Këshilli i Ministrave zhvilloi mbledhjen e sotme në katin e dytë të Muzeut të Vlorës, ku 100 vite më parë u mblodh qeveria e parë shqiptare me në krye Ismail Qemalin. Gjithnjë në kuadër të 100 vjetorit Berisha tha se përparësi do të jetë hartimi i një ligji për shtetësinë shqiptare për çdo shqiptar që aplikon përtej Shqipërisë kudo që të ndodhet.
“Ai që do të marrë shtetësinë shqiptare do ta marrë, ky ligj do të jetë nisma e 100 vjetorit të kësaj qeverie. Dorëzimi me përparësi në parlament i ligjit që përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar që aplikon përtej Shqipërisë kudo që ndodhet”, tha Berisha duke i kërkuar ministrit të brendshëm të hartojë sa më parë ligjin.
Kryeministri Berisha, 100 vite pasi patriotët shqiptarë hodhën të parën ide të bashkimit kombëtar, hodhi sërish këtë tezë, duke e cilësuar si platformë të kabinetit të tij.
“Ndaj dalin një seri detyrash në mënyrë që të bashkohemi me njëri- tjetrin dhe Evropën. Unë jam i bindur se kjo platformë iu jep përgjigjen më të shkëlqyer dhe përfundimtare çështjes shqiptare në Ballkan. Askush nuk mund të mohojë që shqiptarë në padrejtësitë më të mëdha të kohës u copëtuan në 5 shtete. Ata të cilët kishin krijuar shtet dekada para nesh dhe u vërsulën mbi këtë komb me projektet nga më ogurzeza. Mjaftojmë të kujtojmë se Qeveria e Ismail Qemalit dhe vetë themeluesi i pavarësisë, baba i pavarësisë u detyrua të largohej”, deklaroi Berisha duke shtuar se në 100 vite shqiptarët shkruan faqet më të ndritura të historisë së tyre, madje duke normalizuar marrëdhëniet me fqinjët.
Numri 1 i qeverisë shqiptare, duke iu rikthyer historisë, deklaroi se shqiptarët pavarësisht se janë të lirë, ato jetojnë të ndarë në 5 shtete.
“Sot shqiptarët janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete dhe kudo ato ndodhen në tokat dhe trojet e tyre, kudo ato janë të përkushtuar në projektin e integrimit Evropian, si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer. Projekt i cili historikisht ka realizuar për Evropën një mrekulli të vërtetë, së pari në rrafshin moral. Ka qenë dhe mbetet projekti më i shkëlqyer i bashkëpunimit të kombeve të këtij kontinenti”, theksoi Berisha.
“Më lejoni të theksoj se të ndarë disa shtete, shqiptarët nuk munden të konsiderohen ndryshe veten përveçse vëllezër në gjene, kulturë, identitet dhe kjo është dhe kjo është realitet i padiskutueshëm”, shtoi Berisha
Kryeministri Berisha tha se festa e 100-vjetorit të Pavarësisë ishte një ngjarje e paprecedentë në historinë e kombit shqiptar.
Ndërkaq, Aleanca Kuq e Zi e ka pritur me protesta në Vlorë kryeministrin Sali Berisha, i cili vendosi të mbante mbledhjen e radhës së qeverisë në shtëpinë shekullore të pavarësisë.
“Qindra protestues qëndruan të ulur për më shumë se një orë në rrugën kryesore përballë shtëpisë së pavarësisë, ndërkohë që shtetasi Sali Berisha po niste mbledhjen e qeverisë së turpit në godinën ku 100 vjet më parë Ismail Qemali mblodhi për herë të parë kabinetin e qeverisë, që i dha Shqipërisë pavarësinë. Nën thirrjet patriotike dhe ato kundër qeverisë më të korruptuar në historinë 100 vjeçare të Shqipërisë aktivistët e Aleancës Kuq e Zi, të vendosur për të denoncuar turpin e qeverisë se shtetasit Sali Berisha, i cili ndryshe nga Ismail Qemali që firmosi aktin e pavarësisë, firmosi para tre viteve aktin e tradhtisë, duke i shitur shtetit grek 350 kilometra katrorë ujëra territorialë”, thuhet në deklaratën e AK.
“Me gjithë presionin e vazhdueshëm të policisë dhe forcave RENEA për të larguar aktivistët e Aleancës Kuq e Zi, këta të fundit qëndruan të palëkundur kundër aktit më të shëmtuar në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Policia nisi të largonte aktivistët e Aleancës Kuq e Zi duke i tërhequr ata zvarrë nga rruga për t’i hapur rrugën shtetasit dhe tradhtarit Sali Berisha për tu ulur aty ku 100 vjet më parë Ismail Qemali hodhi gurin e themelit të shtetit shqiptar, policia arriti deri në kërcënimin e drejtpërdrejtë të aktivisteve të Aleancës Kuq e Zi dhe për rrjedhojë të rezistencës së kuqezinjve, policia hodhi gaz lotsjellës për të larguar protestuesit e Aleancës Kuq e Zi. Me gjithë metodat e mundshme që Policia e Rendit, RENEA dhe Garda e Republikës larguan në zbatim të urdhrave të servilëve të strukturave të shtetasit Sali Berisha aktivistët e AK. Aktivistet e AK përgjatë gjithë protestës kanë lëshuar thirrje patriotike kundër tradhtarëve në kabinetin e shtetasit Sali Berisha”, vijon deklarata.
Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi kanë vepruar të vetëm gjatë gjithë protestës.