2012-12-03

Federico García Lorca(1898-1936)

POEZI SPANJOLLE


Federico García Lorca




GAZEL I DASHURISË SË BEFTË

Askush nuk e kuptonte parfumin
E manjolës së errët të barkut tënd.
Askush nuk e dinte që torturoje
Një kolbër dashurie ndër dhëmbë.

Njëmijë kalushë persianë flinin
Në sheshin me hënë të ballit tënd,
Ndërsa unë – katër net që rrokja
Belin tënd, ku borë kurrë s’pat rënë.

Mes allçie e jaseminësh, degëz të zbehtë
Prej farëzash shihja vështrimin tënd.
Shkronja e fildishta që thonin “Gjithmonë”
Kërkoja nga gjiri për të t’i dhënë.

Gjithmonë, gjithmonë... kopsht i agonisë,
Të ikshëm e përfytyroj kurmin tënd,
Gjakun e damarëve të tu në gojën time,
Gojën tënde pa dritë që më vdes në vend.



PYETJE

Në ara, cinxërat kuvendin.
- Ç’thua ti, Mark Aureli,
Për këta filozofë të fushave?
Sa të varfra janë mendimet e tua!

Uji i lumit rrjedh ngadalë.
- Çka sheh ti, o Sokrat,
Te ky ujë që shkon kah vdekja e pamëshirë?
Sa mjeran është besimi yt!

Trëndafilat shkunden përdhe.
- O Shën Gjon i Dhembshur,
Çka sheh te këto petale qiellore?
Sa e ngushtë është zemra jote!

maj 1918

MADRIGAL

Puthja ime qe një shegë
E hapur, e thellë,
Një trëndafil prej letre
Goja jote qe.

Në sfond një fushë me borë.

Duart e mia qenë të hekurta
Për kudhrat e rënda
Dhe trupi yt i lehtë
Qe perëndimi i një kënge.

Në sfond një fushë me borë.

Në kafkën e madhe të qiellit,
Të bërë vrima-vrima,
Si stalaktite varen
Të gjitha “të dua-t” e mia.

Në sfond një fushë me borë.

Ëndrrat e mia fëmijërore
Shtresa ndryshku kanë zënë,
Dhimbja ime spirale
E ka zhbiruar hënën.

Në sfond një fushë me borë.

Tani le të bëhemi seriozë,
Le t’i vëmë të marrin mësime
Dashuritë dhe ëndrrat e mia
(Mëza të vegjël pa sy.)

Në sfond shtrihet një fushë me borë.

ËNDËRR

Zemra ime çlodhet ndanë burimit të cemtë
(Mbuloje me fijet e tua,
Merimangë e harresës.)

Uji i pëshpëriste ulët një kantilenë të ëmbël
(Mbuloje me fijet e tua
Merimangë e harresës.)

Zemra ime që u zgjua, pikëllimet e saj ia rrëfeu
(Fshihe mirëbesimin e saj,
Merimangë e heshtjes.)

Ja, zemra ime po rrëshqet në burimin e cemtë
(O duar të bardha, të largëta
Mbajeni ujin e lehtë.)

Dhe, duke kënduar me gaz, uji e tërheq
(O duar të bardha, të largëta,
Uji mbeti i shkretë!)

VERLAINE

Kënga
që nuk do ta them kurrë,
në buzët e mia u përgjum
Kënga
që nuk do ta them kurrë.

Në gjethet e dorëzonjës
ishte një bukurezë
dhe cipën e ujit, hëna
e shpoi me një rreze.

Atëherë ëndërrova unë
këngën
që nuk do ta them kurrë,

këngë me kanale të largëta
dhe plot buzë

këngë orësh të gjata
që në hije humbën

këngën e një ylli të gjallë
mbi një ditë të amshuar.

EDHE DASHURIA MUND TË VDESË

Sa të rëndë janë ditët.
Në asnjë zjarr nuk mund të ngrohem,
nuk më qesh më asnjë diell,
gjithçka është bosh,
çdo gjë është e akullt e pa mëshirë
madje edhe të shtrenjtat yje të qarta
më shikojnë pa ngushëllim,
qysh kur kam kuptuar në zemrën time,
që edhe dashuria mund të vdesë.

UDHËKRYQ

Era e Lindjes;
Një fener
dhe një kamë
në zemër
Rruga dridhet
si kordë
e tendosur.
Dridhet
si një mizë vigane.
Gjithandej,
unë shoh
kamën
në zemër.

VARIACION

Në pasqyrën ujore te ajrit
dega e jehonës

Në pasqyrën ujore të valës
gjethishtja e yjeve

Në pasqyrën e gojës sate
shtresa e të puthurave.



SERENATË

Në breg të lumit
po lahet nata
dhe në sisët e Lolitës
vdesin prej dashurisë degët.
Vdesin prej dashurisë degët.
Nata këndon lakuriq
mbi urat e marsit.
Lolita po lan trupin
me ujë të njelmët dhe livandë
Vdesin nga dashuria degët.
Nata e anasonit dhe e argjendit
shkëlqen mbi çatitë,
Argjend i brigjeve dhe pasqyrave
Anason i kofshëve të tua të bardha
Vdesin nga dashuria degët.

NË VESHËT E NJË VAJZE

Nuk desha
Nuk desha të të them asgjë.
Pashë në sytë e tu
dy fidanë të çmendur.
Nga flladi, qeshja, ari.
Tundeshin.
Nuk desha.
Nuk desha të të them asgjë.

ANKIMI

Klithma lë në erë
një hije qiparisi.

(Lermëni të qaj
në këtë fushë)
gjithçka u thye në botë
S’mbeti veçse heshtja.

(Lermëni të qaj
në këtë fushë)

Horizonti pa dritë
u kafshua nga zjarret.

(Ju thashë, pra më lini të qaj
në këtë fushë.)

BALADA E UJIT TË DETIT

Deti atje larg
buzëqeshi.
Dhëmbët prej shkume,
buzët prej qielli.
- Çfarë po shet, vogëlushe syerrët
me gjoksin drejt erës?
- Shes ujin e deteve,
zotni.
- Ç'mbart gjaku yt,
djalosh korrozi?
- Mbart ujin e deteve,
zotni.
- Këta lot të kripur,
o nënë, nga të vijnë?
- Nga uji i deteve,
zotni.
- Kush e lind, moj zemër,
hidhësirën e thekshme?
- Uji i hidhur
i deteve.
Deti atje larg
buzëqeshi.
Dhëmbët prej shkume,
buzët prej qielli.

http://www.poetryintranslation.com/PITBR/Spanish/Lorcahome.htm

http://www.poemhunter.com/federico-garc-a-lorca/

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...