2012-12-05

‘100 VJET VATËR’


Naum Prifti

-Vështrim i shkurtër historik-

Federata Panshqiptare Vatra mbush 100 vjet këtë vit, çka na bën të ndihemi krenarë jo vetëm për jetëgjatësinë e saj, por sidomos për veprimtarinë patriotike në shërbim të Atdheut, ndaj përulemi me nderim përpara krijuesve të saj dhe gjithë veprimtarëve dhe aktivistëve njëherësh ju shprehim mirënjohje gjithë Vatranëve të sotëm që vazhdojnë t’ia kushtojnë energjitë e tyre kësaj embleme të çmuar të mëmëdheut tonë.

Ne kete moshe te respektuar VATRA gëzon respektin dhe dashurinë e shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut dhe në mbarë botën ku ka shqiptarë, për shërbimet e mëdha ndaj kombit në çastet më kritike. Dy ishin faktorët kryesorë për ngjizjen e saj, atdhedashuria e shqiptarëve dhe ndikimi i demokracisë Amerikane. 

Paraqitja ime sjell shkurtimisht historine e trupëzimit te kesaj ideje duke e ilustruar me kujtimet e patriotit Kristo Floqit, një nga personazhet kryesorë të themelimit të saj dhe i vetmi që ka shkruar kujtimet e tij rreth këtij evenimenti. Kujtimet e tij u botuan më 1937 në revistën LEKA me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë.

Sipas tij, shoqëria BESA-BESË e Bostonit pas mosmarrëveshjeve që pati me Faik Konicën, redaktorin e gazetës së tyre DIELLI, vendosi t’ia besonin drejtimin e saj Avokatit Kristo Floqit. Ai e nisi punën duke mbajtur një sërë takimesh me kolonitë shqiptare, ku nisi të propagandonte  bashkimin e shoqërive me një program patriotik. Delegatët e shoqërive u mblodhën në Boston më 11 dhjetor 1911. 

Midis tyre ishte edhe Fan Noli, i cili sapo kishte ardhur, kurse Faik Konica nuk pranoi të vinte, por u mjaftua t’i dërgonte nismëtarit një letër, ku i shkruante “se nuk kishte dijeni për mbledhjen dhe asaj së djele qe i oukupuar me një punë tjetër.

” Dhe letra vazhdonte: “Ato që thoni për bashkimin janë të pëlqyera dhe pa dyshim duhet të bëhet në gjetshim një formullë të drejtë që ta mbarojmë pa prishur punët që kemi trajtuar deri tani me shumë mundime. 

Kemi komitetin tonë këtu (Flamurin e Krujës) dhe nuk shohim ndonjë arsye që ta prishim. Është e udhës të prishen punëra pa rregull e pa program, por jo punëra të ndërtuara me kujdes. Besoj këto t’i peshoni dhe të më jepni të drejtë. Mbetem juaji me besë, Faik Komitza d.v.” Autori i kujtimeve shpreh qëndrimin e vet kritik ndaj Faik Konicës.

Nga mbledhja doli propozimi të ngrihej një komision i përbërë nga Faik Konitza, Kristo Floqi, At Fan Noli dhe Paskal Aleksi. Komisioni nismëtar u dërgoi letra të gjitha shoqatave duke i pyetur si e dëshirojnë bashkimin, në formë të centralizuar apo si Federatë. 

Propozimi për Federatë ishte shpëtimtar mbasi shoqatat shqiptare pa përjashtim donin të ruanin pavarësinë e tyre dhe kryetarët përkatës parësinë e tyre, ndaj dhe u miratua prej të gjithëve. Në mbledhjen e radhës komisioni mori vendim të hartohej kanunorja dhe të gjendej një emër për federatën. 

 Dikush propozoi emërtimin PLUGU, dikush KASTRIOTI, PËRLINDJA, PARMENDA, dhe së fundi Fan Noli shqiptoi VATRA, që u prit me rrudhje buzësh nga të pranishmit. Vetëm pasi Noli shpjegoi kuptimin metaforik të saj, propozimi i tij u miratua. Ishte data 28 Prill i vitit 1912, dita historike e krijimit të Vatrës. [1]

Veprimtaria e Vatrës shkëlqeu gjatë dhjetë viteve të parë të krijimit të saj. Pas dorëheqjes së detyruar të Ismail Qemalit nga posti i kryeministrit më 1913, atdheu mbeti pa qeveri. Një vit më vonë shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe vendi u pushtua nga forcat ndërluftuese. Funksionet e një qeverie shqiptare në mërgim i mori Vatra. 

Ajo kreu aktivitet diplomatik me përfaqësues të shteteve të Europës dhe në Amerikë, ku veçojmë takimin me Presidentin e ShBA Wilson dhe deklaratën e tij se do ta mbronte shtetin e ri shqiptar me votën e tij. Dhe e mbajti fjalën. 

Wilsoni e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi, ndërsa komunistët shqiptarë ia vishnin meritat Leninit, një profesori liceu që në atë kohë ishte emigrant në Zvicër të cilin nuk e njihte askush.

 Vatra nisi delegacione pas delegacionesh në Shqipëri, luftëtarë për çlirimin e Vlorës më 1920 dhe më pas një kontigjent mësuesish për shkollat shqipe. Mbresa të forta la banda muzikore e Vatrës, e drejtuar nga Thoma Nashi, e cila në çdo qytet që shkeli, ngjalli shpirtin e krenarisë kombëtare me marshet patriotike.

Pas kryengritjes së Qershorit 1924, kryeministër u zgjodh Fan Noli, një nga krerët e Vatrës. Në sferën diplomatike fitorja më e madhe e qeverisë së Nolit ishte hyrja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Kjo është e vetmja meritë që Fan Noli ia njeh vetes si kryeministër. 

Noli idealist donte një shtet demokratik sipas modelit amerikan në një vend të prapambetur gjysmëfeudal, ndaj dhe nuk pati sukses. Gjithsesi Shqipëria ishte i pari shtet i sistemit republikan midis monarkive të Ballkanit.  

Pas qeverise jeteshkurter te Nolit, fitorja e Zogut me ndihmën e bandave të huajtura nga kryeministri serb Pashiç, solli tronditje të thella te Federatën Vatra. Fan Noli dhe Faik Konica u ndanë në dy kampe kundërshtare.

 Dashuria për atdheun i bashkoi, politika i ndau. Fan Noli u shfronëzua nga Zogu, ndërsa Konica u emërua prej Zogut ambasador në Amerikë. Polemika midis tyre shpesh ka tone të ashpra, po ndërkohë ata vazhdonin ta ruanin respektin reciprok.

 Kur Noli u sëmur në mesin e viteve ’30 dhe mbeti ngushtë ekonomikisht, iu drejtua Konicës ta ndihmonte nëpërmjet qeverisë shqiptare.  Zogu i dërgoi menjëherë 3000 franga ar, me të cilat ai pagoi mjekun dhe ilaçet. 

Pranimin e të hollave nga Zogu komunistët e cilësuan mëkat të pafalshëm, kapitullim, tradhëti, por Noli mbrohet duke pohuar me sinqeritet: “Po të kisha marrë ndihmë nga ndonjë i huaj, fjala vjen nga Petrua i Sërbisë ose Jorgua i Greqisë, kishit të drejtë të më thoshit që ’na tradhëtove’ – po unë mora ndihmë nga Zogu i Shqipërisë, ay dhe unë të dy shqiptarë, mbase sot politikisht nuk jemi të bashkuar, por të dy mendojmë dhe punojmë për Shqipërinë.” (Dielli, 28/2/1974).

Në testamentin e Konicës, ai shkruan: “I nderuari zoti Noli, (po) ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më qartë në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu nëse ti dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë.

 Kam lënë mënjanë dhe harxhet e rrugës për trupin tim pa jetë dhe shumën për 2 metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuari Noli dhe të nderuar shqiptarë, do të kryeni këtë amanet.” Konica vdiq më 1942 në spitalin e Bostonit dhe trupi i tij u mbajt në morg për katër vjet. 

U varros më 1946, pas dy letrave që Noli i shkroi Enver Hoxhës ku e vinte në dijeni për amanetin e Faikut. 

Kur erdhi përgjigja nga zoti Hoxha, se në Shqipëri nuk ka as dy metra vend për Faik Konicën, Noli do të  deklaronte : “ka qenë përgjigja që më ka djegur dorën tërë jetën, një përgjigje që i mbylli dyert tërë diasporës dhe na ndau nga dheu mëmë.

 Është përgjigja që më bëri të heq dorë nga një vendim që kisha marrë dhe për veten time, që kur të vdisja, 2 metra vend t’i kisha në Shqipëri.

” Ja pse eshtrat e Nolit nuk kanë shkuar në atdhe.   Përçarja e madhe e Vatrës ndodhi në vitet 1930, ku ndikoi edhe periudha e depresionit në Amerikë. Dolën në sipërfaqe mosmarrëveshjet e vjetra. Vatra bie ngushtë nga ana financiare. “Dielli” del mesatarisht 2-3 herë në muaj. 

Mbyllet zyra e Vatrës, mbyllet shtypshkronja dhe konfiskohet arkivi i saj, se nuk u pagua morgiçi. Acarohen marrëdhëniet midis pronarit, konsullit shqiptar George Prifti dhe Refat Gurazezit, redaktorit të Diellit. 

George kërkon paratë që i ka huajtur Vatrës. Në këtë atmosferë thirret Kuvendi XXI i Vatrës. Shumica e delegatëve vijnë nga Middle West dhe kërkojnë transferimin e Vatrës në Detroit. Ata të Bostonit e kundërshtojnë me arsyetimin se atje mungojnë intelektualët. 

Pasi një vatran ortodoks e fyejti Gurazezin në sedrën fetare, Fazlli Panariti largohet nga Kuvendi me shumicën e delegatëve. Kuvendi u prish. Pak më vonë, më 13 tetor 1936 del numri i parë i gazetës “Dielli” në Detroit nën drejtimin e Refat Gurazezit. Tashmë ndarja u bë fakt. 

Dy gazeta, të dyja me emrin “Dielli”, një në Boston, një në Detroit vazhdojnë polemikat për disa vite me radhë. Tirana e shqetësuar dërgon më 1938 një delegacion për t’i pajtuar dy Vatrat, por bashkimi i dëshiruar nuk u arrit. 

Debatet vazhdojnë deri në prillin e vitit 1939, kur erdhi lajmi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Në këto rrethana, lufta brenda gjirit të Vatrës ishte e pakuptimtë prandaj  delegatët e të dy palëvet u mblodhën më 8 maj 1939 në Detroit dhe hartuan deklaratën për bashkimin e tyre.
Ndërkohë vihet re ftohja midis qeverrisë së Tiranës dhe Konicës.

 Flitej se Zogu do ta transferonte në Londër, por kjo ide nuk i pëlqen aspak Konicës. Do të ishte gabim të mendohej se Konica ishte shërbëtor besnik i Zogut. E vërteta është se ai donte më shumë pavarësinë e mendimeve të tij sesa mbretin August. Ja disa konsiderata të shfaqura në letrën dërguar Abdurrahman Matit më 14 korrik 1938. 

 “Mbreti ka shumë zotësira të larta, por si çdo njeri ka dhe disa mungesa. Një nga mungesat e tij është se ato që thotë sot, i harron nesër.” [2] 

Ja dhe pasazhi i vitit 1939, ku ai portretizon Zogun: “E përbuz mbretin për këto arsye, e kam parë qëkur ishte 18 vjeç, por që nga ajo kohë nuk e kam dëgjuar asnjëherë të thotë të vërtetën. Nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie. Është i pangopur, egoist, zemërgur i pandershëm. Ai urren të gjithë ata që kanë diçka-qoftë kulturore, origjinë familjare, pasuri, ndonjë aftësi në çfarëdo fushe ose vetëm pse janë patriotë e të ndershëm.”[3] 

Vjen pyetja, po atëherë si është e mundur që Zogu e dërgoi Faik Konicën ambasador? Për të njëjtat arsye që emëroi edhe Vrionin ambasador në Francë, për t’i hequr qafe dhe për të mos i patur nëpër këmbë.

Periudhën më kritike të jetës së saj Vatra e pati menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur qeveria komuniste e ndërpreu në mënyrë kategorike emigrimin e shqiptarëve. Kësisoj osmoza jetike e diasporës shqiptare me atdheun u ndërpre. Shqiptaro-amerikanët që ktheheshin pranë familjeve të tyre në Shqipëri u konfiskohej pasaporta amerikane dhe ishin  detyruar t’i ngrysnin ditët atje. Kjo ndërprerje solli dëmtime të dyanshme. 

Diaspora u rrëgjua, nga mungesa e gjakut të ri. Ndërkohë një faktor tjetër doli në skenë. Në Amerikë filluan të vinin shumë nga të arratisurit politikë që ndodheshin kryesisht në Itali, si dhe ata që me rrezik jete kalonin kufirin grek ose jugosllav. 

Këta e përtërinë mërgatën e paraluftës në Amerikë. Faktori tjetër po aq vendimtar ishte fluksi i emigrantëve nga trojet etnike: Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni. Shqiptarët ishin të detyruar t’i përvidheshin repsresionit serbo-sllav, të evitonin arrestimet, burgjet dhe internimet. 

Në fillim Vatra u tregua shumë e rezervuar t’i pranonte në gjirin e saj të mërguarit politikë të etiketuar “bashkëpunëtorë të fashizmit dhe nazizmit”. Paradoksi  ishte se shumë prej emigrantëve besonin se pengesa vinte  mga Qerim Panariti, editor i Diellit, i akuzuar pa të drejtë si komunist. Kjo gjendje vazhdoi pothuaj deri në fund të viteve ’50. 

Së fundi Fan Noli e gjeti të arsyeshme t’i pranonte të arratisurit politikë në gjirin e Vatrës, duke pohuar se edhe ata ishin shqiptarë, ndaj nuk mund t’u mohohej kjo e drejtë. Radhët e rralluara të Vatrës u mbushën dhe ajo u forcua nga përbërja numerike dhe intelektuale. Ia vlen të shënojmë se emigrantët që vinin nga Jugosllavia nuk kishin njohuri për Vatrën dhe iu desh kohë të njiheshin me aktivitetin e saj dhe të anëtarësoheshin në të.

Në fillim të viteve ’90 selia e Vatrës u shpërngul nga Bostoni në Nju Jork. Thashethemet se kjo u bë qëllim që t’i zihej vendi kryetarit të saj legjitim janë pavend. Praktikisht dega e Bostonit nuk funksiononte, për shkak se kryetari ishte i ngathët dhe inaktiv. Kështu ajo shteroi si një përrua kur i mehet ujët.

  Ndërkohë Nju Jorku ishte qyteti ku kishte më shumë shqiptarë ndaj dhe transferimi ishte me vend. Ia vlen të vërejmë se nuk pati kurrfarë reagimi nga ish kryetari i saj dhe nga vatranët e paktë të Bostonit. Në Nju Jork Vatra ishte pa shtëpi, pa zyrë, dhe në fillim e pati vështirë. Për shumë vite me radhë Vatra përdorte për adresë postare godinën e anëtarit të kryesisë së saj, Marjan Cubit, në Manhattan ku ai shërbente si superindendent.

Më 1993, me përkujdesjen e Zydi Karagjozit u ble Shtëpia e Vatrës në Bronx, aty ku ndodhet sot. Më 1995 Vatra mori në dorëzim edhe arkivin që deri atë kohë ruhej në papafingon e biznesmenit të mirënjohur Anthony Athanas, të cilin e përkujtojmë me nderim të thellë për ndihmën e pakursyer që i dha Vatrës gjatë shumë e shumë viteve. 

Me ndihmën e tij u krijua dhe u ruajt fondi i paprekshëm prej 100.000 dollarësh për blerjen e shtëpisë së Vatrës dhe po ashtu fondi për bursat e studentëve po me këtë shumë, nga e cila mund të përdoren vetëm interesat vjetore për të ndihmuar shkollimin e 6-8 studentëve shqiptarë. Kryetari i Vatrës, zoti Agim Karagjozi iu përkushtua drejtimit të Vatrës, me punë të vyer dhe mirëdashje pergjatë dy dhjetëvjecarëve.   

Nuk do flas ketu per historine e dhjetëvjeçarëve te fundit të Vatrës sepse njihen nga komuniteti shqiptar. Tipari dallues i kesaj periudhe ështe rigjallërimi i Vatrës me ngritjen e degëve në Uashington D.C., në Detroit, në Florida dhe në upstate Nju Jork, me ndihmat materiale dërguar në Kosovë dhe në Shqipëri, me botimin e rregullt te gazetes Dielli dhe aktivitetin patriotik e kulturor në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë.

Ne te vertete, tipari qenesor i historise se Vatres eshte se aty reflektohet dhe perjetohet historia e atdheut gjate njeqind vjeteve te fundit.

-Nju Jork, Nëntor 2012 –

Referati u mbajt në Simpoziumin e 100 Vjetorit te Pavarësise në Detroit, MI.




[1] Të dhënat janë vjelë nga artikulli “Kujtime Historike – Formimi i Federatës Panshqiptare “Vatra” prej Dr. Kristo Floqit. Revista LEKA, viti 1937. 
[2] Janë vjelë të dhëna nga kumtesa e z. Idriz Lamaj mbajtur në Fordham University. në 90 vjetorin e Vatrës, 12 tetor, 2002.
[3] Kristo Frashëri, -Nëntori Nr. 1, 1991.

Nga Redaksia Floripress-Prishtinë


Skeda:Naum Prifti.jpg



Naum Prifti 

Është i lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjeksor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I apasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.

Në 1970-72 ka patur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si insepktor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si petagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (New York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhërin “Naim Frashëri” klasi ll-të.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëjra e mijra faqe të shkruara me dorë , të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kopjuterin e ditëve tona , qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi: “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet antar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.

Përgatiti Zef Pergega dhe Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...