Nga Qazim Shehu
Ali Podrimja bashkë me Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, pa harruar prijetarin Esad Mekuli, përbën, në vetvete një yllësi të veçantë, në këtë radhë poetësh të shkëlqyer. Ai është poeti që u rrit me ta, u veçua prej tyre, siç edhe ata janë të mëvetësishëm e maja të larta. Poetë të tillë vijnë në kohën e duhur, e ikin atëhere kur e mendon se nuk duhet të ikin, por gjithësesi ata lënë prapa një vazhdë të ndritur me shpirtin e tyre fatos, siç thotë Lasgushi.
Në kohën kur Kosova ishte e pushtuar, vetëm disa kufij ishin të papushtuar, e këto ishin kufijtë e shpirtit, që i ngritën këta poetë të mëdhenj të fjalës shqipe. Me një zë profetik Esad Mekuli do të shqiptonte duke iu drejtuar popullit: ”Deshta, shumë kam dashtë dishrue, /ty me kangë të trimnoj, / këndova edhe kur më ishte ndalue.. ”Ishte radha e poetëve trima, jo e poetëve të kafeneve, të thashethemeve, po e poetëve misionarë, të cilët nuk e kryen detyrën prej shërbimit të porositur, po prej shpirti. Ndër këta, padyshim, ai, Podrimja, është një univers i veçantë, një kredo e lartë morale dhe estetike, një poet që preku me verbin e tij të fuqishëm telat e fshehura të zemrës së çdo shqiptari.
Poetë të tillë binjakëzohen me kohën, marrin prej saj dhurata të pafundme, sepse koha si finoke që është, duke ndjerë talentin e tyre, ka nevojë të identifikohet, dhe ata bëhen bartës të qëllimeve të saj, duke marrë barrën e saj për ta shpënë në destinacionin e duhur. Podrimja, ashtu si Fishta ishte dhe mbetet një poet i Etnisë, ai i thirri muzat ilire – dardane shqiptare, dhe i ftoi të këndojnë në lirën e vet, i zgjoi nga gjumi mitet e fshehura duke u dhënë flatra në përshtatje me realitetet e reja dramatike, gjithnjë duke i tejçuar në një ndërlidhje filozofike që rrallëkush e ka bërë, duke u ndodhur njëkohësisht në çdo sofër të shqiptarisë, trim, i guximshëm, një bard eposik, lirik, e aq modern. Më kujtohet, një herë, në Elbasan, në një festival të poezisë, kur recitova një vjershë, me titull: ”Plumbi qorr”. Teksti ishte kështu: ”Plumbi po të kishte sy, /lufta sa të ndizej do shuhej, /plumbi do shkonte atje ku duhej /po ai është qorr, /horr..” Ali Podrimja që ma kishte pëlqyer vjershën, nuk më tha për këtë, veçse më pyeti nga isha, dhe kur iu gjegja se jam nga Çermenika e Librazhdit, ai më pyeti si i kishim punët me shkaun.
Vonë e kuptova këtë pyetje, me sa duketai dinte mbi informacionet e vrasjes të sa e sa djemëve librazhdas në kufi nga policia maqedonase, sepse poeti, siç thotë Lasgushi, mban përgjegjësi për çdo gjë. Kisha dëshirë të flisja më gjatë me të po nuk të linin të tjerët. Kur Podrimja vinte në takime, grumbulli i poetëve bënte një hapje instiktive dhe ndihej një shenjë përgjegjësie, një vetëfrenim i lumtur, sikur po vinte fati vetë për të sjellë ndonjë mbarësi. Sepse ai qe një Autoritet i Lartë, pa pasur asnjë post, asnjë detyrë. Sepse autoriteti shpirtëror është më i larti autoritet. Po në këtë takim ne vajtëm të drekonim tek Kisha e Shijonit, po Ali Podrimja sa erdhi aty iku, ai kishte thënë se nuk mund të hynte në një kishë ku kishte vënë dorë Janullatosi. Edhe sot kam ndjesinë se ai u ngjit nëpër re si një fajkua për të takuar zotin e për t`iu lutur atij që të mbrojë kishat shqiptare. Ai ishte poeti dhe njeriu që nuk pranonte gjëra që binin ndesh me imazhin e tij për kombin dhe imazhet e tij ishin të drejta, pavarësisht nga preferencat globaliste e teoritë e ndryshme. Në këtë pikëpamje nuk ishte ekstremist, por i drejtë dhe virtuoz ashtu siç është çdo poet i madh, ashtu siç ishte ai.
Podrimja është një poet i përmasave të pakapshme, e nje trandeshence, gati biblike, si rrallëkush ai diti ta gjurmojë shpirtin e popullit të vet, ta nxjerrë nga memecëria e t`i japë, duke e çuar deri në foltoret e artit europian. Sepse ai ishte i përcaktuar nga hyjnia, me fuqi të jashtëzakonshme talenti dhe vullneti, dhe Ai as diti, as e çoi ndërmend ta braktiste këtë dhuratë.Duke lexuar veprën e tij, më bën përshtypje të thellë ky univers, sistemi i tij i fjalëve të veçanta, sistemi i figurave metaforike, simboli, shtresat e nënteksteve të pjekura me saçin përvëlues të ndjenjës kombëtare.
Mbi të gjitha më bën përshtypje thyerja estetike e vargut, tepër e veçantë, origjinale e pakapshme, një thyerje që përbëhet nga asosacione të largëta, në dukje të pakapshme, po nëse hetohen hollë hollë, ato janë aq të thjeshta. Ai shkëlqen në një energji të posaçme të vargut që të ngulet tërësisht në kujtesë dhe të trondit. Nuk është poet i narrativës klasike dhe i përshkrimeve të gjata që s`thonë gjë, është poet i sintezës dhe detajit befasues, kushtrues, jashtë çdo britme patetike, mobilizues jashtë çdo urdhëri, rivendikues, siç thotë për të poeti grek Dino Kubatis. Poezia etij godet, të trondit tej mase e sidomos kur e lexon me kujdes kupton se shijimi i parë është vetëm një hutim, ndërsa më vonë ky univers fjalësh të përthith si në një humbellë duke të mbytur me ndjenja e mendime humane plot dramacitet e lirizëm të ngrohtë, plot dashuri për njeriun. Ne nuk e dimë se ç`do qe ky poet po të kishte lindur në Kosovën e lirë, çdo paramendim ka nevojë të korrektohet, por ne dimë se vargje të tilla: ”Zgjohu Kosovë, zgjohu nëna ime e dashur, balli dhe emri im i shkelur” nuk mund t`i shkruante poet tjetër veçse Ali Podrimja.
Në këtë kuptim, Kosova dhe Ali Podrimja e gjetën njëri tjetrin siç gjen nëna të birin në furtunë dhe duke ukapur fort ia arrijnë të dalin në breg. Ndaj ai mbetet një sinonim i lavdisë, duke marrë për antonomazi emrin poeti, ashtu siç flitet për Naimin dhe Fishtën. Po Ali Podrimja nuk është vetëm poet i Kosovës, Çamërisë, Dibrës, Shkodrës, Ulqinit, Rozafës, etj, ai është poet i Njeriut, poet i ndjenjave të holla liriko -dramatike, i jetës dhe dhe vdekjes që i sheh të përqafuar, ashtu siç i shihte Lasgushi. Ai është poet i peizaheve të metroleve të Europës, poet i ndjesive të holla e të prekshme, poet lirik, epik, që sillte një dashuri të madhe për jetën, pikërisht atëhere kur jeta kërcënohej nga shfarosja. I gjallë, i fuqishëm, enigmatik dhe i qartë, tërësisht shqiptar, larg çdo mode apo imitimi, i vërtetë si vetë natyra, dhe i dobishëm si vetë njeriu që jep gajret e nuk të lë në baltë, kështu ishte baca Ali, i cili nuk mund të ishte tjetër veçse Poet i shënuar nga geni i rracës për të qenë i tillë. Poeti francez Leo Largie thotë: ”Do ngrehin padyshim një bust mbi varrin tënd, /A ndën një lar të bukur, aty në ndonjë park /po s`është gjë ky nder po qe se nuk përmend, /Njeri nga vepra jote, pas shekujsh ndonjë varg”.
Historia ka dëshmuar se shumë poetë që në kohën e tyre ishin të përkëdhelurit e kohës, morën medalje e dekorata, çmime e stërçmime, sot nuk kujtohen, ndërsa të tjerëve u mbahen mend përmendsh vargjet, ata përmenden për sentencat e çmuara poetike .E ndër këta të fundit, ashtu siç i përmenden vargjet Naimit, De Radës, Serembes, Gavril Darës, Lasgushit, Nolit, Migjenit, Azem Shkrelit, Fishtës, Kadaresë, Agollit, ashtu do ti përmenden vargjet e Ali Podrimes, këtij poeti të shkëlqyer të rracës sonë, që kurrë nuk e tradhtoi poezinë dhe Kosovën, duke e mbartur atë siç thotë një poet tjetër: ”si një plagë me vete”, plagë të cilin u mundua ta shëronte me freskun e nxehtë të vargjeve të veta brilante. Jo më kot ikja e tij ka zgjuar një drithërimë të habitshme në gjithë botën shqiptare dhe më gjërë, për asnjë poet nuk është folur kaq shumë sa ç`po flitet këto ditë për të. Është një respekt që vjen nga kodet e lashta zakonore të shqiptarit, respekti për burrat e fjalës. Dhe Ali Podrimja ishte një burrë i fjalës së veçantë e të mençur që i shtoi yje të tjera artit shqiptar duke na drithëruar të gjithëve. Dhe në fjalët për të s`ka asnjë tepërim, sepse ai është lavdia e merituar… Duke lexuar tekstet e Podrimes, bindesh se ajo është një poezi që ka kaluar nëpër kohë duke bartur pezmin dufin, rravgimet e fatit të individit shqiptar të Kosovës, i cili edhe kur jetoi në një paqe të rreme, e bartëte dramën e fillimit të masakrës si një shenjë që ndihej e vinte në ajër, si një gaz helmues që mjaftonte dikush t`i vinte flakën… Ndaj poeti do t`i dedikonte këto vargje Anton Pashkut: ”Vras, më vrasin /askush plagoset”. Nuk ka vargje më të bukura për të përcaktuar atë gjendje të mashtrimit të lirisë së lejuar, mbushur gjithë urrejtje e vringëllima në heshtje të mllefeve ulëritëse që nuk bënin zë. Podrimja vargjet e tij do t`i mprihte si heshta për të shpuar rrumbullakësinë e përshtatjes, vargjet e tij do të fluturonin qiellit të Kosovës për të ndezur retë e zemërimit, do të zbrisnin në shtresat e dheut për të çaktivizuar vulllkanet e fjetura, sepse: ”tokë me da nuk kam/hasmit në pi.. të sëmës, /vdekja si do që të vijë /qençe nuk jetohet ma ”Duket se këto janë vargjet e fundit, që nxisin natyrshëm për një fillim të ri. Ato vendosin një kufi heroik.
Ky ishte dhe është Podrimja, sintezë e gjallë e forcës, dashurisë, urrejtjes, gëzimit, shpresës. Ai ndryshon nga eleganti Azem Shkreli, latues i fjalë, sepse Podrimja i derdh fjalët si në shtratin e një llave, ose të një lumi furnizuar nga shirat në malet e qëndresës. Ndaj në vargjet e tij siç feks agimi, e Rrafshi e shpin trupin në madhësinë e vet, ashtu vjen e përflak vetëtima e bubullojnë mitet e lashta. Librat e tij janë libra që s`mund t`i heqësh nga dora, sepse ato dora dorës zbulojnë realitete tronditëse dhe u japin një dorë shpresave të vakta, dobësive të çastit për t`i ngritur në këmbë. Ai mobilizon e shkund harresën, kujton dhe rikujton, e bën gjithnjë këtë me një energji të jashtëzakonshme, sepse nuk do asnjë çast të shkëputet nga populli i tij, dhe vargjet e tij bëhen paradigma të fuqishme të ngritura në nivelin e një mençurie të re. Kjo mençuri nuk e harron asnjëherë arsyetimin se poeti i kalibrit të tij, e ka për detyrë t`i rreshtojë vargjet si ushtarët në një front të përditshëm, në luftë me vrastarët e lirisë. Çdo poet sjell në poezinë e tij vetveten, e rëndësishme është se sa vargjet e tij bëhen përfaqësuese dhe mëkojnë e mbushin me ngazëllim kraharorët e qinda mijëra njerëzve. Dhe Podrimja pati fat se diti ta bëjë këtë për mrekulli, përderisa poezitë e tij udhëtonin në mendjet e njerëzve, përderisa ai udhëtoi pa u lodhur drejt kulmeve të poezisë shqipe duke u bërë një kulm edhe vetë, siç do e përcaktonte Hashim Thaçi. Duke e kundruar veprën e tij në tërësi e duke e lexuar në veçanti, nuk mund të mos kuptosh kalimin e saj nëpër fazat kohore si një sprovë e vetvetes duke jetuar si poet që vazhdimisht zbulon motive e jep ide intersante nëpër shpalosje të fletëve të kohës.
Në këtë reliev të saj kemi një konfiguracion të çuditshëm me dritëhije të theksuara nga del në pah një shpirt që vuan,që kërkon e s`gjen qetësi, Brenda university të vet drithërues që gjeneron ndjenjë estetike të lartë, finesë të jashtëzakonshme fargu e shpërthime impulsive tronditëse. Vargu e flak tutje çdo teprim, dhe poeti thotë: Shqipëri, /xhuxhe je, /xhuxhe je ti, moj, /pa mua /Shqipëri /pikë uji në pëllëmbën e të eturit ”Është një poezi që daton dy vitet e fundit, që mbart në vetvete një mbresë të thellë përmes një simbolike dhe nënteksti të hollë. Poeti nuk e sheh të vetëmjaftueshme Shqipërinë pa Kosovën dhe anasjelltas, ato nuk janë veçse dy pjesë të vogla të një të të tëre të madhe. Sepse poeti, jashtë logjikës së çdo politikani apo feudali të provincës, mban gjithnjë një kod tjetër të gjykuari në shpirtin dhe mendjen e vet. Ai është më i pangjashëm në këtë, i epërm si një zot.