2012-12-03

Dr. Ardian-Ch Kyçyku -Dy fjalë për Heshtjen dhe Metaforën e poetit shqiptar Hiqmet Meçaj*



Dr. Ardian-Ch Kyçyku

Rruga ime, prej drite le të jetë edhe në më djegtë!
H. Meçaj


Në fillim të korrikut 1990, pas një gjysëmshekull durimi, nëpërkëmbjesh dhe absurditeti gjakatar, shqiptarët shembën muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe kërkuan strehim politik, shpirtëror e mendor në këta ishuj të mangët lirie. Në fillim ishin disa qindra. Parë me sytë e poezisë: ata deshën të jetonin, qoftë edhe përkohësisht, aq sa zgjat shkëndija e një vargu, me çmimin e lirisë së mpakur e madje edhe të jetës, në të vetmet ngastra njëfarësoj të lira në dheun e tyre, populluar nga diplomatë të huaj, të cilët, me përjashtime të rralla, e shihnin misionin e vet në Tiranë si një burgim. Qindrat u bënë mijra kur pushtuan vaporrët e Durrësit si të qënkshin joshur e prirë nga një vegim biblik. Me të mbërritur përtej detit (a thua se liria mban pusí vetëm në bregun matanë), këta detarë të parë të Evropës së Bashkuar i mblodhën si gjedhët nëpër stadiume, i lanë me zorrë uji, i çmorritën me shtylysh pluhurash, i ushqyen nga lart, me helikopter, - ndonëse vinin nga një ndërgjegje e fëmijëruar prej stërmundimeve, - dhe disa i kthyen në brigjet e lindjes, kurse të tjerët i shpërndanë nëpër kampe refugjatësh. Rënia de jure e komunizmit ishte marramendëse dhe e ardhmja e afërt dukej të qe më fort një kontinent kundërthëniesh, sesa një gjendje shpirtërore. Ky kontinent më vonë u quajt Tranzicion. Ishte një kalvar të mbeteshe mendjekthjellët mes rropullive të një kontinenti të tillë dhe mbase bëje krim po të dyshoje se mos, njëherazi me ikjen e aq frymëve, (njëfarë shpëlarje e frymës, jo aq e trurit) letërsia shqiptare, në vetëm një, dhjetë a njëzet vjet më pas, do të shpërthente si një nga më të pasurat e më befasueset letërsi të Evropës. Po ndodhte pikërisht kjo, ndonëse shkrimtarë, gazetarë e lexues, të ngjethur nga e panjohura, ngulmonin të bindnin se gjithë ç’mund të kryhej ishte kryer tashmë, të gjitha kryeveprat ishin shkruar, firmosur e përkthyer në dhjetra gjuhë, hafijet qenë ndëshkuar, dështakët patën ndërruar mendje e zanat, shtatoret e gjenive kishin shëruar me hijet e tyre pllajat plot udhëheqësa legjendarë dhe martirë prej graniti të internacionalizmit proletar, në një vend që sillej sikur kish më shumë heronj, se sa të gjallë e të vdekur.
Në vend të ikanakëve, u dynd pagjumësia e dyfishtë, - e të shkulurve nga rrënjët dhe e të mbeturve mes hapsanës që rrallë e më rrallë thirrej atdhe, - si dhe ajo drithmë e çuditshme e njeriut që duhet të fitojë në pak javë shpirtin e bjerrur dhe të ndryrë për vite me radhë. Mundëm t’i takonim atëhere falë letrës dhe bojës të gjithë viganët tanë të kyçur në harrim, në shpifje e mallkime afatgjata, që nga Konica tek Camaj, duke zbuluar me çmeritje se de facto gjendeshim shumë më larg e më lart nga ç'e patëm përfytyruar. Ishte një soj ende i parrënjosur tradhtie, - pó aq e lartë “ndaj atdheut”, - nëse gjykoje ndershmërisht e me paanësi krijimtarinë, moralin dhe mitomaninë e disa korifejve të realizmit socialist, por ishte një tradhti edhe më e lartë të mos pohoje se shkrimtarët shqiptarë më të shquar e më të përkthyer të epokës nuk e patën ngritur krejt letërsinë shqipe në nivel të paktën evropian, siç na qe çgjakur truri nga thithlopa e propagandës për disa dhjetëvjetsha, por vetëm e patën futur, në këmbim të diçkaje që vetëm ata e dijnë, ose që vetëm ata s’e dijnë, në vëmendjen e mediave botërore.
Ndërmjet viteve 1990 e 2005, nga Shqipëria u detyruan të largoheshin qindra intelektualë, poetë, prozatorë, historianë, përkthyes, piktorë, skulptorë, aktorë etj. Disa ikën që të mbijetonin ekonomikisht, të tjerë – artistikisht. Ndërsa ca të tjerë, të paktët e zgjedhur ndër të panumurtit e ftuar, shkuan që të ruanin e të shpëtonin thelbet e kulturës dhe të qytetërimit zanafillor. Njëri syresh është, pa dyshim, HIQMET MEÇAJ**, lindur në qytetin e Vlorës, buzë Detit Jon, më 2 maj 1944, mërguar në Greqi, mishërimi i shkrimtarit që bind në mënyrë të pabujë, me veprën e vet, fuqinë prapavepruese të talentit. Për të mësova nga interneti, hapësirë në të cilën shumë autorë të mëdhenj, por të ngujuar qëllimisht në harresë, të gjuhës shqipe gjetën një Tokë të Premtuar tekstore, pasi u pa qartë se çenzura e dikurshme ideologjike u bë edhe më mbrapshtë, duke u shndërruar tanimë edhe në ekonomike, por edhe në idhujtare, të themi. Mora vesh atëhere me habi se Hiqmet Meçaj ishte shkrimtar i dorës së parë, poet e prozator i mrekullueshëm, por edhe njeri me një mirësi, e cila në botën e shkrimeve mund të jetë fatale. Dhe pjesërisht i ka qënë e tillë.
Në një letër të dërguar nga Athina, me një thjeshtësi të pabesueshme, më njoftonte se ai, “prej nja 40 vjetësh rrinte në qoshen e vet”. Të dhënat biografike që gjendeshin në mbulesat e vëllimeve ishin mjaft të kursyera. Pas leximit të romanit “Kukullat e pyllit”, – të cilin do ta rreshtoja pa ngurrim mes kryeveprave të prozës ballkanike e më tej, - bashkë me tim atë menduam t'i merrnim një intervistë in extenso për njërin nga numurat e Revistës Haemus. Me atë rast mësuam se Meçaj, kohë më parë, kur u pa se ishte poeti më i talentuar i brezit të vet, qe caktuar si mësues (lexo: degdisur, dëbuar) në një fshat, kryetari i të cilit mezi kish pritur të riedukonte një Pushkin. Dhe, për të qënë Pushkin, sipas kokës të kryetarit, mjaftonte të shkruaje poezi dhe të mbaje flokë disi të gjatë.
“Pushkini” i ndaluar përballet në vetminë analfabetizuese të një burgimi të pashpallur me krejt gurrën e shpëlarjes së truve, me të gjithë ankthet e qënies së ndjeshme që gdhihet e rrethuar nga të pagdhendur me faj e pa faj dhe shpëton jo vetëm gjallë, por edhe me një letërsi të madhe në kujtesë. Gjatë një tubimi shkrimtarësh, personi që e pat syrgjynosur në fshat, ish-luftëtar dhe prozator i rëndomtë, iu rrëfye. Përgjigjja e poetit qe e vetëmjaftueshme. „Im atë ishte pjesëmarrës i tre luftrave. Xhaxhai im ishte partizan. Të mos shkoj edhe më thellë, te gjyshi e stërgjyshi… Ju i denigruat ata dhe neve, fëmijët e tyre. Xhaxhanë ma dënuat me vdekje, babanë (kishte mbaruar akademi ushtarake në Itali), ma futët në burg në moshë pensioni, mua, poetin më të talentuar të brezit tim, më degdisët baltrave”. Por,… ta dish, fara e mirë jep gjithnjë fryte të mira, kudo që ta mbjellësh, beson Meçaj. Që atëherë vendosa të krijoj në hije, të zë qoshkun tim, të shkruaj rrallë e të botoj po rrallë, sa për të ekzistuar. Kam një varg që e mbaj si devizë:
Rruga ime prej drite le të jetë
edhe në më djegtë!
As sot nuk po e kuptoj me saktësi përse gjithë ai mllef shfarosës kundër njerëzve që i shërbenin me aq pasion vendit të tyre! Duhej të ishe tepër i fortë, i betuar së thelli që të mos vdisje si intelektual, të mos bëheshe hija e vetvetes. Kjo ndodhi me shumë, ca prej tyre u degraduan nga alkooli, të tjerë u burgosën, një palë përfunduan psikiatrive apo pësuan trauma më të rënda, deri te vetëvrasja”***.
I betuar së thelli, besoj se poeti ka pasur kohë e vuajtje të shohë se “hija e vdekjes është e vetmja dritë në ferr” (Monsinjor Gjika dixit)? Veç kësaj, ka parë shkrimtarë që, me vdekjen e tyre, - të egër, të çuditshme, të pashpjegueshme, çnjerëzisht bindëse, marroke, hartuar e vënë në vijë nga skllevërit e ideologjive etj, - kanë dalë befas në dritë, duke zbutur zemrën e hekurt të zyrtarisë, për të njomur më pas vështrimin e hirnosur të lexuesve. Ka parë shkrimtarë që, me jetën e tyre, tek ngulmonin të mos ngopeshin me lavde, çmime e dekorata, shiteshin gjer sa vdisnin të gjithë ata që mund t’i blinin, dhe kjo etje lebetitëse për t’u shitur iu hapej si plagë edhe në vepër, duke njësuar moralin me vlerën e mirëfilltë artistike. Ka parë shumë dhe nga afër - vetëm hija e vdekjes, ajo që bën sadopak dritë në skëterrë, e ka ruajtur. Dhe ai fat i epërm e gjithëbërës i shkrimtarëve të mëdhenj, duke i njohur mirë shpellëzat dhe skutat e smirës së sivëllezërve, e emëron mësues në një gjimnaz nate të Vlorës. Nën trysninë dhe zbulimet e fshehta që falte dhembshurisht ajo botë e vogël, pothuajse memece, larg gumëzhimës e përçartjeve të medias, Meçajt i vegohen thelbi dhe teknikat e mikrobotizmit, rrymë letrare dhe artistike, të cilën e bën të njohur vetëm pasi vendoset në Athinë.
Nuk ka besuar as edhe një grimë e mbase as tani nuk e beson se ndodhet në mërgim, me rrënjët si zgjatime të këmbëve e të venave. Një mirësi prej oshënari, ngasjet e errëta, por edhe vargsjellëse të varfërisë, si dhe një gjerdan dramash të mposhtura në heshtje honesh e ndihmojnë të jetojë shpirtërisht në një lloj kapsule të mallit e të përjetësimit mes durimit. „Në Shqipëri kam qënë kohët e fundit para pesë vjetësh, kur më vdiq nëna. Nëna më bëri një nder të madh, vendosi të vdiste pikërisht kur leja ime e udhëtimit donte edhe dymbëdhjetë ditë të mbaronte. Kështu që arrita ta shoh në çastet e fundit, kurse ajo nuk më pa. Megjithatë i mbylli sytë në krahët e mi… Vlora m’u duk një kaos i vërtetë. Edhe deti ishte ndarë në parcela. Gjithë shokët e mi intelektualë ishin larguar prej saj, disa jashtë vendit, si puna ime, disa në kryeqytet. Vlora ishte ripopulluar. Kudo më pyesnin mua, vlonjatin: nga të kemi more shok?! E ndjeva veten më mërgimtar se këtu”.
Gjithnjë kam menduar se do të mund të pimë dikur një kafe në Athinë, në Bukuresht, në Tiranë apo kudo gjetkë. Sepse sidomos në “kudo gjetkë” gjallojnë dhe mrekullojnë vargjet e Hiqmet Meçajt, vargjet që janë e vetmja jetë e dukshme e tij. Është një kafe e veçantë, për të cilën, falë shpejtësisë me të cilën vitet kthehen në pluhur, në këto kohëra kur atlaset vjetërohen më shpejt se letërnjoftimet, askush s’mund të jetë i sigurtë që kafeja nuk është shndërruar tashmë në tjetërgjë. Ndoshta është bërë bojë e ngurtë, një nga ato bojra që ngjasojnë aq fort me kafenë e zezë, por edhe me lëngun që rrjedh nga qymyret. Ja si ka nisur të rrjedhë boja e shkrimit nëpër venat e Meçajt këtu e gjysëmshekulli më parë: „Duhet të kem qënë në klasën e dytë. Shkolla jonë Nr. 2 ndodhej në lagjen Muradie, pranë një xhamie të kuqe. Ngjitur me shkollën kishin qënë shtëpi të të pasurve, tregtarëve të konfiskuar. Dyqanet me qepenët e rëndë ishin plaçkitur. Nuk dinim ç’kishte brenda tyre. Një ditë, drejtori i shkollës më nxjerr nga klasa bashkë me dy të tjerë, na çon te një qerre me dy kuaj dhe na thotë të ndihmojmë karrocierin. Karrocieri na fut në njërin nga ish-dyqanet. Qe i mbushur me libra. Libra nga toka deri në tavan. Ishte një sallë e madhe, sa një ahur. Na urdhëron të ngarkojmë libra në karrocë. Mbaj mend se disa ishin aq të mëdhenj, sa mezi i ngrinim dy vetë. Pastaj hipëm në karrocë dhe bëmë qejf deri te fusha e aeroplanit. Ishte goxha rrugë e gjatë. Atje i shkarkuam, karrocieri i spërkati me vajguri dhe ne u ngrohëm në flakët. Sa bukur digjeshin librat, pa rënkuar, pa kërcitur. E bëmë këtë rrugë disa herë dhe disa ditë. Babai im vuri re blozë në rrobat e mia dhe më pyeti: „Ku je bërë kështu me katran"? I tregova. Më pyeti për figurat e librave dhe, kur unë i tregova për një burrë me kapele, bërtiti: „Budalla, ke djegur Bonapartin! U tremba nga britma e tij dhe i thashë: „Bonapartin e dogji karrocieri, ne vetëm sa u ngrohëm dhe bëmë qejf mbi karro". Që nga ajo ditë nuk mora më pjesë në djegien e librave. Një herë, - ishte ditëlindja ime, - u çudita. Babai më solli tre libra të Gorkit dhe më tha t’i lexoja. Duhet t’u kthesh borxhin librave, ndryshe gjithë jetën do të kesh mallkimin e tyre. Që nga ajo ditë fillova të lexoja libra si i uritur, shkoja në bibliotekë, huazoja vepra nga njerëz të ditur. Nuk i zgjidhja fare, rëndësi kishte për mua të kishin shkronja e të quheshin libër. Ato kohë fillova të shkruaja edhe vjershat e para, ndoshta ndjeja që duhej t’u ktheja borxhin librave që unë vetë kisha ndihmuar të digjeshin atje te fusha e aeroplanit. Siç duket, më zuri mallkimi i librave, u bëra shkrues librash”.
Por sa vdekatarë s’kanë djegur mijra libra, pa arritur të bëhen më shumë se ca kriminelë, dhe ç'libra duhen djegur që të mund të bëhesh një shkrimtar si Hiqmet Meçaj? Një poet që njeh me rrënjë zjarrin dhe dritën; që e ka mbledhur gjithë shpresën, si të ishte zemër shtatzanë, në Letër, dhe i cili s’tutet të digjet në dritë, po qe se rruga mbetet prej drite. Ndoshta ngaqë Hiqmet Meçaj di ta (ri)gjejë atdheun në gjithçka dhe nga gjithçkaja të lindë krejt atdheun, shqipen e përkorë, Metaforën. Siç do të ndihet gjer në palcë, pavarësisht nga prejardhja etnike e kësaj të fundit, pas leximit të vargjeve të Meçajt, pas kësaj Poezie të ngjizur në një hije-dritë dyzetvjeçare, do të shihet qartë se madhështia e kësaj krijimtarie, kaq e heshtur dhe në-heshtje-mbrujtur-me-flijime nga ato që e tashmja as i sheh e as i duron dot, s’mund ta kenë veçse Letra dhe Shqipja.

* Hiqmet Meçaj, Sinuciderea lumânãrilor (Vetvrasja e qirinjve), antologji autori, zgjodhi e përktheu Kopi Kyçyku, Sh. B. Librarium Haemus, Bukuresht 2008, 121 faqe. Eseja e Dr. Ardian Kyçykut i drejtohet lexuesit të huaj.
** Antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh në vitin 1964, nismëtar i Klubit "Drita" të Athinës, autor i vëllimeve: „Nisja” (poezi, 1967), „Ditë pranvere” (poezi, 1971), „Tokë e pagjumë” (poezi, 1983, nderuar me Çmimin Libri më i mirë poetik i vitit), „Tek ju trokas” (poezi, 1988), „Vetëvrasja e qirinjve” (poezi, 2000), „Kukullat e pyllit” (roman, 2002 dhe 2003, fitues i konkursit „Drita”, Toena, Onufri), „Kujtesë e shpikur” (poezi, 2003), „Për Askund” (tregime, 2003), „Çikpaku” (roman, 2003). Hiqmet Meçaj është përfshirë në shumë antologji dhe tekste shkollore dhe i përket rrymës letrare mikrobotizëm.
*** Shih Revista Haemus Nr. 2 (25) / 2005.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...