2012-12-03

Hiqmeti qenka dorëzuar vullnetarisht.





...Po lexoj librin e Nuri Dragotit për Xhevahir Spahiun dhe gjeta pjesën më poshtë, ku “Hiqmeti qenka dorëzuar vullnetarisht...”



                                                                     Spiro Dede




“Dhe, ashtu siç pritej, mbledhjet për shqyrtimin e këtij problemi filluan njëra pas tjetrës. Folën shumë njerëz dhe debati përfshiu një pjesë të madhe të pedagogëve, ku përgjegjësia kryesore e vendimmarrjes i binte Dekanatit të Fakultetit dhe organizatës bazë të partisë. Akuza e parë që iu bë Xhevahirit kishte të bënte me përbuzjen ndaj klasës punëtore në përgjithësi dhe minatorëve në veçanti. Kjo ishte disi paradoksale, po të merrej parasysh fakti që Xhevahiri vetë ishte bir i një minatori të ndershëm, i cili kishte kaluar vite të tëra në minierat e emigracionit. Përveç kësaj, ai kishte shkruar disa reportazhe nga minierat e vendit. Prandaj Xhevahiri e kundërshtoi këtë akuzë. Po vështrimet dhe sytë e përfaqësuesve të lartë të Dekanatit ishin seriozë dhe të palëvizshëm. Ata thuajse nuk i dëgjuan fare arsyetimet dhe sqarimet e studentit të Letërsisë. Dukej se orientimi për të ndëshkuar dy studentët kishte ardhur nga lart. Ndofta për këtë shkak një ditë erdhi aty gruaja e urtë, Liri Lubonja (Sekretare e Kolegjiumit të gazetës “Zëri i Rinisë”), e cila u përpoq t’i mbronte gazetarët e rinj. Ajo bëri ç’ishte e mundur që t’u mbushte mendjen pedagogëve të këtij fakulteti se Xhevahiri dhe Spirua ishin djem të mbarë dhe se ngjarja kishte qenë diçka e shkëputur për shkak të nxitimit të rastit.
- Ata të dy janë djem të talentuar dhe nuk kanë paragjykime të tilla, pasi ata kanë shkruar mjaft artikuj me temë nga miniera, - u tha, midis të tjerave, Liri Lubonja.
Madje, ajo u tregoi dhe artikujt e reportazhet e shkruar prej tyre në gazetë për minierën e Valiasit. Në mes të kësaj dileme Liria ndërhyri edhe tek zëvendësrektorja, Shpresa Kseno. Kjo gjë ndikoi për të zbutur situatën e acaruar. Dhe, pas kësaj, Dekanati pranoi të tërhiqej nga ndëshkimi, por me kusht: që dy gazetarët të denonconin emrat e shokëve të tjerë.
-Po nuk treguat emrat e shokëve, vendimi për përjashtimin tuaj nuk tërhiqet, - tha dekani në njërën prej mbledhjeve të fundit. Mirëpo për karakterin e Xhevahirit kjo alternativë dukej edhe më e vështirë për t’u kapërcyer sesa ndëshkimi personal i tij. Sedra e poetit nuk mund të njësohej me rolin e denonciatorit të shokëve. Prandaj, në vetvete, u betua se nuk do të tregonte asnjë emër, pavarësisht nga rëndimi i situatave të mëvonshme. Dhe, ashtu siç ndodh në një mjedis fisnikësh, ishin pikërisht shokët e tij të afërt që e zgjidhën dilemën. Duke parë pozitën e vështirë të Xhevahirit, ata vendosën të tregonin vetë se kishin qenë bashkë me Xhevahirin atë mbrëmje, kur kishte ndodhur keqkuptimi. Debati zgjati një javë rresht dhe, më në fund, i pari që e tregoi vetë emrin ishte poeti Hiqmet Meçaj. Pastaj dolën me radhë dhe pesë të tjerë. Kjo e zbuti së tepërmi pozitën e vështirë të Xhevahir Spahiut dhe në këtë mënyrë u shua dhe ky rrebesh i rrezikshëm.”

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...