2012-12-03

Hiqmeti qenka dorëzuar vullnetarisht.





...Po lexoj librin e Nuri Dragotit për Xhevahir Spahiun dhe gjeta pjesën më poshtë, ku “Hiqmeti qenka dorëzuar vullnetarisht...”



                                                                     Spiro Dede




“Dhe, ashtu siç pritej, mbledhjet për shqyrtimin e këtij problemi filluan njëra pas tjetrës. Folën shumë njerëz dhe debati përfshiu një pjesë të madhe të pedagogëve, ku përgjegjësia kryesore e vendimmarrjes i binte Dekanatit të Fakultetit dhe organizatës bazë të partisë. Akuza e parë që iu bë Xhevahirit kishte të bënte me përbuzjen ndaj klasës punëtore në përgjithësi dhe minatorëve në veçanti. Kjo ishte disi paradoksale, po të merrej parasysh fakti që Xhevahiri vetë ishte bir i një minatori të ndershëm, i cili kishte kaluar vite të tëra në minierat e emigracionit. Përveç kësaj, ai kishte shkruar disa reportazhe nga minierat e vendit. Prandaj Xhevahiri e kundërshtoi këtë akuzë. Po vështrimet dhe sytë e përfaqësuesve të lartë të Dekanatit ishin seriozë dhe të palëvizshëm. Ata thuajse nuk i dëgjuan fare arsyetimet dhe sqarimet e studentit të Letërsisë. Dukej se orientimi për të ndëshkuar dy studentët kishte ardhur nga lart. Ndofta për këtë shkak një ditë erdhi aty gruaja e urtë, Liri Lubonja (Sekretare e Kolegjiumit të gazetës “Zëri i Rinisë”), e cila u përpoq t’i mbronte gazetarët e rinj. Ajo bëri ç’ishte e mundur që t’u mbushte mendjen pedagogëve të këtij fakulteti se Xhevahiri dhe Spirua ishin djem të mbarë dhe se ngjarja kishte qenë diçka e shkëputur për shkak të nxitimit të rastit.
- Ata të dy janë djem të talentuar dhe nuk kanë paragjykime të tilla, pasi ata kanë shkruar mjaft artikuj me temë nga miniera, - u tha, midis të tjerave, Liri Lubonja.
Madje, ajo u tregoi dhe artikujt e reportazhet e shkruar prej tyre në gazetë për minierën e Valiasit. Në mes të kësaj dileme Liria ndërhyri edhe tek zëvendësrektorja, Shpresa Kseno. Kjo gjë ndikoi për të zbutur situatën e acaruar. Dhe, pas kësaj, Dekanati pranoi të tërhiqej nga ndëshkimi, por me kusht: që dy gazetarët të denonconin emrat e shokëve të tjerë.
-Po nuk treguat emrat e shokëve, vendimi për përjashtimin tuaj nuk tërhiqet, - tha dekani në njërën prej mbledhjeve të fundit. Mirëpo për karakterin e Xhevahirit kjo alternativë dukej edhe më e vështirë për t’u kapërcyer sesa ndëshkimi personal i tij. Sedra e poetit nuk mund të njësohej me rolin e denonciatorit të shokëve. Prandaj, në vetvete, u betua se nuk do të tregonte asnjë emër, pavarësisht nga rëndimi i situatave të mëvonshme. Dhe, ashtu siç ndodh në një mjedis fisnikësh, ishin pikërisht shokët e tij të afërt që e zgjidhën dilemën. Duke parë pozitën e vështirë të Xhevahirit, ata vendosën të tregonin vetë se kishin qenë bashkë me Xhevahirin atë mbrëmje, kur kishte ndodhur keqkuptimi. Debati zgjati një javë rresht dhe, më në fund, i pari që e tregoi vetë emrin ishte poeti Hiqmet Meçaj. Pastaj dolën me radhë dhe pesë të tjerë. Kjo e zbuti së tepërmi pozitën e vështirë të Xhevahir Spahiut dhe në këtë mënyrë u shua dhe ky rrebesh i rrezikshëm.”

Leter nga Tirana


From: Spiro Dede <albindex06@yahoo.it>
To: Flori Bruqi <floribruqi@yahoo.com>
Sent: Sunday, 2 December 2012, 14:45
Subject: Pershendetje e Faleminderit 



                           Spiro Dede




I nderuar e i perkushtuar Z.Flori,
Ju falnderoj e ju pergezoj me respect e mirenjohje  te thelle  jo vetem per tufen goxha te gjere me shkrime te mikut tone Zefit, por per tere varganin e shkrimeve  e materialeve me vlere, publikuar nga agjensia juaj..e  qe kini pasur miresine te m’i dergoni rregullisht..
I kam shfletuar ( kaluar ) te gjitha dhe,  sa kam mundur, jam ndalur kryesisht ne ato tema historike qe jane “me afer meje “: levizja e majte ne Shqiperi e ne trojet shqiptare  nga fillimet sidomos nga vitet 30 shek XX  gjer 1948, historia e PKSH ne kete periudhe me tere problematiken e saj komplekse,  mardheniet PKSH- PKJ (1941- 1948). Kam gjetur ne materialet tuja  fakte,rrefime, teza, hipoteza, deshmi, akuza, kunderakuza, hamendesime, argumente te njerit e te tjetrit dhe i kam vjelur me shume interes.. …
( Lutem  mos u habit per “tematiken time”! Kur te bjere rasti te takohemi, do t’u rrefej pse e si…)
Ju falnderoj e serish ju shpreh respect e mirenjohje per punen tuaj vertet pasionante dhe plot prurje.
Te fala, Shendet e Mbaresi
Spiro Dede

DOM FRAN KOLA: “LIRIMI I HARADINAJT OGUR I BARDHE EDHE PER KISHEN KATOLIKE”




             ZEF PERGEGA

“Lirimi i Ramush Haradinajt, legjendes se ushtrise clirimtare te Kosoves UCK-se eshte nje ogur i mire per lirine, demokracine dhe aspiratat e popullit te Kosoves per integrimin ne strukturat e larta europine.


Gjithashtu kthimi i tij ne atdhe eshte nje lajm i mire eshe per kishen katolike shqiptare” - Keshtu tha Dom Fran Kola, famullitar i kishes katolike te Shen Palit ne Detroit ne meshen e dites se diel me 2 dhjetor 2012.
Duke i bere nje analise festiomeve te 100 vjetorit te pavaresise se Shqiperise ne te gjitha trojet shqiptare, Dom Fran Kola u ndal ne aspeke te vecanta te festimit edhe ne diasporen shqiptare ne Detroit.


“Nevopja e bashkimit kerkon ngritjen e struktures profesionale dhe atdhetare ne menyre qe festat ti festojme bashkarisht.


 Festimi I 100 vjetorit pati aspekte te shkelqyera, por edhe pengesa e mosmarreveshje te kota. Te shikojme perpara dhe te projektojme te ardhmen e bashkimit kombetar, i cili u shpalos edhe ne keto festime jubilare” –tha Dom Frani.

 Me tej ai shtoi se flamuri kombetar u ngrit ne veri ne Malesi te Madhe ne Bratile me 6 prill 1911, udhetoi flaka e tij ne te gjitha trevat dhe mberriti ne Vlore ne duar e Ismail Qemalit, dom Nikoll Kacorrit e 40 firmetareve te pavaresise. Vlersimi i Malesise se Madhe “Nderi i Kombit” edhe me shume se mirenjohje per herozmin e saj te madh. Akti i bashkimit ne Vlore eshte frymezimi me larte i idealeve tona.

           Dom Fran Kola me Senatorin Carl Levin


Ne vazhdim te predikimit te tij meshtari Kola tha: “Si kapelan shpirteror i luftes se drejte te UCK-se them me bindje se drejta qe iu dha Ramush Haradinajt, eshte e drejta e luftes per pavaresi e liri te Kosoves, por edhe nje orgur i bardhe per kishen katolike. Ai iu pergjigj zerit te lirise se atdheut.

 Ai nuk u largua nga llogorja e luftes per te mbrojtur pragun e identitetit. Ai kurre nuk u largua nga gjaku i heronjeve te Kosoves. Ai e la detyren e kryeministrit dhe iu dorezue drejtesise. Akte te tilla nuk mund ti beje kushdo. Urojme dite te bardha dhe suksese ne realizimin e aspiratave tona, ate bashkimit kombetar. Ramush Haradinaj eshte bir i shekullit qe po flet per shqiptaret!”

2012-12-02

Shekulli i krenarisë shqiptare

“Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi dhe gjuhe të pashkruar që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu”, Faik Konica. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Shqipëria në 100- Vjetorin e Pavarësisë është anëtare e NATO-s, ndërkaq Kosova ka shënuar 13 vjetorin e çlirimit dhe 5-vjetorin e Pavarësisë. Shteti unik nacional edhe sot vazhdon formësimin e vet real

Shkruan: Ramiz BOJAJ, Publicist

Njëqind vjetët e shtetit të Shqipërisë, shënojnë po kaq vjet sakrificë, luftë e përpjekje për lirinë e kombit shqiptar, të mbetur padrejtësisht jashtë ombrellës së shtetit nacional. Pavarësisht sfidave, për një shekull të plotë, shqiptarët nuk ndalën përpjekjet për realizimin ëndrrave të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Ibrahim Rugovës, Zahir Pajazitit e Adem Jasharit dhe gjithë atyre bijve dhe bijave që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës (-formësimin e shtetit real shqiptar). Lufta për çlirimin e Kosovës, Çmerisë, Kosovës Lindore, Shkupit e Ulqinit, vazhdoi pa u ndalë nën simbolin e flamurit tonë kombëtar, të Gjergj Kastriotit e Ismail Qemalit. Pa shtetësinë e Shqipërisë, nuk do ta kishim as Kosovën e Pavarur. Të dyja shtetet shqiptare janë trarët e bërjes së Shqipërisë reale me trojet tjera etnike qe akoma jetojnë nën zgjedhën sllavo-greke.“Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi dhe një gjuhe të pashkruar që mund ta kuptoj syri dhe zemra e çdo njeriu. Nuk janë kujtime goditjesh kundër fqinjëve, nuk janë kujtime lakmish dhe rrëmbimesh: janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimëri të gjata e të forta që kanë lënë gjurmë tek të gjithë popujt r qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit e botës, është dhe një nga më të drejtët”, Faik Konica.
Skënderbeu i vuri themelet e mëvetësisë
28 Nëntori i vitit 1443, ishte epiqendra e formësimit të mëvetësisë shqiptare, duke simbolizuar simbiozën e vetëmbrojtjes së qenies shqiptare, përballë pushtimeve të egra, spastrimeve dhe grabitjeve ekspansioniste nga të huajt. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, për herë të parë në historinë e këtij kombi ngriti Flamurin me shqiponjën dykrenore në Kalanë e Krujës, i cili valoi përplot 25 vjet me radhë duke ruajtur, po kaq vjet, lirinë dhe identitetin nacional, etikën dhe etninë shqiptare. Nëntori i dytë më 1912, (ngritja e flamurit të pavarësisë së Shqipërisë, (nga plaku Ismail Qemali) shënoi themelet e Shqipërisë e sotme (londineze), e cila mbushi plot 99 vjet jetë, duke prezantuar anekënd botës, identitetin autentik shqiptar. Flamuri kombëtar shqiptar, nuk është vetëm simbolikë, por edhe frymëzim zgjimi për luftë, liri dhe rezistencë. Veçmas për shqiptarët të cilët padrejtësisht mbetën jashtë shtetit amë, Shqipërisë. Njëzetetetë nëntori i 1912-së, shëroi një plagë shqiptare, (Pavarësia e Shqipërisë), por la të hapura plagë tjera të cilat kullonin në zgjedhën e të huajve, serbo-sllave e greko-helene.
Të mbledhur rreth Shqipërisë amë (flamurit kombëtar), shqiptarët gjetën gjithmonë ngrohtësi dhe frymim për luftë dhe bashkim kombëtar. Edhe pse Shqipëria e dergjur nën petkun e diktaturës komuniste (gjysmë shekulli monizëm, duke anatemuar pjesë vitale të historisë dhe figurave të mëdha kombëtare), shqiptarët nuk u ndalën kurrë në rrugën e lirisë së plotë. Me flamurin dykrenor të Skënderbeut e Ismail Qemalit (Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit etj), shqiptarët u bashkuan gjithmonë rreth sofrës së madhe kombëtare, (rreth flamurit), duke ngritur shqiponjën tonë, në tërë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri dhe kudo në mërgatën tonë, duke proklamuar të vetmin mesazh: Shqiptarët u ndanë në kufij me gjemba, por askush s’mund të vë kufij në shpirtin dhe zemrën e tyre të madhe.
Flamuri kombëtar i Ismail Qemalit, mbështolli dekada me radhë heronjtë e Kosovës, të cilët, po për këtë flamur u vranë, u burgosën dhe u internuan në kazamatet sllave e greke. Po ky flamur, bashkoi dhe rreshtoi ushtarët e lirisë së Kosovës, UÇK, të cilët e mbajtën të palëkundur, deri në fitoren e madhe të vitit 1999. Epokë kjo që shënon edhe fundin e pushtimit serb në këtë anë të Arbërisë (Dardanisë), të quajtur Republika e Kosovës.
Kosova pas shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008, prezantoi flamurin e vet shtetëror, pa ngjyrime kombëtare, por flamuri kombëtar (shqiponja dykrenore) mbetet gjithmonë i pazëvendësueshëm dhe i palëkundur, në mendjen, shpirtin dhe në identitetin shqiptar të Kosovës. Flamuri kombëtar, mbetet i lidhur mishërisht me rrugën dhe mbrojtjen e etnitetit tonë kombëtar, në vite dekada e shekuj. Dhe si i tillë do të jetojë gjithmonë, aq sa do të jetojnë shqiptarët.
28 Nëntori, simbioza shqiptare
Simbolika kuq e zi, i dallon shqiptarët nga kombet e tjera. Andaj, devijimi nga simbolikat kombëtare, do të thotë lajthitje nga qenësia nacionale. Dhe nëse ndodh kjo, do të thotë asimilim ose tjetërsim. Shqiptarët nuk ndihen ndryshe, përveçse shqiptarë, me frymën dhe shpirtin arbëror. Flamuri shqiptar u la me gjak shekuj me radhë. Kjo për faktin se ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë simbolizon fitoren gjithëshqiptare nga të gjitha trojet etnike. Liria shqiptare mblodhi pas vete Çamërinë, Kosovën, Shkupin dhe Kosovën Lindore.
Andaj, nëntori shqiptar (100-vjetori) mbledh rreth sofrës arbërore të gjithë shqiptarët kudo qe janë, me të vetmin kushtrim: bërjen e Shqipërisë reale. Tingëllonin tejet të pakuptimta versionet përçarëse se ne cilin qytet duhet zgjedhur për 100-vjetor. Historia jonë është e mbushur përplot me data të rëndësishme të luftës dhe lirisë. Andaj për shqiptaret është i rëndësishëm dhe i shtrenjtë çdo qytet e fshat shqiptar, pra çdo cep i etnisë sonë.
Tirana, Vlora, Shkupi, Prishtina, Prizreni, Manastiri, Ulqini, Presheva, Janina, Prekazi dhe çdo qytet a fshat shqiptar (pa e përjashtuar diasporën), i mbështeten plot krenari, festës së madhe për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo për faktin se çdo shqiptar e ndjen ne zemër e gjak krenarinë shekullore të identitetit shtetëror shqiptar. Festa e 100- vjetorit duhet t’i bashkojë e frymëzojë me shumë se kurrë shqiptarët ne ecjen e vet drejt bashkimit dhe integrimit.
Uniteti nuk mungoi kurrë
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave etnike, që dërguan përfaqësuesit e tyre në këtë kuvend. Kuvendi i Vlorës e proklamoi Shqipërinë etnike si një trupë të vetme, unike e të pandarë. Po me këtë përbërje doli edhe qeveria shqiptare e Ismail Qemalit duke rreshtuar përfaqësues nga e gjithë etnia shqiptare.
Sot dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëri-Kosovë, mbajnë për barrë ruajtjen dhe mbrojtjen e tërë etnikumit shqiptar. Në dekadën e fundit, Kosova, mbylli një plagë të madhe nacionale, por plagët tjera lëngojnë. Kosova Lindore, vuan nën terrorin e egër sllav, maqedonasit vazhdojnë shpifjet dhe trillimet kundër shqiptarëve, ndërsa në Mal të Zi, diskriminimi dhe asimilimi i heshtur ndaj bashkëkombësve tanë vazhdon. Duke formësuar një pjesë të shtetit të pavarur shqiptar (Shqipëria londineze), kjo mbeti simbolikë e rrugës për liri të plotë kombëtare, mbajti gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave tona etnike dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. 28 Nëntori i 1912-ës, ishte pikënisje për formimin nacional e shtetëror shqiptar, projekt qe duhet të vazhdojnë deri në finalizimin e aspiratave për bashkim kombëtar. “Qëllimi ynë si komb duhet të jetë ndërtimi i shtëpisë sonë nën një çati të përbashkët. Bashkimin nuk mund ta ndalë askush”. Filozofia etike shqiptare pasqyron objektivisht strategjinë nacionale të zgjimit kombëtar, duke u nisur frontalisht nga Shqipëria londineze, për të zbarkuar në Kosovë, e herët a vonë edhe në Kosovë Lindore, Çamëri dhe tërë hapësirën etnike shqiptare. Realisht, ky ishte synim edhe i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ismail Qemalit, dr. Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit, Zahirit, Luanit dhe gjithë shqiptarëve të rreshtuar në kushtrimin e lirisë shqiptare.
“Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për liri, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e shumta, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik”. Prandaj, kjo filozofi e sheh 28 nëntorin e 1912-ës si nismë të bërjes së shtetit real shqiptar, e jo mbyllje të çështjes shqiptare. Kësaj nisme nuk mund t’i vihet pikë as me pavarësinë e Kosovës. Realisht dy shtetet shqiptare në Ballkan, janë vetëm trarët e ndërtimit të shtetit real, nën kulmin e të cilit rritën brezat e lirë arbëror.
Mesazhet e figurave më të larta botërore, si Barak Obama, e Hillari Klinton, për 100 vjetorin e pavarësisë dëshmojnë për rolin dhe peshën qe ka kombi ynë, duke u matur me aleatët e mëdhenj. Obama: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euro-atlantike. SHBA-të, vlerësojnë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë me trimëri krah për krah me aleatët dhe partnerët e ISAF-it”. Sot në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe simbolin e Flamurit tonë kombëtar, shqiptarët anekënd botës shënojnë edhe ditën e lirisë së Kosovës, ngase shqiptarët kanë vetëm një ditëlindje, 28-Nëntorin. Në këtë ditë feste, shqiptarët në përgjithësi janë më të fuqishëm, më unikë e më të bashkuar se kurrë më parë. Shqipëria në NATO, dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së, me Kosovën e pavarur, mbesin dy shtylla në të cilat duhet mbështetur edhe degëzimet tjera të etnisë shqiptare, si në Çamëri, Kosovë Lindore, por edhe bashkëkombësit tanë në Maqedoni e Mal të Zi. Të gjithëve tok na bashkon flamuri me shqiponjën dykrenore, i cili na jep zemër e shpresë. 28 nëntori i vitit 1912 shkroi themelet e lirisë dhe dinjitetit nacional, ngase pa Shqipërinë e sotme, nuk do ta kishim as Kosovën e pavarur e sovrane, pa shtetin e Kosovës, nuk do ta kishim kurrë as bashkimin kombëtar me pjesën tjetër të etnikumit tonë etnohistorik e nacional.

Disa probleme të arsimit tonë të sotëm


Një nga problemet më të mprehta të shkollës sonë të sotme është politizimi i saj. Këtu nuk është tani fjala vetëm për çështjen e zgjedhjes së kuadrit dhe të udhëheqjes së institucioneve arsimore, kryesisht, nga partia në pushtet, po edhe të problemeve të tjera, shumë më të mëdha, siç është politizimi i teksteve dhe i përmbajtjeve mësimore

Shkruan: Prof.dr.Nuhi Ismajli

Probleme të ndryshme po e rëndojnë arsimin tonë të sotëm dhe po e pengojnë atë të jetë në harmoni me intencat e arsimit tonë kombëtar dhe me arritjet arsimore të shoqërisë së sotme njerëzore. Probleme të tilla, si problemi i politizimit të arsimit, mungesa e teksteve cilësore, mungesa e shpërblimit dinjitoz të punës së arsimtarëve, injorimi i punës dhe i kontributit të arsimtarëve etj., janë disa nga problemet e mëdha me të cilat po ndeshet arsimi ynë i sotëm, për mënjanimin e së cilave kërkohet angazhim shoqëror e institucional tejet serioz.

Politizimi i arsimit

Një nga problemet më të mprehta të shkollës sonë të sotme është politizimi i saj. Këtu nuk është tani fjala vetëm për çështjen e zgjedhjes së kuadrit dhe të udhëheqjes së institucioneve arsimore, kryesisht, nga partia në pushtet, po edhe të problemeve të tjera, shumë më të mëdha, siç është politizimi i teksteve dhe i përmbajtjeve mësimore. Sipas asaj që është thënë dhe dihet publikisht, Ministria e Arsimit ka krijuar ekip për të hartuar historinë e popullit shqiptar, sipas kërkesave turke! Kur bëhet një gjë e tillë, kuptohet se po ndërhyhet në esencën e vlerave të identitetit kombëtar. Këtë gjë, po të kishte vetëm pak arsye, nuk do të guxonte të bënte as Ministria e Arsimit, as kushdoqoftë tjetër. Praktika e tillë e ndryshimit të teksteve të një populli, për shkak të kërkesës dhe sipas kërkesës së një vendi tjetër, nuk është praktikë e njohur në asnjë vend të botës dhe nuk është dot e kuptueshme për arsyen njerëzore. Kështu teksti i historisë për shqiptarët politizohet, madje, politizohet, jo për interesa kombëtare shqiptare, po për interesa të huaja, në këtë rast, për interesa turke. Shih absurdin: gjithë bota bën luftë kundër politizimit të teksteve të arsimit, kurse te ne ndodh e kundërta. Por, për ne është aq më keq, pasi politizimi i teksteve synon shlyerjen e kujtesës historike të popullit. Në rrethanat e sotme, kur shumë faktorë veprojnë fuqishëm kundër identitetit shqiptar, duhet shtuar përmbajtjet kombëtare, kurse një detyrë e rëndësishme e arsimit tonë duhet të jetë edukimi kombëtar, përmes vlerave kombëtare. Sipas tendencave të sotme të politizimit të teksteve, sipas kërkesave të huaja, antishqiptare, shqiptari, në kundërshtim me gjithë njerëzimin, nuk guxon ta njohë historinë e tij, nuk guxon ta urrejë robërinë dhe pushtuesin, por të ndjejë adhurim ndaj tyre! Historia, ndërkaq, nuk mësohet që ta harrojë të kaluarën, po ta ndriçojë atë dhe, në bazë të saj, njeriu ta shohë edhe të ardhmen e tij të denjë.
Mungesa e teksteve, tekstet e papërshtatshme dhe tekstet me shumë gabime
Një nga nevojat e pashtyeshme të shkollës sonë është krijimi i teksteve që mungojnë, veçmas për arsimin e mesëm, krijimi i teksteve më të përshtatshme për mësim, si dhe përmirësimi i gabimeve të teksteve ekzistuese ose zëvendësimi i tyre përmes krijimit të teksteve të reja. Disa tekste për nevojat e sotme arsimore, veçmas për arsimin e mesëm, mungojnë. Në disa tekste të tashme, për shkak të mënyrës së shkrimit, më shumë mësohet përmendsh, sesa me kuptim, kurse disa tekste, si ato për letërsinë shqiptare, për shkollat e mesme, kanë shumë gabime. Mjaft gabime kanë edhe tekstet e gjuhës dhe të letërsisë për arsimin fillor. Ekspertët duhet të vënë në dukje të metat e teksteve dhe ato të përmirësohen ose të botohen tekste të tjera, të reja.
Tekstet me gabime tejet të theksuara, si ato për letërsinë shqipe për shkollat e mesme, të cilat përdoren qe dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet, përkundër kritikave të shumta që iu janë bërë, përbëjnë një absurd të madh të arsimit tonë dhe nuk duhet të tolerohen.

Gjendja e palakmueshme materiale

Investimet në arsim duhet të jenë prioritet i shoqërisë sonë. Nuk duhet bërë shumë zhurmë partiake, duke promovuar madje edhe nga disa herë një shkollë të ndërtuar. Duhet ndërtuar shkolla të tjera derisa të sigurohet hapësira e nevojshme shkollore. Po nuk është vetëm ndërtimi i objekteve shkollore. Duhet siguruar edhe elementet dhe kushtet e tjera përcjellëse të shkollës. Shumë shkolla të reja nuk kanë objekte për kulturë fizike. Ka shkolla të reja edhe pa infrastrukturën e nevojshme. Shkollat duhet të pajisen mirë me gjithë inventarin e nevojshëm. Nuk është mirë që, në shek. XXI, nxënësit të detyrohen të kërkojnë, nga klasa në klasë, një karrige a bankë. Shkolla duhet të pajiset me mjetet e nevojshme mësimore më bashkëkohore (ashtu si është premtuar shpesh) dhe jo të jetë ashtu, pothuajse, njësoj, si para pesëdhjetë vjetësh. Funksionimi i mirë i shkollës nuk mund të arrihet pa sigurimin e të gjitha kushteve të nevojshme objektive. Por, për funksionimin e mirë të arsimit, duhet menduar e punuar shumë seriozisht edhe për bazën materiale të arsimtarëve. Si mund të jetë në nivel një arsimtar pa bazën e nevojshme materiale?! Baza e mirë materiale është një faktor i motivimit, faktor elementar i ndihmës për punë të suksesshme të arsimtarit dhe i përgjegjësisë së tij njerëzore e profesionale. Arsimtari, pa një bazë të mirë materiale, jo vetëm nuk mund të ketë motiv të fuqishëm për punë, po realisht, me gjithë angazhimin e tij, nuk mund të ketë forcë të mjaftueshme, as nuk mund të ndjejë sa duhet përgjegjësi morale e profesionale për punë të suksesshme. Po deshëm të kemi një arsimtar të mirë, atij duhet krijuar kushtet të tilla në të cilat ai nuk do të ndjejë fare brengat sociale. Në bazë të realitetit të deritashëm, mund të thuhet, pa dyshim, se shoqëria jonë duhet të heqë një praktikë tejet të keqe që, për përmirësimin e gjendjes materiale të arsimtarit, të angazhohet vetëm në rastet e fushatave partiake. Përmirësimi i gjendjes materiale të arsimtarit nuk duhet bërë në rastin e fushatave zgjedhore. Arsimtari nuk është për një ngritje të tillë të të ardhurave të tij, e cila është në kundërshtim me rregullat e një shoqërie të përparuar e demokratike, siç nuk është as për atë që, për një ngritje prej pesë eurove, të bisedohet tre-katër muaj me radhë. Përmirësimi i gjendjes materiale të arsimtarit, në harmoni me mundësitë materiale shoqërore dhe me rregullat monetare, duhet bërë dy herë në vit, diku rreth majit dhe në fund të dhjetorit. Me rregullat e tilla do të fitonin më shumë edhe forcat politike në pushtet, pasi ashtu dëshmohen vlerat e tyre shoqërore.

Injorimi i esencës së veprimtarisë arsimore

Arsimi ynë sot është cenuar keq, tejet rëndë, pasi po injorohet esenca e arsimit: arsimimi dhe arsimi cilësor. Kush e njeh funksionimin e shkollës sonë së brendshmi, do të vërejë se vëmendja e atyre që udhëheqin arsimin nuk është esenca e arsimit: arsimimi dhe arsimi cilësor. Përkundrazi. E tërë vëmendja e udhëheqësve të arsimit, sot, më tepër është e përqendruar te disa çështje shumë formale, sa për dukje, sa për reklamë. Arritjet e ulëta, të vërtetuara nëpërmjet statistikave, i dëshmojnë këto. Kështu, në shkollat tona më shumë çmohet një arsimtar i cili e paraqet planin mujor e vjetor, sesa ai që në nivel shumë të lartë e bën realizimin e tij. Më shumë çmohet arsimtari si kujdestar klase dhe si kujdestar i ditës sesa si një mësimdhënës i mirë, në procesin mësimor etj. Këto qëndrime negative ndaj arsimit, me përjashtim të arsimtarëve me unin e veçantë të tyre, ndikojnë shumë keq në zhgënjimin e arsimtarëve dhe në demotivimin e tyre për punë.

Demotivimi i arsimtarit

Ekzistojnë shumë faktorë që demotivojnë punën e arsimtarit dhe që bëhen pengesë për arritjet e lakmueshme të tij. Në suksesin fare të lakmueshëm, të cilin e kemi në realitetin e sotëm (marrim si faktor vlerësimi rezultatet e testit kombëtar, suksesi pozitiv i të cilit nuk kalon pesëdhjetëpërqindëshin), ndikojnë faktorë të ndryshëm, përveç atyre që përmendëm më parë. Arsimtari sot, ndër të tjera, do të ndjehet i demotivuar shumë edhe nga udhëheqësi i tij injorant, i dërguari i partisë në pushtet, i cili bëhet pengesë serioze për funksionimin dhe avancimin e arsimit, si dhe nga ai bashkëpunëtori i djeshëm i Serbisë, i cili luftonte për planprogramet e saj, ndërsa sot është vendosur edhe si udhëheqës shkolle! Dhe, si të mos jetë frymëzuesi potencial i demotivinit të arsimtarit për punë, kur, ta zëmë, udhëheqës komunal i arsimit bëhet injoranti tipik, ai i dërguari i partisë në pushtet, i cili luan rolin tipik të injorantit, duke luajtur me vendet e punës së arsimtarëve, duke luajtur edhe me fëmijët gjashtëvjeçarë, të cilët i largon edhe me forcë nga shkolla dhe ua mbyll dyert e shkollës me polici private e shtetërore, duke luajtur me arsimtarët, të cilët i fut edhe në provim pranues për punësim e të tjera, e të tjera marrëzi të papara në historinë njerëzore! Arsimtari sot do të ndjehet shumë i demotivuar për punë nga injorimi institucional i punës, i kontributit dhe i vlerës së tij, si dhe, në anën tjetër, nga mirënjohja institucionale, lëvdatat dhe shpërblimet e pamerituara të punëtorëve aspak meritorë, të cilët gëzojnë mirënjohje, lëvdata, shpërblime materiale e, madje, edhe licencime e gradime! E të tjera. Problemet e sipërpërmendura janë rrjedhojë e veseve të shoqërisë sonë të sotme dhe, veçanërisht, të institucioneve të sotme, të cilat do të mund të mënjanoheshin me zgjimin e ndërgjegjes dhe me aktivizimin e arsyes e të urtisë njerëzore e kombëtare.

Sistemi gjyqësor në Kosovë me kokën nga Serbia


Sistemi i drejtësisë në Kosovë është i destinuar të jetë i dështuar në vijimësi, sepse e pengojnë shkaqe të rëndësishme objektive. E pengojnë përvoja dhe kultura e tij e hidhur që ka qenë dhe po mbetet me kokën nga Serbia, dhe që u ka punuar shqiptarëve gjithë të zezat e kësaj bote

Shkruan: Av. Idajet Beqiri(Gazeta Kosova Sot)

Plagët e rënda që u ka hapur Serbia shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një shekull, janë aq të thella e të rënda, sa kurrë nuk mund të shërohen. Nga çdo pikëpamje, mbi nëntëdhjetë për qind e shqiptarëve në Kosovë, të lindur para vitit 1999, kanë nevojë të domosdoshme të bëjnë në vazhdimësi terapi tepër të specializuara psikologjike, me qëllim që t’u fashiten plagët e kujtesës së hidhur, rrjedhojë e gjenocidit dhe e masakrave të përsëritura të Serbisë kundër tyre. Për fatin e keq, edhe pse Kosova është bërë shtet, me njohjen ndërkombëtare të shumicës dërrmuese të vendeve më të fuqishme dhe më me autoritet në botë, përsëri politika zyrtare e Serbisë nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga historia e largët dhe e afërt e saj. Kjo Serbi, që për ironi të fatit po merr edhe statusin e vendit kandidatë për në BE, në vend që të njohë Republikën e Kosovës në kufijtë e saj të njohur nga ndërkombëtarët, (sepse kufijtë historikë realë të Kosovës me Serbinë janë te “Molla e Kuqe”, pak më tej Nishit), në vend që t’u bashkohen shteteve më të qytetëruara të botës, të cilat e kanë njohur shtetin e Kosovës, vazhdojnë të shohin “ëndrra në diell” me pretendime të kota territoriale, vazhdojnë të skërmisin dhëmbët dhe të tundin “urat e zjarrit” që mbajnë në duar, duke u rikujtuar shqiptarëve traumat që u kanë shkaktuar në të kaluarën, dhe duke u bërë kështu një me disa kriminelë të “barrikadave”, apo me disa trafikantë në Veriun e Kosovës.
Traumatizmi i rëndë psikik
Në këtë situatë të padëshirueshme, të paadmirueshme dhe të pamirëkuptueshme, politika dhe institucionet e shtetit të ri të Kosovës, në vend që t’i shërojnë popullit të tyre plagët shekullore që u ka shkaktuar Serbia, në vend që t’ua fashitin dhe t’ua zbutin kujtimet e hidhura, e mbajnë atë ende nën një terror dhe nën një traumatizim të rëndë psikik, e madje i shtojnë ato çdo ditë e më shumë. Më kujtohet data 24 tetor 1991, kur së bashku me 4 bashkëpunëtorë të mi, hymë për herë të parë në Kosovë. Gjysme legalë, gjysmë ilegalë, kishim për qëllim të takoheshim dhe të shkëmbenim mendime me tri forcat politike shqiptare që vepronin në atë kohë në Kosovë, si dhe me disa prej personaliteteve të shquara të Kosovës, rreth iniciativës së Partisë së Unitetit Kombëtar të Shqipërisë për mbajtjen në Tiranë të një Kuvendi Mbarëkombëtar të Bashkimit. Krahas veprimtarive të tjerëve që zhvilluam gjatë qëndrimit dy ditor në Kosovë, u takuam dhe shkëmbyem shumë mendime me akademikun Rexhep Qosja, në shtëpinë e tij. Ai na dha një intervistë të shkruar enkas për gazetën “Kombi”, organ i PUK-ut, në të cilën u vihej theksi pikërisht problemeve që duhet të trajtonte Kuvendi Mbarëkombëtar Shqiptar. Në Lepasoviq, në rrugën nacionale, kishin ngritur një postbllok forcat e shumta të milicisë së Serbisë dhe na arrestuan. Meqenëse isha i pajisur me një pasaportë diplomatike, arrestimi im shkaktoi një skandal ndërkombëtar, falë ndërhyrjes në kohën e duhur, dhe me autoritetin e duhur të shtetit dhe të diplomacisë së Shqipërisë së atij viti. Me procedura të përshpejtuara autoritetet serbe ngritën një akuzë për “surbverzion” kundër Serbisë! Autoritetet policore, gjatë kontrollit që bënë, na gjetën disa gazeta e revista që flisnin për Shqipërinë Etnike, si dhe intervistën “tepër të rrezikshme për integritetin e Serbisë” që kishte shkruar akademiku Rexhep Qosja. Gjyqi u zhvillua në orët e vona të natës në Gjykatën e Mitrovicës prej një gjyqtareje me emrin Nadja, e cila çalonte nga një këmbë. Na dënuan me nga 20 ditë burg, të cilin më vonë na e konvertuan me gjobë, me dinarë, si dhe mua më shpallën “person non grata” duke më ndaluar hyrjen në territorin e ish-Jugosllavisë për 10 vjet. Kopjen e vendimit gjyqësor që dha në Gjykatën e Mitrovicës gjyqtarja serbe Nadja, e ruaj si një “relike” drithëruese në arkivin tim.
Kujtesa historike nuk shlyhet lehtë
Në ditët e sotme të Kosovës shtet, për arsye të profesionit që ushtroj, më bie të shoh me dhjetëra vendime gjyqësore penale dhe civile, që kanë dhënë dhe japin çdo ditë organet gjyqësore në të gjitha gjykatat komunale, të qarkut dhe në Gjykatën Supreme. Sinqerisht, kur krahasoj vendimin penal të dhënë 20 vjet më parë prej gjyqtares serbe Nadja në Mitrovicë, me vendimet gjyqësore që jepen sot në Kosovë, të drithërohet shpirti. Këto vendime gjyqësore, në formën tekniko-administrative të paraqitjes së tyre, në pjesën hyrëse, në pjesën e dispozitivit, në pjesën përshkruese dhe arsyetuese, në fundin e tyre ku përcaktohet e drejta që kanë palët për ankim, janë të njëjta, pa ndryshimin më të vogël,me strukturën e vendimeve gjyqësore të Serbisë. Nga pikëpamja psikologjike këto vendime gjyqësore “të vrasin”. Kujtesa historike nuk shlyhet lehtë. Me një vendim gjyqësor të së njëjtës formë, dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës janë vrarë, janë burgosur, janë internuar e dëbuar, janë plaçkitur, janë larguar masivisht nga puna etj. Për rrjedhojë, shumica e vendimeve gjyqësore që japin sot gjykatat në Kosovë, nga pikëpamja përmbajtjesore e dhënies së drejtësisë mund të jenë në përputhje me ligjin, të drejta dhe objektive, por besueshmëria në to bie ndjeshëm vetëm për faktin se “të vrasin” syrin, të kujtojnë të kaluarën e hidhur të Serbisë, dhe kështu psikologjikisht ato nuk e kanë fuqinë e duhur për subjektet që ju drejtohen. Kosova tashmë është shtet demokratik, me kombësi qartësisht të definuar. Ajo ka qenë dhe është pjesë e Shqipërisë Etnike. Ka gjuhën e vet shqipe, ka alfabetin e vet latin, ka kulturën e vet kombëtare. Këto i kemi krejt të kundërta me alfabetin cirilik serb, me kulturën sllave të të menduarit dhe të të vepruarit. Në këto kushte, përse koka e sistemit gjyqësor në Kosovë të jetë nga Serbia, dhe të mos kthehet një herë e përgjithmonë nga Shqipëria?
Shqipëria e ka legjislacionin të përparuar
Për ironi të fatit, me dashakeqësi kombëtare domosdo, i gjithë sistemi gjyqësor i Kosovës, e madje edhe pjesa dërrmuese e legjislacionit të ri që është hartuar për funksionimin e këtij sistemi, e ka kokën të kthyer vetëm nga Beogradi. Nga pikëpamja strukturore të gjitha kodet, të gjitha aktet e tjera ligjore dhe nën ligjore, është zgjedhur në formë dhe në përmbajtje sipas përvojës së sistemit të Serbisë, në veçanti, dhe të atij sllav në përgjithësi. Mënyra e të sjellit të pjesës së konsiderueshme të gjyqtarëve në vend, janë kopje e sjelljes së gjyqtarëve të djeshëm dhe të sotëm të Serbisë. Mungesa e transparencës në sistemin gjyqësor, “bunkerizimi i tij”, mbyllja e gjyqtarëve dhe prokurorëve “në kuvli” për të penguar me çdo formë dhe mjet marrjen e informacionit prej masmediave të lira dhe vet qytetarëve për “bëmat” e përditshme të kundërligjshme dhe korruptive të tyre, janë të huazuara pikërisht nga sistemi i vjetër serb i drejtësisë. Lind me të drejtë pyetja: Pse sistemi gjyqësor i Kosovës nuk ndërron kahe, duke e kthyer kokën përfundimisht nga Shqipëria? Kush e pengon këtë proces? Mos vallë ndikon fakti se Shqipëria e ka të infektuar dhe të korruptuar më keq se Kosova sistemin e drejtësisë? Apo qarqe të caktuara prej kohësh punojnë në mënyrë të sofistikuar dhe tepër të specializuar, me plane afatgjata, që kokën e Kosovës ta mbajnë gjithmonë me drejtimin nga Beogradi, dhe jo nga Tirana? Shqipëria mund ta ketë sot sistemin gjyqësor të korruptuar. Kjo është dukuri e përkohshme. Ka qenë një kohë që sistemi gjyqësor i Shqipërisë nuk ka qenë i tillë, por ka qenë model edhe për vendet më të zhvilluara në Perëndim. Në fund të fundit, sistemi gjyqësor i Shqipërisë sot vuan prej shkaqeve subjektive. Një klasë e përgjegjshme politike, e cila i mungon sot Shqipërisë, por me siguri do të vijë si domosdoshmëri nesër, i ndreq me shpejtësi dhe me cilësi të lartë të gjitha shkaqet subjektive që e mbajnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri të lidhur pas korrupsionit dhe paaftësisë. Por Shqipëria e ka legjislacionin të përparuar, thuajse të përshtatur me vende të tilla si Italia, Franca, Gjermania dhe vende të tjera të përparuara të Evropës. Merrni dhe shikoni një vendim gjyqësor të të gjitha shkallëve të gjykimit në Shqipëri. Nga çdo pikëpamje kënaqesh t’i shikosh. Hidhu një sy akteve zyrtar që nxjerrin në Shqipëri prokurorët, avokatët etj. Nga pikëpamja estetike, kulturore, kombëtare dhe përmbajtjesore, janë diametralisht e kundërta e akteve skandaloze që nxirrte dje Serbia në Kosovë, apo që nxirrnin sot institucionet e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës!
Shekulli i ri na buzëqeshi ne shqiptarëve
Në sistemin gjyqësor të Kosovës numërohen me gishtat e dorës ata gjyqtarë që i arsyetojnë aktgjykimet dhe aktvendimet në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme, duke ju referuar me hollësi ligjeve përkatëse, neneve të tyre, si dhe duke bërë një analizë të hollësishme të të gjitha provave pro dhe kundër, me qëllim që kushdo që t’i lexojë, apo t’i zbatojë këto aktgjykime, të bëhet plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për domosdoshmërinë e zbatimit të tyre. Në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, e cila funksionon si shkallë e tretë gjykimi, qoftë për çështjet penale, qoftë për çështjet civile, janë të pranishëm avokatët e të gjitha palëve, sikurse është i pranishëm edhe prokurori, të cilat dëgjohen me vëmendje, para se të jepet vendimi gjyqësor, dhe nuk veprohet si në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila lexon vetëm dosjet e gjykatave të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë, të cilat shpesh herë janë “invalide”, invaliditet i cili konstaton në faktin se shumë prej sekretareve gjyqësore nuk dinë të formulojnë ato çka thonë palët në gjykim, si dhe të shkruajnë shqip. Kush na pengon që të njësojmë se paku formën e akteve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, duke e kthyer kokën plotësisht nga Tirana? Sistemi i drejtësisë në Kosovë është i destinuar të jetë i dështuar në vijimësi, sepse e pengojnë shkaqe të rëndësishme objektive. E pengojnë përvojë dhe kultura e tij e hidhur që ka qenë dhe po mbetet me kokën nga Serbia, dhe që u ka punuar shqiptarëve gjithë të zezat e kësaj bote. E pengon mosreformimi i gjithë sistemit gjyqësor, mënyra e sjelljes së gjyqtarëve dhe të prokurorëve, mos distancimi i tyre nga përvojat dhe praktikat dëmsjellëse të punonjësve të drejtësisë së Serbisë, kur sundonin në Kosovë, dhe kur shqiptarët i konsideronin dhe i trajtonin si qytetarë të dorës së dytë, e që i mbanin dhunshëm si “freri” që mban kalin! E pengon përmbajtja e kodeve dhe e ligjeve, të cilat janë ende i njëjti variant që vepron në Serbi.
E pengon forma e aktvendimit dhe e aktgjykimit, të cilën shqiptarët e Kosovës e kanë urryer dje, se ishin akte që e persekutonin dhe e masakronin, dhe nuk e shohin dot sot të njëjtin në formë dhe në përmbajtje. Të gjitha sa theksojmë, jo vetëm që e zvogëlojnë forcën ndikuese të sistemit gjyqësor të Kosovës mbi qytetarët, forcën e aktgjykimeve dhe të aktvendimeve që jepen në shqyrtimin e çështjeve penale dhe civile, por nga ana tjetër dhe më e rëndësishmja, i mbajnë qytetarët e këtij vendi ende nën terrorin psikologjik të dukjes, domethënë të asaj që Serbia nuk është fizikisht, por është e pranishme me formën dhe përmbajtjen e legjislacionit, me formën dhe përmbajtjen e aktgjykimeve, me formën dhe përmbajtjen e të konceptuarit dhe të ushtruarit të detyrës prej gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor etj. Integrimi evropian i Republikës së Kosovës nuk mund të realizohet me një sistem gjyqësor dhe me një përmbajtje legjislacioni, i cili e mban kokën nga Serbia. Shekulli i ri na buzëqeshi ne shqiptarëve, sepse na dha pavarësinë dhe krijimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, atë të Republikës së Kosovës. Integrimi evropian për Kosovën kalon nga Tirana. Pa u integruar në radhë të parë ne shqiptarët me vetveten, nuk mund të ketë një integrim real, sasior dhe cilësor të kombit shqiptar në Ballkan në familjen evropiane, të cilës i përkasim.

SHQIPËRI ETNIKE - PA HEZITIM!


Pa marrë parasysh bartësit dhe mënyrën (zyrtare apo spontane qytetare) të organizimit të aktiviteteve kulturore, në esencë, të gjitha ato si kujtesë, fuqishëm do ta reflektojnë porosinë e synimit tonë kolektiv të bashkimit të të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët unik të quajtur SHQIPËRI

Shkruan: Adnan Abrashi

Si datë e shënuar me të kuqe në kalendar, me të shpejtë po na afrohet dita e Festës së Flamurit. Në fakt, është festë e ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por, shumica e ne shqiptarëve më tepër parapëlqejmë ta quajnë si “Festa e Flamurit”. E flamurit tonë kuqezi. Asaj “lecke” të gjakosur njollëzezë, e cila, që nga ajo kohë kur lindi, e reshtur nëpër mote, për ne qe gjithçka. Çdo gjë. Mbi të gjithash, fashë për plagët tona, qefin varrimesh, bajrak çiftëzimesh, emblemë djepash në kokë të foshnjave, vjershë ninullash, strofë këngësh kreshnike me lahutë dhe çifteli, prijëse nëpër beteja dhe luftëra për liri...dhe kështu sërish prej fillimit dhe bredhjes tonë nëpër histori...
Aktivitete të shumta kulturore
Sa më shumë po na afrohet dita e 28 Nëntorit, e cila këtë vit kalendarik përkon edhe me jubileun e 100-Vjetorit të themelimit të shtetit modern shqiptar, në të gjitha trojet etnike të Shqipërisë natyrale, si dhe diasporë, aq më tepër po shtohen aktivitetet të ndryshme kulturo-artistike të dedikuara shënimit të kësaj feste të madhe gjithëkombëtare. Pa marrë parasysh bartësit dhe mënyrën (zyrtare apo spontane qytetare) të organizimit të tyre, në esencë, të gjitha ato si kujtesë, fuqishëm do ta reflektojnë porosinë e synimit tonë kolektiv të bashkimit të të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët unik të quajtur SHQIPËRI. Këtë realitet të pamohueshëm, mbase, më së miri e kanë ditur gjithnjë (dhe ende e dinë) armiqtë tanë, por, fatkeqësisht, jo edhe elitat tona politike në pushtet (Shqipëri, Kosovë, Iliridë...), të cilëve, me kontributin teorik mohues, shpesh në publicistikë atyre u bashkëngjiteshin edhe disa pseudo-intelektual, gazetarë - argatë të pushtetit servil ndaj të huajve, analistë politik tendencioz, etj. Me pretekste të ndryshme kinse të mbështetura në teori filozofike-politike moderne të krijimit të shteteve dhe kombeve, apo, gjoja të udhëhequr nga racionalizmi i real-politikës së kohës, këta politikanë nihilist kombëtar dhe shkarravitësit e shkretë finok intelektual, vërtet për një kohë kanë arritur që një pjesë të popullit tonë ta mbajnë në lajthim. Por, jo edhe aq gjatë! Sepse, vetëdijesimi evolutiv i masave tona në këtë drejtim, tashmë me të madhe ka filluar të ngjaj, dhe, se, preteksti i shënimit të kësaj festeje jubilare të 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sigurisht se do të shërbejë si katalizatore më e fuqishme e ekspozimit edhe më depërtues kolektiv të kësaj porosie.
Në Bibël ekziston një postulat shumë domethënës si porosi praktike e besimtarëve: “Lypni, do t'ju jepet; kërkoni dhe do ta gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet! Sepse, kush lyp, i jepet, e kush troket, i çelet”. Këtë postulat tematik, në vazhdim si ilustrim, do ta konkretizoja edhe me një metaforë nga jeta ime praktike: Dikur kur isha nxënës i shkollës së mesme, në gjeneratën tonë ka qenë edhe një vajzë e cila dallonte shumë nga të tjerat për nga bukuria. Prej gjithë ne meshkujve, nuk kishte kush që marrëzisht nuk qe dashuruar në te. Dashuri platonike, kuptohet. Por, edhe pse ishte shume e adhuruar nga gjithë ne meshkujt e gjeneratës, gjatë 4 viteve sa ishim bashkë, ajo asnjëherë nuk pati ndonjë të dashur. Shkaku: sepse, aq sa ne ishim të magjepsur nga bukuria e saj e përkryer, njëkohësisht kishim edhe frikë, mosbesim në vete dhe dyshim të tepruar për mundësinë e mospranimit nga ana e saj, kështu që, asnjëri nga ne “donzhuanët” e gjeneratës, kurrë nuk kemi pasur guxim “t’ia lypim”, sikur thuhej në zhargonin tonë adoleshent.
“Lypni, do t'ju jepet, kërkoni dhe do ta gjeni...”
Mu sikur nga shembulli i kësaj analogjie, kur është fjala për Bashkimin kombëtar të shqiptarëve, ngjashëm veprojmë sot edhe si popull. Duke menduar me logjikë të gabuar të gjykimit se:“kjo është një kërkesë e pamundur”, “nuk na lejojnë ndërkombëtarët”, “nuk është ende koha e duhur”, “do të bashkohemi në Evropën e Bashkuar” ...etj., ashtu që, në vend se ta shprehim dhe ta kërkojmë haptas këtë synim, ne në vete pavetëdijshëm instalonim një mohim si bindje të gabuar psikologjike kolektive. Pra, që të na jepet, ne nuk kemi guxuar as “me lyp”, as “me kërkua” e lere më me “trokit” diku. Ama, tani e tutje, sigurisht më jo! “Dashurisë platonike” në mes të territoreve tona të ndara shqiptare me shekuj, dalëngadalë po i vjen fundi. Sepse, veç ja kemi nisur me lypë, me kërku me ngulm dhe zhurmshëm me trokit në atë derë të fatit tonë të mëkëmbur ndër shekuj nga të tjerët, e cila derë, shumë shpejt do të na hapet triumfalisht. Me këtë rast, fare nuk dua të ndalem në kohën e sotme të Republikës së Kosovës së pavarur dhe thuaja sovrane, e cila, sipas nenit 1, pika 3, të Kushtetutës së saj, edhe juridikisht pretendon ta ndaloj këtë synim tonë historik të Bashkimit kombëtar të pandashëm si proces. Po ashtu, me këtë rast, fare nuk dua të merrem as me qëndrimet kontradiktore zyrtare të elitave tona politike shqiptare rreth kësaj çështje. Ajo që më së shumti më inkurajon në këtë drejtim është se, falë një brezi të ri i cili veç ka lindur dhe i cili edhe institucionalisht po e shpërfaq haptas këtë synim, sot, populli ynë me të madhe po bindet se para integrimeve të pandalshme evropiane, ajo së pari duhet të integrohet brendapërbrenda vetes si komb. Sa jemi të fuqishëm dhe të bashkuar kur duam, do ta tregojmë më 28 Nëntor. Të urojmë nga zemra që ky bashkim emocional të mos jetë vetëm për këtë ditë dhe vetëm për festa!
Gëzuar, shqiptarë, 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...