2012-12-11

“Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe”


Studiues të gjuhës e cilësuan fjalorin si të nevojshëm në të gjitha fushat, por sipas tyre shumë fjalë dhe fraza të reja që janë përfshirë në të, duhet të marin më parë miratimin e standartit zyrtar.

“Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe” botohet pas 35 vitesh


Pas 35 vitesh mungesë vjen në fushën e botimeve një “Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe”. Vepra është një ndërmarje private e dy gjuhëtarëve Ali Dhrimo dhe Rami Memushaj. Ai përfshin rreth 75 mijë fjalë, duke bërë pjesë të tij shumë propozime të ndikura në gjuhë vitet e fundit.

"Edhe gjuha jonë të shkruhet nga të gjithë ne mundësisht sa më njësoj. Fjalori nuk është ezaurues që të ketë të gjitha format e një fjale. Atë e bëjnë vepra të tjera. Ne kemi atë fjalë që kemi menduar se kjo duhet përdorur"-thotë Dhrimo.

Studiues të gjuhës e cilësuan fjalorin si të nevojshëm në të gjitha fushat, por sipas tyre shumë fjalë dhe fraza të reja që janë përfshirë në të, duhet të marin më parë miratimin e standartit zyrtar.

"Për mua kjo vepër mund të botohej pasi të ripunohej drejtshkrimi dhe të bëheshin disa ndryshime për ta përmirësuar atë. Për fat të keq, Akademia, edhe pse u bë konferencë konsulta e Durrësit, vazhdon të heshtë"-thotë gjuhëtari Mehmet Çeliku.

"Normalisht duhen miratuar më parë me konsensus ndryshimet në rregullat e drejtshkrimit. Pastaj ato mund të pasqyrohen në veprat normative"-thotë gjuhëtari, Seit Mancaku.

Sipas specialistëve në Gjuhën Shqipe hyjnë 1 e gjysëm deri 2 fjalë të reja në ditë. Fjalori i fundit i drejtshkrimit të shqipes është botuar në vitin 1976.

Poeti bullgar Ljubomir Levçev fitues i Kurorës së Artë


Ljubomir Levçev, është autor i 50 librave poetikë në gjuhën bullgare, të botuara prej vitit 1957 deri në vitin 2007 në Bullgari dhe i 70 librave të veçantë në 34 vende të botës. Levçev është bartës i 17 çmimeve nacionale dhe ndërkombëtare në të gjitha kontinentet.




Poeti bullgar Ljubomir Levçev fitues i Kurorës së Artë për vitin 2010


Poeti bullgar, Ljubomir Levçev është fitues i Kurorës së Artë i Mbrëmjeve të sivjetshme, të 49-tat me radhë, të pozisë, unanimisht vendosi Këshilli drejtues i Festivalit.

"Levçev është pa dyshim njëri nga poetët më të mëdhenj, të gjallë, bullgar, i cili në opusin e tij të papërsëritur lirik, të krijuar në shekullin 20 dhe 21, e mban të freskët dhe tërheqës, në mënyrë estetike dhe tematike magjinë poetike befasuese dhe civilizuese të mençur që çdoherë e mbështet besimin e njeriut në dorën e zgjatur, në porosinë e lartësuar letrare dhe në unitetin krijues të gjuhëve nga pasuria e të cilave bota është çdoherë më e fuqishme në misionin e vet të afrimit të popujve dhe kulturave", theksohet në vendimin e KD të MSP.

Afirmimi poetik ndërkombëtar i 75-vjeçarit Levçev fillon pikërisht në Maqedoni. Poezia e tij "Të burgosurit dëgjojnë muzikë" me përktjim të Gane Todorovskit dhe botuar në gazetën e atëhershme letrare me ndikim "Vështrime". Është autor i 50 librave poetikë në gjuhën bullgare, të botuara prej vitit 1957 deri në vitin 2007 në Bullgari dhe i 70 librave të veçantë në 34 vende të botës. Levçev është bartës i 17 çmimeve nacionale dhe ndërkombëtare në të gjitha kontinentet.

19, 20 dhe 21 dhjetor 2012, festivali i RTSH-së


Pirro Çako, drejtori artistik i festivalit të këngës në RTSH, zbulon sekretet e para. Këngëtarët do t'i këndojnë këngët e tyre natën e parë live, ndërsa natën e dytë, këngët do të performohen nga artistë të tjerë të njohur në vendin tonë. Më pas, natën e tretë, të 20 këngët do të interpretohen nga artistët konkurrues.


19,  20 dhe 21 dhjetor, festivali i RTSH-së

Edhe pak ditë na ndajnë nga startimi i Festivalit të këngës në RTSH, i cili do të mbahet në datat 19, 20 dhe 21 dhjetor. Këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, ai vjen me prezantimin e Elsa Lilës dhe aktorëve Julian Deda e Gentian Zenelaj, ndërsa drejtor i Festivalit të Këngës është sërish Pali Kuke.

Sipas drejtuesve të festivalit, edhe formula e festivalit është ndryshe nga vitet e mëparshme. Do jenë gjithsej 20 këngë, të cilat nuk kanë më eliminim dhe që të gjitha shkojnë në natën finale. Këngët konkurruese të këtij vitit do të këndohen në tre netët e festivalit. Këngëtarët do t'i këndojnë këngët e tyre natën e parë live, ndërsa natën e dytë, këngët do të performohen nga artistë të tjerë të njohur në vendin tonë.

Më pas, natën e tretë, të 20 këngët do të interpretohen nga artistët konkurrues, natë në të cilën juria e përbërë nga shtatë anëtarë, do të votojë hapur për fituesin e edicionit të 47-të të Festivalit të Këngës, fitues i cili prezanton Shqipërinë në Eurosong 2009. Drejtuesit presin të shohin rezultatet e kësaj formule të re, që përpiqet të nxjerrë në pah pjesët më interesante të prurjeve duke mos u shpërqendruar në gjëra të cilat do të hiqeshin nga një juri natën e dytë dhe të përzgjidheshin 15 këngët për natën finale. "Natën e parë, 20 këngët e përzgjedhura si më të mirat që kanë ardhur këtë vit do të këndohen live.

Nata e dytë do të ketë duete dhe kjo performancë pritet të jetë akoma më e bukur se nata e parë. Natën e tretë këndohet sërish "live" dhe është nata e çmimeve, natë solemne që hyn në histori si nata finale e festivalit të 47-të dhe mendoj se 20 këngëtarët që janë aty janë me fat se janë pjesë e kësaj historie", - u shpreh Pirro Çako, drejtori artistik i këtij festivali. Sipas tij, këngët janë përzgjedhur në mënyrën klasike.

"Është e vështirë dhe mendoj se kam pasur pjesën më të vështirë duke qenë drejtori artistik, por edhe kompozitor e kantautor. Çdo këngë që nuk është futur është lidhur direkt me mua, sepse është normale, çdo krijim është i shenjtë dhe unë i respektoj gjithë kolegët e mi për mënyrën e komunikimit prej xhentëlmenësh që patën në përgjithësi pas përzgjedhjes së 20 këngëve", - tha Çako, i interesuar më shumë tek prurjet e reja, gjenerata e re e festivalit, duke qenë se ka qenë një nga ata të rinjtë që papritur u shfaq si fitues i festivalit.

Ai ka deklaruar se alternimi i komponentëve që kanë kontribuar dhe vendosur këtë festival prej vitesh do të ishte shumë interesant, po është përpjekur që të ketë një target me emra, me të rinj që po lakohen shumë, si këngëtarë, krijues, orkestrues të rinj, si kompozitorë.

Disa nga emrat më të njohur pjesëmarrës janë Rovena Dilo, Luiz Ejlli, i cili është shpallur fitues në vitin 2006, Grupi "West Side Family", Endri dhe Stefi, Soni Malaj, Kujtim Prodani, Besa Kokëdhima, Agim Poshka, Shpat Kasapi, Adelina Thaçi, etj, ndërkohë që të gjitha thashethemet për konkurrimin e mundshëm të këngëtares Anjeza Shahini, rezultojnë të pavenda.

Dibran Demaku: Ishte kohë e luftës


Dibran Demaku: Ishte kohë e luftës


-„Si pate zemër të më vrisje?!Si nuk t`u tha ai gishti tregues dhe të mos e ngrihje këmbën e pushkës?!“-po i fliste ajo dhe nga plaga po i rridhte gjak.Gjaku nuk kishte ngjyrë normale të kuqe,por të zezë.




Dibran Demaku

Tregim

-„Si pate zemër të më vrisje?!Si nuk t`u tha ai gishti tregues dhe të mos e ngrihje këmbën e pushkës?!“-po i fliste ajo dhe nga plaga po i rridhte gjak.Gjaku nuk kishte ngjyrë normale të kuqe,por të zezë.

-„Jo,e dashur,unë nuk të kam vrarë! Në pushkën time nuk ka pasur plumb!Të ka vrarë pushka e dikujt tjetër,jo e imja!“

-„Dhe ke zemër t`i thuash këto fjalë! Thua se pushka jote nuk kishte plumb brenda! E plumbi i cilës pushkë më goditi mua atëherë?!”.

-“Nuk e di nga cila grykë pushke doli plumbi që të goditi për vdekje,por nga gryka e pushkës sime jo! Jo,jo dhe kurrë jo!”.

-“E pse je aq i sigurtë se plumbi vrasës nuk doli nga gryka e pushkës sate?!“.

-„Sepse kështu më tha ai që i kishte mbushë pushkët.Ai ma tha edhe këtë: Nga të gjithë ato pushkë vetëm njëra ishte e mbushur me një plumb! Dhe plumbi vrasës nuk ishte në grykën e pushkës sime!“.

-„ O ç`gënjeshtër që të kanë thënë! Dhe ti e ke besuar?!“

-„ E pse të mos e besoja?! Fundja unë nuk isha asgjë tjetër vetëm një ushtar i thjeshtë.Dhe ushtari i thjeshtë duhet të ju bindet urdhërave!“.

-„ Edhe kur urdhërat e dhënë vrasin një të pafajshme siç isha unë?! Edhe atyre udhërave duheshe të ju bindeshe?!“.

-„Urdhërave të eprorëve nuk guxonte askush të iu bishtëronte! As unë!“.

-„Po, ti dikur më thoje se më doje! Ti dikur më thoje se ishe gati që të jipje edhe kokën tënde për mua!”.

-“Kjo është e vërtetë!Të kam dashur si asnjë tjetër në botë!”.

-“ Si të besoj tash në këto fjalë?! Ti po të më doje do të më mbroje.Ose së pak nuk do të mirrshe pjesë në pushkatimin tim?!”

-“O,mos të lutem, mos i thuaj ato fjalë të rënda!Të rënda plumb! Unë të kam dashur mbi gjithçka në botë!”

-“Atëherë, pse nuk më mbrojte mua dhe dashurinë tonë?!”

-“E si do të mund të të mbroja,kur unë isha vetëm një ushtar i thjeshtë?! Një ushtar që duhej t`u bindej urdhërave?!”.

-“Ti duhej të protestoje!Duhej t`u tregoje që të gjithëve se unë isha e pafajshme!”

-Po,unë disa here protestova,por nuk ma vunë veshin fare!Bile njëri nga ata filloi edhe të dyshonte në mua!Dhe e di seç më tha kur ishim vetëm unë dhe ai: Mos protesto në këtë mënyrë,përndryshe edhe ti do të shkosh me të!Duhet ta dish se në luftë shkrepja e një plumbi më tepër nuk do të thotë asgjë!”

-“ Ai që të ka kërcënuar,të ka shantazhuar! Dhe a e di përse? Që ta fusë frikën në palcë dhe ti të heshtësh!“

-„Mbase kjo që thua ti është krejt e vërtetë,por unë nuk kisha rrugëdalje tjetër! Andaj nëse të kam lënduar sado pak,të lutem më fal!“

-„Ti jo vetëm që më ke lënduar,por më ke vrarë!Më ke marrë jetën! E tash kërkon falje!“

-„Krejt kjo ka ndodhur në kundërshtim me dëshirën time.Por të thash se nuk kisha zgjidhje tjetër.Përveq…nëse do të zgjidhja vdekjen! Atëherë ato do të më vrisnin ashtu kot.Fundja lufta gjithmonë merr me vete edhe të pafajshëm!“

-Mbase edhe do të të vrisnin,por do të shkoje në botën tjetër me ndërgjegje të pastër!Kështu jeton me ndërgjegje të vrarë! Dhe me krimin mbi supe!“

-„ Unë nuk kam bërë asnjë krim.Mos më akuzo të lutem!“

-„ Si nuk paske bërë asnjë krim?! Po vrasja ime nuk të duket krim?!“

-„Unë nuk të kam vrarë!Plumbi vrasës nuk ka dalë nga gryka e pushkës sime!“

-„Je i sigurtë për atë çfarë thua?!“

-„ I sigurtë nuk jam,por thellë në ndërgjegjën time dëshiroj që të jetë kështu.Nuk dua që të jem vrasës i dashurisë sime!“-dhe u shkreh në vaj.

-„Vaji yt është shumë i vonë dhe nuk sjell asgjë.Prandaj bëju burrë dhe mos qaj!Burrit nuk i kanë hije lotët!“

-„E si mos të qaj kur unë të kam humbur përgjithmonë e përveq kësaj ti më akuzon edhe si vrasës?!“

-„Të thash mos qaj sepse burrit nuk i kanë hije lotët!E sa i përket asaj se unë të quaj vrasës,kjo është e vërtetë!Ti ishe pjesë e skuadrës së pushkatimit. Edhe ti e drejtove pushkën drejt meje! Ndërkaq versioni yt se pushka jote nuk ka pasur plumb në grykë,tash është krejt i parëndësishëm! Unë siç e sheh tashmë jam e vrarë!Pak rëndësi ka në më ka kapur plumbi i pushkës tënde apo i pushkës së ndonjë tjetri!“

-„Ndërkaq për mua ka shumë rëndësi!Ka shumë rëndësi,sepse këtej e tutje nuk dëshiroj që të jetoj si vrasës!Si vrasës i dashurisë sime!-dhe lotët i rridhnin si shiu.

-„ Të thash edhe më parë që t`i fshish lotët! Sepse sikur me ata lot ta mbushësh edhe një det të tërë,unë nuk ngjallem dot!”

-“Po mua nuk më ka mbetur tjetër,përveq lotëve! Ty të kam humbur përgjithmonë dhe në ndërgjegje më rëndon një krim.Krimi i vrasësit!”

-“E bëmë tërë këtë bisedë të pazakonshme,sepse i vdekuri nuk flet asnjëherë! Dhe nuk më tregove se nuk më tregove se si e ngriti akuzën kundër meje ai pushti!“

-“Paj as unë nuk di më shumë nga ti.Është ajo akuza që t`u lexua para pushkatimit!...Njëherë më kishte thënë se i kishte ardhur një letër denoncuese ndaj teje!”

-“ E lexove ti atë letër?”

-"Jo vetëm që nuk e lexova,por nuk arrita që as ta vërtetoj se ajo letër kishte ardhur ose jo!”

-“E pse nuk më tregove për atë letër në të gjallë timin?!”

-“Si të të tregoja kur ai më kishte kërcënuar me jetë ,nëse dilte vetëm një fjalë nga goja ime?!”

-“Të tha ai ty, se çfarë përmbajtje kishe ajo letër denoncuese ndaj meje?!”

-“Të thash se atë letër nuk e kam parë kurrë.Vetëm diçka kam dëgjuar nga përmbajtja e saj.Sikur…ti ishe bashkëpunëtore e armikut.Sikur armiku të kishte futur në radhët tona,që ti pastaj të spiunoje për interesa të armikut! Dhe për këtë arsye ti duhej të dënoheshe!”

-“Ti vetë i besove këto fjalë?!”

-“Nuk e di as unë se ç`të them.Në fillim u shtanga.Dhe u trondita.Të them të drejtën një tezë e tillë sikur nuk më besohej! E në anën tjetër ishte ai eprori! Eprori ynë!Fjala e tij! E fjala e tij për ne ishte ligj! Ishte gjithçka!“

-„Domethënë,megjithate ti i besove fjalët e eprorit tend?!”

-“Nuk thash se i besova!Thash se u habita.Thash se kur i degjova ato fjelë u shtanga!Por,në anën tjetër edhe fjalët e eprorit nuk mund t`i hidhja poshtë.Nuk guxoja!”

-“Po ti pak më pare deklarove se protestove ndaj vendimit të tij për pushkatimin tim.Si protestove?!”

-“Në të vërtetë unë protestova kur më thanë se do të isha pjesë e skuadrës së pushkatimit!Protestova,por kot.Vendim i marrë nuk ndryshohej!”

-“Po a të shkoi ndonjëherë në mendje se e tëra kjo mund të ishte ndonje intrigë?!...Ndonjë intrigë e thurur nga dikush dhe për tekat e tij?!”

-“Nuk di se çfarë të të them! Edhe ti e di se ishte kohë e luftës dhe lufta sjell me vete shumë të këqija!“

-„Është e vërtetë se lufta me vete sjell shumë të këqija.Por,luftën e bëjnë njerëzit.E në mesin e tyre ka edhe të mirë e edhe të këqinj.Në luftë shkojnë edhe ata që luftojnë për liri,por shkojnë edhe ata që dëshirojnë t`i plotësojnë teket e tyre të sëmura!E të tillët nuk i duhen as luftës e as vetë dreqit! Ai eprori yt(dhe imi) kishte teket e tij!Më shumë se për lirinë ai mendonte se si t`i plotësonte teket e veta!Apo dëshirat e tij të sëmura!Dhe ato dëshira të sëmura të tij,mua më vranë!“

-„Fol më qartë po deshe,sepse tash nuk po të kuptoj asgjë!“

-„Unë qartë po flas,por ti siç duket nuk je duke më dëgjuar! Apo je duke ëndërruar?...Atij,eprorit siç duket i kisha pëlqyer!Apo thjeshtë dëshironte që epshet e tij t`i shfrante në mua!Këto m`i tha në një pasdite në selinë e tij,ku më kishte ftuar kinse të bisedonim për luftën!“

-„Dhe pastaj?“

-„Pastaj dihet.Unë nuk pranova!Ai më kërcënoi!Dhe krejt në fund më këshilloi duke më kërcënuar që për çfarë kishim biseduar mos t`i thosha askujt,përndryshe?!“

-„Dhe e la me kaq,apo?!“

-„Jo, ai vazhdoi tutje!Ai më ftoi edhe shumë herë të tjera në selinë e tij!Dhe çdo herë e njëjta gjë.Në fillim me lutje e premtime dhe krejt në fund me kërcënime! Njëherë në bisedë e sipër i thash:-Unë kam ardhur këtu të luftoj kundër armikut e jo të bëj dashuri,ndërkaq ai ma ktheu:-Edhe në luftë bëhem dashuritë! Bile në luftë ato janë më të zjarrta sepse bëhen nën zjarrin e luftës! –Mund të jetë ashtu siç thua ti!-ia ktheva unë,por… por unë nuk jam e interesuar për dashuri në këtë rast! Ndërkaq ai krejt i zverdhur në fytyrë nga inati që po e rrefuzoja,apo për diçka krejt tjetër ma ktheu:-Nëse nuk e pranon dashirinë time do ta marrësh veten në qafë!“

-„?!“

-„Pastaj edhe ti vetë e di se si u rrokullisën gjërat!Erdhi dita e pushkatimit tim,dhe ti më vrave!“

-„Jo,jo,jo!... Plumbi vrasës nuk ka dalë nga gryka e pushkës simeeeeeeeee!“…

…i doli gjumi.E kuptoi se kishte ëndërruar.Ishte i tëri i larë në djersë.-„O zot ç`ëndërr e tmerrshme?“-ia bëri vetes dhe vazhdoi mendimin:-Pse kjo ëndërr kaq e tmerrshme dhe pas kaq vitesh?! Ç farë do të thotë kjo ëndërr?! A mos vallë ëndrra tregon një të vërtetë?! Një të vërtetë të hidhur?! Një të vërtetë që kishte ndodhur?!...

Shqetësimi që e kishte kapluar në ëndërr po e shtrëngonte edhe pas zgjimit!Ai shqetësim po e mbante nën tension.

U vesh shpejt e shpejt.Donte që sa më pare të dilte nga ajo dhomë e mbushur tërë tension!

Era e lehtë mengjesore sikur e qetësoi paksa.Filloi të mendonte arsyeshëm:-“Në jetën e njeriut ndodhin edhe gjëra të mistershme që mendja e njeriut nuk mund t`i zbërthejë asnjëherë! Edhe ëndrra sikur tregonte për një ngjarje që nuk do të zbërthehej asnjëherë! Ishte kohë e luftës! E në luftë ndodh gjithçka!”-po e qetësonte vetën.

Kadare: Biseda me Dritëroin në Romë kundër regjimit në ‘67 pas kthimit nga Kina


Viti 1967 ishte ai i afrimit të madh me Kinën. Atje revolucioni kulturor po triumfonte. Në Shqipëri, ndikimi i tij, përveç jetës shoqërore, ndihej nëpër ca koncerte dhe shfaqje të baletit.

Një udhëtim 5-javor mes vëllezërve kinezë e vietnamezë.

Helena Kadare: Udhëtimi i tmerrshëm në Kinë e Vietnam

Ishte viti 1967. Pas divorcit me Bashkimin Sovjetik, nisi një valë dashurie me Kinën e madhe. Ndikimet e Revolucionit Kulturor kinez nisën të ndihen edhe në Shqipëri, në kulturë, në arsim, në gjimnastikën e mëngjesit… Në librin e saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”, Helena Kadare na kthen pas në kohë. Të gjithë këtë e tregon përmes udhëtimit grotesk të Ismailit në Kinë dhe Vietnam, bashkë me artistë e shkrimtarë shqiptarë. Ishin plot 200 veta, që përveç dalldisjeve kineze, kishin përjetuar dhe tmerrin e luftës në Vietnam, nga ku edhe mund të mos ishin kthyer më. Në rrugën e kthimit, një kafe në Romë. Kësaj here është një pjesë kujtimesh e shkruar nga vetë Ismail Kadare. Gjatë transitit në Romë pati rastin të pinte një kafe në të gdhirë me shkrimtarin Dritëro Agolli. Të bënin qyfyre me problemet që shkaktonte mosdija e italishtes, por dhe nga udhëtimi i famshëm në Kinë. al.mi
Kadare: Biseda me Dritëroin në Romë kundër regjimit në ‘67 pas kthimit nga Kina
Viti 1967 ishte ai i afrimit të madh me Kinën. Atje revolucioni kulturor po triumfonte. Në Shqipëri, ndikimi i tij, përveç jetës shoqërore, ndihej nëpër ca koncerte dhe shfaqje të baletit.
Qysh në verë kishin filluar të bëheshin gati grupet artistike dhe delegacionet e shumta që do të shkonin në Pekin, me rastin e festës kombëtare të Kinës. Në delegacionin e Lidhjes së Shkrimtarëve u caktua edhe Is. Çdo udhëtim jashtë shtetit ishte një ëndërr e një gëzim për këdo, por për ne ishte i dyfishtë. Is po çlirohej më në fund nga dyshimi se mos e kishin vënë re zhdukjen e tij në Pragë, pesë vjet më parë, kur deshi të mos kthehej më. Udhëtimi në Kinë, pavarësisht se

Në Vietnam gjatë luftës, në një bateri kundërajrore

bëhej në një vend mik e kaluar mikut, kërkonte të ishte i larë nga çdo dyshim. Ndërrimi i avionëve nëpër “vende armike”, si Italia ose Pakistani, ishte një arsye më shumë për vigjilencë shtetërore.
Delegacioni do të kryesohej nga shkrimtari ushtarak resul Bedo. Pas qëndrimit trejavor në Kinë, Is do të shkonte dy javë në Vietnam, ku ndërkaq lufta ishte në kulmin e saj. Po ai ishte i gëzuar edhe për këtë.

Një avion i madh pakistanez, që vinte nga Londra, u ul për herë të parë atë pasdite fundshtatori në Aeroportin e Rinasit. Do të udhëtonin me të rreth 200 shqiptarë. Shkrimtarët e artistët ishin shpërndarë më disa delegacione. Kishte edhe një trupë baleti. Të veshura si për festë, shkuam bashkë me Gresën ta përcillnim në aeroport. Udhëtimet jashtë shtetit ishin një ngjarje kaq e veçantë, sa në kësi rastesh, për të pritur a përcjellë dikë, vinte gjithë familja dhe shokët në aeroport. Madje, edhe pirja e kafesë në barin e vogël të aeroportit kishte shijen e një luksi të veçantë. Mbaj mend se, ndërsa me kryet lart e Gresën për dore po ndiqnim ngritjen e avionit gjigant në qiell, kur ai kishte arritur në lartësitë e mëdha dhe dukej tani si një shpend i vogël, Gresa e tmerruar u kthye nga unë për të më pyetur e çmeritur: “Po tani ku rri babi?!”.
Nga gazetat mora vesh se delegacioni dhe trupa e baletit kishin mbërritur shëndoshë e mirë në Pekin. Gjatë pesë javëve që vazhdoi udhëtimi, Is nuk pati mundësi të telefononte asnjëherë. Ministria e Jashtme gjithashtu nuk jepte lajme. Kishin shkuar delegacione të tjera, njëri prej të cilëve kryesohej nga kryeministri, kështu që gjithë vëmendja ishte përqendruar tek ata.
Të gjithë ata që e dinin se pas Kinës, Is do të shkonte në Vietnam, thoshin gjithë shqetësim:

-Ku qëlloi të bëjë këtë rrugë pikërisht tani. Në Vietnam po bëhet hataja.

Kishte dy ditë që bombardimet amerikane kishin rifilluar më fort se kurrë. E llogarita kohën dhe i binte që Is të kishte mbërritur atje, pikërisht ato ditë kur lufta po shkallëzohej më keq. Isha gjithë ankth. I ndiqja lajmet çdo mbrëmje, por ato sa vinin e bëheshin më shqetësuese. Midis të vrarëve nga bombat kishte anëtarë delegacionesh të huaja. Shpresa se të huajt kishin një farë mbrojtjeje, kishte qenë e kotë.

Në murin e madh kinez, 1967

Pas kthimit, Is më tregoi se gjendja kishte qenë më e keqe se ç’e kishim menduar që këtej. Ato që tregonte ishin herë-herë aq të pabesueshme, saqë e pyesja haptas: e ke përfytyruar këtë që po thua, apo ka ndodhur vërtet? Kështu, për shembull, ishte rasti i darkave apo i drekave me kolegët shkrimtarë vietnamezë. Sipas Is, poshtë tryezës së drekës ishte strehimi në formë hendeku të gërryer, kështu që me të rënë alarmi, nga ndenjëset, ashtu siç ishin, me pirunë e thika ndër duar, rrëshqisnin pëlltumb e në hendek. Is shtonte se kishte qenë edhe më keq se kaq, duke kaluar lumin Mekong mbi një trap të madh, për të shkuar në aeroport, bombardimi i zuri mu midis lumit. Shkrimtari Hasan Petrela, që ishte korrespondent gazete në Pekin dhe që po udhëtonte bashkë me Is, i tha në ato çaste:
-Mbaroi, s’kemi për t’u kthyer dot.

H. Petrela kishte qenë partizan në luftë, por qëndrimi në Kinë e kishte bërë fatalist.

Ditë pas dite, Is tregonte mbresa të reja nga ai udhëtim. Një pjesë të tyre i shfrytëzoi më pas, kur shkroi romanin “Koncert në fund të dimrit”. Më kanë mbetur ende në mendje kuriozitete nga takimi me shkrimtarët e Shangait, ikja e gjarpërinjve nga kopshti zoologjik, ngaqë punonjësit ishin të hutuar pas mbledhjeve revolucionare, një fotografi bërë me Mao Ce Dunin, për të cilin skulptori Muntaz Dhrami, që kishte qenë fare pranë tij gjatë seancës së fotos, kishte thënë se i vinte erë dylli e plot çudira të tjera…

Kur Is botoi “Koncert në fund të dimrit”, u akuzua si antikinez. Por ai, siç e thoshte vetë, ishte mësuar me parashtesën “anti”. Për shkak të “Gjeneralit” e kishin quajtur antiitalian. Për shkak të disa romaneve të tjera, antiturk. Për shkak të “Dimrit të vetmisë së madhe”, antirus. Antijugosllav merrej me mend, për shkak të Kosovës. Por më së shumti, siç e tregonte vetë, ishte quajtur antishqiptar.

Kopertina e librit të Helena Kadaresë

Me kalimin e viteve, ata “anti”-t e tij filluan ta botonin njëri pas tjetrit. Të parët rusët, pas rënies së komunizmit, pastaj kinezët, madje stafi që merrej me përkthimin e “Koncertit”, i kërkoi një parathënie për lexuesin kinez, kërkesë që, për habinë time të madhe, i shkaktoi Is ndjenjën që e kishte aq të rrallë: mallëngjimin (Kur ia tregova këtë gjë me një email Kakusë, motrës së tij, ajo m’u përgjigj: më fal, por e kam vështirë të të besoj.)
Pas kthimit nga Kina, Is më tha se zyrtarisht atje i kishin pritur aq ftohtë, saqë ditën e tretë kryetari i delegacionit, R. Bedo, veshi uniformën ushtarake të oficerit për të rritur pak autoritetin e delegacionit!

Në Vietnam kishte qenë një tmerr i vërtetë. Udhëtonin vetëm natën. Flinin në vende ku s’duhej të hapnin dyert e dritaret, për shkak të gjarpërinjve. Ngado kishte veç gërmadha. Hasan Petrela, që njihej prej kohësh me Is, parathoshte gjëra të frikshme. Një ditë i kishte thënë:

-Në shpëtofshim nga bombat, do të na vrasin vetë vietnamezët natën.
-Pse?! E kishte pyetur Is.

-Si pse? Ata kanë 20 vjet që po grihen e po vriten dhe kryetari ynë në çdo takim u thotë: vazhdoni të luftoni, shokë! Mos bëni asnjë kompromis (Në këtë rast kryetari ishte Tonin Jakova, burrë shumë i qetë, sipas Is, i qetë ngaqë s’dëgjonte mirë nga veshët dhe s’i ndiente bombardimet, sipas Hasanit).

Hasani ishte i bindur se vietnamezët i urrenin.

Me t’u kthyer nga Vietnami, Is e botoi romanin e porsambaruar. Në fillim në revistën “Nëntori”, me titullin “Lëkura e daulles”, kurse disa muaj më pas në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, të titulluar “Dasma”.

Rrugës së kthimit nga Kina, dy shkrimtarët ndalojnë në Romë
Kafja në Romë me Dritëroin dhe bisedat kundër regjimit
Kujtime të Ismailit

Një kafe në Romë me Dritëroin…

…Nëntor i ftohtë, me shi dhe mjegull, mesnatë, vit i zymtë 1967. Kthehem nga Kina dhe Vietnami pas një qëndrimi pesëjavësh atje. Në aeroport takoj një delegacion gazetarësh, midis të cilëve Dritëro Agollin. Ngaqë s’ka linjë për Tiranë, zbresim në Romë. Të humbur, të trullosur nga gongu kinez dhe gjëmat që kemi dëgjuar atje, dy vetura të ambasadës na çojnë në një hotel të vogël me emrin “Helio” në mos gaboj. Nata, nuk e di pse, është si ankth. Pa gdhirë mirë, aty nga ora pesë, nuk di pse, dal në korridor. Përballë meje mezi dalloj një si figurë të turbullt, groteske, që më ngjan si dyzimi im. Kur i afrohem, e shoh që është Dritëro Agolli. S’më zë gjumi, thotë. Mua më keq, i them. Flokët i kemi të kërleshur të dy dhe sytë bërë si të vëngër. S’di se cili propozon të dalim në rrugë.

Jashtë është ende errësirë. Shiu imton si më parë dhe rruga është xhan-xhin. Vetëm diku larg duket diçka e ndriçuar. Kur afrohemi shohim se është një bar i vogël. Brenda ka njerëz. E shtyjmë me ndrojtje derën prej qelqi.

Buongiorno signori! Zëri i banakierit është kaq i fortë, sa na del gjumi plotësisht. Vjen erë e mirë kafeje. Në njërën nga tryezat, një klient, ndërsa gjerb kafenë, vazhdon të flasë me zë kumbues me banakierin. Një tjetër, bashkë me një karabinier, pinë diçka tek banaku. Karabinieri ka me vete një qen të madh, leshator.
Banakieri na thotë diçka, por ne s’kuptojmë asgjë. Ai ngul këmbë dhe Dritëroi i kthen një farë përgjigjeje. Sytë e të gjithëve kthehen gjithë habi.

Dreq o punë, thotë Dritëroi. Në vend që t’i them se po vijmë nga Kina, më duket se i thashë që jemi kinezë.
S’kam kohë t’i them se me ata sy gjysmë të mbyllur ngjajmë me siguri ashtu, sepse italianët aty për aty ia plasin të qeshurës.
Qeshim dhe ne.

Më duket se na morën për të lojtur, thotë Dritëroi. Unë mendoj të njëjtën gjë, por kjo s’më duket ndonjë hata.
Më në fund, porositëm nga një kafe.

S’besoj të më ketë shijuar ndonjëherë më shumë një kafe.
Dritëroi mendon të njëjtën gjë. Pas një muaji shkretëtirë prej revolucionit kulturor, një kafe e vërtetë, në një bar të vogël të Romës ndaj të gdhirë, pranë dy klientëve të panjohur dhe një karabinieri që mban zinxhirin e një qeni, na duket si kulmi i njerzillëkut të jetës.

Është koha kur ende flasim haptas, kështu që, pasi i themi njëri-tjetrit disa qyfyre nga udhëtimi, shfryjmë kundër shtetit shqiptar, që ka bërë aleancë me atë mynxyrë që sapo lamë pas. E kisha vënë re gjatë udhëtimit, por do ta ndieja edhe më fort në udhëtimet e mëvonshme se, kur vjen nga jashtë shtetit, sa më shumë i afrohesh Shqipërisë, aq më fort të kap nervozizmi kundër saj. Bashkë me ankthin, natyrisht.

Ç’gjuhë flisni?,- na pyeti kamerieri. Shatra-patra i themi, se jemi shqiptarë që po kthehemi nga Kina.
Ah, shqiptarë! Thonë, ata. Ah nga Kina!
S’dimë aq italisht për t’iu thënë se ç’ka këtu për t’u habitur kaq shumë.

Tani nuk qeshim më, veç na duket se po na shohin me dyshim.
Më në fund, paguajmë dhe dalim. Jashtë po gdhin, por shiu ende s’ka pushuar. Ecim pa folur dhe pa e çarë kryet se po lagemi si dy qyqarë.
S’kishim parë ende asgjë nga Roma, s’kishim pasur rast të bëjmë asnjë krahasim me pluhurnajën e trishtë të Shqipërisë, por kishte mjaftuar një bar i vogël nate, në një rruginë të humbur, dhe një kafe e pirë njerëzisht, ashtu si qindra vite rresht në kafenetë e hapura që pa gdhirë, për të na zgjuar një nostalgji të padurueshme.

***
Ndërkaq, viti 1968 do të fillonte me një ngjarje jo të zakonshme: fillimi i festimeve të pesëqindvjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Më 17 janar, në sheshin qendror të Tiranës, që qysh nga fillimi i shekullit mbante emrin e heroit, u vendos shtatorja e tij, vepër e skulptorit të madh Odhise Paskali. E veçanta ishte që gjer një ditë përpara, te vendi ku u vendos Skënderbeu ishte një shtatore e Stalinit. Gjatë natës e kishin zhvendosur Stalinin njëqind metra më tej, gjithmonë në bulevardin e madh “Dëshmorët e kombit”, përbri parkut “Rinia” dhe përballë shtatores së Leninit.

Ishte hera e parë në Shqipëri që bëhej një prekje e Stalinit. Por ajo ishte fare e druajtur, me pikatore, sado lëshim që gjoja bëhej. Megjithatë, të etur siç ishin për të gjuajtur në horizont ndonjë shenjë shprese, njerëzit kishin dëshirë të besonin. Kjo u nxit dhe nga radiot e huaja, që e vunë në dukje kundërthënien: ndërsa në Kinë kujtimi i mbretërve e i perandorëve po rrokullisej nga Revolucioni Kulturor, Shqipëria staliniste po vendoste mu në sheshin e saj qendror një princ të Mesjetës, të lavdëruar nga papët e Romës. Edhe zhvendosja e Stalinit nuk i kishte shpëtuar syrit të të huajve. Kjo tregonte se kur ata donin t’i shihnin gjërat, i shihnin.

Në të vërtetë, pesëqindvjetori i Skënderbeut iu ngatërrua nëpër këmbë regjimit. Çdo gjë bëhej me gjysmë zemër. Nëpër mbledhje nuk mungonte thënia se në vlerësimin e figurave historike nuk duhej harruar roli i masave. Në artikujt që dilnin në shtyp, theksohej jo miqësia e Skënderbeut me Perëndimin, por, përkundrazi, acarimi i tij me Venedikun. Kishte dhe shkrime ku kritikohej historiografia e vjetër, që i paskësh tepruar ca si shumë lidhjet e Skënderbeut me papën e Romës. Tani që në Shqipëri kishin filluar të mbylleshin kishat e manastiret, kjo dukej e logjikshme. Por edhe pak duhej që Gjergj Kastriot Skënderbeu, nga mbrojtës i krishterimit, siç e kishim mësuar në shkollë, të kthehej në kundërshtar të tij.
Is, që e ndiqte me vëmendje atë që ndodhte, më tha një ditë se thënia e Shopenhauerit “Gëzimi nuk është veçse pushimi i dhimbjes”, më mirë se kudo mund të kuptohej në botën tonë.

Kur Marilyn Monroe pozonte për 10 dollarë në orë


image

Marilyn Monroe është vlerësuar si një nga femrat më seksi të shekullit të kaluar.
Por këto foto janë realizuar kur bukuroshja e lindur si brune natyrale, pozonte për agjencinë Blue Book Modeling Agency për dhjetë dollarë në orë.
Shumë vite pas vdekjes, ylli hollivudian Merlin Monro vazhdon të kushtojë miliona dollarë. Një ankand i rrallë është hapur në Buonos Ajres, në qendër të të cilit është filmi porno me metrazh të shkurtër i aktores. Oferta super të majme kanë ardhur nga SHBA, Norvegjia e Japonia, duke u ndalur në 280, 260 dhe 250 milion dollarë.


Filmi bardhë e zi, me format 8 mm, i gjatë vetëm 6 minuta mendohet se është xhiruar në vitet 1946 – 1947 në kohën kur aktorja, atëherë minorene, kërkonte të futej në botën e kinemasë.
Megjithatë, filmi ka shkaktuar shumë polemika mes producentëve dhe kritikëve të artit.
Disa mohojnë se aktorja në filmin porno është Monro, ndërsa të tjetrë bazuar edhe në ekspertizën e FBI pohojnë se biondja – erotike është e bukura Monro.


Në skenën e filmit “My Week with Marilyn”, grupi ka rikrijuar një periudhë kohore të mëparshme, duke rrëfyer një histori të shkurtër dashurie në mes të Merilin Monrosë dhe një ndihmës producenti.









Filmi i ri “My Week with Marilyn” tregon historinë e një jave në jetën e yllit legjendar të filmit Marilin Monro, e cila në vitet 1950 ishte në Britani për të realizuar një film me aktorin e njohur Laurens Olivier.

Mike O'Sullivan njofton se detyra e kompozitorit Conrad Pope, i cili kompozoi muzikën për filmin e ri, ishte përshkrimi i asaj periudhe dhe tregimi i historisë përmes muzikës.

Në vitin 1956, Marilyn Monroe, ende një aktore e re, ishte sensacion i kohës. Roli i bjondes së bukur luhet nga aktorja Michelle Williams. Kompozitorit Conrad Pope i ishte propozuar të kompozonte muzikën për këtë film.

Në skenën e filmit “My Week with Marilyn”, grupi ka rikrijuar një periudhë kohore të mëparshme, duke rrëfyer një histori të shkurtër dashurie në mes të Merilin Monrosë dhe një ndihmës producenti.

Në pianon e tij në Hollywood, kompozitori Pope ka kapur ndjenjat e çdo skene në kompozimin e muzikës së filmit, duke përdorur temën e një kënge nga kompozitori francez Alexandre Desplat. Në film, pianisti Lang Lang interpreton muzikën e kolonës zanore dhe pjesë të tjera të muzikës së këtij filmi.

“Marilyn Monroe është sigurisht një figurë e madhe dhe kjo të lejon të kesh gjithë këtë muzikë madhështore. Ajo është një figurë që krijon reagime të forta, sidomos te meshkujt. Prandaj, kjo na mundëson të përdorim muzikë të hareshme.”

Marilyn: “Surprise, Roger and I decided to take you on an adventure.”

Filmi është i bazuar në historinë e vërtetë të Colin Clark, një anëtar i ekipit realizues të filmit që po xhironte Merilin Monro, i cili pati një marrëdhënie të shkurtër dashurie me aktoren. Rolin e Colin Clark e luan aktori Eddie Redmayne, i cili i ofron artistes një mundësi për t’u shkëputur nga vështirësitë e filmimit dhe nga martesa e saj problematike me dramaturgun Arthur Miller.

Muzika e filmit është frymëzuar nga muzika xhaz e bandave të mëdha instrumentiste dhe kolonat zanore të filmave të viteve 50-të. Kompozitori Pope thotë se ajo ndryshon nga skena në skenë.

“Ne kemi marrë tema të thjeshta të cilat i kemi modifikuar në forma të ndryshme dhe ky është rezultati që kemi arritur”.

Conrad Pope është një dirigjent veteran i cili ka punuar në dhjetra filma të njohur. Ky është filmi më i madh që ai ka marrë pjesë në cilësinë e kompozitorit deri tani. Ai thotë se puna në këtë film ishte ideale për të.

“Po, unë mendoj se për këdo që është muzikant në Hollywood, angazhimi në një film të këtij lloji është një ëndërr e madhe.”

Ai thotë se muzika ndihmon në shtjellimin e subjektit dhe lejon shikuesin të kuptojë jetën e shkurtër dhe tragjike të yllit të talentuar, e cila vdiq në moshën 36 vjeçare.

Siri, pa shami në kokë në Facebook, kërcënohet me vdekje


image
















Dana Bakdounes, një 21-vjeçare siriane, ka shkaktuara polemika të shumta në vend. Ajo ka postuar një foto pa vendosur shami në kokë në Facebook, një gjë e ndaluar për vendet myslimane. Për më tepër ajo është shfaqur me krahët e zbuluar dhe e trukuar, gjithashtu gjë e ndaluar për femrat myslimane.
“Për 20 vjet me radhë nuk më kanë lejuar të ndjej erën sipër flokëve dhe në trup”, ka shkruar ajo në Facebook. Pas kësaj, ajo ka marrë kërcënime të shumta me vdekje në Facebook, por ka pasur edhe shumë të tjerë ndërkohë që e kanë miratuar nismën e saj.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...