POEZI KROATE
MIROSLLAV KRLEZA(1893-1983)
Miroslav Kërlezha, lindur në Zagreb më 1893, bashkëkohës i Kafkës, Brehtit e Majakovskit, është një nga shkrimtarët më të mëdhenj, jo vetëm kroatë, por edhe botërorë. Ai është autor i shumë poezive, romaneve, dramave etj, që janë përkthyer në mjaft gjuhë të huaja, duke merituar çmime të larta ndërkombëtare. Njëqind e pesë vjetori i lindjes së tij na jep rastin t’i bëjmë një homazh, sado modest, përmes shqipërimit të disa prej vjershave të këtij humanisti e krijuesi të përmasave të mëdha, që tingëllojnë gjithnjë aktuale.
http://hr.wikipedia.org/wiki/Miroslav_Krle%C5%BEa
NGADHNJIMI
Unë ngadhnjej mbi zinë satanike,
M bi zinë e djallit të zi, e djallit që s’ ekziston,
Oh! Unë derdh ngjyrat e qarta të gjakut të mallkuar,
Unë këndoj melodinë e të gjitha poemave të fitores!
Errësira nuk ekziston, nuk ekziston,
Errësira nuk ekziston, nuk ekziston,
Oh, jo, ajo nuk ekziston!
NA KANË MBYTUR…
Na kanë mbytur, o e shtrenjta nënë!
Dhe zemra jote shtatë herë mbytur në gjak.
Na kanë mbytur si barbarë të dehur
Për të vërtetën e diçkaje të zezë e kokëfortë.
Dhe gjithçka është gënjeshtër. Gënjeshtër e tmerrshme,
As e zezë, as e bardhë.
Gënjeshtër barrikadash, librash, fjalësh, kryqëzimesh.
Dhe s’ka asgjë. As Zot, as djall.
Oh, përse të qenkemi të mbytur, moj e shtrenjta nënë?
JEMI NE
Jemi Ne, fëmijët e Evropës së gjakosur,
Ne, fëmijët e Mesjetës e të kazermave verore,
Mbi Ne rëndojnë hapa të zinj gjigantësh,
Jemi ne fëmijët e Evropës së përgjakur!
Të gjithë ikin, ikin. Çapiten. Dhe njeriu mbetet pas.
Dhe gjithmonë i vetëm.
Dhe gjithmonë i vetëm.
E kotë të këndosh për diellin në mjegullën e vjeshtës…
Njerëzit as që duan të dinë për pishtarin hyjnor,
Në turmën e kazermave dhe erën e fundit,
Kur shkëlqejnë helmetat e patrullave mesjetare.
Njerëzit tallen me pishtarin hyjnor,
Të gjithë s’bëjnë gjë tjetër veçse ikin. Ata çapiten.
Dhe njeriu mbetet pas.
Dhe gjithnjë fillikat!
PËRHERË MË I VETMUAR
Gjithmonë e më i vetmuar, përherë e më çmendurisht fillikat.
Përherë e më i huaj, gjithnjë e më i shëmtuar,
Më i zymtë, i turpëruar, i trishtë.
Përherë më i ftohtë, i pashijë, i akullt,
Vetmia e zbrazët e vjeshtës e gjithnjë e më vjeshtë.
Përse qentë lehin kështu në netët e zymta?
A ndihet jehona e një hapi të panjohur në rrugë,
Apo nuhatet era e ujkut në hije?
Një çast është qetësi, të gjitha zhurmat thithen
E ndërkohë që ftohtë tringëllin një zinxhir qensh,
Larg një llampë butësisht na e bën me sy,
Çdo gjë është e shurdhët, pastaj lehja rifillon.
Hijet mbarten nga netët e hirta.
Kortezhe të ndotura, të ndyra.
Dritat shkelin synë, orët vdesin,
Katet gri e të papastër përgjumen.
Në errësirë, në bodrum,
Në terrin pa pikë drite,
Dëgjohej si uturonte
Era në zbrazëti,
Thonj të përgjakur në gjinjtë e mi, në trurin tim
E në mëlçinë time,
Unë hungëroj si një qen në agoni, i përgjakur
E i vetmuar.