2012-12-02

Fatmir Limaj dhe gjenerata e luftëtarëve të lirisë do të triumfojnë sërish


I vetëdijshëm që shokët e vërtetë të Fatmirit kanë shumë më shumë për të rrëfyer për sakrificën, humanizmin dhe karakterin e tij të fortë, unë vetëm desha të risjell në opinion përvojën time të vogël me luftëtarë të lirisë si Fatmir Limaj gjatë periudhës së luftës, të cilët në kujtesën time dhe të gjeneratës time mbeten luftëtarë të denjë të lirisë, ashtu siç përshkruhen luftëtarët e lirisë edhe në betimin e UÇK-së. Drejtësia ndërkombëtare për Fatmir Limajn dhe për bashkëluftëtarët e tij e ka thënë fjalën e saj përfundimtare të pafajësisë dhe drejtësisë së luftës së UÇK-së. Tani nuk e di se cilës drejtësi “më të lartë” i konvenon përndjekja e luftëtarëve të lirisë në shtetin e pavarur të Kosovës, kur dihet botërisht se nuk mund të ketë të vërtetë tjetër për Fatmirin dhe UÇK-në përveç asaj që është konfirmuar vite më parë në Hagë. E sa për balancimet politike mes agresorit shtetëror serb dhe luftës çlirimtare të UÇK-së, jam i bindur se ato asnjëherë nuk do të arrijnë të bëhen. Fatmir Limaj dhe gjenerata e tij e luftëtarëve të lirisë së Kosovës kanë luftuar për të mirën e Kosovës, prandaj ata do të triumfojnë sërish. Siç e tha edhe ai vetë: Edhe qielli po të rrotullohet, le të fitojë drejtësia. Kësaj radhe drejtësia do të fitojë në Prishtinë


Shkruan: Arianit BYTYÇI


Më 28 nëntor 1998 në Divjakë të Kosovës, në fshatin ku ishte e vendosur selia qendrore e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte organizuar një ceremoni ushtarake solemne, me rastin e kremtimit të Festës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar. Ishte një ceremoni dinjitoze ushtarake e një ushtrie të mirëorganizuar në rrethana lufte. Përmes pamjeve të ekipit të luftës të Televizionit Shqiptar, që u transmetuan ditë më vonë në programin satelitor të Kosovës, te qytetarët e Kosovës u përçua mesazhi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një ushtri e denjë dhe do të vazhdojë e vendosur luftën deri në çlirimin e plotë të Kosovës. Në atë ceremoni festive shquhej veçanërisht një luftëtar po ashtu dinjitoz lirie - Fatmir Limaj. Në mesin e personaliteteve tjera të UÇK-së, që sot mbajnë pozita të larta në hierarkinë shtetërore të shtetit të Kosovës, Fatmiri shquhej me karakterin e tij të fortë dhe me afërsinë e tij me ushtarët dhe me qytetarët. Nga ajo kohë më është fiksuar në mendje një pamje ku Fatmiri komunikonte me një afërsi vëllazërore me dëshmorin e kombit, komandantin Tahir Sinani, që kishte ardhur nga rajoni i Tropojës për të luftuar për lirinë e Kosovës.
Mesazh i një luftëtari idealist për nxënësit e Gjimnazit “Xhevdet Doda”
Pikërisht, më 28 nëntor 1998, pas mbarimit të ceremonisë ushtarake, festa vazhdonte në Fshatin e Ri, afër Divjakës. Nga aty, po ashtu, pranë bashkëluftëtarit Tahir Sinani, Fatmir Limaj shfletonte një revistë shkollore të nxënësve të Gjimnazit prishtinas “Xhevdet Doda” – revistën “Gjimnazisti”. Përmes babait tim, gazetarit të luftës, Nuhi Bytyçi, ia kisha dërguar Fatmirit dhe bashkëluftëtarëve të tij disa ekzemplarë të “Gjimnazistit”, revistë të cilën e udhëhiqnim asokohe bashkë me shokun e klasës, Fiton Peja. Në ballinën e revistës, që e kishim botuar në fillimin e vjeshtës së vitit 1998 kishim publikuar një logo të UÇK-së, në të cilën kishim “shkrirë” fotografinë e kolonës së gjatë të luftëtarëve të lirisë, të cilës i printe luftëtari Fatmir Limaj. Në brendi të revistës, pa asnjë dilemë apo frikë, me emër e mbiemër kisha botuar shkrime mbështetëse për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në të njëjtën kohë shkrime kritike për klasën politike, një pjesë e madhe e së cilës asokohe nuk i jepte mbështetje luftës së UÇK-së. Në revistë botuam edhe një shkrim lidhur me një tryezën “Kosova dhe lufta çlirimtare”, që bashkë me Besfort Rrecajn, Samire Ademin, Ermal Sadikun dhe anëtarë të tjerë të Rinisë Shkollore të “Xhevdet Dodës” e organizuam në shtator 1998. Në tryezë kishim ftuar të flisnin në mbështetje të UÇK-së njërin prej udhëheqësve të Lëvizjes Studentore të 1 Tetorit 1997, Muhamet Mavrajn, dr. Arsim Bajramin, dr. Blerim Rekën dhe personalitete të tjera publike. Po ashtu, kishim botuar edhe reportazhe nga zonat e luftës, siç ishte reportazhi me titull “Nuk dorëzohen djemtë e Artakollit”, i shkruar nga shoku ynë i klasës, Bujar Sadiku, që kishte dalë në fotografi me 2 predha, duke i mbajtur në dorë. Fatmir Limaj bashkë me Tahir Sinanin, si dhe me bashkëluftëtarë të tjerë, derisa bashkërisht shfletonin “Gjimnazistin”, vëreheshin të impresionuar me mbështetjen modeste të një gjenerate nxënësish të Prishtinës, me rezonimin e tyre pozitiv në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në një kohë kur madje as Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nuk kishte ndërmarrë ndonjë hap programor dhe shkencor në mbështetje të UÇK-së. Nga ky ambient lufte, në ditën e festës sonë kombëtare, Fatmir Limaj vendos të na drejtohet me një mesazh inkurajues për përkushtimin tonë të mëtejshëm. Mbaj mend se ishte një mesazh i gjatë, i vullnetit të mirë dhe i mirënjohjes së një luftëtari të denjë lirie, që na përcillej jo vetëm ne nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda”, por të gjithë të rinjve të kryeqytetit të Kosovës. Ishte mesazh i një idealisti, që në çdo hap të tij udhëhiqej nga ideali kombëtar, që thoshte që frymëzim i tij dhe bashkëluftëtarëve të tij për luftën çlirimtare janë gjeneratat e vitit 1968 dhe 1981, se gjenerata jonë e gjimnazistëve do të jetë gjenerata e zhvillimit të shtetit të ardhshëm të Kosovës. Që asokohe, me besim të madh në fitoren e luftës për liri, Fatmir Limaj na thoshte me besim të plotë se shumë shpejt Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të vijë triumfalisht në Prishtinë, ku me krenari do ta prisnim të gjithë. Dhe, vërtet kështu ndodhi: pas më pak se shtatë muajsh, Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri triumfalisht në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, duke shënuar kështu përmbylljen e epokës së robërisë dhe fillimin e epokës së lirisë së Kosovës, që u jetësua me mbështetjen që NATO i dha luftës së UÇK-së.
Modeli më i mirë i luftëtarit të lirisë së Kosovës
Pas një muaji, në prag të Vitit të Ri 1999, bashkë me babanë tim, Nuhi Bytyçi, dhe kolegun e tij, Abaz Zeka, kisha rastin të vizitoja zonën ku vepronte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe të takoja anëtarin e këtij shtabi, luftëtarin Fatmir Limaj, si dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së. Pas një rruge të vështirë nga Prishtina, përmes fshatit Shalë udhëtuam në drejtim të Fshatit të Ri dhe unë me vetë kisha një numër të konsiderueshëm të ekzemplarëve të “Gjimnazistit”, që e kishim botuar në fund të dhjetorit 1998, ku edhe kësaj radhe në ballinë kishim botuar fotografinë e Fatmir Limajt, duke shfletuar revistën tonë. Në brendi të revistës e kishim të botuar tekstin e plotë të mesazhit, me të cilin na ishte drejtuar Fatmir Limaj. Natyrisht, kishim botuar edhe shkrime të tjera në mbështetje të UÇK-së, të ilustruara me fotografi autentike të ceremonisë ushtarake të 28 nëntorit në Divjakë. Gjatë kësaj vizite me vete kisha marrë edhe disa ekzemplarë të numrit festiv të Vitit të Ri 1999 të gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës – “Bota e re”, në të cilën kryeredaktori i saj, Muhamet Mavraj, kishte botuar një fotoreportazh interesant për vizitën e tij në territoret e kontrolluara nga UÇK-ja në zonën e Maleve të Berishës. Përshtypja e krijuar për Fatmir Limajn përmes rrëfimit të prindit tim, i cili në periudhën e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999 shumicën e kohës qëndronte në zonat e luftës, posaçërisht në zonën ku ishte i vendosur SHP i UÇK-së, mu konfirmua nga takimi me Fatmirin në Fshatin e Ri. Ishte pikërisht modeli më i mirë i luftëtarit të lirisë së Kosovës, shumë njerëzor dhe e përsëris: njeri idealist. Ai kishte planifikuar që me bashkëluftëtarët e vet për natën e Vitit të Ri 1999 të vizitonte familjet e dëshmorëve të zonës dhe të vizitonte po ashtu edhe ushtarët në pozicionet kryesore të zonës, ku vepronte SHP i UÇK-së. Ky ishte edhe një shembull i shpirtit të vërtetë të luftëtarit të lirisë, Fatmir Limaj, që edhe në ato momente lufte përkujdesej për familjet e shokëve të rënë në beteja dhe që po këtë natë festive qëndronte bashkë me bashkëluftëtarët në istikame. Në fillim të janarit 1999 filloi të funksiononte radioja e UÇK-së “Kosova e Lirë” dhe Agjencia e Lajmeve “Kosovapress”. Pas vizitës që bëra në Fshat të Ri dhe Lladroc në funddhjetor 1998 dhe janar 1999, krahas angazhimit si maturantë në udhëheqjen e revistës “Gjimnazisti”, që ishte bërë një altoparlant i vogël i UÇK-së në Prishtinë, bashkë me Kreshnik Gashin, Besfort Rrecajn, Albana Rexhepin dhe me maturantë të tjerë të “Xhevdet Dodës” realizuam një radio-reportazh për mbështetjen e nxënësve të shkollës sonë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, reportazh ky që u transmetua në valët e Radios “Kosova e lirë” në periudhën e fillimvitit 1999. Po ashtu, edhe pse nuk ishim ende studentë, Kreshniku dhe unë botonim shkrime në gazetën studentore “Bota e re” në mbështetje të filozofisë politiko-ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kësaj radhe drejtësia për Fatmir Limajn do të fitojë në Prishtinë
Ky përkushtim yni si nxënës nuk ishte asgjë e veçantë, në raport me sakrificën e madhe të luftëtarëve të lirisë. Ne vetëm po kryenim një obligim të vogël në mbështetje të luftës për çlirim. Gjithë këtë rrëfim e rishkrova për të kthyer në kujtesë të vërtetën e idealit të luftës së UÇK-së. Mua dhe shokëve të mi të asaj kohe, sot si qytetarë të shtetit të pavarur të Kosovës na shqetëson një gjë: përndjekja me tendenca poshtëruese dhe denigruese e luftëtarëve të lirisë së Kosovës, përndjekja e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij. Dhe, ata burgosen pikërisht në prag të festës së 28 Nëntorit, në 100-vjetorin e Shtetit Shqiptar dhe pikërisht 14 vjet pas ceremonisë dinjitoze ushtarake të UÇK-së në Divjakë, që e përshkrova në fillim të këtij shkrimi. I vetëdijshëm që shokët e vërtetë të Fatmirit kanë shumë më shumë për të rrëfyer për sakrificën, humanizmin dhe karakterin e tij të fortë, unë vetëm desha të risjell në opinion përvojën time të vogël me luftëtarë të lirisë si Fatmir Limaj gjatë periudhës së luftës, të cilët në kujtesën time dhe të gjeneratës time mbeten luftëtarë të denjë të lirisë, ashtu siç përshkruhen luftëtarët e lirisë edhe në betimin e UÇK-së. Drejtësia ndërkombëtare për Fatmir Limajn dhe për bashkëluftëtarët e tij e ka thënë fjalën e saj përfundimtare të pafajësisë dhe drejtësisë së luftës së UÇK-së. Tani nuk e di se cilës drejtësi “më të lartë” i konvenon përndjekja e luftëtarëve të lirisë në shtetin e pavarur të Kosovës, kur dihet botërisht se nuk mund të ketë të vërtetë tjetër për Fatmirin dhe UÇK-në përveç asaj që është konfirmuar vite më parë në Hagë. E sa për balancimet politike mes agresorit shtetëror serb dhe luftës çlirimtare të UÇK-së, jam i bindur se ato asnjëherë nuk do të arrijnë të bëhen. Fatmir Limaj dhe gjenerata e tij e luftëtarëve të lirisë së Kosovës kanë luftuar për të mirën e Kosovës, prandaj ata do të fitojnë sërish. Siç e tha edhe ai vetë: Edhe qielli po të rrotullohet, le të fitojë drejtësia. Kësaj radhe drejtësia do të fitojë në Prishtinë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...