka mbaruar, duket se është mbyllur gjithashtu edhe një rreth i gjerë polemikash shoqëruese. Këto polemika të natyrshme e të panatyrshme morën udhë nga shtypi i shkruar e televizionet, përfshin sallën e Kuvendit dhe përfunduan në dyert e Prokurorisë dhe të Gjykatës. Gjithë kjo polemikë, me një frymëzim të dukshëm nga politika, tashmë duket se është shuar. Shpeshherë ajo mori trajtat e një teatri absurd, ku autorët e pseudodramave nuk mund të fshihnin alogjizmat e dukshme: “E duam Kosovën, por udha që lidh Kosovën me Shqipërinë është e panevojshme. Jemi progresistë dhe duam zhvillimin, por kjo udhë do të sjellë rrënimin tonë, etj., etj.”
Gjithë tematika dhe argumentat e kësaj polemike kundërshtuese, herë-herë me tone të qeta, por më së shumti me tone të dukshme emocionale, që sillen në këtë libër, mbeten si një fushë studimi për t’u analizuar edhe më vonë me gjakftohtësi. Ndoshta ka vend sërish për të hulumtuar dhe gjetur burimet që e ushqyen polemikën shurdhuese e shkatrruese, kush e sponsorizoi atë, çfarë traumash dhe dëmesh shkaktoi, ç’gërmadha u bënë si pasojë e dridhjeve të saj të jashtme e të brendshme, etj, etj.
Gjithashtu, me vend do të ishte që të shihej dhe të merreshin masa për riparimin e dëmeve, vragave, tektonikës dhe çarjeve të krijuara shpeshherë të rihapura mu mbi plagë të vjetra, që kërkojnë kohë dhe mund të madh për t’u shëruar. Apo mbase e gjitha kjo sherrnajë, ashtu siç do autori dhe do të donin bashkë me të, të shumtët e këtij vendi, ka përfunduar paqësisht tashmë, pa asnjë lloj dëmi dhe ndaj nuk ka arsye pse të shqetësohemi për mungesën e pasojave.
Stili i autorit është i saktë, i qartë, i drejtpërdrejtë. Vetë rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën, për shkak të përmasave të saj, i përjashton teprimet dhe përdorimin e hiperbolave, sepse ajo qëndron sipër çdo teprimi dhe hiperbole. Ajo është thjesht mahnitëse dhe madhështore. Përmes saj sigurohet bashkimi fizik i dy pjesëve të ndara të Kombit. Bashkimi shpirtëror, kohezioni, ngjizja e aq elementëve përbashkësues që janë formuar në mijëra vjet, përmes këtij bashkimi fizik do të forcohen e përsosen më tej.
Natyrisht, që është shumë vështirë të mbetesh në pozicionin si kundërshtar i kësaj rruge, ose më keq të shpallesh armik i saj. Shumë nga kundërshtimet për rrugën janë harruar, ose janë mohuar nga autorët e tyre. Në një betejë të hapur rruga ka mundur dhe do të mundë çdo lloj kundërshtari. Udha e Kombit tonë drejtpërdrejt, jo në mënyrë figurative, që në krye të herës është hapur në dobi të të gjithëve dhe në dëm të askujt.
Me historinë tonë 100-vjeçare, pas shpalljes së Pavarësisë mund të krenohemi për shumë gjëra. Por ajo që na bën vërtetë krenarë është se nga gjiri i Kombit tonë, që prej të ndriturit Sami Frashëri e këndej, asnjë studjues, politikan a kushdoqoftë nuk ka hartuar projekte, traktate, elaborate, studime e as ka thurë plane në dëm të të tjerëve. Që nga “Shqipëria çka qenë ç’është e çdo të bëhet”strategjia e zhvillimit tonë është kundruar krahas me zhvillimin e të gjithëve në këtë rajon të Ballkanit, duke i shërbyer gjithnjë bashkëjetesës paqësore.
Autori merr ne shqyrtim ndarjet fizike te shqiptarëve te krijuara kryesisht gjatë natës së gjatë otomane, por edhe në këto 100 vitet e fundit, që përveçse kanë përçarë hapësirën shqiptare fizikisht, kanë sjellë edhe ndarje të tjera gjuhësore, zakonore etj, të cilat mund të çonin në thërrimzime e përçarje të mëtejshme. Mbi këtë bazë ndarjesh e përçarjesh janë ngritur një sërë paragjykimesh krahinore. Duke sjellë bashkimin, përveç begatisë ekonomike, sipas autorit, udha do të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe paragjykimet e pabaza do të treten, nuk do të kenë më vend.
Struktura e librit “Apologji për Udhën e Kombit” ngrihet mbi 3 pjesë, ku fjala apologji –mbrojtje, përsëritet 3 herë. Apologjia e autorit bashkohet me apologjinë e politikës dhe apologjinë e miqve. Toni polemizues i veprës I argumentuar dhe emocional, synon të bashkojë dhe jo të ndajë. Pra, shkon në një vijë, ose në një drejtim me Udhën e Kombit. Autori kapërcen mbi mallkimin e tabuve, heton thellë në psikologjinë e demagogëve që thjesht duan do përfitime personale qoftë edhe duke rrënuar krejt ngrehinën e përbashkët. Ai i kundërvihet me gjithë shpirt shpifjes, trillimit, përbaltjes, mllefit partiak e urrejtjes që shkon deri në racizëm të një pakice ndaj shumicës. Autori, si polemist, nuk trembet, gjithashtu, nga frika se mos e quajnë të njëanshëm. Prej kohësh nuk e tërheq moda e qenies mbi palët, sepse paanshmëria në shumë raste është krejt e pamundshme, thjesht e pambërritshme, madje e pakuptueshme. Gjithmonë vihesh përpara dilemës së zgjedhjes dhe autori nuk trembet përpara zgjedhjeve të tilla të domosdoshme, si midis të mirës dhe të keqes, të ndarjes dhe bashkimit etj, etj, të zgjedhë anën e duhur.

Gjuha e veprës, ndonëse me një kolorit të butë krahinor, është një gjuhë e pasur në fjalë e frazeologji dhe me një sintaksë të mbrojtur nga moda e modernitetit shpërfytyrues. Një gjuhë me figuracion dhe natyrshmëri.
Natyrisht shumkush mund të kërkojë më shumë nga autori. Kundruar në përgjithësi, nuk ekziston libri që do t’i kënaqte të gjithë, ndërsa libri që promovojmë sot pretendohet as nga autori se është është i pakritikueshëm. Do të ketë të pakënaqur që do të duan edhe një ose disa këndvështrime tjera, të shtojnë ose të heqin nga argumentet e trajtuara në libër. Duke kaluar nëpër filtrin njerzor është e tepër të kërkohet nga autori shmangia e plotë e subjektivizmit. Vetëm zoti do të kishte fuqinë për të kundruar në mënyrë të drejtë e të gjithanshme jetën.

Nga ana tjetër kjo vepër e madhe, e përmbushur vetëm në një aspekt të saj, ka vend sigurisht për vepra të tjera. Është fat që në këtë kohë secili mund të shkruajë librin që dëshiron, të ndjehet i qetë me ndërgjegjen e vet, i qetë gjithashtu me gjyqin e kohës.

Autori është i bindur që udha e kombit ka krijuar tashmë kushte të mëdha për të begatuar tërë vendin. Përmes saj do të shtohen mundësitë e punësimit dhe mundësitë e mbërritjes më lehtë drejt tregut. Kjo rrugë do të mundësojë të na shtojë si shqiptarë, që hapësira jonë në Ballkan të shtohet numerikisht dhe të mos derdhemi drejt zhdukjes dhe të mos shërbejmë si material gjenetik e biologjik për popuj të tjerë, për t’i rinuar të tjerët dhe për tu plakur për vete.

Në falenderimet e tij, autori shpreson me të drejtë se përmes këtij libri ka ndriçuar disa të vërteta për sot dhe për nesër. Ndërtimi i Udhës së Kombit u bë shkollë për shqiptarët, shkollë për politikën shqiptare dhe një gur prove për aftësitë dhe guximin tonë. Ajo do të na japë gjithnjë besimin e duhur se nuk ka gjë që nuk ndërtohet në këtë vend, mjafton të arrihet vullneti i duhur i vendimmarrësve. Tash që u shemb muri i shqiptarëve i Berlinit, u ça mespërmes Mali i Rrunës, me një tunel 11.6. km, që duke lidhur Mirditën me Lumën, lidh pjesë të ndara të Kombit, çdo tunel i ri që do të hapet më vonë do të na ngjajë edhe më lehtë i arritshëm.
Ku ishe ti kur luftohej për lirinë e Kosovës, ku ishe ti kur u ndërtua udha e kombit?? Këto dhe pyetje të tjera secili prej nesh ia bën vetes, por kjo nuk do të mbetet thjesht si brerje vetiake e ndërgjegjes. Vetë koha nuk do të ngurrojë të na bëjë pyetje të tilla. “Apologji për udhën e kombit” i Rexhep Shahut, duke pasqyruar në historinë tonë më të re, një moment kyç zhvillimi, vjen si përmbushje e detyrës së tij si gazetar, si detyrim për të kaluar provën e kohës. Një përballje e sukseshme. Secili ka për detyrë të pasqyrojë aktualitetin e jetës së tij, ashtu siç e sheh , siç e ndjen. Aq më tepër temat e mëdha, meritojnë gjithnjë edhe vëmendjen më të madhe.
Më në fund, me lëjoni ta falenderoj Rexhepin për kontributin e tij dhe përfitoj nga rasti të falenderoj gjithashtu dhe gjithë kontribuesit që bënë të mundur realizimin e kësaj vepre madhështore, siç është Udha e Kombit.

Përgatiti : Flori Bruqi

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...