2012-12-03

MYRTEZA PEPA BËRI GJITHCKA MUNDI PËR KOSOVËN


RIZA LAHI


                                                                Dossier


  KOMANDANTI  RAMUSH HARADINAJ KA SHPËTUAR BRIGADËN 122 PA U SHFAROSUR,  VETËM PËR PESË MINUTA PARA KASAPHANËS

          I zoti i shtëpisë më pa edhe një herë në sy, ndërsa baca Ibrahim më bëri me shenjë që të mos mërzitesha. Po mbyllja aparatin me të cilin kisha fotografuar Myrteza (Myrtez) Pepën bashkë me heroin e tij të përjetshëm – Jusuf Gërvalla.

  Jusuf Gërvalla është fotografia më e madhe në atë shtëpi të Malmoes , dhe i zoti i saj e kish varur në vendin më të dukshëm.

     “Myrtezi”, pra Pepaj, ishte i përzgjedhuri i baca Ibrahimit për t’u intervistuar nga unë, “për me hi në libër”. Jo vetëm në kryeqendrën shqiptare të Suedisë, në Malmoe, por, në të gjithë atë vënd me vijë ajrore cep më cep thuajse sa dhjetë herë 360 kilometërshi shqiptar që lidh Marlulën me Konispolin, askush nuk dyshonte në puritanizmin e bacës sim.

 Ibrahim Metaj, megjithëse me arsim relativisht jo aq të lartë, ka një respekt gati – gati fetar ndaj librave, gazetave e fotografive, të cilat i mori në shtëpinë e tij me fanatizmin dhe adhurimin që mbajnë myslymanët Kur’anin.

     “Myrtezi” pra, ishte një “target” për penën time, i pushtuar nga ndershmëria dhe saktësia prej shenjtori e, pra, bacës, po, përse, ja, unë s’e dija ende.

 Do të mësoja më pas.

Më saktë – menjëherë.

    Myrtezi, sapo la punën në oren 15.30, i ra borisë së “Kerrit” të tij poshtë shtëpisë së bacës në Skurup në oren 15.45, jo në orën 16.00, sa ç’na kish thën mbrëmë.

Siç duket, kishte rendur për të na  marrë e për të na çuar në shtëpinë e tij me shpejtësi jo më të vogël se sa 130-140 km/orë.

Myrteza Pepaj është i ditëlindjes 30 mars 1959,” i Deçanit”, fshati Kodrali.         

 Është nga veteranët e 1981-shit.

Pepaj kujton se ka iniciuar vetë një demonstratë, kur ishte në shkollë, në Prishtinë, “tuj bo hajgare . Djalit të mixhës ia theu doren policia, por unë ju ika për durësh”.

Myrtez Pepaj ka pamjen e një njeriu me intuitë të veçantë për t’iu shmangur rreziqeve në çastet e fundit dhe për t’u futur sërish nëpër lojen e rrezikshme, atje dhe atëherë, kur të tjerët janë të tmerruar. Një Zherar Filip1) i lindur.

  Pepaj është një emigrant i hershëm në Suedi. Kryetari i Unionit të Shqiptarëve të Suedisë, zoti Destan Morina do të më thoshte më pas se, kur ai ka mbërritur pas aq peripecishë më së fundi në Suedi, e kish  gjetur strehën e parë “te ni shoq i jemi, Myrtez Pepaj ia thonë”.
          Myrtezi ka luftuar gjithsej – gjithsej vetëm 45 ditë në Kosovë.
         
          Ai është nisur me kontigjentet e para për luftë që nga Suedia, tok me Rexhep Mehmetajn, Nasim Haradinajn, Beçë Shalën, Arben Mazrekajn, si edhe me një “djalë hazreti” (djalë i vetëm). Djali i “hazretit” quhej Hysret Kyçyku i cili pat këmbëngulur të vinte në luftë kështu: “po nuk më pranuat, se qënkam “hazreti”, unë do të luftoj i veçuar nga ju. Nuk e kam llogaritur jetën time në qetësi, kur e tër Kosova është në flakë”.

          Natën e ikjes , ky grup, para se të përcillej të nesërmen me ceremonialin e kryesuar nga veterani Ramadan Shala, ka darkuar në shtëpinë e Myrtezait, e shoqja e të cilit, në një qoshe, ka bërë përpjekjen e fundit t’ia kthente mëndjen babait të 4 fëmijëve të saj, kështu:

          “Ti qet pare boll!! Mos shko me luftue! Lufta don edhe pare, e ti qet boll! Mos shko!”

          Duke parë nga e shoqja, Naxhija, Myrteza Pepaj na tregoi, bacës dhe mua, se ajo binte kushurirë me Isa Boletinin dhe, sapo ajo u largua pak  per te fëmijët, vazhdoi:

          “Nana jeme, Sofë ia thonë, nuk më tha asnjiherë mos shko. 

Ajo ka pasë nji vëlla, Beqir Berisha, qi ka luftue e asht vra në një grup me një kaçak të njoftun antititist, të quajtun Nue Përlleshi, i lidhun me NDSH-në. Mirëpo, kur Naxhija nisi me kaaa me të madhe, edhe nana s’mujt me durue ma”.

          Në të vërtetë, si Myrtezai, edhe miku i tij që i thirri në telefon e që erdh pas pak, Rexhep Mehmetaj, kanë qënë mjaft mirë ekonomikisht, kur kanë nisur apo kanë shpërthyer në aktivitetet guerile.

          Myrtezi, psh. si rrallë emigrantët shqiptarë, duke njohur edhe tri gjuhë të tjera veç shqipes (greqisht, serbisht e suedisht), ka punuar përkthyes.

 Babai i tij ka qënë arsimtar në Kosovë. Është quajtur Bajrush Islam Pepaj dhe, i njohur si antitist e, meqënëse, për këtë, s’e lejonin të ushtronte mësuesinë, ai ka dhënë mësim të gjuhës shqipe në shtëpija.

          Pas një stërvitjeje 15 ditore, Pepaj ka hyrë në Kosovë, në brigadën 122. Në atë të Ramush Haradinajt.

          Rasti do të sjellë ndonjëherë të rri edhe me këtë kosovar të quajtur Ramush, për të cilin kam dëgjuar aq thashetheme të bukura. Rajmonda Meleçka, e vetmja femër nga Rep. e Shqipërisë që ka luftuar në Kosovë, qesh me dashuri prej shoku sapo përmënd “komandant Ramushin”.

          “Ramushi më dha leje vetë, mbas tri ditëve, me shkue e me pa mixhën se nanën e lashë në Suedi, e baba… m’ka vdekë”, thotë Myrtezi, përpjekjet mbinjerëzore të të cilit, që do t’i shohim më poshtë, janë të ngjashme me përshkrimet makabre, të heroizmit makabër, të përshkruar vetëm nga një pendë e njerëzimit deri me sot – ajo e Viktor Hygoit.

          Ja¼ Dhe diçka nga “komandant Ramushi”.. .Diçka të treguar nga Myrteza Pepaj, që ka qënë i “ kyçur” në kuadrin e grupeve të zgjedhura të ashtuquajtur “diversionistë”, që vepronin me 7-9 veta dhe që kryenin, shkëputur nga totaliteti numerik i brigadës 122, sulme të rrufeshme në pika sa më të habitëshme. Duke goditur egërsisht dhe me tër potencialin e mundshëm të armëve të lehta që mbanin me vete e, sigurisht, duke ia mbathur, sapo të arrihej qëllimi.

  “Djem, sot nuk do të rreshtohena në vëndin e zakonshëm” – na tha nji mëngjes komandant Ramushi, dhe na u nisëm me u rreshtue  dikund  tjetër, larg. 

E¼ Po atë ditë, as 5 minuta mbas orës së zakonshme të rreshtimit, kanë shpërthyer, mu atje ku duhej të ishim të grumbulluem  të tanë, mbi 1000 predha artileriet e mortajash, prej të katër anëve”.

          Për atë ditë, pra, qe përgatitur një skenë shfarorësëse për të gjithë atë mori burrash të rinj të Kosovës.

Pepaj më dha këtë spjegim rreth shmangies së kasaphanës së atij mëngjesi:
    “Ose ka folë ndonjë rob i kapun prej nesh ose, ka mundësi , këtë informatë, komandant Ramushi e ka ble prej ndonjë hafijeje serbe.

 Komandant Ramushi, sigurisht që ka pasë informatorë në radhët e serbve  në favor të UÇK-së. Ka njerëz që janë gati me ba çfarëdo lloj ndyrësie për pare. E, parja e bardhë, për ditë të zezë!”

          Myrtez Pepaj këmbëngul me zjarr këto çaste për diçka. A ka mundësi që në librin tim të shkruaj që në fillim, që në faqen e parë, të lutem, a mundesh bre burr, që në rreshtin e parë, që në krye fare, për një kryetrim kosove.

 Ka qënë një bjond i bukur, me fytyrë njomcake. Është quajtur Xhevat Sejfijaj. Ka qënë nga Bogajt e Rugovës.

“Ende nuk i dihet se ku janë eshtnat e Xhevatit. Trupin e tij të vramë, ose e kanë shkye qentë, ose e kanë djegë serbët”.

Luftëtari i UÇK-së Xhevat Sejfijaj ka qënë në njërin nga grupet e sulmit, siç ka qënë dhe Myrteza Pepaj. Ai , si ka qëlluar për vdekje një komando të ushtrisë serbe, ka bërtitur me furi “Eheaaj! Iku qëni!!!”. 

Mirëpo, në çast, është qëlluar për vdekje, nga një tjetër luftëtar sërb. Dhe, fill pas, heroi kosovar është gjendur mes një hordhie të tërë komandosh armiq, të kamufluar përqark¼

          Myrteza Pepaj ka provuar të operohej pa narkozë. Ai i është nënshtruar heqjes së një cifle predhe në stomak vetëm me pak kamfor në hundë dhe¼ nëpër tehun e thikës së kirurgut. Ja se si ka ndodhur.

          Në krye të një grupi prej 600 djemve të paarmatosur, në majë të një kali të blerë, “Zheli” (pseudonim i Myrtezit), ra në një minë. Ishin në afërsi të kufirit me Shqipërinë, për ku ishin nisur, dhe ishte natë. 

Natë dhe shumë ftohtë. Të gjithë e dinin mirë se ushtria sërbe kishte minuar kufirin.

 Mina e fuqishme bëri fertele barkun e kalit.

 Por kali, ky mburojë prej mishi, si një luftëtar i paepur, është rrotulluar tri-katër herë me kalorësin në shpinë.

 Duke hingëllitur.

 Duke stërmbledhur tëra forcat.

 Derisa ka rënë përdhe pa frymë me kalorësin “Zheli”mbi shpinë.

Me “Zhelin” që nuk arriti të dilte “i larë” nga mina.

 Por i mbytur në gjak.

 Grupi u kthye mbrapsht menjëherë. Kokëkrisja për të kaluar natën nëpër një zonë të minuar, u pagua me vdekjen e kalit. 

Dhe me pragvdekjen e kalorësit kokëkrisur. Dhe të tre-katër luftëtarëve kosovarë të paarmatosur.

          Herë mbi supe shokësh, e herë mbi kurriz të ndonjë kali, më së fundi, falë edhe celularëve, këtyre armëve të pandara të kosovarëve, dikush ka dalluar papritur dy drita të një “kerri”.

          Sigurisht që nuk ishte me serbë. Serbët, si dhe nazistët në Luftën e Dytë, nuk  rrezikojnë natën. Ata ngulmojnë për sulmet në agim.

 Nga makina dolli shoferi. Ishte pikërisht vetë i mbiquajturi “komandanti legjendar” Agim Ramadani¼

          Myrtezi tregon me imtësi edhe shakatë e shokëve për ta “mbajtë me gajret”, ndërsa operohej në stomak. Atje. Në rokafortën e Junikut.

          “Shaqë Qerimaj, Shaqa banon sot në Zvicër, më thoshte nëpër atë qahmet: “Or Myrtez! Më ba me na dekë, kam me t’mbulue me dushk. 

Jo, more me dhe, jo. Me dushk. E, kur të më bijnë rruga kah ti, tash po vi e ta qes një cingare e tash po e pijmë bashkë. Ti, mandej, tash po hyn prap nëpër dushk¼ 

Shaqa, ky trim mbi trimat, ka nji hidhnim të madh në shpirt.   
      
  Djalin 17 vjeçar ia kanë vra serbët!”

Unë jam i bindur se Pepaj sikur rrëfehet para altarit. Baca Ibrahim kënaqet shumë me pyetjet e mia dhe me grykën e kasetofonit tim, të cilin e kam dhuratë prej disa viteve nga miku im Namik Hoti. 

Ai e njeh Myrtezin prej kohësh, por s’e ka dëgjuar ndonjëherë të tregojë kaq imtësira të shënjta të jetës së tij.


          E pra¼ Të nesërmen e operacionit, ky luan ka udhëtuar, në këmbë, vetë i katërti, shoqëruar me dy luftëtarë, që të gjithë, sëpaku, me nga një granatë në brez, nëpër tërë atë të ftohtë, që nga Juniku për në Tropojë.

          “Rrugës na ka pikasër një helikopter jugosllav. 

Na ka kërkuar për një gjysëm ore, ndërsa ne prisnim me gjak të ngrirë sa të largohej¼ Në Tropojë, paguam një fugon, dhe u nisëm për Tiranë”.

          Myrtez Pepaj, i vendosur për të luftuar me vdekjen në këmbë, ashtu si kali që ra mbi minë dhe që u rrëzua vetëm kur zemra nuk i rrahu më, më së fundi arriti në Tiranë dhe refuzoi të shtrohej në spital.

          Për disa ditë, sa për të marrë veten, ai ka gjetur strehë në familjen tropojane të oficerit shqiptar Halit Mulgeci. 

Pepaj ruan respektin më të thellë për Halitin zemërbardhë edhe bashkëshorten e tij, Serveten me përkujdesjet e saja si të ishte ndonjëra nga “motrat” e nënës Terezë.

          “Jam strehue edhe në shtëpinë e një oficeri tjetër madhor të ushtrisë shqiptare. E kanë shtëpinë diku pranë Hotel “Dajtit”. 

E ka mbiemrin Hoti. E shoqja quhet Shpresa. Ata më kanë lëshuar krevatin e tyre bashkëshortor dhe kanë këmbëngulë të mos largohesha nga ata pa u shërue krejt. Por unë u nisa për në Suedi¼

”( Mbi bazën e këtyre të dhënave, përmes librit të telefonit, unë munda të gjej adresën e saktë të personit Hoti, për familjen e të cilit flet Pepaj. Bëhet fjalë për oficerin në pension Ymer Hoti, i cili, pasi u mendua, më dha të dhënat fizike dhe të CV së Myrteza Pepajt. Ai, me të shoqen Shpresa, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, kishin strehuar nje numur të konsiderueshëm luftëtarësh të UCK së dhe, njëri nga këta, ja, ishte ky që interesohesha  unë  R.L.).

          Paratë e biletës Myrtez Pepajt ia ka siguruar mjeku – luftëtar Adem Grabovci.

          Në Rinas, polici shqiptar i ka kërkuar pasaportën.

          E ç’pasaportë kishte me vete ky shtatlartë me akcent kosovar?

          Në kohën që personi me uniformë ka dashur të largonte njeriun që kishte kapërcyer nëpër kazanët e vdekjes për të shkuar te fëmijët dhe njëherë, te e ëma Sofë dhe te e shoqja Naxhije dhe që ndodhej vetëm pak metra nga dera e “Sëiss air”-it, befas, ka ndodhur një skenë që i ka shtangur të gjithë.

Në vënd të pasaportës, Myrtez Pepaj ka zbërthyer xhaketën.

Turma  ka parë një gjoks, deri në bark, të mbuluar me fasho dhe me gjak të mpiksur.
 Si llak i kuq.

 Polici shqiptar i aeroportit të Rinasit, ka mbajtur drejtqëndrim.

Me pëllëmbën shtrirë në cepin e kapeles me Shqiponjë.
         
           *       *        *
          ¼ Ndërkohë, ja kish mbërritur në këtë mbrëmje një burr i bëshëm, me vështrim të vendosur, por me një ëngjëll të dërmuar në fetyrë. Quhej Rexhep Mehmeti. 

Të dy me Myrtezin qenë larguar në një ditë nga Suedia. Në një ditë kishin hyrë në Kosovë.

          Mehmeti kishte përballuar një kompleks të rëndë dramash të njëpasnjëshme. Duke psherëtitur, ai tha para mikrofonit tim se, ca nga ata që dikur e kishin torturuar shnjerëzisht në qelitë e UDB së, sot i vinin në krye të dasmave, në krye të mexhliseve të fisit apo merrnin pjesë në ndonjë parti të Kosovës së pasluftës.

          Ai s’desh të fliste. Ai ishte i dërrmuar. “Kishte tre fëmijë – kam dy tani” tha. 

Ai kish marrë pjesë në një grup ilegal të armatosur në Kosovë, krijuar në vitin e të quajtur “Shqiponjat”. 

Gati duke dhënë shpirt në qelinë e tij prej torturave, ka mundur të hyjë në kontakt me vëllain e tij të torturuar dhe ai, në qelinë ngjitur, i cili i ka thënë:

          “Or Rexhep! Or vëlla! Ata e kanë listën e gjithë grupit. Mos mbaj ma sekrete. Ata dinë gjithçka¼

          Nuk kisha parë kosovarë  më të dërrmuar sesa ky njeri. Para dy orësh ai kish shpëtuar sërish për qime nga përplasja me makinëne një të dehuri.

          Më vinte aq rëndë ndërsa shihja para meje dy njerëz që kishin vuajtur shumë. Po¼ Po përse nuk ishin të kënaqur nga jeta?!

 Si më tha ai, Myrtezi sapo i shkela në shtëpi:
          “Do të të kisha nxjerrë për jashta, poqese¼

          Dhe ai, brenda 15 minutave kishte rendur me maqinë për të na marrë në Skurup, bacën dhe mua, sigurisht me shpejtësinë maksimale që mund të  nxirrte me maqinën e tij.emocionet¼
          Befas¼ U kujtova për diçka.

          - A keni magnetofon, Myrtez?

          - Po, more!

          - Kam një kasetë nga Shqipëria. A e ndëgjojmë?

          - Po si jo, more, qitash!

          Myrtezi, si një liane, brofi në këmbë, ndërsa po e ndiqnin vetullat e rrepta dhe sytë pa emocione, të Rexhep Mehmetit. Kur...

          Orkestrimi i mrekullueshëm, zëri i mrekullueshëm dhe kënga e mrekullueshme korçare “S’kam ç’e dua dashurinë” e Mihallaq Andreas.

          Sytë e mekur të Rexhos nuk munden të mbanin lotin e parë.

 Ai nuk e fshiu.

 Myrtezi, të tijin, po.

O Mihallaq Andrea! Kur shoku yt më i ngushtë, t’i ka këputur të dyja këmbët, që të shpëtonte jeta jote, keni  pirë nga një cigare të dy dhe, gjëja e fundit që ke  parë para se të humbisja ndjenjat nga anestezia, kanë qenë lotët e Ylli Ziçishtit me bisturinë në dorë. Ti ke luftuar me jetën dhe jeta e mposhtur nga ti të ka shpërblyer shumë. 

O, sa shumë!!

 Sa shumë, Mihallaq!!! Sa shumë¼ 

E ku ka më shumë se këta lotë këtu, në Suedinë e largët, me këtë natë të ftohtë dhjetori?. Këto lotë luanësh të dëshpëruar. 

Që po u dridhet buza me buzë.

 O po, ti i solle Shqipërinë! Shqipërinë e bukur. Shqipërinë e dhëmbshur, të vetmen në botë.

     Me zërin tënd të ngrohtë, u solle Kosovën e ngrohtë Myrtezit e Rexhepit¼ 

Llaqi! Ti ‘s’e shikon dot se si nisi të gjallërohej Rexhepi.

          - A mund të marrin Llaqin në telefon? Ta përshëndesim prej këtu? Unë ia kam numurin¼
          Liania formoi me të shpejtë numurin.

          Rreth nesh ishin mbledhur fëmijët dhe e shoqja e “Zhelit”.

            -  Po¼ Mihallaq Andrea jam¼ Urdhëroni.

    Para se në Korçë të arrinte zëri i Myrteza Pepajt, arriti një pauzë. Një pauzë dhe një fragment serenate. 

Dhe një e qeshur me shpirt, sikur të vinte që pas derës, e jo që nga mijra kilometra larg¼

           
1) Zhurar Filip – aktor i njohur francez, i njohur për spektaklet e zhdërvjellta në përdorimin e shpatës e të lëvizjeve me trup.

RIZA LAHI

( Nga libri i pabotuar kurrë,  “Flatrat e shqipes sime – Suedi, Gjermani”)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...