2012-12-04

Jakup Krasniqi kërkon përgjigje, Hashim Thaçi hesht!

Vetëm pak ditë pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë qeverisës dhe atyre të PDK-së, Qeveria e ka miratuar Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve.

Përderisa kryeministri Hashim Thaçi edhe të hënën ka parapëlqyer të heshtë përballë skandalit të përgjimeve telefonike ku është i përfshirë ai personalisht me shefin e grupit parlamentar të partisë që drejton, Adem Grabobvci, kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, i cili ka qenë më i atakuari në këtë rast, ka kërkuar edhe njëherë përgjigje nga protagonistët e këtyre bisedimeve telefonike.

Iniciativa e Qeverisë së Kosovës për aprovimin e Projektligjit për përgjimin e telekomunikimeve vjen pas publikimit në internet të bisedave telefonike, në të cilat është i përfshirë i pari i qeverisë, Hashim Thaçi, ministrja e Integrime, Vlora Çitaku, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci , kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku ,dhe ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Vesli, tash anëtar “i ri” i PDK-së.

Numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi, ka pranuar se zhvillimet e fundit të përgjimit të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë me ata të PDK-së ka ndikuar që ekzekutivi të përshpejtojë dërgimin e Projektligjit për përgjimin e telekomunikimeve në Kuvendin e Kosovës.

I dyti i qeverisë nuk ka dashur shumë që të komentojë skandalin e fundit të përgjimeve, por ka thënë se për këtë nevojitet hetim serioz i EULEX-it së bashku me institucionet e drejtësisë. Sipas tij, me projektligjin e aprovuar nga qeveria do të mbrohet privatësia e secilit, ndonëse ka sqaruar se ky ligj nuk ua kufizon të drejtën për përgjime organeve të ndjekjes, por i sistemon më mirë dhe i rregullon në raport me atë që është nën urdhrin dhe atë që është në privatësinë e secilit.

“Mendoj se në rastin e fundit organet kompetente duhet ta thonë fjalën e tyre dhe jo politika. Natyrisht se këtu duhet të ketë hetime të pavarura, të shihet ku ka shkarje dhe nga ata që kanë përgjuar dhe nga ata që kanë publikuar dhe të tjerët”, ka deklaruar Kuçi. I pyetur nga gazetarët për nivelin e komunikimit të zyrtarëve të lartë politikë, ai sugjeroi që këto gjëra të shikohen pa emocione, pasi që siç pohoi ai, bisedat private mes miqve dallojnë nga ato publike.

“Nuk dua shumë të komentoj për përgjimet e fundit, por ajo çka dua të theksoj është se dallojnë bisedat publike me ato që i bëjmë me miqtë që i ke që 20 vjet. Besoj se secili prej nesh ka momente kur shpreh në telefon emocionet qofshin ato pozitive apo negative”, ka deklaruar numri dy i qeverisë pas mbledhjes së kabinetit ministror.

I pyetur nëse skandali i fundit i përgjimeve të bisedave telefonike ka ndikuar në acarimin e raporteve në mes bashkëpartiakëve të PDK-së, pasi që më i atakuari ka qenë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Kuçi u arsyetua se nuk dëshiron të hyjë në vlerësime personale. Deri më tani pesë biseda telefonike të Adem Grabovci, janë publikuar në kanalin YouTube.

Jakup Krasniqi është sharë dhe fyer në mënyrën më të ulët nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, Grabovci, por edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili Krasniqin gjatë muhabetit e quan “Jakupovski”.

Se cili është morali i protagonistëve të këtyre bisedave telefonike, kryeparlamentari Jakup Krasniqi parapëlqeu të hënën që për këtë të pyetën aktorët.

“Morali ynë është ky që është’, tha shkurt ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkaq, protagonisti kryesor i skandalit të përgjimeve telefonike, Adem Grabovci, i është shmangur përballjes me gazetarët. Me të përfunduar mbledhja e kryesisë, ai ka ikur shpejt e shpejt duke mos dashur që të flasë asnjë fjalë, përkundër insistimit të medieve.

Është raportuar se përgjimet e plasuara në internet kanë të bëjnë me hetimet që po i zhvillon EULEX-i rreth përvetësimit të mbi 2 milionë eurove në Ministrinë e Transportit dhe të Telekomunikacionit ndërmjet viteve 2008-2012.

Ndërkaq, Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që seanca e radhës së Legjislativit të mbahet më 6 dhjetor, derisa Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se subjekti i tij politik kundërshton propozimin e Qeverisë për anëtarët e bordit të Agjencisë Kosovare e Privatizimit, pjesë e së cilës janë edhe eksponentë të PDK-së, sikurse është rasti i emërimit të Blerim Rexhës në krye të këtij bordi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...