2012-12-03

Domosdoshmëria historike e ribashkimit kombëtar




Prof.Dr.sci.Eshref Ymeri


“Kushdo mund ta fitojë lirinë, në qoftë se ai është i aftë të gjejë vetveten”-Gëte

“Shqiptarët janë mendjelehtë”-Admirali Gregori Xhonson, Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s 



Kaloi edhe festa e 100-vjetorit të pavarësisë. Ishte me të vërtetë një festë me rëndësi të jashtëzakonshme për mbarë kombin shqiptar. Kjo për faktin se pavarësia u shpall për mbarë trojet tona etnike, të përbëra prej katër vilajetesh në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por, fatkeqësisht, për mungesën e vetorganizmit të kombit shqiptar për mbrojtjen e territoreve të veta dhe për shkak të urrejtjes tradicionale të faktorit grekosllav, në gadishullin tonë shpërthyen luftërat ballkanike, të cilat nuk kishin si qëllim kryesor dëbimin e perandorisë në fjalë nga ky gadishull, meqenëse kjo perandori kishte kohë që kishte filluar të merrte tatëpjetën dhe në qarqet e politikës evropiane i ishte vënë nofka “i sëmuri i Bosforit”.

 Qëllimi kryesor ishte vetëm copëtimi i trojeve etnike shqiptare dhe fshirja e Shqipërisë nga harta e Evropës. Vendimin për copëtimin e trojeve tona e mori Evropa, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, kurse zbatimi i këtij vendimi iu la përsipër faktorit grekosllav, përmes luftërave ballkanike. 

Dhe Evropa asnjëherë nuk u bë pishman për krimin e rëndë që kreu kundër kombit shqiptar. Me këtë copëtim ajo i mohoi lirinë kombit shqiptar, i mohoi të drejtën për të jetuar i bashkuar në trojet e veta stërgjyshore. 

Dhe sot, në mbarë kontinentin evropian, për çudi, vetëm kombi shqiptar vazhdon të mos jetë i lirë në krejt trojet e veta etnike. Ky fakt përbën një fatkeqësi shumë të rëndë kombëtare për të gjithë ne shqiptarët. 

Evropa kurrë nuk e ka dashur, madje ajo e ka urryer, kombin shqiptar, prandaj edhe kreu kundër tij një krim shumë të rëndë, pa iu dridhur qërpiku.

Këtë urrejtje e argumenton edhe historiani i nderuar gjerman Aleksandër Lambert në një intervistë të ribotuar më 30 prill 2012, në gazetën “Tribuna Shqiptare”. Në atë intervistë ai deklaron: 

“Evropa sabotoi historinë tuaj në shek. XIX kur Ilirinë e quajti Ballkan”.

Gjatë këtyre viteve të pluralizmit, përfaqësuesit e klasës politike që kanë hipur dhe zbritur nga pushteti në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, nuk e kanë prekur as edhe një herë të vetme çështjen e ribashkimit kombëtar.

 Heshtja e tyre për këtë çështje kaq madhore, dëshmon fare qartë se kjo klasë politike vazhdon të ecë në hullinë e Enver Hoxhës dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë në qëndrimin ndaj çështjes kombëtare. Kohët e fundit kanë dalë në skenë dy formacione të reja politike, në Prishtinë pak më herët dhe në Tiranë gjatë vitit në vazhdim: është fjala për Vetëvendosjen dhe për Aleancën Kuq e Zi, të cilat e kanë shtruar haptas çështjen e ribashkimit kombëtar.

Në kushtet e krijuara pas shembjes së komunizmit në Evropën Lindore dhe ndryshimit të kufijve për krijimin e shteteve të reja, çështja e ribashkimit tonë kombëtar duhej të qe vendosur në rendin e ditës në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Por, për fat të keq, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Festimi i 100-vjetorit të pavarësisë, ishte rasti më ideal që klasa politike mbarëshqiptare, në opozitë dhe në pushtet, të dilte e bashkuar para kombit shqiptar dhe të parashtronte botërisht platformën e ribashkimit të afërt të trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, duke denoncuar si akt armiqësor Traktatin famëkeq të Londrës të vitit 1913. 

Sepse ribashkimi i trojeve tona etnike është vetëm në duart e shqiptarëve. Por kjo klasë politike, frikacake dhe servile para faktorit grekosllav dhe para Evropës, nuk e bëri një gjë të tillë, prandaj edhe do të mbajë në ballë vulën e turpit në sytë e mbarë kombit shqiptar.

 Përgjegjësinë kryesore për mosparashtrimin e një platforme të tillë, e mban, para së gjithash, Shqipëria, si shteti amë për mbarë trojet tona etnike. 

Por, siç thotë Profesori i Universitetit të Oksfordit Xhejms Petifer, “Shqipëria ka qënë e paaftë të ribashkojë pjesët e copëtuara të territorit të saj” (Gazeta “Telegraf”. 08 maj 2012).

 Dhe paaftësia e Shqipërisë, e konkretizuar me doza të theksuara burracakërie dhe servilizmi, u manifestua fare qartë në përgjigjet që Tirana zyrtare i dha ministrit shovinist grek Avramopulos, i cili, me përçmimin karakteristik grek ndaj kombit shqiptar, na rekomandon që të shikojmë 100 vjet përpara, duke kërkuar që trojet tona etnike deri në Prevezë dhe krimet e kryera ndaj popullsisë çame, ne t’i hedhim pas krahëve.

 Tiranës zyrtare s’i mjaftoi burrëria për t’ia përplasur në fytyrë Avramopulosit shovinist se kufijtë tanë deri në Prevezë janë jo vetëm në kontektin historik, por edhe në kontekstin e ditëve tona. Në frëngjishte ka një shprehje: il grêl sur le persil (ai me të dobëtit është trim me fletë). 

Pra, Avramopulosi bëhet trim me fletë me politikanët burracakë dhe servilë të Tiranës. Por sikur Tirana zyrtare të kishte të tillë politikanë, që t’i jepnin një përgjigje burrërore, Avramopulosit do t’i shkonin tetë në qase. Se mbarë kombi shqiptar e di mirë se sa “trima” janë grekët. “Trimëria” e tyre është vetëm pabesia.

Në situatën e tanishme, copëzimi i faktorit shqiptar nëpër disa shtete, i diktuar me dhunë prej shovinizmit evropian në vitin 1913, të kujton principatat ilire që nuk u bashkuan kurrë me njëra-tjetrën për të përballuar fillimisht dyndjet e romakëve nga perëndimi dhe më pas të sllavëve nga veriu. 

Në këto kushte, faktori shqiptar në Evropën Juglindore, brenda vetes, ka rënë pre e provincializmit dhe e bajraktarizmit politik. 

Prandaj është e pamundur që një hallakatje e tillë e trojeve tona etnike nëpër disa shtete, të krijojë kushte të përshtatshme për krijimin e një shteti ligjor dhe të një klase politike me vetëdije të lartë kombëtare. Sepse shqiptarët e copëzuar dhe të përçarë do të vazhdojnë të mbeten peng i mendësive provincialiste dhe bajraktariste të deritanishme. 

Një komb shqiptar i përçarë, si deri tani, do të vazhdojë të fyhet, të poshtërohet, të shkelet me këmbë prej grekosllavizmit, siç ka ndodhur faktikisht që prej vitit 1913 e deri më sot.

Përçarja, nëse do të vazhdojë gjatë, do të ketë pasoja të rënda për mbijetesën tonë si komb. Prandaj ribashkimi i trojeve tona etnike është një domosdoshmëri historike. 

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 25 tetor, Sekretari i Jashtëm anglez deklaroi se kufijtë në Evropën Juglindore janë të përfunduar. Kjo deklaratë të kujton një kryeartikull të revistës sovjetike “Novoje vremja” (Koha e Re), të botuar në maj të vitit 1985, me rastin e 40-vjetorit të fitores mbi nazifashizmin, dhe që titullohej: “Jalta nuk mund të rishikohet”. Por u desh që të kalonin vetëm gjashtë vjet që vendimet e Jaltës të përfundonin në rojtinat e historisë. Prandaj kufijtë në Evropën Juglindore nuk mund të vlerësohen të përfunduar, përderisa nuk janë ribashkuar trojet etnike shqiptare.

Shqiptarët, këta “nxënës të mbetur në klasë”në lëndën “Çështja e pazgjidhur kombëtare” 

Derisa ne shqiptarët nuk qemë të zotë të bashkoheshim për mbrojtjen e trojeve tona etnike, ne nuk e kemi dhënë “provimin” e lëndës më kryesore të shekullit që lamë pas. 

Prandaj ne jemi “mbetës në klasë”. Kjo për faktin se ne, siç thotë Gëte, nuk kemi mundur të gjejmë dot vetveten për të siguruar lirinë për çdo bashkatdhetar në krejt këto troje. Dhe kuptohet vetvetiu, për “mbetësin në klasë” nuk kanë fare respekt ata që ai ka rreth e rrotull.

 Prandaj kjo mungesë respekti ndaj kombit tonë është manifestuar me tërë egërsinë e vet jo vetëm mes fqinjve tanë, por edhe në mbarë Evropën Perëndimore. 

Pikërisht për shkak të asaj “mbetjes në klasë”, Evropa Perëndimore na quan “shqiptarë mendjelehtë”. Për ta argumentuar këtë që po them, po sjell një fakt konkret.

Drejtori i Radios "Kosova e Lirë", zoti Ahmet Qeriqi, shkruan lidhur me të ashtuquajturën “Marrëveshje e Ohrit”:
"Luftëtarët e lirisë nuk e mirëpritën marrëveshjen, meqë ishin qind për qind të bindur se autoritetet sllavomaqedonase njohin vetëm një gjuhë, atë të forcës, e cila i detyroi ta nënshkruajnë armëpushimin, në të cilin kreu i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk diktoi kushte, edhe pse kishte forcë të diktonte dhe të mos i lëshonte armët nga dora, për shkak se në mënyrë direkte nuk ishte palë në bisedime… 

Dihet, po ashtu se asokohe, në Shkup, kishte shkuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson dhe i kishte bindur autoritetet e Qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’ i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej status quoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet të krijuar si Republikë Jugosllave në vitin 1945” (Citohet sipas faqes së internetit: “I robëruari s’ka ç’humb në luftë, përveç këmishës së zezë të robërisë”. 16 dhjetor 2009). 

Pra, admirali Xhonson, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, kishte shkuar në Shkup për të përcjellë mendimin e kristalizuar të Evropës se politikanët shqiptarët janë mendjelehtë dhe ata mund t'i joshësh fare kollaj me çdolloj marrëveshjesh në dëm të interesave të kombit shqiptar. 

Dhe, domosdo, për njerëzit mendjelehtë nuk ka kush respekt. Madje ata bëhen objekt talljesh dhe poshtërimi prej kujtdo. Prandaj edhe fqinjët tanë grekosllavë vazhdimisht janë tallur me ne. Shikoni tani se ç’qëndrim mban Serbia ndaj Kosovës. 

Serbia, si një shtet fashist, kreu masakra të përbindshme në Kosovë, vrau dhe shpërguli qindar mijëra njerëz, grabiti dhe shkatërroi pasurinë e Kosovës dhe dogji rreth 200 mijë shtëpi, minoritetin serb në Kosovë e shndërroi në një bazë dhe mbështetje të fuqishme të bandave fashiste të Millosheviçit dhe të Arkanit, duke armatosur me kallashnikovë edhe fëmijët e shkollave serbe të moshës 14-vjeçare (siç pati rrëfyer zoti Kadri Canaj, zëvendëskryeplaku i fshatit Grejkoc të komunës së Prizrenit në nëntor të vitit 1999, kur u ndodha atje si përkthyes i një grupi gazetarësh rusë).

Tani, kjo Serbia pasmillosheviçiane, në vend që të reflektojë për ato krime të rënda që kreu, ajo ka vite që po mban ndaj Kosovës një qëndrim hakërrues, deri në shpërfillje, në tallje, në poshtërim, duke e ngulur fort “gozhdën e Nastradinit” në Mitrovicën e Veriut. 

Ky qëndrin arrogant i Serbisë e ka burimin në vendimin e padrejtë që u mor në Marrëveshjen e Kumanovës. Kjo për faktin se Marrëveshja e Kumanovës ishte në favor të Serbisë dhe jo të Kosovës. 

Gjithmonë për shkak të shpërfilljes së politikanëve shqiptarë mendjelehtë, të cilët para politikanëve të huaj kanë aftësinë të gjunjëzohen vetëm me art. Sepse në Kumanovë duhej të ishte marrë një vendim i prerë për ndëshkimin e rëndë të Serbisë, si një shtet fashist dhe agresor, pikërisht si ai që u mor pas përfundimit të Luftës II Botërore kundër Gjermanisë naziste, e cila u nda në katër zona pushtimi. Kjo nuk u bë, sepse Evropa Perëndimore që asokohe e kishte parashikuar se pas përfundimit të luftës, ajo, me ndonjë përjashtim të rrallë, do të merrte tërësisht anën e Serbisë, siç edhe ndodhi në të vërtetë.

Tani, faktikisht, minoriteti serb Mitrovicën e Veriut e konsideron si pjesë të Serbisë. Dhe klasa politike që është në pushtet në Prishtinë, vazhdon të bëjë sehir.

Po bëhen 22 vjet që shteti grek vazhdon të tallet me “ngastrën londineze” që quhet Shqipëri. Athina, me ndihmën e tradhtarëve të brendshëm, hodhi në dorë drejtimin e kishës ortodokse ish-shqiptare, sot filial i kishës shoviniste ortodokse greke, dhe solli në krye të saj Anastas Janullatosin, armikun e betuar të kombit shqiptar. Në dhjetor të vitit 1990 ajo i shqeu kat e kat kufijtë me Shqipërinë për dyndjen në masë të emigrantëve shqiptarë drejt Greqisë. Dhe ka 22 vjet rresht që këta emigrantë i ka parë me syrin e agait dhe vazhdon t’i mbajë peng për realizimin e qëllimit kryesor të saj - aneksimin e Epirit të Veriut. Dhe klasa politike e Tiranës, gjatë gjithë këtyre viteve, ka vazhduar të zvarritet barkas para Athinës zyrtare, duke i bërë asaj lëshime pas lëshimesh që nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse si tradhti kombëtare.

Në disa analiza të mëparshme në internet, e kam theksuar disa herë se prapa varrezave të ushtarëve agresorë grekë, manastireve dhe memorialeve të ngritura pranë tyre, fshihen pelegrinët grekë që do të fillojnë të vijnë karvanë-karvanë gjoja për të nderuar ushtarët e tyre fashistë që lanë kockat gërxheve shqiptare në përleshje me trupat italiane. Dhe s’dola i gabuar.

 Më 28 tetor, karvani i pelegrinëve grekë zbriti në Këlcyrë, me pretekstin se do të përkujtonte, demek, festën kombëtare të Greqisë, 28 tetorin. Pra, pelegrinët dhe mjetet e informimit masiv në Greqi, i dhanë të kuptonte opinionit publik grek se ata po e përkujtojnë festën kombëtare të fitores mbi fashizmin Italian, në Këlcyrë, që është pjesë e territorit të Vorio-Epirit, pra e territorit grek.

 Po ku ishte populli i Përmetit? Pse nuk u ngrit më këmbë dhe t’u vinte drunë pelegrinëve shovinistë grekë që kishin ardhur për të na poshtëruar ditën për drekë? Bëri shumë mirë Aleanca Kuq e Zi dhe Vetëvendosja që protestoi në Këlcyrë, por do të kishte qenë më mirë që të ishte pajisur edhe me vare për copëtimin e varrezës greke në Këlcyrë dhe kryqet janullatiste t’i flakte në lumin e Vjosës.

Lëshimet që klasa politike e Tiranës i ka bërë shtetit grek për kishën ortokse ish-fanoliane, për Himarën, për Korçën, për varrezat, memorialet dhe manastiret e ngritura për ushtarët fashistë grekë, për shkollat greke ku nuk ka minoritarë, për kufirin detar etj., pa llogaritur këtu pozitat kyçe që i ka lënë në dorë atij shteti në sferën e ekonomisë, janë me të vërtetë skandaloze.

Klasa politike shqiptare e trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup i ka bërë lëshime të pafalshme shtetit maqedonas në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Maqedonisë. 

Atje Marrëveshja e Ohrit nuk u zbatua, shqiptarët keqtrajtohen, kërcënohen, burgosen, masakrohen, vriten nga autoritetet e shovininizmit maqedonas, kurse klasa politike e trekëndshëshit në fjalë vazhdimisht ka heshtur.

 Duke ndjekur skenat e keqtrajtimit të popullit shqiptar të Maqedonisë nga ana e qeverisë së Grujevskit, Kryeministri i Republikës së Turqisë, zoti Erdogan, u detyrua të deklaronte:

“…trupat kombëtare turke janë në gatishmëri dhe do ndihmojnë shqiptarët për çlirimin e trojeve shqiptare” (Citohet sipas faqes së internetit: “Kryeministri turk Erdogan: Kërcënon me shpërbërje të Maqedonisë dhe Ballkanit nëse te drejtat e shqiptarëve nuk merren parasysh”. 18 maj 2012).

Kjo deklaratë e Kryeministrit Erdogan është një dackë e fortë për tradhtinë e klasës politike mbarëshqiptare.
Siç shihet nga sa u parashtrua më sipër, shqiptarët, të vetmit në Evropë, në mbarë trojet e tyre etnike, për shkak të tradhtisë së klasës së tyre politike, vazhdojnë të mos jenë të lirë.

Filozofi dhe sociologu britanik Spenser (Herbert Spencer - 1820-1903) thotë:

“Askush nuk mund të jetë krejtësisht i lirë, derisa liria nuk është arriur për të gjithë”. 

Ura e Ibrit vazhdon të mbetet e bllokuar dhe banorët shqiptarë të jugut të Mitrovicës nuk lejohen të kalojnë drejt veriut. Pra, atyre u mohohet liria e lëvizjes. Pra, liria e tyre, liria e shumicës absolute, vazhdon të mbetet e cënuar për qejfin e pakicës serbe në veriun e Mitrovicës, një pakicë kriminale kjo, që bashkëpunoi ngushtë me trupat fashiste serbe që masakruan popullin shqiptar të Kosovës në fundin e viteve ’90 të shekullit të kaluar. 

Populli shqiptar i Maqedonisë e ka të cënuar lirinë në kushtet e bashkëjetesës së detyruar me shovinizmin maqedonas. Faktet e muajve të fundit janë dëshmia më e qartë e shtypjes së lirisë së tij. 

Popullsisë shqiptare të Preshevës dhe të Malit të Zi i mohohet e drejta për mbajtjen e simboleve kombëtare, studentëve të tyre nuk u njihen diplomat që kanë marrë në universitetet e Shqipërisë Londineze.

Popullsisë çame nuk i lejohet të shkojë dhe të vizitojë vatrat stërgjyshore në Çamëri, nuk i lejohet të ngushëllojë shpirtrat e lënduar pranë varreve të të parëve të vet, të kujtojë në trojet amtare viktimat e fashizmit grek të qershorit të vitit 1944. Pasaportat e çamëve policia kufitare greke i gris si pa gjë të keqe dhe Tirana zyrtare luan rolin e shurdhmemecit para një skandali të tillë.

Ndërkohë, autoritetet e Shqipërisë Londineze e lejuan shovinizmin grekomadh të ngrejë varreza, memoriale dhe manastire për ushtarët fashistë grekë, të cilët, në vitin 1940, fill pas hyrjes në territorin shqiptar, kryen masakra dhe na shkatërruan dhjetra objekte kulti. 

Deputetë dhe politikanë grekë hyjnë e dalin në Shqipëri kur u do qejfi, duke u sjellë sikur janë në shtëpinë e vet. Dhe kjo ndodh se klasa politike e Tiranës, në raport me Greqinë, e ka kthyer Shqipërinë në një “shtëpi publike” që s’ka as portë e as derë. Deputeti neonazist grek vjen serbes-serbes në Bularat si në çifligun e vet dhe lëshon thirrje shoviniste, kurse shqiptarët s’ndihen, rrinë urtë si delet e Krishtit. Ja si e poshtërojnë grekët popullin shqiptar, për shkak të burracakërisë dhe të servilizmit të klasës politike shqiptare.


Ky poshtërim që na bëjnë serbët dhe grekët është pasojë e “mbetjes sonë në klasë”, është pasojë e mendjelehtësisë së klasës politike mbarëshqiptare, e cila gëzon përkrahjen dhe simpatinë e Evropës. 

Sepse me këtë klasë politike Evropa e ka fare të lehtë ta mbajë më këmbë veprën kriminale që kreu kundër kombit tonë në vitin 1913. Se dashuria e saj ka qenë dhe vazhdon të jetë përvëluese për të krishterët sllavogrekë të Evropës Juglindore, të cilët i majmi mirë me trojet tona etnike.

 Prandaj ka një marrëveshje të heshtur mes Evropës dhe përfaqësuesve kryesorë të klasës politike mbarëshqiptare: mos e hapni gojën për Shqipërinë etnike dhe do të keni përkrahjen time për të qëndruar në pushtet.

Presidenti i gjashtëmbëdhjetë i SHBA, Abraham Linkoln (1809-1865), thotë:

“Delja dhe ujku e kuptojnë në mënyra të ndryshme fjalën “liri”, pikërisht këtu qëndron thelbi i mosmarrëveshjeve që mbizotërojnë në shoqërinë njerëzore”. 

Prandaj klasa politike mbarëshqiptare e percepton lirinë e kombit shqiptar me instinktin e deles, kurse sllavogrekët arrogantë lirinë e tij e perceptojnë me instinktin e ujkut. Kjo është edhe arsyeja që klasa politike mbarëshqiptare parapëlqen të luajë rolin e deles, vetëm e vetën që të qëndrojë sa më gjatë në pushtet.

Në gjendjen ku klasa politike mbarëshqiptare e ka katandisur nderin dhe dinjitetin e kombit shqiptar, të nëpërkëmbur prej Evropës dhe prej faktorit agresiv sllavogrek, ribashkimi i trojeve tona etnike është e vetmja zgjidhje për të dalë nga bataku i shpërfilljes dhe i përbuzjes ku kemi përfunduar.

Vetëm ribashkimi i trojeve etnike shqiptare do të bëjë të mundur daljen në skenë të një tjetër klase politike me nder dhe me dinjitet kombëtar. Ai do të krijojë kushte të përshtatshme për emancipimin e mbarë kombit shqiptar, për zbulimin e vlerave të fisnikërisë së tij shekullore, do të zgjojë energji krijuese të jashtëzakonshme, do të vërë në vend dinjitetin e individit dhe do të bëhet mburojë e fuqishme për mbrojtjen e lirisë së tij. Vetëm ribashkimi kombëtar do ta çlirojë individin nga mendësitë provincialiste patriarkale, nga skllavëria e shpirtit, nga pesha e servilizmit para bajraktarizmit partiak. 

Filozofi dhe poeti i lashtësisë romake, Seneka (4 p.e.r - 65 e.r.), thotë:

“Nuk ka skllavëri më të turpshme sesa skllavëria e shpirtit”.

Prandaj vetëm ribashkimi i krejt trojeve tona etnike do të krijojë kushte për çprangosjen e shqiptarit nga skllavëria e shpirtit para bajraktarit partiak dhe për ngritjen e dinjtetit të tij në lartësitë e një qytetari me vetëdije të përkryer kombëtare. 

Ky ribashkim do të krijojë kushte shumë të përshtatshme për shmangien përfundimtare të përçarjes katastrofike që mbizotron mes shqiptarëve për shkak të morisë së partive të panumërta që janë krijuar, të cilat në programet e tyre, me përjashtim të Aleancës Kuq e Zi, as që e përmendin fare zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. 

Ribashkimi i trojeve tona etnike do të vendosë në panteonin e kombit shqiptar të gjitha figurat e shquara që sakrifikuan gjithçka për mbijetesën e tij në shekuj. Vlerësimi i këtyre figurave do të bëhet me objektivitet shkencor dhe jo sipas shijeve partiake, siç u vu re edhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Ribashkimi i trojeve tona etnike do të krijojë kushte të shkëlqyera që klasa politike mbarëshqiptare, në pushtet apo në opozitë, të jetë e çliruar përfundimisht nga kompleksi i inferioritetit para të huajve, i cili klasën e tanishme politike e ka karfosur keq në çdo pore të saj.

Ky kompleks i mallkuar inferioriteti, është burim i mosrespektimit të theksuar që sllavogrekët vazhdojnë të ushqejnë ndaj nesh. Prandaj edhe në gjirin e tyre ata kanë vazhduar të mbajnë më këmbë struktura fashiste për qëllime diversioni kundër etnisë shqiptare në gadishullin tonë. 

Në Greqi vazhdon të funksionojë organizata fashiste terroriste “Mavi”, e cila, me përkrahjen e fuqishme të kishës shoviniste greke dhe të shtetit grek, ka ushtruar një aktivitet të dendur brenda Greqisë kundër Shqipërisë së Jugut, të shoqëruar edhe me akte terroriste, siç ishte inkursioni fashist i saj në Peshkëpi të Gjirokastrës në vitin 1994.

Nuk është rastësi që pikërisht në Greqi u krijua një parti fashiste me emrin “Agimi i Artë” dhe deputetët e saj fashistë kanë 21 vende në parlamentin grek. Kjo parti është trashëgimtare e organizatës fashiste “17 nëntori”, e cila ka funksionuar gjatë shumë dhjetëvjeçarëve pikërisht me bekimin e shtetit shovinist grek, prandaj edhe asnjëherë nuk u bë objekt hetimi nga ana e organeve të drejtësisë.

 Një fakt i tillë dëshmon fare shkoqur se prirjet fashiste gjejnë një terren ushques në radhët e popullit grek. Dhe Evropa hesht për këto struktura fashiste që krijohen në Greqi.

 Dyshoj se Evropa, falë dashurisë përvëluese që ushqen për Greqinë, mund t’i falë asaj edhe borxhet shumëmiliardëshe, që ajo ta marrë veten para frymës nacionaliste në rritje që po vihet re në radhët e kombit shqiptar pas festimit të 100-vjetorit të pavarësisë.

Ndërkohë, Serbia, brenda shtetit, kishte të organizuara dhe të mirëtrajtuara bandat e Arkanit që kishin si qëllim kryerjen e masakrave në Kosovë dhe mbajtjen e popullit shqiptar të Kosovës nën psikologjinë e terrorit.
Në kushtet e një shteti të bashkuar kombëtar, sllavogrekët nuk do të kenë më mundësi të tallen me etninë shqiptare siç vazhdojnë të tallen deri tani. Madje ata do t’i bëjnë hesapet mirë se si duhen ndërtuar marrëdhëniet me një shtet të bashkuar shqiptar me 10 milionë banorë.

Misionin e shenjtëruar për ribashkimin e trojeve tona etnike mundet dhe duhet ta marrë përsipër vetëm rinia shqiptare, që është “shpuza” e kombit shqiptar, dhe ato parti politike, të cilat, në programet e tyre, kanë si objektiv kryesor pikërisht krijimin e një shteti të bashkuar mbarëkombëtar. 

Prandaj duhet përkrahur fuqimisht nisma e Aleancës Kuq e Zi dhe e Frontit për Bashkim Kombëtar që u ndërmor në Morinë më 28 nëntor për mbledhjen e firmave në të dyja Shqipëritë për zhvillimin e referendumit për shkrirjen e tyre në një shtet të vetëm. 

Për arritjen e këtij objektivi një rol të pazëvendësueshëm do të luajë Fronti për Bashkimin Kombëtar. Mbështetje e fuqishme e tyre duhet të bëhen intelektualët me vetëdije të lartë kombëtare. Midis intelektualëve shqiptarë, për fat të keq, ka edhe një dorë syresh frikacakë, disfatistë apo edhe argatë të grekosllavizmit, të cilët nuk e duan bashkimin e trojeve tona etnike. Madje ka edhe nga ata që duan ta përçajnë kombin shqiptar, duke shpikur brenda tij “kombin” kosovar. 

Prandaj ka shumë të drejtë zoti Ajet Nuro, i cili, në një artikull të paradokohshëm, të botuar në “Tribunën Shqiptare”, kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë, thotë se këta tipa janë edhe më të rrezikshëm sesa politika serbe e përçarjes së kombit shqiptar. Kurse disa pseudointelektualë të tjerë deklarojnë se na qenka absurde të flitet tani për ribashkimin e trojeve tona etnike. 

Qytetarët e Gjermanisë Lindore nuk pritën sa të “piqeshin” kushtet për ribashkimin me Gjermaninë Perëndimore apo derisa t’i mbushej mendja Moskës për tërheqjen e armatës pushtuese prej 370 mijë trupash që mbante atje. Përkundrazi, ata rrëmbyen qysqitë dhe varetë dhe iu turrën murit të Berlinit për ta hedhur në tokë, duke e bërë fakt të kryer ribashkimin e dy Gjermanive.

Gazetari grek Panajoti Savidi, në numrin e gazetës “Proto Thema” të datës 4 nëntor 2012, pati botuar një artikull me titull “Ekstremisti i djathtë shqiptar që trondit Athinën”, duke sulmuar ashpër kreun e Aleancës Kuq e Zi, zotin Kreshnik Spahiu, i cili ka deklaruar se kufijtë tanë shkojnë deri në Kostur dhe në Prevezë.

Grekët, bashkë me Athinën, nuk kanë pse tronditen se zoti Spahiu nuk ka shprehur pretendime shoviniste ndaj ndonjë territori autokton grek. Ai ka thënë një të vërtetë që dihet botërisht. 

Poeti mitik i këngës labe, zoti Lefter Çipa, në një poezi atdhedashurie thotë se shqiptarët nuk kërkojnë më shumë “sesa ka krahët shqiponja, katër vilajetet tona”. Prandaj grekët dhe larot e tyre kudo që janë, le ta marrin vesh mirë se Arta, Preveza, Kosturi, Janina, Filati, Konica etj., për ne janë simbole kombëtare, ashtu siç janë simbole edhe qytete të tjera shqiptare që vazhdojnë me Manastirin, Shkupin, Preshevën e deri në Mitrovicë, Tivar dhe Ulqin.

Presidenti i Serbisë Nikoliç u ngrit e shkoi në Athinë, ku u takua me homologun e tij grek Papulias. Në atë takim të datës 9 nëntor 2012, ata i premtuan njëri-tjetrit se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. 

Ky fakt dëshmon se kombi shqiptar në veri dhe në jug ka dy shtete armiq. Kjo armiqësi, e egër në realitet, por e maskuar me gjethen e fikut të fqinjësisë “së mirë”, zë fill që prej vitit 1844, me dekretimin e platformave të “Naçertanies” dhe të “Megaliidesë”, që kishin si qëllim zhvatjen e territoreve shqiptare. Ky unitet armiqësor grekosllav kërkon të ruajë me ço kusht territoret shqiptare që na u rrëmbyen me bekimin e Evropës që në vitin 1913. 

Mirë do të ishte që klasa politike mbarëshqiptare të hiqte dorë nga politika e servilizmit ndaj Evropës. Kjo për faktin se servilizmi është i pështirë për këdo. Servilizmi i kësaj klase politike na ka ulur autoritetin në sytë e Evropës, e cila shqiptarët i quan mendjelehtë. Mendjelehtë, në të vërtetë, nuk është populli shqiptar, i cili dallohet për krenari, atdhetarizëm dhe zgjuarsi të admirueshme. Mendjelehtësia është tipar karakteristik i klasës së tij politike që manifestohet në mënyrën më të shëmtuar në marrdhëniet me Evropën. Servilizmin e klasës politike shqiptare Evropa e përcjell me një buzëqeshje të shtirur, prapa së cilës fshihet shpërfillja dhe përbuzja.

 Evropa do të na respektojë vetëm atëherë kur ne të gjejmë vetveten, të ribashkojmë trojet tona etnike dhe të krijojmë një shtet të konsiliduar mbarëshqiptar.

 Pa arritjen e këtij objektivi, nuk ka dhe nuk do të ketë qetësi në gadishullin tonë. Këtë e pranon madje edhe një ushtarak i një supershteti, siç është Federata Ruse, trashëgimtarja e politikës cariste ndaj kombit shqiptar, armike e betuar e kombit shqiptar, siç del fare qartë në një libër me titull “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare. 1878-2012”, të përgatitur prej dr. Islam Lauka, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, dhe prej meje dhe të botuar në Prishtinë në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Një një intervistë që i ka dhënë para do kohësh Raditelevizionit të Serbisë, gjenerali rus Leonid Ivashov ka deklaruar:

“Tash për tash nuk shoh perspektivë stabiliteti në rajon dhe kjo vlen edhe për Serbinë. Ndonëse në disa analiza të mia, kur mendoj edhe problemin e Kosovës, shpesh si garant stabiliteti dhe ardhmërie shoh projektet shtetërore të Serbisë së Madhe, Shqipërisë së Madhe dhe të Kroacisë së Madhe. Kjo do të ishte bazë e stabilitetit dhe të paqes në Ballkan” (Citohet sipas faqes së internetit të zotit Paul Tedeskini me titull: “Gjenerali rus Ivashov: "Serbia e Madhe, Shqipëria e Madhe dhe Kroacia e Madhe, garanci stabiliteti në Ballkan”. 09 nëntor 2012).

Së fundi, ribashkimi i trojeve tona etnike dhe krijimi i shtetit të konsoliduar shqiptar, do të krijojë kushte të padiskutueshme për vënien para përgjegjësisë juridike të dy shteteve fashiste që kanë kryer gjenocid dhe shkatërrime të pallogaritshme në dëm të kombit shqiptar. 

Së pari, do të kërkohet ndëshkimi i Greqisë, e cila në qëndrimin ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë u rreshtua përkrah nazifashizmit, duke ushtruar ndaj saj një gjenocid të pashembullt në historinë e njerëzimit. 

Shtetit shovinist grek do t’i kërkohet kompensim për gjenocidin e ushtruar dhe për shkatërrimin e pronës së popullsisë në fjalë. Veç kësaj, varrezat, manastiret dhe memorialet që shteti shovinist grek, me pararojën e vet Janullatos, ngriti në nderim të ushtarëve agresorë grekë, do të zhduken nga territori i Shqipërisë së Jugut.

Së dyti, do të kërkohet ndëshkimi juridik i Serbisë për gjenocidin e ushtruar në Kosovë dhe kompensimi i të gjitha shkatërrimeve që kreu atje në fundin e viteve ’90 të shekullit të kaluar. Në historinë e së drejtës ndërkombëtare, krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen.

Santa Barbara, Kaliforni
03 dhjetor 2012.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...