2012-08-14

Krijimtaria poetike e Ndue Ukajt dhe Anton Gojçajt


Subjekti trans-atlantik në poezinë moderne shqipe

Shkruan: Peter TASE


Viti 2012 shënon jo vetëm njëqindvjetorin e formimit të shtetit Shqiptar por gjithashtu edhe trevjetorin e anëtarësimit të këtij të fundit në aleancën e vetme dhe më të suksesshme euroatlantike, NATO, një aleancë e cila ndër të tjera ka dhe ndikimin e saj edhe në poezinë moderne Shqipe, e përfaqësuar në këtë tekst nëpërmjet dy shkrimtarëve të afirmuar, Anton Gojçaj dhe Ndue Ukaj. Nuk është koincidencë që Kongresi Ndërkombëtar i Artistëve Shkrimtarëve dhe Poetëve PEGASI po zhvillohet në Kosovë dhe Shqipëri në të njëjtin muaj kur tre vjet më parë është ngritur flamuri shqiptar në Bruksel, në selinë qendrore të NATO-s.

Në të vërtetë, në këtë kongres historik që karakterizohet nga një pjesëmarrje e gjerë, është e rëndësishme të vihet në dukje teknika dhe stili trans-kontinental që janë gjithmonë të pranishme në vargjet e Anton Gojçaj dhe Ndue Ukaj, dy shkrimtarë shumë të njohur jo vetëm në Ballkan por edhe përtej Atlantikut dhe në diasporë. Ukaj dhe Gojçaj janë shkrimtarë që me penën e tyre afrojnë shqiptarët së tepërmi nëpërmjet stilit të tyre letrar, fjalorit sa bashkëkohor aq edhe tradicional në vargjet e tyre, por gjithashtu edhe metrika e zgjedhur nga këta dy poetë bën që të jetë vërtet fillimi i një epoke të re në poezinë shqipe.

Ndue Ukaj dhe Anton Gojçaj transmetojnë tek publiku vlerat e traditës së moralit perëndimor dhe si rrjedhojë megjithëse integrimi i Shqipërisë ka pësuar një ngërç dhe deri më sot vendi ka ngelur gjysmë i integruar – anëtare me të drejta të plota në NATO por ende është duke trokitur në portat e Europës për të marrë statusin e vendit kandidat në BE – e vetmja pjesë e cila është më afër Europës është poezia e këtyre dy shkrimtarëve të afirmuar të cilët ndajnë me botën e qytetëruar dhe veçanërisht me Hemisferën perëndimore; traditën e lashtë dhe të zhvilluar të letërsisë, folklorit dhe poezisë shqipe. Anton Gojçaj dhe Ndue Ukaj janë vlerësuar nga shumë studiues shqiptarë por edhe ndërkombëtarë.

Për poezinë e Gojçaj studiuesi shqiptar dr. Anton Berishaj shkruan: “ Poezinë e Anton Gojçajt e karakterizon një dinamikë e veçantë tekstore, një tekstualitet i gjallë, i pazakonshëm, origjinal. Autori e arrin këtë me një shumësi procedimesh dhe teknikash kompozicionale e strategjish retorike.”

Ndërsa vargjet e “Godo nuk Vjen” të Ndue Ukaj, historiani i njohur amerikan dhe biografi i Abraham Linkoln-it, Harold Holzer i ka cilësuar si “të mbushura me mendime, prekëse, të fuqishme dhe me bukuri të rrallë.”

Anton Gojçaj lindi në vitin 1966, në Podgoricë. Ka studiuar për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Jeton në Tuz (Mali i Zi). Shkruan poezi, prozë, kritikë letrare, diçka më rrallë merret edhe me përkthime letrare nga gjuhët e sllavëve të jugut në shqip dhe anasjelltas. Punimet e Gojçaj janë botuar në periodikun letrar në: Kosovë, Malin e Zi, Shqipëri, Zvicër, Maqedoni, Rumani, Greqi, Kroaci, Slloveni dhe në fund të 2012 pritet të botohet vëllimi i tij me poezi “Dëgjohet një violinë, në suferinë...” edhe në Shtetet e Bashkuara.

Vargjet të tij janë botuar në një përmbledhje të letërsisë së popujve pakicë në Malin e Zi me titullin “Nga çerdhja gjer në qiell” Podgoricë 2010, pastaj në panoramën e krijimtarisë letrare të shqiptarëve nga Mali i Zi, me titull: “Dritaren lëre hapur,” Zagreb 2010.

Deri tani ka botuar këto vepra letrare: Poezi, Illyricum, 2001, Tuz; Qengj i harruar natën në mal, tregime, Shpresa, 2003, Prishtinë ; Tema e heroit nacional në letërsi, ese, AIKD, 2004, Prishtinë; Passio, roman, Buzuku, 2004, Prishtinë; Fakticiteti në letërsi, Proza letrare e Anton Harapit, studim, Buzuku, 2007, Prishtinë; Shija e librit, vështrime, recensione, AIKD, 2009, Prishtinë; Passio, ribotim, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2009, Lezhë; Ndërmjet kapakëve, tregime, Art Klub, 2010, Ulqin; Dëgjohet nje violinë, në suferinë , ribotim i vëllimit me poezi, EB “Gjergj Fishta” 2011, Lezhë; Biblioteka e Hirushes - Letërsia shqipe në Malin e Zi, reçensione, Art Club, 2011, Ulqin.

Në vargjet e Gojçaj vihet re qartë komunikimi midis kulturave ashtu siç mund ta vëmë re edhe në poezinë me titull “Ishulli i Ri,” ku shkrimtari ndodhet “në mes të oqeanit me një mijë kufij për një natë e krijoi njeriu i ri / duke braktisur shtëpinë e shoqërinë ngase s’e qiti më dashurinë / ky ishull që duket si tavolinë me një shishe birrë dhe një kuti cigare / ma kujton nëpër mjegull vdekjen e Mozartit / jetën tonë të dashur teatrin e çastit.../

Me një mjeshtëri për t’u patur zili, Gojçaj ndërthur fare bukur jetën e tij idilike në një kontekst më të gjerë, ku përfshihet oqeani që lag shumë brigje por edhe Mozarti që vjen nga një vend siç është Salzburgu i Austrisë, një shtet pa dalje në det. Gojçaj shpalos një propensitet të papreçedent në formimin e lidhjeve midis kulturave të ndryshme.

Në poezinë “I biri i Frankenshtajnit”, Gojçaj me një stil të pa-parashikueshëm përmbledh në vetëm katër vargje krijimin e botës nga Eva dhe Adami por edhe elementin Historik, shume dimensional, të Kalit të Trojës; vargjet rrjedhin si vijon: / bijat e Evës e lumturojnë botën si në kohët e para / derisa Adamit po i ndryshon fara… / një engjëll o demon më rraset pranë gojës / jam brenda a përballë kalit të Trojës.../

Ndërsa në poezinë tjetër, “Regëtime,” Gojçaj përshkruan rrugëtimin e gjatë krahas sentimentalizmin njerëzor, poeti tërthorazi pse jo edhe me një gjuhë paksa të drejtpërdrejtë, ka përfshirë edhe temën e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane: /nuk qajnë kambanat / veç pranvera vonohet / për bashkimin tonë / që nuk po realizohet.../

Pasi lexojmë këto vargje, shtrohet pyetja e thjeshtë, çfarë kuptimi ka fjala bashkim në këtë strofë? Këtu zbardhet elementi i integrimit evropian të Shqipërisë, i cili shfaqet gjatë nën-kuptimit kontekstual.

Ndue Ukaj në dy vëllimet e tij me poezi shpalos pastër ndjenjat miqësore me popullin Amerikan kur shprehet si më poshtë: “Mes dhimbjeve të akullta dhe shikimeve të hasmërua / Mbi retë e zeza dhe furtunat rrëmbyese / Rri shikimi i bukur i Amerikës krahëhapur / Që përqaf plagët e meridianëve/ Me këto vargje Ukaj, bashkon gjithmonë e më shumë vlerat e përbashkëta midis dy popujve, Shqipërisë dhe Amerikës. Në vëllimin e tij me poezi “Godo nuk vjen” dallohet dëshira, vullneti, konturet e një lidhje të veçantë midis Shqiptarëve dhe popullit Amerikan.

Ukaj hedh dritë gjithashtu edhe në subjektet biblike të cila bëjnë një pjesë integrale, të konsiderueshme në Letërsinë Shqipe, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit. Në poezinë “Eva Ime” poeti shkruan: “Ti Eva ime,/ Ke rënë në gjumë lehtë / Lehtësisht përkëdhel kohët / Dhe i mbyll në kopshtin tënd / Dhe ashtu turbullueshëm / Ruan misterin e përjetshëm / Të gjarprit / Dhe mollës / Dhe lakuriqësisë.
Ndue Ukaj, ka lindur në vitin 1974 në Stubëll e Sipërme, të Kosovës.

Ka ndjekur studimet Universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës. Vëllimin e tij të parë me poezi, “Ujëvara e metaforave,” e ka botuar në vitin 2004 dhe më pas krijimtaria e tij është pasuruar gjithmonë e më shumë me vepra të tjera poetike përfshi: “Itaka e Fjalës,” “Godo nuk vjen,” por edhe një libër dedikuar kontekstit biblik në Letërsinë Shqiptare. Ukaj është fituesi i çmimit të librit më të mirë me poezi në Kosovë, për vitin 2010; ky çmim iu dha librit të tij “Godo nuk vjen,” që tashmë është botuar në SHBA, dhe përkthyer në anglisht e spanjisht.

Për poezinë e Ndue Ukaj studiuesi i mirënjohur dhe filozofi kosovar Prend Buzhala shkruan: “Jehona e tillë intertekstuale, bartet edhe te libri i dytë “Godo nuk vjen”, sidomos tek poezitë që kanë emër-shenjën e përbashkët “Godo” (figurë asociative e personazhit të Beketit, që sugjeron paradoksin alegorik të pritjes, një humnerë të boshllëkut, asgjësë). Madje, libri i dytë shënjon një shkallë më të ngritur poetike, një hapësirë e re, e ardhur si jehonë nga libri i parë.

“Kufijtë e librit asnjëherë nuk janë të qartë: ata gjenden edhe jashtë një titulli, jashtë linjës së parë, jashtë konfigurimit të tij të brendshëm e trajtës së tij të pavarur, tek përfshihet në strukturën e referencave të librit të dytë, të teksteve tjera, të thënieve tjera.”

Këta dy shkrimtarë me një krijimtari të veçantë, shërbejnë si ambasadorët më të mirë të poezisë moderne shqipe dhe artit të shkruar në botën perëndimore e cila është e etur që të mësojë dhe implementojë një dialog ndër-kulturor kaq të nevojshëm midis popujve dhe qytetërimeve.

Ashtu siç e artikulon shume bukur edhe Prend Buzhala: “Poeti gjendet gjithmonë në anën e të lënduarve, me revoltën [komunikimin] e tij poetik-jetësor e me verbin e tij rebelues.”

Një revoltë për të cilën bota ka më shumë nevojë se krismat e armëve.

Ku mbetën ligjet e lustracionit dhe dekriminalizimit?!

  Shkruan: Florim Zeqa Për aq sa ka nevojë pastrimi i listave të votuesve nga të vdekurit, aq ka pasur nevojë të pastrohen listat e partive ...