2013-03-06

Shqiptarët kanë qenë në Greqi gjithmonë




Reagojnë ashpër arbëreshët e Italisë kundër deklaratave të parlamentarit të së djathtës ekstremiste greke.“Greqia, me bashkëpunimin e Qytetërimit Europian, mohon paturpësisht ekzistencën historike të popullit arbëresh.”

Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro*

Këto ditë, përmes mediave, informohem se qeveria greke, përveçse e përqendruar në synimin për të zgjidhur çështjen e saj ekonomike, e fundosur tashmë në karakatina të errëta dhe shpellare, me anë të një parlamentari të ekstremit të djathtë, me tone dhe pikëpamje të thartuara, vazhdon e patundur të mohojë ekzistencën e bashkësisë arbërore, ndryshe e njohur si arbëreshe, bashkërisht me identitetin e tyre gjuhësor dhe të kaluarën e tyre të lavdishme. E gjitha kjo tendencë të bind që të mendosh negativisht për rolin që luan entiteti shtetëror i Greqisë, shpesh me një arrogancë të qetë mbizotëruese (dhe abuzuese e fondeve publike europiane, përfshi edhe e parave tona), në kontekstin “qytetar” të të ashtuquajturit Komunitet Europian.
Greqia, si një vend anëtar i Bashkimit Europian, është i vetmi shtet që nuk njeh minoritetet gjuhësore që ekzistojnë në atë territor për më shumë se gjashtë shekuj: arbërorët, ose siç e quajnë ata ndryshe veten arbëreshët, të cilët jetojnë dhe punojnë me dinjitet ekstrem.
flamuri i luftes i familjes Duka - EngjelliShfaqja e parë historike e shqiptarëve në territorin ku sot shtrihet Greqia daton në fund të 1200-s dhe në fillim të 1300-s, e megjithatë kronisti bizantin Kantakuzeno, përmend se në malet e Thesalisë rreth vitit 1100 u vendosën aty fise epirote, të tilla si ai i Buas dhe Maseretëve. Në lidhje me të njëjtin argument dhe të njëjtën periudhë kohore na flet edhe dijetarja Ana Komnena (1083-1150), e cila në veprën e saj “Alessiade” e identifikon këtë popullsi me emrin ALBANOI dhe specifikon se ata janë ‘Abasileuti’, pra që do të thotë se nuk i sundonte asnjë mbret.
Në vitet në vijim shumë shqiptarë u thirrën nga despotë të ndryshëm të Greqisë bizantine (kujtojmë këtu se Greqia nuk ka ekzistuar kurrë si një entitet shtetëror), për të populluar tokat e Atikës, Beotisë, Kosturit, Korinthit, Lakonis, Arkadias, Mores dhe të Thrakës.
Popullata shqiptare, krenare për origjinën e vet, jo shumë kohë më pas filloi të dallohej pozitivisht në krahasim me atë greke, kësaj të fundit i mungonte një identitet i vërtetë etnik dhe këtë aspekt e nxjerrim në dukje konkretisht nga shkrimet që rezultojnë në një raport nga veneciani Marino Sanudo i Vjetri (Marino Sanudo il Vecchio, 1270-1343), përmes së cilës na informon se: “Rajonet më pjellore, ato në Arkadia, në More, nëLakoni, në Negroponte ose ndryshe Eubea dhe në Thesali, ishin të mirëpopulluara me shqiptarë, të cilëtjetonin në mirëqenie në shtëpitë e tyre, në sajë të parave që përfitonin nga bujqësia dhe nga blegtoria”.
Nga kjo dëshmi është e qartë se popullata shqiptare e vendosur në Greqi rreth shekullit XIII, nga një entitet nomad ishte transformuar në një entitet sedentar, duke u kujdesur për tokën dhe bagëtinë në një mënyrë më racionale.
arvanitas
Për shkak të ngjarjeve historike të shekujve XV dhe XVI, shkaktuar nga ekspansionizmi i njëpasnjëshëm i imperializmit osman, shumë familje arbërore/arbëreshe u zhvendosën në jug të Italisë, ku dhe ekzistojnë akoma. Ndërsa popullata shqiptare që pati më pak fat e që mbeti në Greqi, luajti më pas një rol shumë të rëndësishëm gjatë luftërave për pavarësinë e vendit në çerekun e parë të shekullit XIX. Në këtë kontekst duhet të përmendim personazhet heroike, si Marko Boçari, bëmat e Suliotëve, kapitenia e anijeve Bubulina e shumë të tjerë.
Si mund të fshijë padrejtësisht e sipas dëshirës disa nga faqet e historisë i pamaturi, arroganti e sipas të gjitha gjasave ndoshta injoranti, deputeti grek i së djathtës ekstreme? Kush mendon se është ky individ, Hermes ose një fëmijë i privilegjuar i Zeusit? Jo! Ai është vetëm një abort i qytetërimit dhe një polinom i arrogancës e i budallallëkut të pakujdesshëm.
Komuniteti Europian, si garantues i qytetërimit të Kontinentit të Lashtë, po mbetet i shurdhër e i verbër përkundrejt diskriminimit, i cili vazhdon ende edhe sot të praktikohet kundër popullsisë arvanitase. Më 16 shtator të 1969-s, arbëreshi i Kalabrisë, Papas Antonio Bellushi, bashkërisht me studiues të rinj europianë, do të raportojnë rezultatet e hetimeve të tyre në lidhje me gjendjen diskriminuese të shtetit grek përkundrejt pakicës gjuhësore shqiptare në Komisionin e Komuniteteve Europiane. Të shkëputur nga ky raport i Papas Antonio Bellushi, po sjellim në vijim kundërpërgjigjen që mbajti politika greke:
1) Qëndrimi i Partisë Nea Dhimokratia: “Nuk ekziston problemi i gjuhës shqipe në Greqi ashtu si nuk ekzistojnë fshatrat me origjinë shqiptare. Në qoftë se kjo gjuhë flitet brenda kontekstit familjar (sh. i autorit: ky është paradoks, ekziston apo jo kjo gjuhë?), nuk mund të shprehë një mendim të një rëndësie shumë të madhe”;
2) Qëndrimi i Partisë Pasok: “Kush nuk flet gjuhën tonë (greke), nuk është pjesë e racës sonë dhe e kombit tonë”;
3) Qëndrimi i Ministrisë së Kulturës: “Nuk ekziston dhe nuk duhet të ekzistojë asnjë mësimdhënie e gjuhës shqipe, sepse ajo nuk ekziston në territorin grek”;
4) Qëndrimi i gazetës periodike “Anti” në Athinë: “Pakicat gjuhësore në Greqi si arvanitasit, vllahët, pomakët (bullgarët) nuk mund të pretendojnë asnjë të drejtë. Në Greqi ka vetëm grekë”.
Kontradiktat dhe arroganca e qeverisë greke dhe e parlamentarëve të saj, në lidhje me çështjen e mbrojtjes së pakicave etnike, duhet të jetë një tematikë që Bashkimi Europian duhet të shqyrtojë me prioritet të jashtëzakonshëm, pasi, e ashtuquajtura Europë e civilizuar deri tani i ka vendosur qëllimisht në Erebo (sh.p.: bota e përtejme).
Gjithçka mund të injorohet, por jo historia!
[Linku i artikullit në gjuhën italiane: http://arberiaitalia.blogspot.it/2013/02/la-grecia-con-la-complicita-della.html]
(Me kërkesë të autorit përktheu nga italishtja dhe përshtati në gjuhën shqipe: Brunilda Ternova)
*Shkruar nga arbëreshi Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro, pasardhës i familjes aristokrate shqiptare mesjetare Duka-Ëngjëlli

Aubrey Herbert në 1913: Shpëtoni shqiptarët e gjallë nga serbët

Në shqip libri me pjesë ditari dhe letra të diplomatit anglez.
“Vetëm një hetim do t’u vinte frerin këtyre krimeve të shëmtuara, terrorit dhe eksodit”



Përpjekjet e Aubrey Herbert për njohjen e shtetit shqiptar.
“Si i njoha Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin në Londër”

Dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u promovua libri “Miku i madh i shqiptarëve, Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme”, një vepër e rëndësishme që përmban pjesë ditari dhe letra të njërit prej diplomatëve të huaj, me kontributin më të madh në shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Në promovimin e këtij libri, të përgatitur për botim nga Bejdullah Destani dhe Jason Tomes, përkthyer nga Kujtim Myftari, me parathënie të balkanologut dhe gazetarit të njohur, Noel Malcolm, ishin të pranishëm historianë e studiues, por edhe Kryeministri Sali Berisha e ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Mbi vendin e rëndësishëm në historinë shqiptare referuan historianët Valentina Duka e Luan Malltezi. “Ne nuk mund të gjejmë në historinë tonë një personalitet më të përkushtuar në mbrojtjen e këtij kombi sesa Aubrey Herbert, i cili përdori të gjitha lidhjet e tij të fuqishme politike, familjare, përdori zërin e tij në Parlamentin britanik, themeloi Komitetin Shqiptar në momentet më kritike, kur e kuptoi që Konferenca e Londrës nuk po mblidhej për të mirën e shqiptarëve”, tha Berisha në përshëndetjen e tij. Aubrey ishte një diplomat dhe oficer anglez, jeta e të cilit u lidh ngushtësisht me Shqipërinë. Ai u bë një avokat i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë dhe e vizitoi atë gjatë viteve 1907, 1911, 1913. Gjatë qëndrimit në Tiranë u miqësua me Esad Pashën. Në Konferencën e Paqes në Londër, delegatët shqiptarë gjetën përkrahje tek ai si këshilltar. Ai luajti një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë. Rasti i parë ishte përpara Luftës së Parë Botërore. Oferta mbeti jozyrtare dhe kurora iu dha Vilhelm Vidit. Rasti i dytë ishte pas Luftës së Vlorës, në shtator të vitit 1920, kur shqiptarët shpartalluan forcat italiane. Edhe pse propozimi u bë nga gjysma e qeveritarëve shqiptarë, ai mbeti sërish jozyrtar dhe u shua me ndryshimin e ministrit të Jashtëm shqiptar. Në librin e promovuar dje, me syrin e një diplomati vijnë disa prej momenteve më të rëndësishme në historinë shqiptare, që nga pavarësia, te copëtimi i trojeve, masakrat serbe e greke në territoret e pushtuara, ndarja e kufijve nga Komisioni Ndërkombëtar, zgjedhja e Princ Vidit.
Nga libri
Denoncimi i krimeve të shëmtuara, vjeshtë 1913
Pasi takoi refugjatët në Shqipëri dhe dëgjoi rrëfimet e tyre, Aubrey Herbert i shkroi menjëherë shtypit britanik për të publikuar krimet e shëmtuara të kryera nga forcat serbe, malazeze dhe greke në viset që kishin aneksuar ose vazhdonin t’i pushtonin. Me kthimin e tij në Londër në tetor, ai e intensifikoi fushatën. Nga fundi i atij muaji, një ultimatum i lëshuar nga Austro-Hungaria e detyroi Serbinë t’i tërheqë trupat e saj nga territoret që i ishin caktuar Shqipërisë. Në Jug, megjithatë, Komisioni Ndërkombëtar për Kufirin hasi pengesa në punën e tij, të shkaktuara nga grekët dhe hyrja e dimrit.
“The Times”. E hënë, 22 shtator 1913- “Akuzat kundër serbëve”
Më 10 shtator morëm letër nga z. Aubrey Herbert MP, dërguar nga Vlora, në të cilën ai veçon dy raste konkrete të krimeve të shëmtuara të pamenduara, që u vishen autoriteteve serbe dhe më tutje vazhdon të shkruajë:
“…Kam përpara meje një listë të gjatë aktesh të ngjashme nga ana e serbëve. Kam dëgjuar shumë histori nga njerëzit e varfër, katolikë dhe muhamedanë; këta refugjatë mund të përgjigjen vetëm për atë që u ka ndodhur atyre dhe familjeve të tyre, por në gjërat kryesore historitë e tyre janë të përafërta. Pak dyshim kam se në zona të ndryshme po vazhdon ndërrimi sistematik i fesë, dëbimi dhe shfarosja, të diktuara nga politika. Këto metoda, me sa mund të zbuloj, ishin harruar për një periudhë bukur të gjatë, por tani kanë nisur sërish. Qeverisë serbe i kërkohet diçka më shumë se mohimi gojor i këtyre akuzave, sepse ndiej se skamja e mjerueshme dhe eksodi i nxitur nga terrori nuk do të sosin deri sa t’u jepet fund krimeve të shëmtuara dhe për shkak se vetëm një hetim do t’u vinte frerin këtyre krimeve të shëmtuara, ju lutem ta botoni këtë letër.



“The Times”. E enjte, 25 shtator 1913- “Trazirat në kufirin serbo-shqiptar”
Kemi marrë nga z. Al. V. Georgevitch (sekretar i legatës serbe), i ngarkuari serb me punë, një letër në përgjigje të deklaratave të bëra nga z. Aubrey Herbert MP në “The Times” më 22 shtator. Në këtë letër i ngarkuari serb pohon se:
“Duke mos bërë asnjë tentativë për ndërrimin e fesë me dhunë, Serbia është një prej shteteve më liberale që kanë ekzistuar ndonjëherë. Liria e ndërgjegjes është garantuar jo vetëm me Kushtetutën serbe, por si shembull praktik, që nga viti 1878 komuniteteve myslimane në Serbi (në Beograd, Nish, Leskovac) u është dhënë një subvencion qeveritar. Edhe çifutët kanë gjetur në Serbi, si të thuash “Tokën e Premtuar” të tyre, sepse i kanë të gjitha të drejtat politike dhe qytetare… Në shpalljen e aneksimit të territoreve të pushtuara, ku Madhëria e tij u përcolli më 25 gusht përshëndetje mbretërore të gjithë nënshtetasve të rinj-pa dallim feje, race, besimi, ose veprimtarie të mëparshme-mesazhi mbretëror shpalli në mënyrë solemne se tani fillon epoka e re e lirisë së plotë për çdo njeri”.
AH për “The Spectator”. E martë, 23 shtator 1913 (botuar më 4 tetor 1913) – Shëngjin
The petator ka zbatuar ngaherë parimin e ngritjes së zërit për të gjithë ata njerëz të pafat, të cilët nuk mund të flasin vetë. Prandaj, guxoj të kërkoj mikpritjen e faqeve tuaja në emër të një populli, që është veçanërisht pa ndihmë në këtë moment. Gjatë muajit që kalova në Shqipëri, udhëtova në treva të ndryshme të vendit dhe pashë vërshime refugjatësh, që vazhdojnë të derdhen nga territore të aneksuara kohët e fundit nga Serbia dhe Mali i Zi. Për shkaqe të arsyeshme nuk udhëtova nëpër ato rajone, andaj nuk mund të pretendoj se kam qenë dëshmitar pamor i asaj që po ndodh atje, por bisedova me refugjatë, skamja dhe mjerimi i të cilëve nuk kishte ku të vente më shumë. Shumë syresh, burra dhe gra, më treguan për ngjarjet e tyre të dhimbshme dhe dukeshin si të shastisur nga vuajtjet. Detyra e bërjes së pyetjeve të hollësishme për fatkeqësitë e tyre nuk ishte e këndshme. Jam i sigurt se ata nuk janë të aftë t’i sajojnë ato ndodhi që i tregojnë me shumë pak imagjinatë…
….Europa ka premtuar një Princ. Princi për të cilin po luten të gjithë, ende s’po duket. Qeveria e Përkohshme nuk është njohur, çka të çon pashmangshëm në trazira dhe ankth brenda vendit. Europa ka premtuar se Serbia do të largohet nga territoret e pushtuara nga trupat e saj. “Europa”, kanë filluar të thonë shqiptarët, “na ka premtuar mbrojtje. Por, deri më sot, kjo mbrojtje ka nënkuptuar intrigat e fuqive të mëdha për veten e tyre në Veri; kurse gratë tona përdhunohen dhe burrat tanë herë torturohen, herë vriten e herë dëbohen nga serbët. As kur ishim të pambrojtur nuk përjetuam gjëra të tilla”. Shpirtrat binjakë të keqardhjes për viktimat e skllavëruesit ose të persekutonit zgjohen shpejt në Angli, por këta njerëz nuk mund t’i bëjnë të ditura vuajtjet e tyre. Britania e Madhe nuk ka konsuj në Shqipëri (përveç se në Shkodër) dhe as gazetarë; në të vërtetë, dyshoj se në atë vend nuk ka asnjë korrespondent zyrtar. Të huajve, që dëshirojnë të vizitojnë viset ku po kryhen masakra, u duhet të shkojnë nga Beogradi, ku do të tregohen as më shumë e as më pak, vetëm ato, që dëshirojnë autoritetet atje. …Sikur kjo letër të ishte shkruar në frymë politike, Sër, do të kisha shtuar se shqiptarët duhet të zhdëmtohen për ato masakra, do të kërkoja dënimin e përgjegjësve dhe shqyrtim të sërishëm të çështjes së kufijve; por unë kam shkruar vetëm me shpresën e sinqertë se ndikimi juaj mund të bëjë diçka për t’i dhënë fund kësaj neverie dhe se “The Spectator” mund t’u bëjë të njëjtin shërbim jo vetëm popujve të San Thomes, por edhe popujve në portat tona. Nevoja për veprim është aq e ngutshme, sa nuk mund të thuhet me një fjalë…
T’i lëmë të vdekurit e Ballkanit të varrosin të vdekurit e tyre; le të shpëtojmë, nëse mundemi, gratë dhe fëmijët që kanë mbetur ende gjallë. Përderisa Britania e Madhe ka premtuar bashkërisht me fuqitë e tjera të mbrojë një popull, duhet të kujdeset që ky detyrim të përmbushet. Nëse kjo kasaphanë nuk prek prestigjin tonë, ajo duhet të prekë nderin tonë shumë thellë. Beogradi mund t’i japë fund kasaphanës, madje Beogradi mund të detyrohet t’i japë fund.


AH për “Lord Cromer”. E premte, 10 tetor 1913
Sapo kam marrë këtë telegram nga Onslow, në Zurën e Jashtme “Isa Buletini, i sëmurë ose i plagosur në një fshat shqiptar. Po ta kapin, do ta gjykojnë sipas ligjit ushtarak. Onslow”. Gazetat, të cilat as Paget, as unë nuk i kemi vënë në dyshim, duket se u kanë paraprirë ngjarjeve. Nëse ai është sëmurë dhe di që ishte sëmurë para gjashtë javësh, serbët do të bëjnë çfarëdolloj orvatjeje për ta shtënë në dorë. Ai është malësori luftëtar më me përvojë në Shqipëri. Nëse e kapin, shpresoj që lutjet fisnike të letrës suaj të kenë rezultat; nëse arratiset, myslimanët, për të cilët ju keni bërë aq shumë, duhet t’ju jenë më se mirënjohës për qëllimin e mirë të telegramit tuaj.
“Komiteti shqiptar” nga AH, pa datë, 1922-23
Në përfundim të Luftës Ballkanike, kur Turqia europiane ishte shpartalluar, në vend të përfaqësuesve, në Angli mbërritën refugjatë, për të bërë të njohur gjendjen e tyre të dëshpëruar. Përfaqësuesit e Maqedonisë, të cilët gjithë jetën kishin përjetuar vrasje dhe mizori, ende ruanin besim patetik në drejtësinë e Fuqive të Mëdha…
…Mbërriti delegacioni shqiptar, i përbërë nga burra të tri besimeve të ndryshme-ortodoksë grekë, katolikë dhe myslimanë. Në krye të tij ishte Ismail Qemal Beu, një burrë gojë-ëmbël dhe me dhunti të gjithanshme, jeta e të cilit kishte qenë një kolovajzë e gjatë dhe plot rreziqe. Dobësia e tij qëndronte në rrethanat e tij dhe në debulesën që kishte për fëmijët e tij. Nëse ishte dredharak, arsyeja ishte se në pozitën e tij ishte e vështirë të ishe i drejtpërdrejtë. Skamja ishte mbikëqyrësi i rreptë i tij dhe në disa raste, atij i lypsej të gjente gjuhën e përbashkët midis bindjeve të papranueshme dhe sjelljes së pranueshme, në dëm të së parës. Ai ishte dishepull i Mit’hat Pashës, guvernator i Përgjithshëm i Bejrutit, guvernator i Përgjithshëm i Kretës, guvernatori i emëruar i Tripolit, këshilltar i Sulltanit dhe i arratisur nga Sulltani, redaktor anglofil, mik i Gordonit “kinez”, bir i aventurës, ai ishte një burrë plak i lodhur dhe i rraskapitur, avokat i një vendi të rrënuar. Ishte tregimtar i shkëlqyer dhe i admiroja historitë që tregonte për veten dhe të tjerët… Ismail Qemal Beun e njoha kur ishte në moshë të thyer, kur ishte si ajo breshka e mençur dhe dashamirëse. Kishte në vetvete një liberalizëm të vërtetë, që nuk shterej kurrë, por që ishte bërë i padukshëm nga rregullsia e natyrës së tij dhe shmangiet e lodhshme nga çiltërsia, i detyruar nga rrethanat. Ishte dinak dhe i zoti, dhe dinakërinë e tij kishte fuqinë ta formulonte me brishtësi. Sikur Sër Henry Campbell-Bannerman të ishte martuar me një fshatare bullgare dhe gjatë gjithë jetës së tij të ishte i detyruar që, për të shmangur rrahjen me thupër në shputat e këmbëve, të qetësonte dhe zbuste Abdul Hamitin dhe shpesh ta kishte pasur të vështirë të siguronte para dhe strehim sa për të kaluar natën, ai do të kishte pasur shumë të përbashkëta me Ismail Beun. Figura të tjera të shquara të delegacionit shqiptar ishin Monsinjor Fan Noli dhe Faik bej Konica, të cilët përfaqësonin “Vatrën”, federatën e shqiptarëve të Amerikës. Vëllai i tij, Mehmet bej Konica… kishte qenë në shërbim diplomatik turk. Monsieur Filip Noga ishte katolik dhe ishte po aq i përkushtuar ndaj muzikës, sa edhe ndaj politikës. Figura më piktoreske e delegacionit ishte Isa bej Boletini, Robin Hoodi i Shqipërisë. Ai ishte një burrë i paarsimuar, me një emër të madh, të drejtë për guximin e tij dhe si njeri punëmbaruar. Bëmat e tij ishin bërë legjendë, kurse rrëfenjat se sa herë u kishte shpëtuar turqve dhe serbëve, ishin shndërruar në fabula. Në Londër ndjehej i humbur dhe përmalluar për vendlindjen, sepse nuk ia thoshte asnjë fjale të vetme anglishte. Kalonte orë të tëra në shtëpinë time, duke pirë kafe turke. Kur ndodhesha në Dhomën e Komuneve, vazhdimisht merrja telefonata të shqetësuara nga gruaja dhe kur kthehesha, shpesh i gjeja atë dhe Isën pa shkëmbyer asnjë fjalë, por duke iu përkulur njëri-tjetrit herë pas here… Shqiptarët që erdhën në Angli, lanë përshtypje të shkëlqyera. Në një rast, z. Lloid George drekoi me mua për të takuar shqiptarët dhe pas drekës, Toni Precha, i restorantit shqiptar dhe unë, përkthyem bisedën ndërmjet Isa Beut dhe ministrit të Financave. “Tregoji atij”, tha Isa, “se unë jam malësor si dhe ai, andaj e di që zemra e tij ka dhembshuri për ata që vuajnë, sidomos për malësorët”. Pastaj bëri një mbyllje të ashpër me fjalët, “dhe thuaji që, kur të vijë pranvera, do t’i plehërojmë fushat e Kosovës me gjakun dhe kockat e serbëve, sepse ne shqiptarët kemi vuajtur aq shumë, sa nuk mund të harrojmë”.
E mendova me vend ta zbusja paksa frazën e fundit, por z. Lloyd George u ngazëllye me malësorin shtatlartë, tek i cili mendonte se pikasi një shpirt të përafërt dhe u tregua i afruar me të.
… Krahas ndihmës politike, Komiteti Shqiptar bëri ç’të mundte për të argëtuar shqiptarët në Angli. Një pasdite Isa Beu erdhi me ne në kopshtin zoologjik. Kur po ngisnim makinën teposhtë rrugës “Regent”, vumë re që kishin vendosur afishe: Vrasja e Njazi Beut nga djali i Isa Boletinit. Anëtarët e Komitetit Shqiptar, të cilët nuk kishin qenë në Shqipëri, u ndjenë më të befasuar dhe ndoshta më të tronditur se unë nga ky lajm. Ata besonin se kjo duhej të ishte një shpifje tjetër ndaj një populli të pambrojtur. “Tregoji atij, -m’u drejtuan ata, -se çfarë shkruhet në afishe”.
I thashë Isa Beut: “Në ato mure është shkruar se djali juaj ka vrarë Njaziun. E besoni këtë”?
“E çfarë do të ndryshonte tek unë, -u përgjigj Isa me maturi, -po të ketë ndodhur?”.
I thashë: “Asgjë. Në vendin tonë nuk e duam vrasjen, por njeriu nuk ka pse fajësohet për ato që bëjnë të afërmit e tij”.
“Atëherë, -m’u drejtua Isa, -mendoj se është mjaft e mundur. Im bir dhe Njaziu kishin bërë be se do ta vrisnin njëri-tjetrin”.
Shkuam në kopshtin zoologjik dhe teksa shëtisnim, Isa tha: “Të gjitha gjërat këtu i keni mbyllur në kafaze, përveç Djallit. Mua më pëlqen liria”. Në Dhomën e Komuneve, Isa i befasoi të gjithë me kostumin e tij kombëtar. S’kishte se si të mos e shihnin gjithë admirim. Atij i bëri përshtypje të madhe Lord Treowen, të cilin e takoi në uniformë dhe ishte shumë i dëshiruar ta merrte me vete në Shqipëri dashur, pa dashur. Bëri shumë miq, të cilët i treguan atij lavditë e Londrës. E megjithatë, në një moment më tha: “Sado që këtu gjithçka është madhështore dhe megjithëse ju anglezët jeni mjaft të mirë, prapëseprapë nuk do ta ndërroja me shkëmbinjtë dhe lumenjtë e mi”.


Prof. Peter Prifti: Greqia, 695 fshatra shqiptare


Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip. Çfarë zbuluan dhe dokumentuan priftërinjtë arbëreshë Antonio Belushi dhe Jani Kapareli nga viti 1965 deri në 1995. Rrënjët arbërore që zgjaten deri në Athinë dhe represioni i autoriteteve greke në vite

DOKUMENTI

Recensioni i prof. Peter Priftit (1924-2010) mbi veprën “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Helladhë”*. Vepër e Papa Andon Bellushit, botuar me 1994

Faksimile e kopertinës së librit të Antonio Bellusci-it “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia (Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Greqisë – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Greqi)
Në ditët tona vëmendja e botës shqiptare është përqendruar me të drejtë në çështjen e madhe të Kosovës. Ajo përbën sot fushën më të madhe të luftës për liri nga një zgjedhë e rëndë, për pavarësi dhe për bashkimin eventual të të gjithë trojeve shqiptare. Shkurt, është çështja kyç që i jep formë dhe frymë çastit historik para të cilit gjendet sot bota shqiptare.
Megjithatë, shqiptarët një sy dhe një vesh e kanë patur gjithmonë në drejtim të shqiptarëve të Greqisë. Në një mënyrë ose tjetër, janë interesuar për fatin e vëllezërve dhe motrave çame, si edhe për gjendjen e shqiptarëve të vjetër, që u vendosën gati kudo në Greqi që në kohët e lashta të mesjetës.
Një nga këta shqiptarë është prifti i njohur arbëresh, Andon Bellushi (Papa Antonio Bellusci). Të parët e tij, ashtu si të parët e shumicës së arbëreshëve, emigruan nga Greqia që në kohën e Skënderbeut, në vitin 1434. U larguan që të mos binin në duart e shkelësve turq. U larguan me lot në sy që të ruanin mënyrën e jetës së tyre, gjuhën shqipe dhe çdo gjë të shtrenjtë, të trashëguar brez pas brezi nga gjyshët dhe stërgjyshët e tyre.
MALLI PËR MORENË

I nxitur nga një mall i papërshkrueshëm për vendin e prejardhjes, për Morenë e bukur, papa Bellushi udhëtoi në Greqi për të parën herë në vitin 1965. Ai udhëtoi atje jo vetëm si një “pilgrim” i përmalluar, por edhe si njeri i shkencës, si etnograf i pasionuar për të mbledhur folklorin e “arbërorëve”, sikundër quhen zakonisht shqiptarët e Greqisë. (Një tjetër emër për ta është “arvanitë”). Pas vizitës së parë, ai u kthye herë pas here në Greqi, për të vazhduar dhe rafinuar punën e nisur.
Ky libër: “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, është fryti i asaj pune të madhe. Në këtë vëllim Bellushi vë në dukje lidhjen e ngushtë që ekziston midis arbëreshëve dhe arbërorëve. Në një takim me arbërorët në Tebë më 1990, ai tha: “Ne flasim ashtu si flisni ju këtu… Kemi gjuhën tuaj, zemrën tuaj. Kemi ritin (fenë) tuaj. Kemi emrin tuaj.” (f.173) Kënga e Moresë, ka thënë Bellushi, “mbajti të gjallë në zemrat tona nostalgjinë për Morenë”. Këtë ndjenjë e ka shprehur bukur edhe peshkopi arbëresh Ercole Lupinacci me fjalët: “E kemi pasur gjithmonë këtë dëshirë të fortë, të njihemi me Dheun e gjyshëve, që i kujtojmë me mall në këngët tona popullore.” (f.101) Lidhja me shqiptarët e Greqisë duket në emrat e vendeve (toponimet) dhe fshatrave të arbëreshëve, në emrat e tyre personale, në shërbesat fetare, dhe, mbi të gjitha, në mënyrën e të folurit, në gjuhën e tyre të përditshme. Nga bisedat që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se shqiptarët e Greqisë dhe ata të Italisë nuk kanë aspak vështirësi për t’u marrë vesh, për të komunikuar me njëri-tjetrin, sepse të dyja palët flasin të njëjtin dialekt – një toskërishte të vjetër. (Është një dialekt ky që tingëllon disi arkaik në veshin e folësit të shqipes moderne). Të bëjnë përshtypje takimet dhe bisedat shumë të ngrohta që pati Bellushi me arbërorët. Ai u prit me plot përzemërsi dhe u nderua si vëlla sepse – siç u shpreh historiani arbëror, Aristidhis Kolljas – ai dhe arbërorët hodhën “urën midis Greqisë dhe Italisë që të gjejë vëllai vëllanë”. (f.92)


ARRITJET E PUNËS ME ARBËRORËT NË GREQI

Duke filluar nga viti 1965, autori i kësaj vepre “fotografoi” gjuhën dhe zakonet e arbërorëve me kujdesin dhe ndërgjegjen e shkencëtarit, duke i inçizuar me trak. Gjatë afro 30 vjetëve ai mblodhi një thesar të dhënash mbi historinë dhe folklorin e arbërorëve: përralla, legjenda, fjalë të urta, mallkime, këngë dhe bisedime – trashëgim kulturor ky i ruajtur shekuj me radhë. Regjistrimet e bisedave dhe këngëve përbëjnë material të pastër etnografik, sepse Bellushi i la njerëzit të flisnin dhe të këndonin shqipen që dinin. Pra, i mori ato dhe i botoi në këtë libër ashtu siç ia dëgjoi veshi, pa i korrigjuar, pa i ndryshuar.
Ja, disa nga rezultatet e punës së palodhur që bëri në Greqi. Sa shqiptarë ka në Greqi, nuk dihet saktësisht. Po një arbëror i shkolluar në Athinë i tha autorit se në Greqi ka 3 milionë “arvanitë”, veçse jo të gjithë flasin shqip. (f.59) Libri ka një listë të gjatë të krahinave dhe fshatrave ku banojnë arbërorët – 696 fshatra në nja 15 krahina. Në këtë listë gjen emra fshatrash si Qiuteza, Vithkuqi, Blushi, Matranga, Variboba, Dara, që dëshmojnë për lidhjet e tyre me fshatrat e Shqipërisë, si edhe me emra të njohur të arbëreshëve në Itali.
Bellushi u njoh mirë me kulturën e lashtë të arbërorëve. Besa e shqiptarit, thotë ai, rron në trojet e shqiptarëve të Greqisë. Ata krenohen me këtë kryevirtyt të racës shqiptare, të cilën e shprehin me frazën, “arvanit-besalith”. Ne “nuk themi fjalë në erë”, i tha një arvanit papa Bellushit. (f.135) Për të zbuluar botën e tyre të përditshme në mënyrë më të imtë, Bellushi i pyeti arbërorët për gjërat më të thjeshta. “Si e bëni bukën, djathin? Si i punoni vreshtat? Si i rrjepni dhitë? Si i ruani bagëtitë nga ujqit?” Pastaj pyet çfarë zogj kanë andej, si u thonë maleve që kanë afër, cilët janë katundet arbërore rreth e përqark? I pyet, gjithashtu, të recitojnë numrat (l,2,3…), ditët e javës dhe muajt e vitit. Përgjigjet që mori ishin pothuaj të njëjta nga një krahinë te tjetra, gjë që tregon se në thelb kultura e shqiptarëve në Greqi është e njëjtë kudo. Autori mblodhi me qindra këngë, shumica e të cilave bëjnë fjalë për dashurinë. Ja, disa radhë të shkëputura nga këto këngë:

Eja të të puth një herë,
Tani që kam pirë verë.
Prapa malit kam një pus,
Eja vashë të të puth.
Prapa malit kam shtëpinë,
Eja vashëzë të rrimë.

Libri hedh dritë edhe mbi figurat arbërore që i kanë bërë shërbime të çmuara popullit shqiptar në Greqi, burra si: I ndjeri Jorgo Marougas, redaktor i shquar i revistës “Dialogoi”, Aristidhis Koljas, autori i librit “Arvanites” (1983), veprës kryesore për njohjen e arbërorëve, Vangjelis Ljapis, folklorist, autor dhe avokat për mbrojtjen e të drejtave të arvanitëve; dr. Jorgo Haxhisotiriov, i njohur si mjek në Athinë, si shkencëtar dhe si mbledhës i folklorit arbëror. Ka edhe të tjerë.

GJENDJA E GJUHËS SHQIPE

Arbërorët janë krenarë për gjuhën e tyre. Një nga këngët që këndojnë në krahinën e Korintit thotë:

Kjo gjuhë arbërishte
Është gjuhë trimërishte.
E fliste Admiral Miaulli,
Boçari dhe gjithë Suli (f.327)

Nga intervistat e shumta që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se ata e duan gjuhën shqipe me zemër, dhe kënaqen kur flasin shqip. Prandaj kanë merak ta ruajnë dhe t’ua lënë trashëgim fëmijëve. Ky merak duket edhe në ndonjë këngë të tyre, si, p.sh. në radhët: “Arvanitete të këndomi/ Gluhenë të mos harromi”. Papa Bellushi pyeti herë pas here kudo që vajti: “Do të rrojë gjuha arbërore?” “Nuk e di,-iu përgjegj një burrë,-sepse është një gjuhë që nuk mësohet në shkollë dhe nuk shkruhet”. Dhe vërtet bisedat e Bellushit me arbërorët zbuluan një konflikt midis atyre që duan ta ruajnë gjuhën me çdo kusht, dhe atyre që preferojnë greqishten, sepse ajo shkruhet. Po në përgjithësi ata kanë besim në të ardhmen e gjuhës. Kanë po ato ndjenja që shfaqi një plak nga Korinthi kur tha: “Unë kam tri vasha me shkollë. Po kur më vinë këtu në shtëpi, flasin arbërisht. Greqishten nuk e flasim neve këtu”. (f.349)
Gjatë gjithë udhëtimeve që bëri në Greqi, meraku më i madh i papa Bellushit ishte për gjuhën shqipe, por edhe për kulturën e arbërorëve, dhe me të drejtë, sepse nga të gjitha anët ai dëgjoi ankime për grekët. Grekët nuk lejojnë hapjen e shkollave shqipe. Nuk i lejojnë shqiptarët as të këndojnë këngët e tyre. “S’kemi mundësi të shkruajmë gjuhën tonë,” thotë arbërori. “S’kemi botime, as fetare, as popullore, as letrare. S’na lejojnë… Jemi si një trup pa shpirt”. (f.426) “Këtu gjuha jonë flitet vetëm midis mureve të shtëpive. Ajo s’ka banesë as në liturgji, as në shkollë, as në shtyp, askund”. Kështu foli plaku 72- vjeçar Dhimitri Gonos në More. (f.419) Priftërinjtë i ndalojnë fëmijët arbërorë të flasin shqip, se “është e mallkuar”. Një burrë i tha Bellushit se kur ishte djalë i vogël në shkollë, mësuesi i rrihte nxënësit shqiptarë po të thonin ndonjë fjalë shqip, dhe i detyronte të shkruanin ato fjalë njëqind herë në dërrasën e zezë. (f.233)
Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet. Edhe emrat shqip të fshatrave të tyre nuk i durojnë, dhe i kanë ndryshuar e u kanë vënë emra greke. (Megjithatë, populli vazhdon të përdorë emrat e tyre të vjetër shqip). Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare. Përgjigjen shqiptarët: “Një e rremë e madhe! Në Korinth, në Beoci, në Atika, në Eube, në Argolidhë, në More, në Thebe arbërorët i gjen si milingonat nga të gjitha anët”. (f.426)
Arbërorët e dinë mirë rolin e shqiptarëve në Revolucionin për Pavarësinë e Greqisë. “Greqinë e kanë ngjallur arbërorët”, thonë ata me këmbëngulje. Por kjo e vërtetë historike nuk u bën përshtypje grekëve. Ata e mohojnë kombësinë shqiptare të herojve të revolucionit grek si Boçari, Miaulli, Xhavella, Kollokotroni, etj. duke thënë se ata ishin grekë që kishin mësuar të flisnin shqip!! Më e keqja është se ka edhe arbërorë që s’duan të thonë se janë shqiptarë. E mohojnë kombësinë e tyre dhe zemërohen po t’ua kujtosh.

UDHËTIM NË MORE MË 1970

Me interes të veçantë është udhëtimi që bëri Bellushi në More më 1970, i shoqëruar nga prifti arbëresh Jani Kaparelli. Përshkrimi i këtij udhëtimi përbën një dokument me vlerë të rrallë. Në hapësirën e gati 20 faqeve, (409-427), autori shkruan për mallin e pafund që kanë arbëreshët për Morenë, sepse, sikurse thotë ai, arbërorët e Moresë dhe arbëreshët “janë lidhur ngushtë nga historia, nga gjuha e nga besa… Jemi si mish e thua”. Ai bën fjalë për takimet e ngrohta bisedat e përzemërta, këngët që kënduan së bashku me shqiptarët e Moresë, të cilat mishëronin gëzimin e tyre të përbashkët, hidhërimin, vajtimin, besën, mundimet, dhe afërsitë shpirtërore që kanë njohur gjatë shekujve.
Pastaj shkruan për prelatin simpatik grek të Moresë, dhespot Stefanos i cili, ndryshe nga qëndrimi zyrtar i grekëve, i mirëpriti arbëreshët dhe tha me gojën e tij se, “këtu janë shumë katunde arbërore”. (f.415) Madje, ai lëshoi një kartë, të hartuar në formën e një “leje” për vizitorët, ku ai përmendte me emër fshatrat e Moresë që donin të vizitonin Bellushi dhe Kaperelli.

“Ky është i pari dokument grek”, thotë Bellushi, “ku shkruhet se në More gjenden edhe sot katunde arbërore!” Dhe si i tillë “ka një rëndësi historike të madhe”. (f.416)

VEPËR E DENJË SHKENCORE

Me botimin e këtij vëllimi, Andon Bellushi ka vënë në duar të lexuesve një vepër që ndriçon jo vetëm gjendjen e shqiptarëve të Greqisë, por edhe të arbëreshëve. Vepra e tij ka material të gjerë të mbledhur në terren, nga një kërkues i pasionuar “që ulet gju më gju analfabetët e të papërfillurit”, sikurse thotë prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës, “duke regjistruar… gjithçka që ata mbajnë mend”. Prof. Shkurtaj e cilëson veprën si “një enciklopedi të tërë të jetës, shpirtit, kulturës, dokeve (traditave), zakoneve, dhe gjuhës që flitet edhe sot në komunitetet e moçme të shqiptarëve në Greqi”.
Në mënyrë shkencore autori vë në dukje botën e shqiptarëve që zbuloi në tokën e Greqisë, që do t’u vlejë dijetarëve dhe studentëve të historisë, gjuhësisë dhe folklorit. Njëkohësisht, duke iu përmbajtur kritereve shkencore që kërkonte puna e tij, ai paraqet edhe ndonjë të metë, dobësi apo konflikt që gjeti midis arbërorëve. Një nga gjërat që ia rritin vlerën librit dhe e bëjnë atë më interesant, janë fotografitë e shumta që ilustrojnë faqet e tekstit. Ato fiksojnë fytyrat e personave që takoi autori gjatë vizitave në Greqi; rrëfejnë, gjithashtu, edhe diçka nga jeta e tyre: veshjet, dhomat e shtëpive, kisha, monumente, peizazhe. Dy tipare të tjera të librit janë hartat, që tregojnë fshatrat arbërore me emër, dhe qindra e qindra shënime “notes” (në italisht), që e bëjnë tekstin më të qartë për lexuesin.
Me gjithë gjendjen e rëndë të arbërorëve që gjeti autori në Greqi, për shkak të shtypjes së gjuhës dhe kulturës së tyre, ai nuk u dekurajua, nuk u dorëzua. I mbrujtur me ndjenja të thella atdhedashurie dhe i nxitur nga një mall përvëlues historik (që buron nga thellësia e shekujve), papa Bellushi, më se fundi, del fitues si etnograf, si shërbëtor i urtë i Zotit dhe si burrë i Besës shqiptare. Ai e afirmon vetveten si optimist për të ardhmen e shqiptarëve të Greqisë. Shpirti i Arbërit rron, thotë Bellushi, “i freskët, i gjallë, i thjeshtë”. Rron në këngët arbërore rron dhe do të rrojë, se “ajo ka rrënjë të thella”, dhe “flitet nga të mëdhenjtë e nga të vegjlit”. (f.424)

* * *

Teksti i këtij libri është në dy gjuhë: shqip dhe italisht (me disa faqe edhe në greqisht). Pjesa më e madhe e lëndës është në gjuhën shqipe. Teksti italisht është, në të vërtetë, një përkthim disi i përmbledhur i tekstit shqip. Megjithatë, emri i autorit dhe titulli i librit në kapakun e veprës janë në gjuhën italishte, si pason: Antonio Bellusci, “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia.” Libri ka një hyrje nga Aristidhis Kolljas, kryetar i Shoqatës Kulturore Arbërore “Mark Boçari” në Athinë, dhe një parathënie nga prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës. U botua nga Qendra për Kërkime Socio-Kulturore “G.Castriota, Cosenza, Itali, 1994, 500 faqe.

*Shënim: Citatet nga bisedat dhe këngët e abërorëve janë shkruar gati të gjitha në shqipen e njësuar letrare, për ta bërë më të lehtë leximin e tyre. –

PETER R. PRIFTI
San Diego, California
Shkurt, 1996_________________________
Peter R. PriftiPeter Prifti (1924-2010) lindi në Rehovë (Kolonjë) më 1924. Pasi kreu shkollën fillore në fshat dhe Plotoren në Ersekë, emigroi në Amerikë më 1940. Peter Prifti mbaroi shkollën e mesme, pastaj u diplomua për art e letërsi në Penn State College. Vazhdoi studimet në University of Pennsylvania ku fitoi gradën shkencore “Master of Art Degree in Philosophy” (1955). Punoi redaktor në gazetën “Dielli” dhe sekretar i “Vatrës” (1958-1960), përvojë e cila e ndihmoi të njihte nga afër Fan Nolin dhe komunitetin shqiptar. Për 15 vjet ishte konsulent për çështjet shqiptare në M.I.T. (Massachusets Institut of Technology) qendër e shquar e studimeve ndërkombëtare. Më 1976 University of California, Dega e Linguistikës e mori si pedagog sapo hapi katedrën e Gjuhës Shqipe. Jetonte në San Diego, Kaliforni. Është autor i librave “Socialist Albania since 1944”; “Remote Albania – The politics of isolation”; “Confrontation in Kosova, The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999”; “Land of Albanians: A crossroads of Pain and Pride”; “Mozaik Shqiptar”; “Unfinished Portrait of a Country”.Aristidh P. Kola

Aristidh Kola (1944-2000) është jurist, studiues, publicist, shkrimtar, veprimtar i guximshëm për çështjen kombëtare, kryetar i shoqatës së arvanitasve të Greqisë “Marko Boçari”. Mbante lidhje dhe bashkëpunoi me personalitetet e diasporës në Amerikë e Turqi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, arbëreshët e Italisë dhe Korsikës. Është autor i veprave “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Gjuha e perëndive”, “Deklarata e Bashkimit Arvanitas”, “Fjalori korregjues i fjalëve arvanite”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe”, “Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviçit”, “Kënga e mercenarëve, prejardhja e grekëve”, “Mithi dhe e vërteta”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, etj. Nxorri revistat “Besa” dhe “Arvanon”. Në vitin 1999 përkrahu në mediet greke bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe UÇK-në. Është hedhur në gjyq dhe kërcënuar me vdekje nga qarqet ultranacionaliste greke. Dekoruar nga ish-Presidentët e Shqipërisë Sali Berisha dhe Rexhep Meidani, si dhe nga kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Është “Qytetar nderi i Skënderajt”.
Andon Bellushi (Antonio Bellusci)

Prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, (Itali). Diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar nga Qeveria Italiane, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, etj.


Moikom Zeqo kundër Shmit: Ja provat e vijimësisë iliro-shqiptare




Duke shfletuar një koleksion të gazetës “Illyria” të vitit 1935, pashë një shkrim profesional për arkeologjinë, botuar në datën 31 dhetuer 1935 dhe me vijim në datën 4 kallnuer 1936 të një njeriu që nënshkruan Dr. Shyqri Demiri. Titulli i shkrimit është “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”. Kam mbetur i befasuar kur e lexova, duke kuptuar se kisha të bëja me tekstin e një dijetari shqiptar i cili kishte fituar gradën shkencore Doktor në arkeologji.
Ja teksti i plotë i këtij shkrimi të rrallë:

ARKEOLOGIJA DHE AUTOKTONITETI I ILYRO-SHQIPTA-RVET
Gjurmimet arkeologjike në Shqipni gjinden ende në fillim.
Okupacjonet e hueja pak a shum shkaktojshin nji pengim të ktyne gjurmimeve të dobishme për zhvillimin kulturuer të vendit t’onë, ku kanë lulzue qytetnime të ndryshme.
Sot dy misjone arkeologjike, njani i kryesuem prej z. Leon Rey edhe tjetri prej z. L. M. Ugolini gjer më sot kanë bâm zbulime me rândësi të madhe t’epokave greke e romane. Mjerisht fushata e veprimevet të tyne âsht kufizue në Butrinto e n’Apolloni, dy vende klasike, kur se kërkimet në Shqipni të Veriut qi âsht tokë prehistorike e protohistorike, kanë mbetun djerr.
Nga shkencat arkeologjike, dega prehistorike-protohistorike, në kta vitët e fundit kanë marrë nji zhvillim të math. Rândësija mâ e madhe i âsht dhânë në Gjermani, ku janë tue u krijue kathedra njana pas tjetrës nëpër universitetet e ndryshme.
Kjo degë ka mâ shum rândësi për Shqipnín se sa për vende të tjera, sepse epoka prehistorike-protohistorike âsht arkeologji ilyrike e duhet të konsiderohet si nji shkencë kombtare dhe e domosdoshme për me ndriçue të kaluemit t’onë.
Asht e dijtun se kjo shkon krah për krah me kulturën klasike, mbasi në Shqipní përputhen të dy qytetnimet edhe në vorret e Ilyrvet gjindet importi grek direkt ase imitacioni i formavet.
Zbulime paleolithike mungojnë, po gjurma kulturore dalin piksëpari në fazën e fundshme neolithike.
Konstatohen katër klasë të gjuetunash, ndër të cilat âsht edhe nji thikë obsidiani qi u’gjet në Butrinto e me qênë se ky farë guri në Shqipní nuk gjindet po në ishullin e Melos, duken kjartas relacjonet qi kanë pasun banorët e këtushëm me vendet e largta të Mesdheut, qysh në kohët mâ të para (2500 p. Kr.). Në pikpamje ethnologjike kemi të bâjmë ktu me nji popullsi paraindoeuropiane, si duket me Pelasgët.
Në ktêkohë fillon invazjoni i indogjerman qi ishte nji popull i math, i ndamun në shum fise e djalekte. Mâ të përmendun nga kto fise ishin Grekët, Thrako-Ilyrët e Italikët.
Të parët qi u-shpërngulën nga Europa Qëndrore në Balkan ishin Grekët e mbas ktyne Italikët të cilët kapërcyen Adriatikun e u-hodhen n’Itali. Vendin e ktyne e zunë pastaj Thrakët e kta të shtrënguemun prej fisit mâ t’afërm të tyne, Ilyrvet, u shtýn prej Shqipnís së Mesme në pjesën lindore të Balkanit.
Me gjíth që Thrakët edhe Ilyrët ishin fqinjë me vendet ku dominonte qytetnimi mediterran linduer, nuk hýn në ket qytetnim përpara pushtimit roman.
Nga ky shkak, jeta kulturore e viseve dinarike, Bosnje, Herzegovinë, Mal i Zi e Shqipni ndahet në dy periudha të ndryshme: Kultura parahistorike (koha e hekurit me disa parafaza) edhe pjesmarrja në jetën provinciale, të perandoris romane.
Materiali i broncit i dalun deri sot nga nëntoka shqiptare, përmban: supata, supata dubel, supata me çekiç, etj., edhe koha që janë përdorun kto zgjatet nga 2200-1200 p. Kr.
Arkeologu rumun Radu Vulpe në nji konferencë që mbajti në kongres të arkeologvet për prehistorín në London më 1932, pretendoi se supatat e gjetuna në Shqipní, po nuk qenë t’importueme, së pakti janë t’influencueme prej formave të supatavet që janë gjetun në Palestinë. Mirpo diferencat qi kanë kto me ato të Shqipnís janë shum të mdhaja, kurse afërsija ndërmjet tyne âsht aq e vogël saqi hypotheza e Vulpes konsiderohet si nji produkt fantazije.
Mbas ksaj faze hýjmë në Kohën e Hekurit. Mjerisht reliktet arkeologjike të daluna deri tash në dritë janë tepër të pakta, kurse ato duhesh t’ishin shum mâ të mdhaja se gërmimet që janë bâmun p.sh. mbrenda në nji gjymës shekulli në Bosne, ku zbulimet e vorrevet të vjetra t’Ilyrvet kanë pasun përfundime kolosale.
Historija na mëson se në viset e brekdetit linduer t’Adriatikut juguer ka qânë kulmi kulturuer ilyrik, e passi shteti i parë ilyrik u-themelue ktu, triumfin mâ të math kanë me e pasun ata brenda njij kohe shum mâ të shkurtën ktu.
Në Kohën e Hekurit, shkaktohet gjatë eksistencës së saj dasija kulturore e Shqipnís. Kurse në Shqipnin e Veriut zhvillohen të dy epokat e Kohës së Hekurit (Hallstatt e La Tene), merr Shqipnija e Mesme, ajo e Jugut e Maqedhonija krejt nji zhvillim tjetër (me përjashtimin e enklavave greke: Lissos, Epidamnos, Orikum, Chimara, Panormus, Aulon, Onchesmus, Buthroton, Phoenica, Amantia, Byllis, Apollonia).
Ndër këto vise konstatohet nji përiudhë e parë e Kohës së Hekurit me karakter nordik edhe nji kohë e vonshme, ku dominon influenca e madhe greke. Nekropolet e pasuna të Trebenishtës afër Strugës janë shëmblla mâ e mira.
Me kolonizacjonin grek në fundin e shekullit VII fillon epoka protohistorike e Shqipnís, ajo epokë e cila dëften se Ilyrët bashkë me kta edhe Thrakët, Gjermanët etj. gjinden akoma pak a shum n’epokën prehistorike, mirpo situata e ktyne kulturore âsht ndriçue prej nji populli fqi mâ të përparuem në pikpamje literare, mbasi kta, në kontakt me qytetnimin e naltë t’Orientit, kishin pasun nji zhvillim të posaçëm e shum mâ të shpejtë. Inventari i formave mâ të shumta t’epokës së broncit hýn n’epokën hallstattiene.
Mâ fort konservative âsht typologija e objekteve që përdoreshin për zbukurim, si spiralet, pllakat, rrethet, ornamentika, gjylpanat dubel, qeramika edhe typi i vorreve tumulus ose vorre rrafsh.
E gjithë kjo zgjatje e ktyne formave prej kohës së broncit deri n’atâ të hekurit i rrëxon pretendimet e bâmuna prej arkeologut inglis Stanley Casson në librin e vet “Macedonia Thrace and Illyria – Oxford 1926″ i cili e lên të ngjajë imigracionin e Ilyrvet në shek. VII e VIII. Kongruenca e sipërpërmendun nuk lejon ndonji ndrrim popullsije në ket kohë. Vendet ku janë zbulue deri sot vjetërsinat e Kohës së Hekurit në Shqipni janë: Laçi, Ungrej, Dushmani, Maladzi. Ungrej ka nji synkronologji me Trebenishtën d.m.th. fundin e shek. VI p. Kr.
Nekropolet mâ të fundshme t’Ilyrvet të kohës parakrishtênë – jo klasike konstatohen në kufinin e Shqipnís në Medun të Malit-Zi. Në kto vorre të shek. III p. Kr. shifet kjartas fillimi i penetracjonit të kulturës romane. Prej Meduni humbin zbulimet, dhe deri në Koman 600 mbas Kr. konstatohet në pikpamje arkeologjike nji vacuum.
Rráll ka eksistue ndonji problemë mysterioze qi t’i két okupue arkeologët kaq shum sa ajo e Komanit. Zgidhja e saj aq e vështirë shkaktoi nji polemikë të rrepët ndërmjet qëndrave kulturore të Kontinentit Paris, Berlin, Ëien, Romë.
Dy pyetje kryesore pritshin përgjigjen. Kush janë ata të vorruemit e kúr janë vorruem. Randësija qi ka Komani shifet prej bibliografís përkatse të posht-shënueme: A. Degrand. “Souvenirs de la Haute-Albanie,” Paris; Th. Ippen: “Ëissenschaftliche Mitteilungen aus Bosnien und Herzegovina” vol VIII e IX ; Baron Nopsca “Ëiss. Mitt. Bos. Herzeg.” vol. XI e XII; S. Reinach: “L’ Anthropologie,” Paris 1901; P. Traeger; “Zeitschrift fur Ethnologie” vol. XXXXII, XXXIII, XXXIV Berlin; L. Ugolini “Albania Antica” vol. I. Roma 1927; L. Ugolini L”Antica Albania” Roma 1929; L. Rey “Albania Nr. 3.” Paris 1928.
Prej materialit të Komanit, nji pjesë e vogël gjindet në museum kombëtar në Tiranë, nji pjesë tjetër në kolekcjonin e Etënve Jezuitë e Franciskanë në Shkodër, kurse pjesa tjetër gjindet në Paris, Berlin e Ëien mâ tepër në kolekcione private.
Në buzën e majtë të Drinit, në Veri-prendim të Pukës bie katundi Koman me nekropolin Kalaja e Dalmacjes.
Emni kala ktu nuk justifikohet aspak, mbassi nuk ka as gjurma as shënja muresh. Nenprefektura e Pukës hýn në zonën e koncesjonit të misjonit arkeologjik francez. Vorret janë si arka guri të formueme prej rrasash e gjinden në to nji ase mâ shum të vorruem. Deri sot nekropole të tjera, përveç atij të Komanit, nuk janë gjetë.
Janë zbulue disa vorre afër Krujës e disa të gjetuna sporadike janë bâmë prej Shkodre deri në Durrës. Mbassi të gjitha kto të gjetuna kanë afërsí me nekropolin e math të Komanit atëherë formon ky nji qark kulturuer. Qarku kulturuer i Komanit ka zgjatun prej 600-800 mbas Krishtit d.m. th dy shekuj me rradhë âsht përdorun nekropoli i Komanit prej shum breznivet.
Nji sipërparmje e bâme në materialin e zbuluem mjafton të na bâjë të kuptojmë se Komani ka afërsí të madhe me dy nekropole të tjera: Keszthely t’Ungarís e Kettlach t’Austrís. Të dy kto nekropole lozin nji rrol të math në kulturën e kohës së trazimeve të popujvet. Të vorruemit në Keszthely janë Avarët, kurse ata në Kettlach janë Slavët.
Kulmi kulturuer i a mrrinë Keszthely përpara, kurse Kettlach vjen mbas Komanit. Afrimi i Komanit me Kettlach po i shtynë disa arkeologë slavë të reklamojnë Komanin për vehte. Për arsyena qi po kallzojmë mâ poshtë, theksimi i slavitetit âsht pa vend dhe ilyriciteti formon karakterin e vorreve të Komanit. Analyzimi i materialit na ep ket përfundim:
1) Pjesa ilyrike para-romane 2) pjesa romane provinçiale 3) influenca e madhe avare 4) influenca byzantine.
Nëpër vorret e Slavëvet, material pararoman deri sot nuk âsht gjetun. Përveç ksaj, Slavët kur u dërdhen nëpër Ballkan në fillim të shekullit VI mbas Kr. e kishin zakon që i digjshnin të vdekunit e vet e për ktê arsye nekropole slave kaq të hershme si ai i Komanit nuk eksistojnë. Vorret e para të Slavëve fillojnë në shekullin IX.
Elementi mâ karakteristik i pjesës romane provinciale âsht fibula me kâmbën e shpërdredhun.
Forma mâ e afërme e ksaj fibule si në pikpamje typologjike ashtu edhe kronologjike u-gjet në Debelo Brdo të Sarajevës (400 mbas Kr.)
Pjesën mâ të konsiderueshme t’inventarit të nekropolit të Komanit e influencojnë Avarët. Qëndrimi ase influenca e ktyne në Shqipni kuptohet mâ mirë prej thesarit që u’gjet në katundin Vrap të Peqinit, pjesa mâ e madhe e të cilit u-zhduk e vetëm nji pjesë e vogël u-ba objekt i nji botimi nga ana e profesorit Josef Strzygourski të Ëien-ës me titullin “Altai, Iran und Volkericanderungszeit” Ëien 1917.
PREJ AVARVET U HUAJTEN SI PROVINCIALËT ASHTU EDHE SLAVËT.
Elementet mâ karakteristike t’influencës avare janë vathët e veshit e të tamlavet të krés të quejtun ashtu, mbasi u-gjetën në vendin e tamlavet të të vdekunvet lidhun me nji lidhje rreth krés. Kto lloj vathësh gjinden me shumicë si në Koman ashtu edhe në nekropole të tjera të Balkanit. Me gjith influencat e pushtimevet të hueja ky popull konservativ mujti me i bâ báll rrezikut të çkombsimit që i vinte nga ana romane e slave.
Ruejtja e traditavet âsht aq e madhe, sa që Baron Nopsca konstaton pothue identitet në format e kostumevet të gravet t’epokës kulturore të Mykenës me kostumet e sotshme të Malsís së Shkodrës. Rezultati i hetimevet arkeologjike rrëzon hypothezën e bâmun prej shkencëtarit rumun Parvan, i cili i lên Shqiptarët të shpërngulen prej Rumanije e t’imigrohen në fillim të Kohës së Mesme në Shqipni si nji popull barijsh të romanizuem.
Albanologu i Ëien’ës Norbert Jokl në hetimet linguistike që bân, i afrohet rezultatit të hetimevet historike bâmun prej profesorit Constandin Jirccek. Ky e lên popullin e Ilyrvet të shpërngulet prej malevet ndërmjet Dalmacis e Tunës në kohën e trazimevet të popujvet e të shtýhet në viset jugore.
Kjo, në nji anë do t’ishte e mundshme mbasi në Debelo Brdo u-gjet forma mâ e afërt e fibul-ës së Komanit, po m’anë tjetër faktet anthropologjike kundërshtojnë nji shpërngulje kaq të madhe, mbasi komponenti ilyrik në popullsin slave të sotshme të viseve dinarike shkon mâ tepër se 50Ç.
Përveç ksaj mbas hetimeve të bâmuna prej Milan Sufflay Ilyrët e romanizuem nëpër qytetet konstatohen deri më 1000 mbas Kr. e me ktê bâhet i mundshem edhe kontinuiteti i popullsís që banon larg qytetevet. Elementet ilyrike para-romane të Komanit dalin në dritë së pari në fund të epokës hallstattiene e në fillim t’epokës La Tene d. m. th. rreth shek. VI para Krishtit.
Format e ktyne epokave janë kongruente me atê të broncit e kështu pra ky përfundim i kontinuitetit të formavet prej 2000 p. Kr. ka për konsekuencë autoktonitetin e popullit shqiptar gjatë 3000 vjetve mbasi pas invazionit slav popuj të tjerë nuk janë imigrue në Shqipni mâ e në të vorruemit e Komanit kemi Shqiptarët e hershëm.
Nji rezultat definitiv mund të marri zgjidhja e problemës s’autoktonitetit të Shqiptarvet në qoftë se fillohen gërmimet në Shqipni të Veriut ku deri sot nuk âsht bâmun asnji gërmim systematik.
Ktu do t’ishte mirë që nji nga misjonet e naltpërmenduna arkeologjike të fillonte sa mâ parë gërmime, nga të cilat do të derdhesh dritë mbi epokën protohistorike-ilyrike që na intereson né Shqiptarët mâ tepër se sa për kohën klasike. (Dr. SHYQRI DEMIRI)

Sadbere Karimani: Njeriu që u bë dritë për të mundur terrin


Në vend të homazhit për prof. Fadil Sulejmanin.

Duke qenë promotor i një emancipimi të gjerë shoqëror e kulturor, Universiteti i Tetovës, me në krye prof. dr. Fadil Sulejmanin, ishte Rilindja kulturore, arsimore e kombëtare e shqiptarëve të Maqedonis. Rektori i parë i këtij universiteti – prof. Sulejmani, e meriton epitetin e Rilindasit shqiptar në trojet etnike të Maqedonisë
Nga Sadbere Karimani
Lajmi për shuarjen e Prof. Fadil Sulejmanit më mbushi pikëllim, sepse megjithë jetën e tij të gjatë, duke e njohur si njeri të dijes dhe guximit intelektual, ai sikur na la të gjithëve gojëhapur dhe pak a shumë të vetmuar. Prof. Fadil Sulejmani zotëronte dhuntinë që të kërkonim dhe që të shtronim njëkohësisht pyetje. Tek ai nuk kishte kufijë moshe, por përkundrazi me kalimin e viteve, mprehtësia e tij bëhet më dominante dhe kjo të përkujtonte shqiponjat e Sharrit që vazhdimisht janë në mbikqyrje të situates në tokë.
Kontributi madhor i prof. Sulejmanit ishte ngusht i lidhur me dritën e dijes dhe siç e thoshte ai shpesh, vetëm drita e dijes e mund terrin e një populli. Këtë filozofi të tij intelektuale ai e mishëroi në projektin e Universitetit të Tetovës, një vepër kjo grandioze që mund ta bëjnë vetëm njerëzit largpamës dhe dashamirë të mëdhenjë të popullit të tij, siç ishte edhe prof. Fadili.
Ai qe një njeri i mrekullueshëm, me vështrim të zgjuar dhe me besim në vete. Nëse ka njerëz që kanë patur arsye të jenë krenar për të gjallë, sigurisht që ai do të ishte prof. Fadili, sepse krenaria e tij prodhonte besim në popull dhe ky besim bëri që shumë procese shoqërore e politike të marrin drejtim të duhur. Duke qenë promotor i një emancipimi të gjerë shoqëror e kulturor, Universiteti i Tetovës, me në krye prof. dr. Fadil Sulejmanin, ishte Rilindja kulturore, arsimore e kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë. Rektori i parë i këtijuniversiteti, prof. Sulejmani, e meriton epitetin e Rilindasit shqiptar në trojet etnike të Maqedonisë.
Duke u kujdesur për avancimin e brezave të rijë, e sidomos të femrave shqiptare, ai u bë spontanisht një prind i brengosur për të gjithë të rinjtë që kishin mbaruar shkollat e mesme dhe nuk kishin ku të vazhdonin universitetin. Si një fole e ngrohtë që i mbledh zogjtë e trembur, edhe Universiteti i Tetovës, me në krye prof. dr. Fadil Sulejmanin, i mblodhi të rinjtë shqiptarë dhe ua trasoi rrugën e ardhmërisë së ndritur. Mund ta imagjoni se sa lart tani kanë fluturuar këta zogjë dhe sa e kanë hijeshuar qiellin mbi trojet tona etnike.
Si shumë dashamirë e miqë të tij, edhe unë pata nderin ta njoft nga afër këtë figurë madhore të kombit tonë dhe ndjehem tepër e mërzitur që ai nuk është më në mesin tonë. Por, ai edhe pse nuk është më fizikisht me neve, vepra dhe shembëlltyra e tij do të jetojnë gjatë dhe do të vijnë gjenerata të tjera që emrin e tij do ta shndërrojnë në emblemë të një periudhe që solli ndryshime radikale në shoqërinë shqiptare në Maqedoni.
Çka do që tëthemi për kontributet e prof. Sulejmanit, sërish do të na mungojnë fjalët për të shprehur tërësinë e gjithë asaj që përmbledh kjo figurë e shquar e kombit tonë. Prandaj, detyrë e gjeneratave dhe pasuesve të rrugës së tij, mbetet të vazhdohet me misionin që ai na e la trashëgim dhe amanet si diçka të shtrenjtë, sepse vetëm në këtë mënyrë e lajmë borxhin ndaj këtij kolosi të arsimit dhe kulturës shqiptare.
Një falenderim isinqertë për këtë njeri do të ishte pak, ndaj edhe unë ndjehem e pafuqishme dhe e pamjaftueshme të shprehi mirënjohjen time ndaj tij, sepse vepra dhe shembëlltyra e tij është shumë më e madhe se falenderimet dhe mirënjohjet tona.
Nëse fjala epopullit : ‘Trimi i mirë me shokë shumë’ kishte një kuptim në kohë lufte, kjo thënie mori domethënie të re kur prof. Fadilit i nevoitej mbështetja gjithëpopullore dhe e njerëzve vullnetmirë. Pati shumë njerëz që nuk e kursyen mundin për t’i nihmuar në nxitjen për ta bërë realitet projektin etij.

Ndër ta shquhet z. Lazim Destani, i cili në bashkëpunim me prof. Fadil Sulejmanin, i dha mbështetje solide projektit të Universitetit të Tetovës për ta ngritur e për ta bërë realitet këtë tempull të dijes. Z. Destani gjithashtu i qëndroi pranë prof. Fadilit deri në

çastet e fundit të jetës së tij për ta mbështetur e për t’i dhënë kurajë kësaj figure të spikatur kombëtare.

Adush Canaj: Në 41-vjetorin e vrasjes nga UDB-ja të poetit Alush Canaj



Alush Canaj



Më vranë ata të mos këndojë për atdheun, për fëmijët dhe ëndrrat e tyre për lirinë.

Shkrimtari Beqir Musliu në një shkrim në Zërin e Rinisë, në shkurt të vitit 1972, ku përkujtonte poetin, shprehte dhembjen e madhe për vrasjen e poetit ngase letërsia shqipe kishte humbur një poet të talentuar të dorës së parë, një zë të ri të poezisë. Ndërkaq në përurimin e vëllimit poetik Vals veror, në vitin 1992, njëzetvjet pas vdekjes, në kohën e represionit të Millosheviqit, pati thënë haptas : “ Alushin e vranë siç e vranë edhe Rexhep Elmazin e poetë të tjerë.Mendimet që i kam patur për poezinë e Alushit, para njëzetë vjetësh,kur e kam lexuar, i kam edhe sot,niveli i poezisë së tij është edhe sot. Shihet vrulli i tij, gjakimi i tij, ngutja e tij në jetë.”



Nga Avdush CANAJ



Alush Canaj poet tragjik në lëtërsinë tonë.

Ishte dhe mbeti njëri ndër figurat më të dhembshme të lëtërsisë sonë për fëmijë.

Ka mbi dyzet vjet e kemi poezinë e tij me vargje brilante.

Edhe sot na përcjell hija e tij me atë buzëqeshjen e përhershme e flokët kaçurel si prej dielli.

Kujtesa për të nuk zbehet dot edhe pas dyzete një vitesh..



U lind më 24 gusht të vitit 1952 në fshatin Koretin të Kamenicës, Dardanës së sotme.Në vitin 1956 në kohën e terrorit, të aksionit të armëve dhe të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, familja e tij u vendos në Gjilan. Këtu Alushi mbaroi shkollën fillore dhe gjimnazin.



Si nxënës i fillorës u dallua për talentin e tij ndaj artit poetik. Lexonte me ëndje veprat letrare, duke patur pasion të veçantë poezinë, që më vonë u shndërruar në një dashuri e mori lulëzim të hovshëm. Vjershën e parë e botoi në Rilndjen për fëmijë, në vitin 1965, në moshën 13-vjecare, në 13 pranvera të tij.



Dhe më s`u ndal së botuari ngase portat e gazetave dhe revistave për fëmijë, për vjershat e tregimet e tij,ishin të hapura gjithmonë. Botoi në Pionieri, Gëzimi, Fatosi, Flaka e Vëllazërimit, Shëndeti e Zëri i Rinisë.



Në bankat e gjimnazit bëri emër si poet.Tani më ai nderohej dhe cmohej jovetëm në qytetin e tij, por edhe më gjerë. Vjershat dhe tregimet e botuara , bënin me dije se ishte një talent i rrallë, një penë e mprhetë e lëtrësisë sonë. Emri i tij lakohej shpesh edhe në carcet letrare në Prishtinë, në Rilindje, si një një krijues që do ta begatojë letërsinë tonë.

Katër vjet qe kryetar i Rinisë Shkollore të gjimnazit në Gjilan. Si poet që ishte, shquhej për organizimin e orëve letrare në qytet e tij, manifestime këto që tubonin të rinjë të shumtë, që përmes artit poetik, ngjallnin tek ta idetë atdhetare dhe patriotike, nuk shiheshin me sy të mirë nga lakejt e UDB-së. Ata e kishin kuptuar mirë misionin prej poeti të Alush Canajt.

Dhe e piketuan menjëherë.

Pas përfundimit të gjimnazit u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, nga të cilat u shkëput pas një viti ngase atje e pa për së afërmi urrejtjen gjenetike që kishin serbët nda shqiptarëve. Duke mos e duruar dot këtë, u kthye në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik regjistroi Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe .





“Dhe ne duhet shtrënguar grushtin fort, grushtin si të Migjenit e “ t`i biemë malit që s`bëzanë”.







 



Derisa ishte në Beograd, i shkruante letra shokut të tij të bankës, Mehmetali Rexhepit, i tregonte atij për padrejtësitë që i shihte atje në dëm të shqiptarëve, dhe këtë qytet ai e quanate të zi sepse krejt të zezat për shqiptarët e Kosovës vinin nga andej, atje e kishin strofullën.



Një letër e këtillë kishte shkuar deri në gjimnaz , lexohej me kurreshtje nga nxënësit atëherë, dorë më dorë, nëpër orët mësimore , dhe më pas e njejta, bie në duar të organeve të UDB-së. Tashti UDB-ja , përmes saj po e njihte edhe më mirë figurën e Alush Canajt. Në letër shkruante përafërsisht kështu:







“ Këtu vëllëzërit tanë qenkan të përbuzur. Ata i shoh çdo ditë në stacione autobusësh e trenash duke bartur valixhet e serbëve, duke pastruar rrugët, duke bërë punë fizike nga më të rëndat për kafshatë të gojës.



Pse të trajtohen në këtë mënyrë shqiptarët në këtë Qytet të Bardhë? Pse? Pse të shtypën me të vetmin faj vetëm pse janë shqiptarë, me plis të bardhë?



Dhe ne duhet shtrënguar grushtin fort, grushtin si të Migjenit e “ t`i biemë malit që s`bëzanë”.



Ta dini mirë, ky qytet qenka i zi! I zi qenka Beogradi! “







Vjershat e tij atdhetare, qëndrimi i tij prej revulucionari i përmasave të gjera, letra nga Beogradi-Qyteti i Zi, bëri ai që të përcillet edhe më shumë nga hijenat e lakejt e UDB-së me në krye Selim Broshën. Ia kishin frikën fjalës së tij poetike që jehonte nëpër orët letrare, prandaj filluan ta merrnin në biseda informative në zyrat e UDB-së duke ushtruar edhe dhunë fizike ndaj tij. E bënin këtë ata që ishin dorë e zgjatur e shkelësit, që për fat të keq nuk ishin të paktë, ata ashtlëpirësit e mashtruar e shpirtshitur, që nuk e donin diellin të rrezojë mbi Kosovën e përvuajtur.



Në një dokumentar të Radiotelevizionit të Kosovës të shfaqur ditë më parë, njëri nga sigurimcat e UDB-së në Gjilan duke e larguar përgjegjësinë nga vetja, fajin ua hodhi kolegëve të tij të vdekur: “Kurrë s`kam dëgjuar për këtë emër që po e përmend, për Alushin. As nuk e njoh. Unë s`kam patur me të. Atë e kanë marrë në pyetje Selim Brosha, Naip Hoxha e Ismajli. Kryesor i këtij rasti ka qenë Selimi. Unë Selimin e kam patur shok. Jam i betuar të mos e jap sekretin e Sigurimit “



Ndonëse e pati bërë gati për botim përmbledhjet me poezi Kur qel trëndelina e Valsi veror, s`arriti t`i shoh të botuara meqë nuk e lan ata që e kishin vënë në shenjestër si tepër të rrezikshëm për sistemin sllavokomunist.



Njezet vjet pas ndarjes së tij nga jeta dorëshkrimet e panë driten e botimit nën titullin Valsi veror, botuar nga Redaksia e Zërit, në vitin 1992, nën përkujdesjen e autorit të këtyre radhëve.



Dhe ata e vranë një natë, pikërisht me 14 shkurt të vitit 1972. Diku rreth orës 20, në shtëpinë e tij, e vranë me gotën e helmit që ia mbushën vetë.



Kur po i perendonin sytë në spital, në agimin e ditës së re, në orën 5 të mëngjësit të 15 shkurtit, doli zëri i tij:



“Më vranë ata të mos këndojë për atdheun, për fëmijët dhe ëndrrat e tyre për lirinë, por kënga për atdheun dhe lirinë do të këndohet gjithmonë.”



Derisa shpirti i tij fluturonte në qiell, e ëma e tij, Nënë Vaxhideja, në një dhomë spitali, u torturua psiçikisht nga UDB-ja, për të kuptuar, siç thanë ata ,të vërtetën e vetëvrasjes së Alushit,” për një dashuri të pafat.”



Po nëna e Alushit, e dinte të vërtetën, e njihte mirë djalin e saj. Si një heorinë u tha në sy:



“ Ju e vratë! Ju ia dhat gotën e helmit ta pi!”



Oh! E vranë poetin me talent të lindur. Në lulëzimin e pranvera të tij. Ende pa i mbushurt të njëzetat.



Kishte vetëm 19 vjet e 6 muaj e 9 ditë.



Ishte një vdekje që troditi gjithë Kosovën



Pastaj qiti fjalën tjetër Sigurimi dhe bashkëpunëtorët e tij: Alushi ka lexuar romani Pse të S. Spases dhe Fizofinë e Niçes dhe pikërisht kjo ka ndikuar në vetëvrasjen e tij. Diçka që nuk pinte ujë, nuk e hante populli, aq më pak familja e tij.



Shkrimtari Beqir Musliu në një shkrim në Zërin e Rinisë ku përkujtonte poetin, shprehte dhembjen e madhe për vrasjen e poetit ngase letërsia shqipe kishte humbur një poet të talentuar të dorës së parë, një zë të ri të poezisë. Ndërkaq në përurimin e vëllimit poetik Vals veror, në vitin 1992, njëzetvjet pas vdekjes, në kohën e represionit të Millosheviqit, pati thënë haptas : “ Alushin e vranë siç e vranë edhe Rexhep Elmazin e poetë të tjerë.Mendimet që i kam patur për poezinë e Alushit, para njëzetë vjetësh,kur e kam lexuar, i kam edhe sot,niveli i poezisë së tij është edhe sot. Shihet vrulli i tij, gjakimi i tij, ngutja e tij në jetë.”



Kurse shkrimtarin Hajro Ulqinaku, për nekrologun kushtuar Alushit të botuar në Flaka e Vëllazërimit,siç ka thënë ai vetë, e marrin në pyetje Sigurimi në Ferizaj.



Në arkivin e shtëpisë së tij, janë gjetur edhe disa vjersha e tregime që nuk janë përfshirë në vëllimin Vals veror. Është tepër impresionuese vjersha kushtuar Shqipërisë, një lirikë e mrekullueshme dhe modrne, e shkruar në vitet 70, që flet për shpirtin patriotik dhe atdhetar të Alush Canajt:







Atje larg në veri



Nëna ime Shqipëri



Si ylber me shtatë ngjyra



Lule e çelur, më e mira



E kam dritë, e kam xhan



Korbat e zezë prej saj më ndanë



Oh, sa keq! U bubu,



AJO pas malesh unë këtu



Zog do bëhem të fluturoj



Nënën time ta takoj



Ta puth në faqe si dikur



T`i them në prehër : U bëra burrë



Ujq e dhelpra më vijnë pas



Dashuri e Nënës do t`i vras.







Dhe pas leximit të këtyre vargjeve, nga vetë Alushi, në në orë letrare në Koviktin e nxënësve të shkollave të mesme në Gjilan, që e ndezen publikun duke u ngritur në këmbë më duatrokitje, një aktivist i Lidhjes së Rinisë së atëherëshme, i thotë:



“Ç`bërë vëllaçko?”



“S`bëra asgjë të keqe! Bëra atë që desha. Unë vetëm e lexova. Deti kos le të bëhet!”- ia kthen Alushi.



Ai nuk mundi të mos këndonte se, i këndonte zemra, shpirti, për nënën e vetme, Shqipërinë, Shqiponjen e maleve. Edhe pse ishte e ndaluar. Ai nuk i honpste ata që na i kishin vënë prangat. Ishte vetë guximi. Në këtë mënyrë ai po e shkruante biografinë e vet, veprën e tij jetëgjatë.



Alushin e vranë me gotën e helmit.



E vranë, por poezinë tij nuk mundën dot. Ajo është e pavdekshme siç është i pavdekshëm edhe vetë poeti, Alush Canaj.

Foto: Alush Canaj, Ballina e librit

..

PS. Më 15 shkurt 2013, bëhen 41 vjet nga vrasa e poetit me talent të lindur, Alush Canaj

Nga krijimtaria e Alushit

Alush CANAJ:

Në këto male

Në këto male epike

Me kroje rrëzë guri

Luftoi me kral e mbret

Atë Bajram Curri.

Në këto male legjendare

Ku zogjtë pinë ujë pa gotë

Pushkën s`e ndalën kurr

Azemi e dada Shotë.

Në kët male këngësh

Me ballin në re

U betuan dhe lis e gur:

-Do të mbrojmë, atdhe!

(1966)

Ylli i Arbërisë

Kush ia shtypi kokën

kuçedrës së tërbuar?

Kush ia ktheu

nderin shqiptarit?

Kush e solli në jetë

lulën e lënduar?

Kush ia shëroi krahët

shqiponjës së malit?

Skëndërbeu-

trim me fletë,

Skënderbeu-

kurorë e lirisë,

Skëndërbeu-

rrufe, shigjetë…

Skënderbeu-

Yll I Arbërisë.

(1966)

Ëndrra në krahët e erës

Fusha mbylli sytë,

edhe qielli

me këngë të kaltra.

Vrik erdhi gjumi

më çoi te lumi

era në breg

me mori mbi flatra.

Fluturoja fushës,

fluturoja malit

sikur me raketë!

Pyllthit me lulëkuqe

vizatova një mollëkkuqe

n`pallat të zambakut

në katin e tretë.

Peshqit në det

më mësuan not

te i Dashurisë Kep.

As vetë nuk e di

si rashë në thellësi.

Kur me puthi nëna,

unë: sa një plep!

(1969)

Dashuria e Skënderbeut për vajzën e sulltanit, që përfundoi në tragjedi

Antonio Xonkanda, shkrimtar italian, ka shkruar 200 vjet më parë një roman 800 faqesh për Skënderbeun.

Historia e një heroi, që në rrugën drejt fitores shoqërohet nga pasioni, intrigat dhe tradhtitë. Një dashuri fatale me vajzën e Sulltan Muratit II.

“Skënderbeu e deshi Zulejkën. Turkesha me sytë e zinj dhe flokët që i binin lehtë mbi qafën e hollë e kishte magjepsur qysh fëmijë. Mbrëmjeve ai lutej për portretin e saj dhe mëngjeseve nuk mendonte gjë tjetër veç të shihte siluetën e saj larg tek ecte me fustanin e gjatë në kopshtin e oborrit mbretëror. Dashurinë i’a shprehu përmes letrash. Në kartën e bardhë i shkroi me duart që i dridheshin gjithë atë çfarë zemra e tij mbante brenda prej vitesh. I tha se ishte gati të bënte luftëra dhe do të ishte gjithnjë një kalorës i denjë për dashurinë e saj. Ajo i ruante me kujdes letrat të gjitha bri shtratit ku flinte, derisa një mbrëmje doli fshehurazi nga pallati për të shkuar aty ku ushtari i pashëm nga Shqipëria flinte, për t’i thënë se zemra e saj i përket të tijës,” shkruan Xonkada.

Ai tregon se Sulltan Murati i II duke parë dashurinë e ushtarit të tij më të mirë për vajzën e tij të vetme, i premton se do t’i lidhë me kurorë nëse ai e ndihmon të luftojë kundër mbretit të Serbisë.

“Por sulltani nuk e mban fjalën. Pas paqes së bërë me mbretin e Serbisë, ai kërkon ta bëjë atë dhëndër në oborr, duke i dhënë vajzën. E tronditur nga ky lajm, Zulejka vret veten. Ikja e saj do të linte një dhembje pafund për heroin shqiptar, që asnjë fitore sado e madhe nuk do ia shuante kurrë”, shkruan ai.

Në librin me titull: “Skënderbeu, histori shqiptare e shekullit XV” përshkruhet dasma e heroit me Donikën dhe më pas përshkruhet një pasazh ku heroi iu flet të ftuarve për veten.

“Duke parashtruar ngjarjet e jetës së tij, heroi flet për dashurinë që ndjen për të e bija e sulltanit, Zulejka, dashuri prej së cilës ngrohet edhe zemra e Skënderbeut. Të dy të rinjtë, me mbështetjen e kryeunukut Shabek i rrëfejnë njëri –tjetrit ndjenjat përmes letrash. Në këtë kohë vdes Gjon Kastrioti dhe shqiptarët thërrasin të shkojë atje Skënderbeun për të zënë vendin e të atit. Por sulltani me të marrë vesh këtë, i premton për grua të bijën e tij Zulejkën, po qe se lufton pranë tij dhe të luftojë kundër mbretit të Serbisë që ka ngritur krye. Skënderbeu, marrëzisht i dashuruar, pranon dhe me një ushtri të fortë sulmon mbretin e Serbisë, pushton krahina dhe qytete dhe është gati ta shpartallojë ushtrinë armike, ku një ferman i sulltanit e thërret për në Andrinopojë dhe e urdhëron t’i dorëzojë komandën emirit Hasan, kundërshtarit të tij të egër. I bindet urdhrit dhe kur kthehet tek sulltani, ky pasi e lavdëron për fitoret e korrura në Serbi, i thotë se e ka thirrur për të shkuar kundër hungarezëve, të udhëhequr nga Huniadi, që kanë sulmuar tokat perandorake. Por për martesën me Zulejkën nuk i thotë asgjë”, citohet shkrimtari në gazetën “Shqip’.

Kështu që sulltani e tradhton dhe vendos që ta martojë Zulejkën me mbretin e Serbisë dhe ajo vetëvritet.

“Dhimbja e Skënderbeut është e thellë e papërshkrueshme. I ngarkuar të marshojë me ushtrinë kundër të famshmit Huniad, Skënderbeu ka vendosur të kthehet në Shqipëri e të çlirojë Shqipërinë”.

Që këtu merr kthesë jeta e tij, e përfshirë në beteja me humbje dhe fitore.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...