Institucionet tona në Kosovë korrupsionin e kanë luftuar vetëm me teori, i cili kurrë nuk do të ndalet me teori boshe, por me masat më të rrepta praktike. Ndaj, aprovimi i një ligji të fortë dhe shumë real, në masë të madhe, do ta ndalte korrupsionin
Shkruan: Mr. Bislim Aliu
Na u ka mbushur koka duke dëgjuar fjalën korrupsion, korrupsion… Kjo në vijimësi është përmendur, që sa kohë, por edhe që sa vjet. Është përmendur shumë herë, por edhe tani, vazhdimisht po përmendet. Por, më kot. Ai nuk po ndalet dhe nuk po ndalet. Sikur jemi të prirë për korrupsion. Sigurisht me teori dhe me masa teorike ai asnjëherë nuk do të ndalet. Asnjëherë dhe as kurrë. Ai, pra, s’do mend, do të ndalet, vetëm me masa praktike; me ligj dhe me gjyqësi. Zaten, kjo “njollë e zezë” e ka dëmtuar dhe në vijimësi po e dëmton Kosovën. Dhe, përherë, varg e vijë, institucionet ndërkombëtare po nxjerrin në pah, nga Gjykata Evropiane e Auditorit, luftimin e pasuksesshëm të korrupsionit. E, në lidhje me këtë, në raportin që doli, para do kohësh, theksohet qartazi se mekanizmat kryesorë në Kosovë kanë pasur një performancë të dobët. S’do mend se çështja e sundimit të ligjit për BE-në është një prioritet i madh. Ndaj, edhe marrëdhënieve tona me Kosovën do t’i japim rëndësi të madhe sundimit të ligjit, i cili do ta ndalte korrupsionin. Gjithsesi, mbi të gjitha, është në interes të popullit të Kosovës që sundimi i ligjit të funksionojë dhe t’i vihet fundi fenomenit të korrupsionit. Pra, kësaj faqeje të zezë, e cila po e dëmton rëndë Kosovën. Me korrupsion, Kosova s’mund të ecë përpara. As sot dhe as kurrë. Në lidhje me këtë Agjencia Kundër Korrupsionit ankohet se nuk mund të bëjë më shumë sesa të përcjellë disa informata në prokurori dhe asgjë më shumë. Në anën tjetër, para do kohësh edhe presidentja Jahjaga e pati formuar një Këshill Antikorrupsion, i cili është dashur që disa herë të mblidhet dhe të shihen rezultatet e këtij këshilli. Por, më kot, deri më tash asgjë konkrete nuk ka prej këtij këshilli! Pra, që sa kohë kemi pritur dhe vazhdimisht po presim e po presim rezultate konkrete në lidhje me korrupsionin. Vallë, deri kur do të presim që sadopak korrupsioni të ndalet! Dhe, deri kur do të presim një ligj që të aprovohet kundër korrupsionit?...
Aprovimi i Ligjit Antikorrupsion
Mendoj se është momenti i fundit që të aprovohet Ligji Antikorrupsion, i cili do të shërbente për konfiskimin e pasurisë, i cili është fituar në mënyrë të paligjshme. Tani, doemos, Qeveria duhet të jetë më e përgjegjshme që ta luftojë korrupsionin. Ajo sa më parë duhet ta Aprovojë Ligjin Antikorrupsion. Për këtë Qeveria duhet t’i marrë në konsideratë rekomandimet e shumta nga Organizatat Joqeveritare të Kosovës. Andaj, gjatë aprovimit të këtij ligji duhet të merren masat më të rrepta, në mënyrë që të bëhet konfiskimi i pasurisë që është fituar në mënyrë të paligjshme. S’do mend se ky ligj kërkon maturi, ligjshmëri dhe njerëzi konkrete për ndalimin e kësaj “njolle të zezë” që e ka kapluar Kosovën, që sa kohë dhe që sa vjet. Me një ligj të rreptë, real dhe fare të njerëzishëm, na jep shpresën reale që të luftohet korrupsioni në masë të madhe. Dhe, a do të jetë Qeveria e vendosur për një ligj të tillë dhe a do të ketë fuqi në këtë, është një lloj skepticizmi, mos vallë do të aprovohet një ligj që do të ketë brenda lehtësira të favorshme, mu ashtu siç do të dëshironin disa pushtetarë!... Vetëm ligji i mirëfilltë do ta ndalonte, por edhe do ta konfiskonte pasurinë e bërë në mënyrë të paligjshme. Zaten, çdo gjë e paligjshme është edhe e huaj. Dihet mirëfilli se pjesa dërmuese e mjeteve ndoshta janë të shkapërderdhura nëpër bankat evropiane. Pavarësisht, ato ku janë, nëse janë realizuar në mënyrë të paligjshme duhet të konfiskohen. Nëse aprovohet Ligji Antikorrupsion, vetëm për mjetet që janë derdhur në bankat e Kosovës, atëherë është një ligj, jo i drejtë, joparimor dhe jonjerëzor. Gjithsesi, mjetet e realizuara në mënyrë të paligjshme [kurdo qoftë] duhet të konfiskohen dhe të vendosen në llogari të shtetit. Andaj, nuk duhet caktuar afate kohore. Ato që janë realizuar në mënyrë të padrejtë, pavarësisht kur janë realizuar, ato duhet të konfiskohen, dihet mirëfilli vetëm nëse ka fakte për parregullsi.
Për korrupsion të debatohet në Parlament
S’do mend se Ligji Antikorrupsion e ka peshën e madhe. Dhe, sigurisht, do seriozitet dhe qartësim real për të gjitha keqpërdorimet që janë bërë. Pavarësisht, kur ato janë bërë, duhet gjithsesi të ndëshkohen. Zaten, keqpërdorimet e bëra, asnjëherë nuk vjetrohen. Dhe, për këtë, ato nuk duhet të ndahen në kohë dhe në pjesë kohore. Andaj, po flitet, por edhe po përflitet, se keqpërdorimet që janë bërë para 1999 nuk duhet të sanksionohen. E dihet mirëfilli se edhe para ’99-ës ka pasur abuzime të fondeve të ndryshme, nga disa zyrtarë, që ndonjëri prej tyre ndoshta ende merret me politikë. Pra, nuk duhet dhe nuk bën të anashkalohet asnjë kohë, nëse ka fakte të bollshme për abuzimin e mjeteve në mënyrë të paligjshme. Andaj, përkufizimi në afate kohore dikujt nga zyrtarët e lartë sigurisht i shkon përshtati. Tevona, është tejet naive që mjetet e depozituara jashtë vendit të mos konfiskohen! Kjo, zaten, është një përpjekje para qytetarëve për t’i hedhur hi syve, se po b ëjmë të pamundurën për ta legalizuar një ligj real dhe parimor!... Sigurisht, projektligji gjithsesi duhet shtruar dhe të debatohet në Parlament. Pa mëdyshje, në Kuvend pritet një debat i nxehtë. Dhe, asnjëherë mos të harrohet se ligji është ligj dhe se ai është për të gjithë njësoj. Gjithsesi, të gjithë para ligjit duhet të japim llogari për keqpërdorime apo zhvatje të tjera joreale. Ndaj, ligji duhet të jetë i drejtë, real dhe shumë parimor. Aty, gjithsesi, për dikë nuk duhet të ketë lehtësira e për dikë realitet dhe ashpërsi. Andaj ligji është ligj dhe për gjithkënd është njësoj. Pa përjashtim kështu duhet të jetë. S’do mend se korrupsioni gjithsesi duhet të ndalet. Me masa konkrete duhet të ndalet. Por, a jemi të gatshëm, por besa edhe të sinqertë, që ta formulojmë realisht dhe për të gjithë njësoj, apo ende jemi të gatshëm që për dikë të bëhen paksa kompromise në favor të dikujt , ashtu si edhe i konvenon atij. Realisht, a jemi për parandalim, apo ende po hezitojmë dhe duke ia çelur udhën korrupsionit dhe udhës pa kthim?... Pa mëdyshje, korrupsioni në këtë shkallë të lartë të veprimit është një njollë e keqe dhe e rëndë për Kosovën. Zaten, me këtë shkallë të lartë të veprimit s’do mend se anëtarësimet evropiane mund vetëm t’i mendojmë, por besa edhe shtruar t’i fantazojmë.